Gjilani promovon “Teatrin Magjik të Fëmijëve”

Me super shfaqjen “Fortnite dhe Super Gjyshja”, është promovuar sot “Teatri Magjik i Fëmijëve”, i cili do të funksionojë si skenë e veçantë në kuadër të Teatrit të Gjilanit, por që u dedikohet ekskluzivisht shfaqjeve e programeve për fëmijë.

Hapja e “Teatrit Magjik të Fëmijëve” është përcjellë me një rekord të shitjes së biletave prej mbi 300 sosh, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka uruar hapjen e teatrit për fëmijë, duke thënë se kjo është bërë realitet falë punës dhe angazhimit të jashtëzakonshëm të drejtorit të teatrit, Erson Zymberi e trupës teatrale.

“Hapja e Teatrin Magjik është lajm i jashtëzakonshëm për kulturën në Gjilan, për fëmijët, arsimtarët e prindërit. Jam jashtëzakonisht i lumtur që është arritur të bëhet kjo. Ky qytet ka kulturë teatrale dhe po ndihem shumë mirë që do t’i edukoj brezat e ri. E uroj drejtorin e teatrit dhe stafin për këtë arritje dhe ua konfirmoj mbështetjen e Komunës në vazhdimësi”, ka thënë Haziri.

Idea dhe koncepti i shfaqjes “Fortnite dhe Super Gjyshja” është bërë nga Bekim Korça, ndërkaq kanë luajtur: Mejreme Berisha, Njomëza Kalaveshi dhe Avni Shkodra.

Shfaqjet e fëmijëve do jepen çdo të shtunë në ora 12:00, në teatrin e qytetit./KultPlus.com

“Fortnite & Super Gjyshja” hap perdet e Teatrit Magjik të Fëmijëve në Gjilan

Teatri i Qytetit të Gjilanit hap perdet e Teatrit Magjik të Fëmijëve, si skenë dhe teatër i krijuar ekskluzivisht për më të vegjëlit, me premierën e shfaqjes “Fortnite & Super Gjyshja”, shkruan KultPlus.

“Fortnite & Super Gjyshja” është inspiruar nga tregimet fantastike të fëmijëve dhe kjo shfaqje do ta rezervojë çdo të shtunë, orën 12:00, këtë termin në të cilin Teatri Magjik i Fëmijëve, do të sjellë shfaqjet vetëm për fëmijë në Gjilan.

“Ju mirëpresim juve prindër dhe juve fëmijë të dashur, këtë të shtunë dhe pastaj çdo të shtunë, në ora 12:00 për të parë shfaqjen “Fortnite & Super Gjyshja”. 2 fëmijë, një lojë shumë aktuale bashkë me pasojat e saj dhe një Super Gjyshe”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Qytetit të Gjilanit.

Shfaqja vjen me ide dhe koncept nga Bekim Korça ndërsa luajnë aktorët: Mejreme Berisha Avni Shkodra dhe Njomëza Kalaveshi. E shtunë (10 nëntor ) në ora 12:00./ KultPlus.com