Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka përgatitur një program të veçantë, enkas për Ditën e Shën Valentinit. Prej kohësh ky teatër ka nisur një fushatë mediatike në rrjetet sociale, përmes së cilës u drejtohet kryesisht të rinjve, duke iu qasur atyre me sloganin “për date në opera” (për takim në opera).
“Nëse ende nuk e ke ftuar të dashurën apo të dashurin për takim në opera, ky është rasti ideal”, shkruan TKOB në rrjetet sociale.
Këtë Shën Valentin, TKOB do të sjellë shfaqjen “Puccini in Love”, një mbrëmje të tërë dedikuar dashurisë e pasionit, me ariet dhe duetet nga operat më të njohura të historive të mëdha të dashurisë.
Më datë 14 shkurt do të interpretohen arie dhe duete nga operat “Tosca”, “Turandot”, “La Boheme”, “Manon Lescaut”, “Madame Butterfly”, “Il Tabarro”, “Suor Angelica”, “Gianni Schicchi” dhe “Le Villi”. Të gjitha janë vepra të shkruara nga njëri prej kompozitorëve më të suksesshëm në Itali dhe rang botëror. Puccini u nda nga jeta 100 vjet më parë dhe teatro nga më të rëndësishmit, ia kanë kushtuar këtë vit, veprës së tij./atsh/ KultPlus.com