Rama publikon pamje nga festa e hapjes së TKOB: Kushte dinjitoze, artistët do të ndihen të respektuar

Kryeminitri Edi Rama ka postuar një video nga festa e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Një video me emocionet e një mbrëmjeje krejt të veçantë; Festa e Hapjes së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas dhe Baletit”, shprehet ai.

Rama thotë se teatri është shpresë për vendin dhe artistët duhet të ndihen të respektuar në vendin ku performojnë.

“Prej shumë vitesh, TKOB priste të dilte nga një periudhë e stërgjatë degradimi si rezultat i një kohe të pambarimtë mosndërhyrjeje për mirëmbajtjen apo lërë pastaj rikonstruksionin e vet. Më në fund dita erdhi dhe me një projekt që flet vetë, s’ka nevojë për koment ia dolëm të krijojmë kushte tërësisht të reja, ndryshe, dinjitoze për të qenë në lartësinë e të gjithë atyre zërave të njohur nëpër botë, por gjithë atyre zërave të rinj që ky vend fatmirësisht i nxjerr me shumicë dhe që u ngjitën shumë shpesh në këtë skenë pa pasur mundësinë të ndihen asnjëherë të respektuar dhe në shtëpinë e tyre për shkak të kushteve”, thekson Rama.

Kryeministri u shpreh se “sot ne kemi një Teatër të ri Kombëtar Operas, Baleti, Këngëve dhe Valleve Popullore i cili ofron një skenë ku zërat magjikë të operas shqiptare, por edhe kërcimtarët, valltarët, edhe këngëtarët popullorë jo vetëm të mund të ndihen të respektuar, por të kenë përballë tyre dashamirës, njerëz të pasionuar pas prodhimit të kësaj skene që ulen dhe shijojnë art pa qenë të sulmuar nga i ftohti, lagështira, vapa, zhurmat prej kërcitjeve të të gjitha dërrasave të shtruara prej më shumë se 60 vitesh”.

“E pra, është një krenari dhe kënaqësi që pasi u kapërcye dhe ajo periudhë mallkimi e cila e pamundësoi hapjen e këtij teatri në kohë si rezultat i një tjetër agresioni mbi shëndetin e njerëzve, aktivitetin social, kulturor, ekonomik të COVID-19 të mund të ngremë perden e kësaj skene. Një skene ku kanë kënduar gjithë ata që kanë bërë historinë e këtij teatri, ku kanë luajtur në instrumente të ndryshëm në një orkestër gjithë ata që kanë bërë historinë e muzikës lirike apo muzikës koncertale apo të lehtë”, vijon Rama.

“Brenda kësaj skene nga ku dashamirësit, të apasionuarit pas gjithë aktivitetit dhe krijimtarisë së kësaj godine të mund të shijojnë duke u ndjerë pjesë e të njëjtit komunitet, komunitetit përtej kufijve, të gjithë atyre që ndjekin muzikën koncertale, operistike, të lehtë në teatrot më prestigjioze të botës, në ato teatro ku yjet e Shqipërisë shkëlqejnë fort. Nga momenti i ngritjes së perdes, ne nuk do kemi arsye t’i shohim me zili apo duke bërë vazhdimisht pyetjen kur do të vijë dita që në Shqipëri të kemi një teatër më të njëjtin dinjitet e respekt për ata që japin jetë, qofshin krijues, protagonistë, spirator”, tha Rama. / KultPlus.com

Teatrit i Operas dhe Baletit hap dyert pas 5 vitesh, sot mbrëmja gala e inaugurimit

Mbrëmja e sotme do të sjellë në Tiranë  dy kolosët e skenës operistike botërore, Ermonela Jaho dhe Placido Domingo , të cilët do të bëjnë inaugurimit e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Asamblit Popullor. Inaugurimi i sotëm do të bëhet me një mbrëmje gala  në orën 19:00 ku do të ngjiten në skenën e rikonstruktuar të Teatrit të Operas dhe Baletit edhe dy yjet botërorë.

Tetari i Operas do të hapë dyert pas rreth pesë vitesh, ndërsa Ermonela Jaho është shprehur më herët  e entuziazmuar dhe se mezi po pret të marrë pjesë në shfaqjen e madhe bashkë me legjendën botërore Placido Domingo. Tenori Placido Domingo do të performojë për herë të parë në skenën shqiptare, teksa iu bën thirrje të gjithë artdashësve të marrin pjesë në koncertin madhështor që do të fillojë në orën 19:00.

Në kuadër të masave kufizuese të pandemisë COVID-19, ata që do të marrin pjesë në mbrëmjen gala do të duhet të tregojnë certifikatën e vaksinimit ose një test negativ PCR të 48 orëve të fundit. Ndërkohë që mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme.

Rikonstruktimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit ka nisur në janar të 2017 për t’iu nënshtruar kushteve më bashkëkohore dhe moderne. Në një intervistë për ‘Report Tv’, ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka thënë se skena e teatrit është rikonceptuar me dy ballkonata, ndërsa është siguruar akustika maksimale. Projekti fillestar i rikonstruksionit është 1.2 miliardë lekë, por për arritjen e standardeve bashkëkohore është përdorur edhe buxhet shtesë. /shqiptarja/ KultPlus.com

Placido Domingo dhe Ermonela Jaho do të performojnë në sallën e re të Teatrit të Operas dhe Baletit

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet një mbrëmje gala më 15 shtator, në kuadër të rikonstruktimit të godinës së teatrit.

Në inaugurimin e teatrit do të ngjiten në skenë të famshmit Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Ndërsa orkestra do të drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi bën me dije se shfaqja do të mbahet në orën 19:00, teksa thekson se mezi po pret që të ngrihet perdja e skenës.

“Mirëmëngjesi dhe me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan Rama. / KultPlus.com

Kuçi e Dumoshi koordinohen të shtyjnë përpara projektin e Teatrit të Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sot ka pritur ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Vlora Dumoshi.

Temë diskutimi me ministren Dumoshi ishte shtyrja përpara e projektit shumëvjeçar të Teatrit të Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”.

“Është fatkeqësi që deri tash ende diskutohet për këtë projekt, kur tashmë është dashur ta gëzojmë objektin e përfunduar të teatrit e operës dhe baletit. Sa i përket Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, gjithçka që është e mundur do të bëhet. Shpresojmë që t’i japim rrugë të ndërtimit njëherë e mirë këtij projekti të rëndësishëm për kulturën e vendit”, ka thënë Kuçi, teksa ka përgëzuar ministren Dumoshi që këtë projekt e ka vënë si synim kryesor.

Duke u nisur nga përvoja e ministrit Kuçi edhe si kryetar i Komunës së Suharekës dhe pasionit të tij për arkeologjinë e historinë, ai shfrytëzoi rastin që ta njoftojë ministren Dumoshi për lokalitetet arkeologjike që kanë nevojë për vëmendje në Suharekë./ KultPlus.com