Aktorët paralajmërojnë grevën me kampanjë në rrjete sociale – #veçpojukqyrim #ngrevë #meaktoret #5

Kanë mbetë vetëm edhe pesë ditë nga koha kur mund të pezullohet krejt repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, pasi që, aktorët rezident të këtij institucioni kulturor kanë kërkuar nivelizim të pagave me ato të profesorëve të Universitetit, shkruan KultPlus.

Sot ka nisë kampanja e grevës nëpërmjet rrjeteve sociale, me sloganin #veçpojukqyrim #ngrevë #meaktoret #5, dhe aktorët rezidentë kanë bërë të ditur për KultPlus, se kjo kampanjë do të vazhdojë deri të premten, në mënyrë që ti kujtojnë MKRS-së, se ditët drejt grevës po ofrohen.

“Ne po e quajmë fushatë, ku çdo dite do ta paralajmërojmë ministrin se dita drejt grevës së përgjithshme po ofron. Kjo kampanjë do të vazhdon deri të premten, e të premten do të dalim me një konferencë”, ka thënë Gresa Pallska për KultPlus.

Kurse Albulena Kryeziu Bokshi përpos që ka konfirmuar për këto zhvillime në TKK, ajo ka thënë se me këtë kampanjë po rritin presionin drejt plotësimit të kërkesave të tyre, dhe sipas saj, vetëm të premten do të kuptohet vendimi definitive I trupës rezidente të TKK-së. Ndërkohë, pjesë e kësaj kampanje është e gjithë trupa e TKK-së./KultPlus.com

MKRS nuk garanton pagën që kërkojnë aktorët e TKK-së

Aktorët rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës tashmë kanë paralajmëruar grevën e tyre për ti pezulluar të gjitha shfaqjet në repertor, duke lënë një afat kohorë prej dhjetë ditësh, në mënyrë që të shohin se nëse po reagon Ministria për Kulturë Rini dhe Sporte, në kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me rritje të pagave, shkruan KultPlus.

Aktorët e TKK-së kanë kërkuar që pagat e tyre të nivelizohen me ato të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, dhe një kërkesë e tillë ka koston në vlerë prej një mijë eurove për një aktor.

Ditët tashmë kanë filluar të numërohen deri te këmbanat e grevës, mirëpo nga kabineti i ministrit të MKRS-së, po vlerësohet se aktorët me këtë paralajmërim kanë marë një vendim të njëanshëm.

“Ne jemi takuar me përfaqësues të Sindikatës së TKK-së, por edhe me aktorët, dhe kemi biseduar me ta në shqyrtimin e gjetjes së mundësive legale, për plotësimin e kërkesave të tyre. Por ata kanë marë një veprim të njëanshëm ku edhe kanë paralajmëruar pezullimin e shfaqjeve”, ka thënë për KultPlus, shefi i kabinetit në MKRS, Samir Hoxha.

Një periudhë prej dhjetë ditëve deri në plotësimin e kërkesave të aktorëve, për Hoxhën është shumë afatshkurtër dhe shumë e pamundur, pasi që, sipas tij, MKRS duhet të gjejë harmonizim me Ministrinë e Financave për gjetjen e një zgjidhje.

Ai vlerëson se në bazë të rregullores që përfshinë artistët, numri i performuesve është shumë më i madh, pasi që përfshihen edhe artistë të tjerë, dhe jo vetëm ata të TKK-së. “Në ditët në vijim, ministri Kujtim Gashi do ti takojë përsëri aktorët e këtij institucioni, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, por pa e garantuar atë pagë që e kanë kërkuar. Ne numërojmë mbi 400 krijues sipas rregullores për performues, dhe nëse do të rriten pagat për krejt këtë numër, atëherë është një ngarkesë shumë e madhe për buxhetin”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka thënë se kërkesat e aktorëve të TKK do të adresohen me kohë në Ministrinë e Financave, në fillim të vitit të ardhshëm, dhe sipas tij, vullneti i MKRS-së është që të zgjidhet ky problem./KultPlus.com

Shënohet Java Botërore e Gjuhës Italiane në Prishtinë

Në kuadër të Javës Botërore të Gjuhës Italiane, e cila shënohet nga të gjitha ambasadat italiane kudo në botë, është hapur ekspozita “Udhëtim në Itali”.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Pierro Sardi tha se qëllimi i kësaj ekspozite është të shfaq përmes fotografive historinë kinematike të Italisë dhe të japë një pasqyrë mbi Italinë dhe evoluimin që ka pas ky shtet përgjatë 70 viteve të fundit. Ai shtoi se këto fotografi janë marr prej filmave më të vjetër italian, e deri tek ata të realizuar më së fundmi, transmeton kp.

Sardi: Datojnë prej mbarimit të Luftës së Parë Botërore

“Ky është një shembull i shkurtër i fotografive të nxjerra nga disa prej filmave më të famshëm italian dhe kjo ekspozitë ka për qëllim të japë një vështrim mbi historinë tonë kombëtare. Filmat më të vjetër prej të cilëve janë marrë fotografitë, datojnë prej mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe vazhdojnë me filmat më të fundit të bërë vitin e kaluar, pra vitin 2016. Këto fotografi fillojnë prej disa fotografive të vjetra bardh e zi aty, dhe qëllimi i tyre është të japin një pasqyrë mbi vendin tonë, mbi historinë tonë dhe se si ne keni evoluar për 70 vitet e fundit”, tha ai.

Kuratori i ekspozitës “Udhëtim në Itali”, Antonio Maraldi tha se e veçanta e kësaj ekspozite është që këto imazhe nuk janë të marra nga filmat, mirëpo janë të bëra nga fotografi i veçantë, i cili ka qenë gjatë xhirimeve. Maraldi tha se këto fotografi janë një shembull se çfarë peizazhi italian është përdorur gjatë xhirimeve të këtyre filmave.

“Ideja është që të shihet peizazhi italian se në çfarë mënyre është përdorur në kinemanë italiane, sepse prej vitit 1943 kur është krijuar neorealizmi në kinematografi, kinemaja italiane ka shëtitur gjithë gadishullin. Kjo kinema fillon prej vitit 1943 me filmin “Obsesione i Viskontit” dhe arrin deri në ditët e sotme. E veçanta e kësaj ekspozite është se fotografitë janë realizuar nga një fotograf që ka qenë gjatë xhirimeve, nuk janë imazhe të marra nga filmat, por janë pikërisht gjatë xhirimeve që ka qenë fotografi i veçantë aty”, u shpreh Maraldi.

Zëvendës ambasadorja zvicerane në Kosovë, Anita Schulter Roth tha se pasi që në ekspozitë janë shfaqur pamje vetëm nga kinemaja italiane, ambasada Italiane do të nderojë Zvicrën duke shfaqur një film më 2 nëntor, ku do të shihet influenca dhe kontributi kulturor zviceran në gjuhën dhe kulturën italiane.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për një javë në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. / KultPlus.com

Agjencia e Statistikave të Kosovës del me raport, Teatri Dodona me më shumë publik se Teatri Kombëtar i Kosovës

Agjencia e Statistikave të Kosovës sapo ka publikuar raportin për vitin 2016, dhe në bazë të këtyre statistikave, sa i përket teatrove në Prishtinë: Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri ODA dhe ai Dodona, e fundit del të ketë pasur më shumë vizitorë, shkruan KultPlus.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ishte 137 shfaqje premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 15 320; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e Fëmijëve “Dodona” ishte 253 shfaqje premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 25 540; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin “Oda” ishte 80 premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 25 461”, thuhet në këtë raport, i cili përfshinë të dhëna statistikore, lidhur me aktivitetet e teatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, kinemave, baletit, filharmonisë, ansamblit dhe qendrës kulturore për fëmijë.

Kurse po sipas këtij raporti, numri i filmave të shfaqur në kinemanë ABC ishte 62, prej tyre 6 filma vendorë dhe 56 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 38 300; numri i filmave të shfaqur në kinematë Doku-Kino dhe DOKUFEST ishte 307, prej tyre 39 filma vendorë dhe 268 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 23 258. /KultPlus.com

Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës hyjnë në grevë, KultPlus sjellë vendimin e aktorëve drejtuar MKRS-së

Që nga sot më datën 16 tetor, SHSTKK hyn në grevë të përgjithshme dhe bllokon tërësisht repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, deri në realizimin e kërkesave të tyre, shkruan KultPlus.

Kjo gjë është bërë e ditur përmes letrës së nisur tek ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi, letër të cilën e posedon KultPlus, ku njëherësh edhe tregohen të gjitha kërkesat e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, se pse po hyjnë në këtë grevë të përgjithshme.

Pikërisht për këtë çështje, sot SHSTKK, ka organizuar konferencë për medie me fillim nga ora 13:30 në Sallën A të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në vijim, KultPlus sjellë njoftimin e plotë të kësaj shoqate drejtuar Ministrisë së Kulturës, Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës:

Për: Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Kujtim Gashi Këshillin drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës Drejtorin Gjeneral të TKK-së dhe Udhëheqësin Artistik

NJOFTIM

Të nderuar, Ju njoftojmë se, bazuar në nenin 44 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (për lirinë dhe organizimin sindikal), në nenin 89 të Ligjit të Punës, neni 27 të Ligjit për Organizim Sindikal, në Ligjin për Grevë nr. 03/L-200 si dhe konform vendimit unanim të Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës në bashkërendim me SBASHK-un, është marrë vendim t’ua rikujtojmë që:

Marrë parasysh gjendjen e rëndë dhe neglizhencën e aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së, tash e 17 vjet, nga ana e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës Kosovës, pas tre kërkesave, për ngritjen e pagës bazë, të cilat ua kemi drejtuar ne si Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar te Kosovës gjatë muajve maj dhe qershor 2016 si dhe mars 2017; Pas dy kërkesave të Këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, (te nënshkruara edhe nga menaxhmenti i TKK-së), të datës 02.06.2016 dhe datës 03.11.2016, lidhur me Ngritjen e pagës bazë për aktorët rezident, përkatësisht inicimin e procedurave për përmirësimin e “Rregullores 05/2011 Për Krijuesit dhe Performuesit e Kulturës dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore”, konform Nenit 20 të kësaj rregullore; Pas zotimeve publike të datës 20.05.2016 dhe 07.06.2016 nga ana e Ministrisë se Kulturës, përkatësisht ish-ministrit Kujtim Shala, për ngritjen e pagës bazë për krijuesit dhe performuesit e artit; Pas mosfunksionalizimit të komisionit të ngritur nga ana e Ministrisë së Kulturës Pas takimit të datës 2 tetor 2017 me ministrin e ri të Kulturës Kujtim Gashi me ç’rast u paralajmërua që pas afatit 10 ditor SHSTKK do të jetë e detyruar të marrë masa të tjera ligjore dhe sindikale.

Pas mospërfilljes së kërkesave tona nga ana e MKRS-së, duke konsideruar se janë shtjerrur të gjitha format e tjera për realizimin e kërkesave tona, ne Aktorët e Trupës Rezidente të TKK-së, ua dërgojmë këtë njoftim:

Që nga data 16 Tetor 2017 (ditë e hënë), ashtu siç ju kemi paralajmëruar edhe në shkresat tona paraprake gjatë vitit 2016 dhe 2017, SHSTKK hyn në grevë të përgjithshme dhe bllokim të tërësishëm të reperorit të TKK-së deri në realizimin e kërkesave tona. Në të ardhmen, SHSTKK do të angazhohet dhe do të jetë partner i institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht i MKRS-së duke luajtur rol aktiv në amandamentimin e Ligjit të Teatrit dhe amandamentimin e Rregullores Nr. 05/2011 për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve profesional të Trashëgimisë Kulturore, deri në miratimin e ligjit të veçantë për Performuesit e Artit në Republikën e Kosovës. Me respekt, SHSTKK,

Prishtinë 13.10.2017
Udhëheqës të sindikatës: Ismet Azemi, Shkelzen Veseli dhe Adrian Morina./ KultPlus.com

“Një legjendë për dashurinë” dhe “Këmbë” për 45 vjetorin e Baletit

Me rastin e shënimit të 45 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës nesër do të jepet premiera e shfaqjes “Një legjendë për dashurinë”, nga koreografi Pullumb Agalliu.

Në vigjilje të 45 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës është bërë edhe prezantimi i i monografisë “Këmbë” me autor Naser Shatrollin, libër i cili përmbledhë aktivitetet e BKK-së, nga dita e themelimit në vitin 1972 deri sot.

Ahmet Brahimaj, drejtor i BKK-së, tha se kjo shfaqje është e treta në këtë sezon dhe se kjo shfaqje është festive për 45 vjetorin.

“Kjo shfaqje është shfaqja e tretë e kësaj sezone dhe kemi pasur goxha probleme, jo probleme në kuptimin e keq, do të thotë jemi ngarkuar më tepër se që ish dashur me qenë të ngarkuar me punë. Kjo shfaqje është festive shënjimi i përvjetorit të 45 të themelimit të Baletit, 45 vjet nuk kanë shkuar lehtë kanë pasur shumë sakrifica, shumë sfida të cilat vetëm ne që kemi jetuar dhe që jemi përballur me to mundemi me i shpjegua”, tha ai.

Kurse, Pullumb Agalliu, koreograf i shfaqjes “Një legjendë për dashurinë”, tha se kjo shfaqje për të ka një rendësi të jashtëzakonshme. Ai tha se është shumë i kënaqur me Trupën e Baletit për punën të cilën po e bëjnë dhe se kjo Trupë e Baletit në Kosovë duhet të dihet të mbahet.

“Kjo shfaqje për mua ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo se thjeshtë si miq por si njerëz që e duan këtë vend dhe kemi ndjenja që kjo trupë dhe për mua Kosovën ta shoh mirë e ma mirë. Tash për sa i përket kësaj shfaqje unë nuk e kam pasur shumë vështirë me thënë të drejtën se është vepra e tretë dhe këtë trupë e njoh shumë mirë”, tha Agalliu.

Ai tha se në këtë shfaqje shkojnë disa momente të popullit shqiptar të cilat i ka kaluar.
Autori i monografisë “Këmbë”, Naser Shatrolli, tha se ky libër paraqet një histori 45 vjeçare të Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Unë jam nisur me këtë parim tek ky libër se duke e ditur se kush ka parakaluar 45 vite në këtë skenë, kush ishin ata emra kompozitorësh, koreografësh, emra të balerinëve sidomos si të thuash që e bëjnë historinë, e krijuan identitetin e Baletit Kombëtar. Vërtetë kam ndjerë përveç dashurisë që e kam për baletin e kam ndjerë thellë në shpirt dhe në obligim që të krijohet një histori”, tha ai.

Shfaqja “Një legjendë për dashurinë” vjen premierë nesër në ora 20:00, ndërsa reprizën e parë do ta ketë me datën 22 shtator./ KultPlus.com

Dy burra të dashuruar dhe një qytet histerik vijnë në shfaqjen “55 shades of gay” në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Arbër Selmani
Fotografitë: Jetmir Idrizi

Tashaniku është një shoqëri e ngarkuar me burrëri. Mashkulli martohet me gruan, plusi me minusin, minusi me plusin, dhe një popullatë e tërë është edukuar në këtë frymë. Edhe makina e shkrimit të Hikmetes beson se është homofobe, madje edhe ka fuqinë e fjalës pos asaj të shtypjes prej gishtave të Hikmetes.

Tashaniku është sinonimi i “bashkimi bën fuqinë”. Pasi qyteti ka mposhtur kolerën dhe disa sëmundje tjera, do ti duhet të merret me martesën e dy burrave. E tmerrshme. E papritur për administratën e Komunës, për Kryetarin, Kryeministrin, për drurin budalla të qytetit që ka parë çuda e çuda por s`ka rastisur të dëgjojë se dy burra kërkojnë martesë. 18 dokumente kërkohen. Certifikata e lindjes, certifikata që as Adriano e as Merlini nuk janë nën hetime, certifikata e nënës së italianit në pink, certifikata, certifikata, certifikata. Qyteti nuk po bindet që dy burra duhet martuar.

Seksi mes tyre, i hatashëm. Vetë Merlini e tregon sa i shkathët në shtrat është Adriano. Merlini, një gay pak hippie dhe i ngurtë, Adriano një gay italian karizmatik dhe dukshëm me epshe eksplozive.
55 hije erdhën mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. U bë luftë për tu martuar dy burra, e nuk u shpalos vetëm hija e tregimit të Merlinit – djalit që nuk e pati jetën e lehtë duke qenë mashkull që pëlqen meshkujt, e jo mashkull që pëlqen femrat.

Teksti i Jeton Nezirajt nën regjinë e Blerta Nezirajt solli pesë aktorë në gati dy orë shfaqje. Të qeshësh në mizorinë e një pjese të qytetarëve në Kosovë, a të qash se gjithçka është ndoshta komedi për ata që jeta i ka ulur në karrige të leverdisshme. Alketa Sylaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Tristan Halilaj – të përcjellë nga Luan Durmishi, përthekuan histerinë e çdo situate.
E çdo situatë provon ta ndalë këtë martesë. Nuk njihet Tashaniku si qytet i bythqirëve. Ky do të ishte fundi.

Aktorja Shengyl Ismaili thotë se e ka marrë me përgjegjësi të madhe rolin.
“Ndoshta më shumë se në çdo shfaqje tjetër, këtu gjithçka e kam marrë me më shumë përgjegjësi, pasi e di se sa problem është diskriminimi i komunitetit LGBT. Jam mundur që do çdo fjalë të jetë e saktë, e qartë për publikun. Unë jam krenare që jam pjesë e shfaqjes dhe qëndroj pas asaj që është thënë sonte” tregon Ismaili për KultPlus.

‘Kaçaniku’ i burrave dhe punëtorët homofobë për të drejtat e njeriut
Salla e madhe e Teatrit Kombëtar të Kosovës ndoshta asnjëherë nuk ka parë komunitetit LGBT më shumë se mbrëmë. Ata të cilët u trajtuan në shfaqje, ata për të cilët Kosova ka hartuar ligje e i ka futur në Kushtetutë dhe në ndërkohë për vite me radhë nuk u mundëson asgjë pos ca politikanëve që me fytyrë të turpit e paditurisë bëhen kinse po i përkrahin, ishin aty, në ulëset e kuqe, të gatshëm për ta parë veten në pasqyrë, diku në një prej hijeve.

Policia e Kosovës po e ruante objektin e Teatrit gjatë gjithë kohës, në rast se dikush do të donte ta shprehte më vullgarshëm mospajtimin se dy burra brenda veç duan të martohen. Veç martesë.
Në ndihmë del Bashkimi Evropian, pasi Tashaniku trulloset prej idesë së fabrikës së kondomave nga Don Bosco, ngjyra ngjyra këta prezervativë. BE-ja e ka kusht për përparim që të martohen dy burra në qytetin ku mendësia e burrit është buka e cdo sofre. Komisionerja vjen, edhe kjo një e çmendur e llojit të saj. Një kontroll rutinore nga një grua që jo shumë kohë më parë ka dhënë donacion marramendës për hapjen e një fabrike buzëkuqësh.

Regjisorja Zana Hoxha Krasniqi, ka veçuar lojën e sidomos aktores Shengyl Ismaili. Sipas saj, shfaqja e sjellë një prej incidenteve më të rënda në shkeljen e të drejtave të njeriut.

“E dimë se bëhet fjalë për Kaçanikun patriarkal e konservativ, aty ku është dorëzuar kërkesa e parë zyrtarë për martesë nga dy njerëz të gjinisë së njëjtë. Mua shfaqja më krijoi ndjenja të përziera. Kam qenë njeriu që ka qeshur më së paku gjatë shfaqjes, sepse për mua kjo ishte një tragjedi e jo tragjikomedi. Madje më dhemb fakti që njerëzit kanë qeshur gjatë shfaqjes” tregon Zana Hoxha Krasniqi.
Sipas saj, megjithatë, shfaqja shpalosë një të vërtetë ironike, që mizogjinia e homofobia është e pranishme dhe e fshehur edhe në petkun e punëtorëve të të drejtave të njeriut në Kosovë, shpesh edhe tek shoqëria civile.

Ngarkim, shkarkim, intelektualë të vonuar dhe martesë
Shfaqja “55 shades of gay – pranvera ballkanike e revolucionit seksual” vjen edhe sonte, me 9 shtator, me fillim prej orës 20:00 në TKK, në reprizën e saj të parë. Aktorët do të jenë aty, histeria do të jetë aty, dhe momenti për ta kuptuar se kush jeton në zonën e rahatisë dhe kush ka problem të puthet në këtë qytet sinqerisht të tmerrshëm.
Për sociologen Linda Gusia, shfaqja ishte e mundimshme, e ngarkuar, dhe me plot stereotipa raciste, homofobe e seksiste.

“Ishte një teprizëm i racizmit dhe homofobisë. Asgjë nuk më sfidoi realisht. Mua mu duk si një mënyrë për ta shoku audiencën dhe kësisoj ma dha një shije të provincializmit. Mua nuk më erdhi fort me keshë me shfaqjen, e cila definitivisht do të duhej me qenë më shumë e kontekstualizume” tregon Linda për KultPlus.

Jonida Maliqi, Agron Tufa, Adem Demaci, Kim Mehmeti, të gjithë angazhohen që qyteti të mos e lejojë martesën. Intelektualët hijerëndë kanë folur, jo dy burra bashkë në shtrat, kurrën e kurrës.
“Për mua ky ishte momenti më i mirë i shfaqjes, kur u thirrën emrat e atyre që haptazi dikur dolën të jenë homofobë. Në aspektin e seksualitetit, mu duk një trajtim infantil i seksualitetit që nuk i bëri mirë komunitetit LGBT. Nuk ishte komedi e sinqertë” tregon Linda Gusia.

Blert Morina nga CEL – Qendra për Barazi dhe Liri, thotë se shfaqja ishte e guximshme.
“Kjo shfaqje ishte e guximshme dhe mesazhet ishin të tilla. Shfaqja paraqiti paragjykimet me të cilat në baza ditore përballet komunitetin LGBT në Kosovë. Arti e ka edhe sarkazmin si armë të fortë dhe kuptohet që ajo do të përdoret në një shfaqje si kjo” tregon Blerti nga një prej organizatave që në Kosovë angazhohet për të drejtat e komunitetit LGBT.

Por kjo nuk është e tëra. Në formën e një mjuziklli, krijohen këngë për çdo situatë. Shefja e Hikmetes – Kryetarja (Kryetari!) ka një zë melodioz i cili tingëllon si Radio Kosova e Lirë në kohë lufte. Në një moment edhe kënga “Rise like a Phoenix” e Conchita Wurst, fitueses me mjekër në Eurovizion para disa vitesh, i përshtatet situatës së qytetit të cilit edhe Hana e Dielli i kanë ndërruar formë, edhe shtrati i lumit i ka dalë tejpërtej, me lajmin se dy burra po preken jo më pak njerëzisht se të tjerët.
Dhe prej ironisë, më se paku skena të dy burrave gay, ka vetë shfaqja. Një puthje, një marrëdhënie seksuale, dhe disa prekje.

Një shfaqje më shumë për politikat rreth komunitetit LGBT, sesa për vetë komunitetin
Regjisorja Blerta Neziraj tregon pas shfaqjes se ajo nuk flet direkt për komunitetin sa flet për politikat që bëhen rreth komunitetit. Gjithçka shtrëngohet e vështirësohet vetëm që dyshja të dorëzohet. Bomba-hedhësi i qytetit dështon në disa raste t`ua marrë jetën turpit të qytetit, dy gejave.

“Kësaj here kam trajtuar komunitetin LGBT, bashkë me Qendrën Multimedia ku punoj që gjashtë vite, në këtë aspektin e teatrit politik që po synojmë gjithmonë ta sjellim. Publiku e priti mirë shfaqjen, dhe për këtë fakt jam shumë e emocionuar. Do të doja që mos t`bëhet zakon edhe prania e Policisë në këto shfaqje sepse kjo disi e pengon edhe publikun dhe e bën të ndihen jo rehat. Shfaqja shpresojmë që do të udhëtojë edhe në qytete tjera dhe shpresoj që njerëzit do ta pranojnë si një prodhim artistik. Ky lloj teatri, teatri politik, ka rol emancipues për shoqërinë” tregon regjisorja Blerta Neziraj, në emocionet e shfaqjes e cila me goxha “ashpërsi” trajton jetën e një komuniteti fort të diskriminuar në Kosovë.

A do të martohet çifti? Çka do të ndodhë më pas ? A është EU-ja (European Union) një shprehje tjetër për “eu, eu” në shqiptarçe? “55 shades of gay – me ekipin e artistëve nga Kosova, Serbia, Franca dhe Gjermania do të rrugëtojë me ju në përditshmërinë e meshkujve që duan meshkuj por si për qejf, një qytet nuk dëshiron që kjo të ndodhë. / KultPlus.com

Një çift gay kërkon të martohet sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’, sjell sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI, përcjellë KultPlus.

“55 shades of gay” është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë.

Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare, e që bukur shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në këtë trini [Manipulim. Abuzim. Nënshtrim], pyetja që shtron shfaqja është: A është i mundur një çlirim seksual [sexual liberation] në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘Pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar sipas udhëzimeve të BE-së.

“55 shades of gay” është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.

Në këtë shfaqje me tekst të Jeton Neziraj dhe regji të Blerta Neziraj, luajnë aktorët: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj

Luan Durmishi (vokal), skenografia dhe kostumet nga Sebastian Ellrich, muzika: nga Irena Popovic /dhe koreografia është realizuar nga Florian Bilbao.

Shfaqja “55 shades of gay” vjen sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës në ora 20:00. Repriza e parë e shfaqjes vjen nesër në po të njëjtën kohë. / KultPlus.com

“Dikur ishim skllevër të okupuar, tashmë jemi vetëm skllevër”

Para 3 muajsh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u dha premiera e shfaqjes ‘Aventurat e reja të Don Kishotit’ me regji të Dino Mustafic. Ky regjisor i cili sjellë gjithmonë inskenime interesante e mjaft të fuqishme, edhe atëherë në institucionin kulturor më të lartë në vend TKK, dha një premierë të fuqishme e cila ngriti publikun në këmbë nga tri monologët që kishin për detyrë t’i shkruanin vetë aktorët që kishin personazhet kryesore në këtë projekt.

Kësisoj sot aktori Armend Smajli, i cili kishte personazhin e Don Kishotit të mesëm, publikoi në rrjetin e tij social Facebook, monologun që kishte shkruar vetë për këtë shfaqje. Armendi, monologun se çfarë do të thoshte një ‘Don Kishot’ i zakonshëm i këtij vendi përveç që e ka shkruar me shumë emocion, ai edhe e pati interpretuar me po kaq emocion në dërrasat e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Para 3 muajsh në Teatër Kombëtar kisha shfaqjen “Aventurat e reja të Don Kishotit”. Regjisori i shfaqjes Dino Mustafiç më dha për detyrë që ta shkruajë vetë një monolog se çfarë do të thoshte një “Don Kishot” i zakonshëm i këtij vendi. Për ata që nuk kanë pas dhe nuk kanë mundësi me e pa shfaqjen po e ndajë monologun këtu edhe me ju”, ka shkruar Smajli.

KultPlus, po e sjellë këtë monolog për lexuesit e vet, pa ndërhyrje në tekst të shkruar nga aktori:

…as edhe njē herë nuk dëgjuam njē shpërthim dashurie apo shpërthim humanizmi dreqi e marrtë, vetëm një bombë aty e shpërthim atje, krizë andej e luftë këndej. E dimë si është lufta. E kemi provuar edhe ne dikur. Na thonin që ishte luftë për liri, luftë për paqe por me kohë kuptuam se liria nuk qenka vetëm heqja e tytës.
Dikur ishim skllevër të okupuar, tashmë jemi vetëm skllevër.
Ndasi e madhe shoqërore, pabarazi, papunsi, shkelje e të drejtave të puntorëve, fëmijëve, grave. Shkollim e shendëtsi për faqe të zezë, krim e korrupsion, politizim i skajshëm për të gjetur një vend pune.
Shëmti në rrugë, shëmti në arkitekturë, shëmti në lumenjë, shëmti në parqe e shëmti në ajër. Turp, shëmti.

E sa herë ua theme këto, cinikët më thonë; O Don Kishot ti je I çmendur, ëndërrimtar, desperados.
E si t’mos çmendëm kur shohë që gratë mendojnë a të bejnë fëmijë apo jo se skllavo pronari i saj e përjashton nga puna sapo të merr vesh që ajo është shtatzënë. Si të mos çmendēm kur shohë që edhe në paqe njerëzit ikin nga vendi i tyre për t’kërkuar një copë bukë e dinjitet.
Si të mos çmendem kur shohë që avancimet e profesorëve të universitetit bëhën me dyer tē mbyllura e më publikime të punimeve të tyre të rrejshme.
Si të mos çmendëm kur shohë kapadaiun që në mes të rrugës hapë xhamin e xhipit të zi dhe blen mallboro nga fëmiu që shetë duhan në rrugē gjersa femiu i tijë n’Xhip lozë me Iphone 10.
Si të mos çmendëm kur në shkollë mësuesi nuk jep mësim por rrahë e nxënësi në vend se të mesojë rrahë.
Sigurisht se çmendëm, çmendëm kur shohë që pleqtë e plakat mezi rrojnë me atë penzion t’mutit I cili s’ju del as për rrymë e ujë e lerë më për barna.
Si t’mos çmendëm kur vajzës 3 vjeç i shembët objekti mbi të dhe vdes!
Heeej vajza ka vdekë, ka vdekë vajza 3 vjeç. Ka vdekë Xheneta Gashi. Nuk është më.
E bashkë me të kemi vdekur edhe shumë prej nesh. Ne që nuk kemi kërkuar llogari por kemi vazhduar të pimë kafe e të vëzhgojme nga largë kur është kërkuar përgjegjësi nga të papërgjegjëshmit.

Vetëm pak…

Oh, cinikët vazhdimisht më përshpërisin diçka sa herë që revoltohëm.
Oh, po po, e di se ka edhe gjëra pozitive dhe të bukura në këtë vend. Sigurisht qē ka. Por ato as që kam ndër mend t’ua themë. Për gjërat e bukura flisni ju, ju që mbani fajin kryesorë për këto shëmtit që ua thash.

Pse mos ju erdhëm në shtëpitë e juaja për t’ju thënë; Ju lutëm zgjohuni, ejani na udhëhiqni, na qevërisni, na shërbeni? Jo, vetë u zgjuat e na thatë se po deshironi të jeni shërbetorē të mirë. Prandaj nga unë mos pritni lavde por shërbeni, shërbeni sepse vetë kështu kërkuat, shërbeni nanën ua qifsha.
Poo i çmendur jam. Unë duhet të jem i çmendur, se kjo botë nuk do të egzistonte po t’mos kishte njerëz të çmendur si unë e si disa prej jush. Ua them këto sepse e di që Don Kishot nuk jam vetëm unë ketu, jemi më shumë sesa dëgjohemi.

Miq të mi, aman mos zgjidhni heshtjën e frikën karrshi shtypësve, se heshtja, frika nga pasojat i frymëzon edhe më shumë cinikët dhe shtypësit, e kjo na shëndrron në skllevër të diciplinuar. Hiqeni nga mendja juaj heshtjën, frikēn nga pasojat e shtypësve.
Ky rrugëtim është i zorshëm, shpeshëherë edhe jo pragmatik, i kotë për cinikët.
Sigurisht se do të humbasim ndonjë round, ndoshta edhe mē shumë rounde, por mos refuzoni të perpiqeni, mos refuzoni të endërroni.

Kjo botë mbase është përjetësisht e pandreqshme, por i përjetshëm është edhe ideali për ta ndrequr atë!

(Foto nga shfaqja: Jetmir Idrizi)

Baleti Kombëtar i Kosovës, me premierë e monografi në 45 vjetorin e themelimit

Jeta Zymberi

45 vite punë, 45 vite të përballur me peripeci nga më të ndryshmet, por gjithmonë duke ja dalë falë vullnetit të madh për të mbijetuar. Kjo është Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët këtë vit shënojnë 45 vjetorin e themelimit, shkruan KultPlus.

E për të gjitha këto vështirësi, sfidat dhe mos realizimit të kushteve për ata që dëshirojnë të merren me balet, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj ka folur për KultPlus.

“Ky 45-vjetor nuk ka ardhur edhe lehtë, kemi pasur jashtëzakonisht shumë peripeci. Ne kemi jetuar në një kohë të vështirë. Baletin e kanë themeluar disa njerëz largpamës. Qysh në vitin 68, por sigurisht edhe më herët, ata janë organizuar ta shkollojnë një gjeneratë dhe të krijojnë trupën e baletit në Kosovë. Në vitin 1972 e kemi filluar punën dhe menjëherë pas kësaj, drejtori i baletit të asaj kohe, Azem Shkreli, e ka bërë kërkesën për hapjen e Shkollës së Baletit në Kosovë, por një gjë e tillë nuk u lejua nga shteti jugosllav. Ka pasur shumë peripeci deri kemi arritur të formohemi si institucion. Në vitin 2000 kemi bërë kërkesë dhe kështu na është lejuar që ta hapim degën e baletit në Prishtinë”, ka thënë fillimisht drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj për KultPlus. Ai tutje ka treguar që problemet ende nuk kanë përfunduar për ta.

“Ne ende nuk e kemi një objekt shkollorë ku do të zhvillohej kjo degë. Kërkesa për ndërtimin e objektit ka kohë që është bërë dhe po presim që këtë vit, në këtë 45 vjetor të bëhet diçka në këtë aspekt”, është shprehur tutje Ahmeti.

Por, përkundër sfidave, Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka vazhduar të punoj fuqishëm duke sjellë kështu shfaqje nga më të bukurat e ku nuk kanë munguar edhe bashkëpunimet me koreografë të huaj.
Por, në këtë 45-vjetor, gjithçka do të frymojë shqip. Ashtu si shfaqja që është përgatitur të vijë premierë në këtë përvjetor.

“Një legjendë për dashurinë” do të shpalos për publikun prishtinas një histori dashurie. Një çift që dashurohen por hasin në vështirësi, duke u përballur kështu me tradhti, xhelozi por në fund duke triumfuar dashuria. Përmes lojës së Trupës së Baletit të Kosovës, kjo shfaqje sjellë mesazhin e fshehur i cili shpaloset krejt në fund. Shfaqja ka të bëjë me lindjen e kombit shqiptar, vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar, dhe ekzistenca e tij që tash e sa shekuj.

Gjithë kjo histori e cila do të shpaloset në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës më datë 21 shtator, vjen nën koreografinë e Pullumb Agalliut, i cili nuk është zgjedhur rastësisht për këtë premierë, por kjo ka ardhur falë bashkëpunimeve të mëparshme të Agalliut me Trupën e Baletit dhe njohjeve të tij.

“Kjo është premiera e katërt që do ta japim për këtë vit. Shfaqja i është besuar koreografit Pullumb Agalliut. Pullumbi është një koreograf me vlera të mëdha dhe e njeh jashtëzakonisht mirë baletin klasik por edhe vlerat tona kombëtare. Tema e shfaqjes është e jona, muzika poashtu e kompozitorëve tanë dhe ngjarja është e jona. Jemi përpjekur që me një shfaqje tonën kombëtare, me motivet tona, të prezantohemi në këtë 45-vjetor”, ka treguar rreth idesë së shfaqjes Ahmeti.

Por jo gjithçka do të përfundojë me prezantimin e shfaqjes. Mbrëmja e 21 shtatorit do të sjellë para të pranishmëve edhe një monografi. Përgatitja e monografisë që i dedikohet tërësisht historisë së Baletit Kombëtar të Kosovës që nga fillimet e tij, vitit 1968 e deri më sot, i është besuar regjisorit Naser Shatrolli. Për këtë monografi janë mbledhur detaje të shumta, duke përfshirë këtu njerëzit që kanë punuar dhe kanë bashkëpunuar me baletin e Kosovës, për koreografët që kanë përgatitur shfaqjet e baletit, për balerinët e rinj, për festivalet e gjithçka tjetër. Monografia tashmë gjendet në shtyp dhe shumë shpejt pritet të jetë gati.

“Sa i përket Monografisë, nga ajo që kam vërejtur deri më tani, Naseri ka bërë një punë të shkëlqyer. Monografia do të quhet “Këmbët”. Naseri ka disa shprehje të veçanta dhe artistike dhe pikërisht kjo është arsyeja pse e kemi përzgjedhur për ta përgatitur këtë monografi, kemi dashur të jetë më artistike e jo e mbushur vetëm me data”, ka treguar tutje Ahmeti.

Sipas Ahmetit për këtë mbrëmje gala që është përgatitur për 45 vjetorin e themelimit të Trupës së Baletit, do të ketë shumë të ftuar, deri tani kanë njoftuar për ardhjen e tyre shumë njerëz nga Amerika, Azia e të gjitha vendet e Evropës.

Data 21 shtator do ta gjejë Tetarin Kombëtar të Kosovës me një organizim të mrekullueshëm dhe një shfaqje të veçantë përgatitur nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com