Kurti dhe Kearns për Serbinë pas agresonit të 24 shtatorit: Ndëshkimi është vendimtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim deputeten dhe Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

Duke e falënderuar Kearns për vizitën, Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe të saj për Republikën e Kosovës.

Në takim u theksua që prioritet kryesor për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve.

“U tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”.

“U bisedua për përkushtimin e plotë për zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars)”, thuhet në njoftimin e dërguar nga Qeveria e Kosovës./Klankosova.tv/KultPlus.com

Lorik Cana zbulon udhëtimin me Macron: Si i mësova të flas shqip (VIDEO)

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Lorik Cana ka shoqëruar presidentin francez Emmanuel Macron gjatë udhëtimit të tij në vendin tonë dy ditë më parë.

Në  një intervistë për Euronews Albania, ai theksoi se me Macron në avion qëndroi rreth 30 minuta ku shkëmbeu një pjesë të historisë dhe kulturës shqiptare.

Ka qenë Cana ai që e ka ndihmuar për të mësuar pak shqip, presidentin Macron, i cili hapi fjalimin në Tiranë, pikërisht me gjuhën tonë.

“Shumicën ca kishte për të thënë e kuptuam dhe  pse jo një shqipe aq të patër. Në krahasim me sa kur fillova me e mësuar dhe me e stërvit, ishte një nxënës  i jashtëzakonshëm dhe shumë i përkushtuar. Besoj se ia ka dalë më së miri. Duke qenë se ishte vizita e parë historike e  një presidenti francez në vendin tonë, në protokollet e tyre ka delegacionin zyrtar që e shoqëron dhe kjo bëhet me propozimet që bëhen nga zyrtarë. Ishte presidenti që kishte pasur një dëshirë shumë të madhe që të jem pjesë e këtij delegacioni zyrtar francez në vendin tonë dhe sigurisht për mua ishte një kënaqësi që ta pranoja këtë ftesë.

Ishin 20 orë të  ngarkuara por shumë të rëndësishme për marrëdhënien e dy palëve. Pata mundësinë që gjatë dy orëve me Macron të ndava 30 minuta me të.  Ai është tifoz i  çmendur pas futbollit. Ai ishte i interesuar që të dinte se çfarë bëja unë. Ishte shumë kurioz të dinte për historinë dhe identitetit shqiptar. Pastaj filluam me nisjen e fjalimit që  do të mbante në Tiranë”-tha Cana./EuroNews/KultPlus.com

Begaj pas takimit me Macron: Kosova është e pavarur, aktet terroriste si ajo e Banjskës janë të papranueshme

Presidenti Bajram Begaj, ka folur pas takimit me presidentin e Francës Emmanuel Macron.

Begaj e ka cilësuar vizitën një ngjarje historike.

Të dy presidentës gjatë takimit kanë folur rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Kreu i shtetit shqiptar tha se është e nevojshme dënimi i akteve të dhunës dhe provokimeve në komunat veriore të Kosovës.

“Kosova është vend sovran dhe i pavarur, dhe akte terroriste si ajo e Banjskës në Zveçan më 24 shtator 2023, janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit evropian”, tha Begaj.

Bajram Begaj e falënderoi Emmanuel Macronin, për mbështetjen e këtij dialogu.

“Veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu”, thuhet në njoftimin e Presidences shqiptare përcjell Klankosova.tv

Më 24 shtator, Serbia kreu agresion në Kosovë.

Si pasojë e një sulm të armatosur nga një grup terrorist serb, u vra rreshteri Afrim Bunjaku./KlanKosova/KultPlus.com

Dritëro Agolli: Kur në Kosovë takova Azem Shkrelin

Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër. Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.

Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.

Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më polli mua kur u kthye nga arat.

Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste: -Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!… Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.

Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi.

Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit.

Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash . -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur.

Folēm për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē. Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti . -E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë. -Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. – Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij.

*** / KultPlus.com

Kur Demaçi i takoi fëmijët e tij: I shikoja në një mënyrë të ftohtë dhe nuk isha baba normal

Përparim Kryeziu

Në vitin 1974, pak kohë para se të dalë nga burgu, Demaçi kërkon që në vizitë t’i vijnë edhe fëmijët.

Ata vijnë të shoqëruar nga halla, Ajshja. Për herë të parë në jetën e të dyve, takohen e flasin babë e bir, Adem e Shqiptar Demaçi. Shqiptari është 9 vjeçar.

Po për herë të parë ndërrojnë fjalë me njëri-tjetrin Adem dhe Abetare Demaci, vajza e tij tashmë 10 vjeçare, të cilën Demaçi e kishte lënë shtatëmuajshe.

“I shikoja në një mënyrë të ftohtë dhe nuk isha baba normal. Nata e fundit, e burgut të dytë ishte pafundësisht e gjatë, pikë gjumi nuk shtina në sy. Pas dhjetë vjetësh në burg, kisha ndjesinë sikur kisha ndejtë dhjetë vjet në frigorifer”.

Marrë nga libri, “Adem Demaçi biografi e pa autorizuar”, Shkëlzen Gashi. /KultPlus.com

Vjosa Osmani pas takimit me Bill Clinton-in: Kosova është e bekuar me miqtë më besnikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Osmani ka thënë se është pak të thuhet se Kosova është e bekuar me miqtë e saj. Ndërsa e ka falenderuar Clintonin, Osmani ka publikuar disa fotografi me të, transmeton KultPlus.

“Është pak të thuhet se Kosova është e bekuar me miqtë më të përkushtuar dhe më besnikë. President, faleminderit për gjithçka që keni bërë për njerëzit tanë”, shkroi Osmani në një postim në Twitter. / KultPlus.com

“Mbi flokë të kishte reshur borë, rrudhat të loznin nëpër fytyrë” (VIDEO)

Sabri Fejzullahu është një nga këngëtarët më të spikatur të skenës muzikore në Kosovë, shkruan KultPlus

Edhe pse Fejzullahu vazhdon të jetë mjaft aktiv edhe në ditët e sotme, këngët e tij më të vjetra janë hite të jashtëzakonshme.

Sot, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës ‘Takimi’ nga Sabri Fejzullahu.

Shumë vjet kaluan, që s’ishim parë
Si t’i harroj k’to vrragë mbi ty
Më vjen për të klithur e për të qarë
Shumë më mirë t’mos kisha sy

Mbi flokë të kishte reshur borë
Rrudhat të loznin nëpër fytyrë
Ku janë ata sy, ku ajo dorë
Pse zëri të paska tjetër ngjyrë

Ti ke qenë simbol i bukurisë
Krijuar nga dorë hyjnore
Ndaj i besoja amshueshmerisë
Dhe të tillë të kujtoja prore

Mbi flokë të kishte reshur borë
Rrudhat të loznin nëpër fytyrë
Ku janë ata sy, ku ajo dorë
Pse zëri të paska tjetër ngjyrë

Kohë e egër, kohë tinzare
Gjurmë që paska lënë mbi ty
Shumë më mirë t’mos ishim takuar fare
Shumë më mirë t’mos kisha sy

Kohë e egër, kohë tinzare
Gjurmë që paska lënë mbi ty
Shumë më mirë t’mos ishim takuar fare
Shumë më mirë t’mos kisha sy

Shumë më mirë t’mos kisha sy
Shumë më mirë t’mos kisha sy./KultPlus.com

Ilir Meta: Arbëreshët frymëzojnë çdo shqiptarë

Presidenti shqiptar Ilir Meta, ka pritur në takim shoqatën “Vorea” të arbëreshëve të Italisë me qendër në Frascineto, shkruan KultPlus.

Këtë takim Meta, e publikoi edhe në rrjetin social Facebook, duke thënë se është një takim i ngrohtë vëllazëror me tre gjenerata arbresh.

“Mbresëlënës takimi i ngrohtë e vëllazëror me tre gjenerata arbëreshe. Përkujdesja e tyre për të ruajtur e përcjellë brez pas brezi, gjuhën e mrekullueshme shqipe, ritet, kulturën e traditat tona të spikatura dhe në veçanti për të lartësuar figurën e Skënderbeut, frymëzon çdo shqiptar. Mirënjohje për punën e palodhur të shoqatës “Vorea” me qendër në Frascineto, që promovon vlerat tonat kombëtare e punon prej vitesh për ripërtëritjen dhe fuqizimin e marrëdhënieve të arbëreshëve të Italisë me Shqipërinë. Ju uroj një të diel të mbarë miq!:, ka shkruar presidenti Ilir Meta./KultPlus.com

Rita Ora flet për takimin me Princin Harry (FOTO)

Rita Ora më në fund ka takuar Princin e saj! Në muajin e kaluar ylli i “Your Song” vizitoi Pallatin Kensington me ç’rast u takua me familjen mbretërore, Princin William dhe Harryn.

Ajo thotë se ishte paksa nervoze pasi për herë të parë po e takonte familjen mbretërore.

“Më pëlqeu shumë takimi me Princin Harry dhe Princin William. Ishte hera e parë që takova familjen mbretërore, prandaj isha paksa nervoze”, ka thënë ajo për Hello.

26 vjeçarja thotë se ishte befasuar sa të thjeshtë ishin vëllezërit mbretëror.

“Ata ishin aq të mirë, sigurisht se ata do të jenë të mirë, por ishin shumë sharmantë dhe normal”, është shprehur Ora.

Përderisa spekulimet për fejesës së Harryt, 33, dhe të dashurës së tij 36 vjeçare, Meghan Markle, këngëtarja shqiptare bëri shaka duke se Harry është ende princi i saj, transmeton koha.net./ KultPlus.com

Ministri Gashi u takua me ambasadorin amerikan Greg Delawie

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot, në një takim njohës, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë dhe Ambasadës së SHBA-së në vendin tonë.

Ministri Gashi dhe ambasadori Delawie vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë të dy shteteve, e në veçanti të MKRS-së me Ambasadën Amerikane në dikasteret që ka në përgjegjësi ministria.

Ministri e falënderoi ambasadorin amerikan për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyer që Qeveria amerikane ka dhënë në shtet ndërtimin e Kosovës dhe po jep për forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Po kështu, ministri Kujtim Gashi e njoftoi ambasadorin Delawie për politikat dhe planet që po i ndjek MKRS-ja për zhvillimin e kulturës në vend dhe promovimin e diversitetit kulturor.

Ambasadori Delawie premtoi vazhdimin e bashkëpunimit në fushat që janë me interes të MKRS-së.

Po ashtu, ambasadori Delawie theksoi se qeveria e vendit të tij, përmes Ambasadës në Prishtinë, do të jetë përkrah ministrisë duke mbështetur aktivitete të ndryshme rinore e kulturore, të cilat e promovojnë diversitetin dhe respektin e ndërsjellë në Kosovë, si dhe aktivitetet e dizajnuara që të kundërshtojnë ekstremizmin e dhunshëm.
Ministri e ambasadori u pajtuan për thellim të bashkëpunimit dhe angazhimit në realizimin e projekteve konkrete në kulturë, trashëgimi, e me theks të veçantë në avancimin dhe integrimin e rinisë në jetën institucionale e shtetërore të Kosovës./ KultPlus.com

Ministri Gashi: Turqia partner i çmuar i Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në një takim Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilicim Kiliç. Gjatë këtij takimi njohës, u bisedua për projektet e përbashkëta në të cilat Kosova e Turqia kanë bashkëpunuar deri më tani, si dhe vazhdimin e mëtejmë të tyre.

Ministri Gashi e falënderoi ambasadoren dhe përmes saj shprehu mirënjohjen për Republikën e Turqisë në përkrahje të Republikës së Kosovës dhe të kontributit të shtetit turk dhënë për Kosovën në përgjithësi, e në veçanti për fushat në të cilat është përgjegjëse MKRS-ja.

Ministri tha së është në gatishmëri dhe shërbim të plotë për thellim të bashkëpunimit dhe realizimit të projekteve konkrete, me theks, në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Turqia ka qenë dhe mbetet partner i çmuar i shtetit të Kosovës, u shpreh ministri.

Ndërkaq ambasadorja turke Kiliç, e uroi ministrin Gashi për detyrën e re dhe e premtoi se bashkëpunimi dhe përkrahja ndaj MKRS-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Mysafirët e informuan ministrin për projektet që janë realizuar deri më tani, sidomos në restaurimin e shumë objekteve të trashëgiminë kulturore, duke u shprehur të hapur për mbështetje të mëtejme si në trashëgimi, por edhe në kulturë, rini e sport.

Ajo theksoi se Turqia e Kosova do të vazhdojnë të jenë përkrah njëra-tjetrës edhe në të ardhmen dhe rikonfirmoi se mbështetja e Ambasadës në projekte të ndryshme do të vazhdojë dhe bashkëpunimi do të thellohet edhe më tej./ KultPlus.com