Takim më 31 dhjetor

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Në kufirin mes viteve,
për ato që ikën,
për ato që vijnë
mendimi pezull rri.

Ty që m’u shfaqe në dhjetorin e bardhë,
nuk di ku të të fus, nuk di!
Ish pasditja e fundit e një viti në ikje.
Ora e Vlorës përudhte
shkëmbime vështrimesh të dridhshme.

Sido që të jenë ngashnjimet e ardhshme,
këto do të mbeten
të papërsëritshme.

E unë në kufirin mes viteve,
prerë nga një pyetje si ky qiell me vetëtimë:
Ku të të fus,
në ato që ikën,
a në ato që vijnë? / KultPlus.com