Në Novi Sad vendoset simboli Z mbi bustin e poetit ukrainas, Taras Shevchenko

Në Novi Sad të Serbisë, monumenti i poetit ukrainas, Taras Shevchenko është vandalizuar, përcjell KultPlus.

Mbi bustin e poetit Shevchenko, është vendosur simboli Z, i cili është bërë sinonim i pushtimit dhe agresionit rus në Ukrainë.

Megjithatë, simboli i vendosur, është fshirë më pas nga disa vullnetarë.

Serbia është kritikuar vazhdimisht për qasjen e saj pro-ruse në kohën kur e gjithë bota po e dënon dhe po e sanksionin Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë.

Në fillimin e luftës, pati edhe një marsh pro-rus në mes të Beogradit. / KultPlus.com

‘Kur të vdes, të më mbuloni te ndonjë kodrinë, që ta shoh gjithnjë, vëllezër, Mëmën Ukrainë’

Poezi nga Taras Shevçenko

Amaneti

Kur të vdes, të më mbuloni
Te ndonjë kodrinë,
Që ta shoh gjithnjë, vëllezër,
Mëmën Ukrainë;
Të vështroj me gaz në zemër,
Fushën pa kufi.
Të vështroj si derdhet Dnjepri,
Si buçet ai,

Si vrapon mes Ukrainës,
Drejt e për në det,
Do t’i lë më nj’anë aherë,
Fushat dhe rrëketë;
Do të ngjitem lart në qiell
Perëndinë të shoh,
T’i flas hapur e t’i lutem,
Se tani s’e njoh.

Kur të më mbuloni mua,
Prangat flakini,
Derdheni në shesh të luftës
Gjakun për liri!
Dhe në familjen e madhe,
Të re dhe të lirë,
Ma kujtoni fjalën time
T’urtë dhe të mirë!…

Përktheu: Jorgo Bllaci / KultPlus.com