Tërmeti shkatërrues në rajonin kufitar turko-sirian një javë më parë ka lënë të pastrehë 1.2 milionë njerëz në Turqinë juglindore, njoftoi sot zyra presidenciale e Turqisë.
Një djalë 13-vjeçar u gjet i gjallë sot në mbrëmje pas 182 orësh nën rrënoja në provincën Hatay të Turqisë, njoftoi transmetuesi shtetëror TRT.
Në rajonin juglindor të Adiyaman, një vajzë 6-vjeçare u gjet gjithashtu më herët gjatë ditës, 178 orë pas tërmetit, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Shanset për shpëtime të mëtejshme janë të pakta.
Të mbijetuarit që janë gjetur anë pasur akses në ujë, si nga uji i shiut ose i borës.
Normalisht, një person mund të rezistojë rreth 72 orë pa ujë.
Ndërkohë, rreth 176 000 tenda janë ngritur në provincat e goditura nga tërmeti në Turqi.
Autoriteti i fatkeqësive AFAD tha gjithashtu se kishte ngritur mijëra kontejnerë.
“Gati 400 000 njerëz janë evakuuar nga zonat e tërmetit”, tha zyra presidenciale.
Inspektimet kanë nisur të kryhen nga autoritetet për të përcaktuar se cilat ndërtesa në 10 provincat e prekura ishin ende të banueshme.
“Që nga e hëna pasdite, mbi 7 500 ndërtesa tashmë janë shembur ose duhet të prishen urgjentisht”, tha Banu Aslan, drejtor i departamentit të ndërtimit, sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”.
Mijëra ndërtesa u shembën në Turqi pas dy tërmeteve masive të së hënës.
Situata në Sirinë e shkatërruar nga lufta është edhe më e pasigurt, duke pasur parasysh se shumë njerëz tashmë janë zhvendosur brenda vendit.
“Shefi i ndihmës i OKB-së, Martin Griffiths, mbërriti sot në Alepo”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve SANA, mes kritikave të rënda për vonesat e ndihmave për tërmetit.
Në qytetin e Alepos, shumë njërëz kanë mbetur të pastrehë.
Të paktën 27 ndërtesa janë shkatërruar tashmë për shkak të rrezikut të shembjes.
Kreu i këshillit të qytetit të Alepos, Maad al-Madlaji, tha se rreth 13 000 familje jetojnë në 235 strehimoret e ngritura nga qeveria.
OKB-ja tha sot në mëngjes se gjashtë kamionë, kryesisht me tenda po hynin në veri të Sirisë.
Krahasuar me Turqinë fqinje, sirianët mendojnë se ndihma është shumë e vogël, dhe tepër vonë për Sirinë.
Dorëzimi i parë i ndihmës së OKB-së mbërriti të enjten në Sirinë veriperëndimore, pasi kamionët kaluan nga Turqia përmes të vetmit vendkalim kufitar të hapur, në Bab al-Hawa.
Sirianët gjithashtu po përballen me tmerret e luftës përveç pasojave të tërmetit./KultPlus.com