Jahjaga takon ish-sekretaren Clinton, falënderon ShBA-në që i qëndroi afër Kosovës në momentet më të vështira

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar se sot në New York është takuar me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Ajo tha se në këtë takim me ish-sekretaren amerikane, ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e ish-sekretares dhe presidentit Bill Clinton për Kosovën ndër vite për angazhimin e tyre për paqe dhe siguri duke qëndruar krah popullit të Kosovës në momentet më të vështira.

“Në Kombet e Bashkuara pata kënaqësinë të takoj miken time, Sekretaren Clinton, një mike të madhe të popullit të Kosovës. I shpreha mirënjohjen më të thellë Sekretares Clinton për kontributin dhe mbështetjen e saj dhe Presidentit Clinton ndaj Kosovës ndër vite. Ne jemi përherë falenderues për angazhimin e tyre në paqe, siguri dhe zhvillim të vendit tonë, duke qëndruar përkrah popullit të Kosovës në momentet më të vështira”, shkroi Jahjaga transmeton Klankosova.tv

“Me Sekretaren Clinton diskutuam edhe për rëndësinë e avancimit të të drejtave të grave dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në pozita të larta udhëheqëse. Përvoja e saj në lidership dhe përkushtimi për fuqizimin e grave dhe vajzave mbeten frymëzim”, theksoi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja Osmani takon Jim O’Brien, flasin për tejkalimin e sfidave të përbashkëta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook ka thënë se takimet në Washington D.C. i ka filluar me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien.

Presidentja Osmani ka bërë të ditur se me Jim O’Brien kanë pasur një diskutim përmbajtjesor për bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, me qëllim siç ka thënë ajo, për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

“Diskutim përmbajtjesor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”, ka shkruar Osmani.

Tutje ka thënë ajo se bashkë kanë diskutuar edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, dhe rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi.

Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, ka udhëtuar për në Uashington. Ajo do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.