Kryeministri Kurti: Rasti i Donjetës dhe i xhudistëve duhet të inkurajojë të rinjtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Donjeta Sadiku po edhe xhudistët e Kosovës duhet të inkurajojnë të rinjë kosovarë për t’u marrë me sport.

Këto komente Kurti  i ka bërë për RTK pas fitores së Donjeta Sadikut kundër Thamanya Somnuek nga Tajlanda në Lojërat Olimpike Paris 2024.

“Me atë çfarë pamë sonte prej Donjetës, jemi optimistë në vijim. Qeveria e do sportin, e do sportin për qytetarët, dhe rasti i Donjeta Sadikut, rasti i xhudisteve të Kosovës, duhet të inkurajojë të rinjtë e Kosovës që të merren më shumë me sport”, ka thënë Kurti.

Kurti gjithashtu ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Lojërat Olimpike, duke nënvizuar ndikimin e sportit në diplomaci dhe politikën e jashtme.

“Sporti ka një aspekt të rëndësishëm të diplomacisë dhe politikës së jashtme, sepse përmes tij ia del që ta paraqesësh vendin”, është shprehur tutje ai.

Afër 100 mijë të rinj as në shkollë, as në trajnim e as në punë

Xh.M., 23 vjeç, nga komuna e Malishevës, ka të përfunduar vetëm shkollimin fillor. Aktualisht, as nuk punon, as nuk është i përfshirë në ndonjë proces mësimor apo trajnim.

“Unë e kam një zanat, jam shtrues i pllakave të qeramikës, por nuk ka punë me kushte të mira”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Në një kompani kam punuar 11 muaj dhe nuk jam paguar. Kështu që jam i dëshpëruar nga njerëzit. Punon, punon… kur të bëhet muaji, nuk ta japin rrogën”, vazhdon rrëfimin Xh.M.

Ai nuk dëshiron t’i përmendë arsyet se përse nuk e ka vazhduar shkollimin. Thotë se për shpenzimet e ditës e ndihmon e ëma, e cila merr një pension mujor prej rreth 200 eurosh.

“Çfarë të bëj? Rri në shtëpi… Vështirë është pa punë, sidomos tani kur çmimet janë rritur”, thotë Xh.M.

Si ai që nuk ndjekin as shkollim, as ndonjë trajnim dhe nuk janë të punësuar, janë afër 100 mijë banorë të Kosovës, të moshës 15 deri në 24 vjeç.

Këto të dhëna i ka publikuar së voni Agjencia e Statistikave të Kosovës, bazuar në anketën e fuqisë punëtore.

Të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2022 kanë treguar, po ashtu, se nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe rreth 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë – që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e parë të 2022-shit ka qenë 16.6 për qind.

Rrezik nga problemet sociale

Artan Krasniqi, sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shifrat e të rinjve, të cilët nuk punojnë, nuk janë në proces arsimor dhe nuk ndjekin ndonjë trajnim, janë shqetësuese.

“Edhe shteti, edhe shoqëria janë mjaftuar me faktin që Kosova e ka potencialin më të madh rininë dhe sikur është menduar që ky potencial vetëkanalizohet… Ka pasur fare pak politika dhe programe që e ndihmojnë këtë potencial të arrijë në nivele më të larta”, thotë Krasniqi.

Kosova ka popullsi të re, me një moshë mesatare 35 vjeç.

Sociologu Krasniqi thotë se nëse për këta të rinj, nuk krijohen politika të duhura, qoftë të punësimit, trajnimit apo shkollimit, mund të ketë probleme sociale në të ardhmen.

“Së pari mbesin barrë e shoqërisë, familjes dhe më vonë e shtetit. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që këta të rinj ta kërkojnë rrugën e migrimit”, thotë Krasniqi.

Trendi i emigrimit të qytetarëve kosovarë, sipas shifrave zyrtare, është në rritje. Sipas ASK-së, në vitin 2021 nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë. Në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.

Profesori i shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës, Behxhet Gaxhiqi, thotë se edhe sikur numri i të rinjve që nuk ndjekin shkollim, trajnim apo nuk janë në punë, të jetë 10.000, është shqetësuese, e lëre më afër 100 mijë.

Ai thotë se institucionet qendrore dhe lokale duhet të hartojnë politika për ofrimin e trajnimeve, së paku.

“Kjo moshë e popullsisë është pjesa më vitale e shoqërisë dhe nuk duhet lejuar të mbetet në këtë gjendje. E ardhmja e këtyre të rinjve mund të jetë e paperspektivë dhe si të tillë mund të përfundojnë në skemat sociale të Qeverisë me mjete minimale për jetesë”, thotë Gaxhiqi për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, me mbi 1.7 milion banorë, ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë.

Përveç qytetarëve të papunë dhe me vështirësi ekonomike, nga skemat sociale përfitojnë edhe familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, pensionistë të moshës etj.

Çfarë thonë ekspertët e ekonomisë?

“Arsyeja që Kosova ka këtë numër të të rinjve që nuk janë as në shkollim, as në trajnim dhe as të punësuar, qëndron tek edukimi dhe trajnimet që ofrohen. Ato nuk janë cilësore dhe në harmoni me tregun e punës”, thotë eksperti i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, njëherësh ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Tregu i punës në Kosovë, shton ai, ka nevojë për kuzhinierë, kamerierë, punëtorë në sektorin e prodhimit dhe atë të drurit.

“Këto trajnime profesionale duhet t’iu ofrohen këtyre të rinjve, në mënyrë që ata ta gjejnë veten në Kosovë. Të rinjtë tanë janë të dekurajuar për të kërkuar punë, për t’u punësuar apo për të ndjekur ndonjë trajnim”, thotë Mulaj.

Viteve të fundit, tregu i Kosovës është përballur me mungesa punëtorësh – sidomos sektori privat.

Sipas disa anketave që ka realizuar Radio Evropa e Lirë, por edhe të dhënave të Inspektoratit të Punës, qytetarët janë ankuar për paga të ulëta, mosrespektim të orarit të punës, privim nga pushimi etj.

Për rrjedhojë, shumë punëdhënës kanë marrë punëtorë nga jashtë.

Çfarë kanë bërë autoritetet?

Në Kosovë, Agjencia e Punësimit është institucioni kryesor në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.

Kjo agjenci ofron trajnime për mbi 30 profile të profesioneve të ndryshme, përfshirë: moler, murator, suvatues, kuzhinier, furrtar, pastaj për saldim, administrim biznesi, floktari e të tjera.

Për t’i ndjekur këto trajnime, kërkohet regjistrimi në këtë agjenci si punëkërkues dhe më pas ofrohen trajnime në qendrat e aftësimit profesional.

Në Agjencinë e Punësimit të Kosovës, vitin e kaluar, kanë qenë të regjistruar mbi 82 mijë punëkërkues.

Për të zbutur papunësinë te të rinjtë, Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti ka hapur platformën “superpuna”, e cila synon të rinjtë nga 18 deri në 25 vjeç.

Në kuadër të saj, Qeveria e Kosovës subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh. Punëdhënësi, pastaj, ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.

Pas periudhës gjashtëmujore, punëdhënësi mund ta mbajë në punë punëtorin duke nënshkruar kontratë të re, por edhe mund ta shkarkojë.

Autoritetet kanë thënë se synojnë që me këtë platformë, të punësojnë mbi 10 mijë të rinj, vitin e parë.

Në vitin shkollor 2022/2023, në një shkollë profesionale në Prishtinë ka nisur edhe mësimi dual, sipas të cilit, aftësimi në një kompani të caktuar kombinohet me lëndë në një shkollë profesionale.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë më herët për REL-in se kjo praktikë mund të inkurajojë më shumë të rinj që ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë. / KultPlus.com

Izolimi shtetëror pengesë në zhvillimin e potencialit tek të rinjtë

Nga Sahide Brati

Të rinjtë e Kosovës për gjetjen e një pune ose që të kenë një jetë të siguruar, nuk kanë një mundësi të garantuar. Kur zhvillimet ekonomike dhe politike në vendin e tyre nuk ecin siç duhet, shumë nga të rinjtë joshen nga ideja që të lënë përkohësisht vendin e tyre për një edukim më të mirë dhe një karrierë profesionale në vendet më të zhvilluara.

Gjenerata e re në Kosovë është ambicioze dhe ka pritshmëri të larta për të ardhmen e saj, por atyre shpesh iu mohohet mundësia për të marrë pjesë në trajnime, në vizita studimore, në panaire, dhe në universitete ku do të përfitonin njohuri të rëndësishme. Për të gjitha këto iu duhet një vizë të cilën ka raste të shumta që edhe nuk mund ta marrin. Shëtitja nëpër ambasada, është e mundimshme, ka kosto dhe shpesh me rezultat negativ.

Fluturesa Kryeziu, është studente e gjuhës gjermane, e cila ka përfunduar një semestër në Gjermani në Universitetin Philipps. Ajo thotë se procesi i vizës nuk ishte i ndërlikuar për të dhe të tjerët ia lehtësuan atë.

“Për t’u pajisur me një vizë dhe për shmangien e një vonese afatgjate të saj, është shumë me rëndësi që dokumentet të cilat na kërkohen nga ambasada në fjalë, të jenë të gjitha dhe në gjendje të rregullt. Sigurisht se nga ndihma e personave përkatës, si dhe nga profesorët tanë, procedura për aplikimin e vizës, për mua nuk ishte fare e ndërlikuar dhe ishte shumë më e thjeshtë nga si e mendoja unë“, tha ajo.

Pas përfundimit të gjitha procedurave dhe dorëzimit të dokumenteve ajo priste me padurim për përgjigjen.

“Pas 1 muaji e një jave më është dorëzuar viza. Mirëpo edhe pse pritja nuk ishte shumë e shkurtër, përgjigjja pozitive ishte mjaft emocionuese dhe më në fund pas çdo përpjekje dhe mundi që kisha bërë deri në atë kohë, në fund kam marrë shpërblimin e saj”, tregoi ajo.

Studimin jashtë vendit për një semestër e cilëson të veçantë. Përveç bukurisë së vendit, kulturës së vendit, ajo thekson edhe krijimin e shoqërisë së re nga vende të ndryshme të botës.

Në vendin drejt të cilit ajo ka udhëtuar shprehet se e ka tërhequr kultura tradicionale, një vend modern ku tregon se edhe njerëzit ishin të sjellshëm dhe aspak paragjykues.

Shkaku situatës me pandeminë ajo nuk kishte mundësi të merrte pjesë në ndonjë punëtori për zhvillimin personal përveç në Universitet.

“Për shkak se COVID-19 na kishte kufizuar shumë mundësi të reja, Universiteti prapë arriti të na mundësoj disa përvoja të reja të cilat ishin të jashtëzakonshme për ne. Neve na janë mbajtur disa seminare trajnimi për mësuesit e gjuhës gjermane ku kishim drejt te zgjedhim edhe nivelin arsimor, si: arsimin fillor, të mesëm, universitar dhe arsimin e të rriturve për trajnerë”, tha Kryeziu.

Tutje, ajo shton se ata kanë mbajtur disa trajnime që kishin të bëjnë me gjuhën dhe organizime të tjera.

“Gjithashtu neve na është ofruar edhe trajnim gjuhësor e posaçërisht për mësuesit e gjuhës gjermane. Gjithashtu gjatë sezonës së verës kishim disa organizime në Universitet nga profesorët tanë, si: organizime bisedash, këshillime, prezantime dhe forma të tjera veprimi”, tha studentja.

Kryeziu e përshkruan këtë eksperiencë si unike.

“Studimi jashtë vendit është gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë. Kjo mundësi ka ndryshuar jetën time për mirë dhe ka formësuar shumë mënyrën se si mendoj për disa aspekte të jetës”, thotë ajo.

Ideja për të kaluar disa muaj larg shtëpisë dukej frikësuese në fillim për të, por asaj nuk iu desh shumë kohë që të mësohej me jetën larg shtëpisë. Ajo thotë që brenda pak kohe, pati mundësinë të udhëtoj në disa shtete të Evropës, por edhe të jetoj në një nga qytetet më të zhvilluara në botë.

Po ashtu, shprehet mirënjohëse për këtë përvojë dhe entuziaste nëse do t‘i ofrohej përsëri diçka e tillë.

“Mësova shumë për botën në përgjithësi, takova shumë njerëz dhe bëra miq të përjetshëm. Do të jem përgjithmonë mirënjohëse që pata mundësinë të studioj jashtë vendit. Dhe sigurisht, po ta kem mundësinë të përjetoj edhe njëherë këtë eksperiencë do të pranoja pa menduar dy herë”, shtoi ajo.

Ndërsa, A.S, aplikoi në Ambasadë të Zvicrës për vizë ngase ishte e ftuar në një konferencë nga një Industri Botërore e Bioteknologjisë.

“Unë do të udhëtoja në Zvicër për një Konferencë Ndërkombëtare” Future X Healthcare 2019”, ku isha e ftuar si studente nga kompania Roche (Industri Botërore e Bioteknologjisë), kompania është zvicerane ndërsa konferenca mbahej në Munich të Gjermanisë”, tha ajo.

Vizita thotë se kishte për qëllim pjesëmarrjen në konferencë mirëpo edhe disa takime në Zvicër me kompaninë në lidhje me një projekt startup të saj si studente.

“Sa i përket entuziazmit, nuk e mohoj që e prisja me padurim pasi që kisha tentuar gjatë verës të shkoja si studente në këtë kompani për të bërë intership dhe nuk u realizua pasi mungonin disa dokumente në UP që i kërkonte kompania për këtë çështje. Kur më ftuan në konferencë, isha shumë e lumtur sepse do të mund të shihja ekosistemin e këtij gjiganti botëror në këtë fushë dhe punën që bëjnë këto lloj industrish”, rrëfen ajo.

Procesi i aplikimit tregon se ishte shumë i lodhshëm dhe me kosto të lartë për buxhetin e studentit, por procedura e aplikimit ishte në rregull sa i përket respektimit të ligjit dhe nuk kishte vonesa.

Tutje, ajo tregon se viza iu refuzua dhe se cilat ishin shkaqet.

“Arsyeja e refuzimit në fillim nuk ishte fare e qartë, por kur njoftova organizatorin e konferencës, dhe e njoftova që më është refuzuar viza ai më shkruajti një email që t’i drejtohem ambasadës, dhe ta kuptoja pse ma refuzuan vizën, sepse sipas tij, ishte e pakuptimtë dhe e padrejtë. Unë shkova në ambasadë për ta dërguar këtë ankesë, personalisht dhe kërkova detaje për refuzimin e vizës, ata e lexuan dhe arsyeja ishte pasi konferenca mbahet në Gjermani nuk më ishte lejuar viza zvicerane edhe pse kompania Roche është zvicerane dhe më kishte dërguar ftesën në Ambasadë të Zvicrës, ku pas konferencës do të shkoja edhe atje”, tha ajo.

Studentja tregon se tek ajo, kjo ngjarje ndikoi mjaft pasi kishte bërë shumë mund e përkushtim që të merrte një ftesë nga ky Institut Shkencor.

“U ndjeva shumë e izoluar si një vajzë e re, me ambicie në fushën e shkencës, në shtetin tim dhe nga shteti ku doja të shkoja për këtë qëllim”, tha ajo.

A.S thotë se në atë periudhë e kishe kuptuar se sa shumë çështjet politike të vendit të saj me shtetet Evropiane kishin ndikim dhe pengesë në rrugëtimin e saj. Ndërkaq shton se për shtetasit e tjerë të ri si ajo nuk ekzistojnë pengesa të tilla.

Ajo mendon të aplikoj përsëri për vizë kurdo që të ketë mundësi.

“Nëse bëhet liberalizimi i vizave padyshim që do të udhëtoja prapë ndoshta do të ishte mirë ta kisha këtë të drejtë unë si një vajzë e re që jetoj në Evropë. Nëse nuk ndodh liberalizimi unë prapë do të provoj të aplikoj për vizë kur do të kem nevojë të udhëtoj për qëllime akademike apo si turiste. Arsyeja është e njëjtë, pra për vazhdim të studimeve, hulumtime shkencore, pse jo edhe si turiste”, shprehet ajo.

Hulumtimet e shumta të realizuara në vende të ndryshme të botës tregojnë se studentët që kanë mundësi të përfitojnë eksperienca profesionale kudo në botë aftësohen në shumë fusha të jetës e përmirësimi i notës mesatare është më e pakta që mund ta arrijnë.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, madje ka disa vite.

Por, sipas saj, kjo është padrejtësi që po i bëhet Kosovës, ngase asaj i janë përcaktuar kushte për plotësim më shumë se të gjitha vendet që tashmë e kanë të zgjidhur këtë problem.

 “Kosova është vendi më pro-evropian e jemi vendi i vetëm i izoluar në regjion. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian veç e kanë votuar këtë çështje. Tashmë kjo çështje nuk është në dorën e Kosovës, por është padrejtësi e Bashkimit Evropian në këtë drejtim. Evropa duhet të reflektoj e duhet të vendos pro liberalizimit të vizave“, tha ajo.

Deputetja, shprehet se nuk ka statistika se sa lëvizin të rinjtë në vendet e BE-së, derisa thekson se këtë proces po e vështirësojnë edhe pritjet e gjata për termine.

“Po ekziston mënyra që studentët po aplikojnë individualisht për bursa dhe ata që fitojnë bursa po gjejnë edhe mundësinë e marrjes së vizave nga vendet ku kanë fituar bursë. Duke marrë parasysh edhe situatën me pandemi edhe më shumë janë vështirësuar edhe afatet për marrje termin, por edhe marrje të vizave, sepse shumica e vendeve janë izoluar! Prapë po e potencoj kjo është padrejtësi që po na bëhet!”, deklaroi Kadrijaj.

Ndërkaq, sociologu Labinot Kunushevci, shpjegon se si ndikon izolimi shtetëror në aspektin socio-kulturor.

“Duke qenë se 60% e strukturës së popullsisë në Kosovë është nën moshën 25 vjeçare, kjo flet për potencialin demografik, profesional, moral e human të shoqërisë në Kosovë. Se si ndikon izolimi në aspektin socio-kulturor, kjo mund të shpjegohet me realitetin e frustrimit social sepse izolimi nxitë frustrim social i cili e shndërron energjinë dhe potencialin e rinisë në fenomene dhe dukuri përmbysëse në aspektin vleror dhe të kontributit publik“, tha ai.

Më tej, ai tregon se sa sjell dekurajim kjo çështje dhe si ndikon tek të rinjtë.

“Të rinjtë e izoluar, me mungesë perspektive, të pa integruar, të përjashtuar, janë më të prirur për reagime apo veprime radikale. Të rinjtë me ambicie të larta profesionale ndjehen të zhgënjyer, me pritshmëri që shndërrohen në iluzione, me barriera të patejkalueshme, të dekurajuar, sepse nuk trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të dinjitetshme nga Evropa Perëndimore përmes regjimit të vizave“, thotë ai.

Nëse do të bëhej liberalizimi i vizave, njohësi i sociologjisë, numëron ndryshimet që do të ndodhnin.

“Liberalizimi i vizave do të ndikonte në thyerjen e iluzioneve, në krijimin e kontakteve, në avansime profesionale, në integrimin e të rinjve në tregun perëndimor të punës, në krijimin e përvojave të reja, do ta bënte shoqërinë më të hapur, duke e pa një botë tjetër të suksesit, me shembuj të mirë të edukimit, disiplinës, kulturës së punës, etj”, shtoi Kunushevci.

Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Kosova përmes Kuvendit, ka miratuar një gamë të gjerë të ligjeve të domosdoshme për një shtet normal dhe me demokraci të zhvilluar.

Ata thonë se ky vend ka një infrastrukturë të kompletuar ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në këtë aspekt Kosova nuk dallon aspak nga vendet e rajonit, kurse, në disa fusha, si mbrojtja e minoriteteve qëndron më mirë se vendet e rajonit sikurse edhe për trajtimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve.

“Gjithë legjislacionin e saj e ka përshtatur me legjislacionin ndërkombëtar, përkatësisht me atë të Bashkimit Evropian. Në shumë raste thuhet se ligjet vetëm janë përkthyer në gjuhën shqipe ndonëse konteksti i Kosovës ndryshon shumë me atë të vendeve nga të cilat janë marrë ligje të caktuara. Kosova edhe sipas shumë organizatave ndërkombëtare por edhe vet raportuesve si në rastin e BE-së ka plotësuar kushtet për të përfituar liberalizimin e vizave në vendet e Unionit Evropian”, treguan ata.

Nga KMDLNJ, tregojnë se sipas historisë nga kjo mundësi e BE-së kanë përfituar shtetet të cilat nuk kanë qenë as afër plotësimit të kritereve sikur që është Kosova, por kjo më shumë shihet si çështje politike.

Shtojnë se Kosova në pamundësi që të njihet si shtet i pavarur dhe sovran nga disa shtete të Evropës (vende anëtare të BE-së) ende të rinjtë dhe qytetarët në përgjithësi e kanë të pamundur që të lëvizin lirshëm jashtë kufijve shtetërorë.

“Ende qytetarët e Kosovës janë të obliguar të përfillin procedura të stërgjatura e të kushtueshme për t’u pajisur me viza për të lëvizur në vendet evropiane dhe më gjerë. Përjashtimisht, vendeve të rajonit për të cilat nuk është e domosdoshme pajisja me viza për qytetarët e Republikës së Kosovës“, thanë ata.

Tutje, sipas tyre, të drejtat e të qytetarëve të Kosovës po shkelen nga mekanizmat ndërkombëtarë.

“Lirisht, mund të themi se kufizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve si njëra ndër të drejtat e njeriut e cila po u mohohet qytetarëve të Kosovës paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, aq më tepër në kohën kur janë krijuar shumë mundësi teknologjike dhe tjera por edhe po promovohet diversiteti kulturor, fetar, gjuhësor, etj dhe për faktin se Kosova është njëri ndër shtetet të cilat qëndrojnë më mirë se disa vende anëtare të BE -së në të gjitha shtyllat apo kriteret për anëtarësim”, treguan nga KMDLNJ.

 Përkundër të gjitha kushteve të plotësuara, qytetarëve të Kosovës u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë, nga KMDLNJ, vlerësojnë se kjo përbën shkelje të rëndë të drejtave të njeriut. Nga kjo organizatë, shtuan se ky shtet padrejtësisht është izoluar dhe çështja e vizave po kushtëzohet me një marrëveshje politike të imponuar që duhet ta lidhë me Serbinë.

Sipas tyre, më të prekur nga kjo shkelje, janë të rinjtë dhe studentët të cilët ndjekin procedura të gjata për vizat e të cilat edhe kushtojnë.

“Për këtë arsye të rinjtë kosovarë po e pësojnë në aspektin profesional për faktin se nuk po pajisen me viza prandaj po e kanë vështirë të sigurojnë lejeqëndrim për të studiuar apo për t’u aftësuar profesionalisht . Lëvizja e lirë po i vë në pozitë diskriminuese të rinjtë kosovarë pikërisht nga ata që proklamojnë vlera demokratike ku liria e lëvizjes është njëra ndër vlerat kryesore të demokracisë evropiane e që aq paskrupullt iu mohohet rinisë kosovare”, thanë tutje.

Ndërkaq, ata thonë se në KMDLNJë ka pasur shumë raste kur studentët janë ankuar për izolimin e si pasojë ka pasur dhe raste që kanë humbur bursat e studimit shkaku i mospajisjes me viza.

Përveç ngritjes së shqetësimeve nga KMDLNJ , si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut , nuk ka pasur mundësi të bëhet më shumë për faktin se është e drejtë ekskluzive e vendeve ku aplikohet për viza të lëshojnë apo të mos lëshojnë viza. Edhe kur refuzohen vizat , shtetet përgjegjëse nuk e japin asnjë sqarim për këtë e as që e kthejnë taksën e paguar për viza nga aplikuesi e që, për rrethanat tona është mjaft e kushtueshme“, u shprehën tutje.

Pastaj, shtojnë se për këtë kauzë ka pasur reagime nga i gjithë spektri shoqëror, e veçanërisht nga të rinjtë të cilët po ballafaqohen me pabarazi krahasuar me të rinjtë e vendeve të tjera.

“Ka pasur reagime publike madje i jemi drejtuar edhe ambasadave përgjegjëse por se nuk janë përgjigjur për faktin se konsiderojnë se është e drejtë e tyre e patjetërsueshme pajisja apo jo me viza. Ankimimi në nivele më të larta merr kohë dhe nuk prodhon asnjë rezultat pozitiv. KMDLNJ–ë nuk ka mandat ekzekutiv por vetëm ka rol informues dhe sensibilizues për shkelje eventuale të të drejtave të njeriut”, thanë ata.

Sipas tyre, ata janë organizatë e cila gjithë aktivitetin e saj e ka të bazuar në mbrojtje, promovim dhe avancim të të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Ndërsa, Nexhmi Musliu, zyrtar për media në Ambasadën e Francës, sqaron se liberalizimi i vizave ka të bëjë vetëm me vizat me qëndrim të shkurtër më pak se tre muaj.

“Edhe nëse Kosova një ditë do të përfitojë nga liberalizimi i vizave, përsëri do të kërkohen viza për qëndrime më të gjata se tre muaj. Prandaj do të ketë gjithmonë viza pune dhe viza studimi për të rinjtë që dëshirojnë të fitojnë përvojë pune në një vend të Bashkimit Evropian (ose më saktë në zonën Shengen) ose të studiojnë atje”, tha ai.

Kurse, nga Ambasada për punësim në Zvicër bëjnë të ditur se numri i vizave të lëshuara për kosovarët është shumë i ulët, rreth 50 deri në maksimum 100 në vit.

Nga Këshilli Rinor Kosovar treguan se kishte disa ngjarje që të rinjtë e kësaj organizate shkaku izolimit shtetëror e kishin të pamundur të merrnin pjesë dhe e veçuan një.

“Kemi pasur disa raste të tilla mirëpo një nga këto eksperienca është kur ne si organizatë kemi pasur të organizojmë ‘workshop training’ rreth një festivali të filmit në Bosnje, i cili nuk ishte i mundshëm për shkak të procedurave tejet të komplikuara për marrjen e vizës dhe kontradiktave mes Ambasadës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjës”, thanë nga organizata.

Nga KYC, numërojnë disa përvoja që të rinjtë i kanë përjetuar.

“Disa prej këtyre aktiviteteve jashtë vendit që mund t’i përmendim janë: pjesëmarrja jonë në seminarin avokimit “EcoFighters” në Stamboll, pjesëmarrja jonë në grupin punues për udhëzuesin “PeerEducation” në Berlin të Gjermanisë, përfaqësimi jonë në Panairin e Anëtarëve gjatë Asamblesë së Përgjithshme 2017 në Berlin, pjesëmarrja jonë në Konferencën e 19-të Ndërkombëtare të të Rinjëve në Krushevë, Maqedoni të Veriut”, treguan ata.

Sipas tyre, shpesh në tryezat e tyre është diskutuar rreth kësaj teme e kur atyre iu mohuan shumë aktivitete në botë shkaku vizës ishte zhgënjyese për ta.

 Më tej, ata krahasojnë të rinjtë që kanë lëvizur në botë dhe e kundërta.

“Dallimi kryesor mes atyre që kanë pasur aktivitete jashtë vendit dhe ata që më shumë janë angazhuar në Kosovë mund të themi se ata të cilët kanë dalur jashtë vendit kanë pasur një pikë më shumë referuese rreth aktivizmit rinor në shtete më të zhvilluara si dhe kanë pasur një ide se në cilat pjesë apo çështje duhet të punojmë duke i parë metodat të cilat i kanë shfrytëzuar ata praktikisht”, thonë ata.

Nga KYC thonë se të rinjtë që janë angazhuar në aktivitetet e kësaj organizate, të paktën 30 për qind të tyre kanë vazhduar studimet e tyre jashtë Kosovës.

Në vitin 2000, disa studiues, filluan një përpjekje ambicioze për të dokumentuar rezultatet akademike të studimit jashtë vendit në të gjithë Sistemin Universitar të Gjeorgjisë me 35 institucione.

Ata kanë zbuluar se studimi jashtë ndihmon, në vend që të pengojë, performancën akademike të studentëve në rrezik.

“Dhjetë vjet më vonë, ata kanë zbuluar se studentët që studiojnë jashtë vendit kanë përmirësuar performancën akademike pas kthimit në shtëpi, nivele më të larta diplomimi dhe njohuri të përmirësuara të praktikave kulturore dhe kontekstit krahasuar me studentët në grupet e kontrollit. “, shkruhet në një publikim të portalit Inside Higher Ed.

Krenare Gashi-Krasniqi, drejtoreshë e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), në Kosovë, tregon së të rinjtë që kanë përfituar nga programet e RYCOS-së kanë udhëtuar kryesisht në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Gjithashtu ju kemi ofruar edhe mundësi në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian në ngjarje që lidhen me të rinjtë. Mirëpo mundësitë që RYCO ofron për të rinjtë e rajonit duke përfshirë edhe të rinjtë nga Kosova tejkalojnë edhe kufijtë kontinental. Ne kemi edhe program të veçantë me Ministrinë e Punëve të Japonisë ku të rinjtë nga Ballkani kanë mundësi shkëmbimi përvojash me të rinjtë dhe kulturën Japoneze”, tha ajo.

Izolimin shtetëror, sidomos, për rininë e vendit e cilëson si sfidë e cila thotë sa është e padrejtë aq edhe e pakuptimtë.

 Anëtarët e organizatës të cilën e drejton thotë se ishin pjesëmarrës në shumë organizime, shkaku bashkëpunimit që kjo organizatë ka me ambasadat respektive.

“Gjatë përvojave tona për ngjarjet që janë bashkorganizuar nga RYCO me partnerët tanë Evropianë, të rinjtë nga Kosova kanë marrë pjesë në gjitha ngjarjet njësoj sikur edhe bashkëmoshatarët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Kanë qenë vet të rinjtë ata që kanë ngritur shqetësimin rreth pengesave që po u shkakton izolimi i vendit. Dhe se kanë humbur shumë mundësi pasi nuk kanë pasur viza të udhëtojnë”, thotë ajo.

Drejtoresha Krasniqi, liberalizimin e vizave për kosovarët e posaçërisht për rininë e konsideron si përfundim të një kapitulli izolues për të vetmin vend në gjithë kontinentin evropian.

Lëvizja e lirë në zonën Shengen thotë se do të ishte një mundësi për përvoja personale e profesionale për brezin e ri dhe mundësi njohje me të rinjtë e tjerë evropianë.

“Kjo do të nënkuptonte edhe mundësi për të rinjtë evropianë për tu njohur me potencialet dhe vlerat e të rinjve nga Kosova në zemrat e të cilëve rrah pulsi i Evropës me intensitet të njëjtë, ndoshta edhe më të lartë se sa të rinjve nga pjesët tjera të kontinentit. Fatkeqësisht ka mungesë të theksuar të njohjes së realitetit të potencialit të të rinjve nga Kosova nga të rinjtë që janë qytetarë të Bashkimit Evropian. Kjo sigurisht ka ndodhur për shkak të pamundësisë për tu takuar sa duhet me ta e njohur për së afërmi vlerat e aftësitë e tyre”, shprehet ajo.

Sipas saj, RYCO ka ngritur shqetësim për mohimin e të drejtës së lëvizjes për të rinjtë kosovarë në gjitha diskutimet që janë zhvilluar.

Përpos kësaj, ajo thotë se kjo organizatë ka ofruar mundësi për moshën e re duke ju dhënë atyre hapësirë për të treguar te vendimmarrësit evropianë se sa sfiduese është kjo barrierë personalisht dhe profesionalisht.

Ajo thekson se udhëtimi kishte ndikim pozitiv tek ata që e kishin këtë mundësi.

 “Ajo që është lehtësisht e dallueshme, është fakti që të rinjtë nga Kosova që kanë pasur mundësi të udhëtojnë janë shumë më të hapur në mënyrën se si i perceptojnë dukuritë që ndodhin dhe veçanërisht janë më të gatshëm të përballen me sfidat komplekse të globalizimit”, shtoi Krasniqi.

Por disa të tjerë e kishin të pamundur të merrnin pjesë në ngjarje të tilla, ajo tregon se për këtë arsye ata e kishin humbur kurajon.

 “Ndërsa ata që kanë pasur përvoja të hidhura, janë shumë më të frustuar dhe të dekurajuar për të kërkuar mundësi të reja. Kjo ndjesi ngulfatëse ka ulur edhe dozën e besimit të institucionet e Bashkimit Evropian karshi përkushtimit të tyre për rrugën evropiane të Kosovës. Kjo mund të dallohet po ashtu lehtësisht në bisedat e para me ta”, tha ajo.

Drejtoresha Krasniqi, sugjeron që vendet të cilat hezitojnë ende ta rimendojnë seriozisht pozicionin e tyre, ngase, nëse kjo vazhdon, do të ndikoj në ulje të besueshmërisë së BE-së kundrejt Kosovës.

Ajo, tregon se sa penalizues është kufizimi i kufijve në rritjen e potencialit te brezi i ri.
“Çdo ditë më shumë me një gjendje të tillë izoluese nënkupton më pak mundësi për të rinjtë kosovarë e rrjedhimisht kufizim të shfrytëzimit të potencialit të tyre në fusha të ndryshme. Kjo do të penalizonte jo vetëm të rinjtë kosovarë por edhe vet Bashkimin Evropian i cili po humb një mundësi për shfrytëzuar lirshëm gjithë këtë potencial”, shtoi ajo.

Hulumtimi i Institutit të Edukimit Ndërkombëtar (IIE) tregon se studimi jashtë vendit për periudha më të gjata kohore ka një ndikim të lartë në ofertat pasuese të punës dhe përparimin në karrierë, si dhe zhvillimin e gjuhës së huaj dhe aftësive të komunikimit.

“Ndër të diplomuarit që studiuan jashtë vendit për një vit akademik, 68 për qind raportuan se studionin jashtë duke kontribuuar në një ofertë pune ose ngritje në detyrë. Në të njëjtën kohë, fitime më të mëdha në aftësitë e punës në ekip u raportuan nga studentët që morën pjesë në programe afatshkurtra, të cilat priren të jenë më të strukturuar dhe të orientuar drejt ekipit sesa programet afatgjata, ku studentët mund të ndjekin përvoja më të pavarura”, shkruhet tutje në studimin e IIE-së.

 Nga instituti i lartpërmendur tregohet se nga 70 për qind e të anketuarve, thanë se përvoja e tyre në studime jashtë ka kontribuuar në një shkallë të konsiderueshme përmirësimi. Ku përmenden pesë aftësi kryesore të cilat ishin zhvilluar: kurioziteti, fleksibiliteti/përshtatshmëria, aftësitë ndërkulturore, besimi dhe vetë-ndërgjegjësimi. Përpos kësaj, më shumë se 50 përqind shënuan fitime të konsiderueshme në aftësitë ndërpersonale dhe në zgjidhjen e problemeve. Ndërsa, shkathtësitë teknike dhe softuerike kishin më pak gjasa të zhvilloheshin. / KultPlus.com

Nga Sahide Brati

Të rinjtë në Kosovë kanë pak para për pushime, disa varen nga financat e prindërve

Pushimet e verës tashmë kanë nisur dhe një numër i të rinjve në Kosovë po planifikojnë të shfrytëzojnë disa ditë për të udhëtuar jashtë vendit. Disa prej tyre tashmë i kanë përfunduar pushimet, ndërsa ka edhe të tillë që në pamundësi financiare, nuk do të udhëtojnë.

Bregdetet në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, janë destinacioni kryesor për të rinjtë nga Kosova. Disa prej tyre thonë se i financojnë vetë pushimet, ndërsa disa të tjerë varen ende nga financat e prindërve.

Të rinjtë e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se mundësitë për të shkuar më larg sesa bregdeti në Shqipëri, janë të pakta, e në veçanti për shkak të kufizimit të lëvizjes së lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, marrë parasysh që për qytetarët e Kosovës ende nuk ka liberalizim vizash, transmeton KultPlus.

Shqipëria, destinacioni kryesor

Altin Ademi, student në kolegjin AAB në Prishtinë, thotë se gjatë studimeve është edhe duke punuar si kamerier. Pavarësisht se ai ka edhe pasaportë të Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka ndonjë kufizim që të udhëtojë për turizëm, ai thotë se nuk do të shkojë më larg se në Shqipëri për pushime dhe se aty dëshiron t’i shpenzojë fitimet e veta.

“Varet, mbase nja 300 apo 400 euro, për një javë. Në fakt, unë e kam pasaportën e Maqedonisë së Veriut, sepse babanë e kam nga Shkupi. Por, në Shqipëri është më afër, më mirë, te njerëzit tanë dhe me ta jemi një. Është më afër dhe më qetë. Ndoshta më larg është edhe më mirë, por për momentin kështu i kemi mundësitë”, thotë Altini.

Blerona Racaj nga Klina, studente e matematikës në Universitetin e Prishtinës, thotë se pushimet e verës do t’i kalojë bashkë me prindërit dhe familjen në bregdetin e Shqipërisë. Pushimet thotë se do t’i financojnë prindërit.

“Nuk jam e punësuar, pasi që jam duke studiuar. Rrjedhimisht, na financojnë prindërit. Zakonisht qëndrojmë një javë në Shqipëri, për shkak se na pëlqen bregdeti shqiptar. Por, mbase edhe për shkak të mosliberalizimit të vizave, nuk mund të udhëtojmë më larg. Jemi mësuar në Shqipëri dhe për këtë arsye më shumë shkojmë atje”, thotë Blerona.

Duke pritur vizat

Fitim Merovci, një i ri nga Prishtina, thotë se i ka përfunduar studimet dhe tashmë punon. Ai i ka përfunduar edhe pushimet verore për sivjet.

“I kam përfunduar në Shqipëri, në Velipojë. Nuk kam qëndruar shumë, dy-tri ditë, sepse thjesht nuk na u duk shumë mirë. Na kanë mjaftuar dy-tri ditë, sepse po bëhet monotoni nëse rrimë më shumë. Varet edhe prej kushteve. Në qoftë se kushtet janë më të mira, mbase do të shkonim më larg, jashtë fqinjësisë. Të gjithë jemi duke pritur për viza, se çfarë do të ndodhë”, thotë Fitimi.

Eleta Emini, nxënëse e një shkolle të mesme në Prishtinë, thotë se planifikon që pushimet t’i kalojë me prindërit.

“Zakonisht shkoj me familje, për shkak se i kam 16 vjet dhe nuk mund të shkoj vetë. Për financim, i kemi familjarët, babai që punon në Kosovë dhe i financon pushimet. Nuk jam e sigurt se ku, por me siguri në Shqipëri diku, për shkak se, në të kundërtën, na duhen financa më të mëdha dhe po ashtu nuk kemi as liberalizim të vizave dhe nuk mund të shkojmë diku në Evropë”, thotë Eleta.

Por, Arian Hysenaj, një shitës ambulant në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, thotë se pavarësisht dëshirës për të shkuar në pushime verore, nuk i ka mundësitë financiare për një gjë të tillë.

“Nuk ka të ardhura, nuk kemi buxhet tash për tash. S’kemi para për këtë. Tash po rrimë dhe po punojmë nga pak. Nuk kemi mundësi, edhe pse kohë mund të gjejmë për dy-tri ditë. Për dy-tri ditë, nëse shkoj, unë jam vetë i katërti në familje dhe pa i pasur 300 euro nuk mund të shkosh. Tash për tash nuk ka asgjë, nuk ka para”, thotë Ariani.

Gjatë verës së vitit të kaluar, pandemia e koronavirusit ka shkaktuar kaos në sektorin e turizmit të vendeve me bregdet, e që janë në fqinjësi të Kosovës.

Udhëtimet nga Kosova për në bregdetin e Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë qenë mjaft të reduktuara, në krahasim me vitet paraprake.

Por, sivjet, të dyja këto vende i kanë ftuar turistët nga Kosova që t’i kalojnë pushimet verore atje. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Një shtet i ShBA-së premton nga 100 dollarë për të rinjtë që vaksinohen

Virgjinia Perëndimore e Shteteve të Bashkuara do t’u ofrojë kursime prej 100 dollarësh të rinjve që e marrin vaksinën kundër Covid-19.

Autoritetet e këtij shteti thonë se shpresojnë që kjo pagesë për personat e moshës 16- deri në 35-vjeçare do t’i motivojë të rinjtë që ta marrin vaksinën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

“Fëmijët tanë ndoshta nuk e kuptojnë vërtet se sa të rëndësishëm janë ata që t’i jepet fund kësaj”, tha guvernatori i Virgjinias Perëndimore, Jim Justice, të hënën.

Virgjinia Perëndimore ka qenë në mesin e shteteve amerikane me shkallët më të larta të vaksinimit, por progresi është ngadalësuar në javët e fundit.

Nisma e re nënkupton që personat e grupmoshës së caktuar që vaksinohen mund t’i tërheqin 100 dollarët plus shkallën e interesit në një datë të mëvonshme. Nga kjo shumë do të përfitojnë edhe ata që janë vaksinuar më parë e që nuk janë nën 16 vjeç e mbi 35 vjeç.

Virgjinia Perëndimore është e gjashtëmbëdhjeta në ShBA për shkallën më të lartë të rasteve për numër banorësh. Rreth 52 për qind e 1.5 milion personave të përshtatshëm për vaksinim tashmë e kanë marrë të paktën njërën dozë, por guvernatori tha se rreth 40 për qind e popullsisë mund të ngurrojë që ta marrë vaksinën. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi përkrahje maksimale projektit rinor në Gjilan



Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi ishte sot në Gjilan në aktivitetin e organizuar nga Organizata Joqeveritare “Rinia Studentore Kadri Zeka” mbështetur nga MKRS përmes thirrjes publike për mbështetje të projekteve rinore.

Organizata në fjalë është implementuese e projektit “S’duhani” i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare tek të rinjtë kundër duhan pirjes. I gjithë ky projekt po implementohet përmes një morie aktivitetesh atraktive në vazhdën e muajit të rinisë dhe të aktiviteteve të parapara për muajin e rinisë.

Ministrja Dumoshi u shpreh tepër e lumtur që përmes thirrjes publike për rininë kanë mbështetur rreth 32 projekte rinore, në vlerë prej 100 mijë euro.

“Jemi duke punuar intenzivisht për projektligjin për rininë, dhe përmes tij do ta rrisim moshën si dhe do ta forcojmë komponentin e njohjes së punës vullnetare” theksoi ministrja.

Përmes këtij projekti synohet objektivi i ndërgjegjësimit qytetar ndaj shprehive të dëmshme si dhe ngritja e vetëdijes tek të rinjtë për një ambient sa më të shëndetshëm.

Rinia është një nga dikasteret kyçe të ministrisë dhe nga fushat më me prioritet për mbështetje institucionale, prandaj edhe vëmendja e saj si ministre është maksimale për ngritjen e kapaciteteve rinore. / KultPlus.com

Artistët e rinj të Gjakovës promovojnë “Artin që i jep ngjyrë qytetit”

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi bashkë me artistët e rinj nga Gjakova, kanë promovuar projektin “Arti që i jep ngjyrë qytetit”.

Gashi ka shkruar në Facebook se artistët, “me duart e arta”, kanë vizatuar murale të ndryshme duke krijuar pamje të mrekullueshme dhe atraktive, dhe kështu kanë ndryshuar pamjen e pahijshme të këtyre hapësirave.

“Do të vazhdojmë edhe më tutje të mbështesim projekte të tilla për ta nxitur edhe më shumë aktivizimin e kreativitetit dhe performancës artistike”, ka shkruar ministri Kujtim Gashi. /KultPlus.com


‘Super Vullnetarët’ përmirësojnë gjendjen e dy shkollave në Kosovë (FOTO)

Kampistët e organizatës ‘Toka’, kanë përfunduar me sukses projektet e tyre të vullnetarizmit edukativ në dy shkolla fillore në Kosovë.

Ata gjatë kampit të “Super-Vullnetarëve” që është mbajtur në Qendrën Rekreative të Gërmisë (23-29 korrik) kanë ndërtuar dollapë dhe varëse nga druri të cilat i kanë vendosur në shkollën fillore “Liria” të fshatit Stroc, në Vushtrri dhe në shkollën “Sezai Surroi” të fshatit Bellobrad, në Dragash.

Idetë për ndërtimin e dollapëve dhe varëseve u dhanë nga mësimdhënësit Donika Selaci dhe Enes Misini si pjesë e fushatës “Jep ide, ndrysho një shkollë” të organizuar nga OJQ ‘Toka’ gjatë muajit qershor.

Kampi i “Super-Vullnetarëve” u organizua nga Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim ‘Toka’ me qëllim që të zhvilloj te pjesëmarrësit kompetencat e parapara me Kornizën e re Kurrikulare të Kosovës, po ashtu me synimin që përmes vullnetarizmit edukativ të nxisë qytetarinë aktive tek të rinjtë.

Ky kamp u financua nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Kampi gjithashtu u përkrah nga organizata mjedisore ËËF Adria dhe Komuna e Prishtinës./KultPlus.com


Ministri Gashi: Rinia si pjesë vitale e shoqërisë, do të trajtohet me meritë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në ceremoninë e lansimit të projektit “Ndërmjetësimi në punë për të rinjtë – në skemat: Trajnim në Punë dhe Praktikë në Punë”. Ky projekt financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamenti i Rinisë.

Ministri Gashi tha se “Rinia përbën pjesën me vitale të shoqërisë andaj si e tillë meriton të trajtohet në mënyrën e duhur. “Unë si Ministër, jam zotuar që do ta kem në fokus rininë, gjë të cilën po e dëshmojmë në vazhdimësi, e padyshim që edhe projekti i sotëm të cilin po e lansojmë ka të bëjë direkt me çështjen me preokupuese siç është punësimi” Që nga dita e parë e marrjes së detyrës kemi një orientim të ri sa i përket rinisë, vetëm për një qëllim, që t’u dalim në ndihmë dhe përkrahje dhe t’i ndihmojmë në çështjen e punësimit” “Ne e kemi një prioritet të veçantë edhe në ndarjen e buxhetit dhe siç e dini departamenti i rinisë do të jetë fokus i veçante në vitin 2019”, tha ministri Gashi.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është që të ofrojmë shërbime të punësimit që përfshijnë veprimtarinë për këshillim, orientim në karrierë, trajnim të punëkërkuesve dhe të papunëve të rijnë dhe ndërmjetësim tek punëdhënësit në skemën e trajnimit në punë dhe praktika në punë. Për arritjen e këtij objektivi ky program do të ofroj ‘’Praktikë Pune’’ dhe ‘’Trajnim në Punë’’ për së paku 200 të rinj në tërë rajonet e Kosovës si masa për nxitjen e punësimit të rinjve. Projekti synon të avancoj njohuritë dhe kompetencat e të rinjve të moshës 18-24 vjeç të zonave rurale në të gjitha Rajonet e Kosovës, përmes skemës së Trajnimit në punë dhe skemës së Praktikës në punë tha ministri Gashi .

Me pas Gashi shtoi se Programi është i koncentruar në dy skema të punësimi: Trajnimi në Punë, ku përfshihen trajnime të individualizuara. Kjo skemë do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat në të cilin do të përfshihen së paku 100 të rinj të cilët nuk kanë ndonjë kualifikim të caktuar. Këta të rinj do të angazhohen nëpër biznese për një periudhë kohore së paku 6 muaj. Në muajin e parë dhe të tretë biznesi do të obligohet të mbulojë shpenzimet në vlerë 150 Euro për muaj, ndërsa 4 muaj të tjerë, pagesa do të mbulohet nga projekti. Të rijnë të pakualifikuar do të marrin trajnim në punë për t’i zhvilluar shkathtësitë, njohuritë dhe kompetencat të cilat janë të nevojshme për të kryer punë specifike brenda vendit të punës dhe mjedisit të punës. Praktikë pune, ku do të përfshihen së paku 100 të rinj, të cilët kanë një kualifikim të caktuar, por të cilët kërkohen që të praktikojnë njohurit e fituara në ambiente reale pune. Të rinjtë në këtë skemë do të angazhohen në një periudhë kohore së paku 3 muaj, ku muajin e parë bizneset do të mbulojë shpenzimet në vlerë prej 150 Euro, ndërsa dy muajt e fundit, shpenzimet do të mbulohen nga projekti. Praktikantët do të mësojnë së paku që të aplikojnë njohuritë e tyre të fituara në një botë reale të mjedisit të biznesit.

Ndërsa Xhevat Bajrami drejtori i Departamentit të Rinisë, tha se MKRS këtë vit ka prioritet rritjen e punësimit të rinisë në Kosovë. Ne si ministri këtë vit jemi duke u angazhuar në maksimum. Që nga ditët e para ministri ka thënë se është i fokusuar në rini. Ky Rektori në Kolegjin Evropian të Kosovës.

Ali Bajgora tha se ky aktivitet i dedikohet një kauze shumë të veçantë “Ne si implementues të projekti falënderojmë ministrinë për kontributin dhe bashkërisht do të kontribuojmë avancimit të rinisë së Kosovës. Me qasjen e kompanive vendore ky projekt do të marr qasje konkrete. 40% do të jenë femra kryesisht nga zona rurale”. Ky program do të ofrojë “Praktikë Pune” dhe “Trajnime në Punë” për së paku 200 të rijnë në moshën 18-24 në tërë rajonet e Kosovës si masë për ngritjen e punës./KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Bukuritë përmes fotografisë’, një mrekulli e artit nga të rinjtë e veçantë (FOTO)

Emocionalisht, nuk është e lehtë të parakalosh para fotografive të cilat janë realizuar nga disa duar të lumtura, ndoshta të goditura nga jeta por asnjëherë të dorëzuara para saj, të fëmijëve me Sindromën Down. Që ata janë fëmijë të mbushur dashuri, kjo nuk ka asnjë dyshim, edhe në një shoqëri e cila në formatin e saj akademik ka zgjedhur ti konsiderojë ndryshe.

Arbër Selmani

Mbrëmë në Muzeun e Kosovës, u hap një ekspozitë me fotografitë e disa fëmijëve të cilët kanë zgjedhur ti shesin ato fotografi. Pamje të qytetit, të luleve, të ndërtesave e arkitekturës, pamje të peizazhit të qytetit nga perspektiva të ndryshme, e rrumbullakuan ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë” e cila solli freski e buzëqeshje në fytyrat e këtyre fëmijëve.

Shoqëruar me fotografin Ridvan Slivova, fëmijët kanë krijuar diçka magjike me fotografitë e tyre, duke i futur ato në gurë dhe në dru, duke i kthyer në kopertina librash, duke luajtur me formë e drurit dhe përzierjes së fotografisë. Mbrëmë, ekspozita shitëse erdhi me qëllimin që paratë e mbledhura nga shitja e fotografive të futen në fondin e Down Syndrome Kosova.

Slivova tregoi sa i rëndësishëm ishte për të personalisht një mision i tillë, një bashkëpunim me këta fëmijë.

“Kemi punuar për gjashtë muaj, me këta të rinj të cilët janë të sjellshëm por edhe kanë prodhuar fotografi shumë kreative. Ju do ta shihni vetë ekspozitën, ndërsa unë jam tejet i kënaqur me veprat dhe produktin që ka dalë si përfundim. Jam i nderuar për këtë mundësi” tha Slivova në fjalën e hapjes së ekspozitës.


Ekspozita erdhi mbrëmë në kuadër të muajit tetor, muajit ndërgjegjësues për Sindromën Down.

“Për mua çdo muaj duhet të jetë një muaj ndërgjegjësues, prandaj më mirë po e konsideroj si fillimin e ndërgjegjësimit dhe jo fundin e tij, fundin e tetorit. Kjo ekspozitë le të shërbejë si nisje për ndërgjegjësim për më shumë dashuri për këta fëmijë” vazhdon Slivova.

Dorontina Luma, Eloida Alija e Donik Berisha, dhe të gjithë fëmijët e të rinjtë e tjerë të përfshirë në këtë projekt, morën edhe mirënjohje për pjesëmarrjen e tyre.

Ivo Silhavy – Ambasador i Çekisë në Kosovë, foli para të pranishmëve duke çmuar guximin dhe entuziazmin e këtyre të rinjve për të krijuar art dhe për ta paraqitur atë para publikut, shkruan KultPlus.

“E falënderoj secilin prej këtyre pjesëmarrësve, sepse kanë treguar guxim e po na japin dashuri me fotografitë e tyre. Askush nuk duhet të jetë i përjashtuar, dhe ne nuk do të lejojmë që ata të përjashtohen. Kjo ekspozitë sonte është një projekt për të ndihmuar këta fëmijë dhe për ta rritur kreativitetin e tyre” tregoi mes tjerash Silhavy.
Sebahate Hajdini-Beqiri – drejtoreshë e Down Syndrome Kosova, tregoi se është punuar me zell të madh për një ekspozitë të tillë, ndërsa ka shfrytëzuar rastin të përmend edhe njëherë skandalin e librave mësimorë të cilët përdorin edhe sot, në shekullin 21 në Kosovë, terminologji pezhorative kur flasin për këtë komunitet.

Së fundmi, në tekste shkollore në Kosovë, personat me këtë sindromë janë quajtur “Idiot mongoloid”, saktësisht në lëndën e biologjisë.

Në anën tjetër, nuk justifikohet një shkrim akademik katastrofal apo një ndjellje e urrejtjes nga ana e atyre që i shkruajnë këta libra.

Sindroma Down është kusht gjenetik. Trupi i njeriut është i përbërë nga qelizat. Çdo qelizë në trupin e njeriut ka 46 kromozome, 23 kromozome të trashëguar nga njëri prind dhe 23 të tjera të trashëguar nga tjetri prind. Në rastin e sindromës Down, në çiftin e 21-të bashkëngjitet një kromozom shtesë si pasojë e një ndarjeje anormale qelizore, dhe si rezultat individi ka 47 kromozome në çdo qelizë ose në një pjesë të qelizave të trupit të tij.

Sindroma Down është sindroma më e hasur në botë, 1 në 691 lindje. Në bazë të të dhënave të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në Kosovë brenda vitit lindin rreth 35-40 foshnja me sindromë Down, ndërsa numri i përgjithshëm i individëve me sindromë Down në Kosovë është mbi 920. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi vizitoi Komunën e Kllokotit, u bisedua në dobi të zhvillimit të kulturës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot Komunën e Kllokotit, me ç’rast ka zhvilluar një takim pune me kryetarin e kësaj komune, Srećko Spasić dhe nënkryetarin, Hasan Rashiti, përcjellë KultPlus.

Në këtë takim, ndërmjet ministres Dumoshi dhe drejtuesve të Komunës së Kllokotit, Spasić dhe Rashiti, u bisedua për nevojën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre komunale, në dobi të zhvillimit të kulturës, rinisë dhe sportit, si fusha të rëndësishme për të promovuar tolerancën dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.

Po ashtu, në këtë takim, u bisedua për nevojën e ndërtimit të një qendre rinore në këtë komunë.
Ministrja Dumoshi u shpreh se MKRS-ja do të mbështes komunën për realizimin e këtij projekti, me planifikimin buxhetor të vitit 2018.

Më tej, ministrja Dumoshi, drejtuesve të Komunës së Kllokotit u premtoi mbështetje të aktiviteteve të kësaj komune, sidomos ato që lidhen me komunitetet dhe bashkëjetesën shumetnike.

Kjo vizitë e ministres Dumoshi është zhvilluar në kuadër të Muajit të Rinisë, ku ministrja mori pjesë në aktivitetet që ka mbështetë MKRS-ja. / KultPlus.com