Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, Andin Hoti, ka kërkuar të martën, 26 prill, që bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin dhe të kushtëzojë Serbinë për të ofruar informacione për personat e pagjetur.
“Kërkesa jonë e parë është kushtëzimi ndaj Serbisë. Kërkesa jonë e dytë ka qenë garancia e Bashkimit Evropian që të ketë një afat kohor kur Serbia detyrohet të japë informacionet për personat e zhdukur, dhe kërkesa e tretë është për hapjen e të gjitha dokumenteve sekrete të Serbisë, të kohës së luftës në Kosovë”, ka thënë Hoti, teksa ka kryer homazhe te memoriali në Prishtinë kushtuar të pagjeturve.
Dita e të Pagjeturve në Kosovë shënohet më 27 prill.
Ai ka thënë se së shpejti në Serbi pritet të fillojnë gërmimet në një tjetër lokacion.
Sipas Hotit, delegacioni i Kosovës u ka kërkuar shteteve mike tash e një vit për të siguruar imazhet satelitore përmes Kryqit të Kuq ndërkombëtar.
Megjithatë, Hoti ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, u ka bërë thirrje autoriteteve që të merren me këtë proces, mirëpo ka thënë se e di që “kjo çështje nuk do të kryhet shpejt”.
Kosova ka dalë nga lufta e vitit 1998-99, me mbi 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe mbi 5,000 të zhdukur.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët janë bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet.
Deri më tani, nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave.
Mbi 23 vjet pas luftës, të zhdukur vazhdojnë të jenë mbi 1,600 njerëz.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian ka thënë më 25 prill, se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë afër arritjes së marrëveshjes për të pagjeturit, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga blloku evropian në Bruksel.
“Sa i përket çështjes së të pagjeturve, praktikisht ka mbetur të zgjidhen vetëm dy fjalë, pra një gjysmë fjalie, që të kemi marrëveshjen”, ka thënë ky burim.
Në BE thonë se është e domosdoshme që të ketë shpejt marrëveshje, në mënyrë që të krijohen kushtet për takimin e nivel të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ka nisur më 2011. / KultPlus.com
Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, do të fillojnë gërmimet për varreza masive në disa lokacione të ndryshme në Kosovë.
Gërmimet tashmë kanë filluar në fshatin Dreth (Dren) të Zubin Potokut, më 26 gusht, mirëpo ekipet ende nuk kanë gjetur asgjë.
Po ashtu, gërmime në kërkim të varrezave masive pritet të fillojnë edhe në Koshare, në Prizren, Suharekë dhe në Podujevë.
Sipas Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, fillimin e gërmimeve në Koshare e ka kërkuar Serbia.
Në këtë vend, në Komunën e Gjakovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999, ishte zhvilluar Beteja e Koshares, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë së Serbisë.
Edhe gërmimet në fshatin Dreth, po ashtu janë bërë me kërkesë të Serbisë.
Gërmimet e reja shpresë për familjarët e të zhdukurve
Më 24 mars të vitit 1999, në hyrje të fshatit Obranqë në Komunën e Podujevës, ishin masakruar 7 persona.
Në mesin e të vrarëve dyshohet të jetë edhe babai i Avdi Maqastenës, Qazim Maqastena nga fshati Katunishtë i kësaj komune.
Ai tregon për Radion Evropa e Lirë, se eshtrat e babait të tij i kishin varrosur me të mbaruar lufta.
Mirëpo, asnjëherë nuk u vërtetua se eshtrat ishin të babait të tij dhe u zhvarrosën përsëri.
“I kemi gjetur eshtrat menjëherë pas luftës, sepse e dinim vendin sipas dëshmitarëve ku i kanë masakruar, ku i kanë mbytë. I kemi marrë dhe i kemi varrosur ato. Kanë ardhur këta të morgut i kanë marrë dhe ato eshtra nuk na i kanë kthyer më kurrë”, tha Maqastena.
Ende nuk dihet se kur do të fillojnë gërmimet e reja në Podujevë, por Avdi Maqastena, shpreson që të gjenden eshtrat e babait të tij.
“Prej atëhershmit gjithë me ankth jemi. Gjithmonë duke pritur. Ende nuk besojmë…a është gjallë diku, a s’është. Shpresojmë që të paktën eshtrat t’i gjejmë diku”, tha Maqastena.
Pas përfundimit të luftës, në Komunën e Podujevës, të zhdukur konsideroheshin 82 persona. Deri më tash janë gjetur eshtrat e 41 personave.
Nga qershori i vitit 1999, edhe Natasha Shqepanoviq nga Istogu, është në kërkim të nënës së saj.
Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se gërmimi i çdo varreze masive ose individuale, u jep familjeve shpresën e humbur që ata më në fund do të gjejnë më të dashurit e tyre.
“(Për nënën) Ne dëgjuam informacione të ndryshme, nga fakti që ajo ishte në disa kampe e deri tek fakti që ajo u dogj e gjallë në shtëpi, deri tek informacioni që ajo u nxor nga shtëpia dhe përfundoi në një lumë. Ka disa xhirime dhe fotografi që janë rrëqethëse, ku së bashku me dy gra të tjera, që janë në listën e të zhdukurve dhe që unë i njoh, trupat e tyre u hodhën në lumë. Por deri më sot, nuk dihet se ku janë trupat ”, tha Natasha Shqepanoviq.
Babai i saj gjithashtu u zhduk më 1999, trupi i të cilit u zhvarros në 2003 nga varrezat Lleshqe në Beograd (Serbi), ku u varrosën persona të paidentifikuar, dhe ishin kryesisht ushtarë serbë që vdiqën në Kosovë.
Gërmimet kanë filluar në vetëm një lokacion
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se ka qenë kërkesë e Serbisë që të fillojnë gërmimet në Komunën e Zubin Potokut dhe në Koshare.
Përveç Koshares, Hoti tha se do të bëjnë gërmime edhe në lokacione tjera në Kosovë, për varreza masive në rajonin e Prizrenit, Suharekës dhe Podujevës.
Sipas tij, në Koshare, gërmime janë bërë edhe nga misionet ndërkombëtare UNMIK-u dhe EULEX-i.
Deri më 2018, çështja e personave të zhdukur ishte kompetencë e plotë e UNMIK-ut dhe EULEX-it.
“Ata dy-tri herë kanë hulumtuar në lokacione të tilla, të cilat natyrisht kanë rezultuar me rezultat negativ, mirëpo kërkesa e vazhdueshme e Serbisë që ne të shkojmë në Koshare prapë, është urdhëresë e Prokurorisë. Në momentin e parë që do të mund të arrijmë atje për shkak të terrenit, natyrisht që do ta hulumtojmë”, tha Hoti.
Sipas Hotit, pala serbe dyshon së në këtë lokacion mund të ketë trupa të ushtarëve serbë të vrarë. Derisa për lokacionet tjera, Hoti tha se informacionet kryesisht janë për shqiptarë.
Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i Prindërve”, tha për Radion Evropa e Lirë se në lokacionet e përmendura, janë bërë gërmime edhe më herët.
“Kanë punuar në Dren, kanë punuar në Komunën e Zubin Potokut në tre vende, kanë punuar në pjesë të veriut pak, po ashtu edhe në Suharekë. Krejt këto lokacione që përmenden tash, janë ditur qe disa vjet. Mjerisht për ne familjarët, askush nuk mund ta dijë sa jemi duke hequr dhe çka jemi duke përjetuar. Këto po na duken të pavërteta. Gjithmonë vetëm supozime, jemi lodhur në shpirt”, tha Qerkini.
Bashkëpunimi me Serbinë për fatin e të zhdukurve
Ekipet e Kosovës dhe Serbisë, janë takuar disa herë për të biseduar për çështjen e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë 1998-99.
Hoti tha se bashkëpunimi me nëngrupet punuese ka qenë dhe është i mirë, por sipas tij, Serbia po refuzon t’i japë informacionet për varrezat masive që dyshohet se janë në këtë shtet.
“Serbia vazhdon ta cilësojë politike çështjen e personave të zhdukur dhe nuk jep informacione për varrezat masive, kryesisht që janë në territor të Serbisë, sepse ne e dimë që në bazë të informatave dhe në bazë të praktikave, deri më tash kryesisht në territor të Serbisë, shumë prej personave të zhdukur, qytetarë të Kosovës, janë rivarrosur dhe janë dërguar në Serbi me qëllim të zhdukjes”, tha Hoti.
Hoti tha se duhet të rritet presioni ndaj Serbisë që këtë çështje, mos ta trajtojë në mënyrë politike por humane. Sipas tij, një nga sfidat kryesore është qasja në arkivat shtetërore të ushtrisë së Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po kundërshton dialogun me Serbinë, pasi pjesë e delegacionit serb është edhe Velko Odalloviq, dhe përfaqësuesit e Kosovës nuk duan të takohen me të.
Sipas Qeverisë së Kosovës, Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.
Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,630 persona, kryesisht shqiptarë.
Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13,500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë./rel/ KultPlus.com
Nënat e personave të pagjetur nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, janë takuar me liderët e tri institucioneve kyçe të Kosovës, të cilët garantuan se do të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Presidentja Osmani tha se të pagjeturit janë plagë e përbashkët, duke premtuar gjetjen e tyre.
“Për institucionet e reja gjetja e më të dashurve tuaj – vajzave dhe djemve të cilët tashmë janë të të gjithë Kosovës, është prioritet. Përkushtohemi dhe ju premtojmë se do të punojmë pandërprerë që t´i gjejmë ata sa më parë të jetë e mundur”, ka theksuar Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se do ta sigurojnë drejtësinë e vonuar së bashku.
“Ashtu si deri me tani, ne të gjithë e ndajmë dhimbjen me ju. Ju keni dhënë më të dashurit tuaj dhe keni bërë sakrificën më sublime që ne sot të jemi të lirë. Andaj, do të punojmë së bashku për të siguruar drejtësinë e vonuar”, ka theksuar Kryetari Konjufca.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti premtoi angazhim maksimal për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Dhimbja dhe ankthi që ju përjetoni janë të pakrahasueshme. Ne do të punojmë vazhdimisht për të garantuar të drejtën tuaj për të ditur për fatin e më të dashurve tu”, është shprehur Kryeministri Kurti.
“Të tre liderët institucionalë, garantuan se do të vazhdojnë të jenë pranë nënave dhe familjarëve të personave të pagjetur dhe se prioritet i tyre do të jetë zbardhja e fatit të tyre si një parakusht për sigurimin e drejtësisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.
Ndërkaq, Nusrete Kumnova nga kjo shoqatë shprehi shpresën dhe pritjet që kanë nga institucionet e vendit që të punohet në zbardhjen e qindra të zhdukurve nga lufta në Kosovë.
“Të gjithë i kemi shpresat dhe pritjet e mëdha dhe po presim me padurim që të punohet e të veprohet prej së vërteti për të adresuar nevojat dhe kërkesat e nënave dhe familjareve të personave të zhdukur”, ka thënë Kumnova. / KultPlus.com
Në pranverën e këtij viti pritet të rifillojnë gërmimet në territorin e Serbisë ku dyshohet për varreza masive, për të gjetur trupat e shqiptarëve civilë të vrarë e zhdukur nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Autoritetet e Kosovës, me ndihmën e imazheve satelitore të ushtrisë amerikane, kanë shënjuar dy lokacione atje, Kizhevak dhe Shtaval. Familjarët e personave të pagjetur mbesin të pakënaqur me punën e institucioneve drejt zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre, duke kërkuar që Serbia të kushtëzohet në dialog.
Pa më të dashurit e tyre, madje pa ditur edhe ku ndodhen eshtrat e tyre, familjarë të personave të zhdukur e kanë filluar edhe këtë vit. Të zhgënjyer nga puna institucioneve, gjatë tërë vitit kanë kërkuar që të bëhet presion mbi Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të tregojë varrezat masive me civilët shqiptarë të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Bajram Qerkinaj, kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”, thotë se për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nuk ka pasur vullnet politik, as të politikanët vendorë e as bashkësia ndërkombëtare.
Tutje, ai thotë se Serbia po bën lojë me çështjen e personave të pagjetur.
“Që 21 vjet të plota na lodrojnë herë në këtë anë, herë në atë anë, herë në Kizhevak, herë në Rudnicë, mund t’i përmend 10-15 lokacione që na kanë lodruar duke thënë janë këtu, janë atje. Tash po ua beson eshtrat, për ne familjarët është diskriminim i të gjitha të drejtave të njeriut që duhet t’i kemi”, thotë ai.
Ujërat, minierat dhe varrezat civile janë përdorur nga Serbia për fshehje të krimit. Këtë e dëshmojnë lokacionet ku deri tani janë gjetur trupa të civilëve shqiptarë.
I tillë është edhe Kizhevaku ku për vjet më radhë në atë minierë janë hedhur gurë e mbeturina.
Gërmimet atje kanë filluar në vitin 2015, por në gjysmën e dytë të vitit 2020, me ndihmën e imazheve satelitore të siguruara nga ushtria amerikane, janë gjetur koordinatat e sakta të një varreze prej ku edhe janë tërhequr pjesë kockore të paktën të pesë personave, ekzaminimi i së cilave është bërë dhe në pranverë pritet rezultati i identifikimit.
Me uljen e temperaturave, mjekët ligjorë kanë ndërprerë gërmimet, për t’i vazhduar ato në muajin mars.
Drejtori i Mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu thotë për KosovaPress se pjesa ku dyshohet për varrezë masive në Kizhevak të Serbisë është konzervuar dhe mbuluar në mënyrë që deri atëherë të mbrohet nga kushtet atmosferike.
“Me gjetjen e mbetjeve kockore më 16 nëntor u deshtë të kryen disa çështje teknike dhe të improvizohet puna në vend, janë vendosur tendat, salla e autopsisë, kontejnerët, është punuar për dy javë pandërprerë, janë tërhequr diku rreth pesë trupa, pesë individë numri minimal, kurse pjesa tjetër është konservuar në bazë të standardeve me pesë shtresa gjeoplastike dhe mbi krejt atë teren është vendosur një çati në mënyrë që të mbrohet nga kushtet atmosferike sepse është vend malor afër qendrës së skijimit në atë pjesë të Kopaunikut dhe bie shumë borë”, thotë Gërxhaliu.
Pas Kizhevakut, ekspertët pritet t’i qasen terrenit në një tjetër lokacion, gjithashtu në territorin e Serbisë. Ata do të gërmojnë në Shtaval, gjithashtu një minierë.
“E kemi vizituar edhe vendin e dyshuar në bazë të informacioneve në Shtaval të Sijenicës, gjithashtu minierë, vend në të cilin janë hedhur mbeturinat e minierës. Pasi të përfundojë Kizhevaku vitin e ardhshëm nuk do të kthehemi fare por do të vazhdojmë në Shtaval që të vazhdojmë kontrollin edhe të Shtavalit që ekziston dyshimi se mund të ketë varrezë masive edhe aty”, thotë ai.
Përveç në Serbi, vitin e kaluar është gërmuar edhe në varrezat myslimane në veri të Kosovës, Suriganë, Polanë e Stanaj, ndërsa në fund të vitit ka pasur gjetje në varrezat civile në Rahovec dhe në Prizren.
Por në këtë proces sfidë mbetet çështja e informacioneve ku Serbia nuk tregon lokacionet e varrezave masive.
“Sfidë është mungesa e informacioneve të besueshme dhe mungesa e informacioneve të besueshme ndërlidhet edhe me mungesën e bashkëpunimit të mjaftueshëm për shkak se në kuptimin e dialogut ose komunikimin në mes komisioneve megjithatë ka një bashkëpunim mes komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës, pra delegacionit të Kosovës, dhe atij të Serbisë, megjithatë është me rëndësi që çështja në komunikim edhe me partnerët ndërkombëtarë të vazhdojë të trajtohet si çështje me prioritet të veçantë”, thotë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur.
Ndërsa organizatat që merren me të drejtat e njeriut po kërkojnë që çështja e personave të pagjetur të trajtohet si çështje humanitare.
Kryetari i Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, Behxhet Shala thotë se kjo çështje është shndërruar në politik.
“Nuk ka pasur lëvizje në çështjen e personave të pagjetur për faktin se kjo është shndërruar në çështje politike dhe nuk po trajtohet si çështje e të drejtave të njeriut dhe çështje humanitare, janë afër 1650 persona të pagjetur pjesa dërrmuese janë shqiptarë. […] Tash që është zbuluar një varrezë në Kishevak të Serbisë është më tepër që Serbia e ka bërë për shkak të presionit të madh që është bërë brenda Serbisë në mënyrë që ta zbulonin një varrezë por t’i fshihnin ndoshta edhe 50 varreza të tjera. Serbia thjeshtë po luan me fatin e të pagjeturve, po luan me varrezat duke e shndërruar në një monedhë llogaritje se sa mund të përfitojë ose humb politikisht dhe në bazë të asaj edhe veprimet”, thotë ai.
E drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj thotë se Serbia duhet të kushtëzohet sa i përket kësaj çështjeje.
“Serbia i di vendet saktë ku janë varrezat masive mirëpo ato informacione po i nxjerr kohë pas kohe kur po i nevojitet për poenë politikë. Definitivisht është dashur që Serbia të kushtëzohet që t’i nxjerrë këto informacione, që ta trajtojë këtë çështje si humanitare e jo politike në asnjë mënyrë. […] Praktika po tregon që nuk është trajtuar si çështje humanitare sepse informacionet për varrezat masive janë mbajtur peng për më shumë se 20 vjet”, thotë Blakaj.
Por, sipas tij, pala kosovare nuk ka ndonjë mekanizëm që të kushtëzojë Serbinë, vetëm nëse këtë mund ta bëjnë ndërkombëtarët.
E Bajram Qerkinaj thotë se Qeveria e Kosovës duhet të insistojë që mos të ecë tutje në asnjë diskutim tjetër me palën serbe derisa kjo e fundit nuk i tregon lokacionet me trupat e civilëve shqiptarë.
“Është mëkat shumë i madh që Qeveria mos të ketë një plan konkret, mos me ngul këmbë, me thënë zotëri, boll ke ma, është e tepër 21 vjet, ne themi varrezë masive ku janë 2 vetë e më tepër, këta i kanë marrë nga 100 vetë e me thënë nuk e di ku i kam lënë. Mos sepse është lojë e madhe, po luani me shpirtëra të cilët familjarët shkuan, por gjaku i fëmijëve ka me i ndiku”, thotë Qerkinaj.
Ndërkohë gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se çështjen e të pagjeturve Qeveria e ka pasur në rend të parë.
“Kemi bërë të pamundurën në këtë drejtim, duke e vendosur këtë temë në rend të parë, ku e kemi emëruar një person i cili e ka dinamizuar komplet këtë proces, sigurisht me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për një çështje kaq të ndjeshme”, ka thënë Hoti para familjarëve të personave të pagjetur në Krushë gjatë një vizite në fund të vitit të kaluar.
Në anën tjetër, ish-ministri i Jashtëm, tash kryetar Kuvendi në Serbi, Ivica Daciq, publikisht kishte kritikuar serbët që mund të bashkëpunojnë me shqiptarët rreth zbulimit të varrezave masive në Serbi. /express/ KultPlus.com
Kryetari fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, ka deklaruar se familjarët e të pagjeturve janë gëzuar që kanë filluar gërmimet në lokacionet e reja për gjetjet mortore të të vrarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në Info Magazinë në Klan Kosova ai tregoi se sot në Rahovec është gjetur një trup, i cili është dërguar në Prishtinë për t’iu bërë ekzaminimi dhe verifikimi, në mënyrë që t’i kthehet familjes.
Hoti ripërsëriti se nuk do të ndalen së kërkuari jo vetëm trupa, por edhe që kriminelët të dalin para drejtësisë.
“Sot në varrezat e qytetit në Rahovec, në mes të tyre, është gjetur një trup që dyshohet se është i vrarë gjatë luftës në Kosovë, gjegjësisht në maj të vitit 1999, dhe ekipet mjekoligjore në bashkëpunim me zyrtarë kompetentë e kanë marr trupin dhe kanë vazhduar tutje për në Prishtinë për ekzaminim, që përmes AND-së do të verifikohet dhe t’i kthehet familjes që i përket. Del se është trup që është varrosur nga serbët gjatë asaj kohe”.
“Gjithashtu edhe në Tusuz në Prizren janë gjetur edhe lokacione të tjera”.
“Është ndjenja tjetër që në njëfarë forme familjarët edhe gëzohen, sepse ata njerëz do ta kenë një vend që e meritojnë”.
“Familjarët janë të lodhur dhe rraskapitur dhe normal është edhe mllefi i tyre që ndonjëherë e shprehin në formë të pakënaqësisë”.
“Besojmë që këto punime të kryhen sa më shpejt dhe t’i bëhet presion më i madh Serbisë që të përshpejtojnë me dhënien e informatave që këto krime të mbyllen përgjithmonë dhe ne nuk do të pushojmë së kërkuari jo vetëm trupa, por edhe drejtësi që kriminelët që i kanë bërë këto krime, që me kilometra larg i kanë dërguar trupat për t’i humbur gjurmët, të dënohen”.
“Si familjarë nuk do të rreshtim së kërkuari të drejtën tonë”, u shpreh Hoti. /express/ KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar sot një takim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës.
Ai tha se ndriçimi i fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë është prioritet për Qeverinë, si dhe është ndër pikat kryesore në procesin e dialogut me Serbinë.
Hoti nënvizoi se kjo çështje do të zgjidhet me arritjen e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, me të cilën Serbia obligohet të ofroj të gjitha të dhënat për vendndodhjen e varrezave masive.
Kryeministri Hoti theksoi gatishmërinë e Qeverisë për mbështetje të vazhdueshme në çdo formë, për të gjitha shoqatat e familjarëve të të zhdukurve, duke nënvizuar se kjo çështje shumë e ndjeshme kërkon qasje serioze nga ana e institucioneve shtetërore. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Televizioni gjerman Deutsche Welle (Dw), i ka kushtuar një reportazh të gjatë viktimave të luftës së Kosovës dhe fatit të të zhdukurve për shkak të varrezës në Kizhevak të Serbisë. Ky televizion ka raportuar edhe në edicionin në gjuhën serbe, ku ka përshkruar problematikën e 1638 të zhdukurve, siç raporton DW.
Pjesë e këtij reportazhi ka qenë edhe drejtori i Institutit të Mjeksësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.
“Kemi dikur 300 mbetje mortore që ende nuk lidhen me familjet pasi ato refuzojnë të japin gjak pasi besojnë se familjarët e tyre mund të jenë të gjallë nëpër burgjet private në Serbi”, thotë Arsim Gërxhaliu.
Gazetari i këtij televizioni, Idro Seferi, ka vizituar edhe Ferdonije Qerkezin.
“Kjo grua nuk ka më fëmijë, por atë tërë Kosova e thërrasin nënë”, thuhet në raportin e DW në gjuhen serbe ku përshkruhet gjërë e gjatë vrasja e katër djemëve dhe burrit të Ferdonijes dhe fakti që tre prej tyre ende nuk janë gjetur.
Në Qabrat, kjo media pershkruan mungesën e trupave në varrezat ekzistuese pasi shumë ende vazhdojnë të jenë të zhdukur.
“Zbardhja e fatit të të gjithë të zhdukurve është edhe një zotim ndërkombëtare që e kanë marrë Serbia dhe Kosova në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, shkruan DW duke theksuar se megjithatë ky proces është tepër i ngadashëm për të mbyllur plagët e luftës. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Janë duke vazhduar gërmimet në Kizhevak të Serbisë për mbetjet mortore të disa personave që dyshohet të jenë të të personave që janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka konfirmuar për Express se deri më tani kanë zbuluar pesë varreza.
“Po deri më tani janë zbuluar pesë varreza. Jemi duke gjetur mbetje mortore dhe do të punojmë deri sa të na lejojnë kushtet atmosferike”, ka thënë Gërxhaliu .
Në ndërkohë siç pati njoftuar EULEX thuhet që mbetjet mortore janë zbuluar në një gurore të madhe në Serbi, nga ekspertët e EULEX-it, të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur. Gjithashtu, EULEX-i sqaron se ekspertët e saj kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 dhe në vitin 2020, siç thuhet në komunikatë, ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.
Siç sqaron misioni i EULEX-it, pas kërkesës për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi këto imazhe fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019. Në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, ekspertët e EULEX-it i kanë analizuar fotografitë dhe në bazë të analizave, në muajin shkurt është përcaktuar vendndodhja e saktë e lokacionit.
Më pas, ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisioni Qeveritar i Serbisë për Personat e Zhdukur, kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.
“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të pagjetur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.
Në ndërkohë Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, të premten, ka vizituar varrezën masive në Kizhevak, në afërsi të Rashkës.
Në këtë lokacion janë gjetur mbetjet mortore të 17 personave, cilët dyshohen se janë shqiptarë.
Delegacionin po e kryeson koordinatori Ibrahim Makolli, ndërsa me kryetarin e delegacionit të Serbisë, Veljko Odaloviq, kanë mbajtur edhe një konferencë për media.
Në Kosovë, edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës, nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave./Gazeta Express/ KultPlus.com
Kosova ka dy mjekë ligjorë që po marrin pjesë në gërmimet në Kizhevak, priten 7-20 raste të mbetjeve mortore.
Dy javë kanë kaluar prej kur kanë nisur gërmimet e para në Kizhevak të Serbisë.
Atje ku dyshohet për mbetje mortore të shqiptarëve janë të angazhuar ekipe nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur, pastaj misioni i EULEX-it, përfaqësues nga Serbia dhe mjek ligjorë nga Kosova.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, thotë se nuk mund të flitet saktësisht për numër të mbetjeve mortore që pritet të jenë në këtë vend.
Po ashtu nuk dihet saktësisht sa do të zgjas procesi i gërmimit.
Gara flet edhe për interesimin e familjarëve në Kosovë, pas informatave për gërmimet e reja në Kizhevak.
Aktualisht në këtë pjesë të Serbisë, nga Kosova po qëndrojnë të pranishëm dy mjekë ligjor.
Arsim Gërxhaliu nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore thotë se puna në këtë terren është e vështirë.
Ndërkohë, një shifër për numrin potencial të gjetjeve mortore në këtë lokacion ka dhënë Mathew Holliday, shefi i Programit për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur
Ai për Evropën e lirë ka konfirmuar se bëhet fjalë për 7-20 raste të mbetjeve mortore që mund të nxirren nga gërmimet. /lajmi.net/ KultPlus.com
Kushtrim Gara, udhëheqës i Zyrës në Komisionin Europian për të Pagjeturit ka folur rreth masakrave serbe dhe të pagjeturve të luftës duke e nënvizuar këtë si një nga temat më të ndjeshme të vendit.
Sipas tij, kjo është një situatë komplekse që dy vitet e fundit po përballet me sfidën e mungesës së informacioneve të besueshme, gjë që lidhet drejtpërdrejtë me gatishmërinë e palës serbe për të bashkëpunuar.
I pyetur se sa i mundur është sigurimi i të dhënave pas deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç i cili ka kërcënuar këdo që do të bashkëpunojë në çështjen e të pagjeturve, Kushtrim Gara e ka konsideruar këtë diçka skandaloze.
“Deklaratat e tilla shpërfaqin në realitet qasjen e institucioneve të Serbisë”,- tha ai për Euro News duke theksuar se nisur dhe nga pozicioni i Daçiq si ministër i Punëve të Jashtme duhet të ketë inkurajim për të lehtësuar dhimbjen e familjeve kosovare dhe jo deklarata të tilla.
Gara tha se e vlerësonte reagimin e Bashkimit Europian, por sidoqoftë do të donte të kishte veprime konkrete më tepër se reagime.
Ndërkaq, sa i përket qëndrimit të tij nëse deklarata e Daçiç duhet konsideruar vepër penale, Kushtrim Gara riktheu vëmendjen te reagimet e Bashkimit Europian që nuk duhet të ngelin vetëm reagime.
“Sigurisht që është shqetësuese deklarata megjithatë më shqetësuese se deklarata janë veprimet e vazhdueshme gjatë këtyre 21 viteve që bëhen nga institucionet e Serbisë për të penguar këtë proces”, u shpreh ai. / KultPlus.com
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë përmes një aksioni rrugor i rikujtoi shoqërisë kosova si dhe qeverisë se nuk do të mund të arrihet paqja e qëndrueshme nëse vazhdojmë të rrijmë ‘sy mshelë’ ndaj çështjeve që lidhen me të kaluarën tonë.
Të gjithë të veshur me të zeza, me sy të mbyllur e me pankarta në të cilat shkruhej ‘’Sy mshelë në ‘Paqe’’, ‘S’ka Paqe pa Drejtësi’ dhe shifra të të vrarëve, të dhunuarve dhe të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë YIHR KS zhvilloi aksionin rrugor, duke i rikujtuar kështu qeverisë se ka përgjegjësi ligjore dhe morale për të trajtuar me seriozitet çështjet e lidhura me luftën duke përfshirë shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës, personat e pagjetur, viktimat civile, viktimat e dhunës seksuale, dhe kriminelët e luftës. Njëjtë, shoqëria kosovare duhet të ketë përgjegjësi kolektive për të njohur dhe mos harruar asnjëherë faktet e së kaluarës.
Drejtoresha ekzekutive e YIHR, Marigona Shabiu vlerëson se nuk është bërë mjaftueshëm për këto kategori dhe se e kaluara duhet të mësohet pa mite, duke respektuar viktimat pa gjykime etnie.
“Ne si organizatë po shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Paqes me mesazhin që ne jemi sy mbyllur në paqe, për vetë faktin se nuk kemi trajtuar të gjitha krimet e luftës dhe nuk kemi sjellë drejtësi për viktimat e luftës nga të gjitha komunitetet’’, thekson Shabiu.
Përderisa nisma ‘’Sy mshelë në paqe’’ ka për qëllim rëndësinë e ballafaqimit me kaluarën, institucionet kritikohen se nuk kanë bërë aq sa duhet.
‘’Ne dëshirojmë ta kritikojmë Qeverinë dhe t’i bëjmë presion në mënyrë që t’i kthejnë sytë nga e kaluara dhe të ballafaqohen me të me seriozitetin e duhur’’, u shpreh për KultPlus koordinatorja Bjeshka Guri.
Ndërkaq aktivisti Bestar Krasniqi nga të gjitha grupet e luftës veçon të pagjeturit, të cilët për Krasniqin mbeten arsye për mos festim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes.
‘’Nuk mund të kemi paqe, as ta festojmë ne këtë ditë duke e ditur se ka mijëra të pagjetur, e mijëra familjarë të cilët nuk e dinë se ku janë të dashurit e tyre’’, theksoj aktivisti i YIHR.
Nga lufta e fundit në Kosovë janë vrarë mijëra shqiptarë, janë dhunuar burra dhe gra, ndërkaq ende shumë mbesin të pagjetur, ndërkaq në njoftimin e ngjarjes nga organizata bëhet e ditur se përmes aksioneve simbolike, YIHR KS do të mbaj aktuale këtë temë derisa ajo të trajtohet me seriozitetin e duhur.
Ky aksion rrugor u realizua nën mbështetjen e USAID dhe NED. / KultPlus.com
Në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, fotografi Artan Korenica na sjellë fotografitë e njerëzve që tash e 21 vite janë “Në Pritje”, shkruan KultPlus.
Këto fotografi paraqesin shumë familjarë të cilët ende janë në pritje të më të dashurve të tyre, që nga dita kur forcat paramilitare serbe i morën ata për të mos i kthyer kurrë më në familjet e tyre.
Edhe 1641 persona janë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. / KultPlus.com
Sot shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.
Në Kosovë ende nuk janë gjetur edhe 1641 persona të zhdukur në luftën e fundit.
KultPlus sot ju sjell këngën e njohur “Kur do t’pushoj kjo këngë” nga rock-grupi kosovar Jericho e cila ju kushtohet viktimave të pagjetura të luftës së fundit.
Teksti i këngës:
Kur do të pushoj ma kjo kangë Mërzinë kjo bukuri dot nuk e thanë
2x Sytë mu kan ronu Zemër rri me mu
Në vena gjaku i djallit po më lëviz Duart i hap e muret po i grithë