Velijaj viziton kantierin e Teatrit të Ri: Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut

Puna për Teatrin e Ri po ecën me ritme të shpejta, teksa pritet që brenda vitit 2025 të përfundojë karabinaja e godinës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha, së bashku me një grup kritikësh, drejtorë teatrosh dhe gazetarësh nga vende të ndryshme të Europës, vizituan kantierin e Teatrit të Ri, si dhe njohën vizitorët me projektin dhe ecurinë e punimeve.

Kryebashkiaku Veliaj tha se Teatri i Ri do të jetë njësoj me teatrot e tjerë të Europës dhe do të mirëpresë artistët dhe publikun siç i ka hije. Ai shtoi se vendi ecën përpara vetëm duke parë nga e ardhmja.

“Është një kënaqësi e veçantë që pritëm një grup njerëzish që merren me teatër, që prodhojnë art dhe kulturë, nga dhjetëra teatrot e Europës, të cilët panë se si edhe në Tiranë arti dhe kultura prodhojnë ekonomi, njësoj siç ne shohim që kjo ndodh në Itali ose në Greqi. Ne duam të provojmë se edhe në Tiranë, të qenit Kryeqyteti Europian i Rinisë, pastaj Qyteti Europian i Sportit, por sidomos vitin tjetër kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, prodhon ekonomi për vendin. Jo vetëm ata që punojnë në industrinë teatrore, por edhe turistët, apo ata që vijnë si spektatorë, konsumojnë, qëndrojnë në hotele, prodhojnë energji ekonomike për qytetin. Ne duam ta kthejmë 2025 në një histori suksesi edhe për Teatrin e Ri, i cili të paktën vitin tjetër të mbarojë si ndërtesë. Duam që vitin kur Tirana të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut të shkëlqejë po njësoj si me titujt e tjerë. Fakti se në Tiranë do të vijnë të gjitha trupat e Mesdheut, na jep një mundësi që, bashkë me Ministrinë e Kulturës, Teatrin Kombëtar dhe Bashkinë e Tiranës, të tregojmë më të mirën tonë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Teatri i Ri po ndërtohet për 100 vitet e ardhshme. “Sa më shumë afrohemi drejt Bashkimit Europian, të asaj që është vizioni “Shqipëria 2030”, aq më shumë duhet të evropianizohet çdo hapësirë. Edhe pjesa e Teatrit të Ri, pavarësisht se gjithmonë do të ketë debate për ndryshime, ndryshimet gjithmonë provokojnë një diskutim publik. Në fund ne duhet të marrim vendime dhe duhet t’i kemi teatrot njësoj siç i ka Bashkimi Europian, me ajër të kondicionuar në verë dhe me ngrohje në dimër. Kjo do të thotë se po ndërtojmë një teatër për 100 vitet e ardhshme, jo për 100 vitet e shkuara. Vetëm duke parë nga e ardhmja, vetëm duke ecur përpara, mund të prodhojmë histori suksesi. Unë jam i privilegjuar që Bashkia e Tiranës ka mbështetur këtë super paraqitje të këtij bashkimi, të kësaj energjie të jashtëzakonshme kreative, të teatrove të Shqipërisë edhe të Kosovës. Më vjen mirë që kjo kornizë, kjo tablo, ka qenë sot përballë gjithë përfaqësuesve të teatrove europiane. Ka qenë edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar se ‘Po’, në këtë qytet ka debat, por në këtë qytet merren edhe vendime për të ecur përpara”, nënvizoi Veliaj.

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha tha se me Teatrin e Ri, Shqipëria po hyn në procesin e ndërkombëtarizimit të hapësirës teatrore. “Patëm mundësinë t’i prezantojmë kantierin e Teatrit të ri Kombëtar një grupi të madh me kritikë, gazetarë dhe drejtorë teatrosh nga e gjithë Europa, të cilët kanë ardhur këto ditë në Tiranë për të ndjekur ‘showcase’ e teatrit shqiptar dhe kosovar. Është një nga aktivitetet më të rëndësishme, ndoshta më unik, në historinë e teatrit shqiptar, që kaq shumë njerëz që merren me teatër të shohin, të vlerësojnë dhe të njohin  kulturën tonë, sigurisht me perspektivën se kjo vizitë do të kthehet dhe do të përkthehet në bashkëprodhime, në pjesëmarrje, në festivale. Shqipëria po hyn në procesin e ndërkombëtarizimit të hapësirës teatrore, me shpresën se në momentin kur Teatri i Ri do të jetë në funksion, e gjithë kjo do të përkthehet në një fluks të jashtëzakonshëm të cilësisë së teatrit”, u shpreh Basha./atsh/ KultPlus.com

Veliaj: Teatri i Ri, bizhu për qytetin

Ish-godina e Drejtorisë së Burgjeve është shembur për t’i hapur rrugë punimeve që po kryhen për Teatrin e Ri.

Kantieri, në të cilin puna është fokusuar kryesisht gjatë orëve të natës, tashmë ka në dispozicion edhe një rampë, përmes së cilës do të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi mbrëmjen e djeshme punimet për Teatrin e Ri, u shpreh se në këtë mënyrë të gjitha mjetet do të kalojnë përmes Unazës së Vogël të Tiranës, pa dëmtuar zonën e Pedonales apo Kalasë, mjaft të frekuentuara nga turistët që kanë mbushur edhe këtë verë kryeqytetin. Nga ana tjetër, ato do të kryhen gjatë orëve të natës për të mos rënduar as trafikun në kryeqytet.

“Tetari Kombëtar është vërtet një bizhu për qytetin, por duhen marrë disa vendime që përputhen me rritjen e turizmit dhe të jetës së natës së qytetit. E gjithë zona e Kalasë, zona e Pedonales, ka pafundësisht jetë, përfshirë këtu edhe institucionet që kanë akses nga pedonalja “Murat Toptani”. Kemi vendosur që aksesin për kantierin e Teatrit ta kemi në rrugën e Unazës së Vogël të Tiranës. Kjo do të thotë se kemi dekomisionuar ndërtesën e ish-Drejtorisë së Burgjeve dhe me hapjen e atij kantieri, e me zhvendosjen e disa kabinave elektrike, mundësojmë që Pedonalja, Kalaja dhe kinemaja të përdoren; pra i gjithë “damari turistik” i Tiranës të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë, kurse ne do të përdorim këtë akses këtu që të sigurohemi që kamionët që punojnë kryesisht natën të kenë hyrje-dalje në kantier”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë falënderoi të gjitha strukturat e bashkisë, por edhe të Policisë të angazhuara për mbarëvajtjen e projektit, ndër më të rëndësishmit në kantieret ku po punohet aktualisht në kryeqytet.

“Dua të falenderoj të gjithë për angazhimin, IMT-në, të gjithë kolegët që janë mobilizuar, nga Policia Bashkiake, Policia Rrugore, kolegët e Zjarrfikëses. Është një operacion që do të na zërë gjithë natën, por nesër kur Tirana gdhihet në mëngjes, secili do vazhdojë ta përdorë Unazën e Vogël, por ishte i vetmi moment ku ne mund të bënim një ndërhyrje të tillë. Kështu që, dua t’i falenderoj të gjithë ata që janë treguar mirëkuptues për këtë devijim të përkohshëm gjatë mbrëmjes,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku tha se, ky është muaji kur Bashkia intensifikon punën në terren, ndihmuar më së shumti edhe nga çlirimi i trafikut në Tiranë, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, pjesa më e madhe e punimeve të ketë përfunduar. “Gushti do të jetë muaji më i ngarkuar për ne. Duke qenë se një pjesë e madhe e qytetarëve janë buzë detit, do të sigurohemi që t’i përfundojmë në verë gjithë këto kantiere që kërkojnë hapje të mëdha të rrugëve, siç është kantieri i madh në Kinostudio, kantieri i Teatrit dhe 10 shkollave të reja, që po përgatisim të vlojnë gjatë Gushtit, në mënyrë që kur qytetarët të kthehen nga pushimet, pjesa më e madhe e punimeve të ketë mbaruar. Do shfrytëzojmë maksimalisht këtë kohë”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Projekti i Teatrit të Ri është krijuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë.

Godina e re ofron një arkitekturë me dizajn modern dhe krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, me të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e shfaqjeve teatrore./ atsh / KultPlus.com

Mesazhi i Kumbaros pas letrës së 65 artistëve që mbështesin projektin për teatrin e ri

65 artistë të njohur mes të cilëve shumica aktorë dhe regjisorë të Teatrit Kombëtar kanë mbështetur në një letër të hapur ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Letra thekson nevojën për një ndërtesë dinjitoze të teatrit dhe respektimin e një procesi transparent që ruan pronën e Teatrit Kombëtar në funksion të tij.

Artistët i bëjnë thirrje forcave politike të qëndrojnë larg këtij procesi dhe të mos politizojnë betejat e artistëve. Ministria Mirela Kumbaro ka përshëndetur letrën e tyre përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Falenderim me përulje per te 65 artistet dhe figurat e nderuara qe nga i madhi Pirro Mani, shume te dashurit Fatos e Drita Haxhiraj, te nderuarit Pellumb Kulla, Viktor Zhusti, Gezim Kame, Josif Papagjoni, Luftar Paja, Bashkim Hoxja dhe te 65 artisteve, deri te me te rinjte po jo me pak te rendesishem per te sotmen e te ardhmen, te cilët sot mendojne e mbeshtesin bashkepunimin per Teatrine se Ardhmes”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Veliaj për teatrin e ri: Duam të bëjmë një teatër klasi

Teatri i ri Kombëtar do të realizohet sipas shembullit të stadiumit kombëtar.

Në intervistën e tij në “Tonight”, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, diskutoi edhe për ndërtimin e teatrit të ri, i cili sipas tij do të jetë modern dhe jo një furrik me tallash të presuar shkrepësesh, siç është godina aktuale.

“Nuk mund të thuash që holli i famës janë copat e tallashit. Më bie për hise të jem edhe kryetari i zjarrfikëseve të qytetit dhe kemi në mënyrë konsekutive, ende pa lindur ky debat, raportet nga Instituti i Ndërtimit, nga zjarrfikëset, që thonë e vetmja mënyrë që mund të garantojmë që aty nuk shuhet çdo gjë dhe nuk na ndodhin katastrofa, është të rrimë me zorrën gati në skenë. Me zorrën gati në skenë nuk rrihet në asnjë vend të botës”, – shpjegoi Veliaj.

Për ndërtimin e teatrit të ri do të ndiqet shembulli që u zgjodh për ndërtimin e stadiumit kombëtar.

“Po të shikojmë rastin e stadiumit që sot konsiderohet një histori suksesi, qeveria në atë pronë hyri si çdo privat në Tiranë. Pra qeveria tha, kam një pronë, do ta zhvilloj, sa ma jep përqindjen? Të gjithë që kanë shtëpi qerpiçi në Tiranë flasin me këtë gjuhë. Sot është 30, 35, 40%. Ti që je zhvillues për këtë shtëpinë time, sa do ma japësh përqindjen? Tani, kur kjo funksionon rëndom në tregun privat dhe qeveria shqiptare tha këtë: unë kam këtë tokë, po të lë ty që të bësh një hotel me 5 yje. Sot ajo kullë në fakt është marrë nga një hotel me 5 yje, një nga brand-et më të mira, që Tirana ka nevojë për këto hotele”, – tha Veliaj.

Duke u ndalur te teatri aktual dhe te gjendja e tij, Veliaj bëri me dije se asnjë autoritet italian nuk ka thënë që kjo godinë ka vlerë, duke shtuar se pala italiane ka bërë studime të cilat tregojnë se kjo godinë ishte ndërtuar për 5-6 vite me qëllim argëtimin e oficerëve dhe ushtarëve të vendosur në Tiranë.

“Ende nuk ka dalë një autoritet italian të thotë që ajo godinë (teatri) ka vlerë. Të gjithë thonë s’ka asnjë vlerë. Madje, ata kanë bërë studimet që thonë kjo ishte një godinë që u bë për 5-6 vjet, t’i rezistonte luftës që të argëtoheshin oficerët dhe ushtarët e vendosur në Tiranë. Pra ishte një dopo-lavoro argëtim për ta. Tani, a ka ardhur koha ta modernizojmë? Propozimi që na ka ardhur, jo nga një arkitekt i mirë, na ka ardhur nga ai që quhet sot arkitekti më i mirë i gjallë në botë, sot.

Kryetarë bashkie të cilët kur dëgjojnë që Bjarke Ingels ka bërë një propozim për Tiranën thonë, si e bindët, sepse i fundit që e bindi ishte Blumberg që sapo bëri një super ndërtesë në Nju-Jork dhe fillon tani kullën e dytë binjake. Pra kullën e dytë binjake po e bën Bjarke Ingels.

Sepse ne nuk i kemi këto para dhe si mijëra familje tiranase i kanë thënë zhvilluesit, më jep përqindjen në këmbim të tokës, ne po bëjmë të njëjtën gjë, po i themi, në këmbim të tokës përqindjen e duam në formën e këtij teatri që kushton 30 milionë euro. Nëse bën këtë, atëherë jemi gati ta konsiderojmë dhe sot qeveria shqiptare është gati ta konsiderojë. /Ata

Viti 2019-të sjellë një teatër të ri për publikun shqiptar

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e ka nisur këtë mandat të dytë nga mbikëqyrja e ambienteve të kulturës që i janë nënshtruar rikonstruksionit. Ajo është ndalur në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke theksuar se punimet po ecin sipas parashikimeve.

“Jemi në një ndër momentet e inspektimit të kantierit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Punimet kanë ecur shumë mirë deri tani. Është punuar në mënyrë shumë intensive dhe në kushte shpesh edhe të vështira për mungesë të hapësirave të brendshme, problem që vazhdon duke u hequr zvarrë problemi juridik me shoqërinë italiane, por problem që do ta zgjidhim shumë shpejt me masa të drejtpërdrejta, por pa dyshim ligjore”, u shpreh Kumbaro.

Ritmet intensive gjatë ndërhyrjeve pritet te sjellin përfundimin në kohë të projektit. Thënë ndryshe, në vitin 2019 publiku në TKOB do të mund t’i ndjekë shfaqjet në një teatër tërësisht të transformuar dhe modern.

“Kemi ecur me ritme të mira. Jemi brenda afateve të kontratës dhe me pak durim, besojmë që brenda limiteve të parashikuara do të kemi një Teatër të Operas dhe Baletit tërësisht të modernizuar, edhe pse gjithë pajisjet e vjetra mekanike të viteve 50-të ndryshohen dhe automatizohen krejtësisht në shërbim edhe të publikut edhe të artistëve”, theksoi ajo.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova, shkruan VP./ KultPlus.com