“Djali” me regji të Erson Zymberit premierë në Teatrin e Gjilanit: Secili shikues do të largohet i tronditur

Era Berisha

“The Son” është një film dramë i vitit 2022 me regji nga Florian Zeller nga një skenar i shkruar nga vetë ai dhe Christopher Hampton. Filmi bazohet në shfaqjen skenike të Zeller të vitit 2018. “The Son” pati premierën botërore në Festivalin e 79-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ndërkaq një adaptim i ri dhe i veçantë është duke u bërë gati të vihet në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit e që vjen si projekt individual i Ernest Zymberit, me mbështetjte të MKRS-së dhe organizatës Anamour. Bëhet fjalë për shfaqjen teatrore “Djali” me regji të Erson Zymberit, i cili synon që secilin shikues ta bëjë të largohet i tronditur nga kjo shfaqje, por mbushur me një reflektim për të kuptuar thellësinë e asaj se çka do të thotë të jesh njeri, shkruan KultPlus.

Në qendër të shfaqjes kemi një familje që përpiqet të ribashkohet pasi është shpërbërë. “Djali” përqendrohet tek Pjeri, jeta e të cilit me foshnjën dhe partneren e tij të re përmbyset kur ish-gruaja e tij shfaqet në derën e tij për të diskutuar djalin e tyre Nikolasin, i cili tani është adoleshent. I riu ka muaj që mungon në shkollë dhe është shumë i shqetësuar. Pjeri përpiqet të kujdeset për Nikolasin ashtu siç do të donte që babai i tij të ishte kujdesur për të. Megjithatë, punët nuk i ecin mbarë.

“Djali” vjen si thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të skenës, e cila kërkon të zbulojë ato dhimbje të thella që fshihen pas formave apo fasadave të heshtura të familjeve moderne. Regjisori Zymberi ka zgjedhur “Djali-n” për shkak të temës universale dhe prekëse që trajton lidhur me marrëdhëniet familjare dhe vuajtjet e brendshme që shpesh janë të padukshme për të tjerët. Kjo histori duket se e ka sfiduar si regjisor sepse e ka “ftuar” që të eksploroj ndjeshmërinë njerëzore dhe komunikimin e heshtur që, ndonëse i pashprehur, është i thellë dhe emocionalisht i ngarkuar. Pra, kjo është një histori që i përket gjithkujt dhe, në të njëjtën kohë, ndan një intimitet unik për çdo individ dhe familje.

Ajo se çka e ka ngacmuar regjisorin Zymberi për ta vënë në skenë “Djali-in”, është pikërisht tema që synon të shpaloset nëpërmjet tekstit. Shfaqja përbën një eksplorim të veçantë të delikatesës së shpirtit të një të riu që përpiqet të artikulojë dhimbjen e tij përmes një bote që nuk arrin ta dëgjojë.

“Kjo vepër më ngacmoi sepse nuk ka të bëjë thjesht me një marrëdhënie të tensionuar prind-fëmijë, por me atë përballje universale ku çdo individ gjendet mes dëshirës për t’u kuptuar dhe pamundësisë së të tjerëve për të hyrë plotësisht në botën e tij. Kjo është një histori e thellë, ku ndjenjat më të brishta dhe të ndërlikuara shprehen në çdo heshtje, në çdo shikim dhe në çdo lëvizje të ngathët mes personazheve”, ka thënë regjisori Zymberi.

Autori i filmit/shfaqjes, Zeller, ka një tendencë për të dhënë dritë mbi çështjet e shëndetit mendor dhe qasja regjisoriale e regjisorit Zymberi vihet mbi thellimin në atë humnerë të fshehtë që qëndron mes dhimbjes dhe moskuptimit, ku personazhet janë të kapur mes dëshirës për të ndihmuar dhe pafuqisë për ta bërë këtë.

“Po punojmë për të krijuar një atmosferë ku çdo detaj – qoftë ai një dritë e zbehtë, një heshtje e gjatë apo një lëvizje e përmbajtur – të përcjellë ankthin dhe trishtimin që mbush çdo cep të skenës. Synoj që kjo shfaqje të jetë një përvojë teatrale për publikun, ku ata të mund të ndihen pjesë e barrës emocionale që të gjitha këto ndjenja sjellin. Është një lloj zhanri, stili a teatri që i ngjan shfaqjes sime Gishti (që e kam punuar në 2015, në Teatrin Kombëtar të Kosovës), e që po i rikthehem prapë. M’paska marrë malli për këtë teatër”, shpalos ai.

Janë gjithsej pesë personazhe brenda shfaqjes (Pjeri, Ana, Nikolasi, Sofia, Doktori), dhe konsiderohet që çdo karakter në “Djali-n” është një univers emocional në vetvete. Pjeri (Kushtrim Qerimi) një prind që kërkon të jetë mbështetës, është një figurë që ka ndërtuar një mur për të mbrojtur veten nga dhimbja; Ana (Safete Mustafa-Baftiu), nga ana tjetër, është thellësisht empatike, por e konsumuar nga paaftësia për të “shëruar” birin e saj. Nikolas (Yzeir Meha), i mbështjellë në një botë që as vetë nuk e kupton plotësisht, është pasqyrë e të gjithë atyre që ndihen të zhytur në mjegullën e depresionit. Sofia (Tringa Hasani) përfaqëson indiferencën e botës së jashtme, dhe Doktori (Florent Salihu) është kufiri i ashpër mes ëndrrës dhe realitetit.

“Aktorët i përzgjodha me shumë kujdes, me shumicën preh tyre kam punuar disa herë, dhe i njoh shumë mirë, përveç aktorit që luan djalin (Yzeirit) të cilin e kam parë së fundmi në një shfaqje dhe i cili më ka dhënë shumë energji dhe e kam dalluar menjëherë për rolin e Djalit”, tregon Zymberi.

Kur flasim për vështirësitë me të cilat është përballur deri më tani, regjisori Zymberi thotë se ajo kryesorja ka qenë kapja e asaj balancë të brishtë mes vuajtjes dhe bukurisë së heshtjes. Pasi kjo është një vepër që kërkon një ndjeshmëri të veçantë për t’i dhënë çdo fjalë dhe çdo heshtje kuptimin e vet, po punohet intensivisht për krijimin e një ndjenje bashkëpunimi dhe kuptimi mes aktorëve, ku çdo lëvizje dhe çdo shikim është plot kuptim dhe ngarkesë emocionale. Në këtë vepër, komunikimi është aq i rëndësishëm sa edhe moskomunikimi.

Provat për “Djali-n” tashmë kanë filluar dhe po jepet shumëçka nga secili për të arritur në drejtim të premierës, që do shfaqet më 22 nëntor. Ekziston një përkushtim i madh i aktorëve, dhe sipas regjisorit Zymberi, ata janë zhytur thellë në emocionet e personazheve të tyre. Besohet që secili prej tyre ka kaluar përtej skenës, duke u bërë një me ndjesinë e rolit. Momentalisht, ata janë në një fazë ku çdo provë sjell diçka të re dhe të papritur, që kontribuon në ndërtimin e një përvoje unike për premierën.

Kompleksitetet familjare shpeshherë njihen si tabu në vendin tonë. Regjisori Zymberi synon që shfaqja të jetë një pasqyrë e ndershme e realiteteve tona të brendshme.

“Në vendin tonë, shpesh përpiqemi t’i shmangim këto tema të vështira, por në këtë shfaqje, ndjej që është koha për t’i hapur këto dyer dhe për të treguar se edhe ne jemi të brishtë, edhe ne kemi dhimbjet tona të fshehura. Kjo vepër është një thirrje për të pranuar që ndjesitë njerëzore nuk duhet të fshihen; ato janë pjesë e natyrshme e jetës”, thotë ai.

Për regjisorin Zymberi, pritet që kjo shfaqje të shpalosë tek publiku një ndjesi të thellë të lidhjes emocionale që ngrihet mbi çdo element të skenës.

“Shfaqja është krijuar në mënyrë të tillë që çdo spektator të ndiejë barrën dhe bukurinë e brishtë të ndjenjave njerëzore. Ata do të përjetojnë një përvojë ku emocioni i pashprehur, vuajtja dhe gëzimi bashkohen në një të vetme”, përfundon Zymberi.

“Djali” është projekt i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me bartës Ernest Zymberi./ KultPlus.com

Qendra Multimedia dhe Teatri i Qytetit të Gjilanit vlerësohen me çmime vjetore nga MKRS

Në Ditën Botërore të Teatrit, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte ka ndarë çmimet vjetore për teatër në disa kategori, shkruan KultPlus.

Në këtë vlerësim me çmime janë shpërblyer edhe Qendra “Multimedia” në Prishtinë dhe Teatri i Qytetit të Gjilanit.

Çmimi Vjetor për Shfaqjen më të mirë iu dha “Qendrës Multimedia” me shfaqjen “The Handke Project”, kurse çmimi Kombëtar për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar iu dha Teatrit të Qytetit të Gjilanit./ KultPlus.com

Shfaqja “a.y.l.a.n” fiton çmimin kryesor në Festivalin Kontrapunkt 56 në Poloni

Shfaqja “a.y.l.a.n” nga Jeton Neziraj, regjisore Blerta Neziraj, prodhim i Teatrit të Gjilanit, fiton çmimin kryesor në Festivalin Kontrapunkt 56 në Poloni, shkruan KultPlus.

Festivali bëri të ditur se çmimin më të lartë të Jurisë e ka marrë vepra “a.y.l.a.n” e Teatrit të Qytetit të Gjilanit për interpretimin mjeshtëror të dramaturgjisë në lidhje me temën shumë të vështirë, që është lufta e së mirës kundër së keqes.

Për këtë çmim ka reaguar edhe Teatri i Qytetit të Gjilanit, duke thënë se ky është një lajm i jashtëzakonshëm dhe ata ndjehen super të lumtur. /KultPlus.com

Rezistenca pjesë fundamentale e artit bashkëkohor, Behluli: Ajo tenton të duket sa më autentike dhe e sinqertë

Uranik Emini

Përpara Teatrit të Qytetit të Gjilanit po mbledheshin një grup i njerëzve që kishin shprehur interesim për të parë ekspozitën e kuratorit Mehmet Behluli, i cili përmes një diversiteti artistësh po bëhej gati që të prezantonte përpara publikut ekspozitën e tij të titulluar me shumë kujdes, “Rezistenca”, shkruan KultPlus.

Rezistenca e vazhdueshme e komunitetit artistik, e shprehur sidomos gjatë kohës së luftës dhe masave të dhunshme në vitet e 90-ta, ndikuan që Teatri i Gjilanit të marrë statustin e atij profesionist vetëm pak kohë pasi të përfundonte lufta.

Me një elaborim të rezistencës në aspektin teorik, si dhe qëndrueshmërinë e paraqitur ndër vite përmes artistëve dhe rrugëtimit të tyre, kuratori Mehmet Behluli e bëri hapjen e kësaj ekspozite.

“Vitet 90-ta ishin të tmerrshme nga ardhja e Millosheviqit në pushtet, kur çdo gjë shqiptare pushoi së funksionuari dhe si pasojë e represionit të regjimit të tij të radikalizuar dhe agresiv, u imponua domosdoshmëria e rezistencës, pasi njerëzit u larguan nga objektet publike me dhunë, e që në mënyrë të natyrshme shtoi ‘rezistencën’. Edhe artistët paraqitën rezistencën e tyre në mënyrë artistike, ndonëse nuk ishte hera e parë që ata tentuan që përmes artit të tyre si mjet e vegël, të rezistonin, siç ishte rasti i bacë Adem Demaçit, i cili pikërisht me artin e tij letrar iu kundërvu represionit të kohës”.

Ai tregoi se “Rezistenca” e pas luftës së vitit 1999, ishte rezistencë ndaj shumë padrejtësive e sfidave, në kohë tranzicioni të gjatë, dhe duke kulmuar me rezistencën e sotme të artistëve bashkëkohorë, si rezistencë ndaj vetes.

Artistët e mirënjohur Jakup Ferri, Abedin Azizi, Brilant Milazimi, Agron Blakçorri, Fidan Bejtullahu dhe Bekim Zeqiri, përmes mediumeve të ndryshme sikurse videove, pikturave, instalacioneve u munduan të përçonin jo vetëm aspektin e jashtëm aritstik, por një mori kuptimesh që vizitorët mund t’i sendërtonin në përputhje me personalitetin e tyre, traditat kulturore dhe shoqërore që përfaqësonin dhe aspektet profesionale në sfondin e tyre individual.

Në një prononcim për KultPlus, Behluli tenton që të shpjegojë gjithnjë se politika dhe arti nuk duhen të përzihen me njëra tjetrën, pasi as njëra e as tjetra nuk luftojnë mes vete.

“Politika dhe arti e konsiderojnë njëra tjetrën sikurse armiq, por realisht kjo gjë nuk qëndron aspak”.

Duke tentuar që fjalën “Rezistencë” ta paraqes gjithnjë si një “luftë” më vetvete, Behluli tha se Rezistenca dhe koncepti i saj nuk është rezistenca me armikun ose me të tjerët.

“Ajo ka të bëjë pikërisht me vetvetën, si të jesh sa më shumë autentik, sa më i sinqert dhe i drejtpërdrejt dhe si rrjedhojë e kësaj të jesh normal”.

Tutje, Behluli përmendi edhe faktin se ai është munduar që përmes diversiteteve dhe mediumeve të ndryshme, të paraqes këtë ekspozitë për herë të parë në qytetin që ka lindur.

“Për mua është interesant që të prezantojë veprat e mija përpara publikut të Gjilanit, nuk kam pasur asnjëherë mundësi. Varg e Vi si komunitet artistik e ka bërë të mundur një gjë të tillë, i kam të dashtun dhe përzemër për shkak se janë entuziastë të rrallë që tentojnë t’ia shtojnë Gjilanit edhe një vlerë tjetër, siç është arti bashkëkohor. Qytetet tona e kanë problem që të kuptojnë se arti bashkëkohor është për vetvetën”, u shpreh ai.

Drejtori ekzekutiv i Varg e Vi, Avni Shkodra, tha për KultPlus se termi Rezistencë është më autentik për të gjithë ne, kjo edhe lidhet me Flakën e Janarit.

“Realisht, themelimi i Flakës së Janarit erdhi e gjitha si rezistenë kombëtare ose si rezistencë ndaj shtypjes për kulturën dhe artin shqiptar. Ne jemi munduar që edhe tani të bëjmë një rezistencë ndaj asaj të vjetrës, duke ndryshuar në procesin organizativ, por asnjëherë duke mos humbur trashëgimin kulturore të këtij Festivalit”.

Në fund, Shkodra u shpreh i kënaqur me këtë ekspozitë dhe me gjithë reagimin e publikut, i cili nuk ishte në masë të vogël përkundër temperaturave të ftohta në vend.

E gjitha kjo ekspozitë ishte organizuar për herë të parë nga organizata kulturore, Varg e Vi, e cila në kuadër të Flakës së Janarit, gjegjësisht Penelit të Flakës”, bëri edhe prezantimin e ekspozitës në bufenë e Teatrit të Gjilanit. /KultPlus.com

May be an image of 12 people, people standing and outdoors

Ekspozita e artit bashkëkohor “Rezistencë” me kurator Mehmet Behlulin vjen më 20 janar

Ekspozita e artit bashkëkohor “Rezistencë” me kurator Mehmet Behlulin do të mbahet më 20 janar 2022 duke filluar nga ora 19:00, në bufenë e Teatrit të Qytetit në Gjilan, në kuadër të Flakës së Janarit dhe me organizim të ‘Varg e Vi’-së, përcjell KultPlus.

Espozita e artit bashkëkohor “Rezistencë”, ka si kurator Mehmet Behlulin dhe artistët bashkëkohorë pjesëmarrës janë: Jakup Ferri nga Prishtina, Bekim Zeqiri nga Mitrovica, Agron Blaçkori nga Podujeva, Brilant Milaziminnga Gjilani dhe Fidan Bejtullahi nga Suhareka.

E veçanta e ekspozitës është se për herë të parë bëhet një edicion specifik i artit bashkëkohor te Peneli i Flakës dhe në ekspozitë do të paraqitet edhe artisti Jakup Ferri, përfaqësuesi i sivjetëm i Kosovës në Bienalen e Venedikut. / KultPlus.com

Publikohet orari i aktiviteteve për manifestimin e flakës së janarit

Me fillim nga 11 deri 31 janar do të fillojë manifestimi i edicionit të 31-të i “Flaka e Janarit” në Teatrin e Qytetit në Gjilan, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, është publikuar edhe orari i aktiviteteve që do të shënojnë këtë edicion.

Gjatë këtij edicioni do të jepen edhe shfaqje të ndryshme në Teatër. /KultPlus.com

‘Bub Rrenci’ do bëjë trajtimin e çështjeve dhe problemeve kulturore nga vendi

Artistët Bekim Korça dhe Erson Zymberi kanë krijuar një strip të quajtur “Bub Rrenci” në prag të festave të fundvitit, shkruan KultPlus.

Bub Rrenci do të vazhdojë të prodhohet në baza javore duke sjellur e trajtuar qështje e probleme kulturore nga vendi.

“Përkundër klithjes së tij dhe reagimit publik se ka hequr dorë nga pija, kësaj radhe, në vigjilje të vitit të ri, ai nuk mundi ti rezistojë tundimit të pijes”, thuhet në njoftim

Në fund ata kanë njoftuar se së shpejti do të jepet edhe festivali i dramës shqipe. /KultPlus.com

“Prindërit e së ardhmes” vjen premierë në Teatrin e Qytetit të Gjilanit

Teatri i Qytetit të Gjilanit ka paralajmëruar për premierën e tretë për këtë vit e cila njëkohësisht e përmbyllë pjesën e parë të vitit në këtë teatër, shkruan KultPlus.

Pas dy premierave të suksesshme (“Kosovo for dummies” dhe “E vërteta”) tashmë vjen premiera e shfaqjes “Prindërit e së ardhmes” bazuar në tekstin “Bright ideas” nga Eric Coble.

Nën regjinë e Shkelzen Berishës, “Prindërit e së ardhmes” përmes një zhanri të përkushtuar të komedisë së zezë, synon të prekë prindërit urban e modern të cilët bëjnë gjithçka, përpiqen, konkurrojnë mes vete dhe nuk ndalen në asnjë moment derisa fëmijëve të tyre t’u japin përparësi e status të lartë formimi intelektual.

Sa larg do të shkonit për fëmijën tuaj? Për Gëzim dhe Xhensila Gashi (Çiftin e shfaqjes), pyetja nuk është më hipotetike. Djali i tyre tre vjeçar, Gjini, është në listën e pritjes për t’u futur në Akademinë e Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme, kopsht ky parashkollor – dhe të gjithë e dinë që sapo të regjistroheni aty, jeta juaj do të zhvillohet me lehtësi të lavdishme. Gëzimit dhe Xhensilas u është dashur të punojnë e përplasen gjithë jetën e tyre për të arritur deri këtu … dhe tani ata janë vetëm një darkë “fatale” larg suksesit përfundimtar si prindër: Zgjedhja e duhur për fëmijën e tyre. Kjo komedi e errët pasqyron e përcjellë Makbethin e Shekspirit derisa çifti Gashi ndjekin një rrugë drejt shkatërrimit në ndjekje të dëshirave të tyre disi irracionale, ose të paktën pritjeve irracionale.

Ju kurrë nuk do të mund ta shihni një kopsht në të njëjtën mënyrë si e keni parë deri tani përsëri!

Shfaqja vjen më datë 28 qershor, ora 19:30.

Në shfaqje luajnë: Aurita Agushi, Avni Shkodra, Safete Mustafa Baftiu, Gani Rrahmani, Kaltrinë Zeneli, Emine Toska.

Kompozitor: Trimor Dhomi
Kostumet: Alma Krasniqi
Skenografia: Bekim Korça
Asistent regjisor: Artan Selimi
Koordinator i korit: Artan Jerliu

Kori i fëmijëve: Bora Maliqi, Adni Arifi, Anesa Arifi, Ikona Kqiku, Rron Muja, Arbi Bajrami, Dior Thaqi. / KultPlus.com



Teatri i Qytetit të Gjilanit në kërkim të llogos së re, fton dizajnerët për aplikim

Teatri i Qytetit të Gjilanit ka hapë një thirrje për dizajnerët, të cilët mund të aplikojnë me punën e tyre për llogon e re të këtij institucioni kulturor, shkruan KultPlus.

Në këtë njoftim thuhet se aplikantët që aplikojnë duhet të marrin parasysh se punimet e tyre duhet të kenë elemente artistike dhe estetike të dallueshme për veprimtarinë e Teatrit, të jetë origjinale dhe unike, si dhe elemente të tjera. Për më shumë, të gjithë ata që mund të aplikojnë, KultPlus ju sjell linkun me informata shtesë të kësaj thirrjeje./KultPlus.com

https://www.facebook.com/teatriiqytetitgjilan/

Haziri: Teatri i Gjilanit është shndërruar në storie të suksesit këtë vit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i teatrit, Erson Zymberi, kanë konfirmuar angazhimin e përbashkët për realizimin më të mirë të mundshëm, të aktiviteteve në kalendarin e festave të nëntorit dhe njëkohësisht kalendarit kulturor të këtij institucioni, i cili është duke shënuar hapa pozitiv dhe shndërrimin në një storie të suksesit për këtë vit, por edhe stabilitet në fushën financiare.

“Teatri i Gjilanit këtë vit ka shënuar suksese në fusha të ndryshme që nga shfaqjet të cilat janë realizuar nga aktorët e qytetit tonë, nga pjesëmarrja e suksesshme në shumë festivale regjionale e ndërkombëtare e deri të stabilizimi i këtij institucioni kulturor edhe në aspektin financiar. Risi këtë vit ka qenë edhe themelimi i Teatrit Magjik dhe kthimi i jashtëzakonshëm i shikueshmërisë për shfaqjet teatrale”, ka thënë Haziri.

Ai më tej ka potencuar që së bashku me profesionalizmin që ka ky institucion, do të bëhet edhe organizimi kualitativ i kalendarit të festave të nëntorit dhe njëkohësisht kalendarit kulturor.

Nga ana e tij, drejtori Erson Zymberi, ka falënderuar kryetarin për angazhimin dhe mbështetjen që i ka dhënë këtij institucioni të rëndësishëm kulturor dhe ka konfirmuar angazhimin maksimal për të shënuar hapa pozitiv gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm që Gjilani të ketë vlera të larta artistike, kulturore e profesionale në teatër.

Ndryshe, pos tjerash është konfirmuar se këtë vit janë bërë investime mbi 100 mijë euro në teatër, derisa konfirmimi për investime shtesë edhe në të ardhmen do të jetë në koordinim me kryetarin e Komunës, i cili ka potencuar që do të jetë mbështetje e fuqishme që jeta teatrale dhe kultura në përgjithësi të shënoj progres dhe tërheqje të qytetarëve.

Thirrje e parë publike për aplikim në programin “Skena Alternative e Teatrit të Qytetit të Gjilanit”

Teatri i Qytetit të Gjilanit, në vazhdën e hartimit dhe zhvillimit të politikave të tij kulturore, për herë të parë ka krijuar programin “Skena Alternative”, i cili ka për qëllim zhvillimin dhe krijimin e ideve origjinale, kreative e inovative, të cilat në formën e një laboratori krijues, ndihmojnë në prodhimin dhe identifikimin e artistëve të rinj dhe ideve të tyre.

Ky program aplikohet për herë të parë sivjet në Teatrin e Gjilanit dhe është i hapur për të gjithë artistët krijues të fushave të ndryshme të artit dhe jo domosdoshmërisht të fushës së teatrit, të cilët jetojnë e veprojnë në qytetin e Gjilanit.

Teatri i Qytetit të Gjilanit fton të gjithë artistët e lirë të Gjilanit të aplikojnë me idetë e tyre në Programin “Skena Alternative”.

Datat për aplikim: 11.10.2018 – 29.10.2018

Propozimet duhet të prezantohen në formën e një koncepti deri në tri faqe dhe duhet të përmbajnë informatat bazike për idenë / projektin, autorët, ekipin e shfaqjes, konceptin artistik dhe CV-në e udhëheqësit të projektit.

Teatri i Qytetit të Gjilanit do të përzgjedhë 4 (katër) koncepte për t’u realizuar si shfaqje në skenën alternative të këtij institucioni.

Shfaqjet e realizuara në kuadër të kësaj skeneje do të jenë pjesë e repertorit të rregullt të këtij institucioni për vitin 2018 – 2019.

Planifikimi financiar realizohet në bashkëpunim me menaxhmentin e Teatrit të Gjilanit.

Konceptet duhet të dërgohen nëpërmes postës elektronike në këtë adresë [email protected], me subjektin Koncept për Programin “Skena alternative 2018”.

– Afati i fundit për aplikim është data 29.10.2018

Teatri i Qytetit të Gjilanit mund t’i ftojë aplikantët e koncepteve për sqarime dhe prezentim të projekt propozimeve të tyre. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi në mes Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit

Teatri i Qytetit të Gjilanit dhe Drejtoria Komunale e Arsimit, kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi përmes të cilit synohet të krijohen ura dhe lidhje të qëndrueshme të edukimit dhe zhvillimit të shëndoshë të nxënësve me Teatrin si medium dhe mekanizëm i cili ndikon në edukimin direkt të tyre.

Për këtë bashkëpunim ka njoftuar Drejtori i Përgjithshëm i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi.

“Bashke me drejtorin e DKA-se, z. Nazim Gagicen, sapo nenshkruam Memorandumin e Bashkepunimit mes Teatrit te Qytetit te Gjilanit dhe Drejtorise Komunale te Arsimit permes te cilit synojme te krijojme ura dhe lidhje te qendrueshme te edukimit dhe zhvillimit te shendoshe te nxeneseve me Teatrin si medium dhe mekanizem i cili ndikon ne edukimin direkt te tyre. Gjithashtu, ky memorandum eshte jetik dhe shume i rendesishem per teatrin dhe menaxhimin tone kulturor ne kuptimin e gjenerimit te te hyrave permes vizites se nxeneseve dhe percjelljes se shfaqjeve teatrale nga ta”, ka shkruar Zymberi në Facebook. / KultPlus.com

“I vetëm në banesë” vjen premiera në Teatrin e Qytetit të Gjilanit

Me tekst të Avni Shkodrës e regji të Natyrë Kallabës, më 28 maj në Teatrin e qytetit të Gjilanit, jepet premiera e shfaqjes “I vetëm në banesë”, shkruan KultPlus.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë: Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Emine Toska, Njomëza Kalaveshi, Tringa A. Hasani dhe Safete Mustafa.

Teksti flet për Artanin, 35 vjeçar, një skenarist filmi, fillon të shkruajë skenarin e tij të rradhës. Këtu fillon mjegullimi dhe pamundësia për të dalluar realen prej imagjinatës. Personazhet që ai shkruan fillojnë ti shfaqen në skenë. Ato herë janë realë e herë pjellë e imagjinatës së tij. Artani humb sensin e realitetit kështu duke e komplikuar edhe më shumë situatën. Karakteret që vijnë në mënyrë fiktive dhe me situata absurdi, e sjellin kryepersonazhin në situata kaotike emocionale, ku si përfundim ai përjeton vdekjen përkatësisht vrasjen nga secili personazh që vjen në dhomën e tij.

Skenografia dhe kostumet i janë besuar Bekim Korçës, formulimi muzikor nga Florim Gagica, dizajni i dritave nga Fatmir Halili, koreografia po ashtu nga Bekim Korça, inspicient dhe organizator është Raif Haziri, rekuizitat nga Suad Berisha dhe realizatorë të skenografisë janë Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti.

Premiera vjen të hënën më 28 maj me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com

Shoqata Sindikale e Teatrit të Qytetit Gjilan ngre zërin për diskriminimin që po ju bëhet teatrove të komunave

Në përkrahje te kërkesave të aktorëve të teatrove të qyteteve të Kosovës për kategorizim, sistematizim dhe sistemim në kuadër të sistemit të shërbyesve civil të Kosovës, Shoqata Sindikale e Teatrit të Qytetit të Gjilanit që funksionon si shoqatë sindikale e SBASHK-ut, ngre zërin për diskriminimin e gjithanshëm, mosrespektin dhe sidomos injorancën deri në cinizëm që po u bëhet nga institucionet obligative shtetërore të gjitha teatrove të komunave që nga paslufta e këtej.

Duke e parë gjendjen e rëndë të teatrove të Kosovës, teatrove të komunave si: Teatri i Qytetit Gjilan, Teatri i Qytetit “Hadi Shehu” Gjakovë, Teatri i Qytetit “ Bekim Fehmiu” Prizren, Teatri i Qytetit “ Istref Begolli” Pejë dhe Teatri “ Adriana Abdullahu” Ferizaj, etj.,

Duke e parë pavendosmërinë e institucioneve relevante për funksionimin e teatrove si: Komuna, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Financave, Qeveria e Republikës së Kosovës, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, rreth përcaktimit të statusit juridiko-financiar të teatrove, sidomos statusin juridiko-financiar të aktorit, duke e parë se të gjitha institucionet tjera të kulturës, siç janë: Arkivat, bibliotekat, muzetë, zyrat e trashëgimisë kulturore etj, pra, punëtorët e tyre, e kanë të zgjidhur statusin juridik dhe financiar të tyre, qoftë në nivel të Kosovës, qoftë në nivel të komunave dhe atë si shërbyes civil, edhe pse shumica prej tyre janë shërbyes profesional,

Duke e parë se nga të gjitha këto institucione të kulturës të Kosovës, të vetmet janë teatrot që nuk e kanë të zgjidhur statusin juridiko financiar.

Duke e parë se jeta artistike, sidomos jeta teatrore në Kosovë është e varfër,

Duke e parë se nëpër teatrot e Kosovës, hiq Teatrin Kombëtar të Kosovës, punohet ad hok, pa kritere repertoreske, dhe sidomos pa politika repertoreske të mirëfillta, pa analiza paraprake profesionale, pa kritere serioze vlerësuese për to, dhe sidomos pa kritikë të mirëfilltë teatrore,

Duke e parë se të gjitha këto janë pasojë e ligjit anti teatror për teatrot e Kosovës, sidomos për teatrot e komunave,

Duke e parë se Teatri Kombëtar i Kosovës dhe institucionet tjera të kulturës të Kosovës nuk janë në gjendje ta mbulojnë tërë territorin e Kosovës me produksionet e tyre, sidomos, nuk mund t’i absorbojnë kërkesat e përditshme të qytetarëve të Kosovës,

Duke e pare pa aftësinë dhe pamundësinë e komunave për t’ju dalë përballë kërkesave të qytetarëve për jete të përhershme kulturore,

Duke e parë se Ligji për teatrin i lë teatrot e komunave në vullnetin e komunave për të përkrahur apo jo kërkesat jo vetëm të komunitetit artistik,

Duke e parë diskriminimin në ndarjen e buxhetit nga MKRS-ja për teatrot komunale, sidomos në raport me institucionet kombëtare të kulturës:

Sindikata e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, u bënë thirrje institucioneve të sipërpërmendura përgjegjëse për funksionimin normal të teatrove, sidomos Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, që sa më parë, në bashkëpunim me SBASHK-un, në kuadër të Kontratës Kolektive për Punonjësit e Institucioneve të Kulturës të Kosovës: Të formoj një komision të përbashkët me SBASHK-un për ndryshimin e ligjit për teatrot dhe të marrë përsipër obligimet statusore dhe juridiko financiare për funksionimin e teatrove të komunave, sidomos të komunave që i plotësojnë kriteret teknike dhe të kuadrove për themelimin e teatrove kombëtare të qyteteve.

Të nxjerrë dhe rregullojë me ligj sistematizimin dhe sistemimin e aktorëve në paga të rregullta brenda sistemit të pagave të shërbyesve civil të Kosovës, si kategori e shërbyesve profesional, përkatësisht shërbyesve (performuesve) artistik të Kosovës.

Sindikata e Teatrit të Qytetit të Gjilanit u bënë thirrje sindikatave simotra brenda SBASHK-ut, dhe jo vetëm atyre, për përkrahje të kërkesave legjitime të teatrove të komunave, përkatësisht të aktorëve të teatrove të qyteteve të Kosovës. / KultPlus.com

Komuna e Gjilanit shpallë konkurs për drejtor të Teatrit të Qytetit

Komuna e Gjilanit ka shpallur konkurs publik për drejtor të Teatrit të Qytetit, shkruan KultPlus.

Të drejtë aplikimi kanë të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës të moshës madhore të cilët kanë zotësi të plotë për të vepruar dhe i plotësojnë kushtet në aspektin e kualifikimit dhe shkathtësive të kërkuara me konkurs.

Shërbimi Civil i Kosovës ofron mundësi të barabarta të punësimit për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe i mirëpret aplikacionet nga të gjithë personat e gjinisë mashkullore dhe femërore nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Komunitetet jo shumicë dhe pjesëtarët e tyre kanë drejtë përfaqësimi proporcional në organet e shërbimit civil të administratës publike si në nivel qendror njashtu edhe atë lokal.

Qëllimi i vendit të punës-angazhimit: Menaxhimi dhe promovimi i teatrit:

Detyrat dhe përgjegjësitë :

bën menaxhimin financiar,administrativ,teknik dhe promovues të teatrit;
zbaton vendimet e Këshillit drejtues të teatrit;
propozon organizimin e brendshëm të teatrit tek Këshilli drejtues;
përfaqëson teatrin brenda dhe jashtë vendit;
propozon buxhetin vjetor para Këshillit drejtues;
kërkon, aplikon dhe negocion për marrjen e donacioneve;
mbikëqyrë të hyrat dhe shpenzimet buxhetore si dhe të donacioneve;
negocion dhe nënshkruan kontratat dhe marrëveshjet me artistë të pavarur dhe me palë tjera;
menaxhon mirëmbajtjen dhe sigurimin e ndërtesës së teatrit;
menaxhon bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;;
për punën e tij i përgjigjet Këshillit drejtues të teatrit;
kryen edhe punë tjera të përcaktuara me ligj dhe statut të teatrit;

KUSHTET:

diplomë universiteti nga fusha e teatrit ose lëmi të përafërta të kulturës;
të ketë 5 vite përvojë pune profesionale;
njohuri të punës me kompjuter, Word, Excel;
të ketë shkathtësi të mira menaxhuese, komunikuese dhe ndër njerëzore dhe të jetë i gatshëm të punoj me orar fleksibil të punës dhe në grupe;
të ketë aftësi të mira për ruajtjen dhe zhvillimin e kontakteve brenda dhe jashtë teatrit.

Rregullimi i mandatit: bazuar në nenin 13 paragrafi 3 të Ligjit për Teatrot nr. 04/L-106, mandati i Drejtorit të përgjithshëm të teatrit është 4 (katër) vite me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat.

Çdo kandidat (aplikues) për pozitën e lartcekur duhet t’i kompletoj dhe dorëzoj dokumentacionin e domosdoshëm (foto kopje) si vijon :

dëshmi të kualifikimit shkollorë në fotokopje e noterizuar, e nëse kandidati e ka kryer shkollimin jashtë Republikës së Kosovës diploma duhet të jetë e nostrifikuar në MASHT.
dëshmi mbi përvojën e punës dhe trajnimet e kryera
dokumentin e identifikimit;
certifikata që nuk është nën hetime

Aplikacionet merren, dhe të plotësuara dorëzohen në arkivin qendror të Komunës së Gjilanit, përkatësisht në Qendrën për Shërbim të Qytetarëve
Afati i aplikimit është 15 ditë, nga dita e shpalljes publike të konkursit në mjetet e informimit publik, Web faqen komunale dhe tabelën e shpalljeve publike.
Aplikacionet e dorëzuara pas afatit të paraparë nuk pranohen, kurse ato të mangëta refuzohen.
Vetëm kandidatët e përzgjedhur në listën e shkurtër do të kontaktohen përmes tel ose email të cilin duhet shënuar në aplikacion. / KultPlus.com