Kur Luran Ahmeti luante në filmin ‘Taken’

Sot u bë e ditur se aktori i mirënjohur shqiptar, Luran Ahmeti ka ndërruar jetë, shkruan KultPlus.

Mirëpo, ndër sukseset më të mëdha të aktorit ka qenë edhe roli i tij në filmin e famshëm amerikan, ‘Taken’

Në intervistën e tij të parë në Shqipëri të relizuar në vitin 2018, Ahmeti kishte treguar se si nisi karriera e tij dhe lidhja me projektet hollyëoodiane.

I pyetur se si u gjend Ahmeti në një film si Taken ku shqiptarët e ballkanasit nuk ishin në kushte favorizuese, aktori ka rrëfyer “Unë kam pasur disa oferta nga filma ku më është ofruar roli negativ e unë nuk e kam pranuar dhe më pas ato filma janë bërë shumë të suksesshëm. E vërteta është se mua kjo më hante nga brenda, pse nuk u bëra pjesë e budallallëkut tim”.

“Të gjithë ne kemi momentet tona kur bëhemi pishman. Sidomos kur shohim persona të tjerë që bëjnë hapa më të mëdha dhe bëjnë kompromise të ndryshme”, kishte rrëfyer Ahmeti.

“Dhe kemi dobësitë tona ku themi, do ta bëj këtë kompromis. Industria amerikane dhe hollyëoodiane është e madhe, ne nuk mundemi apo t’i kundërvihemi. Tekkenin unë doja ta kisha një përvojë… prandaj dhe e pranova”, kishte përfunduar aktori i famshëm shqiptar. / KultPlus.com

Liam vëlla eja, këtu do jesh “taken” nga toka që u zhvatën, male që u zhveshën e pyje që u prenë

M

Nga Briken Fejzullai

Liam vëlla, eja kur të duash!

Këtu do jesh “taken” nga kulla betoni, mbjellë krah pyjeve orbitalë.

Do jesh “taken” nga toka që u zhvatën, male që u zhveshën e pyje që u prenë nga të babziturit.

Do jesh “taken” nga lumenj të tharë nga kuçedra HEC-esh, e miliona të vjedhura nga dragonj TEC-esh.

Do jesh “taken” i dashur Liam, nga barktharë që nuk mbledhin dot as kanaçe nëpër kazanë plehrash.

Do jesh “taken” nga plaka të gjora që tërhiqen zvarrë nëse shesin qepujka, misra apo kokoshka… e “agallarë” PPP – rash, që sillen me këtë vend si ta kishin çifligun e etërve të tyre, teksa darkojnë me pushtetin e radhës.

Do jesh “taken” nga shëndetësia jonë falas e nga depozitat e ujit me orar, por të “çmimit të parë”.

Këtu do jesh “taken” nga liria e blerë e medias apo nga frika që ka dikush që punon në administratë, për të bërë qoftë edhe një “like” tek një postim që i duket i drejtë, nga frika se mos humbet vendin e punës.

Eja Liam vëllai, së këtu do jesh “taken” nga kokëcepsha të pa larë, që e filluan politikën me brekë Korçe dhe me pantallona teritali apo fustane të qepura tek rrobaqepësja e lagjes… ndërsa sot na japin mend, mbathur me Victoria’s Secret apo Calvin Klein nën fustane dhe kostume “firmato”, ndërkohë që shpalosin çanta, ora, diamante e bizhuteri floriri vezullues, të blera me gjakun e popullit që s’bzan.

Këtu do shohësh sesi burra “me demek” shteti, martohen me lekët e tezes, vishen me lekët e mamit, ndërtojnë me lekët e hallës, jetojnë me lekët e gruas… ndërkohë që kryefamiljarë krenarë, varin veten, sepse nuk e durojnë dot turpin e burgut për 30 $ energji të papaguar.

Këtu i dashur mik, do të jesh “taken” nga drejtësia përhershmërisht e përkohshme.

Eja e rri rehat këtu Liam, sepse ata që rrëmbenin vajzat si jot bijë në film e i drogonin, përdhunonin, shisnin apo vrisnin nëse nuk pranonin të shkonin prostituta, nuk ke për t’i gjetur rrugëve.
Eja e rri rehat… sepse ne, horrat, i kemi mbyllur brenda. Po jo brenda në burg siç bën bota, or lum miku. Ne i mbyllim në parlament, që pasi të na vjedhin, plaçkisin, pijnë gjakun… të na tallim duke na marrë fytyrën e duke na shpërndarë spote me ty, për t’i dhënë hov turizmit “10 milonësh”.

Ps. “I am Taken” nga vendi im, i dashur Liam, ndaj t’i shkruajta me sinqeritet këto dy rreshta. / KultPlus.com