Talebanët ndalojnë transmetimin e telenovelave të huaja

Mediat afgane dhe gazetarët po përballen me një goditje të talebanëve të nxitur si nga një paralajmërim verbal për të ndaluar transmetimin e telenovelave të huaja.

Komiteti për Sigurinë e Gazetarëve Afgan (AJSC) deklaroi se talebanët kishin arrestuar gati një duzinë punonjës të medias dhe gazetarë gjatë tre ditëve të fundit. Ai tha se tetë arrestime u bënë të mërkurën dhe tre të tjerë të enjten.

Arrestimi i tre punonjësve të TOLO TV, stacionit më të madh televiziv në Afganistan, shkaktoi shqetësim të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar.

Khpalwak Sapai, një nga të arrestuarit dhe drejtor i stacionit TOLOnews, deklaroi se të gjithë kolegët e tij u liruan pas një ndalimi të shkurtër.

Sapai tha se arrestimi i tyre u nxit nga një raport mbi ndalimin e të gjitha telenovelave të huaja që kishte “tronditur” anëtarët e partisë në pushtet. / KultPlus.com

Talebanët ndalojnë gratë të udhëtojnë të pashoqëruara

Talebanët njoftuan sot se gratë që dëshirojnë të udhëtojnë në distanca të gjata duhet të shoqërohen nga një i afërm burrë, një tjetër shenjë e ashpërsimit të regjimit pavarësisht premtimeve të tyre fillestare.

Rekomandimi i publikuar nga Ministria për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve dhe i cili ka qarkulluar në rrjetet sociale, u bën thirrje edhe shoferëve që të pranojnë gra në automjetin e tyre vetëm nëse janë të mbuluara.

“Gratë që udhëtojnë më shumë se 45 milje (72 kilometra) nuk mund të bëjnë udhëtimin nëse nuk shoqërohen nga një anëtar i ngushtë i familjes”, tha zëdhënësi i ministrisë Sadeq Akif Muhajir.

Kjo direktivë vjen disa javë pas kërkesës së ministrisë drejtuar televizioneve afgane që të ndalojnë transmetimin e telenovelave dhe serialeve në të cilat luajnë gratë dhe të sigurohet që gratë gazetare të jenë edhe në ekran të mbuluara.

Që kur erdhën në pushtet në gusht, ata kanë vendosur kufizime të ndryshme për gratë dhe vajzat, pavarësisht premtimeve fillestare se regjimi i tyre do të ishte më pak i rreptë sesa gjatë mbretërimit të tyre të parë (1996-2001).

Në disa provinca, autoritetet lokale kanë rënë dakord të rihapin shkollat ​​për vajza, megjithëse shumë prej tyre në të gjithë vendin ende nuk mund t’i ndjekin.

Më herët në dhjetor, një dekret në emër të liderit suprem të lëvizjes i bëri thirrje qeverisë të zbatonte të drejtat e grave, por dekreti nuk trajtonte të drejtën për arsimim.

Gjatë sundimit të tyre të parë, talebanët e bënë të detyrueshme që gratë të veshin burkën.

Ato mund të largoheshin nga shtëpitë e tyre vetëm kur shoqëroheshin nga një burrë dhe nuk lejoheshin të punonin dhe të studionin. / KultPlus.com

SHBA reagon ndaj qeverisë së përkohshme të talebanëve

Shtetet e Bashkuara thonë se po analizojnë njoftimin e talebanëve për një qeveri të përkohshme në Afganistan dhe se “e kanë bërë të qartë qëndrimin se populli afgan meriton një qeveri gjithëpërfshirëse.”

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga Talebanët që të respektojnë angazhimin për të lejuar largimin e sigurt për shtetasit e huaj dhe afganët me dokumente udhëtimi, përfshirë lejimin e fluturimeve për avionët që janë gati shkojnë jashtë Afganistanit në destinacionet e mëtejshme për të cilat është rënë dakord,” i tha Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Ne gjithashtu përsërisim se presim që talebanët të japin siguri që territori afgan të mos përdoret për të kërcënuar ndonjë vend tjetër dhe të lejojë qasje humanitare në mbështetje të popullit afgan. Bota po e ndjek me vëmendje situatën”, tha zëdhënësi.

Talibanët shpallën të martën një qeveri islamike të përkohshme, duke thënë se ajo do të drejtohet nga Mullah Hasan Akhundi, një bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të lëvizjes islamike, Mullah Omar.

Njoftimi erdhi një ditë pasi talebanët deklaruan se kishin pushtuar provincën veriore të Panjshirit, duke i dhënë fund bazës së vetme të rezistencës së armatosur ndaj sundimit të tyre në vendin e shkatërruar nga konflikti.

Zëdhënësi kryesor i talebanëve Zabihullah Mujahid tha në një konferencë shtypi në Kabul se të gjitha emërimet ishin në detyrë dhe se krerët e ministrive të tjera do të emërohen së shpejti.

Akhund, që besohet të jetë në të 60-at, vjen nga provinca jugore afgane e Kandaharit, ku është themeluar lëvizja Talebane. Ai kishte udhëhequr këshillin drejtues të grupit, i cili kishte urdhëruar sulme kryengritëse kundër Shteteve të Bashkuara dhe forcave aleate gjatë gati 20 viteve të luftës.

Mulla Abdul Ghani Baradar, kreu i zyrës politike të grupit, do të shërbejë si zëvendëskryeministër në qeverinë e përkohshme. Sirajuddin Haqqani do të jetë ministër i brendshëm.

Amir Khan Muttaqi do të jetë ministër i jashtëm dhe Mohammad Yaqoob, i biri i Omarit, do të jetë ministri në detyrë i mbrojtjes, shtoi zëdhënësi Mujahid.

Haqqani është kreu i rrjetit Haqqani, i përfshirë nga Shtetet e Bashkuara në listën e organizatave terroriste globale.

Uashingtoni ka ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacionin që ndihmon për arrestimin e Haqkanit nën akuzat për drejtimin e sulmeve vdekjeprurëse kundër forcave amerikane dhe aleate në Afganistan. SHBA e denoncon rrjetin Haqqani si “grupi kryengritës më vdekjeprurës dhe më i sofistikuar”.

Shefi i talebanëve Hibatullah Akhundzada do të jetë udhëheqësi suprem i përgjithshëm i qeverisë, ose “Emiratit Islamik të Afganistanit,” tha Ahmadullah Wasiq, ministri në detyrë i informacionit, ndërsa fliste me gazetarët pas konferencës për shtyp të së martës.

Grupi radikal rimori pushtetin në Kabul muajin e kaluar pasi pushtoi pjesën tjetër të vendit në një javë përparimi të shpejtë në fushën e betejës ndërsa trupat amerikane dhe aleate tërhiqeshin nga vendi. Mungesa e mbështetjes vendimtare ushtarake të huaj çoi në kolapsin e forcave të qeverisë afgane.

Talebanët që atëherë kanë siguruar afganët dhe vendet e huaja se do të vendosin një “qeveri gjithëpërfshirëse” në vend dhe nuk do të rikthejnë sundimin e tyre të ashpër islamik të viteve 1990, të shoqëruar nga një sistem brutal i drejtësisë dhe ndalimi i grave dhe vajzave nga jeta publike. Deri tani, të gjithë personat e emëruar në kabinetin kujdestar janë anëtarë talebanë.

Presidenti amerikan Joe Biden, kur u pyet të hënën nëse administrata e tij do të njihte talebanët, tha: “Jo. Është një rrugë e gjatë.”

Të martën, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki përsëriti se nuk kishte nxitim për njohje.

“Do të varet nga hapat që ndërmarrin talebanët. Të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të shikojnë nëse do të lejohen qytetarët amerikanë dhe qytetarët e vendeve të tjera të largohen, nëse lejojnë individët që duan të largohen nga vendi të largohen, si i trajtojnë gratë dhe vajzat në të gjithë vendin. “

SHBA dhe komuniteti global në përgjithësi u kanë kërkuar talebanëve të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ndërpresin lidhjet me terroristët e Al-Kaidës dhe të përfshijnë në përfaqësim të gjitha etnitë afgane nëse duan të mbeten pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.

Kombet e Bashkuara theksuan të martën, ndërsa reaguan ndaj njoftimit të talebanëve, se vetëm një zgjidhje e negociuar dhe gjithëpërfshirëse do të sjellë paqe të qëndrueshme në Afganistan.

“OKB -ja mbetet e angazhuar për të kontribuar në një zgjidhje paqësore; mbështetja e të drejtave të njeriut të të gjithë afganëve, veçanërisht grave dhe vajzave; nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm; dhe sigurimi i ndihmës humanitare jetike dhe mbështetja kritike për civilët në nevojë”, tha zëdhënësi i OKB -së Farhan Haq në konferencën e përditshme të shtypit në Nju Jork.

Michael Kugelman, zëvendës drejtor i programit të Azisë në Qendrën Wilson, vuri në dukje se në të gjitha pozicionet kryesore janë emëruar udhëheqësit talebanë. “Nuk është aspak gjithëpërfshirëse dhe kjo nuk është për t’u habitur. Talebanët nuk kishin lënë kurrë të kuptohej se mes ministrave të kabinetit të tij do të përfshiheshin elementë të tjerë përveçse nga lëvizja e tyre,” shkruante Kugelman në Twitter.

Të paktën 10 persona në kabinetin 33-anëtarësh Talebanë të shpallur të martën ishin pjesë e ekipit të grupit që negocioi marrëveshjen e paqes të shkurtit 2020 me SHBA-në, që i hapi rrugën tërheqjes së të gjitha forcave të huaja nga gati 20 vjet luftë në Afganistan. Tërheqja ushtarake përfundoi më 31 gusht, në përputhje me direktivat e presidentit Biden. / KultPlus.com

Talebanët fshijnë muralen ikonike të ArtLords

Një murale ikonike e realizuar në Kabul nga grupi i artistëve ArtLords pas marrëveshjes së Dohas është fshirë nga talebanët, njoftoi në Twitter një prej autorëve Omaid H. Sharifi, i cili ka lënë Afganistanin me familjen e tij këto ditët e fundit.

“Ata kanë filluar. Talebanët kanë filluar të pikturojnë mbi pikturat tona murale. Ata kanë filluar me atë murale historike që shënoi nënshkrimin e marrëveshjes së Dohas. Muralja e Baradar Khalilzad është zhdukur. Në vend të saj një shkrim bardh e zi që thotë “Mos i beso propagandës së armikut”, një citim nga Mullah Haibatullah”, shkroi artisti duke postuar një fotografi të veprës ashtu siç ishte pranë imazhit të murit pas kalimit të talebanëve.

Vepra, e cila u bë një nga imazhet simbolike të marrëveshjeve të shkurtit 2020, portretizoi të dërguarin special të Trump për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, duke i shtrirë dorën Mullah Abdul Ghani Baradar. / KultPlus.com

EPA/HEDAYATULLAH AMID

Talebanët kërkesë Uashingtonit për prani diplomatike në Kabul

Talebanët i kanë kërkuar SHBA-së që të mbajë një prani diplomatike në Afganistan pas përfundimit të tërheqjes së saj, e planifikuar më 31 gusht, por Uashingtoni ende nuk ka marrë një vendim, njoftuan zyrtarë amerikanë.

Sipas këtyre zyrtarëve, udhëheqësit e lëvizjes islamike, që morën pushtetin në Kabul në mes të gushtit, duan që vendet e tjera të mbajnë hapur ambasadat e tyre pas 31 gushtit, përfshirë SHBA.

Megjithatë, ushtria amerikane do të largohet përgjithmonë të martën dhe, si rrjedhojë, nuk do të jetë më në gjendje të garantojë sigurinë e diplomatëve që presidenti Joe Biden do t’u kërkonte të qëndronin në vend, raporton ATSh.

Në këto kushte dhe ndërsa Uashingtoni është ende larg njohjes së një qeverie të ardhshme të udhëhequr nga talebanët, a mund të ruhet një prani diplomatike amerikane?

“Debati po vazhdon brenda administratës Biden”, thanë zyrtarët.

Ata siguruan se një vendim mund të shpallet në fillim të javës tjetër, domethënë pak para përfundimit të tërheqjes amerikane. / KultPlus.com

Facebook ndalon të gjitha postimet që mbështesin talebanët

Facebook thotë se ka ndaluar postimet e talebanëve dhe çdo përmbajtje që i mështesin ata në këtë platformë pasi e konsideron grupin si një organizatë terroriste, transmeton KultPlus.

Kompania thotë se ka një ekip të dedikuar ekspertësh afganë për të monitoruar dhe hequr përmbajtjet në lidhje me këtë grup.

Për vite me radhë, talebanët kanë përdorur rrejtet sociale për të përhapur mesazhet e tyre.

Pushtimi i shpejtë i Afganistanit ngre sfida të reja për firmat teknologjike se si të merren me përmbajtjet lidhur me talebanët.

“Talebanët janë të sanksionuar si një organizatë terroriste sipas ligjit amerikan dhe ne i kemi ndaluar ata nga shërbimet tona.. Kjo do të thotë që ne heqim llogaritë e mbajtura nga ose në emër të talebanëve dhe ndalojmë lavdërimin, mbështetjen dhe përfaqësimin e tyre,” tha një zëdhënës i Facebook për BBC.

“Ne gjithashtu kemi një ekip të përkushtuar të ekspertëve të Afganistanit, të cilët janë folës të gjuhëve amtare të Dari dhe Pashtos dhe kanë njohuri për kontekstin lokal, duke na ndihmuar të identifikojmë dhe paralajmërojmë për çështjet e reja në platformë,” shtuan ata.

Facebook theksoi se politika zbatohet për të gjitha platformat e saj, përfshirë rrjetin e saj kryesor të mediave sociale, Instagram dhe WhatsApp.

Sidoqoftë, ka raporte se talebanët po përdorin WhatsApp për të komunikuar.

Facebook i tha BBC -së se do të merrte masa nëse zbulonte se llogaritë në aplikacion ishin të lidhura me grupin.

Platformat rivale të mediave sociale janë vënë gjithashtu nën vëzhgim se si ata trajtojnë përmbajtje të lidhura me talebanët.

Zëdhënësit kanë përdorur Twitter për të azhurnuar qindra mijëra ndjekësit e tyre, pasi organizata rimori kontrollin mbi Afganistanin.

Në përgjigje të pyetjeve të BBC -së në lidhje me përdorimin e Twitter nga talebanët, një zëdhënës i kompanisë theksoi politikat kundër organizatave të dhunshme dhe sjelljeve të urrejtjes.

Sipas rregullave të tij, Twitter nuk lejon grupe që promovojnë terrorizmin ose dhunën kundër civilëve.

YouTube ende nuk i është përgjigjur pyetjeve të BBC për koment mbi politikat e saj në lidhje me talebanët./KultPlus.com

Getty Images