Teatri i ri Kombëtar, Veliaj: Do jetë në tokën e vet, më i madhi e më i bukuri në rajon

 Sot u çelën zyrtarisht punimet për godinën e re të Teatrit të Ri, i cila do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës së shekullit XXI. Njësoj si Stadiumi i ri Kombëtar do t’u shërbejë me kushte më të mira aktorëve e spektatorëve, po edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Europë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Kulturës, Elva Margariti ishin në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e godinës së Teatrit të Ri, u shpreh se sot më shumë se kurrë na duhet të kapim kohën e humbur. Ai tha gjithashtu se teatri i ri do të ndërtohet në tokën e tij, me para publike dhe do të jetë shumë herë më i fortë dhe më i bukur. Në ceremoni ishin edhe aktorët e mëdhenj si Robert Ndrenika, Luiza Xhuvani, Artan Imami, Tinka Kurti, Luftar Paja, e shumë emra të tjerë, Kastriot Çaushi, Dritan Boriçi, Gaz Paja, Lulzim Zeqja, Arben Derhemi, Indrit Çobani dhe drejtori i ri i teatrit, Altin Basha.

“Sot jam mirënjohës për profesor Bertin, për Luizën, për Tanin, për Tinkën, për Luftarin dhe Kaçin, Altinin e shumë të tjerë, të cilët në fakt, kur e nisëm këtë debat, kishim opinione të ndryshme, por në demokraci ne biem dakord që të mos biem akord, ama sot kemi dakordësuar diçka shumë të madhe: që Teatri do të jetë në tokën e vet, në territorin e vet, pa lëshuar asnjë centimetër, as privatit, as kujt tjetër. Sot kemi rënë dakord që Teatri do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet, sepse vendosëm që të vinim mënjanë, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe këmbënguljen e Kryeministrit Rama, që të bëhet me paratë e buxhetit dhe ne të kemi mundësi që me para publike, në tokë publike, të bëjmë një teatër 9 herë më të madh, më të fortë dhe sigurisht më të bukur në rajonin tonë”, u shpreh ai.

“Besimi, bashkëpunimi, dashuria, puna është ajo që na çon përpara”, tha Veliaj.

“Për mua është një dilemë shumë e madhe se si mund të ketë ende forca politike kundër Teatrit? Si mund të ketë forca politike kundër sheshit? Si mund të ketë forca politike kundër këndit të lodrave? I quaj forca politike se nuk janë as parti. Janë një konglomerat, një aliazh copëzash të partive të ndryshme, asnjë parti integrale nuk është e përfshirë në këtë histori, është vërtet për të ardhur keq. Të mendosh që shumë prej këtyre lëvizjeve politike filluan si dramë, vazhduan si tragjedi dhe përfundojnë sot si komedi. Filluan si dramë sepse ishte dramatik ndryshimi i sistemit, ishte dramatik ndryshimi, rënia e murit të Berlinit, hapja ndaj demokracisë; ishte tragjike pastaj, që shumë prej këtyre personazheve u shpallën non-grata, kurse sot nuk kalojnë dot përtej aeroportit të Rinasit apo portit të Durrësit. Është komedi kjo që ndodh sot, kur ato lëvizje që nisën si shpresë, nisën si dramë, kaluan këto tragjedi, sot në fakt janë kthyer në vepra shumë të lira komike. Një komedi e tillë Tirana nuk ia ka borxh dhe unë besoj që sot, më shumë se kurrë, na duhet të kapim kohën e humbur”, vijoi kreu i Bashkisë.

Ai tha po ashtu se, “sot jemi në një situatë ku kemi konsensusin më të madh të artistëve dhe arkitektëve. “Kemi sot një dakordësi që qyteti ka nevojë për një hapësirë të tillë, ashtu siç janë bërë hapësira fantastike Piramida, Pazari, Sheshi, Liqeni, Unaza e Vogël, Unaza e Madhe, Stadiumi Kombëtar dhe shumë vepra të tjera që e kanë rritur cilësinë e jetës dhe vlerën e pronës në qytetin e Tiranës.

Ai falënderoi arkitektin e famshëm danez, Bjarke Ingels për të cilin tha se sapo ka projektuar stacionin e parë hënor dhe sot është identifikuar me Teatrin e Tiranës. “I japim një mirëseardhje shqiptare të gjithë çunave e gocave, që kanë ardhur nga Kopenhagen. Bjarke sapo ka projektuar stacionin e parë hënor dhe siç e provoi, duke ardhur këtu sot, është më e vështirë të bësh një teatër në Shqipëri se sa të bësh një stacion në Hënë, por më vjen mirë që një emër kaq i madh është identifikuar me një vepër që do jetë padyshim vepra më e bukur e artit dhe kulturës në gjithë gadishullin e Ballkanit”, nënvizoi Veliaj./ atsh/ KultPlus.com

Margariti: Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, kushte të denja për të bërë art

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar është një premtim madhor, i mbajtur ndaj artistëve, por edhe publikut që meritojnë kushte të denja njëlloj si në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe hapësira bashkëkohore për të bërë art.

“Është një skemë që duhet të pulsojë, jo vetëm nga kujtimet e veprave shqiptare, por edhe nga prania e artistëve e regjisorëve të huaj që do të vijnë”, tha Margariti, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku po diskutohet në parim projektbuxheti për vitin 2022.

Ministrja Margariti tha se janë 30 objekte të dëmtuara nga tërmeti që jo vetëm po ringrihen, por edhe rijetëzohen. Sipas saj, kjo edhe falë mbështetjes prej 40 milionë eurosh të EU4Culture.

“Kultura vjen me buxhetin më të madh që kjo ministri ka patur ndonjëherë dhe me numrin më të madh të projekteve. Buxheti është mishërimi i një vizioni për të vazhduar me rikthimin e dinjitetit të jetës artistike e kulturore, duke u përqendruar te rimëkëmbja e infrastrukturës dhe duke sjellë mundësi të reja ndaj kulturës dhe të të bërit art”, tha Margariti.

Sipas saj, buxheti 2022 është mbi 4.1 miliardë lekë.

“Buxheti 2022 për Kulturën është rritur në një masë të paprecedent prej 46.6 % krahasuar me një vit më parë”, tha Margariti.

Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, Margariti tha se janë akorduar në buxhet 715 milionë lekë, me një rritje 34.2 %. Ministrja theksoi se, në mbështetje të artit dhe kulturës janë vendosur mbi 3 miliardë lekë në këtë buxhet, një rritje prej 52.6 %.

Ajo informoi se ka nisur puna për krijimin e Qendrës Kulturore për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave.

“Për të gjithë ata gjumëprishur e fjalë shumë për fatin e godinës së Teatrit të Kukullave, ju them me krenari se si pjesë e programit EU4Culture do t’i nënshtrohet restaurimit të plotë dhe do të shndërrohet në një qendër multikulturore. Në vitin 2022 do të vazhdohet me rijetëzimin e Piramidës, një bashkëfinancim me bashkinë e Tiranës me një fond prej 1.2 miliardë lekë, ku mbështetja buxhetore për 2022 është 452 milionë lekë. Programi art e zeje do të hyjë në të gjitha shkollat. Ne, me të njëjtën ambicie si atë të TKOB, do të riparojmë Galerinë e Arteve që do të kthehet në një muze dinjitoz, Muzeun e Arteve të Bukura”, tha Margariti.

Ministrja u shpreh se do të zbulohet edhe Mozaiku i Tiranës, një hapësirë mes disa rrugicash ku arkeologët u rikthyen pas më shumë se 40 vitesh dhe rishkruan edhe një herë historinë e gjenezës së këtij qyteti. / KultPlus.com

Ja si do të jetë Teatri i ri Kombëtar (FOTO)

Në 100 vjetorin e saj të dytë të shpalljes Kryeqytet, Tirana ka hedhur sot themelet për t’i dhënë komunitetit të artistëve, aktorëve, regjisorëve, por edhe qytetarëve artdashës, një shtëpi të re arti dhe kulture, Teatrin e Ri Kombëtar.

E konceptuar të jetë edhe si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë dhe e dedikuar vetëm për art, projekti i Teatrit të Ri është krijuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë. Godina e re ofron një arkitekturë me dizajn modern dhe krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, me të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e shfaqjeve teatrore.

Hapësira në nivelin zero (kati përdhes) krijon një vend për argëtim joformal, ose për performancë të planifikuar publike.

Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët.

Për herë të parë, gjithashtu për artistët do të ketë një hapësirë që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër.

Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. /shqiptarja/ KultPlus.com

Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “mezi po pres të shikoj të ndërtohet teatri i ri kombëtar”.

Në konferencën e drejtpërdrejtë me gazetarët, Kryeministri Rama i pyetur për godinën e teatrit theksoi se “ai është një proces për të cilin unë jam shprehur tanimë nuk e di sa vite u bënë dhe jam njeriu i fundit që të pyesni për ndonjë hap mbrapa dhe jam i pari që e kam thënë që prej vitit të largët 1998-1999, në ato vite, që ajo godinë duhet shembur dhe që Shqipëria duhet të ketë një teatër kombëtar të denjë për këtë emër. Kështu që për mua janë të gjitha argumente të ezauruara me kohë e me vakt dhe mezi po pres të shikoj të ndërtohet teatri i ri kombëtar”.

“Të gjithë kanë të drejtën të kenë opinionet e tyre, të kenë të drejtën e tyre, kundërshtimet  e tyre, por në fund vendos shumica. Ky është parimi bazë i sistemit që kemi zgjedhur, në fund vendos shumica dhe ne jemi shumica, dhe ne e kemi marrë këtë vendim edhe nuk shikoj sesi pakica të caktuara mund të imponojnë në çfarëdo forme vendimmarrje që lidhen me kompetencat e drejtpërdrejta të pushtetit të mandatuar nga populli”, – tha Rama./atsh / KultPlus.com

Publikohen pamjet se si do të duket Teatri Kombëtar (VIDEO)

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar një video ku tregohet projekti i Teatrit të ri Kombëtar.

Përmes një postimi në Facebook, Veliaj e cilëson një ditë të re për Tiranën dhe u kërkon qytetarëve një mbështetje masive për progresin. “Një ditë e re për Tiranën! Një mbështetje masive për progresin! Një Teatër i Ri për Kryeqytetin Europian”, shkruan Veliaj.

Projekti i prezantuar nga një studiot më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vet publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën.

Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht do ketë një hapësirë prej 750 metra katror auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon./KultPlus.com

Elia Zaharia Zogu nënshkruan peticionin për Teatër të Ri Kombëtar

Mbretëresha shqiptare, Elia Zaharia Zogu, është një nga 65 firmëtarët e peticionit dërguar krerëve të shtetit për ndërtimin e një Teatri të Ri Kombëtar në truallin ku sot ngrihet godina e vjetër e TK-së.

65 artistë i kanë drejtuar letër të hapur krerëve më të lartë shtetit, për nevojat emergjente të ndërtimit të teatrit të ri. Në letrën e tyre artistët shprehin nevojën urgjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar.

Në mesin e tyre edhe aktorja Elia Zaharia Zogu ka firmosur për shembjen e teatrit aktual të ndërtuar në kohën e Mbreti Zog, shkruan Panorama./KultPlus.com