‘Balkan Bordello’ me premierë botërore në Prishtinë

Në kuadër të Kosovo Theatre Showcase, të mërkurën në Prishtinë ipet premiera botërore e shfaqjes ‘Balkan Bordello’ të Jeton Nezirajt në regji të Blerta Nezirajt.

Kjo shfaqje vie si koproduksion i teatrit La MaMa nga New York, Qendrës Multimedia nga Prishtina, teatrit Atelje 212 nga Beogradi dhe fondacionit My Balkans nga New York dhe Beogradi. Në shfaqje luajnë një kastë prej 10 aktorësh amerikanë, serbë e shqiptarë; Onni Johnson, Svetozar Cvetković, George Drance, Eugene the Poogene, Valois Mickens, John Maria Gutierrez, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailović, Matt Nasser e Verona Koxha.

E bazuar në trilogjinë Orestia të Eskilit, ‘Balkan Bordello’, përmes humorit të zi prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallallëkun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes.

Si pasojë e kësaj, personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit. ‘Balkan Bordello’ është dramë për shoqëritë e traumatizuara që hanë vetveten. “Balkan Bordello është një rrëfim epik për një epokë të çmendur të cilën jemi duke e jetuar. Demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Beteja për të duhet të jetë e vazhdueshme. Çdo luhatje nga ky synim u lëshon vend fantazmave të luftës, abuzuve të forcës dhe autokratëve që fatin e shoqërive që i sundojnë e shohin si të ishte lojë e ruletit rus. Shembujt i kishim dje – i kemi edhe sot! Ballkani i gjakut i viteve të 90-ta dhe Ballkani i etjes për hakmarrje tash”.

“Duke e huazuar pejsazhin e Orestisë së Eskilit, shfaqja evokon arketipin e një shoqërie që del nga lufta në një gjendje konfuzioni, ku raportet e rregullit dhe pushtetit të vjetër janë përmbysur, e rregulli e pushteti i ri nuk duket të kenë legjitimitet, sepse janë të bazuara në forcë”, ka shkruar për shfaqjen sociologia e analistja Anna Di Lellio.

“Në të vërtetë pak gjëra kanë ndryshuar që nga vepra e Eskilit e shkruar në Greqinë Antike e deri më sot: asgjë nuk mund tu japë një shpjegim të arsyeshëm tragjedive njerëzore të shkaktuara nga njerëzit dhe në këtë kuptim ‘Balkan Bordello’ e adreson këtë pakuptimësi me anë të një humori specifik që ne e njohim mirë”, shpjegon Jeton Neziraj, autor i Balkan Bordello.

Nga ana teknike, për këtë shfaqje janë angazhuar profesionistë të shquar të teatrit. Muzika: Gabriele Marangoni. Skenografia: Marija Kalabić. Kostumet: Gabriel Berry. Koreograf: Gjergj Prevazi. Koncepti visual dhe i dritave: Nico de Rooij.

Pas premierës në Prishtinë, në kuadër të Kosovo Theatre Showcase shfaqja do të ipet në Gjilan dhe Ferizaj ndërsa gjatë nëntorit Balkan Bordello do të prezentohet edhe në Tiranë (6 nëntor) e Beograd (8 dhe 11 nëntor) para se të shfaqet edhe në teatrin prestigjioz La MaMa në New York gjatë marsit të vitit të ardhshëm. / KultPlus.com

Ndejë, letërsi dhe muzikë pa protokoll në përmbyllje të sezonit të Teatrit ‘Oda’

Teatri ‘Oda’ po e përmbyllë sezonin 2020/2021 me një event ku do të ketë letërsi dhe muzikë pa protokoll, përcjellë KultPlus.

Gjatë këtij eventi të paralajmëruar nga Teatri Oda, do të performojnë muzikantët si: Arbër Salihu, Tomor Kuci dhe Drin Tashi.

Gjithashtu eventi do të përmbajë edhe lexim e diskutim me shkrimtarin Alban Tufën i cili ishte edhe pjesë e programit për rezidenca të shkrimtarëve READ.

Kjo festë mbahet sonte, me 24 qershor duke filluar nga ora 19:00 në Teatrin Oda. / KultPlus.com

Performanca teatrore ‘Procesi Viti 0’ me premierë në Teatrin Oda

Këtë të diele në teatrin Oda do të mbahet premiera e performancës teatrore ‘Procesi Viti 0’, shkruan KultPlus.

Autore e kësaj performancë teatrore është Mergime Jetishi ndërkaq regjisor Gëzim Hasani.

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë Valdrin Osmani dhe Fitore Rama.

Premiera e ‘Procesi Viti 0’ do të mbahet me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com

‘Me ekzistu është vetë kuptimi’ nga Sibel Halimi promovohet në Teatrin Oda

Nesër në Teatrin Oda promovohet ”Me ekzistu është vetë kuptimi”, libri i fundit i Sibel Halimit, shkruan KultPlus.

”Me ekzistu është vetë kuptimi” botohet në kuadër të aktiviteteve të organizuar nga Qendra Multimedia për të shënuar 23 prillin, Ditën Botërore të Librit.

Ndërkaq, promovimi i këtij libri pritet të fillojë në orën 18:00.

Vepra “Me ekzistu është vet kuptimi” është botuar nga Qendra Multimedia, projekti është mbështetur nga programi Kultura për Ndryshim që financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe-Institut.

Sibel Halimi është sociologe dhe njëherit autore e librave poetik “Kopshti i mëkateve” dhe “Qenia nuk banon këtu” si dhe një sërë hulumtimesh në fushën e studimeve sociale dhe gjinore. / KultPlus.com

Identitetet e fshehura te “Inspektor Limi”, rikthyen të qeshurat e publikut në teatrin ‘Oda’

Një krim i organizuar që zinte vend në një provincë ku identiteti i fshehur ishte pjesë e pothuajse secilit personazh, e deri në shpalosjen e perdes së fundit ku një sustë finalizoi aktin që do të hidhte dritë mbi secilin karakter, ishin skenat që mbrëmjen e kaluar u shpalosën përmes shfaqjes “Inspektor Limi” që erdhi në skenën e Teatrit Oda, nën regjinë e Florent Mehmetit dhe me skenar nga Lirak Çelaj, shkruan KultPlus.

Para se shfaqja të fillonte, të pranishmit kishin zënë vendin e tyre kurse dritat ishin fikur. Zhurma e vetme prezente ishte melodia e instrumentit të çiftelisë përderisa aktorët po bëheshin gati të dilnin në skenë. Gjithçka nisi si një bisedë e zakontë, bisedë kjo mes dy protagonistëve kryesorë të cilët flisnin një gjuhë të drejtpërdrejtë banale, e cila përkonte pikërisht mbi bazën në të cilën ishte ngritur shfaqja ‘Inspektor Limi’, që përfaqëson edhe vetë personazhin Limi apo ndryshe Lirim Berisha, i cili ndoshta ishte i vetmi person që nuk zhytej në thellësinë e maskuar të personazheve.

Shfaqja ‘Inspektor Limi’, u cilësua mbrëmë edhe si një shfaqje e tipit të Martin McDonagh duke portretizuar një gjuhë të personazheve të rrugës, një fshati apo province të hamendësuar e të lënë pas dore. Por edhe në përditshmërinë e personazheve gjithmonë ka një zbulim të veçantë që shtynë publikun ta zbulojë sa më shpejt.

Rolet e protagonistëve që erdhën të shkrira nga aktorët, Adrian Morina dhe Nëntor Fetiu të cilët mbrëmë erdhën në rolin e Arbenit dhe Xhelalit apo ‘Xhelal Shkenca’, shpalosën një gjuhë banale të hiperbolizuar dhe të cilët pothuajse ishin banorë të kafenesë me lokacion në një provincë, ata rrini natë e ditë duke pirë. Kjo kafene menaxhohej nga personazhi i ‘Fidaimit’ (Kushtrim Sheremeti) i cili kishte shumë ambicie por që në një mënyrë nuk arrinte ta përhapte atë.

‘Inspektor Limi’ nën aktrimin e Kastriot Grajqevcit, është një personazh për të cilin saktësia për të zbuluar, nuk është arma e tij më e fortë. Po ashtu, edhe personazhi ‘Fisi’ nën aktrimin e Lirak Çelajt, për të cilin mendohej se është një shitës i drogës duke keqkuptuar kështu shprehjen e tij për mallin sasior, dhe duke ia futur frikën në palcë të dy protagonistëve.

Ndërsa qershia mbi tortë mbetet edhe vetë personazhi grua, ‘Monika’ e cila ka një zë të bezdisshëm kur këndon dhe shfaqet si një kamariere e cila nuk merr pjesë në ‘llafet’ e burrave, por në fakt ajo jo vetëm që vendos një maskë para tyre, por është një spiune e cila dërgon informata për shpërndarësit e drogës dhe fshehjen e drogës duke mundësuar shpërndarjen e saj. Shkrirja e aktores Daniela Markaj në këtë rol, ishte me të vërtetë befasues e sidomos në pjesën kur nisë kënga e Michael Jackson, një këngë e cila është vendosur qëllimshëm për arsye se ‘një grua nuk mund të këndojë një këngë kaq të vështirë të një mashkulli’, duke portretizuar akoma më shumë aspektin banal se një grua ende nuk është e rëndësishme në shoqërinë e sotme aktuale.

Në mesin e rrjedhshmërisë së shfaqjes, u shfaqën edhe disa sekuenca të cilat ishin një kontrast i madh nga bisedat e protagonistëve. Me drita të përqendruara në dy personazhet siç ishin nëna dhe djali, shprehej relacioni mes tyre, një relacion i pazakontë ku dallohej sjellja e djalit drejt nënës që është mjaft e ashpër ndërsa sjellja e tij merrte formë më të butë kur ishte në kafene mes njerëzve të tjerë.

Buzëqeshjet me zë të lartë, por edhe me ato të ngulitura në fytyrë përgjatë gjithë shfaqjes, nuk munguan. Brohoritjet dhe duartrokitjet ishin bërë një vazhdimësi nga të pranishmit të cilët po shijonin këtë komedi me humor të theksuar.

Projekti që sonte u jetësua në skenë, është shkruar qysh vitin e kaluar dhe për të na shpalosur më shumë rreth punës për këtë shfaqje, për KultPlus foli regjisori Florent Mehmeti.

“Kemi dashur të bëjmë një shfaqje e cila është relaksuese deri diku, një shfaqje që për bazë ka një situatë idilike në një fshat të shpikur e të lënë pas dore me personazhe që kanë një rutinë të përditshme dhe me plot befasi që ndodhin”, tregon regjisori Mehmeti për KutlPlus.

Sipas tij, ngjarja është një status kohe ose diçka që ndodh gjatë gjithë kohës në përditshmërinë tonë që ata janë munduar që me një stil të humorit më të veçantë kultivohet në teatrin Oda, për të provokuar publikun dhe për ta relaksuar në këtë kohë.

“Rolet janë karaktere të marrura nga vijat kryesore të përditshmërisë por secili prej tyre me një stil të humorit, jashtë asaj se çka quhet natyrale, janë groteske, të zmadhuara, ku imponohen edhe situatat të cilat nuk janë shumë logjike por i përkasin këtij stili të humorit. Po ashtu qëllimshëm kemi vendosur ngjarjen komplet në një ambient shumë të fëlliqur, duke e përdorur gjuhën banale për të dhënë një gamë të fëlliqësirës, në të cilën janë të zhytura rolet”, shpalos Mehmeti.

Tutje ai flet për skenat e çuditshme të nënës dhe Arbenit që janë të vendosura në maksimumin e groteskës për të plotësuar panoramën e fëlliqësirës ku ky fshat është zhytur, të cilat janë të bazuara në grotesken e komedisë ku gjithçka rritet e zmadhohet.

“Është shkrim i ri, shfaqje është shkruar enkas për këtë produksion dhe nuk është tekst që është shkruar më herët por është përpunuar gjatë procesit të punës, e që zakonisht zgjatë më shumë sepse testohen disa skena e pastaj përmirësohet e rishkruhet teksti përsëri. Ky proces i veçantë që merr më shumë kohë, është në vazhdën e produksioneve që bëhen në ‘Oda’ dhe kemi dëshirë ti formojmë stilistikisht edhe me elemente groteske dhe të tjera të qëllimshme të një stili të veçantë për një kohë si kjo”, përfundon Mehmeti.

Kjo shfaqje la një kujtim të bukur mbrëmë që jehonte edhe pas përfundimit, kur të pranishmit përsërisnin batutat e shfaqjes.

Ndërsa skenaristi Lirak Çelaj, i cili njëkohësisht luante rolin e ‘Fisit’, tregon për mënyrën se si është prezantuar atmosfera e cila nëpërmjet zhurmës në Kosovë është shprehur tek kjo shfaqje.

“Natyrisht unë e kam zmadhuar këtë çështje duke e forcuar dhe kthyer atë, në një komedi të zezë”, potencon ai.

Sipas tij, përcaktimi i roleve nuk ishte i vështirë por të luash një personazh me tekstin që e ke shkruar vetë, nuk ishte edhe e lehtë. Megjithatë pas insistimit të kolegëve, ai ka pranuar të jetë pjesë e ekipit, natyrisht me dëshirën e madhe për të shprehur talentin e profesionit të tij të parë.

“Meqë është proces që ka përfunduar para se të fillojnë provat, nuk ka pasur ndonjë problem teknik që koha të më pengojë për njërën apo tjetrën punë”, thotë Çelaj.

E po ashtu, rrëzëllimi i dalluar i kësaj nate ishte edhe aktori Adrian Morina, i cili luante rolin e Arbenit me një humor dhe stil të veçantë që përcjellej së bashku me lojën e aktorëve të tjerë. Gëzimi për rikthimin e tij në skenën e ‘Odës’ dhe përmallja e tij për dy miqtë e ngushtë ishte diçka e veçantë për të.

“Është kënaqësi e veçantë gjithmonë të rikthehem pas disa vitesh për të luajtur në teatrin ‘Oda’, e ende më e vecantë të punojë me njerëzit që kemi punuar një kohë të gjatë. Një dëshirë e realizuar, e përmbushur pas gjithë asaj që ka kaluar teatri ‘Oda’, sidomos në vitin e fundit me humbjen e dy njerëzve më të dashur që i kemi pasur, Etritin dhe Ukshinin”, thotë Morina.

Sipas tij, i gjithë procesi i punës bëhet shumë i këndshëm kur punon me njerëz që ju beson, i njeh, e të njohin stilin, humorin dhe lojën.

“Pa marrë parasysh se komedia quhet biznes serioz edhe shumë i vështirë, besoj kemi tejkaluar pritshmëritë e publikut sonte duke pasur parasysh energjinë e ndjerë”, tha Morina duke potencuar se i vjen keq që nuk po luajnë në një kohë të teatrit, por që duhet përpjekur me çdo kusht të japin gjithçka që të kthejnë buzëqeshjen te njerëzit.

“Inspektor Limi” vjen sonte me reprizën e parë në ora 19:00. / Era Berisha / KultPlus.com

Rezistenca e shqiptarëve ndër vite nëpërmjet shfaqjes “Zjarri i ilegales”, publiku shpërthen në lot

Xhemile Hysenaj

Nën tingujt e ‘Rrjedhë në këngë e ligjërime’ nga zëri kumbues i Vaçe Zelës, në skenën e Teatrit Oda zuri vend një ngjarje që historisë së vendit tonë i dha kthesën më të madhe.

Bëhet fjalë për ngjarjet e vitit 1968, kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë dhe disa të rinj patriot që ishin pjesë e Organizatës Ilegale për çlirimin e Kosovës nga okupimi Jugosllav po bëheshin bashkë kundër këtij sistemi që i kishte rrënjët thellë në Kosovë e që e vetmja mënyrë për t’i shkëputur ato rrënjë, ishte rezistenca, shkruan KultPlus.

‘Zjarri i ilegales’ nën regjinë dhe skenarin e Lirak Çelaj, solli para publikut një rrëfim të ndjeshëm e tejet të rëndësishëm që ndahej në tre periudha dhe jetësohej në tre gjenerata. Kosova si pjesë e Jugosllavisë, Kosova në demonstratat e vitit 1981, Kosova në luftën e saj të fundit dhe pas luftës. Ngjarje këto që ishin vendimtare në historinë e Kosovës dhe shqiptarëve.

Mirëpo, ajo çfarë e bënte më të fuqishëm mesazhin e kësaj shfaqjeje, ishte pyetja: Çka nëse?! Çka nëse rezistenca e shqiptarëve nuk do të ndodhte? -Çka do të ndodhte pa atë grup njerëzish që kanë mbajtur gjallë zjarrin e rezistencës?!

Regjisori Lirak Çelaj, ka treguar për KultPlus se komplet realizimi i kësaj shfaqjeje ka zgjatur pak më shumë se që është paraparë si pasojë e situatës pandemike dhe poashtu edhe për shkak të vdekjes së Ukshin Krasniqit, pasi ky i fundit ishte edhe kryetekniku në Teatrin Oda.

Kjo shfaqje fliste për një zjarr që brez pas brezi kishte qëndruar i ndezur. Një temë të cilën Çelaj e kishte trajtuar me delikatesë duke arritur kështu të ngjallë emocione të mëdha tek publiku.

“Brezat e rijnë edhe ne që e kemi përjetuar kemi filluar të harrojmë dhe nganjëherë po shfryjmë vrerë në shtetin tonë duke harruar për sakrificat dhe ato që kemi përjetuar në të kaluarën. Kam tentuar t’ua risjell në kujtesë të gjithëve se ku kemi qenë dhe ku jemi sot”, ka theksuar Çelaj për KultPlus.

‘Zjarri i ilegales’ që për këtë vit shënoi premierën e parë të Teatrit Oda, erdhi dhe si dedikim për dy humbjet e mëdha të këtij teatri. Atë të Ukshin Krasniqit dhe Etrit Mehmetit. Një humbje që preku të gjithë ata që i njohën, e veçanërisht ata që punuan në këtë shfaqje.

‘Vdekja e tij na ka prekë shumë, pasi ai ka qenë dashtë me qenë atje lart e të na ndriçoj neve këtu poshtë’, theksoi aktorja Blerta Gubetini për KultPlus. Gubetini ndër të tjera, deklaroi se për rolin e Dritës, ka punuar me shumë mund, vullnet e gëzim dhe se nga gjithë ato duartrokitje ajo ka përjetuar emocione të mëdha.

‘Zjarri i ilegales’ bëri bashkë aktorët si: Allmir Suhodolli, Blend Sadiku, Blerta Gubetini, Florent Salihu dhe Gentrit Shala, të cilët me një lojë të jashtëzakonshme të artit skenik, përçuan emocione të mëdha tek publiku, duke bërë që shumica prej tyre të linin sallën me lot në sy e me duartrokitje që nuk u ndalën për minuta të tërë. Një ngjarje që secilin e ktheu pas në kohë, duke rikujtuar kështu edhe njëherë se kush ishim ne si popull dhe sa shumë sakrifikuam e humbëm për të gëzuar lirinë.

 ‘Zjarri i ilegales’ do të jetë për një kohë të gjatë në repertorin e Teatrit Oda dhe do të shfaqet çdo të enjte, nga ora 19:00. / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës paguan qeranë e Teatrit Oda, Ahmeti: Hapësira do të shfrytëzohet për aktivitete skenike

Objekti i Teatrit Oda i cili rrezikonte që të mbyllej tashmë është marrë me qera nga Komuna e Prishtinës, e do të jepet në shfrytëzim të organizatave që kanë aktivitete skenike dhe prodhojnë art, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili ka thënë se me pagesën e qerasë përfundon edhe vendimmarrja e komunës.

Më poshtë mun ta lexoni statusin e tij të plotë:

Lajm i mirë për artistët dhe teatrot alternative:

Për shkak të pamundësisë së pgesës së qerasë dhe mungesës së fondeve Teatri Oda gati se është detyruar të mbyllet. Iniciativë vetanake dhe e guximshme e disa artistëve të Prishtinës arriti që ta hapte dhe ta mbante me vite të tëra këtë Teatër që solli shumë momente të bukura për artdashësit në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës ka vendosur që ta marr me qera atë hapësirë për mos ta kthyer në hapësirë komerciale. Por me kaq përfundon vendimmarrja jonë. Hapësira do ti ofrohet Odës, qendres Multimedia dhe organizatave të tjera që kanë aktivitete skenike dhe prodhojnë art e kohë të bukura. Shumë shpejtë do të finalizohen detajet e tjera./ KultPlus.com

Nesër në Teatrin ‘ODA’ mbahet panel diskutimi mbi teatrot e Kosovës para, gjatë dhe pas pandemisë

Në ambientet e Teatrit ‘ODA’ do të mbahet një panel diskutimi nesër duke filluar nga ora 10:00, fokusi i të cilit do të jetë nga një raport i shkruar kohët e fundit që hedh dritë mbi situatën artistike, financiare dhe administrative të teatrove të qytetit në dekadën e fundit.

Ku poashtu do të shpalosen të dhëna në lidhje me teatrot që mbledhin punën e tyre së bashku me arritjet e raportit. Detajet rreth funksionimit të tyre shpalosen së bashku me rekomandimet e drejtuesit të teatrit.

Pas prezantimit të raportit, folësit do të ndajnë pikëpamjet e tyre mbi kinematë gjatë pandemisë. Përfaqësuesit e teatrove publike dhe atyre të pavarura së bashku me ata nga Ministria e Kulturës do të ndajnë mendimet e tyre.

Ndërkaq, pjesë e panelit do të jenë Vlora Dumoshi, Florent Mehmeti dhe Erson Zymberi nën moderimin e Shaban Maxharrajt. / KultPlus.com

Dita Botërore e Përkthimit sonte shënohet në Teatrin ‘Oda’

Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut do të shënojnë sot Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit në Teatrin Oda. Gjatë kësaj ngjarjeje, do të jenë të ftuar përkthyes të veprave letrare të cilët gjatë viteve kanë kontribuar vyeshëm në përkthimin e veprave të ndryshme në gjuhën shqipe. 

Më 2017, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 30 shtatorin si Ditë Botërore e Përkthimit për të kremtuar rolin e profesionistëve gjuhësorë në lidhjen e kombeve dhe promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe zhvillimit.

Për të diskutuar rreth punës së tyre si përkthyes, në studion e Qendrës do të jenë Anton Berishaj, profesor në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prushtinës dhe përkthyes letrar, Gazmend Bërlajolli, përkthyes letrar dhe Qerim Ondozi, përkthyer letrar. Gjatë diskutimit, përmes platformës Zoom do të bashkangjitet edhe Alexandra Channer, përkthyese e veprave shqipe në gjuhën angleze.

Gjatë programit do të lexohen edhe pjesë të përzgjedhura letrare nga aktoret Arta Muçaj dhe Alketa Sylaj.

Ngjarja do të mbahet sot në ora 19:00 dhe do të jetë e hapur për publikun.

Dita Ndërkombëtare e Përkthimit në Prishtinë mbështetet nga programi Kultura për Ndryshim, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe-Institut. / KultPlus.com

17 vite me Teatrin ODA

Më 4 mars, Teatri ODA kremton 17 vjetorin e themelimit.

Në kuadër të shënimit të këtij përvjetori për ODA-në, do të luhet shfaqja “Sikur kjo të ishte shfaqje” e bashkë-prodhuar me kompaninë teatrore “La Rremë” bazuar në dramën e Almir Imshireviq e në regji të Agon Myftarit dhe me lojën e aktorëve: Adrian Morina, Rebeka Qena, Armend Ismajli dhe Besnik Krapi.

Kjo shfaqje po ashtu shënon 8 vjetorin e premierës, e që flet shumë për suksesin e saj.

Shfaqja vjen më datë 4 mars, prej orës 20:00. Pas shfaqjes do të bëhet një bashkëbisedim për rrugën e ODA-së dhe shfaqjes “Sikur kjo të ishte shfaqje” përgjatë një kokteji modest. / KultPlus.com

Artistët shqiptarë organizojnë mbrëmje koncertale bamirësie në Teatrin Oda

“Në gjirin tim kam hapur varr, Që t´i jap shpresë – edhe t´ja marr”, me këto vargje të Lasgush Poradecit, artistët shqiptarë kanë bërë ftesë për të gjithë adhuruesit e muzikës e poezisë, të marrin pjesë në mbrëmjen koncertale të bamirësisë, shkruan KultPlus.

Mbrëmja koncertale e datës 18 dhjetor, do të mbledhë në Teatrin Oda, artdashës të muzikës dhe poezisë për një mbrëmje të veçantë, jo vetëm për nga muzika e interpretuar, përjetimet personale të artistëve, poezitë por edhe për nga qëllimi i aktivitetit të organizuar.

Koncerti i përvitshëm “Udhëtim dimëror” – Jazz dhe Poezi; me muzikantë e aktorë, vendas e të huaj, këtë herë realizohet për të kontribuar drejtpërdrejtë në ndihmë të vëllezërve, motrave dhe familjet e prekura nga tërmetet e fundit në Shqipëri.

Artistët që do të marrin pjesë në këtë mbrëmje janë: Ilir Bajri, Eda Zari, Elina Duni, Visar Kuçi, Armend Xhaferi, Fatlume Bunjaku, Tavitjan Brothers, Gent Rushi dhe Shpat Deda.

Të ardhurat e këtij koncerti do të shkojnë, direkt për familjet e dëmtuara nga tërmeti, atyre me pasoja traumatike, me një bilanc të frikshëm humbjesh gjithëpërfshirëse.

Iniciatorë dhe organizatorë janë artistët dhe Teatri ODA.

Hyrja është 12 Euro. Të gjithë mund të kontribuojnë sipas mundësive në Teatrin ODA, në kutinë e vendosur për këtë qëllim natën e koncertit, e cila do ketë pranë një Formular të Protokolluar, mbajtur me emrat e secilit nga pjesëmarrësit. / KultPlus.com

Armend Xhaferi Trio me xhaz koncert në Teatrin Oda

Kompozitori dhe kitaristi kosovar, Armend Xhaferi po sjell mbrëmje të ndryshme xhazi në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e vende të tjera ku gjithmonë mahnit me performancat e tij që vijnë ndryshe dhe me shumë shpirt, shkruan KultPlus.

Një mbrëmje e tillë do të mbahet këtë javë. Të gjithë adhuruesit e muzikës së Xhaferit do të kenë rast që të jenë pjesë e xhaz koncertit ku ai do të performojë bashkë Kiril Tufekcievski- Bas dhe Viktor Filipovski- Bateri.

Koncerti mbahet më datë 21 nëntor duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Oda.

Për rezervime: 038/ 049 246 555, Facebook/ Instagram: teatrioda. / KultPlus.com

Kadare priti në takim ekipin e shfaqjes nga Kosova

Besiana Kadare, ambasadore e Shqipërisë në OKB, priti në takim të përbashkët ekipin e shfaqjës “Refuge”, shfaqje e teatrit ODA dhe e cila trajton fatin e hebrenjve në të kaluarën dhe vendstrehimin  e tyre masiv në Shqipëri.

E nderuar për këtë është ndjerë edhe vetë ambasadorja Kadare, e cila e ka shprehur entuziazmin e vetë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Postimi:

E entuziazmuar për të pritur në Misionin e Shqipërisë në OKB aktorët e mrekullueshëm të shfaqjes “Refuge” (Refugjatët), të realizuar nga Baruch Arts Center, së bashku me kompaninë teatrore të Bekuar të Papës dhe Teatrin ODA të Kosovës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, mijëra refugjatë hebrenj u strehuan nga familjet në Shqipëri, shumica prej të cilëve praktikonin fenë islame.  Megjithë okupimin nazist, asnjë hebre nuk u dërgua në kampet e përqendrimit nga Shqipëria dhe ishte i vetmi vend në Evropë me më shumë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim.

 “Refuge” ndriçon dritën mbi këtë histori pak të njohur, me sfondin e tanishëm të sulmeve antisemite dhe krizës së refugjatëve në Evropë.

Çfarë ndjenje e madhe të rrethohet nga shumë artistë të talentuar shqiptarë dhe amerikan.  Pika kulmore e mbrëmjes ishte performanca e improvizuar e këngëve të vjetra shqiptare.

Faleminderit të gjithë atyre që e bënë mbrëmjen aq të ngrohtë dhe miqësorë. Falënderime të veçanta për Fadil Berishën të cilët bashkë e organizuan ngjarjen!

Përndryshe Besiana Kadare është vajza e shkrimtarit të nderuar Ismail Kadare. /KultPlus.com

Teatri ODA dhe Blessed Unrest janë ribashkuar për projektin “Strehim”

Gjatë muajve prill dhe maj në Nju Jork, aktorët: Ilire Vinca, Eshref Durmishi, Daniela Markaj dhe regjisori Florent Mehmeti do t’i  bashkëngjiten pjesës amerikane të ekipës për të finalizuar shfaqjen që për rrëfim ka historinë, shumë pak të njohur, të shpëtimit e strehimit të hebrenjve nga shqiptaret “Strehim” (“Refuge”), gjatë Luftës II Botërore. 

“Strehim” (“Refuge”) është shfaqja e tretë origjinale e krijuar nga Teatri ODA dhe Blessed Unrest që nga viti 2005.

Gjashtë turne janë organizuar gjithsej deri tash në Ballkan, Evropë dhe në Nju Jork, përfshirë edhe projektin “Doruntine” që ka pasur dy turne të suksesshme në Amerikë dhe ka fituar Çmimin e Festivalit “Secondo” në Cyrih, Zvicër.

Premiera e “Strehim (“Refuge”) do të jetë më 25 prill në Baruch Performing Arts Centre në Manhattan në Nju Jork, për të vazhduar me shfaqjet deri më 11 maj 2019. / KultPlus.com

Florent Mehmeti në 16 vjetorin e Teatrit “ODA”: Luftojmë për t’iu bërë ballë shpenzimeve elementare

Alberina Haxhijaj

Gjashtëmbëdhjetë vite më parë në Prishtinë është krijuar Teatri i pavarur ODA, e menduar si një nismë për t’i hapur rrugën Skenës së Pavarur Kulturore në vend.

Mbrëmë gjithë kjo punë u shënua përmes premierës së shfaqjes “Graviteti”, shkruan KultPlus. Shfaqja e parë e realizuar në teatrin ODA – “Monologët e Vaginës”, premiera e të cilës u dha me 1 mars të vitit 2003 i’u hapi rrugë shfaqjeve të shumta të cilat erdhën në kuadër të këtij teatri i cili përmes punës së tij vendosi shumë shpesh emrin e Kosovës në hartën kulturore së bashku me vendet e tjera ndërkombëtare.

Themeluesit e këtij teatri, aktori Lirak Çelaj dhe regjisori Florent Mehmeti, atëherë besonin se në të ardhmen mundësitë që Skena e Pavarur Kulturore të lulëzonte në Kosovë do të ishin shumë të mëdha. Si themelues, ata mendonin se do t’u mbetej që të realizonin shfaqje të cilat denjësisht do ta përfaqësonin Teatrin ODA në atë skenë, mirëpo 16 vite pas, ata akoma luftojnë për t’iu bërë ballë shpenzimeve elementare.

Madje Mehmeti thotë për KultPlus se ndihen edhe të vetmuar, pasi që Skena e Pavarur Kulturore akoma mbetet e zbehtë.

“Ne ndihemi goxha të vetmuar në këtë anën e teatrit të pavarur. Nëse dikush do të më kishte thënë në vitin 2003 që do të jetë kështu skena, nuk do e kisha besuar. Nëse dikush do të më kishte thënë që do jetë kështu e vështirë edhe pas 16 viteve, duke harxhuar shumë energji për mbijetesë, ndoshta ish ulë shumë kjo kurajo dhe ky motivim. E them me keqardhje që një pjesë e madhe e energjisë harxhohet në mbijetesë, e kisha dashtë me e pa këtë energji të kanalizume në produktivitet për me kriju dhe me prodhu më shumë në atë që edhe jemi të thirrur, për krijime artistike”, theksoi ai.

Mirëpo me shumë kokëfortësi për të bërë ballë ndaj sfidave dhe me shumë dashuri për punën që bën, ky teatër iu ka rezistuar viteve. Rrethuar nga shumë artistë të rinj dhe nga miq të vjetër të cilët hapat e parë i morrën në këtë teatër, dyert e Odës akoma mbesin të hapura. Gjenerata të ndryshme të aktorëve akoma kalojnë kohë në këtë hapësirë duke punuar dhe duke ndikuar në diversifikimin e kulturës në vend. Oda gjatë këtyre viteve ka shërbyer si një pikë gravitacioni për të sjellë risi në skenën teatrore, duke qenë e hapur për ide dhe eksperienca teatrore të cilat ndoshta nuk do të kishin gjetur rehati në skenat që janë institucionale. Fuqinë e gravitacionit e gjejmë edhe te shfaqja “Graviteti” shkruar nga Lirak Çelaj dhe me regji të Florent Mehmetit e cila erdhi përmes lojës së aktorëve Daniela Markaj, Flamur Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.

Tërësia e shfaqjes u krijua përmes kronikave të shkurta të cilat u shfaqën brenda kornizave të varura në skenë, duke krijuar kështu një mozaik të ngjarjeve dhe periudhave të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët. Filloi nga Skënderbeu, të emigrantët e parë të Shqipërisë, lufta në Kosovë, familja Jashari e deri te ata që kanë migruar, ata që janë kthyer e ata që dëshirojnë të largohen nga vendlindja. “Fillimi i shtjellimit të idesë për këtë shfaqje ka qenë me u marrë me lidhjen që ka shqiptari me vendlindjen. Në këtë mënyrë, përmes shfaqjes u krijua edhe një rrugëtim artistik që sillet rreth lidhjes gravitacionale me vendlindjen, prej problemeve shumë të vogla e deri të lidhjet që janë edhe me të mëdha, sublime, ku njerëzit edhe janë flijuar për këtë vend”, theksoi Mehmeti.

“Jemi duke jetuar në një kohë kur atdhedashuria është duke u bërë pak bajat prej politikanëve të skenës politike dhe po mendoj që arti ka ndoshta mision që me e ushqye këtë punë për ata që iu pëlqen me pa tema të tilla por në një mënyrë më origjinale. Ne si Odë tregojmë histori për të treguar një pozicion tonin karshi kësaj shoqërie ose fenomeneve që ndodhin”, theksoi ai.

Aktorja Daniela Markaj e cila ishte pjesë e kastës së aktorëve tha për KultPlus se sjellja e disa karaktereve ka qenë mjaft sfiduese në fillim, mirëpo falë punës regjisoriale, karakteret kanë krijuar një lidhshmëri dhe e kanë nxjerrë më të bukurën e kësaj shfaqjeje. “Me Teatrin ODA për herë të parë kam punuar para dy viteve në kuadër të festivalit Hapu. Vitin e kaluar pikërisht me 1 mars, për 15-të vjetorin e teatrit kam luajtur në shfaqjen ‘Lufta e Tretë Botërore’ pas saj filluam projektin e ri e që kishte si temë lidhjen e shqiptarëve me vendin e tyre, një proces shumë i lezetshëm dhe me shumë diskutime, se qysh me i lidh skenat dhe pastaj edhe një muaj prova. E bukura e këtij teatri si skenë e pavarur është që ODA iu jep shumë mundësi aktorëve të rinj që me e prezantu veten dhe kjo është shumë e rëndësishme për aktorët e rinj dhe për artistët. Kemi goxha shumë aktorë dhe duhet me u kriju hapësirë dhe me iu jep mundësi dhe teatri ODA e bën këtë”, theksoi ajo.

Kjo shfaqje i solli ndërmend regjisores Zana Krasniqi- Hoxha se sa shumë artistë gjatë këtyre viteve ka zbuluar teatri “ODA”. Kjo mbrëmje për të ishte një rizbulim i faktit që ky teatër mbanë akoma gjallë frymën e pavarur artistike. “Shfaqja sonte ishte një tragjikomedi, do të thoja, për faktin se trajton një pjesë të dhimbshme të historisë sonë, por meqenëse është 20 vjetori i çlirimit të Kosovës mua më duket që është bërë me qëllim një trajtim i tillë, pikërisht për historinë e këtij 20 vjeçari dhe ka copëza te historisë sonë që të prekin emocionalisht por nganjëherë të bëjnë për të qeshur me disa situata me të cilat ne identifikohemi shumë lehtë “, tha ajo.

 Shfaqja “Graviteti” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Eda Zari rikthehet në Prishtinë, sjellë një “Udhëtim dimëror” në prag të festave të fundvitit

Më 1 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Oda, rikthehet Eda Zari, për një koncert të radhës, shkruan KultPlus.

Eda Zari feat. Rhani Krija, Gert Kapo, Visar Kuçi, Ilir Bajri, Hayden Chisholm sjellin “Udhëtim dimëror – Spiritual Jazz – kanellë dhe verë”, në Teatrin Oda, aty ku do të lexojë Sokol Çunga.

“Një program i pazakontë përmbush dëshira të vogla nostalgjike muzikale dhe kyçet me përmasën shpirtërore në muzikë. Përmes aranzhimeve të larmishme xhaz gërshetohen melodi aq të njohura, që tingëllojnë familjare, dhe përgatisin shpirtin për sezonin e festave të fundvitit.

Dimensioni shpirtëror në muzikë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndaj shkojmë muzikalisht pas në histori, për të njohur vlerën e ritualeve, festave, simbolikave.

Ritualet që ngrohin zemrën janë gjithmonë të mira. Nuk janë domosdo vetëm pikëpamjet e tradicionale fetare. Janë, bashkë me to, dhe ato rituale laike që japin shembuj, na tregojnë, së pari, si të paqtohemi dhe të festojmë të gjithë së bashku, në emër të dashurisë dhe paqes.

“Ja na erdhi viti i ri”, “Silent Night” janë këngë të njohura për çdo moshë. Pothuajse kushdo mund të këndojë nën zë e me zë duke bërë të pranishme ndjesinë e bredhave plot borë, të nuhasim biskotat e sheqerit që vijnë nga furra, të shohim dritaret e kuzhinës me avull. Dëshirojmë t’ju kënaqim, ndonëse sezoni i festave ende nuk ka filluar, duke ju sjellë përjetimin e një nate dimri me tinguj nga muzikantë të përkushtuar, dhe “Përralla nga e shkuara“!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

“Hipokritët ose pacienti anglez” e Jeton Nezirajt, premierë në teatrin Oda (VIDEO)

Qendra Multimedia do të sjellë edicionin e parë showcase, dhe poashtu ky është showcase i parë i organizuar ndonjëherë në Kosovë. Qendra. Multimedia.Showcase.2018 do të mbahet në Prishtinë, nga data 19 – 21 tetor 2018 dhe sivjet në të do të shfaqen katër shfaqjet e fundit të prodhuara nga Qendra Multimedia, duke përfshi edhe premierën e shfaqjes së re “Hipokritët ose pacienti anglez”. Po poashtu, në këtë edicion, janë përfshirë edhe shfaqjen “Le Pont”, e cila është realizuar në Paris dhe e cila do të hapë festivalin teatror që organizohet nga teatri “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.

Premiera e shfaqjes “Hipokritët ose pacienti anglez”, prodhuar nga Qendra Multimedia, vjen me tekst të Jeton Nezirajt e nën regjinë e Agon Myftarit dhe Blerta Nezirajt.

Kasta e aktorëve të shfaqjes përbëhet nga: Ilire Vinca, Bajrush Mjaku, Dukagjin Podrimja, Shpetim Selmani, Ernest Malazogu, Daniela Markaj, Suasa Abazi (muzikante).

Komedia “Hipokritët dhe pacienti anglez” merret me sistemin shëndetësor i cili i zënë në kurthin e kapitalizmit e të politikave neoliberale, është shndërruar në njërën prej gangrenave kryesore të shoqërive bashkëkohore në Ballkan, dhe jo vetëm. Shëndetësia s’është krijuar jo për t’iu shërbyer qytetarëve, por për t’i shërbyer industrisë farmaceutike, asaj të sigurimeve shëndetësore e spitaleve private, të cilat shëndetin e pacentit e shohin si produkt prej të cilit duhet të ftohet dhe prej të cilit mund të akumulohet kapitali. Kujdesi shëndetësor është marketizuar e komercializuar, kurse institucionet shëndetësore publike funksionojnë në kushte të mjerueshme, me mjek të korruptuar ne mizantrop. Por sistemi shëndetësor natyrisht nuk vepron i vetëm dhe i shkëputur, ai është pjesë e një hallke më të gjerë të keqpërdoruesve që vijnë nga politika, nga biznesi farmaceutik, nga kompanitë e sigurimeve, nga kompanitë e prodhimit të aparaturave mjekësore e nga nëntoka e krimit të organizuar.

Të pasurit marrin trajtim në klinikat e shtrenjta private në vend apo gjetiu në Evropë. Të varfëritë vdesin, duke pritur në radhë në spitalet publike, ose vdesin në përpjekjet për t’grumbulluar financa për t’u trajtuar në spitalet private. Kjo situatë ka thelluar pabarazinë mes shtresave sociale dhe shtetet në regjion, të udhëhequra nga elita politike të korruptuara, janë duke i kontribuar kësaj pabarazie.

Në Kosovë rreth 50 mjek e ish-zyrtarë qeveritar janë duke u akuzuar për skandalin e quajtur “rasti stenta”, për mashtrim, keqpërdorim të pozitës zyrtare e marrje ryshfeti. Mjekë të tjerë, ndërkohë, janë dënuar për rastin tjetër të klinikës private “Medikus”, për trafikim ilegal të organeve. Një grup tjetër ndërsa akuzohet se ka qenë duke bashkëpunuar me kompanitë farmaceutike, duke u përshkruar pacientëve barna sipas emrit të kompanisë që i prodhon.

Në komedinë “The Hypocrites or The English Patient”, 6 personazhët, na tregojnë me shumë humor, për qendrat e masazheve në Ballkan, ku praktikohet “happy-end”-i (eufemizëm për masturbimin), për transplantin ilegal të veshkave e për operacionet mashtruese të stentave të zemrës – krejt këto, nën hijen e punimeve intensive për ndërtimin e ‘autoudhës së paqes ballkanase”. Në “Hipokritët…” publiku do të shoh anën ‘pornografike’ të një shoqërie e cila është duke praktikuar një happy-end kolektiv…

Premiera e shfaqjes vjen më datë 19 tetor në ora 20:00, në Teatrin Oda në Prishtinë./KultPlus.com

Opera e famshme italiane sonte në ODA

Me fillim nga ora 20:30, në Teatrin Oda në Prishtinë shfaqet opera e famshme italiane ‘Katër i Radës’, shkruan KultPlus.

E prodhuar nga Cantieri Teatrali Koreja – Lecce, opera ka qenë e komisionuar nga ‘Biennale di Vennecia’. Nga koha kur është prodhuar, kjo operë është dhënë në dhjetëra festivale të rëndësishme evropiane, përfshi edhe në festivalin e mirënjohur MESS të Sarajevës.

‘Katër i Radës’ nuk është veç një operë e kujtesës. Është një përpjekje, që përmes muzikës, të shkarkohet universi i njeriut i cili shkoi për të takuar një nga shumë tragjeditë e Mesdheut: atë të një anijeje të vogël të stërmbushur me burra, gra dhe fëmijë, që u fundos, në mars të vitit 1997 në bregdet të Italisë. Në turmën e një akti të vetëm, të Fundosurit dhe të Shpëtuarit, ata që u shpëtuan dhe ata që vdiqën, zërat e tyre, mendimet e tyre, e posaçërisht udhëtimi i tyre drejt errësirës, plot me ankthe dhe dëshira të vogla, ëndrra dhe frikë, devijime, ndarje, kujtime të rastësishme…

Muzika: Admir Shkurtaj, Libreto: Alessandro Leogrande, Regjia: Salvatore Tramacere, Skena dhe dritat: Michelangelo Campanale dhe Kostumet: Stefania Miscuglio./ KultPlus.com

Teatri Oda mbush 15 vjet, sjellë premierën “Lufta e tretë botërore…”

Nesër më 1 mars, Teatri Oda mbush 15 vite. Kësisoj, në këtë përvjetor, vjen premiera e shfaqjes “Lufta e tretë botërore – komedi ndoshta, diçka diçka, s’po di s’po di”, tekst ky i shkruar nga Lirak Çelaj dhe Rozafa Çelaj ndërsa në skenën e Teatrit Oda, vjen me regji të Florent Mehmetit, shkruan KultPlus.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë: Kushtrim Qerimi, Rina Krasniqi, Gojart Kqiku, Daniela Markaj, Kaltrinë Zeneli, Flamur Ahmeti. Kostumet janë realizuar nga Vesa Kraja, asistente regjie Rozafa Çelaj ndërsa projekti është përkrahur nga : MKRS dhe Melodia PX.

“Lufta e tretë botërore – komedi ndoshta, diçka diçka, s’po di s’po di”, vjen nesër me premierë me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Ora./ KultPlus.com

“Muzikë për Autizëm” të premten në ODA

“Për shkak që autizmi është veçanti dhe nuk është uniformë e sjelljes njerëzore, ju ftojmë që duke shijuar muzikë poashtu të veçantë të kontribuoni në nevojat e qendrës tonë, për të rritur cilësinë e shërbimeve të nevojshme profesionale”, nisë kështu thirrja nga Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë, për pjesëmarrje në koncertin “Muzikë për Autizëm”, i cili vjen më 8 dhjetor në Teatrin Oda, shkruan KultPlus.

Kjo natë mbështetet nga Solidar Suisse, e cila si organizatë vërtetë solidare ka ndihmuar çështjen e autzimit për disa vite në matje të nevojave, rritje të vetëdijesimit, mbështetje institucionale dhe profesionale, e veçanërisht është kujdesur që edhe çështja e autizmit të futet brenda sigurimeve shëndetësore.

“Muzikë për Autizëm” sjellë artistët Dritëro Nikqi dh Bledi Boraku, Blerta Kosova dhe TOTON të premten në Oda me fillim nga ora 21:00. Bileta kushton 5 euro./ KultPlus.com

Shfaqja franceze “Tordre” solli një vallëzim bashkëkohor për publikun kosovar (FOTO)

Një skenografi e thjeshtë, e përqendronte të gjithë vëmendjen tek dy valltarët. Me një ritëm të ngadaltë fillojnë lëvizjet e tyre duke bredhur rreth skenës, e ndonjëherë duke u ndeshur në sy, për t’i lenë më pas skenën njëra-tjetrës.

Gili Hoxhaj

Loja e shfaqjes “Tordre”e cila u shfaq mbrëmë në kuadër të programit France Danse Orient Express bëri që publiku kosovar të shijoi një shfaqje të dytë të vallëzimit bashkëkohor francez, shkruan KultPlus.

Skena e Teatrit Oda dukej sikur të dërgonte në një udhëtimi marramendës, përmes lojës mahnitëse që ngërthente në vete kjo shfaqje me koreografi të Rachid Ouramdane dhe nën interpretimin e balerinëve Annie Hanauer dhe Lora Juodkaiten.

Një skenografi e thjeshtë, e përqendronte të gjithë vëmendjen tek dy valltarët. Me një ritëm të ngadaltë fillojnë lëvizjet e tyre duke bredhur rreth skenës, e ndonjëherë duke u ndeshur në sy, për t’i lenë më pas skenën njëra-tjetrës.

Annie Hanauer, vjen e zbathur dhe me flokët e saj që sillen gjatë lëvizjeve të trupit të saj. Vallëzimi i saj vjen më i frenuar, me një siguri dhe saktësi të plotë, herë duke u ngjitur për toke e herë duke u ngritur për ta drejtuar trupin e saj me çdo tingull të muzikës që dëgjohej në sfond. Ajo vije për herë të parë në Ballkan dhe mbrëmë solli interpretimin e parë për publikun e Prishtinës.

“Është shumë e veçantë të jesh këtu dhe ta takosh audiencën e Kosovës, është shumë kënaqësi që të vish dhe të ndash punën tënde me njerëzit këtu dhe të pritesh me kaq shumë ngrohtësi. Kjo që sollëm sonte është një punë shumë personale, kemi punuar shumë për se afërmi me koreografin Rachid, ishte diçka që vinte nga sytë e tij që lidhej me atë se çfarë ai e shihte në sytë tanë, pra ajo çfarë patë ishte nga brendësia e neve të dyjave. Kemi pasur shumë bashkëpunim me njëra-tjetrën për ta arritur këtë”, tha Hanauer për KultPlus.

Lora Juodkaite, valltarja lituaneze mbrëmë dhuroi shumë magji përmes vallëzimit të saj, të ndërthurur me rrëfimin e saj personal. Ajo sillej derisa zëri i saj tregonte për lirinë që ajo ndiente rreth rrotullimit, dhe kujtonte se si në fëmijëri brenda qilimit të dhomës së saj e kishte shndërruar të sillurit në zakon. Rrotullimi i saj dukej se tretej me shpejtësi në hapësirë, e shpesh dukej se duart e saj tejkalonin brenda trupit të saj, e shumëfishoheshin në skenë. “Edhe kur jam e lodhur, edhe kur jam e sëmurë, unë sillem”, ishin fjalët që pëshpëriste me zë derisa sillej.

“Unë sillem që kur isha fëmijë, kam ardhur në këtë botë e tillë dhe vazhdoj edhe sot të sillem. Thjeshtësia dhe origjinaliteti është ajo që po i mungon kësaj bote. Esenca e kësaj performance është të jetë e thjeshtë, e pastër dhe të mos ketë asgjë false, asgjë shtesë… jemi vetëm ne me ju. Ne ndamë me publikun atë çfarë ne jemi. Rrotullimi im në skenë është diçka përtej asaj që mund të shpjegohet”, tregoi ajo për KultPlus.

Një performancë e tillë nga balerina lituaneze po vinte për herë të parë në Kosovë, për të marr një energji të mahnitshme nga publiku.

“Nuk kam udhëtuar ndonjëherë më parë rreth Kosovës, energjia e publikut ishte e mahnitshme. Është një gjë shumë e mirë të ndash kohën me publikun dhe po ashtu të shohësh mënyrën e jetesës këtu, ne gjithashtu ishim në studion e Baletit Kombëtar dhe e pamë se kushtet në të cilat punohet këtu janë shumë të vështira dhe në një far mënyrë jemi të lumtura që vijmë këtu për të sjellë përkrahjen tonë dhe shpresoj që kemi sjellë për të sjellë pak pozitivitet dhe energji”, shpjegoi tutje Lora Juodkaite për KultPlus.

Kësaj mbrëmje Ambasada e Republikës së Francës në Kosovë i kishte paraprirë me organizimin e një spektakli më 7 tetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës me baletin e Angjelin Preljocaj.

“Ky program ka për qëllim të promovoi vallëzimin, baletin dhe teatrin duke punuar me partnerë vendor. Jemi shumë të lumtur që kemi arritur një bashkëpunim me botën e baletit, të vallëzimit këtu në Kosovë”, ishin fjalët hyrëse të ambasadorit francez Didier Chabert.

Florent Mehmeti, drejtor i Teatrit Oda tha se ky teatër po bën përpjekje që për shikuesit e vet të ofroj diçka që nuk është shumë e madhe si produksion në Kosovë.

“Kjo është për me tregu që edhe ma herët edhe tash po ndërthurim plane për zhvillimin e vallëzimit bashkëkohor në Kosovë por edhe të disiplinave të tjera që nuk janë shumë prezente në Kosovë”, u shpreh Mehmeti. /KultPlus.com

Ambasada e Francës sjellë shfaqjen “Tordre” në Oda

Në kuadër të programit France Danse Orient Express, Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me teatrin Oda, paraqet para publikut të Kosovës një shfaqje të dytë të vallëzimit bashkëkohor francez, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Tordre”, e Rachid Ouramdane e interpretuar nga balerinët Annie Hanauer dhe Lora Juodkaite do të paraqitet të shtunën më 11 nëntor në ora 20:00 në Teatrin Oda në Prishtinë.

«TORDRE është një shfaqje magjepsëse… Nga rrotullimet e thjeshta deri tek ato më të ndërlikuara, balerinët e Rachid Ouramdane na çojnë në një udhëtim marramendës », kishte shkruar në vitin 2016-të Télérama, Emmanuelle Bouchez./ KultPlus.com

Të rinjtë e shtatë komunave do të përballen nëpërmjet shfaqjeve në Festivalin Teatral për të Rinjë dhe të Reja

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis me mbështetje nga CFD organizon edicionin e 7-të të Festivalit Teatral për të Rinjë dhe të Reja, shkruan KultPlus.

Ky festival organizohet në kuadër të projektit “Adresimi i Dhunës ndaj Grave përmes Artit dhe angazhimit të Komunitetit”.

Në Teatrin ODA do të prezantojnë shfaqjet teatrale të rinjtë dhe të rejat e 7 komunave të Kosovës: Prishtina, Peja, Gjakova, Prizreni, Ferizaji, Mitrovica dhe Gjilani., ku këto shfaqje do të shpalosin çështjet më problematike të të rinjëve dhe rejave të këtyre komunave. Juria e këtij edicioni është në përbërje të: Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi dhe Antigona Dajakaj Fejza. Festivali do të mbahet më 24 tetor, në ora 12:00, në Teatrin ODA./KultPlus.com

“Hi dhe Borë” në ODA

Nesër në Teatrin ODA, do të performojnë studentet e Akademisë së Kulturës Letoneze “Hi dhe Borë”, që do të shfaqet prej orës 20:00, shkruan KultPlus.

“Është një performancë danci poetike nga koreografi dhe kërcimtari tibetian-kinez Cai Rang Ren Qing, i cili e krijoi këtë punë, posaçërisht për studentet e dancit të Akademisë së Kulturës Letoneze, gjatë kohës së qëndrimit në Letoni.

Vete koreografi këtë krijimtari të tijën artistike e përshkruan si: e ngadalshme, e pastër, pa ndalesë. Njësoj sikurse jeta jonë, e bukur dhe konfuze në të njëjtën kohë./KultPlus.com