Mbyllet festivali i dramës `Talia e Flakës 2025`

Në Gjilan është mbyllur festivali i dramës “Talia e Flakës 2025”, i cili ka zgjatur shtatë ditë rresht, nga 22 deri më 28 janar 2025. Në mbrëmjen e fundit është dhënë shfaqja “Jam unë ajo” nga produksioni “Bon”, që mban firmën autoriale të dy dramaturgeve, Vamira Thaqi e Dituri Neziraj.

Ndonëse e paraparë për një numër të caktuar të publikut për shkak të hapësirës së kufizuar në skenën e vogël, interesimi ka qenë mjaft i madh. Kjo mbase ka ardhur si rrjedhojë nga vet paralajmërimi se shfaqja është e predestinuar për audiencën +18, ndaj pikërisht kjo duket të ketë “ngacmuar’ kërshërinë e artdashësve gjilanas e më gjërë. Fabula e shfaqjes nga teksti i bashkë autoreve, fillon me brengën e dy grave lehona të cilat janë të merakosura për dukjen e jashtme pas lindjeve të foshnjeve, ndaj qëndrojnë para pasqyrës sikur për të mbajtur “nën vëzhgim strikt” procesin e zgjërimit të përmasave trupore, pas lindjes. 

Ndonëse fillimisht nuk duket e tillë, brenga e dy grave mikesha kuptohet gjatë rrjedhës së shfaqjes. Sipas përshkrimit të shkurtër narrativ të përmbajtjes së shfaqjes, Dija dhe Vesa janë të ndara nga realitete të ndryshme por të lidhura nga e njëjta barrë depresioni pas lindjeve. Përmes tyre zbërthehet një histori që nuk është thjeshtë personale, por një klithmë kolektive. Në errësirën e brendshme ku përzihen ndjenja faji dhe paaftësie, ato ballafaqohen me një botë që u refuzon të drejtën për të qenë të thyeshme. 

“Tendenca për të mbajtur publikun sa më pranë me shfaqjes, arrihet përmes dialogjeve të personazheve herë-herë të tensionuara e herë të tjera të relaksuara. Pikërisht afërsia e raportit të këtyre të fundit, që krijojnë me publikun e ulur në një hapësirë të ngushtë skenike, vjen si gjetje adekuate për të mbajtur kurreshtar atë, krahas formave të reja teatrale të domosdoshme, të cilat tashmë kudo janë pjesë të skenës në teatrin bashkëkohorë për ta bërë publikun pjesë të pashmangshme të lojës, dramës, shfaqjes, krahas aktorëve në skenë, e në kètë mënyrë për ta mbajtur gjallë vëmendjen e ndërvarur nga relacioni i ndërsjellë, e për t’u lidhur sa më emocionalisht. Afërsia dhe relacioni me publikun që arrijnë ta krijojnë dy aktoret, Tringa Hasani e Semira Latifi,  duke i shërbyer fillimisht me çaj tradicional, e në raste të më pastajme me ndërvarje komunikimi simbolik përmes grimasave e mimikës, vë në pah pikërisht një gjë të tillë, pra domosdonë e relacionit mes aktorëve dhe publikut. Loja e aktoreve është mjaft e sigurtë, për t’u konstatuar si e përligjur përvoja që tashmë ato kanë krijuar dhe përballjen me “barrën” intepretuese që fillimisht vjen si rrjedhojë nga vet magjia e skenës, e më pas edhe nga vështrimet “shpotitëse” e “kurioze”, deri në “kërshëri” të pafund të publikut, i cili di shpesh të gjejë “qime në ve”, duke pa deri edhe “shkarje” eventuale që fshihen në detaje të padukshme, apo fare pak të dukshme!”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.

Shfaqja eksploron një plagë sociale që fshihet pas buzëqeshjeve të rreme dhe pritshmërive të pashpirta, në një sistem ku “nënat janë heroina të heshtura”, duke mëtuar të sfidojnë tema që në mendësinë patriarkale janë tabu edhe te ne, sikurse kudo në botë, ku më shumë e ku më pak! 

Shfaqja “Jam unë ajo”, me tekst nga Valmira Thaqi e Dituri Neziraj, me regji nga Erson Zymberaj, si dhe me pjesëmarrje të aktoreve Tringa Hasani e Semira Latifi, me skenografi të Bekim Korçës, kostumografi nga Njomëza Luci, korreografi të Gjergj Prevazit, muzikë të kompozitorit Tomor Kuçi dhe dizajnues të ndriçimit nga Burim Baftiu ka përmbyllur edicionin e këtij viti të festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës 2025”. Ndërsa, për shtatë ditë me radhë festivali është përcjellur nga një numër mbase më i vogël shikuesish se herave të mëparshme, por ky fakt assesi nuk e ka zbehur imazhin e mirë dhe namin që mbartë “Flaka e Janarit”, gjegjësisht “Talia e Flakës”, pasi është dëshmuar një përkushtim i madh i trupave teatrale pjesëmarrëse, të cilat kanë kanë sjellur në festival shfaqje cilësore dhe mjaft të kushtueshme! E pikërisht konkurrenca e fortë që e ka përcjellur rrjedhën e festivalit do të jetë s’provë për jurinë profesionale vlerësuese që përbëhet nga dy regjisorë e një aktore.

“Vendimi është parapa të publikohet në Gala Mbrëmje, më 31 janar, kur pritet të shpallen edhe rezultatet e të gjitha shtyllave përkatëse, të cilat e përbëjnë tërësinë e manifestimit, si: “Peneli i Flakës”; “Talia e Flakës”; “Pena e Flakës” dhe “Fest Flaka” etj” thuhet në njoftim.

‘Teatri Ilegal’ – dokumentari i rezistencës në Kosovën e viteve ‘90

Të premten me 31 janar në Galerinë e Arteve në Ferizaj, shfaqet dokumentari “Teatri Ilegal” nga regjisori, Sovran Nrecaj.

Vitet e ‘90-ta janë qartazi një periudhë kritike për Kosovën. Autonomia e saj ishte suprimuar në vitin 1989, si rrjedhojë shqiptarët e Kosovës e gjetën veten të përjashtuar nga hapësira dhe jeta publike e vendit të tyre. Në një përpjekje për të rezistuar, duke imituar normalitetin në një kohë tejet jo normale, arsimi, shëndetësia dhe kultura tanimë u akomoduan nëpër hapësira private duke krijuar kështu një sistem të jetesës publike tërësisht paralele. Ashtu si shumë institucione të tjera edhe dyert e teatrit të Ferizajt, të cilat ishin hapur disa dekada më herët, u mbyllën për artistët, punëtorët dhe publikun shqiptar të Kosovës. Por teatri vazhdoi të bëhej.

Mbyllja e dyerve të ndërtesës së teatrit u përcoll me hapjen e zemrave e dyerve të njerëzve të Ferizajt.

Ky rrëfim i aktorëve Nexhat Xhokli, Dashuri Rexhepi e Arben Marevci është rrëfim i rezistencës, besimit, shpresës dhe reflektimit mbi rolin e të bërit art me çdo kusht.

Sot, 72 vjet nga hapja e Teatrit ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës

Sot bëhen 72 vite nga hapja zyrtare e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale ka rikthyer në vëmendje këtë datë të veçantë për artdashësit e qytetit bregdetar.

“Në 11 janar 1953, Durrësi, ky qytet me një histori gati tremijëvjeçare, do të themelonte Teatrin profesionist me emrin e aktorit të madh me famë botërore Aleksandër Moisiu.”

Ishin 14 aktorë, një pjesë e mirë tepër të angazhuar në lëvizjen amatore, të cilët themeluan këtë teatër duke nisur historinë e një tradite të mirëfilltë teatrore në shtëpinë e parë të teatrit durrsak, ish-kinemanë “14 Nëntori” e më pas, veprimtaria kryesore e teatrit “Aleksandër Moisiu” u lidh kryesisht me godinën aktuale të saj, e cila u përurua më 4 shkurt të vitit 1965”, shkruan Sako.

Sako shton më tej se ky rrugëtim 72-vjeçar numëron mjaft tituj, çmime e arritje në rang kombëtar e më tej nga aktorët, regjisorët si dhe artistet e profileve të tjerë të këtij teatri.

“Me mbi 250 premiera e me një trupë tashmë të konsoliduar aktorësh, shfaqjet po ridimensionojnë profile të rinj aktorësh me ambicie, përkushtim e shumë dëshirë, duke na dhënë besim për t’a vijuar më tej traditën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në vitet që do të vijnë. Jetë të gjatë Teatrit”, shkruan Sako.

Në videon e ndarë në rrjetet sociale disa nga aktorët të cilët kanë performuar ndër vite në skenën e këtij Teatri, kanë shprehur urimet e tyre.

“Uroj që teatrit t’i kthehet identiteti i tij dhe emri i madh “Aleksandër Moisiu”, pastë jetë të gjatë si jeta e gjithë popullit se Teatri është i popullit dhe populli e do Teatrin se është pasqyra e jetës së tij”, tha Ali Bega.

“Jetoftë në jetë të jetëve, suksese pastë gjithmonë!”, u shpreh Hysen Bashhysa.

“Funksioni i teatrit është argëtimi dhe edukimi dhe me këtë rast unë i uroj Teatrit Aleksandër Moisiu sa më shumë shfaqje të bukura që ta kryejnë sa më mirë dhe sa më bukur misionin për të cili ekziston”, tha Sanie Hoti.

“Dua të falenderoj të gjithë artistët për kënaqësitë e mëdha që i kanë dhënë dhe i japin spektorit tonë durrsak dhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Aishe Stari.

Shfaqja e parë e vënë në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu” ka qenë komedia “Vajza nga fshati”, e shkrimtarit Fatmir Gjata, me regji të Pandi Stillu./atsh/ KultPlus.com

Teatri te Parku i Madh i Liqenit të Tiranës do të mbajë emrin e Mirush Kabashit

Bashkia e Tiranës ka vendosur të nderojë legjendën e artit shqiptar, Mirush Kabashi, duke i dhënë emrin e tij Teatrit te Parku i Madh i Liqenit Artificial.

Ky vendim vjen si një mënyrë për të përjetësuar kujtimin dhe kontributin e një prej figurave më të shquara të skenës shqiptare.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se “duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të kryeqytetit”.

“Propozimi për emërtimin e Teatrit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial me emrin “Mirush Kabashi” është një iniciativë që nderon një nga figurat më të shquara të artit shqiptar. Përtej vlerës simbolike, ky vendim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Mirush Kabashi, një aktor me një karrierë të jashtëzakonshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka përfaqësuar kombin tonë në skenat më prestigjioze ndërkombëtare, duke transmetuar mesazhe universale përmes artit të tij. Vendimi për të emërtuar teatrin me emrin e tij përfaqëson një njohje të këtij kontributi monumental dhe një frymëzim për brezat e rinj të artistëve dhe qytetarëve. Duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet ekskluzivisht artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të qytetit, një nga pikat më të frekuentuara për të parë për të bërë dhe për të konsumuar art”, tha Veliaj.

Mirush Kabashi, u nda nga jeta një vit më parë në moshën 75-vjeçare, është ndër artistët më të vlerësuar të historisë së teatrit dhe kinemasë shqiptare.

Ai interpretoi mbi 100 role në teatër dhe 30 personazhe në kinematografi, ndërsa shfaqja e tij “Apologjia e vërtetë e Sokratit” mbetet një moment historik për kulturën tonë.

Në karrierën e tij është nderuar me mbi 90 çmime dhe është aktori më i vlerësuar jashtë trevave të Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 role në teatër dhe mbi 30 personazhe në kinematografi.

Kabashi është nderuar edhe me titujt “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i madh i skenës”, “Nderi i Kombit”, të akorduara nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe shumë tituj të tjerë të akorduar nga institucione të ndryshme qendrore, lokale apo ndërkombëtare./atsh/ KultPlus.com

Rihapet për publikun teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë

Sonte është rihapur përsëri për publikun teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë.

Ministri Hajrulla Çeku ka njoftuar se është përuruar teatri i rinovuar tërësisht Muharrem Qena në Mitrovicë, ndërsa janë rikthyer edhe shfaqjet me fillimin e Festivalit Tradicional të Komedisë “MatrixxFest”.

“Artistët dhe publiku artdashës në Mitrovicë tash kanë një hapësirë me kushte të dinjitetshme dhe moderne për të krijuar dhe shijuar art e kulturë.

Modernizimi i infrastrukturës teatrore në Kosovë është zotim yni që po jetësohet dita ditës”, ka shkruar Ministri Çeku në Facebook./ KultPlus.com

Investim shtatë milionësh për TKK, Ministri Çeku: Teatri Kombëtar po transformohet në një hapësirë me kushte të dinjitetshme

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se punimet e restaurimit të tërësishëm të Teatrit Kombëtar po vazhdojnë me dinamikë të lartë.

Ministri Çeku ka thënë se përmes një investimi mbi shtatë milionë eurosh ndërtesa e TKK po transformohet në një hapësirë me kushte të dinjitetshme për artistin, stafin dhe publikun artdashës.

“Puna profesionale që është bërë në hartimin e projektit po vazhdon edhe në zbatimin e punimeve restauruese nga operatorë të licencuar për konservim. Profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës janë angazhuar me përkushtim nga fillimi i këtij procesi delikat.

Po investojmë mbi shtatë milionë euro për modernizimin e hapësirës së Teatrit Kombëtar, duke u siguruar që vlerat e asetit do të mbrohen me përpikëri”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

‘Kosovo – Albania Theatre Showcase- 2024’ me shfaqje dhe diskutime për teatrin dhe dramaturgjinë

Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahviogli” dhe Qendrën M.A.M, do të sjellin për herë të parë në Tiranë ngjarjen më të madhe teatrore në rajon, ‘Kosovo – Albania Theatre Showcase – 2024’.

Nga data 29 tetor deri më 2 nëntor, mbi 80 mysafirë ndërkombëtarë, ndër të cilët selektorë festivalesh, kritikë e gazetarë teatri si dhe profesionistë të ndryshëm të teatrit nga Amerika, Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Suedia, Norvegjia, Hong Kongu, Tajlanda, Anglia, Greqia, Rumania, Moldavia, Bullgaria, Serbia, Portugalia, Holanda, Mali i Zi, Çekia, Ukraina, Estonia, e shumë vende të tjera, do të mblidhen në Tiranë për një program të larmishëm me shfaqje teatrore, panele diskutimi, ngjarje të natyrës promovuese për dramaturgë e artistë të rinj të teatrit si dhe ngjarje edukative. Në total, do të prezentohen 10 shfaqje teatri nga Shqipëria, Kosova, Greqia e Serbia, si dhe do të ketë dhjetra ngjarje përcjellëse, për teatrin, dramaturgjinë e kritikën teatrore.

Programi do të hapet me shfaqjen “Lule Sajza”, prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa do të pasohet me një performancë unike të grupit polifonik “Bashkimi” në ora 19:00 në ceremoninë zyrtare të hapjes së festivalit. Dita e parë do të vazhdojë me premierën e shfaqjes “Fausti” prodhuar nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë.

Më tutje, më 30 tetor programi do të hapet me diskutimin “Peisazhi teatror në Shqipërinë post-komuniste”, i cili mbahet nga ora 15:00 në hollin e ArTurbinës, për t’u pasuar me performancën “Bottecchia” nga aktorët e mirënjohur Ema Andrea e Rafael Hoxhaj në oborrin e ArTurbinës, të cilët do të shoqërohen nga regjisori italian Riccardo Ventrella e muzicientja shqiptare Sevasti Ndini. Në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të jEpet shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” e prodhuar nga Qendra Multimedia ngaa Prishtina.

Programi do të vazhdojë më 31 tetor tek Piramida, me ngjarjen “Konsultimet Poetike” ku publiku i gjerë do të ketë mundësinë e rrallë të ndërveprojë për së afërmi me aktorët e mirënjohur nga Shqipëria Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, të cilëve do t’u bashkohen aktorët e njohur nga Kosova Adrian Morina e Albulena Kryeziu Bokshi si dhe aktorja nga Franca Gaelle Goillou. Paneli “Teatri në Hapësirë Publike” do të vazhdojë nga ora 11:30 në hollin e ArTurbinës ndërsa më vonë nga ora 14:30 në Qendrën Kulturore “Tulla” publiku do të ketë mundësinë të shohë shfaqjen “Ndërkombëtarët” nga Greqia. Në ora 17:00 programi vazhdon me shfaqjen “Të bardhët” prodhim i Qendrës Multimedia, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, për  t’u përmbyllur me shfaqjen “Kamarja e Turpit” të prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës në ora 20:30 në sallën e Teatrit Kombëtar. Programi vazhdon të premten nga ora 15:00 me shfaqjen “Si mësova të vozis” nga Serbia, që do të jipet në Qendrën Kulturore “Tulla”, ndërsa nga ora 17:00 publiku do të ketë mundësi të shohë shfaqjen “Koncerti” në Teatrin Kombëtar Eksperimental, për ta përmbyllur ditën me shfaqjen “Vassa Zheleznova”, mysafire nga Teatri A.Z. Çajupi – Korçë.

Të shtunën nga ora 13:30 në Qendrën Kulturore “Tulla”, fragmente nga dramat e dramaturgëve të rinj Tobias Xhaxhiu e Ina Baqoshi nga Shqipëria, Ulpianë Maloku nga Kosova dhe Eva Kamcevska e Ana Trpenoska do të lexohen nga aktorët Eva Gjikaj, Ronaldo Kolgjokaj e Shandi Ismailaj, nën regjinë e Artemis Belulit.

Punëtoria “Post, Post Communist Baby” me dramaturgun e mirënjohur nga Anglia Mark Ravenhill do t’u ofrojë dramaturgëve nga rajoni mundësinë e rrallë për të mësuar shkrimin teatror, ndërsa punëtoria për analizë kritike me kritikët Natasha Tripney nga Anglia e Tom Mustroph nga Gjermania do të ofrojë mundësinë e cmuar për të kultivuar brezat e rinj të kritikëve të teatrit në rajon. Në total, rreth 30 pjesmarrës nga Shqipëria, Greqia, Kosova, Mali i zi, Serbia e Maqedonia e Veriut janë përzgjedhur për t’i përcjell këto punëtori.

Për gjashtë vite me radhë, kjo ngjarje e përmasave ndërkombëtare është mbajtur në Prishtinë dhe ka qenë një platformë promovuese e rrjetëzuese për skenën vendore teatrore. Këtë vit, Qendra Multimedia e ka zgjeruar këtë platformë edhe në Shqipëri, me qëllim të promovimit të skenës teatrore të Shqipërisë.

Ndër emrat që do të marrin pjesë në këtë edicion të Kosovo Albania Theatre Showcase në Tiranë janë: Marco Giorgetti, drejtor i Teatri Kombëtar të Italisë “Teatro della Pergola” nga Firenze; Julia Wissert, drejtore e Teatrit të Dortmundit; Steven Morris, autor dhe kritik i njohur amerikan, ka qenë kryesues i çmimit amerikan për letërsi, Pulitzer; Miguel Loureiro, drejtor i Teatrit të Qytetit të Lisbonës; Daniel Přibyl, drejtor i Teatrit të Qytetit të Pragës;  Petra Brylander, drejtore e Teatrit të Malmos; Susanne Burkhardt, redaktore në radion publike gjermane; Jørgen Knudsen, drejtor i teatrit ‘Black Box Teater’ në Oslo; Mark Ravenhill, dramaturg anglez, njëri nga më të njohurit në Evropë;  A.Karim Jawad, kritik teatri, anëtar i Këshillit Shtetëror në Oman; Roy Horovitz, regjisor izraelit, drejtor i Israeli Theatre Showcase./atsh/ KultPlus.com

‘Anija nuk kthehet më’, drama që trajton temën e emigracionit të detyruar si pasojë e luftës emocionon publikun në teatrin Dodona

Drama e regjisores Eli Nura, “Anija nuk kthehet më”, i ka dhuruar emocione publikut në sallën e Teatrit “Dodona”. Nën interpretimin e aktorëve Hazir Haziri dhe Anisa Ismajli, shfaqja e ka përcjellë mesazhin e saj të fortë për pasojat që sjell lufta dhe si rrjedhojë, emigracioni i detyruar.

Në qendër të tekstit dramatik, është historia e dhimbshme e një familjeje, që detyrohet të braktisë atdheun, për të shpëtuar nga flakët e luftës. Dy prindër rrezikojnë gjithçka për t’u bashkuar me fëmijët e mbetur në atdheun e përfshirë nga lufta. Sakrificat e babait dhe nënës janë të paimagjinueshme. Fati i tyre, është i rëndë, si dallgët që trazojnë anijen me emigrantë.

E sjellë në formën e një leximi skenik, drama arriti të tërhiqte vëmendjen e publikut, me dialogjet dinamike dhe rrëfimin emocionues të personazheve. Emigrimi për shkak të luftës, një histori e përjetuar nga shqiptarët e Kosovës, që ende mbetet e freskët, pasqyrohet me thellësi në dramën “Anija nuk kthehet më”.

Dy personazhet, Amali dhe Noa, përjetojnë një krizë të rëndë në jetën e tyre, të shkaktuar nga një udhëtim me anije, ku nuk arrijnë dot të marrin edhe fëmijët. Shfaqja sjell tension të fortë me dinamikën e ngjarjeve, që nxjerrin në pah karakteristikat e personazheve, brengat e tyre dhe rrugëdaljet që ndjekin për t’u bashkuar me fëmijët e tyre.

Gazetarja dhe kritikja teatore Abana Beqiri e quan këtë dramë një teks universal. “Ata janë dy emigrantë të zakonshëm, nga ata që ka gjithandej botës së madhe, të tillë që i ikin krizave politike, luftrave, varfërisë… Noa dhe Amali mund të jenë nga secili vend, ata janë pjesë e kësaj bote të trazuar dhe të çmendur. Ata janë emigrantë! Të huaj! Ata kanë atdhe, kanë emra, kanë histori e etni të tyret, por historia e jetës së tyre është universale. Pikërisht ky theks universaliteti e bën tekstin dramatik më interesant e më intrigues.”, është shprehur ajo në vlerësimin e saj për dramën.

Autorja dhe regjisorja Eli Nura, vlerësoi lart përkushtimin e aktorëve, që edhe pse për një kohë të shkurtër, arritën të depërtonin te publiku. “Është një dramë e dhimbjes dhe sakrificës, familjes dhe braktisjes së vendit, luftës dhe pasojave tragjike që shkakton”, është shprehur Nura.

“Anija nuk kthehet më”, e mbështetur nga komuna e Prishtinës, u dha premierë në kuadër të Festivalit “Summer Cult”, që mbahet çdo vit në Prishtinë.

Kjo vepër dramatike, u përzgjodh në mesin e shumë dramave të tjera nga vende të ndryshme të botës, për t’u vënë në skenë në Festivalin Ndërkombëtar të Athinës në vitin 2022, ku u prit me vlerësime të larta nga kritika teatrore./ KultPlus.com

Teatri i Gjilanit me marrëveshje unike në Kosovë, zhvendos shfaqjet teatrale në lokal të shërbimit gastronomik


Teatri  i Qytetit të Gjilanit dhe  “Tabu Lounge Bar” për herë të parë në Kosovë kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e  shfaqjeve teatrale në lokal të shërbimit gastronomik.

Menaxhmenti i “Tabu Lounge Bar’’ janë shprehur jashtëzakonisht të kënaqur me këtë marrëveshje, pasi sipas tyre e ka shëndrruar Gjilanin në një qytet unik.

“Sigurisht që kjo ka qenë kërkesë e jona që përvec performancave muzikore të kemi dicka më ndryshe nga ajo se cfarë ofrohet në lokalet të shërbimit gastronomik, dhe patjetër që jemi shumë të lumtur që Teatri i Qytetit të Gjilanit, menaxhmenti dhe trupa artistike janë bashkëpunues të nivelit të tillë, duke bërë që jeta kulturore të mos mbetet vetëm në ambientet e dedikuara për to, por të shpërfaqet edhe në lokalet e gastronomisë, duke bërë Gjilanin ndryshe nga qytetet tjera”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se kjo marrëveshje ka për qëllim të krijojë një bashkëpunim të ri dhe inovativ në qytetin e Gjilanit, duke sjellë për herë të parë shfaqje teatrore dhe artistike në ambientet e Tabu Lounge Bar.

“Bashkëpunimi do të fokusohet në organizimin e shfaqjeve të ndryshme teatrale, përfshirë stand-up komedi dhe ngjarje të tjera kulturore në këtë ambient unik të cilat do të shfaqen gjate gjithë vitit. Kjo dorë bashkëpunimi e ofruar nga Teatri i Qytetit në Gjilan është lehtësim i madh jo vetëm për Tabu Lounge Bar, por besojmë dhe shpresojmë që aktivitete të tilla të shtrihen edhe tek të tjerët”, thuhet në shkrim.

Stafi i “Tabu Lounge Bar” ka falënderuar  Teatrin e Qytetit të Gjilanit, drejtorin Erson Zymberi, dhe gjithë trupën e teatrit./ KultPlus.com

Nis sezoni i ri i teatrove në Shqipëri, TKOB nis me mbrëmje gala

Me ardhjen e Shtatorit, nis edhe sezoni i ri për teatrot në vend. Ndonëse duhet edhe pak që këto institucione të prezantojnë kalendarin e plotë për këtë sezon, sërish kanë bërë me dije se cilat do të jenë shfaqjet e para që do t’i rikthejnë tek publiku.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, bën me dije se më 14 Shtator do të nisë sezonin e ri artistik, me një mbrëmje gala, që do t’i hapi rrugën një sezoni të gjallë ku nuk do të mungojë shfaqjet operistike, baleti dhe shfaqjet nga Ansambli Popullor.

Ndërsa në skenën e Tetarit Kombëtar, në 15 Shtator do të luhet shfajqa “Karnavalet e Korçës”, një produksion i Andon Zako Çajupi, ndërsa vetë kasti i Teatrit Kombëtar ka nisur punën për premierën “Fausti”, një bashkëproduksion mes Teatrit Kombëtar dhe Sardega Tetaro, me regji të regjisorit dhe dramaturgut Italian Davide Iodice.

Teatri Kombëtar Eksperimental, në bashkëpunim me Teatrin Metropol, më 4 Shtator e nis me shfaqjen “Marmelladov” me regji të Xhino Musollari, pjesë e festivalit “Hapat” që i dedikohet regjisorëve dhe aktorëve të rinj.

Shtatori i rikthen trupat artistike në kryeqytet pas një turi shfaqjesh që patën në zonat me të frekuentuara turistike./tvklan/ KultPlus.com

‘Rruga pa emër’, premiera e komedisë së zezë në skenën e teatrit ‘Aleksandër Moisiu’

Teatri profesionist “Aleksandër Moisiu” i Durrësit shfaqi premierë komedinë e zezë “Rruga pa emër”, e shkruar posaçërisht për trupën  durrsake nga autori Cosmin Pana me regji të rumunit Vlad Trifas.

Trupa prej 7 aktorësh u ngjit në skenë duke sjellë copëza jete të ditëve të sotme, ku rendja drejt parasë, pasurimit të shpejtë, nxjerr në pah shumë raporte të cenuara njerëzore dhe humbjen e vlerave. Regjisori e ka konceptuar shfaqjen si një film brenda teatrit.

“Është një copëz jete e dy personazheve me gjithë peripecitë që ka dhe sillet në formën e një filmi në teatër, që po ndiqet shumë në Rumani dhe regjisori ynë Vladi ka bërë një punë të jashtëzakonshme me ne”, tha aktori Xhejni Fama.

“Një eksperiencë shumë e bukur, një vënie ndryshe. Nuk dua të zbuloj shumë, por është një shfaqje që nuk e kanë parë herë tjetër. E bukura është se kjo shfaqje është shkruar për trupën tonë. Edhe autori i shfaqjes që erdhi dje ishte shumë i emocionuar dhe u shpreh se kishim kaluar pritshmëritë e tij”, tha aktorja Mimoza Marjanaku.

Jo vetëm nga ana regjisoriale, por dhe skenografia e shfaqjes “Rruga pa emër” sjell risi për publikun duke e zhveshur skenën e teatrit nga format klasike dhe sjellë një shfaqje që të përfshin me thjeshtësinë dhe njëkohësisht dramat e forta që mbart. Në një botë ku personazhet shpesh jetojnë një jetë të diktuar nga rrethanat, duhet të prekësh fundin që të mundesh të kthehesh pas nëse të ofrohet një shans i dytë.

“Bota është e fokusuar te pasuria, të mirat e shpejta materiale që kanë dhe pasojat e veta dhe kemi harruar që njeriu kënaqësinë mund ta gjejë dhe tek gjërat e vogla.”, tha Xhejni Fama. 

“Unë kam rolin e nënës. Nuk jam munduar të ndjek asnjë model tjetër. Kam bërë veten”, tha Mimoza Marjanaku.

Publiku e duartrokiti gjatë shfaqjen e cila do të ngjitet në skenë dhe tri netët në vazhdim./tch/ KultPlus.com

‘Megalomani’ në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Shfaqja “Megalomani” do të luhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me datë 29 qershor nga ora 20:00.

Shfaqja Dance Teater- Komedi “Megalomani” nëpërmjet artit të kërcimit, kompleksitetit teatral, qasjes bashkëkohore dhe gërshetimit të gjuhës së trupit, fjalës, dhe pantomimës shpërfaqë situata në formë komike, në të cilat trajtohet fenomeni i “madhështisë”, pushteti absolut, dhe absurditeti dhe pasojat e këtij fenomeni.

Shfaqja ngre disa pyetje për individin dhe për shoqërinë mbi fenomenin e Megalomanisë.

Performues: Edlir Gashi, Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Qendrim Makolli, Albiona Sahiti, Patriot Osmani, Lirilinda Krasniqi, Enis Mulaku.

Gonxhja: Në gjurmët e teatrit antik të Orikumit, aty ku koha duket se ka ndalur

Teatri antik, pjesë e Parkut Arkeologjik të Orikumit, Vlorë, është një nga destinacionet kulturore që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga vendi dhe bota.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shprehet se Teatri antik, pjesë e Parkut Arkeologjik të Orikumit, është një destinacion që po tërheq çdo vit vizitorë nga vendi dhe e gjithë bota, “si një dëshmi e gjallë e lashtësisë, aty ku janë vendosur veprat madhështore të parardhësve tanë”.

“Teatri Antik i Orikumit nuk është vetëm një udhëtim në histori, por një përvojë frymëzuese, midis kulturës, natyrës dhe pasurisë shpirtërore”, shprehet Gonxhja.

Ky teatër përfaqëson një nga ndërtesat me monumentale të zbuluara në Orikum. Monumenti daton në fillimin e shekullit III para Krishtit dhe paraqet disa karakteristika të rralla për teatrot e botës antike.

Shkallarja e teatrit pjesërisht mbështetej në pjerrësinë e kodrës shkëmbore dhe pjesërisht ka qenë e ndërtuar me mure radiale. Prej saj na ruhet vetëm radha e parë e ndenjëseve, e vendosur mbi një podium, e cila i rezervohej elitës së qytetit.

Orkestra ka qenë e shtruar me pllaka të mëdha prej guri, ndërsa skena ka qenë e dekoruar me kolonada dhe gjysmëkolona.

Ky është një nga teatrot më të vegjël të njohur deri më sot në Shqipëri, me një kapacitet rreth 500-600 spektatorë.

Duke marrë në konsideratë veçoritë e këtij teatri mendohet se ai mund të ketë luajtur dhe një rol të rëndësishëm në ceremonitë dhe procesionet fetare të qytetit./atsh/ KultPlus.com

Shfaqja ‘Audienca’ nga Teatri i Prizrenit vjen në TKK

“Audienca” shfaqje mysafire nga Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu”, shfaqet nesër nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në “Audienca e Vaclav Havelit”, shteti autoritar ka ngritur një system të çuditshëm byrokratik, një kullë Babiloni me letra e rregullore, ligje e amendamente, vendime, nene,  aneks-vendime e aneks-nene…  bash si një rrjetë e hekurt merimange,  që përdoret për të bërë shantazh, për të ngre kurthe, akuzuar e zhveshë prej pozite e dinjiteti njerëzor gjithë secilin që shteti të dojë, veçanërisht ata të padëgjueshmit dhe ata që refuzojnë t’i bashkëngjiten këtij sistemi.

Është e parëndësishme që ti nuk ke bërë ndonjë gabim, prapë se prapë do të gjendesh fajtor, sepse diku aty ekziston një nen, në njërin prej ligjeve a rregulloreve të pafundme, që dëshmon se ti ke qenë në ‘konflikt interesi’ me… se iu ke shmangur nenit b apo f të ligjit për… Ti dëshiron të mbrohesh, prandaj thirresh në një ligj tjetër, siç thirret në ligjin që e ‘garanton larine krijuese’, personazhi i “Audiencës së Vaclav Havelit”, por ncuk, krejt e kotë, sepse gjithmonë është edhe një ligj tjetër, dhe pastaj edhe një rregullore e madje edhe një nen kushtetute që dëshmon të kundërtën. Dhe prandaj edhe drejtori i “Audiencës së Vaclav Havelit” gjendet fajtor.

Autor: Václav Havel
Regjisor: Bashkim Ramadani
Luajnë: Ernest Malazogu dhe Alban Krasniqi
Producent: Burim Mustafa
Udhëheqës Artistik: Fatos Berisha
Inspicient Mahir Musliu
Skenograf: Burim Arifi
Kostumografe: Agnesa Malushaj
Dizajni i dritave: Yann Perregaux
Tonist: Flamur Krasniqi
Grimi: Canan Cibo
Ndriques: Fikrim Menekshe
Financier: Krenar Gaxholli
Rekuiziter Arben Rashkaj
Garderobiere: Vjollca Hoxhaj
Dekorater: Murat Javori
Realizator i sken skenografisë: Onur Cibo
Teknik i skenës: Shqipe Gollopeni
Dizajni i posterit: Dardan Luta

Premiera ‘Para perëndimit’, dëshmi autentike e teatrit kërkues shqiptar

Ka ditë që e kam ndjekur në skenën e teatrit Metropol premierën e dramës “Para perëndimit” ( Vor Sonnenuntergang). Kjo vepër, prej disa dekada, mbetet në lartësi suksesi nëpër teatro të ndryshme të botës.

Si një ndër më të rëndësishmet vepra të nobelistit gjerman Gerhart Hauptman, në teatrin shqiptar, e sjell regjisorja Andia Xhunga Çobani. Pasohet në këtë mënyrë surprizuese, varfëria referuese e teatrit shqiptar ndaj këtij autori të jehonshëm.

Ende nuk më është eklipsuar shija dhe përjetimi prej kësaj shfaqjeje. Jam rrëmbyer në gjendje të përthyeshme dhe të vijueshme, në përjetime empatish dhe antipatish, të imponuara prej lojës së aktorëve që mishërojnë një galeri befasuese karakteresh. Seicili prej tyre është në karakterin e vet hauptmanian, i karakterizuar atipikisht në lojë, si në perimetrin ilustrues familjar, ashtu edhe në regjistrin krahasimtar shoqëror.

Përgjegjësia skenike e aktorëve në këtë premierë, sqima për çdo grimasë, lëvizje, dialog, adresim përdorim i hapësirës, objektit dhe çdo reagim, i bëjnë në harmoni të plotë me kostumografinë, skenografinë apo ndriçimin minimalist, duke evidentuar aktorin dhe duke i dhënë forcë aksionit skenik, duke sjellë një konfigurim risues në skenën “Shakespeare” të Teatrit Metropol.
Një produksion që me elegancë konceptimi dhe zotësi perceptimi për lëndën autoriale të Hauptmanit, ia ka dalë të sjellë versionin skenik shqip të dramës.

Emra të njohur dhe përcjellës profesionistë të teatrit, në vend dhe në botë, kanë bërë me dije se autori i dramës është një ndër eksponentët e famshëm të natyralizmit poetik teatror.

Një premierë spektakolare, rrëmbyese dhe mbajtëse e fuqishme në emocion. Ajo e mban këtë ndikim tek spektatori i çdo nate shfaqjeje, prej më shumë se dy javë rresht.
Më saktë, sikundër e cilëson regjisori i njohur Albert Minga, ky është një : ”Spektakël i mrekullueshëm. Aty gjen gjithçka, çfarë duhet të ketë një produksion teatror cilësor”.

Vepra e nobelistit është shkruar në vitin 1932. Kohë e largët, e pasuar nga shumë epoka… Por kohezioni i saj me të përditshen aktuale të shoqërisë sonë është befasues.
Intuita dhe drejtleximi regjisorial prej Xhunga Çobani, është premisa përcaktuese e këtij suksesi që nuk rresht së konfirmuari nga spektatori për çdo mbrëmje në teatrin e kryeqytetit shqiptar.

Aktorë si Trebicka në rolin Mathais Clausen, shënon regjistrin më të lartë karakterial, me një sukses tronditës. Ai rrëmbeu dhe po trondit bukurisht, për çdo natë, publikun duke na konfirmuar imponueshëm se teatri ynë është në jetë dhe mundësi surprizuese artistike dhe interpretimi.

Vepra mbart kumtin e një himni për lirinë dhe të drejtën e individit si në shoqëri, por veçanërisht në familje. Madje në këtë të dytën individi, pamvarësisht nga raporti dhe pozicioni hierarkik dhe gjenealogjik, gëzon dhe duhet të mishërojë lirinë e vet përcaktuese, pa iu nënshtruar marrëdhënies dhe sidomos tabusë, aq më tepër asaj të moralit tradicional ose klasik. Fataliteti nwnshtrues prej mendwsisw tradicionale dhe sidomos presionit mental familjar, nw subjektin e kwsaj drame pwrbwn njw model letrar tw shumwçmuar.

Në këtë subjekt dramaturgjik, kasta e aktorëve të përzgjedhur prej regjisores, si Ilirda Bejleri, Elia Zaharia, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Luli Bitri, Pjerin Vlashi, Aleks Seitaj etj., ia dalin të komportohen në funksione individuale si në një finalizim të suksesshëm ansambli. Secili me fuqinë individuale, Elia Zaharia me ndjeshmërinë e skajshme, Yllka Mujo që mbetet e pakrahasueshme, Luli Bitri në një dimension krejt të ri të saj, Alex Seitaj befasues dhe gjithë të tjerët, i shkrinë talentet dhe uniken e tyre në një ansambël që frymonte si një trup solid interpretuesish.

Ata janë pjestarë të subjektit të një katastrofe familjare e cila shpërfaq edhe thelbin bjerës social, edhe atë të raporteve brenda kurorës gjenealogjike.

Ky dekor, të cilin regjisorja nuk e ofron si peizazh nga distanca, por e fokuson në detaje nga brenda familjes dhe shtëpisë, e bën edhe më evidente krizën e përplasjes për vetëzgjedhjen dhe lirinë e “prijësit familjar”, në marrëdhënie me pinjollët dhe rrethuesit e tjerë.

Protagonisti 70-vjeçar Mathais Clausen ( Alfred Trebicka) është i rënë në dilemën e zgjedhjes mes dashurisë dhe rrethanës së refuzimit të pengimit prej bashkëpjestarëve trashwgimtarw të familjes. Raportet e dominuara nga refuzimi familjar, të dashurisë së tij me Inken ( Ilirda Bejleri), dhe sidomos arsyeja determinuese e kërcënimit të trashëgimisë financiare bëhen thelbi dhe pika kulmore e dramës.
Në këtë dramë, Trebicka vjen i pakrahasueshëm dhe të kujton përcaktimin e Cvajkut për Dostojevskin kur shton se : “ …triumfi i forcës jetësore të shpirtit mbi një trup të dërmuar e të sëmurë”, prej pengimit, shpërthen. Në këtë moment admirimi për artin e tij, për mjeshtërinë e tij, në shfaqjen me aq shpwrthime psikologjike, bëhet përtej së zakonshmes.

Regjisorialisht në këtë thelb është investuar jo vetëm intensiteti i lojës, por cilësisht është përqëndruar shpërfaqja e karaktereve, aq sa të duket se në mjedisin e ngushtë familjar ka më tepër karaktere, diferenca psikologjike dhe kontraste gjendjesh, se objekte skenike.

Kjo është një ndër arsyet e suksesit të fuqishëm të dramës në të gjitha netët e shfaqjeve. Këto karaktere japin shpalosje specifikash antroposociale dhe familjare. Të gjithë janë tipikisht të evidentueshëm karakterialisht: Klesta Shero, Roerd Toçe, Ligoraq Riza, Genc Fuga, Vasjan Lami, Elona Hyseni, Kastriot Ramollari,, Artur Vera,Laura Hoxha.

Kanë një energji specifike, që vjen si meritë individuale e tyre, por edhe prej kërkesës regjisoriale. Kësi cilësish dhe arsyesh dramaturgjike në këtë prurje, e mbajnë të mbërthyer publikun, e përfshijnë atë në pritjen e episodit pasues dhe sidomos të marrëdhënies që ndwrton krejt vepra skenike.

Shpesh në ecurinë e lojës aktoriale, plastika jo vetëm si në maksimum tek Trebicka, por edhe tek partneria e tij Inken ( Bejleri) e cila ndryshe, në këtë rol ofron jo vetëm forcën, temperamentin, emocionin drithërues, por edhe aftësinë komplementare interpretuese si instrumentiste në piano, përbën një komponent skenik dhe gjetje regjisoriale ndikuese.

Duhet thënë se muzika e sjellë prej kompozitorit Endri Sina, madje edhe në lojën e aktores Bejleri, i shtojnë sharmin kësaj premiere dhe thyejnë tabunë si për normën tradicionale teatrore, ashtu edhe për puritanët klasikë.
Elementet regjisorialë, racionaliteti skenik në këtë shfaqje, bëhen mishërim i cilësishëm realizues dhe mund të konsiderohen realisht, si një dëshmi autentike e teatrit kërkues shqiptar./Balkanweb/KultPlus.com

Sot varroset aktorja Shirine Morina

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se sot do të bëhet varrimi i aktores së njohur, Shirine Morina.

TKK po ashtu do të organizojë mbledhje komemorative për nderim të saj.

“Nesër, e hënë, 15 prill 2024, në ora 14:00 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, organizojmë mbledhje komemorative për të kujtuar aktoren e ndjerë. Varrimi i të ndjerës është në ora 16:00 në varrezat e qytetit, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar./KultPlus.com

Sonte në Teatrin e Operas shfaqet kryevepra e Puçinit “La Boheme”

Frekuentuesit e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, do të mund të ndjekin nga sot e ditët në vazhdim, një nga kryeveprat e kompozitorit të mirënjohur italian, Xhakomo Puçini.

Solistët, Kori, Kori i Zërave të Bardhë dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së, do të risjellin operën “La Boheme”, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe asistent dirigjentit Niccolo Jacopo Suppa.

Kësaj here, “La Boheme” vjen me regji të Ada Gurrës, skenografi të Renold Sulës dhe kostumografi të Ardi Asllanit, si dhe me artistë të TKOB-së e të ftuar të njohur ndërkombëtarisht.

Premiera e “La Boheme” është sot dhe shfaqjet do të vijojnë në 12, 16, 17, 19 prill.

La Boheme është opera e kompozuar nga Giacomo Puccini mes 1893 dhe 1895 me një libret Italian nga Luigi Illica që bazohet në “Skenat jetës boheme” nga Henri Murger./atsh/KultPlus.com

“La Boheme” e Puccinit vjen në Teatrin e Operas dhe Baletit

Në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit popullor do të vijë “La Boheme” e Puccinit. Kjo opera do të vijë përgjatë dative 12-12-16-17-19 Prill.

Kjo shfaqje do të vijë me bashkëpunimin e Orkestrës Simfonike të TKOB dhe me regjinë e Ada Gurrës.

Skenografia  është e Renold Sulës dhe kustomografia e Ardi Asllanit. Në pjesëmarrje do të jenë artistët të TKOB dhe miq ndërkombëtarë.

La Boheme është opera e kompozuar nga Giacomo Puccini mes 1893 dhe 1895 me një libret Italian nga Luigi Illica që bazohet në “Skenat jetës boheme” nga Henri Murger./tema/KultPlus.com

“The Best European Show” vjen së shpejti në Prishtinë

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se më 25 dhe 26 prill do të shfaqet premierë në Prishtinë “The Best European Show”, që është një bashkë prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatro Due – Parma, Teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta.

Shfaqja do të shfaqet në Kosovë pas turneut në Poloni, Itali, Maltë e Slloveni.

“The Best European Show” me regji të Haris Pašovic, bashkëprodhuar nga pesë teatro evropiane, ndër ata Teatru Malta (MT), JK Opole Theatre (PL), Teatri Kombëtar Slloven Nova Gorica (SI), Teatro Due (IT) dhe Teatri Kombëtar i Kosovës (KS), është një komedi satirike për një juri eklektike evropiane që duhet të përcaktojë fituesit e festivalit të fundit teatror duke i hapur përfundimisht rrugën dixhitalizimit të teatrit”, thuhet në njoftimin e teatrit.

Juria përbëhet nga një kritik teatri, një zyrtar shtetëror, një divë, një drejtor teatri, një menaxher teatri dhe një shkrimtar, që formulojnë mendimet e tyre dhe kritikojnë çdo performancë gjatë një procesi rraskapitës të vlerësimit.

Teksti është shkruar nga Marko Bratush dhe Haris Pashoviq, regjisor është Hris Pashoviq, ndërsa do të luajnë Armend Smajli, May-Linda Kosumovic, Davide Gagliardini, Ana Facchini, Gianni Selvaggi, Philip Leone Ganado, Felix Römer, Weronika Kozakowska, Blazej Stencel, Jammeh Diangana, Paola de Crescenzo dhe Lumnije Sopi.

Kompozitor është Trimor Dhomi, dramaturg është Sean Buhagjar, koreografia nga Robert Nua dhe skenograf e kostumograf është Krystian Szymcak.

Shfaqja është në gjuhen angleze dhe do të jepet me titra në gjuhen shqipe./KultPlus.com

Teatri i Operas blen produksionin më të rëndësishëm në 70 vjet: ‘Lucia di Lammermoor’ e Donizetti-t vjen në Shqipëri në 2025-ën

Drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit të Operës dhe Baletit, Abigeila Voshtina, ka njoftuar nëpërmjet një video-mesazhi që TKOB ka blerë një nga produksionet më të rëndësishme në 70 vite teatër.

Bëhet fjalë për operën “Lucia di Lammermoor” e Donizetti-t, e cila do të vijë enkas nga Izraeli në Shqipëri, në vitin 2025.

“Blerja e një produksioni shumë të rëndësishëm, nga një nga operat më të rëndësishme të botës siç është Opera e Izraelit. Puna ka filluar që në gusht. Kemi zgjedhur një titull klasik e që njihet nga të gjithë siç është Lucia di Lammermoor e Donizetti-t”, tha ajo nëpërmjet video-mesazhit.

Arsyeja pse pikërisht kjo vepër, sipas Voshtinës, është sepse kjo vepër është e llojit Belcanto dhe ky lloj zhanri është djepi i rritjes të të gjithë këngëtarëve të rinj.

Voshtina theksoi që kjo arritje do të kulmojë në vitin 2025, me pjesëmarrjen e artistëve të rinj, duke përforcuar edhe qëllimin tonë për fuqizimin dhe promovimin e artistëve të rinj. 
Për më shumë se 200 vjet, historia tronditëse e Lucia di Lammermoor ka tërhequr një numër të lartë artdashësish në mbarë botën.

Në 1819, Sir Walter Scott botoi një roman që flet për një shërbëtore fatkeqe nga kodrat Lammermoor. I bazuar mbi një vrasje në jetën reale që skandalizoi Skocinë e shekullit të 17-të, romani i Scott ishte i frikshëm, i hidhur dhe një nga librat më të njohur të kohës së tij.

Emocionalisht i papërpunuar dhe jashtëzakonisht i sëmurë, historia së shpejti mori rrugën e saj nëpër Evropë; një muzikal danez i bazuar në roman madje shfaqi një libret të Hans Christian Andersen!
Megjithatë, ishin Gaetano Donizetti dhe Salvadore Cammarano – dy nga yjet më të shndritshëm të operës italiane – ata që në 1835 i dhanë Lucia-s zërin e pavdekshëm.

Lucia di Lammermoor është një operë në tre akte nga Gaetano Donizetti, me libret të Salvadore Cammarano, bazuar në “The Bride of Lammermoor” nga Walter Scott.

Është opera më e famshme të Donizettit.
Pjesa më e njohur e kësaj vepreje është skena e çmendurisë së Lucia-s nga dashuria dhe kabaleta përfundimtare “Tu che a Dio spiesti l’ali”, e konsideruar si një nga pjesët më të bukura të operës së tenorit./Shqiptarja.com/ KultPlus.com

‘Kamarja e Turpit’ premiera e radhës e TKK

Teatri Kombëtar i Kosovës sjellë shfaqjen premierë “Kamarja e Turpit” të autorit Ismail Kadare, me regji të Kushtrim Koliqit, shkruan KultPlus.

Në këtë premierë, trajtohet tema ku perandoria osmane duke bërë çmos që ta zë kokën e kryerebelit, Ali Pashë Tepelenës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, shpreson se shqiptarët do t’i shkojnë pas siç i shkuan Skenderbeut dikur.

Perandoria Osmane ka filluar të dobësohet ngaqë shtetet nën pushtimin e saj kanë nisur përpjekjet për pavarësi. Për ta ruajtur pushtetin dhe imazhin në sytë e qytetarëve të vet, perandoria ka vendosur në sheshin kryesor të kryeqytetit kamaren e turpit: vendin ku do të ekspozohen kokat e tradhëtarëve që e gjithë bota t’i shohë. Por një kokë paraqitet sfiduese për t’u kapur: ajo e kryerebelit shqiptar, 80-vjeçarit Ali Pashë Tepelenës.

Por Sulltani është në gjendje të bëjë çmos për ta kapur kokën e Ali Pashës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, shpreson se shqiptarët e të gjitha anëve do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së tij për t’iu bashkuar në luftë kundër perandorisë, ashtu siç bënë me Skenderbeun disa shekuj më parë.

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë: Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi

Ekipi tjetër që kontribuan në këtë shfaqje:

Dramatizimi:
Doruntina Basha
Ass. Regjie: Qendresa Spahiu, Ardijana Mehmeti, Djellëza Dedushi
Kompozitor: Adhurim Grezda
Koreografe: Erna Salihu
Skenograf: Bekim Korça
Kostumografe: Yllka Brada
Dizejni i dritave: Yann Perregaux
Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku
Video Artist: Miran Bratus
Dizajni: Nita Qahili
Fotograf: Elton Aliçkaj
Inspicient: Mursel Haziri
Ndriçues: Mursel Bekteshi
Tonist: Avdi Gërvalla
Shtëpia Botuese Onufri

Premiera jepet më 19 Mars, në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës/KultPlus.com

Fëmijët shijojnë prodhimtarinë teatrore nga festivali në rajonin e Ferizajt

Festivali i Teatrove për Fëmijë në edicionin e tij të parë të organizimit po bën bashkë dhjetëra fëmijë në shfaqjet të cilat po jipen në regjionin e Ferizajt.

Ferizaji, Shtimja, Kaçaniku dhe Hani i Elezit po mirëpret shikuesit e vegjël, teksa sot janë dhënë shfaqjet “Krahët e Bletës” dhe “Era, Mira dhe Shtëpia Magjike”.

“Vogëlushët do të shijojnë për këto ditë, prodhimtarinë më të mirë teatrore për fëmijë, dekorin e veçantë, lojërat garat e diturisë dhe gjithë programin e përgatitur nga ekipi i Festivalit, prirë nga drejtori i Festivalit, Besim Ugzmajli”, ka shkruar kryetari i kësaj komune, Agim Aliu për festivalin.

Nesër do të jetë dita e fundit e festivalit, teksa ky edicion për fëmijë ka buruar pas një rrugëtimi 54 vjeçar të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

Nis edicioni i parë i ‘Festivalit të Teatrove për Fëmijë’ në Ferizaj

Në qytetin e Ferizajt ka nisur edicioni i parë i Festivalit të Teatrove për Fëmijë, shkruan KultPlus.

Festivali do të zgjas deri më 7 Mars, duke u shtrirë edhe në komunat e Rajonit të Ferizajt, e cila vjen si vazhdimësi e Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

Festivali i Fëmijëve jepet në kuadër të strategjisë së zhvillimit të teatrit për të rinjtë dhe fëmijët duke ofruar shfaqje të teatrove vendore, si dhe aktivitete të shumta.

“Vogëlushët do të shijojnë për këto ditë, prodhimtarinë më të mirë teatrore për fëmijë, dekorin e veçantë, lojërat🤹‍♂️garat e diturisë 📚dhe gjithë programin e përgatitur nga ekipi i Festivalit, prirë nga drejtori i Festivalit, Besim Ugzmajli”, ka shkruar Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Ngjarja do të organizohet në datat 4 deri më 7 mars dhe do të ketë shtrirje në katër qytete: Ferizaj, Shtime, Kaçanik dhe Han të Elezit./KultPlus.com