Berlin: Ndihmë për të përballuar vapën ekstreme, projekti i ri për të pastrehët

2000-6500 vetë rezultojnë si të pastrehë në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin. Duke mos pasur një çati mbi kokë, ata janë kategoria më vulnerabël gjatë këtyre ditëve me temperatura ekstreme.

Gjatë së mërkurës (20.07), temperatura në Berlin arriti rekordin prej 39 gradë Celsius. Teksa shumë berlinezë ndezën ventilatorët dhe qëndruan në hije, ata pa një strehë mbi kokë patën shumë pak mundësi për gjetjen e ambienteve të freskëta, me qëllim shmangien e rreziqeve shëndetësore që vijnë nga vapa ekstreme. Për shembull, Liljana dhe miku i saj, Elias.   “Dukem si turiste” – thotë Liljana, teksa rregullon kapelen e saj prej kashte. 

“Dukem si turiste” – thotë Liljana, teksa rregullon kapelen e saj prej kashte. 

Dy miqtë, me origjinë bullgare, ishin ulur nën një hije, duke pritur të shkonte ora 10 e paradites, aty ku ka marrë formë një projekt i ri, në zonën Schöneberg të Berlinit. Qendra “Hitzehilfe” (Ndihma për të përballuar të nxehtit ekstrem) është e hapur deri në orën 8 të mbrëmjes dhe u ofron njerëzve që janë në kërkim të një vendi të freskët, mundësinë e një dushi dhe një “sy gjumë”, në një nga 30 shtretërit e vënë në dispozicion. 

Për Liljanën, një dush i ftohtë është shërbimi më i mirë që ofron kjo strehëz ditore. “Kur jeton rrugëve, mund të sajohesh disi me ushqim dhe pije. Por pa një dush dhe vend për të fjetur, jeta duket shumë e vështirë për t’u përballuar” – thotë ajo. 

Gjatë pandemisë, 31-vjeçarja humbi punën dhe apartamentin. “Jam e pastrehë prej më shumë se një viti” – shpjegon Liljana. “Fillimisht punoja në rrugë, si prostitutë, por më pas hoqa dorë”. 

Elias thotë se s’mund të punojë, për shkak se ka humbur të gjithë dokumentet identifikuese. “Gjithsesi kam bërë ca hapa para me dokumentacionin që më duhet” – shpjegon ai, para se të drejtohet nga dhoma ku mund të flejë për ca kohë. 

Deutschland Hitzehilfe für Obdachlose

Në strehëzën “Hitzehilfe”, pjata me shalqi të sapoprerë janë gati për t’u konsumuar ndërsa në një qoshe muri gjen arka të tëra me shishe uji. Në anën tjetër të dhomës, në një tavolinë të gjatë, janë reshtuar shishe që mund të rimbushen gjatë ditës, krem mbrojtës kundra diellit, kapele, shtroje gjumi në formë çante, produkte higjienike, maska për t’u mbrojtur nga Covid-19 dhe rroba të lara. Aty nuk mungojnë as detergjentë lavanderie. 

Senati i Berlinit është financuesi i këtij projekti-pilot, që kap vlerën e 106 mijë Eurove. Nisma e shoqatës “IB Berlin Brandenburg”, ka si qëllim të mbajë larg vapës ekstreme të pastrehët, të paktën për disa orë gjatë ditës. 

E njëjta godinë, e vënë në dispozicion nga zona e Schöneberg, zakonisht përdoret gjatë muajve të dimrit për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve nga i ftohti ekstrem. Nisma “Kältehilfe” (Ndihmë për të përballuar të ftohtin ekstrem), ofron një strehë të ngrohtë, veçanërisht gjatë natës. Por në vapën ekstreme, orët e ditës janë më të nevojshme. 

Katja Kipping, politikane e së Majtës dhe senatore për Integrimin, Punën dhe Çështjet Sociale, tha të mërkurën (20.07) se e gjithë shoqëria duhet të ndërgjegjësohet për rreziqet që vijnë nga temperaturat ekstreme. 

Deutschland Obdachlose in Sommer in Berlin

“Shumë banorë të Berlinit kanë në telefonat e tyre kontaktin e ‘Kältehilfe’, në rastin se gjatë dimrit shohin njerëz në nevojë. Por ata nuk janë të vetëdijshëm për seriozitetin e ekstremit tjetër të motit” – theksoi ajo. 

“Deri tani, projekti është pritur shumë mirë” – i tha DW-së punonjësi social, Artur Keil. Sipas tij, shumica e njerëzve që kanë ardhur në qendër janë po ata që kanë nevojë për të edhe gjatë dimrit. 

Sfida e temperaturave ekstreme 

“Ajo çka kemi mundur të vërejmë në ditët e para është se shumica kërkojnë thjesht një vend për të fjetur rehat, gjë që është thuajse e pamundur jashtë, në ato temperatura” – thotë Janette Werner, drejtuese rajonale e shoqatës “IB”.  

Në bisedë me DW, ajo thekson se përdorimi i tepruar i alkoolit dhe drogërave nga këta njerëz, e shton rrezikun e vapës. “Pasi dehen ose drogohen, për shembull, njerëzit nuk janë në gjendje të kuptojnë sa vapë bën jashtë. Ata digjen nga dielli, dehidratohen dhe në rastin më të keq, humbin jetën”. 

Përveç ndihmave të nevojshme, punonjësit socialë ofrojnë edhe këshillim dhe mbështetje. “Kur këta njerëz vijnë këtu rregullisht, ata nisin të kenë besim dhe fillojnë e rrëfehen” – thotë Werner.  

Diku tjetër në Berlin, 23 punonjës të nismës “Karuna”, janë në terren duke shpërndarë ujë, krem mbrojtës, syze dielli dhe produkte higjienike për të pastrehët. Ekipi ndihmon që nga viti 2020 dhe ofron për këtë kategori edhe “autobusë freskues”, ku njerëzit mund të qëndrojnë përkohësisht e të marrin veten nga vapa e tepërt. 

“Nëse sheh një të pastrehë, sidomos gjatë këtyre ditëve të nxehta, gjëja më e mirë që mund të bëhet është ta pyesësh nëse ndihet mirë” – sqaron Werner. “Nëse nuk ndihet mirë, telefono shërbimet e urgjencës. Dhe mbani parasysh se kushdo do të ishte i lumtur t’i ofrohej një shishe me ujë në këto kohë”.  

Projekti pilot veror “Hitzehilfe” do të vijojë deri në fund të muajit shtator, kur shoqata do të vlerësojë se çfarë shërbimesh nevojiten më së shumti. /DW / KultPlus.com

Burri fton të pastrehët të jetojnë në oborrin e shtëpisë së tij

Në një nga oborret e një shtëpie në Utah janë ngritur kampe ku po jetojnë njerëz të pastrehë.

Këta njerëz i ka ftuar të jetojnë aty pronari i shtëpisë Darin Mann. Ai ka lënë njerëzit të ngrenë kampe në oborrin e vogël të shtëpisë së tij, të përdorin tualetin brenda shtëpisë.

“Qëllimi është që të destigmatizoj mënyrën se si njerëzit i shohin të pastrehët”, ka thënë Mann. “Çdo person meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ndihmohet kur ka nevojë”.

Rreth 15 njerëz banojnë aty. Mann i ka thënë CNN-it se banorët kanë ardhur aty pasi kampet tjera janë mbyllur.

“Ata më ndihmojnë të pastroj kopshtin. Ata e mbajnë të pastër kampin dhe po ndihmojnë të jenë shembull pozitiv i punës me njerëzit e pastrehë”, tha ai. / KultPlus.com

Në rrugët e Gjermanisë vendosen kabina për t’u krijuar strehë të pastrehëve

Në rrugët e një qyteti gjerman po vendosen kabina në të cilat nuk mund të depërtojë uji dhe era dhe kjo është bërë për tu ofruar strehim të pastrehëve.

Kabinat prej çeliku dhe druri të cilat zënë deri në dy persona, mbrojnë nga të ftohtit, era dhe lagështia. Ato garantojnë po ashtu edhe rifreskim të ajrit, shkruan The Independent.

Kabinat janë vendosur në qytetin Ulm, në perëndim të Munihut, në parqe dhe vende të tjera ku flenë zakonisht njerëzit e pastrehë.

Kabinat janë të pajisura po ashtu edhe me panele solare dhe janë të lidhura me rrjetin e radios, duke u mundësuar banorëve të tyre që të komunikojnë pa pasur nevojë për lidhje mobile. / KultPlus.com

Biblioteka e Zelandës së Re një “shtëpi” për të pastrehët

Biblioteka e Zelandës së Re më në fund ka zgjidhur misterin pse disa libra po zhduken nga raftet e saj.

Stafi i Bibliotekës së Auckland ishte i hutuar pasi u gjetën disa libra që ishin fshehur në vende të rëndomta. Fillimisht mendonin se fëmijët që po luanin ishin shkaktarët, por më vonë zbuluan se ishin të pastrehët e qytetit që po i fshehin librat në mënyrë që ata të mund të ktheheshin të nesërmen për të vazhduar leximin.

“Shumë nga komuniteti ynë i rrugës i futnin ato nën shtretër ose nën raftet e librave duke dashur t’i fshehin ato në vende të ndryshme”, tha për TV NZ, bibliotekari Sean Taylor, përcjell KultPlus.

“Dhe për një bibliotekar është vërtet e çuditshme, ne gjatë gjithë kohës reagonim ‘oh çfarë po bën ky libër këtu?’ Dhe e kthenim atë në vendin e duhur”, vazhdoi tutje ai.

Stafi më vonë mësoi se disa prej njerëzve të pastrehë të qytetit po fshehin librat, duke u shpjeguar se nuk kishin një adresë të përhershme dhe kështu nuk ishin në gjendje të regjistroheshin për një kartë bibliotekare që do t’u lejonte atyre të merrnin librat me vete.

Kështu si zgjidhje, Biblioteka Auckland vendosi të krijoi një seksion të ri ku librat tani mund të lihen brenda natës dhe të merren përsëri mëngjesin tjetër. “Ne tashmë e kemi këtë shërbim ku mund ta mbash librin në raft, dhe kur kthehesh në mëngjes, e merr atë dhe i kthehesh përsëri leximit”, shtoi Taylor.

“Ata janë lexues vërtet të mirë. Në mesin e tyre është një djalë me të cilin kam pasur një diskutim rreth kuptimit të fjalëve, me të po ashtu do të flasim edhe për seksionin e referencave dhe është një lloji bisede intelektuale e cila pritet nga një akademik “, ka përfunduar Taylor.

Bibliotekat e Auckland kishte shkruar në një postim në Facebook se janë krenarë që mund t’i mbështesin lexuesit nga të gjitha sferat e jetës, duke shtuar se Biblioteka e Auckland thotë e sheh veten si një “shtëpi për të pastrehët” dhe mban shfaqje të rregullta kinemaje dhe ofron një klub librash për ata që flenë jashtë.

Rachel Rivera, drejtoreshë e Bibliotekave të Auckland, thotë se ndërtesa është një vend ku njerëzit e pastrehë mund të vijnë për tu bashkuar dhe për tu relaksuar.

“Kam dëgjuar në radhë të parë rëndësinë e bibliotekave për klientët tanë të pastrehë. Një djalë më tha se ai u zhvendos në qytet disa vite më parë dhe se asnjë nga familjarët e tij në shtëpi nuk e dinte që ishte i pastrehë. Ai i përdorte kompjuterët tanë për të mbajtur kontaktet me ta. Ishte një litar shpëtimi për familjen e tij”, tha Rivera.

“Ata çmojnë shërbimin tonë, siç bëjnë shumë nga komunitetet tona, për arsye të ndryshme. Por ata nuk ndjehen gjithmonë të sigurt dhe të mirëpritur, dhe kjo është diçka që ne mund dhe duhet të ndërmarrim hapa për të adresuar “, përfundoi ajo./ KultPlus.com