Për të rinjtë, tatuazhet janë trend i kohës. Por, në Shqipëri kjo traditë është njohur shumë herët nga vajzat shqiptare.
Kremtimi i 19 marsit, në origjinë ka lidhje me vitin e ri të romakëve të lashtë, që fillonte më një mars.
Janë me interes të veçantë në pikëpamje krahasimi afritë dhe pikëtakimet në terminologji dhe praktika rituale në mes të kësaj feste të lashtë shqiptare me atë romake.
Nënkuptohet se këtu kemi të bëjmë me rite e besime që populli ynë i trashëgoi që nga lashtësia dhe jo nga huajtje mekanike, pa mohuar disa ndikime romake.
Ndoshta këtu kemi të bëjmë me një shkrirje festash të përafërta të së njëjtës datë, që u përgjithësuan me kohë në vitin e ri romak, shumë kohë pas shfuqizimit të tij zyrtar, po që jetoi, u përforcua e u përgjithësua dhe më tepër në popuj të ndryshëm gjatë antikitetit të vonë dhe në mesjetë.[…]
Kjo festë bie në afërsi të kthesës pranverore të diellit, kur dita e nata bëhen njësoj (ekuinoksi i pranverës).
Me këtë festë, siç duket, ka lidhje dhe 19 marsi – një festë e vjetër që kishte të bënte me gratë e me vajzat. Më 19 mars, bëhej tatuimi i vajzave në Shqipërinë Veriore e në Mal të Zi, sipas të dhënave që na jep M. Durham. Kjo e kremte ka shumë gjëra të ngjashme me ditën e verës, me ringjalljen pranverore të natyrës e të jetës në përgjithësi.
Në këtë ditë kemi të gërshetuara rite dhe besime kristiane a islamike, me rite e besime të lashta që kanë të bëjnë me pjellorinë.
Shkëputur nga “Etnografia shqiptare” – Akademia e Shkencave, 1978
Fotografitë: MARUBI. / KultPlus.com