Përsëri Qafë-Shtama është në qendër të vëmendjes së turistëve të huaj që vizitojnë qytetin e Krujës dhe bukuritë natyrore të Parkut Kombëtar.
Këtë radhë janë një grup të rinjsh nga Belgjika që kanë ngritur kampingun e tyre në Parkun e Qafë-Shtamës ku do të rrinë rreth një javë. Gjatë kësaj kohe do të angazhohen dhe specialistë të natyrës në AdZM Durrës, që së bashku me grupin e të rinjve belgë, të tjerë pushues që ndodhen në këtë park si dhe të rinj vendas, do të zhvillojnë pastrime, shenjime shtigjesh, dhe ngjitje në maja të ndryshme.
Para disa ditësh këtë park e vizitoi edhe një grup motoristësh nga Polonia që kaluan disa orë aventure në masivin pyjor të parkut.
Qyteti historik i Krujës, Kështjella e Skënderbeut, pazari mesjetar i qytetit si dhe natyra e Parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës, presin vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj./ ata