Talibanët ndalojnë vajzat që të shkollohen, përdorin armët për të ndaluar protestat e grave

Militantët talibanë shiheshin sot që shtynin gra protestuese në Kabul dhe qëllonin në ajër me armë teksa tentonin të ndalonin demonstratën për të drejtat e shkollimit të vajzave, shkruan Daily Mail, transmeton KultPlus.

Një grup prej disa grash ishin mbledhur jashtë një shkolle në lindje të Kabulit duke kërkuar kthimin e të drejtave që vajzat të shkojnë në shkollë të mesme, pas ndalimit të tyre nga grupi islamist në fillim të muajit.

Nxënësit meshkuj janë lejuar të rikthehen në mësim në shkolla e universitete, por dy javë më parë vajzat u ndaluan të rikthehen në shkollat e mesme, derisa të jetë vendosur “mjedisi islamik” i arsimit.

Në protestën e stome gratë mbanin pankarta ku shkruhej “Mos na thyeni penat, mos na digjni librat, mos mbyllini shkollat”, por më vonë rojet talibane ua morën parulën.

Britanikja Daily Mail shkruante se militantët kishin shtyrë gratë protestuese ndërsa një gazetar i huaj u godit me pushkë dhe u ndalua të filmonte, transmeton tutje KultPlus.

Taliban ndjekin interpretimin e ashpër të ligjit islamik të Sheriatit me ndarje të grave dhe burrave.

Ata kanë thënë se duhet të vendosen kushtet e caktuara derisa vajzat të rikthen në mësim, edhe pse shumë afganë janë skeptikë për këtë.

Kreu i ri i universtetit të Kabul, Mohammad Ashraf Ghairat komentoi mbi ngjarjen.

“Ju jap fjalën si kancelar i universitetit të Kabul. Për sa kohë nuk është vendosur një mjedis islamik për të gjithë, gratë nuk do të lejohen të vijnë në punë ose në universitet. Feja islame është e para”.

Rreth 9,460 gra studiojnë në Universiteti e Kabul që përbëjnë 43 për qind të studentëve.

Gratë ishin lejuar të vijonin studimet pas ardhjes në fuqi të talibanëve, në dhoma të ndara nga burrat, por Ghairat tha se nuk kishte mjaftueshëm mësuese femra që ato të vazhdojnë studimin në një “mjedis islamik”. / KultPlus.com

Vajzat afgane do të studiojnë në klasa të ndara dhe do të mësohen nga gratë

Talibanët kanë njoftuar se gratë në Afganistan do të lejohen të studiojnë vetëm në universitet në klasa të ndara sipas gjinisë dhe veshja islame do të jetë e detyrueshme, duke nxitur frikën se një ndarje gjinore do t’i imponohet vendit nën regjimin e ri.

Të shtunën, talibanët ngritën flamurin e tyre mbi pallatin presidencial në 20 vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit, duke sinjalizuar se puna e tyre për të qeverisur emiratin islamik të sapoformuar kishte filluar. Flamuri i bardhë u ngrit nga Mulla Mohammad Hassan Akhund, kryeministri i qeverisë së përkohshme talibane, transmeton KultPlus.

Ministri i Arsimit të Lartë, Abdul Baqi Haqqani, vendosi një sërë rregullash që do të qeverisin qasjen e grave në arsimin e lartë në Afganistan. Duke folur në një konferencë për shtyp, Haqqani tha se gratë do të lejoheshin të vazhdonin arsimin e tyre universitar, por do të ishte e detyrueshme të mbanin një hixhab. Ishte e paqartë nëse kjo nënkuptonte një shami apo se fytyrat e grave do të duhej të mbuloheshin plotësisht.

Ndarja gjinore gjithashtu do të zbatohet në të gjitha universitetet, që do të thotë se burrat dhe gratë do të duhet të mësohen në klasa të veçanta.

“Ne nuk do të lejojmë që djemtë dhe vajzat të studiojnë së bashku, ne nuk do të lejojmë bashkë-edukim,” tha ai. Studentët femra gjithashtu do të lejohen të mësohen vetëm nga gratë. Haqqani tha gjithashtu se lëndët që mësohen në universitete do të rishikohen.

Talibanët kanë premtuar se qeveria e tyre e re do të jetë më përfaqësuese dhe respektuese e të drejtave të grave dhe vajzave, edhe pse akoma brenda një “kornize islame”, sesa kur ata më parë mbajtën pushtetin midis 1996 dhe 2001.

Atëherë, gratë u penguan të shkonin në shkolla dhe puna, nuk u lejuan të dilnin nga shtëpia pa një udhëheqës mashkull dhe u detyruan të respektonin ligjet që qeverisnin “virtytin femëror”.

Axhenda e plotë e talibanëve ende nuk është shpallur. Sidoqoftë, si në regjimin e mëparshëm, nuk ka asnjë grua të vetme në kabinet, pavarësisht premtimeve për një qeveri “gjithëpërfshirëse” dhe gratë janë ndaluar nga sportet.

Në një intervistë të fundit në kanalin televiziv “Tolo News”, zëdhënësi i talebanëve Sayed Zekrullah Hashimi tha se roli i grave ishte të lindnin dhe të rritnin fëmijë, duke shtuar se “nuk ishte e nevojshme që gratë të ishin në kabinet”.

Politikat e reja arsimore shënojnë një largim domethënës nga mënyra se si universitetet funksiononin më parë. Para rënies së Kabulit në duart e talebanëve më 15 gusht, universitetet në të gjithë Afganistanin kishin qenë bashkë-edukative dhe gratë nuk duhej të përputheshin me asnjë kod veshjeje.

Numri i studenteve femra në arsimin e mëtejshëm kishte arritur nivele rekord, dhe institucionet si Universiteti Herat dhe Universiteti Ghalib në Kabul kishin më shumë studente femra sesa meshkuj.

Që në momentin që talebanët morën pushtetin, shumë studente femra kanë qëndruar në shtëpi nga pasiguria dhe frika, dhe gratë që dolën në rrugë në protestë ditët e fundit duke kërkuar të drejta të barabarta u pritën me dhunë dhe armë zjarri.

Megjithatë, shumë kanë vënë në dyshim realizueshmërinë e rregullave të reja të arsimit, në veçanti sesi universitetet dhe zyrat do të ishin në gjendje të përballonin koston e ndarjes dhe të ndanin mësimet dhe hapësirat vetëm për gratë.

Mungesa e objekteve dhe mësueseve femra tashmë po shkakton probleme në universitete, me disa institucione që u thonë studentëve se nuk do të kenë mundësi tjetër veçse të ndalojnë drejtimin e kurseve të caktuara për gratë.

Heather Barr, bashkëdrejtore e divizionit të të drejtave të grave në Human Rights Watch, tha se qasja e talebanëve ishte ajo “ku gratë, në teori, lejohen të vazhdojnë disa nga funksionet e tyre të përditshme, por vetëm nën kufizime që në thelb i bëjnë ata të veprojnë në një botë që është krejtësisht e ndarë nga djemtë dhe burrat ”, transmeton tutje KultPlus.

Përjashtimi i grave nga të folurit me burrat në zyra dhe universitete do të kontribuonte në përjashtimin e tyre nga jeta publike më gjerë, tha Barr.

“Ka shtresa të ndryshme diskriminimi për këtë, që do të thotë se do të ketë një ndikim vërtet shkatërrues tek gratë dhe vajzat,” shtoi ajo. / KultPlus.com

“Jeni me fat që nuk iu prenë kokat”, gazetarët në Afganistan tregojnë për rrahjet nga talibanët

Gazetarët në Afganistan thonë se ata janë rrahur, ndaluar dhe fshikulluar nga talibanët kur përpiqeshin të mbulonin protestat.

Fotografitë që qarkullojnë në internet tregojnë dy gazetarë nga gazeta ‘Etilaatroz’ me rrahje dhe mavijosje pas arrestimit të tyre në kryeqytetin Kabul.

Njëri prej tyre, Taqi Daryabi, tha për BBC se ai ishte dërguar në një stacion policie të rrethit ku u godit me shkelma dhe u rrah.

Zoti Daryabi, së bashku me fotografin e Etilaatroz, Nematullah Naqdi, kishte mbuluar një protestë të grave në Kabul të mërkurën.

Më pas, ata u dërguan në një stacion policie, ku thonë se u rrahën me shkopinj, kabllo elektrike dhe kamxhik. Disa orë më vonë, ata u lanë të lirë nga talibanët, pa asnjë shpjegim.

“Ata më çuan në një dhomë tjetër dhe më vunë prangat pas meje”, tha ai për BBC në Kabul. “Vendosa të mos mbrohem sepse mendova se do të më rrihnin edhe më keq, kështu që u shtriva në dysheme në një pozicion për të mbrojtur pjesën e përparme të trupit tim.

“Tetë prej tyre erdhën dhe filluan të më rrahin … Duke përdorur shkopinj, shkopinj policie, gome, çfarëdo që kishin në duar. Plaga në fytyrën time është nga këpucët ku më goditën me fytyrë.”

“Unë isha pa ndjenja pas kësaj kështu që ata ndaluan. Më çuan në një ndërtesë tjetër ku ishin qelitë dhe më lanë.”

Daryabi tha se kishte rënë pa ndjenja pas rrahjes dhe se pas rreth dy orësh ai ishte liruar.

“Unë mezi mund të ecja, por ata po na thoshin të ecnim shpejt. Kisha dhimbje shumë të mëdha.”

Nematullah Naqdi tha se luftëtarët talibanë ishin përpjekur t’i merrnin aparatin e tij, sapo ai filloi të merrte fotografi të protestës.

“Një nga talibanët më vuri këmbën në kokë. Ata më goditën me kokë … Mendova se do të më vrisnin”, tha Naqdi për agjencinë e lajmeve AFP.

Kur ai pyeti pse po e rrihnin, ata i thanë: “Ju jeni me fat që nuk iu prenë kokat”. / KultPlus.com

Sërish protesta në Afganistan, burrat dhe gratë sfidojnë urdhrin e talibanëve

S’kanë të ndalur protestat në Afganistan. Qytetarët dolën në rrugë në zona të ndryshme të vendit në kërkim të më shumë lirive dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, duke sfiduar kështu urdhrin e talibanëve për të qëndruar në shtëpi dhe në heshtje.

Shumë protestues u grumbulluan pranë ambasadës së Pakistanit në Kabul dhe militantët qëlluan në ajër për t’i frikësuar dhe shpërndarë ata. Skena të ngjashme u raportuan në provincën Parwan dhe atë Nimruz. Ka pasur edhe raportime për dhunë të tepruar, kryesisht ndaj dy gazetarëve që po mbulonin protestën e grave pranë një stacioni policie.

Talibanët kanë ndaluar manifestimet që nuk janë të autorizuara nga Ministria e Drejtësisë. Në protestat e fundit, afganët thërrisnin dhe kishin slogane të tilla si “ne kërkojmë liri”, “armët nuk na e mbyllin gojën” dhe “vdekje Pakistanit dhe Amerikës”.

Në zona të ndryshme pati edhe manifestime nga vetëm gratë që kundërshtojnë qeverinë e re të talibanëve të përbërë nga vetëm burrat. Gjithashtu kërkojnë një rol në ekzekutivin e ri, vende pune, edukim dhe liri për të dalë jashtë shtëpisë pa nevojën e shoqërimit nga një burrë.

Ndërkohë, në Herat, një video e siguruar nga CNN shfaq talibanët teksa bëjnë një paradë me automjete ushtarake. Ato besohet se janë përdorur më përpara nga forcat afgane dhe dhuruar nga ushtritë ndërkombëtare. / KultPlus.com

Mediumi amerikan: SHBA do të kthejë në Kosovë për rishikim dy afganë, dyshohet se kanë lidhje me talibanët

Rreth 100 afganë të cilët janë evakuuar në SHBA dyshohen për lidhje të mundshme me talibanët ose grupet terroriste.

Kështu ka raportuar me burime mediumi prestigjioz amerikan ‘NBC’, derisa ka bërë me dije se shqyrtimi i të paktën dy prej atyre afganëve ka zbuluar informacione mjaftueshëm aq sa SHBA planifikon t’i dërgojë ata në Kosovë për shqyrtim të mëtejshëm.

Tutje, ata raportojnë me burime se çdo afgan tjetër që shkakton shqetësime të ngjashme gjithashtu do të dërgohet në Kosovë.

Burimet e këtij mediumi paralajmërojnë se vetëm për shkak se një person është shënjuar nga SHBA’ja nuk do të thotë se është terrorist ose paraqet kërcënim.

Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së dhe NATO-s. Deri më tani në Kosovë janë strehuar rreth 500 afganë.

Lajmi vjen një ditë pas zhvillimit të një bisede telefonike të presidentes Vjosa Osmani me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris. Në këtë bisedë, përveç tjerash, Osmani ka paralajmëruar se ka biseduar për çështjen e strehimit të afganëve.

“Nënpresidentja Harris theksoi se SHBA-ja është thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikpritjen e mijëra qytetarëve afganë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Presidentit. / express / KultPlus.com

Talibanët tani kanë më shumë fuqi ajrore se 30% e vendeve të NATO-s

Pas largimit të forcave amerikane dhe atyre të NATO-s nga Afganistani, talibanët besohet se kanë arritur të marrin nën kontroll mjete luftarake tokësore dhe ajrore me vlerë miliona dollarë, duke rritur ndjeshëm fuqinë e tyre.

Sipas një bilanci paraprak të mjeteve luftarake që kanë mbetur, besohet se xhihadistët kanë tani në zotërim më shumë mjete ajrore se sa 1/3-ta e vendeve anëtare të NATO-s. Për krahasim, talibanët besohet se kanë në zotërim 48 mjete ajrore luftarake, ndërsa Shqipëria 19.

Përgjatë muajve të fundit, talibanët kanë marrë nën kontroll 10 baza ajrore dhe të mërkurën kanë nisur një operacion me një helikopter Black Hawk, me vlerë 6 milionë dollarë, në Luginën Panjshir, ku është përqendruar një grup luftëtarësh të rezistencës afgane.

Raportohet se drejtuesit talibanë kanë instruktuar ndjekësit e tyre që të gjejnë të gjithë pilotët afganë të këtyre mjeteve ushtarake, që kanë kryer stërvitje intensive me ushtarët e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate. Avioni më i rëndësishëm i sekuestruar nga Talibanët ishte në aeroportin e Kabulit, një model Hercules me vlerë 14 milionë dollarë.

Forcat Ajrore të Afganistanit kishin në përdorim 167 mjete ajrore, 108 helikopterë dhe 59 avionë, sipas inventarit të fundit të bërë nga qeveria amerikane më 30 qershor 2021. Para rënies së Kabulit, Uzbekistani konfirmoi se 22 avionë dhe 24 helikopterë kishin mbërritur në vend për të shmangur marrjen e tyre nga talibanët. Ndërsa gjenerali amerikan Frank McKenzie, tha se trupat amerikane kishin shkatërruar 73 avionë dhe helikopterë, para se të largoheshin nga vendi të hënën. / KultPlus.com

Hapi llogari në Instagram për ndërgjegjësimin e situatës në Afganistan, Jolie thyen rekord

Angelina Jolie është bërë përdoruesja më e shpejtë në Instagram që ka fituar një milion ndjekës.

Aktorja 46-vjeçare iu bashkua rrjetit të famshëm social gjatë fundjavës dhe ajo shpejt ka grumbulluar më shumë se shtatë milionë ndjekës në Instagram, shkruan Daily Mail, transmeton KultPlus.

Aktorja e “Eternals” tejkaloi Rupert Grint dhe Sir David Attenborough për këtë rekord, pasi ajo grumbulloi 2.1 milionë ndjekës të rinj në më pak se tri orë.

Ajo ndiqet nga: Drew Barrymore, Bella Hadid, Bella Thorne, Gretchen Rossi, Chrishell Stause, Jamie Lee Curtis dhe Helena Christiansen, për të përmendur disa.

Ylli i Hollywoodit iu bashkua rrjetit social për të ndarë një fotografi të një letre që kishte marrë nga një vajzë adoleshente në Afganistan, ku talebanët kohët e fundit morën kontrollin e vendit.

Postimi i Angelinës citonte: “Kjo është një letër që më është dërguar nga një vajzë adoleshente në Afganistan. Tani për tani, njerëzit e Afganistanit po humbasin aftësinë e tyre për të komunikuar në rrjetet sociale dhe për t’u shprehur lirshëm. Kështu që unë kam ardhur në Instagram për të ndarë historitë e tyre dhe zërat e atyre në të gjithë globin që po luftojnë për të drejtat e tyre themelore të njeriut”.

Ajo shtoi: “Unë isha në kufirin e Afganistanit dy javë para 11 shtatorit, ku takova refugjatë afganë që kishin ikur nga talebanët. Kjo ishte njëzet vjet më parë.

“Është e dhimbshme të shikosh afganët të zhvendosen përsëri nga frika dhe pasiguria që ka kapluar vendin e tyre”.

“Të shpenzosh kaq shumë kohë dhe para, të kesh derdhur gjak dhe jetë të humbura vetëm për të arritur në këtë, është një dështim pothuajse i pamundur për t’u kuptuar”.

Angelina u zotua të vazhdojë mbështetjen për popullin afgan. / KultPlus.com

Afganistan: Parakalon formacioni ushtarak i talebanëve në uniforma të bardha

Disa pamje të luftëtarëve të armatosur talebanë që marshuan në qytetin e Qalat thuhet se janë ngarkuar në rrjetet sociale.

Sipas mediave të huaja, të veshur me uniforma të bardha kokë e këmbë dhe xhaketa, militantët islamikë mbanin armë zjarri teksa marshonin në një vijë të drejtë nëpër qendrën e qytetit.

Reuters ishte në gjendje të verifikonte videot duke identifikuar monumentet në qytetin Qalat. Por data e saktë e kësaj pamje nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ndryshe, talebanët bënë thirrje për unitet përpara lutjeve të së premtes, i pari që kur morën pushtetin, shkruan Daily Mail.

Ata u kërkuan hoxhallarëve të bindin njerëzit që të mos largohen nga Afganistani mes kaosit në aeroport, protestave dhe raportimeve të dhunës.

Talibanët u kthyen në pushtet pas 20 vitesh fundjavën e kaluar pasi pushtuan pjesën më të madhe të Afganistanit brenda pak ditësh, në një kohë kur kishin mbetur më pak se tre javë para tërheqjes së njoftuar të trupave amerikane nga ky vend. / KultPlus.com

Shqiptarët e Afganistanit, sykaltërit që jetojnë mes këngëve dhe valleve

Kemi të bëjmë me një rast unik të ekzistencës së paraardhësve tanë ilirë. Në një cep të botës me mijëra kilometra larg ekziston një popullsi që ka mbajtur gjallë karakteristikat, gjuhën dhe zakonet pellazge dhe ilire. Kjo zonë ka rënë tanimë nën sundimin e talibanëve, duke bërë që shumë nga traditat e tyre të ndryshojnë.

Ekzistenca e ilirëve është në rajonin e Hindrokinës së madhe gjeografike në Qafiristab (sot Nuristan), një vend ku Afganistani, Pakistani, Kina dhe Taxhikistani bashkohen. Saktësisht ndodhet në zonën ku më parë u vra Bin Laden dhe u zbulua fillimisht nga skenaristi amerikan James Hilton, i cili realizoi një dokumentar të titulluar “Lost Horizons”.

Në maj 1983, Ernesto Skura shkroi në gazetën e Lidhjes arbëreshe së bashku me Antonio Bellushit një artikull me titull “Ilirët në Afganistan”. E njëjta gjë shkruhet edhe në librin “Arvanitasit” nga historiani i madh më prejardhje shqiptare, Aristides Kola, që përshkruan kohën e vendosjes së ilirëve në atë vend të largët.

Historia deri më sot tregon se ata janë pasardhës të 6000 luftëtarëve ilirë që u larguan nga vendi i tyre pas vrasjes së mbretit Kliti nga Aleksandëri i madh rreth vitit 300 p.e.s. Ata qëndruan aty, për shkak të distancës se nuk mund të ktheheshin në shtëpi dhe u vendosën në këtë rajon për gjithmonë, duke u detyruar të martoheshin më gratë në atë vend. Gjuha e tyre u quajt “burrashka” e cila ishte gjuha e burrave, ndërsa gratë flisnin gjuhë tjetër. Edhe në kohët e sotme kjo gjuhë quhet si më parë, por është vetëm e folur dhe jo e shkruar.

Karakteristikat e këtyre banorëve janë të ndryshme nga ato të pakistanezëve. Ata jetojnë më gjatë, kanë flokë ngjyrë kafe dhe bëjnë verë. Lugina ku ata jetojnë sot quhet “hundëza” dhe realisht është një pjesë e madhe tokë qe mbyllet me një nyje midis dy maleve që i rrethon.

Një tjetër mal pranë luginës është i mbuluar me akullnajat që rrëshqasin me kalimin e kohës. Ky mal quhet “rakoposhi”. Atje kultivohen perime, fruta dhe drithëra të ndryshme si, patate, bizele, tranguj, grurë, misër, elb, kajsi, dardha, mollë, pjeshkë, kumbulla, fiq dhe shalqi, produkte që vendasit nuk i kultivojnë. Banorët janë fermerë të shkëlqyer dhe kanë krijuar një sistem mahnitës dhe madhështor të ujitjes që vadisin tarraca të tëra me perime dhe fruta.

Njerëzit janë shumë miqësorë dhe të dobishëm për njëri-tjetrin. President i Hundëzës zgjidhet personi i cili cilësohet më i mirë dhe ai që ka ndihmuar njerëzit më shumë gjatë viteve, ndërsa festa kryesore e tyre është Viti i Ri diellor, të cilin ata e quajnë Narosh.

Këta njerëz janë shumë të ndryshëm në krahasim me pakistanezët me lëkurë të errët ose afganët dhe kinezët. Ata janë të bardhe dhe kanë faqet e kuqe. Shumica e tyre janë më sy të kaltër ose të gjelbër. Në lartësinë e maleve është një fis i madh i quajtur Kalash.

Zotat Kalash shfaqen në portat e tyre me një simbol që shpreh origjinën e tyre të lashtë të ilirëve dhe lidhjen e tyre me Aleksandrin e Madh, një dhi me dy brirë, ashtu si ishte edhe përkrenarja e Skënderbeut. Veshjet e tyre janë si të shqiptarëve në kohët e hershme, me poture dhe këmisha të zbukuruara.

Ndërsa vallet e tyre shoqërohen nga tinguj të baterisë dhe fyellit. Një vallëzim tradicional popullor është kërcimi i shpatave, që kërcehet gjithmonë nga burrat të cilët mbajnë të veshura rroba shumëngjyrëshe të quajtura “kamarbunde”.

Ky komunitet ka shumë histori dhe mite që tregojnë se ata jetojnë shumë të lumtur dhe të shëndetshëm për një kohë të gjatë. Ka edhe njerëz që kurrë nuk sëmurën apo të kenë ndonjë sëmundje.

Por cili është sekreti i jetës së gjatë dhe të shëndetshme të tyre?

Disa mite tregojnë se ata kurrë nuk hanë ushqim të përpunuar, por përkundrazi konsumojnë produktet që mbjellin në tokat e tyre. Ata konsumojnë veçanërisht kajsitë. Njerëzit shpesh habiten nga ajo që mësojnë për këtë popull (i njohur edhe si Burusho) që zakonisht jetojnë gjatë.

Ndërsa në Pakistan, jetëgjatësia mesatare e një personi është 67 vjeç, në Hundëza mosha 100 vjeçare nuk përbën plakje. Edhe në këtë moshë ata janë të fuqishme dhe të shëndetshme. Ata hanë ushqim dy herë në ditë, një mëngjes të shëndetshëm dhe një darkë të mirë pas perëndimit të diellit. Për më tepër, ata hanë fruta, perime, qumësht dhe djathë. Nuk ka kimikate ose acide në ushqimet e tyre.

Sëmundjet e ndryshme si tensioni nuk i njohin. Ata janë krejtësisht të paprekur nga sëmundjet e lidhura me stresin, duke u bërë krejtësisht imun ndaj tyre. Sipas hulumtimeve, kajsia e Luginës së Hundëzës thuhet të jetë sekreti i mungesës së tumoreve.

Ky komunitet ha sasi të mëdha të këtij fruti që është i pasur me amigdalin (vitamina B-17). Në vend që të shikojnë filma dhe të qëndrojnë brenda, ata ecin shumë. Gjithashtu, një herë në vit në një periudhë prej dy muajsh komuniteti i Hundëzës konsumon vetëm lëngun e kajsisë, duke përmbushur një traditë shumë vjeçare. Shumë ekspertë kanë treguar se mënyra e konsumimit është sekreti i jetëgjatësisë së tyre. / Oculus News / KultPlus.com

Historike: Pas dekadash lufte në Afganistan, fillojnë bisedimet e paqes me talibanët

Bisedimet e para të paqes midis qeverisë afgane dhe talibanëve kanë filluar në shtetin e Katarit, pas disa muajsh vonesë.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së Mike Pompeo e quajti takimin “historik” derisa fluturoi për në Doha për ceremoninë e hapjes, transmeton KultPlus.

Bisedimet do të duhej të fillonin pas marrëveshjes për siguri mes SHBA-së dhe talibanëve në shkurt.

Por mosmarrëveshjet mbi një shkëmbim të diskutueshëm të të burgosurve bllokuan fazën tjetër, ashtu sikurse dhuna në Afganistan, ku katër dekada lufte janë në një rrugë qorre.

Një delegacion i afganëve kryesorë u largua nga Kabul për në Doha të premten.

Kreu i delegacionit, Abdullah Abdullah, tha se ata po kërkonin “një paqe të drejtë dhe dinjitoze”.

Të enjten talibanët konfirmuan se do të merrnin pjesë, pasi një grup përfundimtar prej gjashtë të burgosurish u la i lirë. / KultPlus.com