Human Rights Watch: Azerbajxhani po i trajton çnjerëzisht të burgosurit e luftës

Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” ka thënë se trupat etnike armene që janë zënë gjatë luftimeve në Nagorno-Karabak janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore në shumë raste nga forcat azere.

Në videot që po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale shihen ushtarët azerë duke i goditur me shuplaka dhe shqelma të burgosurit e luftës, tha kjo organizatë në një raport të ri.

Të burgosurit armenë shihet se janë të detyruar që ta puthin flamurin e Azerbajxhanit, ta lavdërojnë presidentin azer, Ilham Aliyev, ta shajnë kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, dhe të deklarojnë se rajoni i Nagorno-Karabakut i takon Azerbajxhanit, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Ndonëse me ligjin humanitar ndërkombëtar dhe legjislacionin përkatës për konfliktet e armatosura kërkohet nga të gjitha palët që të burgosurit e luftës t’i trajtojnë në mënyrë njerëzore në të gjitha rrethanat, në videot që po qarkullojnë, fytyrat e personave që përdorin dhunë janë të dukshme, duke lënë të kuptohet se ata nuk kanë frikë se do të japin përgjegjësi, thuhet në raportin e organizatës “HRW”.

Të burgosurit e luftës mbrohen me Konventën e Tretë të Gjenevës, sidomos kundër akteve të dhunës, frikësimit, fyerjeve dhe paraqitjes publike.

“Nuk mund të ketë justifikim për trajtimin e dhunshëm dhe dëmtues të të burgosurve të luftës”, tha Hugh Williamson, drejtor i kësaj organizate për Evropë dhe Azi Qendrore.

“Ligji humanitar është absolutisht i qartë për detyrimin për t’i mbrojtur të burgosurit e luftës. Autoritetet e Azerbajxhanit duhet të sigurohen që ky trajtim të përfundojë menjëherë”, shtoi ai.

Ndonëse numri i saktë nuk dihet, zyrtarët armenë i kanë thënë organizatës “Humans Rights Watch” se Azerbajxhani është duke mbajtur dhjetëra të burgosur të luftës të përkatësisë etnike armene. / KultPlus.com