Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” do të zhvillohet në Tiranë në periudhën e datave 20-27 nëntor, shkruan KultPlus.
Kjo ngjarje e veçantë, do të karakterizohet me paraqitjen e veprave të shkruara nga dramaturgjia shqiptare dhe do të bëhet me shumë pasion edhe promovimi i tyre.
Në një prononcim të përbashkët, drejtuesit e këtyre teatrove të shquar, Adem Karaga (Teatri Shqiptar i Shkupit), Altin Basha (Teatri Kombëtar i Shqipërisë) dhe Kushtrim Sheremeti (Teatri Kombëtar i Kosovës), theksuan rëndësinë e këtij festivali për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në fushën e teatrit. Ata shpresojnë që kjo ngjarje do të sjellë më shumë bashkëpunim mes brezave të ndryshëm, aktorëve të rinj dhe ata me përvojë, si dhe do të kultivojë shijet estetike të publikut.
Festivali do të sjellë takime dhe debate me fokus në përmirësimin e artit teatror, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e dy edicioneve të mëparshme.
Shfaqjet në kuadër të festivalit do të jenë të hapura për publikun, dhe kjo do të japë mundësinë për të ndjekur nga afër punën e regjisorëve, aktorëve, skenografëve, kostumografëve dhe kompozitorëve.
Edicioni i dytë i “Moisiu-t” do të përfundojë me një produksion të përbashkët të tre teatrove, shfaqja “Shtëpia e Zotit”, me autor Ledian Gjeçi dhe regji nga Ilir Bokshi. Kjo shfaqje është jashtë konkurrencës dhe do të sjellë një përmbledhje të pasur të talenteve teatrale.
Festivali “Moisiu” është një manifestim kulturor i rëndësishëm që po shënon sukses të përbashkët në fushën e teatrit në rajonin shqiptarë. Këtëvit, festivali po mbështetet nga Ministritë e Kulturës të Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Gjatë këtij festivali do të ndahen çmime të ndryshme, duke përfshirë shfaqjen më të mirë, regjinë më të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë, si dhe shpërblime të tjera të rëndësishme për krijimtarinë teatrore, duke përfshirë edhe çmimin për karrierën e një artisti të shquar në fushën e dramës shqiptare.
E gjithë historia e këtij festivali, filloi vitin e kaluar me bashkëpunimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit. /KultPlus.com