Shfaqja “Antigonat” nga Erson Zymberi vjen premierë në Teatrin “Hadi Shehu”

Shfaqja “Antigonat” me regji të Erson Zymberit po vjen premierë në Pallatin e kulturës – Galeria e qytetit, në Gjakovë si një lexim i ri, ndoshta edhe arbitrar, i një rrëfimi mirë të njohur, të dëgjuar e parë shpesh edhe në skenë, përcjell KultPlus.

“Në një shkrirje të qëllimshme të dy dramave (të Sofokliut dhe Jean Anouilh), ne kemi krijuar një lëndë skenike të re, më të dendur, e të cilën e kemi plotësuar e qëndisur “me pak dhimbje të freskët – sa për të dëshmuar sërish e sërish, se fatet njerëzore përsëriten, ashtu siç përsëriten edhe dramat e tragjeditë njerëzore. Por mbi të gjitha, me këtë shfaqje, ne duam të tërheqim vëmendjen tek patriarkati, jo më vetëm si shtypës dhe si pengues i prosperitetit e zhvillimit shoqëror, por edhe si formë e shtypjes së njërës prej ndjenjave më sublime: domosdoshmërisë së njeriut për të kujtuar e për të mbajtur mend”, thuhet në njoftim.

‘Antigonat’ janë nënat, gratë e motrat tona të cilat me kurajo e vendosmëri e sfidojnë harresën, e sfidojnë arrogancën dhe përbuzjen shoqërore. Ato janë gra në zemrat e cilave gjenden muzetë e dhimbjes më të madhe njerëzore. Kur mbamendja jonë mund ta harroj pamjen e tmerrit, të mizorive, të dhimbjes e trishtimit, atë do të mund ta gjejmë sërish në sytë e zemrat e këtyre grave.

Shfaqja vjen premierë me datën 27 mars, e që ngjizë dy data, dy ditë, dy kujtime, njërën atë të ditës botërore të teatrit dhe tjetrën, ditën e zezë e të kobshme të familjes Qerkezi, ku zonjës Ferdonije Qerkezi, më 27 mars 1999, i është marrë burri dhe katër djemtë e saj. Të dy këto data, të cilat njashtu si dy maskat e teatrit shpalosin dhimbjen njerëzore dhe misionin e teatrit si platformë e medium i gjallë, i drejtpërdrejtë e i vërtetë, na bëjnë ndërtues’ e përgjegjës artistik dhe jo vetëm.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Vlora Dervishi, Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Myrvete Kurtishi, Edmond Hafizademi, Arbies Komoni, Altina Kusari.

Pas premierës së 27 marsit në Pallatin e kulturës – Galeria e qytetit, “Antigonat” pason edhe me dy premiera të tjera më datë 28 dhe 29 mars duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Albulena Kryeziu në krye të Teatrit “Hadi Shehu”: Jam rritur me dashurinë për atë vend dhe rikthimi është një emocion i veçantë

Uranik Emini

Aktorja Albulena-Kryeziu Bokshi u emërua të enjten drejtoreshë e re e përgjithshme e Teatrit “Hadi Shehu”, shkruan KultPlus.

Në rolin e saj të ri, Kryeziu do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e të gjitha aspekteve të operacioneve të teatrit, duke përfshirë prodhimin, financimin dhe administrimin. Ajo do të luajë gjithashtu një rol kyç në formësimin e drejtimit artistik të teatrit dhe do të punojë ngushtë me ekipin artistik për të zhvilluar programe dhe nisma të reja.

Në një prononcim për KultPlus, Kryeziu shprehet e lumtur që mori mandatin 4 vjeçar në Teatrin “Hadi Shehu”, derisa pret me padurim që të fillojë punën.

“Sot kam nënshkruar kontratën me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, për një mandat katër vjeçar si drejtore e përgjithshme e teatrit “Hadi Shehu”. Besoj që kam shumë energji, vullnet e dëshirë për punë që ta dërgoj tutje këtë institucion, duke pasur parasysh që jam rritur me dashurinë për atë vend dhe rikthimi në rol është një emocion vërtet i veçantë”.

Ajo gjithashtu pret mbështetjen e të gjithë kolegëve, pasi ka shumë plane që pret t’i realizoj.

“Kam shumë plane të cilat uroj t’i realizoj në këtë mandatin tim 4 vjeçar, gjithashtu besoj që do ta kem mbështetjen e të gjithë kolegëve të mi në Gjakovë dhe Drejtoria e Kulturës, të cilët më kanë premtuar se do ta kem mbështetjen e tyre. Shpresoj që punën që është bërë deri tani në Teatrin e Gjakovës ta dërgojmë tutje”, thotë ajo për KultPlus.

Gjatë viteve të fundit, ajo ka luajtur disa role të ndryshme duke pasur ndikim në zhvillimin dhe suksesin e shumë prej produksioneve të teatrove të ndryshëm në Kosovë.

Emërimi i Kryeziut si Drejtoreshë e Përgjithshëm hyn në fuqi menjëherë dhe ajo do të fillojë rolin e saj të ri duke punuar me stafin e teatrit për të zhvilluar një plan strategjik për këtë vit. /KultPlus.com

Jepet premiera e shfaqjes ‘Kaligula’, ngjall emocione të jashtëzakonshme te publiku

Mbrëmë në Teatrin “Hadi Shehu” është shfaqur premiera e shfaqjes “Kaligula”, përcjell KultPlus.

Komuna e Gjakovës ka njoftuar për këtë shfaqje, derisa ka shkruar se kjo premierë ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme te publiku.

Me një tekst të shkëlqyer nga Albert Kamy, regji impresionuese nga Kushtrim Mehmeti dhe lojë brilante të trupës së “Hadi Shehut”, kjo premierë ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme tek publiku, i cili për herë të parë pas pandemisë po i kthehet teatrit në kapacitete të plota.

“Kaligula”, është edhe një tjetër dëshmi se Teatri “Hadi Shehu”, vazhdon të mbetet njëri prej tempujve të kulturës jo vetëm për Gjakovën por edhe më gjerë.

Në këtë premierë janë paraqitur aktorët Edi Gjakova, Yllka Lota, Besfort Berberi, Vlora Dervishi, Arbies Komoni, Muradije Muriqi, Myrvete Kurtishi, Valon Pallaska dhe Altina Kusari, ndërkaq në skenografi në mënyrë maestrale ka punuar skenografi Petrit Bakalli. /KultPlus.com

Teatri “Hadi Shehu” do të përfaqësojë Kosovën në festivalin ndërkombëtar ‘SkupiFestival’

Teatri “Hadi Shehu” së shpejti do të përfaqësojë Kosovën në festivalin ndërkombëtar ‘SkupiFestival’ me shfaqjen e vetme nga Kosova “+18” nga David Mamet dhe Arian Krasniqit si dhe me regji të Qendrim Rijani-t, përcjellë KultPlus.

Shfaqja nga Kosova do të hap festivalin me datë 07.09.2021 duke filluar nga ora 20:00.

KultPlus ju sjell njoftimin e tyre të plotë:

Nuk ka vikend, nuk ka pushim.
Puna e madhe shpresojmë të reflektoj maksimalisht në ITF SkupiFestival ku do të kemi nderin ta hapim festivalin ndërkombëtar duke pëfaqësuar Teatrin/Qytetin dhe si e vetmja shfaqje nga Kosova edhe Shtetin, me datë 07.09.2021 në ora 20:00 me “+18” nga David Mamet dhe Arian Krasniqit me regji të Qendrim Rijani-t.
Në foto gjysma e ekipes.
Të vaksinuar dhe të mbrojtur duke përdorur masat mbrojtëse. / KultPlus.com

Shfaqja “Gjashtë” vjen premierë në Teatrin “Hadi Shehu”

Teatri i Qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, do të mirëpresë ditën e nesërme premierën e radhës, shkruan KultPlus.

Shfaqja titullohet “Gjashtë” dhe është shkruar nga autori Arian Krasniqi, ndërsa vjen nën regjinë e Valon Pallaskës.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët Edi Kastrati dhe Elida Shasivari.

“Gjashtë” është një shfaqje që aktualizon dënimin me vdekje, që është i ligjshëm në shumë vende të botës.

Skena është përgatitur nga Petrit Bakalli.

Premierë e shfaqjes “Gjashtë” vjen nesër në ora 20:00 në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë.

Drama e Arian Krasniqit, është shfaqja e parë që e fillon sezonin vjeshtor të teatrit të Gjakovës. Teatri ka njoftuar që për shkak të numrit të limituar të publikut duhet ta siguroni biletën tuaj me kohë. / KultPlus.com

“Let’s have sex” të premten premierë në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë

“Let’s have sex”, me regji të regjisorit Valon Pallaskës, të premten mbrëma shfaqet premierë në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu”, në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje sjellë në kastën e aktorëve Edmond Hafizademi, Vlera Pylla, Ylber Mehmeti, Yllka Lota dhe Altina Kusari.

Personazhet vijnë nga askundi dhe shkojnë në askund, ata janë të njohur për njëri tjetrin e megjithatë duket sikur e shohin njëri tjetrin për herë të parë. Veprimet e personazheve motivohen nga vetmia, nga nevoja e tyre për dashuri dhe për lidhje emocionale, nga dëshira e tyre për të ikur. Të gjithë personazhet në këtë dramë të çuditshme flasin dhe mendojnë vetëm për seksin!

Shfaqja nuk lejohet për personat nën moshën 16 vjeç, ndërsa vjen premierë më 17 nëntor me fillim nga ora 20:00. Reprizat e shfaqjes janë: 18, 22, 23 nëntor. / KultPlus.com

Teatri i Qytetit të Gjakovës merr emrin e aktorit Hadi Shehu

Sot është mbajtur mbledhja e shtatë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës ku janë diskutuar dhjetë pika të rendit të ditës, ndër të tjera edhe ato në fushën e kulturës, përcjellë KultPlus.

Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Asamblesë Komunale në Gjakovë, u miratua unanimisht pa asnjë votë kunder dhe asnjë abstenim, pika e rendit të ditës për emërtimin e ri të Teatrit të Qytetit me emrin e aktorit të madh të skenës gjithë kombëtare, Hadi Shehu dhe nga sot e tutje Teatri do të mbajë me përgjegjësi të plotë emrin “Teatri i Qytetit-Hadi Shehu”. / KultPlus.com