Teatri i Gjilanit bën të ditur orarin e shfaqjeve për muajin shkurt

Teatri i Qytetit të Gjilanit ka bërë të ditur orarin e shfaqjeve për muajin shkurt, shkruan KultPlus.

“Tartufi”, “Bretkosa”, “E Vërteta”, “Burrnesha, “Charles III”, dhe “Ela Mira dhe Shtëpia Magjike” janë shfaqjet që do të prezentohen këtë muaj në Teatrin e Gjilanit.

Më poshtë mund të shihni edhe orarin e shfaqjeve. /KultPlus.com

Teatri i Gjilanit sjell dramën ‘Kopshti i hijeve’, trajton fatin e Saranda Bogujevcit gjatë luftës së fundit në Kosovë

Drama “Kopshti i hijeve” e shkruar nga dramaturgja britanike Sara Hehir, është e bazuar në masakrën e familjes Bogujevci në Podujevë, gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe vjen premierë në Teatrin e Gjilanit me regji të regjisores angleze me origjinë polake, Nastazja Domaradzka.

Familja Bogujevci u vra, katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, në Podujevë, më 28 mars 1999 nga pjesëtarët e një njësie paraushtarake serbe të njohur si “Akrepat”. Viktima më e re ishte dy vjeçe.

Gjatë kësaj masakreje, Saranda Bogujevci, iu mbijetoi 16 plumbave, dhe humbi 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit. Me përfundimin e konfliktit dhe hyrjen e trupave të NATO-s, Bogujevci dhe katër kushërinjtë e mbijetuar u evokuan në qytetin anglez të Mançesterit, ku ajo u operua dhe vazhdoi mjekimin, si dhe studimet. Ajo u kthye në atdheun e saj në vitin 2014.

Saranda Bogujevci, atëherë 18 vjeçe, bashkë me tre kushërinjtë e saj, u bënë viktimat e para etnike shqiptare që dëshmuan përpara një gjykate serbe, për mizoritë e kryera nga forcat serbe./KultPlus.com

Shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit ftohet të merr pjesë në festivalin ndërkombëtar të teatrit në Katowice të Polonisë

Pas suksesit të jashtëzakonshëm, shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit ftohet të merr pjesë edhe në një festival ndërkombëtar të teatrit në Katowice të Polonisë, shkruan KultPlus.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “OPEN THE DOOR” do të mbahet në datat 19-26 qershor 2022 në Katowice të Polonisë, në Teatrin Slaski, i cili sivjet edhe feston 150 vjetorin e themelimit të tij.

Sipas organizatorëve, festivali asnjëherë nuk ka frikë nga temat e vështira, sepse të gjithë ne duhet të ballafaqohemi me to. Prej disa vitesh, festivali është marrë me temën e përjashtimit, duke zbuluar kësisoji edhe fytyrat e vërteta të tij. Gjatë edicionit të sivjetmë të festivalit OTD, përmes programit e shfaqjeve pjesëmarrëse dëshiron të tërheq vëmendjen tonë në mënyrë të veçantë për çështjen e refugjatëve, për ankthin që shoqëron shumë njerëz sot – shpesh edhe fqinjët tanë.

“a.y.l.a.n” fituese e disa çmimeve të rëndësishme të teatrit si “shfaqja më e mirë”, “regjia më e mirë”, “aktori më i mirë” e së fundmi edhe me çmimin ndërkombëtar “grand jury prize” në Festivalin Kontrapunkt 56, në Szczecin, trajton pikërisht dramën e refugjatëve dhe do të jepet me datën 26 qershor 2022, ora 19:30 në Festivalin “Open dhe door” në Poloni.

“Poloni, ne po viiiiiiiiiiiiiiijmë 🙂
Poland, here we coooooooomeeeeeee :)”, ka shkruar Teatri i Gjilanit në Facebook.

“a.y.l.a.n”
Prodhim i Teatrit të Qytetit të Gjilanit

Nga: Jeton Neziraj
Regjia: Blerta Neziraj

Luajnë: Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi

Drejtor artistik: Erson Zymberi
Skenografia dhe kostumet: Mentor Berisha
Koreografia: Gjergj Prevazi
Muzika: Tomor Kuçi
Dizajni i dritave: Yann Perregaux
Asistent regjisor: Avni Shkodra

Realizatorë të skenografisë: Mejdi Hoti, Haki Aliu, Fehmi Hoti
Ndriçues: Fatmir Halili
Tonist: Florim Gagica
Rekuiziter: Suad Berisha
Garderobiere: Bahrije Kurtalani /KultPlus.com

Sonte shfaqet premiera e “Gënjeshtër pas gënjeshtre” në Teatrin e Gjilanit

Sonte do të jepet shfaqja premierë “Gënjeshter pas gënjeshtre” në Teatrin e Gjilanit.

Shfaqja “Gënjeshter pas gënjeshtre” e Anthony Nielson, me regji të Sevdije Ajetit do të filloj nga ora 20:00.

Ndërkaq, shfaqja do të jepet edhe nesër (31 maj).

Sa mund të vret një e vërtetë? A duhet ta themi gjithmonë atë apo mund dhe ta zbusim nëse dhimbja është më e vogël. Gënjeshtër pas gënjeshtre është një komedi e cila përmes situatave jashtëzakonisht komike do të ju bëjë të kaloni një natë fantastike në teatër..” / KultPlus.com

Komedia ‘E vërteta’ do të shfaqet tre netë radhazi në Teatrin e Gjilanit

Në Teatrin e Qytetit të Gjilanit për tre netë radhazi, nga 23 shkurti, do të shfaqet komedia “E vërteta” nga Florian Zeller, me regji të Agon Myftarit dhe kjo shfaqje është prodhim i Teatrit të Gjilanit, shkruan KultPlus.

“E vërteta përballë apo ballafaqon dy çifte, të cilët gjatë jetës së tyre kanë humbur kuptimin e së vërtetës.

Sa larg do të shkojnë ata për ta fshehur atë, kush tradhëton kë, pse tradhëtohet, kush është më i mirë në tenis, cila është e vërteta, a humbet ajo mes rreshtave apo thuhet, sa të dhemb dhe sa mund ta duroni të vërtetën.

Në këtë shfaqje luajnë: Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Avni Shkodra dhe Safete Mustafa.

“E vërteta” do të fillojë nga ora 19:00 dhe do të shfaqet për tre netë radhazi. /KultPlus.com

Shfaqja ‘E vërteta’ e regjisorit Agon Myftari me premierë në Teatrin e Gjilanit

Në Teatrin e Gjilanit regjisori Agon Myftari ka filluar punën për shfaqjen ‘E vërteta’ të shkrimtarit dhe dramaturgut francez Florian Zeller, premiera e së cilës do të luhet në muajin prill, shkruan KultPlus.

Në shfajqen  ‘E vërteta’ (La vérité) do të luajnë Kushtrim Qerimi, Avni Shkodra, Safete Mustafa dhe Tringa Hasani.

Lajmi për shfaqjen e Myftarit është bërë i ditur nga vetë Teatri i Gjilanit të cilët dhe i kanë uruar suksese regjisorit Myftari.

Agon Myftari është regjisor i mirënjohur kosovar i brezit të ri. Ai i diplomua në vitin 2008 në Fakultetin e Arteve, drejtimi i Regjisë Teatrore në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2011, Myftari përfundon studimet post-diplomike dhe merr gradën “Master i Regjisë Teatrore” në drejtimin e “Teatrit të absurdit” me shfaqjen “Duke pritur Godonë” nga Samuel Beckett. Në vitin 2015 Myftari emërohet Udhëheqës Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe drejtoi artistikisht këtë institucion për një mandat të plotë katër-vjeçar.

​Agon Myftari ka bërë regjinë në më shumë se 15 produksione teatrore deri tani, dhe disa shfaqje për fëmije. Ai u dallua si student në drejtimin e regjisë teatrore duke u shpërblyer në Festivalin Ndërkombëtar për Teatër dhe Film “Skena UP” në 2006 dhe 2007. Në vitin 2009 ai bën regjinë e parë në një produksion profesional në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe qysh atëherë ai punon si regjisor i pavarur teatri. Në vitin 2018 ai ishte anëtar i laboratorit LCT Director’s Lab në Neë York (program që zgjat një muaj dhe ku marrin pjesë rreth 70 regjisorë nga e mbarë bota). Që nga qershori i vitit 2018, me pjesëmarrjen e shfaqjes “Peer Gynti nga Kosova” në festivalin ‘Schone Ausicht Festival’ në Stuttgart, puna e Agon Myftarit si regjisor fillon të jetë prezente në festivale të ndryshmë të rëndësishmë teatrore europiane. Z. Myftari vazhdon të punojë si regjisor në bashkëpunim me teatrot private si dhe ato shtetërore si në Kosovë poashtu edhe jashtë saj./ KultPlus.com

Komedia “Kosovo for Dummies” nga Blerta Rrustemi Neziraj vjen premierë në Teatrin e Gjilanit

Komedia “Kosovo for Dummies” vie premierë në Teatrin e Gjilanit, teksa njëherit do të hap edhe Festivalin e Dramës Origjinale Shqipe, shkruan KultPlus.

E shkruar nga Jeton Neziraj dhe nën regjinë e Blerta Rrrustemi Nezirajt, komedia që do të shfaqet më 23 janar, rrëfen historinë e personazhit me emër Antigona, e cila është nga Kosova dhe përpiqet të fitoj lejeqëndrimin në Zvicër. Përgjatë këtij rrugëtimi asaj iu duhet të dëshmoj se nuk është një rinoqeront.

“Në shfaqje nuk do të derdhet as një pikë gjaku, sado që ngjarjet që ajo i shtjellon janë mjaft dramatike. Madje-madje, nuk do të eksplodojë as edhe ndonjë bombë, pavarësisht se njëri nga personazhet e shfaqjes është mysliman dhe kjo mund të paragjykohet nga dikush”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Gjilanit.

Fundi i kësaj shfaqje bëhet me dije se do të jetë i lumtur, teksa rrëfimi do të jetësohet nëpërmjet shfaqjeve artistike të aktorëve Tringa Hasani, Aurita Agushi, Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Gani Rrahmani, Avni Shkodra, Safete Mustafa. / KultPlus.com

Anulohen shfaqjet në Teatrin e Gjilanit

Teatri i qytetit të Gjilanit ka njoftuar se do t’i anuloj shfaqjet të cilat kanë qenë të parapara të mbahen nga data 21 deri më 26 dhjetor.

Në njoftim thuhet se kjo po bëhet për shkak të përgatitjeve dhe angazhimeve në programin e Festivalit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2021.

Teatri i qytetit ka bërë të ditur se do të rikthehen me reprizat.

Më poshtë keni njoftimin e plotë:

I dashuri publik i teatrit tonë!

Shfaqjet të cilat kanë qenë të planifikuara të mbahen me datë 21, 23 dhe 26 dhjetor sipas programit tonë të muajit dhjetor, do të ANULOHEN për shkak të organizimit, përgatitjeve dhe angazhimeve tona në shfaqjen dhe programin e Festivalit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2021”.

Ne do të vazhdojmë të rikthehemi me reprizat tona pas festivalit./ KultPlus.com

Sëmuret aktori, Teatri i Gjilanit anulon shfaqjen “Audienca e Vaclav Havelit”

Në Teatrin e Gjilanit, sot pritej të jepej shfaqja “Audienca e Vaclav Havelit” në ora 16:00, por kjo shfaqje është anuluar.

Në faqen zyrtare në Facebook, Teatri i Gjilanit ka njoftuar se shfaqja mysafire e Qendrës Multimedia po anulohet për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të njërit prej aktorëve.

“Shfaqja mysafire e Qendrës Multimedia “Audienca e Vaclav Havelit” e planifikuar të jepet sonte, e enjte, me fillim nga ora 16:00, ANULOHET, për shkaqe shëndetësore të njërit nga aktorët e shfaqjes. Teatri i Gjilanit i uron shëndet aktorit dhe kërkon mirëkuptim nga publiku i jonë i dashur!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Teatri i Gjilanit fillon provat për komedinë “Kosovo for dummies” të autorit Jeton Neziraj

Teatri i Qytetit të Gjilanit ka filluar provat për të shfaqur komedinë e autorit Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Neziraj, “Kosovo for dummies”, shkruan KultPlus.

Komedia “Kosovo for dummies” rrëfen historinë e Antigonës nga Kosova, e cila, për të fituar lejeqëndrimin në Zvicër, duhet të dëshmoj që nuk është një rinoqeront. Megjithatë, t’u themi që në fillim: në shfaqje nuk do të derdhet as një pikë gjaku, sado që ngjarjet që ajo i shtjellon janë mjaft dramatike. Madje-madje, nuk do të eksplodojë as edhe ndonjë bombë, pavarësisht se njëri nga personazhet e shfaqjes është mysliman dhe kjo mund të paragjykohet nga dikush. Drama ka fund të lumtur.

“Me satirë tregohet raporti ndaj emigrantëve, përmes një loje të pazakontë, gati si në ëndërr, por me plot forcë poetike”, citohet Michael Feller, Berner Zeitung në postimin në faqen zyrtare të teatrit të qytetit të Gjilanit.

Ndërkaq në këtë postim tregohet se Lena Rittmeyer dhe Der kleine Bund për shfaqjen e Jeton Neziraj kanë thënë se “Autori Jeton Neziraj then realitetin brutal dhe ndërton në skenë një realitet të ri. Me këtë krijon një drejtësi që të ngushëllon”.

Në shfaqje do të luajnë: Aurita Agushi, Tringa Hasani, Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi, Gani Rrahmani, Safete Mustafa dhe Ernest Zymberi./ KultPlus.com

Është hapur thirrja për Laboratorin e dramës bashkëkohore shqipe

Teatri Kombëtar i Kosovës, Qendra Multimedia, Teatri i Gjilanit, Teatri i Ferizajit ‘’Adriana’’, Etno Teatri në Kukaj ka hapur thirrjen për Laboratorin e dramës bashkëkohore shqipe, shkruan KultPlus.

Laboratori i dramës bashkëkohore shqipe do të mbahet në fshatin Kukaj në dy faza nën drejtimin e regjisorit e dramaturgut Fadil Hysaj. Pjesa e parë do të mbahet mes periudhës 27 nëntor-3 dhjetor, ndërkaq pjesa e dytë më 18-22 dhjetor të këtij viti.

Të interesuarit për pjesëmarrje në këtë laborator duhet të jenë në intervalin e moshës mes 18-45 vjeç, teksa të përzgjedhurit do të kenë rastin të përfshihen në proceset kreative të shkrimit të dramës.

Dramat e përfunduara të çdo pjesëmarrësi do të prezantohen para publikut si një lexim skenik dhe do të botohen në një vëllim. Nga të gjitha të shkruarat, tre më të mirat do të përkthehen në gjuhën angleze dhe do të promovohen përmes rrjetit ndërkombëtar të dramaturgjisë-Eurodram.

Afati i fundit për aplikim është deri më 19 nëntor, kurse 7 persona janë të paraparë që të përzgjidhen gjithsej./KultPlus.com

Haziri: Teatri i Gjilanit e zgjidhi problemin 20-vjeçar të pavarësimit dhe buxhetimit shtetërorë

Pritjes për zgjidhjen e statusit të Teatrit të Qytetit të Gjilanit, me problemet që kishin në aspektin financiar dhe ligjor për aktorët dhe trupën e këtij institucioni i erdhi fundi, sepse sot janë nënshkruar kontratat e aktorëve dhe stafit teknik dhe kështu është bërë pavarësimi i institucionit më të madh të kulturës, përcjellë KultPlus.

Në fjalën e tij kryetari Lutfi Haziri, ka uruar për këtë hap të rëndësishëm dhe ka shpalosur kujtime e tij që nga paslufta në angazhimin për zgjidhjen e problemit që sot e tutje i mbetet të kaluarës.

“Kujtoj momentin e vështirë sa isha si 29 vjeçar në udhëheqje të Gjilanit, kur pas ballafaqimit të protestës së parë për lirimin e të burgosurve politik, menjëherë filloi greva e aktorëve për zgjidhjen e problemit të tyre të pagave dhe të statusit të Teatrit të Gjilanit si institucion dhe e drejtë e tyre, por e zhagitur në vazhdimësi. Tash jemi 20 vjet më vonë kur ky problem po zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Komuna e Gjilanit gjithmonë do të jetë në mbështetje të aktiviteteve dhe zhvillimin e kulturës”, ka deklaruar kryetari Haziri.

Ai ka potencuar se burokracia në nivelin qendror për zgjidhjen e këtij problemi kë bërë që për dy dekada kjo barrë e ballafaqimit ti lihet Komunës, e cila ishte edhe ashtu me limite e kufizime të mëdha buxhetore.

“Sfida ka qenë e përbashkët për dy dekada, e posaçërisht pas vitit 2007, mirëpo me angazhim maksimal, me rrugë ligjore dhe zyrtare ky problem tashmë është zgjidhur bashkërisht. Tani i mbetet menaxhmentit të Teatrit dhe aktorëve që ta zhvillojnë kulturën dhe ta dëshmojnë angazhimin e përbashkët në rrugën përpara”, tha kryetari Haziri.

Lutfi Haziri, mes tjerash ka thënë se po punon që objekti i Teatrit të jetë vetëm për këtë institucion, ku tashmë është larguar nga aty biblioteka e qytetit “Fan S. Noli”, biblioteka e fëmijëve dhe do ta largojmë edhe administratën, sepse kjo hapësirë i duhet aktiviteteve të Teatrit dhe aktorëve për punën e tyre.

Ndërsa nga ana e tij Erson Zymberi, drejtor i Teatrit, ka falënderuar kryetarin Haziri për angazhimin e tij në zgjidhjen e statusit dhe njëkohësisht për mbështetjen e madhe që ka dhënë në mbajtjen gjallë të kulturës, përmes mbështetjes së vazhdueshme financiare në të gjitha aspektet.

Ai më tej ka konfirmuar se Gjilani tashmë do të ketë kalendarin e qartë të punës që do të bëhet me një ekip elite të aktorëve dhe stafit në përgjithësi, për ta mbajtur publikun aktiv sikur dikur me shfaqje e projekte të cilat do ta dëshmojnë për gjallërinë kulturore të kryeqendrës së kulturës kombëtare.

Ndërsa, Naser Zymberi, kryetar i sindikatës dhe Sabedin Shahiqi, kryetar i bordit, kanë falënderuar kryetarin për punën që ka bërë që sot Teatri i Qytetit të jetë një institucion i pavarur, me aktorë e staf të kompletuar, duke konfirmuar se Gjilani tashmë ka një fuqi zyrtare të zhvillimit të projekteve kulturore. / KultPlus.com

“a.y.l.a.n”, shfaqja më e mirë e Festivalit “Talia e Flakës 2020”

Shfaqja “a.y.l.a.n” që përfaqësoi nikoqirin, Teatrin e Qytetit të Gjilanit, përmbylli Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”,  që mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2020”, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ndërsa juria vlerësuese në përbërje: Agim Selimi, regjisor, Visar Krusha dramaturg dhe Ekrem Sopi regjisor, i kanë vlerësuar prurjet e këtij edicioni dhe kanë ndarë çmimet e parapara për këtë Festival, shkruan mediafokus.

Kështu, ”Drama më e mirë origjinale e Festivalit”, u vlerësua, ajo e Fadil Hysaj, shfaqja “Shkamat”.

Çmimin “Shfaqja më e mirë e Festivalit” ishte shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit.

“Regjia më e mirë e Festivalit”, ishte çmimi që iu nda regjisores Blerta Rrustemi – Neziraj për shfaqjen “a.y.l.a.n”.

Çmimi “Aktorja më e mirë e Festivalit”, i takoi aktores Sheqerie Buqaj, për rolin në shfaqjen “Shkamat”.

Çmimi “Aktori më i mirë i Festivalit”, i takoi aktorit Xhevdet Doda, për rolin në shfaqjen “Shkamat’

Ndërsa, Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit bëri të ditur edhe për disa çmim speciale që do t’i ndajnë e që i bëjnë nderë Teatrit, angazhimi i të cilëve ka bërë që të kemi këtë interesim të madh për teatrin.

Kështu, çmimi Post Mortum  iu nda aktorit dhe regjisorit Nuhi Matoshi.

Çmimi tjetër iu dedikua aktorit Muharrem Sylejmani, njëri ndër meritorët që Teatri ka këtë të arritur .

Po ashtu, u ndan edhe dy mirënjohje: edhe atë për Burhan Sylejmanin dhe Behajdin Hoxha.

Përndryshe, Deniza Limani, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport  dhe kryesuese e Bordit të këtij manifestimi , në përmbyllje të Festivalit “Talia e Flakës”,  përshëndeti të pranishmit në emër të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Hazirit, duke u shprehur e lumtur që pjesëmarrja dhe interesimi për të përcjellë këtë manifestim ishte i madh. Ajo veçoi veçmas interesimin e të rinjve me çka  garantohet  e ardhmja e këtij festivali, përkatësisht e këtij manifestimi.

Përndryshe, kur jemi te shfaqja e natës së fundit  “a.y.l.a.n”, që doli të jetë edhe shfaqja më e mirë e festivalit, mund të themi se pamja e vogëlushit sirian Aylan Kurdi, i shtrirë në bregdetin turk pasi ishte mbytur në Detin Mesdhe, në vitin 2015,  duket të ketë inspiruar edhe autorin Jeton Nezirajn dhe regjisoren Blerta Rrustemi-Neziraj., që përmes  aktorëve të Teatrit të Qytetit të Gjilanit, sollën  për publikun e mrekullueshëm që ka Gjilani, shfaqjen “a.y.l.a.n.”, shfaqje kjo që në mënyrë ironike shpërfaq dramën aktuale të refugjatëve në Evropë dhe përpjekjen e paskrupullt të shumë njerëzve për të përfituar nga tragjedia e tyre.

Dhe, përderisa në shumicën e vendeve evropiane, ndjenjat anti-refugjatë janë në rritje, ndërkohë që empatia për dramën dhe vuajtjen e tyre ka filluar të zbehet, shfaqja ‘a.y.l.a.n.’ na konfronton me domosdoshmërinë për të parë dramën e tjetrit në vetveten tonë.

Kjo shfaqje, prodhim i Teatrit të Gjilanit,  me autor Jeton Neziraj e me regji të Blerta Neziraj, u luajt nga: Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi.

Përndryshe,  aktivitetet e manifestimit “Flaka e Janarit 2020”, do të vazhdojnë më 28 janar kur mbahet Festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës” në sallën e teatrit të qytetit.

Ndërkaq, në ditën e fundit, më 31 janar, zhvillohen dy aktivitete – Ora e madhe letrare “Pena e  Flakës”, ku shpallen edhe rezultatet e konkursit letrar në prozë dhe poezi si dhe Festivali i këngës popullore “Fest Flaka”. /KultPlus.com

“Erdhi Godoja” premierë në Teatrin e Gjilanit

Ndërkohë që në shumë salla teatri nëpër botë janë “Duke pritur Godonë”, në Teatrin e Qytetit-Gjilan veçse “Erdhi Godoja”.

Teatri i Qytetit te Gjilanit, këtë te premte më datë 24 maj me fillim nga ora 21:00, do të ketë premierën e shfaqjes “Erdhi Godoja” nga Daniel Curzon dhe regji të Shkelzen Berisha. 

 Një parodi absurdiste me humor fantastik nga Daniel Cruson, e cila vjen e interpretuar nga aktorët: Avni Shkodra, Gani Rrahmani, Tringa A. Hasani dhe Njomëza Kalaveshi.

“Erdhi Godoja”, skenografina dhe kostumet e së cilës janë realizuar nga Berkim Korca, është një shfaqje jashtëzakonisht e larmishme në teknika të punës, në ngjyra të personazheve, me kujdes estetik mjaft të veçantë në harmonizimin e muzikës, elementëve skenografik e vizual dhe kostumeve krahas situatave skenike.

Historia e dy njerëzve pa ndonjë destinacion të qartë jetësor vetëm sa për t’i bërë aktive jetët e tyre, të cilët arsyetohen se janë në pritje të shpëtimtarit të tyre, që edhe kur ju vjen, ata dështojnë ta kuptojnë atë që kanë pritur tërë jetën – Domethënien!

Gjithçka do të prezantohet mes situatave me plot humor dhe pamjes së sjelljeve absurde që burojnë kontekste që i ndeshim në jetët tona çdo ditë. Katër aktorë do të përjetojnë fijen që lidh jetët e përditshme me situata mbushur me varietete spektakli skenik, për gjetjen e përgjigjeve të shumë pikëpyetjeve shpirtërore, materiale dhe intelektuale, do të japin një pamje të përthellë të dualitetit të natyrës njerëzore.

Repriza e parë e shfaqjes do të jepet më datë 25 maj në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. / KultPlus.com

“Vrapo pas gruas tënde” vjen premierë në Teatrin e Qytetit të Gjilanit

Teatri i Qytetit të Gjilanit do të mirëpres shfaqjen “Vrapo pas gruas tënde” nga Ray Cooney dhe me regji të Ekrem Sopit, përcjellë KultPlus.

Shfaqja në qendër të saj ka një taksist londinez i cili menaxhon në mënyrë perfekte dy martesa super sekrete të tij, me dy gra të ndryshme, pa e kuptuar ato për njëra – tjetrën, derisa një akt heroizmi i këtij “bigamisti” kërcënon të nxjerrë në pah fluskat e së vërtetës.

“Vrapo pas gruas tënde” është një super komedi e një nate pranverore bashkë me dhjetëra situata sa qesharake aq edhe të komplikuara.

Në këtë shfaqje luajnë: Njomëza Kalaveshi, Gani Rrahmani, Tringa A. Hasani, Alban Shahiqi, Ernest Zymberi, Gëzim Bucolli dhe Naser Zymberi

Skenograf dhe kostumet janë realizuar nga Bekim Korça, ndërsa përkthimi dhe adaptimi është bërë nga Shkelzen Berisha.

Shfaqja vjen premierë më 29, 30 mars në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, me fillim në ora 20:00. / KultPlus.com

“Shfaqja që shkon keq” me regji të Ilir Bokshit, premiera e radhës në Teatrin e Qytetit në Gjilanit

Nesër më 14 nëntor, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, vjen premiera e shfaqjes “Shfaqja që shkon keq”, me regji të regjisorit Ilir Bokshi, shkruan KultPlus.

“Shfaqja që shkon keq” me tekst të Henry Shield, Jonathan Sayer dhe Henry Leëis, vjen nën lojën e aktorëve si: Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Alban Shahiqi, Safete Mustafa Bafitu, Gani Rrahmani, Avni Shkodra dhe Tringa Hasani.

Kjo komedi sjellë një trupe amatorësh dhe një përpjekje e tyre maksimale për të realizuar një shfaqje. Vrasje enigmatike, dyshime dhe mbi të gjitha DËSHTIME, janë ato që e përcjellin publikun gjatë gjithë kohës. Një gjë është e sigurt: Shfaqja duhet të shkoje deri në fund. Patjetër. Pa kusht.

Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga Bekim Korça, muzika vjen nga Art Lokaj ndërsa asistent regjie është Ali Demi.

Premiera e shfaqjes vjen më 14 nëntor me fillim nga ora 20:00 ndërsa repriza e saj e parë shfaqet më 26 nëntor në po te njëjtin orar./ KultPlus.com

Teatri i Gjilanit me shfaqje për Halloween

Në ditën e Halloween, Teatrit i Gjilanit ka mbajtur shfaqje dhe performancë për fëmijët e Gjilanit, “Haunting House”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Skenografi i shfaqjes “Haunting House”, Bekim Korça, ka deklaruar se shfaqja i ka tejkaluar pritjet e tyre, duke i dhënë më shumë kuptim artistik dhe duke i ikur shabllonit të shënimit të Halloweenit në vitet paraprake.

“Ideja ka qenë që të bëjmë diçka të jashtëzakonshme për Halloween, t’i ikim shabllonit dhe t’i japim më shumë kuptim artistik. Këtu ka pasur skenar dhe janë ndërtuar shtatë skena të veçanta që prej hyrjes së teatrit. Vërtetë ne jemi impresionuar nga interesimi i madh i fëmijëve për ta parë këtë shfaqje”, ka thënë Korça.

Organizatore e shfaqjes “Haunting House” ka qenë Njomëza Kalaveshi, ndërkaq është realizuar nga trupa rezidente e teatrit të Gjilanit. Shfaqjen e kanë parë disa grupe të fëmijëve./KultPlus.com

Teatri i Gjilanit sonte hapë edicionin e 12-të të ‘Skupi Festival’

Nga sot deri më 30 tetor në Qendrën Kulturore Rinore do të mbahet edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar – Skupi Festival, në të cilën do të marrin pjesë 7 shfaqje nga po aq vende.

Artdashësit nga rajoni i Shkupit, por edhe më gjerë, për shtatë mbrëmje radhazi, do të kenë mundësi të ndjekin edicionin e 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove –“Skupi Festival”, kurse në skenë pritet të paraqiten trupat teatrore nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Italia, Bulgaria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Rumania.

Festivali, i cili tradicionalisht mbahet për 11 vite me radhë do të zgjasë shtatë ditë, kurse artdashësit do të kenë mundësi ti përcjellin shfaqet çdo ditë me fillim prej ora 20:00 në Qendrën Kulturore Rinore.

Festivali hapet sonte me shfaqjen nga Teatri i Gjilanit.

“Im atë e donte Adolfin”, është shfaqja nga Gjilani e punuar sipas dramës së Mehmet Krajës, në regji të Ilir Bokshit.

Shfaqja rrëfen fatin tragjik të popullit në periudha mjaft të rëndësishme për fatin e tij.
Në shfaqje luajnë: Emine Toska, Ali Demi, Ernest Zymberi, Alban Shahiqi, Avni Shkodra, Bashkim Nexhipi, Njomëza Kalaveshi, Tringa A. Hasani, Safete Mustafa, Gani Rrahmani, Milot Sadiku dhe Gramos Kerqeli./ KultPlus.com

Teatri i Gjilanit pas një dekade me repertoar e numër më të madh të vizitorëve

Gili Hoxhaj

Që nga fillimi i majit kur regjisor Erson Zymberi ka marrë timonin e drejtorit të Teatrit Profesionist të Gjilanit, ky institucion është kthyer në një adresë të frekuentuar nga një numër dukshëm më i madh i vizitorëve, të cilët tanimë pas një dekade kanë një teatër me reportoar shfaqjesh.

Në gjendje aspak të mirë e kishte gjetur këtë institucion kulturor, Zymberi pasi që Teatri Profesionist i Gjilanit për vite të tëra ishte udhëhequr me ushtrues detyre, ndërsa vitin e kaluar kishte kaluar pa as edhe një premierë. Tanimë me krijimin e repertuarit, qytetarët e Gjilanit kanë mundësinë edhe të njoftohen me shfaqjet që do të prezantohen dhe të përcjellin aktivitetet e rregullta të teatrit.

“Tashmë është shtuar dukshëm numri i vizitorëve dhe krijimi i repertoarit të teatrit ka ndikuar që të identifikohet edhe një publik kryesisht i ri, i cili gjithashtu po ndihmon ne promovimin e Teatrit tonë përmes shpërndarjes së programit tonë, “check-in” “selfie-ve” e storieve te ndryshme përmes postimit te tyre në rrejte sociale”, ka tregur Zymberi për KultPlus.

Zymberi i cili shprehet i lumtur për numrin e të rinjve që po mbushin sallën thotë se në këtë mënyrë ata po arrijnë ta kthejnë në kulturë urbane të shkuarit në teatër. Ai tutje tregoi se numri i vizitorëve është shumëfishuar katërfish dhe vetëm brenda një muaji janë regjistruar rreth 1847 vizitorë.
Po ashtu së fundmi Teatri i Qytetit të Gjilanit dhe Drejtoria Komunale e Arsimit, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi përmes të cilit synohet të krijohen ura dhe lidhje të qëndrueshme të edukimit dhe zhvillimit të shëndoshë të nxënësve me Teatrin si medium dhe mekanizëm i cili ndikon në edukimin direkt të tyre./ KultPlus.com