‘Të gjashtët kundër Turqisë’ jepet sonte në teatrin Oda

Shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Neziraj, shfaqet sonte në teatrin Oda.

Kjo shfaqje paraqet vitin 2018, ku gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin e supozuar se përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.

Kur televizionet në Kosovë dhanë pamjet e shtetasve turq të arrestuar, njerëzit pyesnin me të drejtë; si ishte e mundur që në një shtet demokratik, siç proklamonte se ishte Kosova, të ndodhte një rrëmbim i këtillë, mafioz, që sigurisht po kryhej me dijeninë dhe autorizimin e krerëve të shtetit. Rrëmbimi dëshmoi brishtësinë e institucioneve të shtetit në Kosovë, të cilat janë rob i hegjemonive politike e ekonomike të shteteve të fuqishme. Por incidenti është edhe një mësim për të gjithë ne: që autoritarizmi nuk është një ‘ishull i izoluar’, ai ka tendencë të kopjohet e importohet, mu siç ndodhte dikur me fashizmin.

E frymëzuar nga “Të shtatët kundër Tebës”, shfaqja përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi, Don Shala.

Shfaqja “Të gjashtët kundër turqisë” jepet sonte, në ora 20:00, në Teatrin ODA./ KultPlus.com