Koleksionisti i tankeve nga Lufta e Dytë Botërore: Janë në gjendje pune, me pjesë origjinale

Christian Dours ka një nga koleksionet më të mëdha në Evropë të tankeve amerikane nga Lufta e Dytë Botërore, në gjendje pune dhe me pjesët origjinale. Në moshën 69-vjeçare, ai po përgatitet të marrë pjesë, siç ka bërë 15 vitet e shkuara, në paradat në nder të përvjetorit të 75-të të zbarkimit në Normandi.

“Aktualisht kam 10 tanke, përfshirë 7 tanke ‘Sherman’. Ata janë të viteve 1942-’43 dhe jam i pari koleksionist evropian tankesh ‘Sherman’ në gjendjen e tyre origjinale, me motorët e epokës”, tha Christian Dours, koleksionist.

Kur ishte fëmijë, ai luante me modele të tankeve amerikane të Luftës së Dytë Botërore. Sot, ai zotëron një nga koleksionet më të mëdha në Evropë të modeleve të vërteta.

“Të gjitha tanket e mia funksionojnë dhe kam bërë disa filma me ta. Kam marrë pjesë edhe në demonstrime dhe parada”, tha Christian Dours.

“Unë ia bleva tankun tim të parë një polici në Francën veriore, – rrëfen më tej ai. – Ai e shiti sepse gati kishte vrarë veten duke u marrë me të”.

Atij i është dashur të krijojë madje një rrjet të apasionuarish që e ndihmojnë atë me pjesë origjinale tankesh nga e gjithë bota.

Ideja e hapjes së një muzeu nuk duket se i pëlqen shumë. “Ajo që më pëlqen, – thotë ai, – është të ngas tanket e mia në fushën përreth shtëpisë, pavarësisht se konsumojnë rreth 420 litra karburant për orë. Si dhe t’i shoh tanket në përkujtimore e parada, në mesin e mijëra njerëzve”.

“Një muze, – thotë ai, – është statik, është vdekje”.