Taverna e Adriatikut, panairi me prodhime artizanale në rrugët e qytetit të Durrësit mirëpritet nga turistët

Për të dytin vit radhazi, qyteti i Durrësit organizon panairin “Taverna e Adriatikut”, që synon të promovojë produktet gastronomike dhe artizanale të fshatrave turistikë dhe qytetit bregdetar.

“Një aktor shumë i fuqishëm është gastronomia në fushën e turizmit dhe turizmi është motori i ekonomisë lokale. Ju ftoj të vizitoni stendat”, u shpreh Gentian Kallmi, zv.kryetar i bashkisë Durrës.

Artizanë, kantina vere, agroturizme, prodhues të vajit të ullirit dhe bletërritës ofruan një larmi produktesh për vizitorët. Nuk munguan as stendat e librit dhe guidave turistike.

 “Ushqimet janë shumë të mira. I kemi bërë vetë ne nxënësit. Shkolla jonë është shumë e mirë dhe ia rekomandoj çdokujt që hyn në vit të parë”, tha një nxënëse e shkollës profesionale “Hysen Çela”.

“Falenderoj bashkinë që mundësoi promovimin e produkteve vendore. Shpresojmë që sezoni të jetë dhe më i mirë. Njerëzit e kanë pëlqyer si produkt. Kryesisht i pëlqejnë produktet shqiptare, po vajin e ullirit e preferojnë”, u shpreh një prodhues.

“Bukuroshen e Durrësit e kemi stampuar, e kemi hedhur në letër e pastaj në copë dhe e kemi qendisur dhe kjo ka një punë shumë të madhe”, tha një tjetër.

Përveç ekspozimit dhe degustimit të produkteve të zonës, banorë dhe turistë ndoqën një program të pasur artistik.

“Blemë vaj ulliri dhe ata na dhuruan dhe ullinj. Ishte vërtet e këndshme nga ana e tyre. Unë jam adhuruese e flaktë e vajit të ullirit. Më pëlqen dhe atmosfera e krijuar këtu”, rrëfeu një turiste.

“Jemi nga Estonia. Shumë interesante. Kemi qenë në shumë vende, po nuk kemi hasur në një vend si ky“, shtoi një tjetër turiste.

Panairi do të vazhdojë edhe të shtunën në mbrëmje, duke ofruar jo vetëm shijen e mirë dhe ofertat e prodhuesve lokalë, por dhe atmosferën festive në shëtitoren bregdetare “Taulantia”/ Top Channel/ KultPlus.com