Altin Basha emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar në Shqipëri

Altin Basha është emëruar drejtor i Teatrit Kombëtar. Ky vendim është marrë ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Basha është vendosur në vend të Hervin Çulit, i cili është liruar nga kjo detyrë.

VENDIMI

  • Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, e të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Z. Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar, lirohet nga kjo detyrë.
  2. Z. Altin Basha emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. / KultPlus.com

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për Vikena Kamenicës dhe Kastriot Tushës: Mos këndoni në një skenë krimi

Një debat ka shpërthyer në rrjetet sociale nëse mexosopranoja Vikena Kamenica dhe tenori Kastriot Tusha duhet të këndojnë mbrëmjen e së hënës në sheshin përpara Ministrise se Brendshme ngjitur me ish-Teatrin Kombëtar. Ata kanë njoftuar mbajtjen e një koncerti në kuadër të asaj që njihet si nata amerikane ku do të sjellin muzikën xhaz.

Por Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka konsideruar të papranueshëm këtë koncert në rrënojat e Teatrit Kombëtar të cilën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e quan “skenë krimi”, transmeton KultPlus.

Në një letër të hapur, kjo Aleancë u bën thirrje artesëve të njohur që ta anulojnë koncertin dhe ta zhvendosin diku tjetër. Deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga Kamenica dhe Tusha.

Më poshtë gjeni letrën e plotë

Të nderuar Kastriot Tusha dhe Vikena Kamenica,*

Ne e duam artin.

Ne e duam artin dhe sigurisht ju jeni në dijeni që ne kemi luftuar shumë për të; kemi organizuar vullnetarisht një festival për mbrojtjen e teatrit me rreth 80 shfaqje të llojeve te ndryshme, duke rijetëzuar teatrin që braktisën.

Kemi kërkuar që të hapen aktivitetet artistike gjatë gjithë periudhës së pandemisë.

Ne e duam artin, pavarësisht se arti bie edhe në duart e injorantëve dhe kriminelëve.

Ne e duam artin dhe ju jeni artistë shumë të dashur për Shqipërinë, që do të vazhdoni dhe duhet të vazhdoni të bëni punën tuaj, pavarësisht se kush kërkon të fshihet pas emrit tuaj.

Por vendi ku ju doni të jepni koncertin, është një skenë krimi. Është skena e krimit më të madh kundrejt qytetarisë, trashëgimisë, kulturës dhe aq me tepër artit.

Ju sigurisht i keni parë pamjet e 17 majit, ku artistë, kolegë tuaj, që kanë qenë dhe në një skenë me ju, u tërhoqën zvarrë me pranga në orën 4:30 të mëngjesit, teksa ndërtesa filloi të shembej me ata brenda.

Pak rëndësi ka çfarë qëndrimi keni ju për këtë çështje, por ju duhet t’i respektoni ata njerëz, z. Tusha dhe znj.Kamenica.

Ata njerëz vazhdojnë të jenë aty çdo ditë, (prej 3 vjet e 5 muaj) pikërisht në atë vend ku ju doni të jepni koncertin.

Ju sigurisht mund edhe të thoni me vete që koncerti juaj nuk ka pse të ketë lidhje me këtë histori, por ky është një naivitet që gjithashtu nuk u shkon për shtat artistëve që i kuptojnë mjaft mirë simbolikat.

E dini që Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë vetëm dy ditë para se të shpallej koncerti juaj pikërisht në sheshin ku ne protestojmë?

E nëse edhe kjo ju duket rastësi, e dini që gjithashtu para tre ditësh u zhvillua një aktivitet artistik në Landfillin e Sharrës, pikërisht në skenën e krimit të Ardit Gjoklaj, nga gruaja e vrasësit të këtij të fundit?

Ju nuk duhet t’ia lejoni vetes të bëheni pjesë e filozofisë “hidh valle në skenën e krimit” , sepse jeni artiste qe e keni vene emrin me punen tuaj dhe jo marioneta.

Me shpresën që respekti të jetë reciprok, ju kërkojmë që koncertin ta zhvilloni në një hapësirë tjetër, sepse për ne është fyerje dhe provokim, për sa kohë kjo luftë nuk ka mbaruar.

*Kjo kërkesë u drejtohet gjithashtu të gjithë artistëve të tjerë që do të jenë pjesë e koncertit. / KultPlus.com

Parlamenti Evropian: Po ndjekim procedurat ligjore në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shkruan sot se ka marrë një përgjigje për letrën drejtuar presidentit te Parlamentit Evropian.

Përgjigja është kthyer nga Kryetarja e Nënkomisionit të Parlamentit Evropian për të Drejtat e Njeriut, Maria Arena, e cila shkruan se beson fuqimisht në ruajtjen e parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut, përfshirë këtu të drejtat kulturore përfshin ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Sipas saj Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojë të ndjekë procedurat ligjore dhe hetimet në lidhje me çështjen e ndërtesave të Teatrit Kombëtar, me qëllimin për të kontribuar në forcimin e shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Letra e plotë

I nderuar Zotëri,

Faleminderit për emailin tuaj të 3 Qershorit 2020 drejtuar Presidentit të Parlamentit Europian në lidhje me shembjen e ndërtesave të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Unë po ju përgjigjem në cilësinë time si Kryetare e Nënkomisionit të Parlamentit Europian për të Drejtat e Njeriut.

Besoj fuqimisht se ruajtja e parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut, përfshirë këtu të drejtat kulturore përfshin ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe si pasojë, zbatimin e plotë të Konventës së UNESCO-së, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.

Organet parlamentare përkatëse të Parlamentit Europian, përfshirë Nënkomisionin për të Drejtat e Njeriut, po monitorojnë progresin në këto fusha. Kjo veçanërisht përfshin forcimin e institucioneve dhe praktikave demokratike në vend. Në këtë drejtim, ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që të gjitha hapat e nevojshme nga Shqipëria po merren seriozisht në kontekstin e procesit të negociatave të një vendi për t’u anëtarësuar në BE. Rekomandimet tuaja në këtë drejtim janë të mirëseardhura dhe të vlerësuara vërtet.

Aktualisht, dhe si pjesë e masave të Parlamentit Europian për të penguar përhapjen e pandemisë COVID-19, seancat dëgjimore të Komisionit janë ende të kufizuara. Prandaj, unë kam marrë lirinë e transmetimit të emailit tuaj te eurodeputetja Znjsh. Isabel Santos, Raportuese e Përhershme për Shqipërinë, Komisioni i Parlamentit Europian për Punë të Jashtme dhe Z. Manolis Kefalogiannis, Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, të cilët i monitorojnë nga afër të gjitha çështjet që lidhen me vendin tuaj.

Më lejoni t’ju siguroj se Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojë të ndjekë procedurat ligjore dhe hetimet në lidhje me çështjen e ndërtesave të Teatrit Kombëtar, me qëllimin për të kontribuar në forcimin e shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

E juaja sinqerisht,

Maria Arena

Cc:

– Znjsh Isabel Santos, Raportuese e Përhershme për Shqipërinë, Komiteti për Punët e Jashtme

– Z Manolis Kefalogiannis, Bashkëdrejtues i Komisionit Parlamentar të Stabilizim dhe Asociimit BE-Shqipëri”