Sot në Teatrin “Bekim Fehmiu” Prizren, do të jepet shfaqja “Deni dhe deti i thellë i kaltër”.
Autor i shfaqjes është John Patrick Shanley, regjisore Ana Bateva ndërsa luajnë: Liridona Shehu dhe Alban Krasniqi.
“Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër” është një përmbledhje tragjikomike e një rënie shoqërore, në të cilën ndjeshmëria dhe dhembshuria bëhen gjithnjë e më të nevojshme, dhe dëgjimi i tjetrit gjithnjë e më urgjent. / KultPlus.com
Sot, në 11 vjetorin e kalimit në amshim të aktorit kombëtar me përmasa ndërkombëtare, Bekim Fehmiut, stafi i teatrit të qytetit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu” nderoi figurën e këtij kolosi duke hedhur lule në Lumbardh në shenjë kujtimi e nderimi të figurës madhështore të tij, përcjell KultPlus.
Ndër të tjera, drejtori i këtij teatri, Fetah Paçarizi, potencoi se më 1 qershor, në ditën e lindjes së Fehmiut dhe njëherësh ditën ndërkombëtare të fëmijëve, teatri për nder të aktorit ka realizuar premierën e shfaqjes për fëmijë ‘Ok natyrë’.
Poashtu, ai u pohoi se teatri i Prizrenit ka nderin dhe privilegjin që mban këtë emër./ KultPlus.com
Shfaqja ‘Provo edhe një herë Sam’ nga regjisori Ilir Bokshit, do të jipet premierë këtë të shtunë në Teatrin “Bekim Fehmiu”, shkruan KultPlus.
‘Provo edhe një herë Sam’ është e shkruar nga Woody Allen.
Këtë shfaqje do ta interpretojnë nëpërmjet roleve të tyre aktorët Ernest Malazogu, Edona Sopaj, Alban Krasniqi, Liridona Shehu dhe Xhevdet Doda. / KultPlus.com
Të mërkurën në Prizren në teatrin “Bekim Fehmiu” do të jepet premiera e shfaqjes “Mjeku i mirë”.
Sipas një njoftimi për media nga teatri, “Mjeku i Mirë” (“The Good Doctor”) është një komedi, e shkruar nga dramaturgu dhe shkrimtari Neil Simon.
Bëhet e ditur se kjo komedi është një përmbledhje e tregimeve të shkurtra, bazuar mbi veprat e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj botëror, Anton Çehovit, të përmbledhura në një personazh-shkrimtar, i cili komenton mbi to, duke u bërë kështu lidhja dramaturgjike ndërmjet tyre.
“Personazhi kryesor, një shkrimtar pa emër (sipas të gjitha gjasave, vetë Çehovi) vuan nga ajo që quhet bllokadë e shkrimtarit (writer’s block), dhe nga temperamenti i tij artistik ai ia rrëfen publikut disa nga tregimet e tij. Papritmas, në skenë ngjallen personazhet e tregimeve të tij, pjesë e të cilëve nganjëherë bëhet edhe vetë shkrimtari”, thuhet në njoftim.
Të gjitha ngjarjet ndodhin në Rusinë e kohës së Çehovit, duke i dhënë kështu shfaqjes një atmosferë, aromë, dhe unitet stilistik Çehovian. Po ashtu, temat dhe idetë e tregimeve janë gjithë njerëzore e universale. Ato flasin për vogëlsitë, të metat, veset, huqet e teket e qenies njerëzore qysh prej asaj kohe. Këto tema gjithashtu të bëjnë të mendosh rreth faktit që sado që krijohet përshtypja se njeriu po avancon drejt zhvillimit të teknologjisë, njerëzimi ka ndryshuar fare pak ndër shekuj.
“Përulja dhe servilizimi ndaj pushtetit është njëra nga temat e dhjetë tregimeve, por që në mënyrë komike dhe tepër kreative duket që na ndjekë nga e kaluara e Çehovit për ta përqeshur vogëlsinë e njeriut servil të kohës sonë, të cilin mund ta takosh ngado nëpër korridoret e ministrive”, thuhet tutje në njoftimin e dërguar. / KultPlus.com