Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka shpallur kalendarin artistik për muajin shkurt me një larmishmëri shfaqjesh, duke çelur kështu sezonin artistik të operas dhe baletit.
Koreografët e njohur Enada Hoxha dhe Gerd Vaso do të sjellin premierën e “Antikitetit modern” në datat 4 dhe 5 shkurt, duke e kthyer publikun në botën e Puccinella-s së Stravinsky-t. Më 9 Shkurt të gjithë artdashësit do të mund të ndjekin shfaqjen teatrale të kryeveprës së Shekspir “Romeo e Juliet” nën regjinë e Sakir Gurzumar dhe protagonist Jona Hoxha e Xhenan Syjavej.
Në ditën e të dashuruarve, orkestra simfonike e TKOB-së do të sjellë koncertin vokal “O dolci baci”, shfaqje e cila do të pasohet nga koncerti i ansamblit popullor “Shqipëria ime” më datë 16 shkurt.
Salla e Teatrit do të mirëpresë për 4 ditë rresht, të gjithë vogëlushët në operan “La serva padrona” nën dirigjimin e Dritan Lumshi nga data 22 deri më datën 25 shkurt.
Sopranoja e shquar shqiptare, Inva Mula do të mbyllë sezonin artistik për muajin shkurt në datat 25 deri më 28, me produksionin më të ri “Karnavalet e Korçës. Top Channel /KultPlus.com
Një udhëtim i jashtëzakonshëm përmes kryeveprave muzikore të kinemasë së shquar amerikane çel sezonin artistik në Teatrin e Operas dhe Baletit. Orkestra simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dirigjuar nga Giovanni Pompeo dhe shoqëruar nga violinisti i Teatrit të Salernos, Ettore Pellegrino, sjell për artdashësit koncertin simfonik me krijimtarinë e ikonës së kulturës muzikore amerikane, John Williams.
“Publiku është i njohur më së miri me filmin, si “Indiana Johns”,” Superman”, “I vetëm në shtëpi “, apo “Pirati i karaibeve “por “Natë Oskarësh në Tiranë është një koncert, është një spektakël, ku muzika e filmave bëhet protagoniste, jo vetëm në kinematografi por në skenë. Tingujt e muzikës janë të ndërthurur përmes një skenografie ku shfaqen edhe skena nga filmit në të njëjtën kohë që luhet muzika nga orkestra. Muzika e filmit është cilësuar si zhanër minor. Në fakt nuk është kështu , jo vetëm fama, por edhe madhështia kompozitorëve si John Williams, e Enio Moricone, e lartësuar këtë art duke bërë që shpesh muzika të çon te filmi.”
Dirigjenti i cili ka bashkëpunuar me orkestra të famshme evropiane si” La scala” shpreh vlerësime për muzikantët tanë dhe tregon vështirësinë e përshtatjes me një repertor të ri.
“Është nder dhe kënaqësi të drejtoi orkestrën e teatrit te Operas dhe Baletit në Tiranë, për herë të parë. Një orkestër vërtetë e mrekullueshme dhe me një nivel të lartë internacional. Kanë qenë shumë të përkushtuar për të jetësuar një repertor të ri, nuk ka qenë shumë e lehtë për artistët, pasi janë mësuar më shumë me një repertor romantik, klasik, por rezultati final është i mrekullueshëm.”
Muzika e filmave fillimisht ka nisur në skena të vogla në Evropë, tashmë ky cikël është përqafuar edhe nga skenat e mëdha klasike si ajo e La scala dhe opera të tjera në europë. Kalendari artistik i muajit janar në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit përmban katër koncerte simfonike. “Not’te da Oscar” është i pari për këtë vit në skenë për publikun e kryeqytetit. Me kolonat zanore të sagës “Star Wars”, “Harry Potter”, “Schindler’s List”, “Superman”, “Home Alone”, “Pirates of the Caribbean”./abcnews.al/ KultPlus.com
Sot është mbajtur mbledhja e 96-të e Qeverisë së Kosovës, me ç’rast janë miratuar 28 vendime, prej tyre janë 12 projektligje, përcjell KultPlus.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se mbledhja është hapur me aprovimin e projektligjit për Instituitin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Sipas tij, krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës, duhen adresuar.
Po ashtu, ai bëri të ditur se janë ndarë 2 milion euro për inicimin e ndërtimit të ndërtesës së Teatrit, Operas dhe Baletit, si dhe realizimin e ndërhyrjeve në katër asete të trashëgimisë kulturore.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Për drejtësi, zhvillim dhe siguri publike, në mbledhjen e 96-të miratuam 28 vendime, prej tyre 12 projektligje
Mbledhjen e hapëm me aprovimin e projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës duhen adresuar. Mbi të vërtetën, do të ndërtojmë mekanizma dhe institucione për ballafaqimin me të kaluarën.
Fusha e drejtësisë është një nga prioritetet tona. Andaj, miratuam projektligjin për Prokurorinë Speciale dhe Prokurorin e Shtetit, si hapa kyç në drejtim të përmbylljes së reformave të sistemit tonë prokurorial.
I hapëm udhë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
Miratuam masat për kursim të energjisë elektrike në institucione dhe ndërmarrje publike.
Themeluam Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, për zbatimin e masave urgjente që do të sigurojnë funksionim normal të sistemit shëndetësor dhe do t’i hapin rrugë reformës në shëndetësi.
Për pagesën e specializantëve për periudhën shtator-dhjetor 2022, ndamë 2.61 milion euro.
18 milionë euro, për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizimit.
2 milion euro për inicimin e ndërtimit të ndërtesës së Teatrit, Operas dhe Baletit, si dhe realizimin e ndërhyrjeve në katër asete të trashëgimisë kulturore.
Me miratimin e projektligjit për programin IPA 2021, dhe më pas të ratifikimit të tij në Kuvend, Kosova do të përfitojë 63.96 milionë euro.
I dërguam Kuvendit për ratifikim Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit – ITP Prizren. Kontributi financiar nga Qeveria jonë është 8 milion euro, ndërsa nga ajo gjermane 5 milion euro.
Themeluam Autoritetin Qeveritar për Migrim dhe Komisionin për Ankesa për të Huajt.
Me Projektligjin e miratuar për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve synohet sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe parandalimi i konkurrencës jo të drejtë.
Për të lehtësuar qarkullimin rrugor dhe procedurat për njohjen reciproke të patentë shoferëve, miratuam Nismën për lidhjen e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Hungarisë për njohjen reciproke të patentë shoferëve.
Shfuqizuam vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe ri eksportit të produkteve themelore agro-ushqimore, bazuar në vlerësimin se ka përmirësim të situatës në tregun e vendor.
Miratuam Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022-2027 dhe Planin e Veprimit 2022-2024.
Me qëllim të pjesëmarrjes së Kosovës në programet Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e tatimit dhe atë te doganave miratuam dy projektligje.
Miratuam nismën për lidhjen e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në “Programin e Evropës Digjitale për periudhën 2021-2027”. Marrëveshja ka për qëllim avancimin e vendit përmes granteve strategjike të BE-së. / KultPlus.com
Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor me Republikën e Kosovës, Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, realizojnë një turne historik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Zana Cela: Ansambli i këngëve dhe valleve popullore rikthehet pas 30 viteve në një turne të tillë në qytete e Kosovës. Në datën 25 prill në Prizren, 26 prill në Gjakovë, 27 prill në Gjilan dhe në datën 28 prill në Luginën e Preshevës për të mbyllur në qytetin e Shkupit.
Ky turne rikthehet pas më shumë se 30 vjetësh në qytetet e Kosovës. Programi artistik do të bazohet në krijimet më të bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare si edhe në folklorin e pasur kombëtar.
Sokol Marsi: Përsa i përket repertorit ai është ndërtuar duke përfshirë të gjitha trevat shqiptare. Nga Çamëria në Shkup. po kështu edhe vallen e shqipeve dhe vallen e Tiranës.
Pas shpalljes së thirrjes nga Ministria e Kulturës për drejtor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe përfundimit të mandatit të drejtoreshës aktuale ajo konfirmon rikandidimin.
Zana Cela: Sigurisht do të rikandidoj me një qëllim, sepse projekti që unë kam prezantuar në platformën time dhe në vazhdimësi, është një projekt që është në gjysmë të rrugës dhe unë se bashku me stafin tim e kam për detyrë që ta vazhdoj dhe definoj sepse i gjithë ai projekt që kam definuar të përfundojë të gjithë objektivat e tij.
Me rastin e inaugurimit të Teatrit të ri kryeministri premtoi dyfishim të rrogave të artistëve, në lidhje me këtë premtim Cela ka këtë përgjigje.
Zana Cela: Në dijeninë time nuk ka asgjë që e ka penguar këtë gjë. Unë jam në pritje dhe jam shumë e sigurt që kryeministri i vendit do të fillojë impelemtimin e këtij premtimi
Në datën 11 nëntor, në Teatrin SGN të Operas dhe Baletit nëLubjanë, balerini dhe koreografi shqiptar Eno Peçi, së bashku me koreografët Leo Mujić dhe Jakopo Godani, do të venë në skenë veprën “Strune- Strings”.
Eno Peçi do të prezantohet me pjesën “Angel”, me muzikë të kompozitorit, Alban Berg.
Peçi ditën e sotme ka qenë i ftuar edhe në ambientet e ambasadës shqiptare në Slloveni ku është takuar me ambasadorin Pëllumb Qazimi.
Eno Peçi dhe koreografia e tij janë prezantuar në një numër shtetesh si Austri, Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Luksemburg, Hungari, Zvicër, Rusi, Itali, Japoni, etj. Ndërsa si balerin ai ka qenë i pranishëm në shumë skena të botës.
Ai është bashkuar me Operën Shtetërore të Vjenës në vitin 2000, duke qenë balerini i parë shqiptar që performon live në Vjenë. Ndërkohë, në vitin 2009 ai ka filluar edhe karrierën në koreografi. / KultPlus.com
Kryeminitri Edi Rama ka postuar një video nga festa e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Një video me emocionet e një mbrëmjeje krejt të veçantë; Festa e Hapjes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit”, shprehet ai.
Rama thotë se teatri është shpresë për vendin dhe artistët duhet të ndihen të respektuar në vendin ku performojnë.
“Prej shumë vitesh, TKOB priste të dilte nga një periudhë e stërgjatë degradimi si rezultat i një kohe të pambarimtë mosndërhyrjeje për mirëmbajtjen apo lërë pastaj rikonstruksionin e vet. Më në fund dita erdhi dhe me një projekt që flet vetë, s’ka nevojë për koment ia dolëm të krijojmë kushte tërësisht të reja, ndryshe, dinjitoze për të qenë në lartësinë e të gjithë atyre zërave të njohur nëpër botë, por gjithë atyre zërave të rinj që ky vend fatmirësisht i nxjerr me shumicë dhe që u ngjitën shumë shpesh në këtë skenë pa pasur mundësinë të ndihen asnjëherë të respektuar dhe në shtëpinë e tyre për shkak të kushteve”, thekson Rama.
Kryeministri u shpreh se “sot ne kemi një Teatër të ri Kombëtar Operas, Baleti, Këngëve dhe Valleve Popullore i cili ofron një skenë ku zërat magjikë të operas shqiptare, por edhe kërcimtarët, valltarët, edhe këngëtarët popullorë jo vetëm të mund të ndihen të respektuar, por të kenë përballë tyre dashamirës, njerëz të pasionuar pas prodhimit të kësaj skene që ulen dhe shijojnë art pa qenë të sulmuar nga i ftohti, lagështira, vapa, zhurmat prej kërcitjeve të të gjitha dërrasave të shtruara prej më shumë se 60 vitesh”.
“E pra, është një krenari dhe kënaqësi që pasi u kapërcye dhe ajo periudhë mallkimi e cila e pamundësoi hapjen e këtij teatri në kohë si rezultat i një tjetër agresioni mbi shëndetin e njerëzve, aktivitetin social, kulturor, ekonomik të COVID-19 të mund të ngremë perden e kësaj skene. Një skene ku kanë kënduar gjithë ata që kanë bërë historinë e këtij teatri, ku kanë luajtur në instrumente të ndryshëm në një orkestër gjithë ata që kanë bërë historinë e muzikës lirike apo muzikës koncertale apo të lehtë”, vijon Rama.
“Brenda kësaj skene nga ku dashamirësit, të apasionuarit pas gjithë aktivitetit dhe krijimtarisë së kësaj godine të mund të shijojnë duke u ndjerë pjesë e të njëjtit komunitet, komunitetit përtej kufijve, të gjithë atyre që ndjekin muzikën koncertale, operistike, të lehtë në teatrot më prestigjioze të botës, në ato teatro ku yjet e Shqipërisë shkëlqejnë fort. Nga momenti i ngritjes së perdes, ne nuk do kemi arsye t’i shohim me zili apo duke bërë vazhdimisht pyetjen kur do të vijë dita që në Shqipëri të kemi një teatër më të njëjtin dinjitet e respekt për ata që japin jetë, qofshin krijues, protagonistë, spirator”, tha Rama. / KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet një mbrëmje gala më 15 shtator, në kuadër të rikonstruktimit të godinës së teatrit.
Në inaugurimin e teatrit do të ngjiten në skenë të famshmit Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Ndërsa orkestra do të drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre.
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi bën me dije se shfaqja do të mbahet në orën 19:00, teksa thekson se mezi po pret që të ngrihet perdja e skenës.
“Mirëmëngjesi dhe me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan Rama. / KultPlus.com
E nisën në vitin 2015 dhe pas një pune të madhe tashmë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Shqipëri është pothuajse gati. Ky rikonstruksion tërësor e ka shndërruar atë në një ambient funksional dhe tejet modern ku artistët shumë shpejt do të hyjnë në ambientet e rinovuar si, salla provash, dhoma studimi, gardëroba, ambiente për ekspozita e aktivitete të tjera, shkruan KultPlus.
Duke u konsideruar si investimi më i madh i qeverisë së Shqipërisë, për ish ministren e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaron kjo është një ëndërr e bërë realitet.
Përmes një statusi në Facebook, ajo ka ndarë disa fotografi nga pamja e re që ka marrë Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit duke u shprehur se puna 5 vjeçare tashmë është drejt fundit.
Ku është postimi i plotë i Kumbaros:
“Kur nje enderr😇 behet realitet… Mes shume puneve e projekteve, nga njera ide ne tjetren, dhe nga njera veshtiresi ne tjetren, ka nje projekt qe une e kam shume per zemer – i ngjan disi punes se Sizifit, me dallimin se ne fund projekti po del ne drite, se puna s’te le asnjehere ne balte sikur nami te behet: 👉🏻 Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor❗️ 👉🏻 e nisem ne 2015, kur askush s’e besonte, kur shumekush e anatemonte, kur dikush tjeter e minonte, e megjithate Skuadra e Kultures nuk e ndali asnje dite punen. 👉🏻Jane shume njerez per te cilet do te flas nje here tjeter e me te cilet, me shume pasion edhe besim, kemi punuar, jemi zene, jemi trembur, por prape kemi vazhduar kete projekt te komplikuar por po aq edhe unikal, po s’jemi ndalur. 👉🏻Puna 5 vjeçare sot eshte drejt fundit. 👉🏻Teatri do te jete nje yll 🌟 i vertete! Une bashke me ju te gjithe, do te jemi shume te lumtur kur te ulemi ne keto poltrone per te ndjekur yjet tona te skenes, qe kane qene bashkepunetore te shkelqyer te kesaj pune dhe qe bene te mundur qe per 3 vite rresht Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit, te beje teater pa pasur teater. Them se kemi arsye te jemi krenare🙌🏻.” / KultPlus.com
Pas muajsh rikonstruksioni tërësor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ministrja e Kulturës Elva Margariti deklaron se artistët shumë shpejt do të hyjnë në ambientet e rinovuara si, salla provash, dhoma studimi, gardëroba, ambiente për ekspozita e aktivitete të tjera.
”Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit hap jo vetëm sezonin artistik, por sjell edhe një erë të re në historinë e këtij institucioni. Pas muajsh rikonstruksioni tërësor, artistët shumë shpejt do të hyjnë në ambientet e rinovuara: salla provash, dhoma studimi, gardëroba, ambiente për ekspozita e aktivitete të tjera”, thekson ministrja.
Margariti shprehet se në datat 20 dhe 21 shtator solistët e operës, baletit, Ansamblit Popullor, por edhe emra të dashur të muzikës pop dhe rok do të interpretojnë disa nga pjesët më të bukura të repertorit botëror dhe shqiptar. /atsh / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e ka nisur këtë mandat të dytë nga mbikëqyrja e ambienteve të kulturës që i janë nënshtruar rikonstruksionit. Ajo është ndalur në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke theksuar se punimet po ecin sipas parashikimeve.
“Jemi në një ndër momentet e inspektimit të kantierit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Punimet kanë ecur shumë mirë deri tani. Është punuar në mënyrë shumë intensive dhe në kushte shpesh edhe të vështira për mungesë të hapësirave të brendshme, problem që vazhdon duke u hequr zvarrë problemi juridik me shoqërinë italiane, por problem që do ta zgjidhim shumë shpejt me masa të drejtpërdrejta, por pa dyshim ligjore”, u shpreh Kumbaro.
Ritmet intensive gjatë ndërhyrjeve pritet te sjellin përfundimin në kohë të projektit. Thënë ndryshe, në vitin 2019 publiku në TKOB do të mund t’i ndjekë shfaqjet në një teatër tërësisht të transformuar dhe modern.
“Kemi ecur me ritme të mira. Jemi brenda afateve të kontratës dhe me pak durim, besojmë që brenda limiteve të parashikuara do të kemi një Teatër të Operas dhe Baletit tërësisht të modernizuar, edhe pse gjithë pajisjet e vjetra mekanike të viteve 50-të ndryshohen dhe automatizohen krejtësisht në shërbim edhe të publikut edhe të artistëve”, theksoi ajo.
Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova, shkruan VP./ KultPlus.com