Artan Imami: Jemi pro një teatri të ri, por kundër cenimit të tokës së TK

Aktori i njohur Artan Imami deklaroi sot në dëgjesën përballë kreut të bashkisë Erion Veliaj, se është pro një teatri të ri, por kundër cenimit të tokës së Teatrit Kombëtar.

“Të gjithë ata që gjejnë veten në këtë deklarim mund ta firmosin. Ne artistët e pavarur që nuk jemi pjesë e asnjë shoqate apo sindikate, dëshirojmë që të bëjmë me dije opinionin publik, që shprehim nevojën emergjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Ne shprehim kërkesën tonë për të qenë pjesë e negociatave. Por shprehemi, që prona që posedon TK të jetë vetëm për TK dhe mos të ketë asnjë cenim të saj përveçse për TK. Ne duam që të jemi në dijeni për nisjen dhe për afatin e përfundimit të projektit. Ftoj të gjithë ata që gjejnë vetën në këtë deklarim që të thonë mendimin e tyre”.

Debati

Neritan Licaj: Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar me përgjegjësi të lartë qytetare i bënë me dije çdo qytetari të Republikës kudo ai ndodhet se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë konsensus me askënd sa kohë nuk tërhiqet projekt-ligji i cili grabit tokën publike të Teatrit Kombëtar.

Teatri Kombëtar dhe prona ku ai ngrihet është pasuri publike në aspektin ligjor dhe shpirtëror ndaj sigurojmë çdo qytetar se do e mbrojmë pa asnjë lëshim.

Komuniteti i aktorëve, Shoqërisë Civile dhe qytetarëve të angazhuar që janë bashkuar në qëndresën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkon dialog dhe bisedime konstruktive për rikonstruksionin e godinës aktuale si një vlerë dhe kujtesë historike.

Gjithashtu jemi të hapur për ndërtimin e një godine të re Teatri bashkëkohor në një vend tjetër publik me para publike. Jemi të gatshëm të ulemi dhe të gjejmë formulën se si mund ti vijmë në ndihëm shtetit për mbledhjen e fondeve të kërkuara.
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ju përgjigj pozitivisht thirrjes së parë për bashkëbisedim por hasëm në përdorimin politik dhe manipulimin publik nga ana e qeverisjes vendore dhe qendrore duke gjuajtur nën brez./ KultPlus.com

“Frankenshtajni” i Bokshit vihet në Teatrin Kombëtar në Tiranë

Në Teatrin Kombëtar në Tiranë, tashmë kanë nis provat për inskenimin e tekstit të Tim Kelly “Frankeshtajn”, shkruan KultPlus.

Ky tekst që sjellë në skenën e teatrit të Tiranës, gjithsej tetë personazhe do të inskenohet nga regjisori kosovar Ilir Bokshi.

“Është interesante se në kulturën popullore emri i cili pasqyron monstrën është Frankenshtajn, dhe shumë ndoshta nuk e dinë se Frankenshtajn është vet shkencëtari e jo monstra. Megjithatë, janë disa që do të thonë se Frankenshtajni, për shkak të pikëpamjes së tij morale dhe asaj që ai ka arritur të krijojë, është po aq monstër sa krijesa që ai ka krijuar”, thuhet në fillim të sinopsisit të kësaj shfaqje.

“Frankeshtajn”, vjen nën lojën e aktorëve Helidon Fino, Besmir Bitraku, Yllka Mujo, Klea Huta, Erjona Kakeli, Gent, Hazizi, Lulzim Zeqja dhe Niada Saliasi.

“E dramatizuar nga romani i Mary Shelley nga Tim Kelly, ky adaptim qëndron i veçuar nga dhjetëra adaptime të tjera filmike dhe skenike, sepse ndërkohë që i qëndron më së miri besnik romanit origjinal, vepra gjithashtu bie në një zhanër plotësisht të dalluar, ku komikja dhe tragjikja janë të ndërthurura mjeshtërisht dhe munden që në mënyrë shumë fleksible të paraqiten si njësi në vete apo si një dyshe e bashkuar. Viktor Frankenshtajn është një njeri i konsumuar nga shkenca dhe biologjia, pasioni jetësor i të cilit ka qenë të zbuloj shkakun e jetës apo e të dhënit jetë. Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një rrugë të kthej në jetë indet e njeriut të vdekur. Më shkurt, ai vije në gjendje të krijoj jetë duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur procesin e tij special, ai ka sjellë në jetë një krijesë të ndërtuar nga pjesë trupore njerëzish, por akoma jo tamam njerëzor”, është thelbi i shfaqjes.

Ekipi tjetër që do ta përbëjë këtë shfaqje është: Skenografia: Petrit Bakalli, Kostumet: Vesa Kraja, Kompozitor: Art Lokaj, Asistente regjie: Algiona Agaj.

Shfaqja pritet të dalë me premierë në muajin prill në Teatrin Kombëtar në Tiranë./ KultPlus.com

“I ligu për mend” shkon në Tiranë

Shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës, “I ligur për mend” e cila erdhi nën regjinë e regjisorit Altin Basha, më 21 nëntor, shfaqet në Teatrin Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.

Teksti i Gjergj Fishtës, u jetësua nga aktorët kosovar duke e sjellë në rol kryesor aktorin Luan Jaha.

Shfaqja në Prishtinë, mblodhi një publik jashtëzakonisht të madh, duke e bërë një ndër shfaqjet më të shikuara në TKK.
Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Luan Jaha, Armend Baloku, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shengyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Ard Islami, Ismet Azemi dhe Bastri Lushtaku.

Kësisoj më 21 nëntor me fillim nga ora 19:00 në Teatrin Kombëtar në Tiranë, jepet shfaqja nga Kosova “I ligu për mend”./ KultPlus.com