‘Pa faj’, Teatri i Durrësit shfaqje në amfiteatrin antik

Teatri i Durrësit “Aleksandër Moisiu” ka vënë në skenë dramën e Feliks Mitherer, “Pa faj”. Me regji të Mimoza Marjanakut, “Pa Faj” trajton temën përherë aktuale, të dhunës ndaj grave: fajin që bie mbi gruan, mbrojtjen e munguar nga instancat shtetërore, dhunën fizike e psikologjike dhe fatin që i pret fëmijët, që rriten nga nëna të lënduara psikologjikisht.

Të gjitha këto çështje, u sollën për publikun, nga aktorët Ina Nallbani, Xhejni Fama, Mimoza Marjanaku, Marvin Tafaj e Gjergj Doçi.

Trupa e aktorëve luajti në skenën antike të Amfiteatrit të Durrësit.

Me mbështetjen e Bashkisë Durrës si dhe të Qendrës Muzeore Durrës, shfaqja do të luhet çdo mbrëmje, deri në 13 gusht, duke përcjellë mesazhin se duhen marrë masa urgjente për të garantuar që të drejtat e grave të respektohen dhe të mbrohen./ atsh/ KultPlus.com

Shfaqja ‘A flasim për burrat’ shfaqet në teatrin e Durrësit

Tri shoqe, tri gra, secila me karakterin e saj të veçantë dhe qasjen e ndryshme në marrëdhënien me burrat.

Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit ka hapur dyert mbrëmjen e kaluar për komedinë “A flasim për burrat” me regji të Andeta Radit. Një shfaqje argëtuese mbi fuqinë dhe brishtësinë femërore ku burrat vetëm fizikisht nuk janë protagonistë, pasi çdo situatë dhe bisedë sillet rreth tyre, fuqisë mashkullore dhe gjetjes së burrit ideal.

E konceptuar si një komedi situatash që fton për reflektim dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin , aktoret Rozana Radi, Blerta Belliu dhe Lola Meta u duartrokitën edhe për ndërveprimin me spektatorët në sallë që solli mjaft të qeshura.

Komedia, që spikat edhe për përzgjedhjen muzikore në funksion të së tërës, do të vijojë të shfaqet edhe në fundjavë për artdashësit durrsakë./KultPlus.com

Ben Apolloni me shfaqjen ‘Natë misterioze’ në teatrin ‘Aleksandër Moisiu’

Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës kësaj radhe do të mirëpres një shfaqje të re dhe shumë të veçantë, provat për të cilën tashmë veç kanë filluar, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për shfaqjen “Natë misterioze” të autorit Ferdinand Hysi, e të cilën në skenë do ta sjellë regjisor nga Kosova Ben Apolloni.

Drama, rrëfen për një takim misterioz të katër personazheve që nuk e dinë se kush janë dhe janë në kërkim të identitetit. E kjo i bën që të shkojnë në një vend misterioz, në një shtëpi misterioze dhe të takohen me personazhe tjerë, që janë shumë misterioz. Se a do të zgjidhen gjithë këto mistere të një nate, mbetet të shihet në premierë.

Shtatë personazhet e kësaj drame do t’i sjellin në skenë aktorët: Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Xhejni Fama, Amos Muji Zaharia, Gjergj Doçi, Marvin Tafaj dhe Ervin Doko.

Për datën e premierës ende nuk është vendosur, por KultPlus do të ju njoftoj me kohë. / KultPlus.com