Flonja Haxhaj
Premierën e parë për vitin 2023, Baleti Kombëtar i Kosovës e dha mbrëmë me shfaqjen ‘Time’, e cila solli për herë të parë trupën e BKK-së në një stil komplet ndryshe, atë më modern e bashkëkohor.
Të sinkronizuar që nga veshja, lëvizjet e trupit e mimikat e fytyrës, me muzikën e lehtë në prapavijë që sa vinte e bëhej më dramatike, balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën instruksionet e koreografit Taulant Shehu, arritën të pasqyrojnë jetën në raport me kohën, për të dëshmuar edhe njëherë atë që vallëzimi di të bëjë akoma më mirë se fjalët, shkruan KultPlus.
Ndonëse publiku kishte zënë çdo ulëse në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, çdo gjë u errësua dhe ndriçimi i vetëm ishin dritat e ngrohta të drejtuara në skenë, për të përcjellë çdo lëvizje të mirëmenduar të balerinëve.
Shfaqja u paraqit në dy formacione, në atë kur balerinët luanin të vetëm, në dyshe ose treshe, dhe në formacionin kur balerinët shfaqeshin të gjithë bashkë. E veçanta e “Time” është edhe hapësira që iu dha secilit prej balerinëve, ku të gjithë patën mundësi të kenë kohën e tyre të performancës, një moment kryesor, ashtu si çdo njeri që në jetë e ka momentin e vetë. Në fakt ky ishte edhe mesazhi i kësaj shfaqje, sepse “Time” është jeta, koha që jetojmë.
Pas shfaqjes, mes emocioneve, për KultPlus foli vetë koreografi Taulant Shehu i cili me ‘Time’ shënon premierën e tij të parë në Prishtinë.
“Jam shumë i lumtur që jam në Prishtinë sot, kemi bërë një bashkëpunim fantastik me Baletin e Kosovës, është bërë një punë fantastike. Kemi pesë javë që punojmë për premierën, katër javë është punuar me asistenten time, unë kam një javë që kam ardhur në Prishtinë”, thotë Shehu duke folur për shfaqjen.
“Unë isha shumë kurioz të dija se si reagon publiku i Prishtinës dhe Kosovës, sepse ky është një stil më ndryshe nga ajo që performon zakonisht baleti i Kosovës. Me sa e pashë u prit shumë mirë”, tha më tutje koreografi duke folur për pritjen që iu bë nga publiku në Prishtinë.
Pas shfaqjes për KultPlus foli edhe drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi i cili shprehet i lumtur që trupa e baletit pavarësisht mungesës së një shtëpie, u rikthye sërish me shfaqje pas paraqitjes së fundit më 9 tetor.
“Jam shumë i lumtur që pas datës 9 tetor të vitit të kaluar, kur e kemi pasë shfaqjen e fundit në kuadër të 50-vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, sonte u rikthyem prapë para publikut në Prishtinë. Sigurisht për ata që na kanë përcjellë prej së afërmi e dinë që ne jemi në një situatë të vështirë rreth hapësirave ku performojmë sepse ndërtesa e Teatrit Kombëtar është në rinovim dhe jemi adaptuar në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, në formën që e patë sonte dhe jam tejet i lumtur që publiku këtë bashkëpunim e priti në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kajtazi duke shtuar më tutje që nuk ka pasur asnjë dyshim që kjo shfaqje do të ketë një sukses të madh duke e marrë parasysh angazhimin e balerinëve, koreografit dhe asistentëve.
Kjo shfaqje përveç që i parapriu sezonit të ri të Baletit Kombëtar të Kosovës, e vuri trupën e BKK-së në një stil më bashkëkohor e modern, stil ky deri diku më pak i njohur për këtë trupë. Mirëpo, pavarësisht vështirësive, balerina Aulonë Nuhiu u shpreh se arritën ta përvetësojnë shumë mirë, marrë parasysh edhe rëndësinë që ka tani në botë baleti modern e bashkëkohor.
“Ishte një bashkëpunim mjaft i mirë, jemi shumë falënderues ndaj koreografit, asistentes së tij me të cilën kemi punuar katër javët e parë e në javën e fundit edhe me koreografin dhe jemi munduar ta finalizojmë shfaqjen bashkë me të. Kanë qenë javë shumë të mira dhe me shumë disponim edhe ne e falënderojmë koreografin që ka sjellë tek ne një stil krejt ndryshe”, u shpreh Nuhiu.
Ndërkaq, paraqitje të suksesshme në shfaqjen ‘Time’, pati edhe balerini Isa Beg Gjocaj. Ai shprehet për KultPlus që pavarësisht të gjitha sfidave, me përkushtim dhe punë, arritën ta japin maksimumin e tyre.
“Fatmirësisht gjithçka deri në këtë pikë kanë shkuar shumë mirë, normalisht i kemi pasë këto sfidat e përditshme sepse siç dihet akoma ne si Balet Kombëtar i Kosovës nuk e kemi një shtëpi tonën, nuk i kemi kushtet kryesore që na duhen për me shfaq artin tonë, por duke i marrë parasysh të gjitha këto, në fund ja kemi dalë të japim maksimumin tonë”, tha mes tjerash Gjocaj.
Ju kujtojmë që në shfaqjen ‘Time’ performuan balerinët: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Isa Beg Gjocaj, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Luljeta Ademi, MArigonë Hoxha Beha, Mërgime Morina, Mimoza Bytyqi, Muhamet Biklizi, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi./ KultPlus.com