Protestojnë aktorët, Maxhuni: Nëse nuk na plotësoni kërkesat, atëherë mos u krenohuni me neve

Fishkëllima e filikaqave të tyre dëgjohej shumë larg, teksa në duar mbanin pankarta që shkruhej “#përteatrindodona”. Mos realizimi i kërkesave për shtimin e numrit të aktorëve në Teatrin Dodona, i bëri grupin e aktorëve të Prishtinës të protestojnë përpara Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Aktorët e Prishtinës u bashkuan për të shprehur indinjatën e tyre ndaj Komunës për mos realizimin e kërkesave të tyre që 2 vite për krijimin e një trupe rezidente në Teatrin Dodona, në të cilën kryejnë punën e tyre vetëm 4 aktorë.

Ky numër i ulët i aktorëve është edhe kundër ligjit për Teatro në të cilin thuhet: “Teatrot profesioniste të qyteteve duhet të kenë ansambël artistik, rezident, të përbërë nga së paku njëzetë(20) aktorë cilësorë të të gjitha gjeneratave”.

Molika Maxhuni, njëra ndër aktoret pjesëmarrëse, në protestë është shprehur se mirësjellja e tyre i ka bërë që ata sot të jenë në këtë gjendje.

“Ne jemi gjithmonë bira e fundit e kavallit. Kjo nuk është mirë për secilin këtu që jemi. Kur po vie puna të krenohet një shtet, përfaqësuesit më të mëdhenj ose ambasadorët po janë artistët dhe sportistët. Atëherë le të themi mos u krenohuni me neve!”, u shpreh Maxhuni.

Në anën tjetër, Leonit Maloku tha se aktorët kanë hasur në vesh të shurdhër që 2 vite te Kryetari i Komunës dhe te Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

“Po shpresoj që Komuna do të reflektoj dhe tash para se ta votojnë buxhetin do të propozojnë që të bëhet audicioni për shtimin e numrit të aktorëve në ‘Dodonë’ dhe të punësohen aktorët e Prishtinës”.

 Ilir Prapashtica, një aktor tjetër i qytetit të Prishtinës, duke thënë se kësaj here nuk do të flasin shumë.

“Sipas informatave të cilat i kemi Komuna e Prishtinës do ta hap një konkurs prej 5 aktorëve, që ajo është e papranueshme për ne si grup i aktorëve të Prishtinës për arsye se 5 aktorë në teatrin e qytetit është për të bërë hajgare”. Veç të tjerash, përgjatë protestës u përmend edhe një deklaratë nga Ministria e Financave se Teatri Dodona i ka 17 të punësuar. Aktorët u shprehën se është për keqardhje funksionimi i tillë i teatrit përderisa 13 prej tyre janë staf teknik dhe vetëm 4 aktorë. Grupi i aktorëve të Prishtinës vazhduan protestën e tyre me duartrokitje dhe brohoritje “bravo” në shenjë revolte ndaj Komunës. Për fund ata në shkallët hyrëse të objektit lanë pankartat e tyre me mbishkrimet “#përteatrindodona”. / Medina Pasoma/ KultPlus.com

Maloku: Për Komunën e Prishtinës, aktorët janë ‘bira e fundit e kavallit’

Suada Qorraj

Dikur Teatri i Faruk Begollit, vendi ku aktrimi i jepte jetë publikut edhe vetë sallës, sot ballafaqohet me probleme të shumta, duke u nisë prej atyre bazike, mungesës së aktorëve rezident.

Aktorë të shumtë kanë kërkuar prej Komunës së Prishtinës të jenë pjesë e ansamblit rezident të Teatrit “Dodona”,  për të pasuar me konferencë për medie, e kërkesë që tashmë po del edhe në rrugë, pasi që, një grup i aktorëve kanë paralajmëruar edhe protestë që pritet të organizohet nesër.

Një iniciativë që kishte filluar dy vite më parë, nga aktorët e kryeqytetit ende nuk ka gjetur zgjidhje. Është fjala për shtimin e numri të aktorëve rezident në Teatrin ‘Dodona’, nga katër sa janë tani, në 20, sa e kërkon edhe ligji për teatro në Republikën e Kosovës.

Në një intervistë për KultPlus, Leonit Maloku, një nga përfaqësuesit e komuniteti të aktorëve të Prishtinës ka treguar se që kur kanë filluar të ngrisin zërin për këtë çështje dy vite më parë, ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje definitive nga ana e Komunës së Prishtinës.

Sipas tij, ishte reagimi i kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, pas rrëzimit të Teatrit të Shqipërisë, ajo çka i nxiti edhe më shumë komunitetin e aktorëve që të reagojnë për këtë çështje, por edhe premtimet e kryetarit që së bashku të gjejnë një zgjidhje.

“Pasi kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, bëri një status duke shprehur keqardhjen e tij për rrëzimin e Teatrit Kombëtar në Shqipëri, unë i reagova me anë të një komenti duke e pyetur se çka ka bërë për komunën tonë, menjëherë pas kësaj ishte vetë kryetari ai që më kontaktoi dhe tha që të punojmë së bashku në mënyrë që të qojmë përpara kërkesën tuaj. Mirëpo që nga ajo kohë takimet dhe mesazhet me kryetarin kanë qenë të pamundura”, ka thënë Maloku.

Maloku tregon se që nga koha kur është mbajtur konferenca me gazetarë në gusht të këtij viti, Komuna nuk i ka njoftuar lidhur me vendimet që janë marrë së bashku me Ministrinë e Financave.

Përfaqësuesi i komunitetit të aktorëve të Prishtinës, ka vetëm një hall, votimin e buxhetit nga ana e asamblesë komunale gjatë ditës së nesërme. Sipas tij në qoftë se nuk ndahet buxheti përkitazi me kërkesat e tyre atëherë teatri ‘Dodona’ do mbes edhe një vit tjetër me vetëm katër aktorë të punësuar.

“Ne kemi bërë kërkesa për shtimin e 16 aktorëve rezidentë në teatrin ‘Dodona’ përpara votimit të buxhetit në asamblenë komunale, sepse në qoftë se nuk aprovohen kërkesat tona atëherë teatri do të mbetet ashtu siç është, me vetëm 4 aktorë, edhe për një vit tjetër”, ka shtuar ai.

Leonit Maloku thotë se për Ministrinë e Financave, të punësuarit janë vetëm numra, ata shohin 17 të punësuar, por nuk e marrin në konsideratë faktin që teatri ka vetëm katër aktorë. Sipas tij janë aktorët atë që e bëjnë teatrin.

“Ministria e Financave të punësuarit i nuk i sheh ndryshe vetëm si numra të punësuar. Dodona ka 17 të punësuar, ka teknik, ka rojtar, ka biletashitës, ka ndriçues dhe vetëm katër aktorë. Por teatri nuk mund të bëhet pa aktorë, sado të nevojshëm dhe të domosdoshëm që janë pjesa tjetër e stafit, aktorët janë të pazëvendësueshëm”, ka pohuar ai.

Aktori ka thënë se Ministria po synon që të punësoj vetëm edhe 5 aktorë, e që sipas tij nuk janë të mjaftueshëm, madje në kundërshtim me ligjin për teatrot. Ai ka potencuar se Prishtina si kryeqytet ka nevojë për më shumë aktorë, sesa cilido teatër në vend.

Maloku ka shtuar se pas konferencës ata kanë menduar edhe organizimin e një proteste. Duke mos dashur të shpalosë shumë detaje rreth saj, ai ka bërë të ditur se nesër në orën 12:00 përballë Komunës së Prishtinës, komuniteti i aktorëve do të organizojë protestë, për të plotësuar kështu edhe kërkesat e tyre.

“Ne pas konferencës hapin tjetër e kemi menduar protestën dhe tash do dalim në protestë nesër në orën 12:00 para Komunës. Kurse me kohë do të mendojmë se cili do të jetë hapi tjetër që do ndërmarrim edhe pse realisht nuk di ndonjë formë tjetër që mund të kryej punë më mirë se protesta”, ka thënë Maloku.

Krejt në fund Leonit Maloku ka thënë se për komunën komuniteti i aktorëve deri më tani ka qenë ‘bira e fundit e kavallit’.

“Siç duket për komunën ne artistët jemi bira e fundit e kavallit, kështu do të mund të thoja, sepse për komunën çdo gjë po ecë edhe pa komunitetin kulturor”, ka përfunduar Maloku./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës hap thirrje për mbështetje financiare për shfaqjet e teatrit ‘Dodona’

Drejtoria për Kulturë në kuadër të Komunës së Prishtinës ka hapur thirrjen publike për mbështetje financiare të projektpropozimeve për shfaqjet e repertorit të Teatrit “Dodona”, shkruan KultPlus.

Kategoritë me të cilat mund të aplikojnë përfshijnë: komedinë, dramën, solo performancën dhe shfaqjen për fëmijë.

 Afati i fundit për aplikim është 30 shtator 2020. https://prishtinaonline.com/uploads/g.d_2-thirrja_per_subvencione_dodona_2020_.pdf

Shatrolli i drejtohet Ahmetit: Në emër të brezit të babait tuaj, kërkojmë të plotësohet trupa rezidente e Teatrit ‘Dodona’

Teatrit “Dodona” tash e njëzet vite i mungon trupa e qëndrueshme rezidente e aktorëve. Numri i aktorëve të punësuar në këtë teatër është shumë i vogël. Tash e një kohë ky teatër funksionon vetëm më pesë aktorë. Mungesa e një trupe rezidente më e madhe në këtë teatër ka ngjallur pakënaqësi në komunitetin e aktorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Dramaturgu Naser Shatrolli i ka bërë ftesë publike kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit që të dal në një vendim final, në të mirën e aktorëve dhe teatrit “Dodona”. Ai këtë thirrje e ka bërë edhe në emër të brezit të aktorit të njohur Ali Ahmeti, që njëkohësisht është edhe babai i ndjerë i Kryetarit të Prishtinës.

Sipas tij skena ku Faruk Begolli i dha kuptim jetik teatrit, ishte kumti më i madh për artin në kohën sa ishim të okupuar. Prandaj edhe sot Teatrit Dodona – skenës së Faruk Begollit, i duhen aktorët e rinjë, ngase edhe vet teatri sot identifikohet me të.  

“I dashur Kryetar! Do te ishte feste e madhe nese do te krijohej nje trupë e qendrueshme artistike teatrore per Prishtinën ne teatrin “Dodona”. Andaj, ju beje ftese publike edhe ne emer te brezit te babait tuaj, aktorit tone te njohur, tashme i ndjer, Ali Ahmeti, me te cilin me ka ra shorti qe te luaja me te ne teater dhe te Kafeneja jone. Te lutem merr guximin dhe dil me nje verdiktim final, duke rezonuar pro kerkeses se kesaj trupe dhe ketij komuniteti teatror, qe sot ata i duhen si asnje moment tjeter skenes se Faruk Begollit – Dodona gjersa identifikohet edhe me emrin e tij”, ka reaguar Shatrolli nëpërmjet një postimi në Facebook.

Reagimi i Shatrollit ka ardhur si mbështetje e komitetit të aktorëve të Prishtinës të cilët në mëngjesin e sotëm kanë mbajtur një konferencë për media. Gjatë kësaj konference ata kanë kërkuar që numri i aktorëve të punësuar në Teatrin “Dodona” të rritet minimalisht në 10 ashtu siç ligji e kërkon, dhe jo vetëm në pesë ashtu siç operon tash e sa vite. Gjithashtu gjatë kësaj konference është thënë se do të shqyrtohet edhe mundësia e realizimit të protestave para objektit të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Aktorët paralajmërojnë protesta nëse trupa rezidente e teatrit ‘Dodona’ nuk plotësohet

Suada Qorraj

Mungesa e trupës rezidente në Teatrin ‘Dodona’, mosrespektimi i ligjit për teatrin, si dhe vonesat që tash e disa vite po bëhen nga Komuna e Prishtinës në lidhje me këtë teatër, ka shtyrë aktorët e Prishtinës që mëngjesin e ditës së sotme të mbajnë konferencë për media, shkruan KultPlus.

Gjatë kësaj konference aktorët kanë paralajmëruar se do të mbajnë edhe protesta mu përpara objektit të Komunës së Prishtinës, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

 Leonit Maloku, pjesëtar i komunitetit të Aktorëve të Prishtinës ka thënë se Teatri ‘Dodona’ tashëm ka 15 vite që funksion vetëm me pesë aktorë dhe se ky teatër tash e një kohë nuk ka prodhuar shfaqje profesionale. Sipas tij kërkesa e aktorëve bazohet edhe në ligjet që rregullojë funksionimin e teatrove.

“Teatri ‘Dodona’ pothuajse që 15 vite funksionon vetëm me 5 aktorë dhe kryesisht prodhon vetëm shfaqje për fëmijë dhe nuk prodhon shfaqje profesionale për të rritur. Kërkesa jonë është bazuar në ligjin për teatrin pika nr. 7 nenin nr. 5, ku specifikisht thotë: Teatri i qytetit mund të ketë ansamblin rezident prej më sa paku 10 dhe më së shumti 20 aktorë”, është shprehur Maloku.

Maloku gjithashtu ka thënë se protesta me tenda, monologje dhe poezi do t’i gjejnë aktorët e Prishtinës në qoftë se kërkesat e tyre nuk realizohen. Ai ka shtuar se po të jetë e nevojshme ata edhe do flenë para objektit të komunës në mënyrë që t’ju tregojnë institucioneve se në çfarë pike ka mbërritur kultura në Kosovë.

“Nëse kërkesat tona nuk realizohen ne do të shkojmë në protesta do të vijmë këtu para komunës siç kemi ardhë sot, do hapim tenda, monologje e poezi, çka ju takon aktorëve, që kur të vijë Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës t’na sheh neve duke fjetur këtu para komunës dhe të shoh se në çfarë gjendje e ka lënë kulturën në qytetin tonë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq aktori Ilir Prapashtica ka theksuar faktin se të gjithë aktorët e Prishtinës janë duke e kërkuar të drejtën e tyre, pasi që çdokush ka të drejtën e punës, e të protestës, prandaj dhe nuk do të ndalen deri sa kërkesat e tyre do të realizohen. / KultPlus.com

Sonte shfaqet ‘Eshtrat që vijnë vonë’, drama e njohur e Teki Dervishit

Sontë në orën 20:00, në formatin Livestream në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar në Facebook, shfaqet drama ‘Eshtrat që vijnë vonë’, shkruan KultPlus.

Me tekst të Teki Dervishit “Eshtrat që vijnë vonë” është realizuar me regji të regjisorit Martin Kocovski.

Fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare, ndër to edhe çmimin GRAND PRIX ne Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Rumani.

Kasta e aktorëve për këtë shfaqje përbëhet nga: Astrit Kabashi, Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Shkelzen Veseli, Lumnie Sopi, Arta Selimi, Albulena Kryeziu, Armend Baloku dhe Bujar Ahmeti. Skenografia dhe kostumet do të përgatiten nga Juliana Voykova, ndërsa muzika nga Oliver Josifovski.
Drama e Teki Dervishit “Eshtrat që vijnë vonë” trajton fatin e individit me identitet të humbur. Raportet mes njeriut i cili për pushtet ka humbur identitetin dhe atij që përpiqet ta ruaj duke e sfiduar presionin dhe realitetin Orwellian në të cilin është futur domosdoshmërisht. / KultPlus.com

Teatri “Dodona” fillon vitin me dy shfaqje premierë

Teatri i qytetit të Prishtinës ‘Dodona’, përgjatë muajit janar, do të sjellë para publikut një program të pasur me shfaqje.


Drejtori i teatrit ‘Dodona’, Visar Krusha, ka treguar për Radio KFOR-in se qysh këtë javë, dy premiera do të ngjiten në skenën e teatrit: “Do të fillojmë me dy premiera. Premiera e parë është të mërkurën më 15 janar, që është premierë e Skenës së Mbrëmjës, pra është shfaqje për të rritur. Është fjala për shfaqjen “Harroje Hollivudin”, nga Miro Gavran dhe me regji të Faik Gashit. ‘Harroje Hollivudin’ sjell ambicien e pashterur të personazhit për t’u bërë aktor si dhe sfidat e njerëzit që ai takon gjatë rrugëtimit.


Ndërsa më 18 janar, e kemi premierën e shfaqjes për fëmijë “Fjalët Magjike” nga Alba Hoxha, me regji të Shkurtë Aliut. Kjo shfaqje ka për temë përdorimin e fjalëve magjike të tilla si: të lutem, falemnderit, ejt. si dhe njohjen e këtyre fjalëve dhe përdorimin e tyre nga fëmijët, pasi kjo ka edhe efekt pozitiv në integrimin e fëmijëve në shoqëri.”

Në skenën e teatrit ‘Dodona’ pergjatë muajit janar do të ngjiten gjithsej 7 shfaqje./KultPlus.com

Teatri “Dodona” 7 shfaqje në muajin janar

Teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave “Dodona”, ka publikuar kalendarin e shfaqjeve për muajin janar.

Në repertorin e këtij Teatri do të jenë 7 shfaqje.

Më 18 janar do të jepet premierë shfaqja “Fjalët magjike” me regji të Shkurtë Aliu. Në program janë edhe dy shfaqje të tjera për fëmijë, teksa në Skenën e mbrëmjes janë paraparë katër shfaqje, nga të cilat njëra premierë. Më 15 janar, do të jepet premiera e shfaqjes “Harroje Hollivudin” me regji të Faik Gashit.

“Dodona” do ta përmbyll muajin janar me shfaqjen “Une jam vetë grua”, me regji të Kushtrim Koliqit. /KultPlus.com

‘Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’, nesër premierë në Teatrin Dodona

 

Monodrama “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” do të vijë nesër premierë në Teatrin Dodona, shkruan KultPlus.

Monodrama e shkruar nga Ridvan Dibra do të jetësohet në skenë nga regjisorit dhe në këtë rast edhe skenaristi, Ben Apolloni.

Në rolin e Madalenës do të vijë aktorja Arjola Demiri.

Regjisori Apolloni është deklaruar përmes një postimi në Facebook se gjithmonë i ka pëlqyer të merret me vepra të autorëve që ironinë e kanë figurë qendrore dhe gjithashtu ai pohon se në shfaqje janë disa skena e detaje që një pjesë të audiencës do ta bëjnë të ndihet në siklet.

“Gjithmonë më ka pëlqyer të merrem me vepra e autorë që ironinë e kanë figurë qendrore. E, Ridvan Dibra është mjeshtër i ironisë, prandaj edhe vepra e tij, në prozë e dramë, më pëlqen shumë. Shfaqja “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, e ndërtuar mbi tekstin dramatik të Dibrës, është një shfaqje teatrore “rreth ushkurit”, një shfaqje që na provokon që në titull, duke na vënë përballë dashurive të një virgjëreshe, duke na vënë përballë figurës, për mua kryesore, të krijimtarisë letrare të autorit. Janë disa skena e detaje që një pjesë të audiencës do ta bëjnë të ndihet në siklet dhe shpresoj shumë që kjo të ndodhë, me sa më shumë prej atyre që do ta shohin shfaqjen! Arti, përveç të tjerash, më pëlqen të jetë edhe provokues, të na vëjë në siklet, të na prekë ku nuk guxojmë ta prekim veten”, shkruan Apolloni teksa tutje tregon që gjatë leximit të kësaj monodrame ai ka menduar edhe se sa shumë është ofenduar femra.

“Duke e lexuar monodramën e më pas duke e zbërthyer atë në skenë, shpesh kam menduar se sa shumë e kemi ofenduar femrën duke e vendosur moralin e saj, vlerën e saj, në një cipë të hollë, në një asgjë, “dy gishta larg anusit “. Zoti na e faltë!
Në skenat e shfaqjes “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, ka seks, ka të qeshura, ka lot e gjak. Shikim të këndshëm!”, shkruan tutje regjisori.

Shfaqja vjen premierë nesër, më datë 4 shkurt, në ora 19:30, ndërsa reprizë është më datë 5 shkurt. /KultPlus.com

“Mustaqoshi Laroshi” vjen këtë të shtunë në “Dodonë”

Këtë të shtunë në Teatrin “Dodona” vjen shfaqja “Mustaqoshi Laroshi” e bazuar në vargjet e S.J. Marshak, kurse dramatizimi dhe regjia është e punuar nga Melihate Qena, shkruan KultPlus.

Asistent regjie është Avni Hoti kurse kukullat nga Ismail Rama e Melihate Qena, muzika e punuar nga Merita Bajri, skenografia nga Mentor Llaopashtica dhe Valdet Rama. Në shfaqje luajnë Roza Berisha-Fejzullahu dhe Avdi Azemi.

Udhëheqës artistik është Skender Latifi.

Përmbajtja e shfaqjes lidhet me një vajzë të vogël e cila ka një kafshë manare, një maçok. Vajza kujdeset për maçokun por ai nuk i kupton këshillat e vajzës dhe vazhdimisht shkakton rrëmujë nëpër shtëpi. Koha kalon dhe vajza rritet. Një ditë ajo duhet ta lërë lojën, t’i merr librat dhe të niset për në shkollë./ KultPlus.com

Teatri i Prishtinës “Dodona” të shtunën hap sezonin

Teatri “Dodona” i Prishtinës hap sezonin e ri teatror ditën e shtunë duke filluar në ora 12:00 dhe 13:00 ku do të jepet shfaqja për fëmijë “Kësulëkuqja”.

Shfaqja është punuar sipas përrallës së Vëllezërve Grim nën regjinë e Melihate Qenës.

Kukullat nga Valdet Rama, muzika nga Violeta Rexhepagiqi, piktura nga Musa Kalaveshi, ndërsa luajnë: Roza Berisha-Fejzullahu, Avdi Azemi dhe Valdet Rama.

Shfaqja bën fjalë për dy fëmijë të cilët luajnë teatër para shtëpisë. Ata kanë emrat e tyre Agim dhe Shpresë. Por nuk ka emër edhe kukulla me të cilën ata luajnë. Ata pasi e mësojnë se të gjithë fëmijët në sallë I kanë emrat e tyre fillojnë ta kërkojnë edhe një emër për kukullën, Në shportën e lodrave e gjejnë një kësulë të kuqe. Kjo është kësula e kuqe më e famshme në botë, duke I’u falënderuar një gjysheje. E vajza këtë dhuratë nuk e heq asnjëherë nga koka. Por që përralla jonë të shkoj si duhet nevojitet edhe një ujk për ti vështirësuar gjërat. E ku është ujku natyrisht se është edhe gjahtari. Kjo është përralla për kësulëkuqen por e treguar në një mënyrë krejtësisht të re./KultPlus.com

“Shfaqja që shkon keq” nga Bashkim Ramadani vjen premierë në teatrin Dodona

“Shfaqja që shkon keq” nga Henry Lewis, Jonathan Sayer e Henry Shields, ka rënë në duart e regjisorit Bashkim Ramadani i cili me një kastë të gjerë aktorësh i janë përkushtuar punës për të sjellë një shfaqje që në natën e premierës të shkojë ashtu siç është më së miri, shkruan KultPlus.

Regjisori Bashkim Ramadani

Shfaqja zhvillohet në premierën e shfaqjes së dramës misterioze “Vrasje në shtëpinë e Havershamëve” e shkruar nga Suzi H.K. Braidsuell, e vënë në skenë nga Shoqata Dramatike e Universitetit Politeknik të Kornleit.

Një trupë amatore e cila së fundmi ka hasur në një vepër e cila në vete përmban po aq personazhe sa ka edhe vetë trupa aktorë është zgjidhja ideale për të bërë një shfaqje nga e cila pritet sukses i madh.

Në shfaqje bëhet fjalë për një njeri i cili gjendet i vdekur në dhomën e tij të gjumit në mbrëmjen e fejesës së tij dhe me këtë rast bën të dyshuar çdonjërin, e dyshimet padyshim do bien tek ata që e “donin”. Shpërfaqje e dashurisë së fshehtë, tradhti e intrigë do ishin ndër temat kryesore që kjo shfaqje do i prezantonte publikut të saj. Por aty ku pritshmëritë janë të mëdha çdo herë mund të pritet edhe dështimi. Drita që ndalen dhe ndizen vend e pavend, rekuizita e skenografi që mungojnë e prishen, personazhe që u bie të fiket, janë ndër problemet me të cilat ballafaqohet kjo trupë aktoreske e cila di vetëm një gjë, “Shfaqja duhet të shkojë deri në fund PATJETËR”.

Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbëhet nga: Mikel Markaj, Leonit Maloku, Kaltrinë Zeneli, Gani Morina, Edlir Gashi, Alban Rexhaj, Armend Zeqiri.

Premiera e shfaqjes vjen përpara publikut në teatrin Dodona, më datë 13 korrik në ora 20:00.
Asistent regjie e shfaqjes është Armend Zeqiri, skenografia nga Dhurim Ismaili, kostumografia nga Agnesa Malushaj, mjeshtër ndriçimi – Skender Latifi, ndërsa dizajni i posterit është Mentor Berisha. / KultPlus.com

“Çifti hapur” këtë të enjte në Dodona, Për Bekimin

“Çifti hapur”, me tekst të Dario Fo dhe France Rame dhe me regji të Kushtrim Koliqit do të shfaqet këtë të enjte në Teatrin “Dodona”, në mënyrë që të kontribuohet në shërimin e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Një vepër gjithmonë aktuale dhe fantastike mbi raportin burrë-grua, me situata sa qesharake aq edhe të prekshme. Kjo shfaqje ngrit një dilemë kryesore se a është “Besnikëria bashkëshortore gjë e vjetruar apo nuk ekziston me?”

Kjo shfaqje jetësohet nga aktorët: Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku.

“Me u kënaqe, me u argëtu dhe njëkohësisht me kontribu për diçka madhore, është gjeja më e lehtë qe mundeni me bo”, ka shkruar aktori Besart Sllamniku.

Kjo shfaqje prezantohet në kuadër te Kampanjës humanitare #PërBekimin, në kuadër të se cilën do të prezantohet “Muaji Artistik” në Teatrin Dodona, ku çdo javë shikuesit do të kenë mundësinë të shkojnë dhe ta shohin nga një shfaqje me përzgjedhje të mrekullueshme./ KultPlus.com

Ilir Bokshi së shpejti sjellë premierën “Hollishit” (FOTO)

Bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones, së shpejti vjen shfaqja “Hollishit”, me regji të regjisorit Ilir Bokshi e producente Albulena Kryeziu, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje premierën do ta ketë në Teatrin Dodona në kryeqytet me ç’rast edhe hapet ky teatër pas renovimit, saktësisht “Skena e mbrëmjes”.

Shfaqja është një tragjikomedi për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Në qendër të storjes janë Çarlli Konllon dhe Xhejk Kuin, të cilët sikurse shumica e banorëve të qytezës, janë punësuar si statistë filmi. Komedia rrjedhë nga përpjekjet e produksionit që të krijojnë një “ndjesi provinciale” -një nocion romantik, i cili shpesh bie ndesh me realitetin jetësor.

Shfaqja jetësohet nga aktorët Adrian Morina dhe Ylber Bardhi, ndërsa pas skene ka një ekip në përbërje të: dramaturg-Shkëlzen Berisha, asistent regjie-Butrint Pasha, muzika-Art Lokaj, kostumografe-Albulena Borovci e producente Albulena Kryeziu.

“Hollishit” është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Kosovës, Drejtoria për Kulture e K.K. Prishtinës dhe teatri AAB “Faruk Begolli”./ KultPlus.com

Pamje nga Teatri ‘Dodona’ pas renovimit (FOTO)

Teatri ‘Dodona’ në kryeqytet ka marrë pamje të re, kjo falë renovimeve që janë bërë aty, shkruan KultPlus.

Ky renovim është bërë në: Portën hyrëse, biletoren dhe foajenë e rikonceptuar dhe rinovuar, skenë të re, krejtësisht moderne, sallë me disnivele dhe me ulëse të reja të standardizuara, revitalizim i nyjeve sanitare dhe sistemit të ventilimit dhe Izolimi i bodrumit, pjesës së liftit dhe kulmit.

Punimet në Teatër janë drejt përfundimit. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja, i ka vëzhguar nga afër punimet duke sjellë edhe disa pamje ekskluzive nga ndryshimet në teatër.

“Këto janë ambientet e Teatrit Dodona, pak ditë para përfundimit të punimeve. Segmente të punimeve të realizuara janë prezantuar në foto: ulëset në sallë, foajeja dhe hapësirat e toaleteve. Gjithë ky proces, do të rezultojë me hapësira shumë miqësore, me standarde teknike dhe të përshtatshme për vizitorët dhe për stafin e Dodonës”, është shprehur Vllahinja.

Teatri Dodona (më para i njohur si Teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave “Dodona”) është themeluar me 12 nëntor 1986 me vendim të Kuvendit Komunal të Prishtinës. /KultPlus.com