Shfaqja “Bretkosa” hapi mbrëmë festivalin PITF, ngjalli një emocion të paharruar për publikun

Xhemile Hysenaj

Arthur Milleri, e konsideronte teatrin si diçka shumë të ngjashme me jetën, diçka që është pafundësisht mahnitëse, thoshte ai. E ku më mirë se në teatër shfaqen e thuhen të pathënat e brengat që në një kohë qoftë ajo kohë aktuale qoftë e shkuar, e ka preokupuar një shoqëri te caktuar, shkruan KultPlus.

Në Kosovë, teatri zë një vend të rëndësishëm në kulturën dhe artin e vendit. Duke bërë kështu që festivalet e teatrove, të jenë shpesh herë të pranishme para publikut tonë kosovarë dhe jo vetëm.

Mbrëmë u hap zyrtarisht edicioni i tretë i festivalit të nivelit ndërkombëtar të teatrove në Kosovë, Prishtina International Theater Festival, i cili zë vend në Teatrin ”Faruk Begolli”, të Kolegjit AAB.

Hapjen e bëri regjisorja Burbuqe Berisha, e cila shprehi falënderimet më të larta për organizatorët e këtij festivali. ”Faleminderit qw keni krijuar një komunitet artistik, me një komoditet aq të mirë që bota artistike të frymojë brenda Universitetit AAB. Kjo është diçka shumë e veçantë”, tha ajo para publikut, duke e shpallur kështu zyrtarisht të hapur festivalin.

Fjalën e mori edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Jehona Shyti, e cila shprehi kënaqësinë e saj që ishte pjesë e hapjes së këtij edicioni. ”Mendoj që është një edicion i rëndësishëm. E kemi për obligim të mbështesim ngjarje të tilla që i sjellin publikut shumë vlera”, tha ajo.

Pas hapjes së festivalit, publiku vazhdoi drejt teatrit për të shikuar shfaqjen ”Bretkosa”, shfaqje kjo nën regjinë e Burbuqe Berishës, e cila shprehej të jetë tejet e kënaqur që ”Bretkosat” po shfaqej prapë për publikun kosovarë.

”Unë i dua shumë këto tema dhe ka qenë shumë kënaqësi realizimi i shfaqjes. Aktorët kanë qenë shumë të mirë dhe ka qenë njëra ndër sfidat më të mira dhe më të guximshme për mua”, potencoi ajo për KultPlus.

”Bretkosa” shpaloste një realiteti të hidhur, që ndeshej me njerëzoren, një anë njerëzore që binte ndesh me parimet personale duke bërë kështu që jeta e personazheve të merrte kahje tjetër, një kahje të padëshirueshme prej së cilës humbiste filli e zhytja në llum ishte më e thellë sesa njeriu mund ta përballonte.

Tri personazhe, tri jetë të shkatërruara, tri jetë që kërkonin me ngulm një ndryshim që me shumë gjasë nuk do të vinte kurrë.

Ilir Tafa, në rolin e një berberi, i cili në rininë e tij të hershme kishte qenë pjesë e luftës së fundit në Kosovë, me trauma të ngjitura fort pas qenies së tij prej luftëtari krenar, kishte humbur gruan dhe djalin e tij si pasojë e krizave psikike që kishte pësuar. Në tjetrën anë, vëllai i tij, rolin e të cilit e luante Donat Qosja, vuante varësinë nga alkooli dhe bixhozi i cili poashtu kishte humbur punën dhe nuk gjente guximin t’i tregonte gruas së tij të vërtetën. Shoku i tyre, një taksist që luhej nga Basri Shala, tradhtonte gruan me një vajzë të re dhe personazhi i katërt, nën interpretimin e Valmir Krasniqit, i cili vinte në formë shprese për personazhin kryesor, berberin.

Berberi (Ilir Tafa), vuante pamundësinë për ndryshim dhe vazhdimisht shtynte të vëllain dhe shokun e tyre taksist për të ndryshuar, për të filluar një jetë më ndryshe. Ndërsa, këta të dy, një gjë të tillë e konsideronin të pamundur deri në pikën që edhe talleshin me të.

Dashuria e madhe për kombin, një jetë e dëmtuar si pasojë e humbjeve dhe sakrificave, vinin nën interpretimin e një kasti prej katër aktorësh, që publikut i falën emocione të pakrahasueshme. Ku përmes këtyre katër personazheve, trajtohej e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e secilit që ka qenë viktimë e luftës dhe traumave të saj.

”Bretkosa”, ngjalli një emocion të paharruar për publikun duke përfunduar me shumë duartrokitje e brohoritje nga ana e tyre.

Të pranishëm ishin edhe disa aktorë, ndër ta edhe Vlora Merovci, e cila për KultPlus u shpreh të jetë tejet e kënaqur me shfaqjen dhe performancën e aktorëve. ”Ka një kohë të gjatë që nuk kam parë shfaqje kaq të mirë, aktorët na falën shumë emocione”, potencoi ajo për KultPlus.

Ndërkaq, Ilir Tafa i cili ishte në rolin kryesor, pohoi të jetë shumë i kënaqur që ishte pjesë e kësaj shfaqjeje. ”Është hera e 12-të apo e 13-të, që po luhet kjo shfaqje. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një kasti kaq të mirë aktorësh, që i kanë dhënë frymë dhe jetë shfaqjes”, deklaroi ai për KultPlus.

Festivali do të zgjasë deri më 9 nëntor 2019, në dy skenat e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, ku aty do të ngjiten shtatë trupa artistike në programin konkurrues, të cilat vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria e Kroacia. /KultPlus.com

Shfaqja ‘Artisti i vetëm’ vjen premierë në teatrin ‘Faruk Begolli’

Teatri Faruk Begolli në Prishtinë kësaj radhe do të mirëpres premierën e shfaqjes “Artisti i vetëm”, me autor dramaturgun gjerman Ralph Hammerthaler, përcjellë KultPlus.

Në shfaqje luan aktori Naim Berisha ( në rolin e personazhit Hans Klipp), i cili njëkohësisht është edhe regjisor i shfaqjes, kurse regjisor mbështetës është Shkelqim Bunjaku.

“Artisti i vetëm” trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për tu vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale.
Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të shfaqjes Hans Klip vetlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke renë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.

Shfaqja në mesazhin e sajë, bënë thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetënuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivleres.

Premiera e shfaqjes vjen më datë 2 nëntor në ora 18:00 në Teatrin “Faruk Begolli” në AAB. /KultPlus.com

Drama e një dashurie pas dhjetë vitesh, nga Shkupi erdhi në ‘PITF’

Një natë para përfundimit të edicionit të parë të “Prishtina International Theater Festival 2017”, erdhi shfaqja ‘’Darka e thërrimeve’’ me produksion të Teatrit Shqiptar nga Shkup, në skenën e teatrit ‘’Faruk Begolli’’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e realizuar nga autori, Refet Abazi dhe nën regjinë e Qëndrim Rijanit, në skenë fuqishëm erdhi përmes aktorëve Luran Ahmeti dhe Armenis Nokshiqi Jovanovska.

Personazhet sikur shkelin në tokën e tyre të dashurisë, të cilën e kishin braktisur për dhjetë vite. Në këtë pikëkthim ata takojnë gjurmët e dashurisë së tyre, duke shpjeguar arsyet e largimit, e cila lidhej me një frikë të fëmijërisë. Kalojnë në pyetje të njëjta për njëri-tjetrin, përgjigjet e të cilave vetëm se e japin vulën e një dashurie të pamposhtur nga koha.

Personazhet ikin me urrejtje nga njëri-tjetri, e herë kthehen me pasion për dashurinë të cilën nuk arritën ta luftojnë, as kur e braktisen. Në pikën ku ata takohen, vajza që dikur për pesë vite ishte e dhënë në atë lidhje dashurie tashmë ishte bërë grua dhe nënë e fëmijëve të një doktori i cili e kishte kthyer në jetë pasi ajo ishte shtrirë në spital nga përdorimi i substancave dhe tentative të vetëvrasjes. Përmes doktorit, ajo kishte marrë dashurinë të cilën ajo e mbante për dikë tjetër kurse ai e kishte pranuar dhimbjen e brishtësinë e saj edhe kur ajo s’kishte më forcë ta pranonte vetën.

Në anën tjetër, në këtë bisedë djaloshi që nuk bëri asgjë për ta ngre dashurinë e tyre një hap më tutje, ishte larguar atëherë kur pas katër vitesh kishte filluar ta ndjejë praninë e fortë të saj. Kulmi i bisedës së tyre pas kaq vitesh ndalej nga një bubullimë e fuqishme, e që e shtonte frikën e tij, e kthente në natën kur zbuloi tradhtinë e nënës së tij ndaj babait, atë natë kur në sytë e saj nuk takoi as turpin që e priste. Kjo histori, i drejtoi atij gjithë rrugën e jetës dhe i mbolli mosbesimin e frikën e tradhtisë, pasi që në çdo skenë e paramendonte vetëm në pozitën e babait të tradhtuar, e të dashurën e shihte në pozitën e nënës që do t’i sillte tradhtinë. E derisa ajo pëshpëriste “të kam dashur edhe para se të takoja, e të kam dashur edhe para se të njihja”, ai shfaqte natyrën e tij histerike ndaj dashurisë se fjalë të tilla i përkisnin vetëm telenovelave. Të dy, në një kohë dhe moshë tjetër, të mbetur si thërrima të diçkaje që ka ekzistuar sollën përballjen me jetën dhe dashurinë, duke transmetuar kështu mjaft emocione për publikun përmes lojës së jashtëzakonshme të aktorëve..

Ky festival sonte do të përmbyll edicionin e tij të parë me shfaqjen “Armiku i Popullit” nga Kosova. Po ashtu sonte do të zgjedhën edhe fituesit e këtij festivali, ku do të ndahen çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol kryesor, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë. Çmimet do të ndahen nga juria qendrore, juria e mediave dhe juria e studentëve./ KultPlus.com

Sot ndahen çmimet e “Prishtina International Theater Festival 2017”

Sot mbahet mbrëmja finale e ndarjes së çmimeve në festivalin “Prishtina International Theater Festival 2017”, që po mbahet në Teatrin AAB “Faruk Begolli” në Prishtinë.

Mbrëmja finale do të fillojë nga ora 20:00 me programin garues të festivalit me shfaqjen përfaqësuese të Kosovës “Armiku i popullit” në regji të Fatos Berishës.

Ndarja e çmimeve do të bëhet nga ora 22:00, shoqëruar nga një program artistik. / KultPlus.com

Teatri i Sofjes zbriti sonte në PITF ku shpalosi përpjekjet dhe koston e lirisë njerëzore

“Shërbëtoret” është shfaqja nga ekipa bullgare që erdhi në natën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, i cili po mbahet në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje ishte e realizuar nga produksioni National Theatre, me autor Jean Genet dhe me regji të Diana Dobrevo. Aktorët të cilët performuan në këtë shfaqje janë: Joreta Nikolova, Aleksandra Vasilevo, Diana Dobrevo, Muja Shishkova, Niya Shiskovo. Shfaqja është në garë për njërin nga çmimet e këtij festivali, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol kryesor, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë.

Në fokus të kësaj shfaqje paraqiten në rolet e dy shërbëtoreve, Sollanzh dhe Klara duke trajtuar kështu përmes tyre jetën dhe lirinë njerëzore. Ato të rritura në një shtëpi duke ushtruar gjithnjë rolin e shërbëtoreve, tërë jetën e tyre shërbehen me synimin për të ikur nga thundra e zonjës së shtëpisë. Të uritura për jetën dhe pushtin e Madam, në momentet kur ajo nuk gjendet në shtëpi ato mbulohen në petkun e saj të kuq, ulen në karrigen e saj dhe hidhen pas planeve për ta vrarë atë. Planet e tyre vazhdimisht të dështuara dhe pamundësia për të vrarë zonjën e tyre, bën që këto përpjekje ato t’i kthejnë për të vrarë njëra- tjetrën dhe vetën e tyre.

Drejtoresha artistike e festivalit, Burbuqe Berisha këtë shfaqje e cilësoi si një homazh për lirinë e të pafuqishmëve për me qenë të fuqishëm, ndërsa ardhjen e kësaj shfaqje nga Teatri Kombëtar i Sofjes e cilësoi si nder të madh për këtë festival dhe për publikun duke theksuar punën e aktorëve dhe veçanërisht të regjisores, të cilën e vlerësoi si njërën nga regjisorët më të mira në rajon.

Regjisorja e kësaj shfaqje, Diana Dobrevo tha për KultPlus se ndihet e lumtur që është pjesë e fillimit të këtij festivali, dhe tha se ndihet mjaft e lumtur që para publikut kosovar solli sonte këtë shfaqje në fokus të cilës ishte përpjekur që përmes dy personazheve kryesore të sjellë koston dhe përpjekjet për liri njerëzore.

Përveç kësaj shfaqje, në programin garues, nata e dytë e festivalit u pasua dhe nga shfaqja e dytë musafire “Shenjëtorja e errësirës”, një biografi teatrale kushtuar jetës dhe veprës së shenjtores shqiptare, Nënë Terezës. Kjo shfaqje është luajtur qindra herë në teatrot e Kroacisë e Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa sonte solli emocione të veçanta për publikun kosovar.

Ky festival do të vazhdoi të jetë i hapur deri më datë 21 tetor. Netët në vijim edicioni i parë i këtij festivali do të mirëpres edhe këto katër shfaqje garuese : “Vdes siç vdes një vend” nga Shqipëria, “SPEAK MEDEA” nga Irani, “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia, “Armiku i Popullit” nga Kosova. / KultPlus.com

Sonte në ‘PITF’ jepet shfaqja “Shenjëtorja e errësirës”, biografi për jetën e Nënës Terezë

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Prishtina International Theater Festival”, PITF 2017, që po mbahet në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, sot do të luhen dy shfaqje, përcjellë KultPlus.

Në programin garues të festivalit, nga ora 17.00 jepet shfaqja “Shërbëtoret”, produksion i Teatrit Kombëtar të Bullgarisë.

Nga ora 20.00 në programin mysafir të shfaqjes do të luhet shfaqja “Shenjëtorja e errësirës”, një biografi teatrale kushtuar jetës dhe veprës së shenjtores shqiptare, Nënë Terezës.

Shfaqja mysafire “Shenjëtorja e errësirës” është luajtur qindra herë në teatrot e Kroacisë e Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa sonte sjell emocione të veçanta për publikun kosovar.

Në shfaqje luajnë: Kostadinka Velkovska, Ilir Tafa, Velimir Cokljat, Ljiljana Cokljat dhe Mia Krajcar. Regjinë e shfaqjes e ka bërë regjisorja kroate Ivana Perozh.

Të gjithë të interesuarit mund të rezervojnë biletat duke kontaktuar në numrin 045197106, apo direkt në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB në Prishtinë./ KultPlus.com