Në Teatrin “Metropol”, në Qendrën Kulturore Tirana do të shfaqet “Të kujt janë këpucët?”, një tregim për fëmijë 3-12 vjeç nga Imelda Baglady.
Kjo është historia e ndjeshme e rivalitetit mes motrave në botën e Imelda Baglady. Eldamina dhe Madelina, dy motra në një udhëtim emocionesh dhe dashurie.
Eldamina, e madhja, adhuron të kërcejë si Hirushja, madje mbajti edhe këpucët e famshme prej qelqi! Por gëzimi i saj hijezohet nga xhelozia ndaj motrës së saj të vogël.
Ndërsa Imelda Baglady, me një karakter unik, përcjell rrëfimin, duke ndërtuar histori rreth objekteve të saj të dashura, përfshirë një palë këpucë të veçanta, pretenduar se janë nga Hirushja.
Në një moment zemërimi, Eldamina hedh këpucët e çmuara në liqen, duke shkaktuar ngjarje që ndryshojnë jetën e familjes së tyre.
Udhëtimi i Eldaminës për të gjetur këpucët çon në një realizim emocionues të dashurisë për motrën e saj të vogël, duke ia dhuruar në fund këpucët e Hirushes./tema/KultPlus.com
Bazuar në rrëfimet e grave që kanë përjetuar dhunë në familje, shfaqja “AJO” me koncept dhe regji të Marigona Bekteshi Feratit, po vjen premierë në Teatrin Metropol në Tiranë, përcjell KultPlus.
Në shfaqjen “Ajo” që për dramturge ka Albana Muja, luajnë aktorët: Rabije Kryeziu, Mirsad Ferati dhe Altea Alushi.
Premiera e shfaqjes vjen më datë 22 maj, për të vazhduar tutje me reprizat më datë 23 dhe 24 maj.
Pas Tiranës, shfaqja do të prezantohet edhe në Teatrin Kombëtar të Portos, në Portugali. /KultPlus.com
Komedia “Panik” e komedianit të shquar finlandez, Mika Myllyaho do të shfaqet për herë të parë në Shqipëri, nga data 29 qershor e deri më 3 korrik në Teatrin e Metropolit, Tiranë.
Komedia vjen në kuadër të festivalit të regjisorëve të rinj, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar Eksperimental, dhe gjithashtu ka marrë mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ambasadës së Finlandës.
Komedia është vënë në skenë nga regjisori Blendi Arifi dhe do të interpretohet nga aktorët Aleksandër Prodani, Julian Hurdha dhe Brendi Bega. E mbështetur nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Teatri i Metropolit, komedia do të shfaqet në sallën e këtij të fundit.
Në veprën e tij të parë, Panik, (Panik 2005), Myllyaho i kthehet temës me të cilën ishte hasur shpesh si regjisor: problemet e të qenit burrë. Kjo komedi, e cila përshkruan neurozat e tre burrave të rinj që po i afrohen moshës së mesme, pati sukses të madh. Ky sukses e vendosi përfundimisht Myllyaho-n në pozicionin e një dramaturgu të shquar.
Për Myllyaho-n (datëlindja 1966), kapërcimi nga të qenit regjisor në dramaturg, ishte krejt i natyrshëm. Ai pati po aq sukses sa me regjinë, edhe në lëmin e të shkruarit, duke qenë gjithnjë inovator e duke sjellë një numër të madh punësh mbresëlënëse.
Ai ka pasur gjithashtu sukses edhe si drejtues, ku vlen të përmendet puna që ka bërë si drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar Finlandez.
Komedia “Panik” vjen për artdashësit shqiptarë nën përkthimin e Albana Kozelit dhe skenografi të Resina Meçanit. Vepra është përkthyer edhe në 12 gjuhë të tjera europiane, gjë që dëshmon për suksesin që ka pasur./atsh/ KultPlus.com
Teatri Metropol prezanton premierën e re me titull “FLI”, një konceptim modern dhe aktual i veprës “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit, e sjell nga regjisori Enton Kaca.
Kjo vepër, premiera e së cilës do të ngjitet sot në skenë ora 19:00 dhe do të vijojë në datat 29, 30 prill, 1, 11, 12, 13, 14, 15 maj, është një nga veprat më të njohura të Euripidit që përfshin brenda intriga, mashtrime, rivalitet politik, luftë, hakmarrje, konflikte, ambicie, vetmohim në skenat kryesore të tragjedisë.
A është lufta mjeti i duhur për të zgjidhur konfliktet?! A “sakrifikohet” familja për karrierën personale?! A vlen më shumë krenaria dhe lavdia se arsyeja?! Janë këto linjat dhe idetë mbi të cilat vërtitet historia e shfaqjes “FLI”, personazhet e së cilës përfshihen thellësisht në një diskurs politik, filozofik, ekzistencial mbi luftën dhe pasojat e saj, duke krijuar një pasqyrë të qartë të identitetit njerëzor, ngjashmërisë dhe paralelizmave të këtij identiteti në periudha të ndryshme kohore.
Ushtria greke është mbledhur në portin e Aulidës. Por nisja për luftë vonon në mënyrë të pashpjegueshme. Agamemnoni, komandant i kësaj ushtrie mëson që nisja do të bëhet e mundur vetëm nëse vajza e tij, Ifigjenia, flijohet. Agamemnoni ndërton një skemë që ta bindë gruan ta dërgojë vajzën dhe ndërsa pret ndërron mendje. Ifigjenia vjen në kamp, dhe plani i Agamemnonit zbulohet. Ushtria greke krijon presion dhe në fund Agamemnoni dorëzohet. Ifigjenia kur shikon se nuk ka asnjë shpresë merr vendimin për të shkuar drejt altarit për tu bërë fli.
“Drama vërtitet rreth pavendosmërisë dhe konflikteve që gjeneron komandanti i ushtrisë greke në lidhje me një çështje me të cilën ai duhet të negociojë. Do ta vazhdojë rrugën drejt luftës së premtuar apo do ta braktisë atë? Sakrifica që i kërkohet e ka bërë të pamundur zhvillimin e ngjarjeve dhe ngatërresat midis personazheve vijnë e bëhen më të komplikuara. Konfliktet lindin nga tensioni i krijuar i pritjes, i mos ecjes përpara, mos vënia në plan të qëllimit kryesor pse janë mbledhur të gjithë në Aulidë” shpjegon regjisori Enton Kaca./atsh/ KultPlus.com
Teatri Metropol vë në skenë për herë të parë, duke çelur sezonin e ri artistik shfaqjen “Tri dimrat” një vepër e autores Tena Stiviçiç me regji nga Rozi Kostani.
Shfaqja vjen me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktorëve: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu dhe Lindar Kaja.
Kjo shfaqje e shkruar nga autorja kroate është një vepër që ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar. Është një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave.
Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin 1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tre pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne.
“Janë tre periudha historike të tranzicionit që ka kaluar apo vazhdojnë të jenë në process popujt e rajonit tonë, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia me një ngjashmëri të plotë me realitetet e tre periudhave: në 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve, në 1990 ardhja e një demokracie të brishtë dhe në 2011 prona akoma e pa zgjidhur dhe përpjekja për të hyrë në Europë.
Këto periudha janë të vëzhguara nëpërmjet rrugëtimit të një familjeje në Zagreb të Kroacisë. Tre net të gjata dimri, në tre periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, gjithashtu edhe me ngjarje personale” shprehet regjisorja Rozi Kostani. Sipas saj, kjo vepër trajton historinë e një familje eklektike, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar.
“Nga mbetjet e monarkisë, përmes komunizmit, më pas demokracisë, luftës dhe pranimit eventual në një Evropë më të gjerë, katër breza të grave të Kos, secila më e pavarur se tjera, të cilat duhet të përshtaten për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë”, shprehet regjisorja Rozi Kostani.
Stiviçiç pati suksesin e saj të parë si dramaturge në vitin 1999 me Can’t Escape Sundays, e cila u shfaq në Slloveni dhe Serbi, si dhe në vendin e saj të lindjes.
Veprat e saj që atëherë janë vënë në skenë në Gjermani, dhe në vitin 2007 Fragile! premierë në Arcola në Londër. Ajo është inskenuar në Londër mes emigrantëve nga Serbia dhe Kroacia dhe që atëherë është parë në disa vende të Ballkanit.
Tena Stiviçiç jetoi një pjesë të kësaj periudhe të trazuar. Tani banon në Londër. Autorja u rrit në Kroaci dhe ishte vetëm 13 vjeç kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej dhe tensionet etnike shpërthyen në një luftë të tmerrshme. Familja e saj, që jetonte në Zagreb, ishte relativisht e sigurt. Drama “3 dimrat” e Tena Štiviçiç u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar, Londër, në nëntor 2014 dhe fitoi çmimin Susan Smith Blackburn 2015.
Teatri Metropol vë në skenë për herë të parë, duke çelur sezonin e ri artistik shfaqjen “Tre dimrat” një vepër e autores Tena Stiviçiç me regji nga Rozi Kostani.
Shfaqja vjen me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktorëve: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu dhe Lindar Kaja.
Kjo shfaqje e shkruar nga autorja kroate është një vepër që ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar. Është një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave.
Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin 1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tri pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në.
Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne.
“Janë tre periudha historike të tranzicionit që ka kaluar apo vazhdojnë të jenë në process popujt e rajonit tonë, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia me një ngjashmëri të plotë me realitetet e tri periudhave: në 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve, në 1990 ardhja e një demokracie të brishtë dhe në 2011 prona akoma e pa zgjidhur dhe përpjekja për të hyrë në Evropë. Këto periudha janë të vëzhguara nëpërmjet rrugëtimit të një familjeje në Zagreb të Kroacisë. Tre netë të gjata dimri, në tre periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, gjithashtu edhe me ngjarje personale”, shprehet regjisorja Rozi Kostani.
Sipas saj, kjo vepër trajton historinë e një familje eklektike, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar.
“Nga mbetjet e monarkisë, përmes komunizmit, më pas demokracisë, luftës dhe pranimit eventual në një Evropë më të gjerë, katër breza të grave të Kos, secila më e pavarur se tjera, të cilat duhet të përshtaten për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë”, tha Kostani.
Stivicic pati suksesin e saj të parë si dramaturge në vitin 1999 me Can’t Escape Sundays, e cila u shfaq në Slloveni dhe Serbi, si dhe në vendin e saj të lindjes.
Veprat e saj që atëherë janë vënë në skenë në Gjermani, dhe në vitin 2007 Fragile premierë në Arcola në Londër. Ajo është inskenuar në Londër mes emigrantëve nga Serbia dhe Kroacia dhe që atëherë është parë në disa vende të Ballkanit. Tena Stivicic jetoi një pjesë të kësaj periudhe të trazuar. Tani banon në Londër.
Autorja u rrit në Kroaci dhe ishte vetëm 13 vjeç kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej dhe tensionet etnike shpërthyen në një luftë të tmerrshme. Familja e saj, që jetonte në Zagreb, ishte relativisht e sigurt.
Drama “3 dimrat” e Tena Štivičić u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar, Londër, në nëntor 2014 dhe fitoi çmimin Susan Smith Blackburn 2015. / KultPlus.com
“MetroSound Festival” rikthehet me titullin “Jehonë Arbëreshe” që do të zhvillohet në Teatrin Metropol në datat: 10, 11, 12 dhe 17, 18, 19 mars, përcjell KultPlus.
Festivali “MetroSound” vjen nën drejtimin artistik të pianistit, multiinstrumentistit dhe kompozitorit, Robert Bisha.
Në datën 10 mars do të zhvillohet një takim shumë unik me Nicola Scaldaferrin.
Gjatë datave të tjera do të zhvillohen koncerte të ndryshme. Ato vijnë në dimensione të ndryshme, jo vetëm të botës së muzikës, por shkojnë edhe në mënyrë organike, përtej idesë së përcaktimit të një zhanri.
Edicioni i katërt bazohet në kulturën arbëreshe, si një homazh për historinë e saj muzikore.
Ky edicion unik do të sjellë edhe muzikantë fantastikë si treshja: Samaïa, kitaristi elektrik Paolo Angeli, kompozitori pianisti Robert Bisha dhe Kolektivi (partitura për arbëreshët): Agona Shporta – zë, Anastasia Skënderaj – zë, Stefano Dalla Porta në bass dhe Simone Sferruzza në daulle.
“A bën muzika diçka të veçantë për ne që asgjë tjetër nuk mundet?”, është kjo pyetja që do e shoqërojë këtë rrugëtim muzikor të festivalit. / KultPlus.com
Problemet e shoqërisë moderne, duke vëzhguar botën nga këndvështrimi i grave është tema që përcjell vepra “Tre Dimrat”, që do të shfaqet në Teatrin Metropol.
E shkruar nga autorja kroate Tena Stiviçiç, vepra ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar.
Aty gërshetohen tri periudha historike të tranzicionit që ka kaluar Kroacia, diktatura, ardhja e demokracisë dhe rrugëtimi drejt BE-së, ngjarjet që lidhen natyrshëm me realitetin shqiptar.
Me ndërhyrjen e kohës, që vijnë në të njëjtën skenë nga aktorë të ndryshme, regjisorja Rozi Kostani sjell tri netë të gjata dimri, në tri periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve dhe jetën e personazheve.
Gratë e forta dhe guximtare, në skenë interpretohen nga aktoret e mirënjohura si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Elia Zaharia, ndërsa Marjeta Ljarja ngjitet në skenë për herë të parë pas 15 vitesh.
Siç thotë autorja, kjo vepër është një udhëtim, bashkë me faktorët personalë dhe politikë që qëndrojnë pas këtij udhëtimi, që drejtojnë komplotin e “Tre dimrave”.
Shfaqja, që çel sezonin e ri artistik në Teatrin Metropol, do të ketë premierën në datat 24-27 shkurt, në orën 19:00./ KultPlus.com
Teatri Metropol sjell në skenë premierën absolute “Oh ato ditë të bukura” të Samuel Beckett-it me regji nga Arben Kumbaro.
Vepra e cila është cilësuar një nga më të njohurat e teatrit modern botëror, do të interpretohet nga “Mjeshtre e madhe” e skenës, Yllka Mujo, shoqëruar dhe nga interpretimi i aktorit të mirënjohur Sokol Angjeli.
“Oh ato ditë të bukura” është përzgjedhur për t’u vënë në skenën e Teatrit Metropol nga regjisori i njohur Arben Kumbaro përgjatë 13 netëve duke nisur nga dita e nesërme.
“Qëllimi i vënies së kësaj shfaqje është gjallërimi i jetës kulturore në Tiranë në këtë kohë fatkeqe të pandemisë. Vepra është në kufijtë e një monodrame dhe do interpretohet nga një prej aktoreve më të shquara të traditës tonë teatrale, Yllka Mujo. Duke qenë se jetojmë brenda mundësive krejtësisht të limituara fizike, kërkesat që ka ky projekt e bëjnë krejtësisht të mundur realizimin e tij. Vepra ka vlera të jashtëzakoshme aktuale dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore. Një përpjekje në rikthim të shpresës në shoqërinë tonë” shprehet regjisori Arben Kumbaro.
“Oh, ato ditë të bukura” e Samuel Beckett është një pjesë me dy akte. Ajo ka marrë vlerësimin e mbarë kritikës botërore dhe vetë autori është fitues i çmimit Nobel. Disa prej tyre e kanë cilësuar si një ndër pjesët më të mira të shkruara në të gjitha kohërat. Ajo i takon Teatrit Absurd dhe vëniet e saj kanë njohur skenat e rëndësishme të shumë teatrove në botë.
Vepra është kryesisht një monodramë ku personazhi kryesor Vini shpesh krahasohet me rëndësinë që ka Hamleti në teatër. Në pjesën e parë Vini, një grua rreth të gjashtëdhjetave është e zhytur deri në mes në një grumbull rëre në shkretëtirë, siç e cilëson dhe autori, e cila në këtë projekt trajtohet si një grumbull mbeturinash rëre dheu dhe inertesh për të kujtuar disi shkatërrimin pas një fatkeqsie natyrore (tërmeti) në të cilën ajo ka ngecur aty prej kohësh që s’mbahet mend.
Rreth saj zvarritet i shoqi, Vili, që lexon gazetën dhe hera herës ngrohet në diell. Vili pothuaj nuk flet fare gjatë gjithë kohës, vetëm shumë rrallë i përgjigjet Vinit kur kërkon ndonjë mendim, disa herë thjesht murmurit.
Ndërsa Vini që e shtyn kohën duke u marrë me ombrellën e diellit, çantën e saj dhe objektet që nxjerr prej çantës kujton ditët e bukura që kishte kaluar kohë më parë…. Në fakt nuk është shumë e qartë nëse vërtet ajo ka kaluar ditë të bukura në jetën e saj apo ka ëndërruar dikur se sa ditë të bukura do kalonte ajo gjatë gjithë jetës. Apo ditët e bukura janë më tepër një besim metafizik e filozofik me të cilën ajo ndihmon veten për të qenë gjallë.
Në pjesën e dytë ajo është e zhytur deri në grykë në tokë, vetëm me kokën përjashta dhe vazhdon të kujtojë apo të flasë për ditët e bukura. Hera herës Vini mban një maskë në fytyrë kundër një pandemie të supozuar…
Skenografia e realizuar nga Ardian Kapo është menduar sipas nevojave të diktuara edhe prej autorit. Ajo do të sjellë në skenë vizualitetin e një toke të shkretë me stalaktite dhe stalakmite ku personazhi kryesor do të qëndrojë në qendër të skenës i zhytur në dhé deri në mes dhe i ngecur në këtë realitet nga ku nuk mund të shpëtojë dot. Gjithashtu dhe muzika është menduar të jetë pjesë integrale e kësaj shfaqjeje ku do të ndërthuret muzika instrumentale dhe vokale duke ruajtur atmosferën në të cilën zhvillohet shfaqja dhe vendi ku zhvillohet./atsh/KultPlus.com
Një lajm i mirë jo vetëm për komunitetin e artistëve, por dhe për të gjithë qytetarët artdashës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bën të ditur se menjëherë pas ndërtimit të Teatrit Kombëtar, do të nisë puna dhe për Teatrin e ri të Metropolit.
Teksa uron drejtoreshën e re të Teatrit Metropol, kryebashkiaku Veliaj siguron se Tirana nuk ndalet dhe projekte të reja do të vijojnë.
“Faleminderit Jonida për 6 vite magjike të ringritjes së Teatrit të Metropolit – pa zhurmë e pa tam-tame, u kthye në energjinë e bukur të Tiranës sonë me punë e pasion! Suksese Armeles – koha të nisim dhe Teatrin e ri të Metropolit pas atij Kombëtar. Tirana nuk ndalet më”, shkruan Veliaj. / gazetamapo.al / KultPlus.com
Falemnderit Jonida per 6 vite magjike te ringritjes se Teatrit te Metropolit – pa zhurme e pa tam-tame, u kthye ne energjine e bukur te Tiranes sone me pune e pasion! ❤️🎭
Komedia u ndoq për disa net me radhë, nga publiku, duke përcjellë edhe lojën emocionuese aktoriale. Vepra e shkruar nga Steve Martin, u ngjit në skenë nga regjisorja Armela Demaj, e cila, bëri bashkë një kast aktorësh e muzikantësh, për këtë shfaqje teatrale.
Këtë sezon komedia i ka përfunduar shfaqjet në teatër, por Metropol bën me dije, se do të jetë sërish në muajin shtator.
Sipas teatrit, interesi i publikut ka qenë i madh.
“Të nderuar, duke ju falënderuar për interesin e madh, duam t’ju lajmërojmë se të gjitha biletat e kësaj jave, kanë përfunduar. Komedia ‘Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris’ do të rikthehet sërish në shtator”, njoftohet në faqen e teatrit.
Zbërthimi i karaktereve të veprës, të cilët, në ndërthurje me njëri-tjetrin sjellin situata komike, duke vënë në dukje optika të ndryshme të mënyrës se si shihet bota dhe marrëdhëniet njerëzore brenda saj. Projekti krijon një copëz jete 100 minuta, nga një periudhë e largët, siç është viti 1904.
Në role interpretojnë: Roerd Toçe, Klodjana Keco, Amri Hasanlliu, Sara Koçi, Erdet Miraka, Silva Brahimataj, Ermir Hoxhaj, Silvio Goskova, Aleksandër Kondi, Blendi Arifi, Kristjana Dodaj. As/ regji Joana Omeraj, formulues muzikor Gent Rushi, këngëtare Laura Hoxha, skenografia Klodiana Beqiraj, koreografia Sara Koçi, kostumografia Frenci Gjerasi.
Vepra u shfaq premierë më 17 qershor dhe vijoi disa net, ku dhe muzika gjithashtu ishte pjesë e kësaj shfaqjeje, që ishte e gjitha “live”.
Shfaqja sjell historinë komike të takimit midis dy gjenish, Pikasos dhe Ajnshtajnit në fillimin e shekullit XX, kohë ku do të ndërthuren rikrijimi i elementeve vizuale dhe interpretative, me muzikën dhe këngën e kësaj periudhe.
Dy personazhet kryesorë, piktori i njohur Pablo Pikaso dhe shkencëtarin Albert Ajnshtajn, takohen në një mbrëmje, në lokalin “Lapin Agile” (“Lepuri i shkathët”) në Montmartre, Paris.
Ngjarjet janë vendosur në një mbrëmje tetori, në vitin 1904, kohë kur të dy gjenitë janë në prag të zbulimit të ideve të tyre mahnitëse (Ajnshtajni, përpara se të botojë teorinë e relativitetit më 1905 dhe Pikaso, para se të pikturojë veprën “Zonjat e Avinjonit” “Les Demoiselles d’Avignon”, në vitin 1907.
Në bar, ata kanë një debat të gjatë në lidhje me vlerën e gjeniut dhe talentit, ndërsa bashkëveprojnë me një mori personazhesh të tjera, mes tyre dhe Elvis Preslin, para se të bëhej një muzikant i njohur.
Pas kësaj vepre që erdhi premierë, në Teatrin Metropol priten të tjera prodhime artistike, për publikun. Më parë, gjatë mbylljes dhe pezullimit të aktivitetit skenik, Metropol erdhi për publikun online. / Konica.al / KultPlus.com
Teatri i Metropolit sjell edicionin e tretë të “Festivalit MetroSound”. Ky event do të vijë për publikun nga data 28 shkurt deri më 21 mars. Sikurse çdo aktivitet artistik i mbajtur kohët e fundit, për shkak të pandemisë edhe ky aktivitet do të zhvillohet online.
Ndryshe nga edicionet e mëparshme, ky edicion sjell dy risi që janë forma e transmetimit dhe zhanret e performuara.
Performancat e festivalit do të mund të ndiqen online çdo të diel, ora 20:00.
Programi muzikor i “MetroSounds 3” ka për qëllim të prezantojë dhe promovojë kulturën alternative shqiptare nëpërmjet katër perfomancave shumë të veçanta nga artistë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, DJ dhe bende bashkëkohorë.
Natën e parë të këtij eventi artistik do ta çelë artistja dhe DJ nga Kosova Oda Haliti, për të vijuar më pas çdo fundjavë me artistë të tjerë.
“Le të përdorim fuqinë emocionale të artit për të forcuar komunitetet tona artdashëse dhe për t’i shërbyer të mirës më të madhe shoqërore në këto kohë të vështira”, është apeli i artistëve. /ata/ KultPlus.com
Edhe pse kohë të papërshtatshme për teatrin dhe artin në përgjithësi, teatri Metropol ka gjetur një formë për të organizuar si çdo vit festivalin e veprës shqiptare të arkivit, “Metrofest 4”.
I realizuar brenda kushteve të pandemisë globale, teatri i prezantoi publikut nga distanca, atë që njihet deri më tani si drama e parë e shkruar në gjuhën shqipe “Emira” nga Antonio Santori, pjesa e parë e së cilës është botuar më 1883 nga Jeronim De Rada. Tragjikomedia “Emira” është një prej 3000 fletë dorëshkrimeve që Antonio Santori ka lënë trashëgimi, dhe është cilësuar nga studiuesit si drama e parë shqipe në prozë që njihet deri më tani. Paraqet mes koloritesh mjaft të gjalla jetën e arbëreshëve me një të folme arbëreshe të krahinës Kalabrisë, me personazhe mjaft interesantë që paraqesin jetën e banorëve të fshatit Picilia, në një kohë historike kur cubëria trazonte banorët dhe shteti i sapokrijuar i Italisë, për të mbajtur rendin dhe rregullin, dërgon komandant Fumellin.
Vepra flet për dy vajza të reja, Emira dhe Kallina, dashurojnë të njëjtin djalë, Mirianin, mirëpo atij i pëlqen Emira dhe jo Kallina, mirëpo këtë e ka lakmie dhe Kallo njeri cub e hajdut, që i vjen rrotull edhe Kallinës.
Krahina është e trazuar nga hajdutët dhe përplasjet me rendin shtetëror, që po përpiqej të vendosej. E cilësuar nga autori si tragjikomedi, ajo ka fund të gëzuar me dasmën e Emirës dhe bashkimin e Kallinës me Albencin.
Regjisorja Sonila Kapidani shprehet se pas një faze të gjatë leximesh dhe në rrethana të pandemisë që e kanë zhvendosur takimin me publikun nga distanca, edicioni 4 i “Metrofest” realizoi dhe po përcjell në publik një përmbledhje në 5 seri në formatin podcast të një përmbledhje të tragjikomedisë së parë, që njihet deri më tani në gjuhën shqipe “Emira” nga Franqisk Antonio Santori, një vepër e gjatë që prej disa vitesh ishte në vëmendje të gjetjes së një rruge realizimi.
“Ishte një punë e vështirë me shumë pikëpyetje, por edhe kërshëria ishte po aq e madhe. Ndërkohë që njihej grupi i punës me të dhëna nga historia dhe autori, mbaheshin shënime mbi fjalorin dhe dallimet mes botimeve, që kishim në dorë. ASA dhe Merita Bruci që sugjeronte origjinalin; Zijaudin Kodra dhe Klara Kodra. Një punë mjaft intensive dhe e pasur në njohuri të reja me shumë dobi për stafin artistik dhe edukativ të teatrit Metropol, por edhe bashkëpunëtorët e jashtëm. U vendosën kontaktet me disa figura nga komuniteti arbëresh, të cilët në çdo hap shprehnin mirënjohje për këtë realizim dhe gatishmërinë për të qenë pjesë”, tregon regjisorja.
Seritë e veprës, në 5 episode
Në datë 5 dhjetor në orën 19:00 u prezantua seria e parë e kësaj vepre, që u shfaq online. Seritë e kësaj vepre, të cilat janë ndarë në 5 episode transmetohen në të gjitha platformat online të teatrit Metropol, si Youtube, Facebook ashtu edhe në Instagram, për çdo javë, gjatë gjithë muajit dhjetor.
Regjisorja Kapidani tregon se si fillim nisi puna me “Leximi drejtuar” mbi gjuhën dhe dialektet, një punë shumë interesante për stafin artistik dhe edukativ.
“Më pas vazhduam provat dhe e regjistruam në studio. Ndërkohë në datën 7 dhjetor u zhvillua një tryezë bisedash (kombinim të pjesëmarrësve në sallën “Shekspir” të teatrit me të ftuar mes videos nga Italia) mbi fillimet e dramaturgjisë shqipe, autorin, trashëgiminë dhe përcjelljen e saj, gjuhën dhe veçoritë e saj dhe punën e aktorëve për të gjalluar atë.
Pjesë e kësaj tryeze ishin edhe të ftuar nga komuniteti arbëresh në Itali: prof. Fernanda Pugliese, këngëtarja Silvana Likursi, Lucia Martino mësuese dhe presidente e një grupi teatror dhe Emilia Mblajioti, drejtoreshë e një shkolle në Frashineto, të cilët përmes videos prezantuan përvoja, mendime dhe këndvështrime mbi rëndësinë e njohjes dhe trashëgimisë dhe fuqisë, që teatri ka në aspektin edukativ”, shprehet Sonila Kapidani.
Sipas saj, do të pasojë një punë tjetër edukative në vazhdim, një modul ndihmues për shkolla me fragmente nga “Emira” dhe të informacioneve, që nxënësit të njohin këtë krijimtari domethënëse në lidhje me këtë tekst, që njihet deri më tani si i pari në gjuhën shqipe në lëminë e dramës.
“Materiali i përcjellë në faqet e teatrit do t’u shërbejë edhe shkollave si model në një orë mësimi”, thotë Kapidani.
Në këtë produksion interpretuan Amri Hasanlliu, Armela Demaj, Elona Hyseni, Edvin Mustafa, Ketjona Pecnikaj, Klesta Shero, Klea Konomi, Klodiana Keco, Roerd Toçe, Sedmir Memia, Mario Bali, Mihal Kaçi, Rexhina Mollaymeri, Xhino Musollari dhe Margent Caushi. / SOT/ KultPlus.com
Me regji të regjisorit amerikan Justin Anderson, në Teatrin Metropol në Tiranë do të prezantohet premiera e shfaqjes “Nata e dymbëdhjetë”, shfaqje e famshme kjo e Shekspirit, shkruan KultPlus.
Mirëpo, e veçanta e kësaj shfaqje është ndërthurja e pasurisë shqiptare, traditës dhe iso-polifonisë e cila do të vjen me rolet e : Arbies Komoni, Armela Demaj, Elona Hyseni, Erin Kujofsa, Erjon Hodo, Florian Agalliu, Guri Koço, Kastriot Ramollari, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Mehmet Xhelili, Neritan Liçaj, Parashqevi Hallkaj, Rozi Kostani, Shkëlzen Berisha, Silvio Goskova. Kjo shfaqje do të ngjitet premierë më 6 dhjetor, për tu dhënë më pas edhe reprizat./KultPlus.com
Më regji të Jonida Beqo, Teatri Metropol në Tiranë sjellë shfaqjen ‘Euridita’ nga Sara Ruhl, tek Piramida në Tiranë, shkruan KultPlus.
Në këtë shfaqje ritregohet historia klasike e mitit të Orfeut nëpërmjet syve të dashurisë së tij, Euriditës. Të vdesësh kaq e re, në ditën e dasmës, Euriditës i duhet të udhëtojë drejt botës së nëndheshme ku ritakohet me babanë e saj dhe përpëlitet të kujtojë dashurinë e humbur. Me karaktere bashkëkohore, konflikte të vazhdueshme të brendshme, të jashtme dhe estetike vizive që të le pa frymë, kjo shfaqje risjell një pamje të re për këtë histori dashurie të pa kohë.
Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Armela Demaj, Niko Kanxheri, Amri Hasanlliu, Ermir Jonka, Jonida Beqo, Klesta Shero, Edvin Mustafa, Klea Konomi, ndërsa balerinët janë: Sedmir Memia, Sara Koci, Xhevit Isufi, Leonardo Çela, Menajda Malko, Esmeralda Mikeli.
‘Euridita’ shfaqet më 12 tetor me fillim nga ora 19:00, tek Piramida në Tiranë./ KultPlus.com