Balerina rebele e Shqipërisë që sfidoi ruset në mes të Moskës

Karriera e saj shënon një rritje në majën e ajsbergut të artit të kërcimit, në “Balshoi Teatër”, në qendrën botërore të baletit, në Moskë.

Shkurti i vitit 1958 e gjen në majat e baletit. Ajo kërcen si soliste e parë në këtë teatër me famë që nga 1 shkurti i vitit 1958- 3 Korrik 1967. Në qendër të grupit të “baletit të vogël” siç quhej grupi fillestar i artit të kërcimit, shkëlqente talenti i të paarritshmes, vajzës shkodrane Melushe Bebeziqi. Emri i vërtetë i saj ishte Melehad, por të gjithë e quanin Melushe, një emër më tingëllues, më i ëmbël e më ledhatues.

Balerina shqiptare ka lindur në vitin 1933 në qytetin e Shkodrës dhe, falë aftësive të saj të veçanta, shumë shpejt u bë një nga kërcimtaret e dukshme të trupës fillestare të baletit. Në moshën 17-vjeçare, u nis drejt Moskës për të studiuar në shkollën koreografike të Moskës, në grupin e balerinëve të parë që shkonin atje si Ganimet Vendresha, Zoica Haxho, Petrit Vorpsi, Agron Aliaj, etj…

Dëshira dhe pasioni, talenti dhe fati e ngjitën më pas në skenën më të adhuruar të baletit botëror në “Balshoi Teatër”. Kërkimet dhe mundësitë për të mësuar rreth jetës së saj kanë qenë tepër të vakta.

Balerinët e brezit të saj e kanë njohur në momentet e mësimit të baletit, por nuk kanë mundur ta shohin në interpretimet e saj skenike në teatrin e madh të botës. Për këtë arsye faktet e jetës së saj skenike kanë qenë përherë të mjegullta. Falë një përpjekjeje të pedagogut të AAB në Tiranë, Faruk Koka, është mundësuar komunikimi me arkivin e “Balshoi Teatër” në Moskë dhe sot, falë një korrespondence të vështirë dhe të gjatë, kemi informacione të sakta për rolet e interpretuara prej saj në këtë teatër.

MITI I BALERINËS DHE TË DHËNAT TRUPORE

Melushja balerinë ishte njëra nga vajzat më trup e bukuri të veçantë. Në skenë dhe gjatë kërcimit ajo bëhej edhe më e bukur, sepse natyra i kishte falur të gjitha të dhënat fizike që i duhen një balerine. Tek ajo ishin skalitur bukuri trupore me dimensione e proporcione që rrallë lindin te një balerinë dhe kur ndodhin, e veçojnë tërë- sisht nga trupa duke e quajtur “e lindur për soliste”.
E rëndësishme te Melushja ishte ekspresiviteti i saj, që buronte nga një e brendshme tepër shpë rthyese. Gjatë kërcimit, shihje një Melushe në rol, së cilës i fliste çdo pjesë e trupit, fytyra, duart, korpusi trupor, me zjarr e temperament. Jo më kot e quajtën “balerina rebele”.

REBELE & PASIONANTE

Ende nxënëse në shkollën koreografike të Moskës, në vitet 1950-1956, u cilësua me epitetin “e ëmbla balerina rebele” nga vetë pedagogia e kursit. Ishte pikërisht ajo që do të shprehej më vonë për të: “Melushen e dalloj në çdo formacion artistik. Sikur 100 balerinë të jenë në kërcim, ajo kuptohet se ka një impulsivitet të veçantë. Melushja ka lindur për të qenë soliste”. Dhe vërtet, masa e kordebaletit në skenë e mbyste atë. Te Melushja ndihej nevoja e shpër thimit individual, të pavarur. Ishin të dukshme aftësitë e saj, prandaj ende nxënëse në shkollën koreografike të vitit 1953, në spektaklin e shkollës, Melushja luan pjesën solistike “Kërcim oriental”, në baletin “Arrëthyesi”.

Ky numër pikant që vjen i ruajtur nga shekulli XIX e këtej kërkon cilësi të veçanta mjeshtërore në interpretim. Melushja e realizoi me dinjitet artistik dhe që nga ajo ditë ajo mori emrin e dytë nga të gjithë artistët e shkollës, “balerina rebele e Shqipërisë”.
Ishte e çuditshme, por emri rebele vinte jo thjesht nga shpë rthimet e saj skenike, por edhe nga temperamenti i saj tepër energjik.

Nuk mund të mendoje një Melushe në bisedë pa gjestet e saj dinamike, pa fjalët e saj këmbëngulëse dhe ëmbëlsinë karakterizuese të portretit. Në të kundërt, në skenë ajo i shpëtonte “rebeles”, edhe rebelimit emocional. Ky ishte ndoshta rebelimi i fortë i Melushes, paarritshmëria nga të tjerët, ajo që i jepte një përmbajtje të thellë emocionale rolit, plus graciozitetit dhe plastikës trupore, që është karakteristikë e veçantë në kulturën e Orientit në tërësi. Balerina filloi karrierën e saj artistike në Shqipëri me pjesët popullore të vendit dhe pjesë të huaja. Ka qenë e pakapshme në idilin shqiptar “Vallëzim me shtamë” dhe “Vallja moldaviane”, ku ajo u skalit edhe ne kujtesën e spektatorit shqiptar.

“BALSHOI TEATËR” & MAJA E SUKSESIT

Karriera e saj artistike pësoi një rritje në majën e ajsbergut të artit të kërcimit, në “Balshoi Teatër”, në qendrën botërore të baletit, në Moskë. Shkurti i vitit 1958 e gjen në majat e baletit. Ajo kërcen si soliste e parë në këtë teatër me famë që nga 1 shkurti i vitit 1958-3 Korrik 1967. E paarritshme dhe e palodhur, me një ambicie, dëshirë, pasion, dhe aftësi të jashtëzakonshme trupore, Melushe Bebeziqi fillon të zëvendësojë gradualisht solistet ruse, që kishin fituar famë dhe lavdi.
Zhvillon aktivitetin e saj skenik pikërisht në skenën ku ende ndihej fama dhe lavdia e balerinave si Galina Ulanova, Maja Plisetskaja, Olga Lepeshinskaja, Raisa Struchkova, etj..

Qenia e saj në teatër i dha mundësinë të interpretojë shumë role të vështira me bazë teknike që kërkonin zbërthimin artistik të karakterit të rolit. Repertori i saj është i larmishëm, sepse vetëm një soliste do të mundte t’i realizonte këto role teknikisht dhe emocionalisht. Shembull mund të marrim rolet cigane që ka luajtur te “Traviata” dhe baleti “Kali gërmuq”.

Megjithëse flitet se janë role krejtë- sisht të ndryshme nga kultura shqiptare, me interpretimin e Melushes dukeshin roletë veçanta. Pikërisht sepse ajo arrinte t’i zbërthente teknikisht dhe gjente vetitë dalluese në vetë karakterin interpretativ. Kështu mund të thuhet sidomos në kërcimet spanjolle, të luajtura prej saj në shumë balete si: “Don Kishoti”-Mercedes, “Bolero”-Spanjola, “Arrëthyesi”-Spanjola, “Laurencia”-Flamengo. Të gjitha këto kërcime me bazë Spanjën, në interpretimin e Melushes nuk ngjajnë me njëra-tjetrën.
Secila duket më e bukur, më flakëruese, më e zjarrtë dhe e veçantë. Melushja kishte një intuitë të fortë artistike. Kjo e ndihmonte të hynte në çdo rol lehtësisht, duke e skalitur atë me veti tipike karakterizuese.

ROLET DHE PERSONAZHET SKENIKË

Në rolet orientale, Melushja përcillte largësinë orientale dhe elektrizonte spektatorin me bukurinë e trupit, plastikën e duarve dhe me interpretimin magjik të rolit. Pjesët si indiania te baleti “Arrëthyesi”, gruaja e dytë te “Shatërvani i Bahçisrait”, valltarja me gjarpër te “Hirushja”, vajza me ngjyrë te “Shtegu i shtrëngatës”, arapesha te baleti “Lejli e Maxhun”, te gjitha këto role janë kërcime të një kulture të pasur dhe të bukur orientale. Melushja iu shmangej dozave seksuale, të cilat shumë balerina të rëndomta i përdorin si efekte për të fituar suksesin.

Melushja ishte artiste e madhe, ajo ecte në rrugën e artit të vërtetë, aty ku dominonte interpretimi poetik i rolit. Melushja mbetet e madhe në shumë gjini të artit koreografik. Kërcimet e karakterit që ajo interpretonte, kishin gjithmonë një vulë artistike të veçantë. Ishte gjithçka ndryshe ne interpretimet e Melushes, e pazakontë, e paparë, e paarritshme, e pakapshme. Kërcimi hungarez në “Liqeni i Mjelmave”, ose Lezginka te “Gajane”, një kërcim i vështirë gruzian, në interpretimin e solistes së madhe tingëllonin “ndryshe”. Ajo nuk ishte vetëm një soliste e zhanrit të karakterit. Tek ajo një vend të rëndësishëm zinte baleti klasik.

Ka kërcyer si soliste në shumë balete të ndryshme dhe ka dhënë shfaqje në një aktivitet të gjerë koncertal. Melushja ka debutuar me sukses në shumë skena të Evropës Qendrore dhe asaj Juglindore. Kudo ka lënë mbresa dhe jehonë artistike. Revista gjermane “Biter Van” shkruante për Melushen, “Vlerësojmë balerinën e ‘Balshoi Teatër’”. Kurse gazeta “Fjala” e Prishtinës në vitin 1984 përsëriste vlerat e saj artistike dhe tregonte jetën dhe karrierën e saj si soliste në “Balshoi Teatër”.

Melushja pati një jetë të shkurtër skenike. Sëmundja e saj e rëndë që e shoqëroi për vite me radhë ia preu dëshirën, pasionin dhe talentin e saj të madh. Në kulmin e krijimtarisë artistike, Melushe Bebeziqi, rebelja, pasionantia, balerina shqiptare ndahet nga jeta në vitin 1967. Mbetet një balerinë e madhe shqiptare që mundi të përjetësojë një ëndërr përreth nëntë vjet rresht në “Balshoi Teatër”.
Nuk është e rastit që fotografia e saj qëndron në hollin e teatrit të Moskës, përkrah qindra artistëve të mëdhenj rusë. Ajo, e ëmbla, e bukura, e hijshmja, Melushe Bebeziqi, balerina që ngjiti skenën e madhe ruse dhe tregoi se “Balshoi Teatër” nuk ishte thjesht një ëndërr e pakapshme. BALETI I MADH RUS Kur lindi ky emër? Ai u shfaq në vitin 1956, kur trupa e baletit “Balshoi Teatër” kapërceu kufijtë jashtë shtetit rus. Londra e priti me radhë të tejgjata pranë sporteleve të teatrit “Coven-Garden”.
Ishte e këndshme, e pabesueshme të shihje këtë pritje të gjatë, por njëherësh edhe e frikshme. Balerinët i mundonte dyshimi nëse londinezët do të kuptonin shfaqjet dhe si do të reagonin. Sillnin një balet “Zhizel”, në vitin e 112-të të repertorit dhe një “Romeo & Zhuljetë”, që kishte pësuar devijime nga Shekspiri. Kjo frikë rritej edhe nga recensionet plot bujë me të cilat mbusheshin gazetat e Londrës përpara fillimit të turneut të “Balshoi Teatër”.

A do të vazhdonte legjenda? Skemat dhe tabutë e shfaqjeve të ftohta londineze u thyen nga fuqia dhe madhështia e baletit të madh rus. Nuk ishte parë ndonjëherë në “CovenGarden” që salla ta zhurmonte nga këmbët e spektatorëve. Nga skena e këtij teatri, asnjëherë dhe askush nga trupat botërore nuk ishte përshëndetur në këtë mënyrë, nuk kishte marrë kaq shumë falënderime dhe kaq lumë duartrokitjesh nga publiku. Rregullat ishin prishur. Tabutë ishin kapërcyer.
Kundërshtimi i botës tjetër ishte pranuar, të paktën në art, në artin e madh të realizuar nga “Balshoi Teatër”. Ndoshta për këtë arsye, rusët iu përgjigjën ftohtë Francës, për balerinin e famshëm Rudolf Nurejev, “Kudo që të shkojë, ai do të mbetet rus”. “Balshoi Balet” që lindi në Angli, udhëton në botë pas artistëve të mëdhenj të këtij teatri legjendar, në Amerikë, apo në Japoni, në vendet Skandinave, apo në Afrikën e Jugut, në Europë, apo në Australi, duke treguar se ata janë vazhdim i legjendës së madhe të artit të baletit.

Interpretime në Balshoi Teatër
‘Arrëthyesi’- Lindori 14 Nëntor 1953
‘Kali Gërmuq’- Cigania 7 Prill 1960
‘Don Kishoti’- Spanjolle 13 Maj 1961
‘Arrëthyesi’- Indiane 25 Shkurt 1962

‘Don Kishoti’- Bolero 23 Mars 1962
‘Shatrivani i Bahçisarait’ 14 Prill 1962
‘Traviata’- Cigane 20 Shtator 1962
‘Don Kishoti’- Mercedes 5 Tetor 1962
‘Laurencia’- Liriku 11 Janar 1963

‘Romeo&Zhuljeta’- Shërbyesja 25 Prill 1963
‘Arrëthyesi’- Spanjolle 31 Maj 1963
‘Laurencia’- Flamengo 12 Tetor 1963
‘Shtegu i Shtrëngatës’- Vajza me ngjyrë 7 Nëntor 1963

‘Gajana’- Legzinka 6 Shkurt 1964
‘Hirushja’- Valltarja me Gjarpër 20 Shkurt 1964
‘Lejli dhe Maxhuni’- Mauritania 7 Janar 1965 / KultPlus.com

Teatri Bolshoi anulon shfaqjet e dy regjisorëve që kritikuan luftën e Rusisë ndaj Ukrainës

Teatri Bolshoi në Moskë ka anuluar shfaqjet e dy regjisorëve që janë larguar nga Rusia dhe kanë kundërshtuar publikisht ofensivën ruse në Ukrainë nga posteri i shfaqjeve të planifikuara për në maj.

Në një mesazh të publikuar në Telegram, teatri njoftoi se baleti ‘Nureyev’ dhe opera ‘Don Pasquale’ me regji përkatësisht Kirill Serebrennikov dhe Timofei Kulyabin do të zëvendësohen, pa dhënë arsye, duke mos komentuar anulimin.

“Nuk jam i befasuar”, komentoi Serebrennikov, i cili pasi kritikoi ofensivën ruse në Ukrainë, u largua nga vendi i tij në mars për një çështje “ndërgjegjeje” dhe u transferua në Berlin.

Baleti i tij u zëvendësua nga “Spartaku”.

Kuliabin, një regjisor i ri novator që punon veçanërisht në Novosibirsk, është larguar gjithashtu nga Rusia për në Evropë dhe ka publikuar disa mesazhe kritike për konfliktin në rrjetet sociale. /os/ KultPlus.com

Olga Smirnova, balerina e parë ruse që braktis Teatrin Bolshoi: Më vjen turp

Balerina kryesore e “Balshoit”, teatrit të famshëm rus, Olga Smirnova, braktis skenën për t’iu bashkuar Baletit Kombëtar Hollandez në Amsterdam, duke u bërë balerina e parë ruse, e cila ndërmerr këtë hap, pas pushtimit të Ukrainës.

“Smirnova ishte shumë e qartë në kritikën e saj të fundit, për pushtimin rus në Ukrainë, çfarë e bën të vështirë për të, punën në vendin e saj të lindjes”, – erdhi deklarata zyrtare nga autoritetet pranë Baletit Kombëtar Hollandez.

“Duhet të jem e sinqertë dhe të them, se jam kundër luftës, me gjithë shpirt.

Kurrë, nuk e kam menduar se mund të ndiej turp për Rusinë, por sot ndihem sikur ka një Rusi para dhe një, pas kësaj që po ndodh”, – shkroi primabalerina 30-vjeçare, në një postim në “Telegram”, fillimin e këtij muaji.

“Ne mund të mos jemi në qendër të konfliktit ushtarak, por nuk mund të qëndrojmë indiferentë, përballë kësaj katastrofe globale”, – shtoi ajo.

Sipas një deklarate nga Baletit Kombëtar Hollandez, balerina, gjyshi i së cilës është ukrainas, tha se kishte kohë që mendonte të largohej nga Balshoi, por “situata aktuale e përshpejtuar të gjithë procesin”.

Balerinët e huaj rusë, kanë njoftuar largimin në shenjë solidariteti me viktimat e konfliktit në Ukrainë, por Smirnova është balerina e parë ruse, që e bën këtë në publik. / KultPlus.com

Jep dorëheqjen drejtori i teatrit ”Bolshoi”

Drejtori i teatrit rus me famë botërore ”Bolshoi”, në Moskë, Tugan Sokhiev, ka njoftuar dorëheqjen e tij.

Sipas  agjencisë Interfax, Sokhiev ka lëshuar një deklaratë ku njofton se do të japë dorëheqjen edhe nga posti i drejtorit muzikor të Orkestrës Kombëtare të Tuluzës.

”Pasi u përballa me një zgjedhje të pamundur midis muzikantëve të mi të preferuar rusë dhe francezë, kam vendosur të largohem si drejtor i teatrit ‘Bolshoi’ në Moskë dhe si drejtor muzikor i Orkestrës Kombëtare të Tuluzës”, tha Sokhiev. / KultPlus.com

Kush ishte balerina shqiptare në Teatrin Bolshoi

Nga Saimir Z. Kadiu

Melushe Bebeziqi (1933-1967) balerina e famshme shqiptare e Balshoj teater…

Eshte nje e vertete e padiskutueshme qe balerinat e famshme ruse si Mathilde Kschessinska (1872-1971), Olga Spessivtseva (1895 – 1991), Anna Pavlova (1881-1931), Galina Ulanova (1910-1998), Natalia Makarova (1940-), Alicia Markova (1910-2004), Maya Plisetskaya (1925-2015), Ulyana Lopatkina, etj., i kane dhene Rusise primatin ne kete displine spektakulare te artit, por ne shqiptaret harrojme ose jemi te “infektuar me covidin” e te mohuarit te cdo arritjeje te bashkeatdhetareve tane ne majat e artit….

Ne hollin e Balshoj Teater jane dy fotografi te dy yjeve te baletit rus me origjine shqiptare e madhja Melushe Bebeziqi dhe e bija e saj Margarita Perkun-Bebeziqi.

Melushi ka interpretuar ne tempullin e baletit boteror role te tilla si:

“ARRËTHYESI”- Lindori (14 nëntor 1953)
“KALI GËRMUQ”- Cigania (7 prill 1960)
“DON KISHOTI”- Spanjolle (13 maj 1961)
“ARRËTHYESI” – Indiane (25 shkurt 1962)
“DON KISHOTI” – Bolero (23 mars 1962)
“SHATRIVANI I BAHÇISARAIT” (14 prill 1962)
“TRAVIATA” – Cigane (20 shtator 1962)
“DON KISHOTI”- Mercedes (5 tetor 1962)
“LAURENCIA”- Liriku (11 janar 1963)
“ROMEO & ZHULIETA” – Shërbyesja (25 prill 1963)
“ARRËTHYESI”- Spanjolle (31 maj 1963)
“LAURENCIA”- Flamengo (12 tetor 1963)
“SHTEGU I SHTRËNGATËS” (7 nëntor 1963)
“GAJANA”- Lezginka (6 shkurt 1964)
“HIRUSHJA” Valltarja me gjarpër (20 shkurt 1964)
“LEJLI DHE MAXHUNI” Mauritania (7 janar 1965)

Ajo ishte nje shqiptare 24 karat …

Babai i saj, Xheladin Bebeziqi ishte me origjinë shkodrane. Njeri me shpirt artisti, që këndonte shumë bukur këngët e qytetit të tij. Tregtia e bashkoi me korçaren, Sabiha Serezi, një grua e diplomuar për pedagogji në Stamboll. Në vitin 1924, ajo emërohet drejtoreshë e Shkollës së Vashave në Korçë. Në të njëjtën kohë, zgjidhet edhe Kryetare e Shoqërisë së Gruas shqiptare. Falë tregtisë dhe kulturës, kjo familje më pas, vendoset në Bullgari. Në Sofje, më 31 tetor 1934, lindi edhe Melushja.

Me shpirtin e saj, të një artisteje të lindur shpalosi bukurinë dhe madhështinë e valleve shqiptare. Ende pa mbushur 13 vjeç, filloi të nderoi dhe njëkohësisht gëzoi kombin. Si të ishte Festival Kombëtar dhe jo Ballkanik, ai i zhvilluar në vitin 1947, në Manastir. Mbi 90 përqind e stadiumit ishte i mbushur me shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Kur hidhnin qeleshet e bardha nga gëzimi, ngjante si të kishin shpërthyer fishekzjarret. Të gjithë të elektrizuar nga magjia e interpretimit të valleve shqiptare nga Melushe Bebeziqi. Tronditi Budapestin në vitin 1949 me “Dasmën shqiptare”, në Festivalin e Dytë Botëror të Rinisë dhe Studentëve. U kthye në Tiranë, me çmimin e festivalit, si interpretuese. Edhe më shumë shkëlqeu gjatë turneut të vitit 1950, në Rumani, Bullgari, Hungari, Poloni, Çekosllovaki… Nuk kishte ç’të priste më Shqipëria, për të shkolluar këtë talent… Pas këtij turneu të jashtëzakonshëm, u përgatit lista e artistëve që do të nisnin studimet në Bashkimin Sovjetik. Në të ishte emri i Agron Aliajt, Ganimet Vëndreshës, Zoica Haxhos, Petrit Vorpsit, Xhemil Simixhiut dhe në krye i Melushe Bebeziqit. Pas gjashtë vjetë studimesh, në të famshmin “Balshoi Teatër”, kthehen në Atdhe vetëm pesë. Më e pakta që u tha në atë kohë për Melushe Bebeziqin, ishte që braktisi Shqipërinë.
Melush Bebeziqi nje primabalerine e Bolshoit vdiq nga nje semundje e rralle ne zemer ne vitin 1967 ne moshen 33 vjecare.

Sipas baletmaestrit tone te madh Agron Aliaj, Melushja ishte nje “ krijesë magjike, me nje jehonë dhe ndjesi që të lënë statujat e përkryera. Më ka lënë përjetësisht buzëqeshjen e erotizmit fëminor… Shpirtmadhe, por e madhe edhe si interpretuese. E madhërishme në sensibilitet, por magjike edhe si femër! Nuk mund ta trashëgonte dot këtë gjeni, ajo Shqipëri e varfër, shpërdoruese e pamëshirshme e këtyre ndjesive…

Ashtu si bënë me të në vitin 1952, kur ajo erdhi me pushime. E fotografuan lakuriq fotoreporterët shqiptarë. Thënë ndryshe, e masakruan, sepse nuk e mirëkuptuan atë potencial të madh artisti. Nuk e mirëkuptuan as kur në mes të natës, për t’iu shmangur ashpërsisë së bashkëkombasve po lahej lakuriq në detin Adriatik… Ajo erdhi në këtë jetë për t’u bërë artiste me famë botërore. Nuk mund të shprehej shpirti i saj, në atë skenë të vogël, në atë regjim që më shumë se artistë nxori spiunë. Spiunët që shkonin në Komitetin Qendror dhe lëshonin shigjetat e kuqe:

– Pse duhet të shkojë për studime jashtë shtetit një vajzë e tillë?
– Hajde! Kërceni si Melushja dhe u qoftë ju udha e mbarë!- përgjigjej drejtori, Kol Jakova.
Ikëm gjashtë për të studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe u kthyem pesë. Shpeshherë i kam bërë pyetje vetes:
-Bëri mirë apo jo që nuk u kthye Melushja?
Në këtë terren të vështirë, me male dhe njerëz krenarë në ashpërsi, Melushja nuk mund të shpërthente kurrë! Më kujtohet ajo që dikur i kam thënë Perlocajt:
– Unë erdha në Shqipëri për të vdekur pak e nga pak, ndërsa ti ike në Francë për të lulëzuar pak e nga pak…
Vetëm “Balshoi Teatër” ishte për Melushen. Aty dhe vetëm aty, mund të shkëlqente madhështia dhe perfeksioni i saj. Atje… ku më duket shpeshherë, sikur jam pranë Melushes që përshëndet publikun e mahnitur në magjinë e saj. Sepse Melushja ishte gjeni. Kërcimi i saj kishte ekspresivitetin e një krijese shumë të talentuar. Në të fshihej një botë e madhe mistike, orientale, e përzierë me një dramë të madhe njerëzore siç ishte edhe jeta e saj. Ajo ishte valltare magjike në ndjeshmëri, sensibilitet, ledhatime, lëvizshmëri… Ajo fytyrë e ëmbël dhe tërheqëse, ata sy të bukur, të zinj dhe të thellë, ajo zhdërvjelltësi sensuale e trupit, ai kërcim shumë erotik, me përsosmëri lëvizjesh të duarve dhe vitheve, të merrte frymën! Edhe tani, sa herë punoj me artistët e rinj dhe u kërkoj vallëzueshmërinë, më konturohet para syve Melushja.
I thashë një herë kur ishim me studime në Moskë:
-Melushe, nuk e di pse më shëmbëllen me plakën Izergil, personazhin e tregimit të Gorkit që nga Rusia, përfundoi në haremin e Shkodrës, ndërsa ti nga Shqipëria do të përfundosh në Rusi…
Ajo me buzëqeshjen e saj të jashtëzakonshme, ma ktheu:
-Agron! Ti vazhdimisht je pak filozof….

Në fakt, më artiste se ne ishte ajo. Pas provave të lodhshme, shpeshherë mblidheshim të gjashtë studentët shqiptarë dhe loznim kush fantazonte më shumë. Na çudiste të gjithëve me fluturimet artistike për të ardhmen e jetës së saj. Aq sa edhe Xhemili nuk e arrinte dot në fantazi…

Në atë kohë, Bashkimi Sovjetik po hapej drejt Perëndimit. Kishin filluar të vinin artistë të mëdhenj, që më shumë se për talentin dëshiroheshin për përditshmërinë dhe lirshmërinë e jetës së tyre. Në këto kontakte dhe bashkëbisedime, ndjehej mirë edhe Melushja. Sepse ajo, nuk ia prishte kurrë qejfin vetes, duke iu përgjigjur përherë pozitivisht thirrjeve të brendshme. Sepse ajo, kishte lindur, për një botë të madhe, dashuri dhe art të madh…”
Askush me mire dhe me sakte se nje gjigand si Agron Alia nuk mund ta pershkruante se kush ishte ballerina jone e madhe Melushe Bebeziqi…

Edhe e bija e saj “eksploroi” ne rrugen e suksesit te se jemes…

Margarita Perkun-Bebeziqi eshte vajza e koreografit rus Georgi Perkun dhe e balerines se famshme shqiptare Melush Bebeziqi. Ajo ka lindur ne Moske ne vitin 1957.

Por edhe ajo pati vdekje te hershme… vetem disa kohe pas triumfit ne Konkursin Nderkombetar te Baletit ne Moske ne vitin 1981 ( ku ajo fitoi medaljen e arte), vdes ne nje aksident automobilistik me 6 gusht 1981.

Eshte nje fatkeqesi por edhe nje turp qe keto dy balerina njihen pak ose aspak ne Shqiperi. Por kjo lidhet me teper me qendrimin e shtetit komunist ndaj Melushit e cila pasi studjoi ne Moske , u martua me koreografin Perkun dhe nuk u kthye ne Shqiperi pas prishjes me sovjetiket.

Edhe sot e kesaj dite nene e bije ( qe ndajne te njejtin varr ne Moske) jane te nderuara nga komuniteti artistik i teatrit Bolshoi.

Por ne vendin e origjines ende asnje nderim per balerinen e madhe shqiptare…

Gjithashtu binjaku i saj Ylli Bebeziqi, nje balerin premtues u burgos nga regjimi komunist ne Shqiperi dhe vdiq ne burg ne moshen 24 vjecare ne vitin 1958. Shkak i burgosjes se tij ishte nje hakmarrje per dashurine e tij me vajzen e nje personaliteti te njohur ushtarak te kohes.

Tragjedia e tij ishte e tmerrshme… e hoqën nga puna, e mbyllën në çmendinë, e vranë në qeli dhe i zhdukën edhe varrin. /Dielli/ KultPlus.com


Vdes aksidentalisht gjatë performancës një pjesëtar i teatrit ‘Bolshoi’ në Moskë

Nga një aksident ka vdekur një interpretuese në teatrin Bolshoi të Moskës derisa ishte duke marrë pjesë në një operë, deklaruan nga teatri.

Bolshoi, një nga teatrot më prestigjioz në Rusi, tha se incidenti ndodhi gjatë një ndryshimi të peisazhit skenik në Sadko, një operë nga kompozitori rus, Nikolai Rimsky-Korsakov.

“Opera u ndal menjëherë dhe auditorit iu kërkua të largohej”, thanë nga teatri në deklaratat e transmetuara nga agjencia e lajmeve Interfax.

Komiteti Hetues, organi që heton krimet e rënda, ka deklaruar se janë duke i hetuar rrethanat që lidhen me vdekjen e interpretuesit 37-vjeçar, të cilit nuk ia kanë bërë të ditur identitetin./en/ KultPlus.com

Teatri Bolshoi anulon turnetë ndërkombëtarë

Teatri i famshëm moskovit, Bolshoi, njoftoi sot vendimin e tij për të anuluar turnetë e tij ndërkombëtarë për sezonin 2021/22, për shkak të pandemisë COVID-19.

“Të gjitha turnetë e planifikuar për këtë sezon janë anuluar deri në mars 2022″, tha drejtori i teatrit, Vladimir Urin, gjatë prezantimit vjetor të sezonit të ri, i cituar nga agjencia Interfax.

“Megjithatë, për këtë sezon aktual, të gjitha planet që kishim, i realizuam”, shtoi ai, duke pranuar se periudha kishte qenë e vështirë për teatrin, financiarisht dhe për nga ana humane.

Në kulmin e valës së dytë, në nëntor, 150 persona të punësuar në Bolshoi u sëmurën.

Pavarësisht anulimit të shfaqjeve jashtë vendit, Bolshoi do të vazhdojë të realizojë disa prodhime me pjesëmarrje të huaj.

Aktualisht, matësi i autorizuar në teatër është 50 %, i shoqëruar nga një detyrim për të mbajtur maskë dhe për të respektuar distancën shoqërore./atsh/ KultPlus.com