Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka nënshkruar një projekt-ligj prej 700 miliardë dollarësh, që synon të luftojë ndryshimet klimatike dhe kostot e kujdesit shëndetësor duke rritur taksat kryesisht për të pasurit.
Projektligji përfshin masat për të ulur çmimin e barnave me recetë.
Sipas një zyrtari të administratës së Biden, projektligji mund të japë një shtysë përpara zgjedhjeve afatmesme.
Votuesit që do të votojnë në nëntor do të vendosin nëse demokratët e Biden do të mbajnë kontrollin e Kongresit edhe për dy vjet të tjera.
Presidenti e përshëndeti projektligjin ndërsa e nënshkroi të martën si “pjesa e fundit” e agjendës së tij të brendshme, shkruan BBC.
Projektligji, i quajtur “Akti i Reduktimit të Inflacionit”, është një arritje e madhe legjislative për demokratët ku përfshihet paketa më e madhe klimatike në historinë e
SHBA-së dhe bëhet menjëherë një nga elementët kyç të presidencës së tij dyvjeçare.
Ajo kaloi në votim si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senatin javën e kaluar me mbështetjen e çdo demokrati por të asnjë republikani.
Në këtë paketë përfshihen masa të dizajnuara për të mbështetur alternativat e energjisë me emetim të ulët dhe për të ulur emetimet e gazrave serrë, si dhe për të ulur çmimet e barnave me recetë dhe për të rritur taksat ndaj korporatave dhe të pasurve.
Legjislacioni do të mbledhë rreth 700 miliardë dollarë nëpërmjet rritjes së taksave të korporatave dhe kursimeve të barnave me recetë, dhe do të shpenzojë rreth 400 miliardë dollarë për energjinë e pastër dhe dispozitat e kujdesit shëndetësor.
Biden u kthye shkurtimisht nga pushimet për të nënshkruar projektligjin, i cili u miratua sipas linjave partiake pa asnjë mbështetje nga republikanët e opozitës./abcnews.al/ KultPlus.com