Begaj:Të Drejtat e Njeriut, ideal i përbashkët për të cilën luftojnë popujt

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, duke e cilësuar si një ideal të përbashkët për të cilin luftojnë të gjithë popujt që çdo individ të gëzojë të drejtat dhe liritë themelore në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.

Ai, në një postim në rrjetin social, Facebook, thotë se ky dokument themelor ka shënjuar historinë e të drejtave të njeriut.

Presidenti Begaj përmend edhe rastësinë e bukur që në këtë 75-vjetor Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, dokumenti themelor që ka shenjuar historinë e të drejtave të njeriut, përkon sot me 75-vjetorin e krijimit. Deklarata e të Drejtave të Njeriut është ideali i përbashkët, për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet, që në mënyrë të sigurt çdo individ të gëzojë i barabartë dhe pa diskriminim liritë dhe të drejtat themelore njerëzore.  Është një përkim i bukur që në 75-vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB. Institucionet tona do të vijojnë të mbrojnë dhe promovojnë të Drejtat e Njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë”, ka shkruar Begaj.

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Data 10 dhjetor është shpallur Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Kjo datë është një përkujtim i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Mbas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

Asambleja e Përgjithshme shpalli këtë deklaratë si ideal të përgjithshëm të cilin duhet ta arrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet, në mënyrë që çdo njeri dhe çdo organizëm shoqëror, duke pasur parasysh gjithmonë këtë Deklaratë, të përpiqet që, me anë të mësimit dhe edukimit, të ndihmonte në respektimin e këtyre të drejtave dhe lirive dhe që, me anë të masave progresive kombëtare dhe ndërkombëtare, të sigurohej njohja dhe zbatimi i tyre i përgjithshëm dhe i vërtetë, si midis popujve të vetë shteteve anëtare, ashtu edhe midis popujve të atyre territoreve që janë nën administrimin e tyre.

Në këtë deklaratë spikat universaliteti, karakteri i pandashëm dhe i patjetërsueshëm i të drejtave dhe lirive, i standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut; legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut; të drejtat e trashëguara; institucionet dhe procedurat për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut./rtk/KultPlus.com

Nis festivali Ndërkombëtar i Filmit për Të Drejtat e Njeriut, 49 filma do të shfaqen në kinemanë Marubi

Festivali i 18-të Ndërkombëtar i Filmit për Të Drejtat e Njeriut ka çelur siparin mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Festivali i organizuar nga Akademia “Marubi” do të mbahet nga datat 18 deri në 23 shtator.

Përgjatë këtyre ditëve në ambientet e kinemasë Marubi do të shfaqen 49 produksione filmike./balkanweb/KultPlus.com

DokuFest shënon ditën e të drejtave të njeriut duke shfaqur filmin ‘Little Palestine – Diary of a Siege’

Data 10 dhjetor shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, me ç ‘rast kinemaja DokuKino do të bëjë shfaqjen e një filmi me fillim nga ora 19:00, shkruan KultPlus.

Dita e të Drejtave të Njeriut është një mundësi për të riafirmuar rëndësinë e të drejtave të njeriut në rindërtimin e botës që duam, në një botë që është më e mirë dhe më elastike, e drejtë dhe e qëndrueshme.

“Për të shënuar këtë ditë, DokuFest po shfaq Palestinën e Vogël – Ditari i një Rrethimi teksa ne e respektojmë Muajin Universal të të Drejtave të Njeriut. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut na fuqizon të gjithëve. Ne mund të ndërmarrim veprime në jetën tonë të përditshme, për të mbrojtur të drejtat që na mbrojnë të gjithëve dhe në këtë mënyrë promovojnë lidhjet farefisnore të të gjitha qenieve njerëzore”, thuhet në njoftimin e tyre.

Gjatë luftës civile siriane, distrikti Yarmouk, shtëpia e mijëra palestinezëve, u bë skena e luftimeve dramatike dhe të egra. Little Palestine (Diary of a siege) është një film që ndjek fatin e civilëve gjatë rrethimeve brutale, të imponuara nga regjimi sirian, që ndodhën në vazhdën e betejave. Me aparatin e tij, Abdallah Al-Khatib kompozon një këngë dashurie për një vend që i reziston me krenari mizorive të luftës. /KultPlus.com

May be an image of ‎1 person and ‎text that says '‎SCREENING FOR HUMAN RIGH DAY-10 DECEMBER 2022 DokuFestjoins people all across the globe to stand up for equality justice, and the dignity of all human الصغرى فلسطين LITTLE PALESTINE حصار يوميات DIARY OF SIEGE‎'‎‎