Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar sot me Ministrin e Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite, Taufiq Bin Fauzan al-Rabiah.
Sipas presidencës shqiptare, në fokus të takimit ishin marrëdhëniet shumë të mira politike në interes të bashkëpunimit dhe të zhvillimit të një agjende dypalëshe, mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, si dhe mbështetja për njohje të reja të Kosovës.
Begaj i shprehu ministrit saudit të Haxhit dhe Umres falënderime për ndihmën humanitare dhe financiare që Arabia Saudite ka dhënë ndër vite për Shqipërinë në momente të vështira.
Njëherazi, kreu i shtetit shqiptar shprehu gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin ekonomik, investimet direkte, si dhe mundësinë e vendosjes së një linje direkte mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, gjë që do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në numrin e turistëve, por edhe në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Presidenti Begaj vlerësoi njohjen dhe mbështetjen e Kosovës nga Arabia Saudite, teksa kërkoi ndihmën për të zgjeruar numrin e këtyre vendeve.
