“Rikardi” nesër premierë në Teatrin e Shkupit, qasja e pakompromis e Kushtrim Bekteshit ndaj ngjarjes më të errët të dramaturgjisë botërore

Era Berisha

“Rikardi III”, titullohet shfaqja e cila po frymon guximshëm tash e disa kohë për t’u vënë në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup. Është një heshtje e dëlirë që përshkon dërrasat e teatrit që presin me padurim për tu gjallëruar nga loja e aktorëve dhe këndvështrimi i regjisorit. Kjo heshtje po lihet anash në mënyrë që prania e Rikardit të jetë feneri i dritës së errësirës në skenë. Regjisori Kushtrim Bekteshi vizionin e tij e ka të qartësuar dukshëm. Jehona e fjalëve të Shekspirit do të shungullojë në ajër dhe do rilind sërish shqip. Bekteshi është arkitekti i stuhisë që do krijohet nëpërmjet ambicies, tradhtisë dhe kurorës së brishtë të pushtetit. Me çdo fjalë, shfaqja do të tërheq të kaluarën në të tashmen, shkruan KultPlus.

“Rikard”, është një emër i mbushur me histori. Një monark i shtrembëruar nga qëllimi, i përhumbur nga profecia dhe i shtyrë nga një uri që ne e njohim ende sot. Nuk është rastësi që kjo shfaqje rikthehet tani. Në një epokë të besnikërisë së thyer dhe të tradhtive të pëshpëritura, tregimi i një njeriu që hap me kthetra rrugën e tij drejt fronit flet me urgjencë të përtërirë.

Regjisori Bekteshi nuk ofron përgjigje – vetëm një pasqyrë. Nën shkëlqimin e kurorës së Rikardit, ne mund të kapim një paraqitje të shkurtër të vetvetes. Dhe kështu, me frymë të qëllimshme dhe vendosmëri të qetë, ai sjell historinë, duke e ditur se e kaluara nuk fle me të vërtetë.

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Bekteshi ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin deri në premierë që do epet nesër (12 prill).

“Aktualiteti i zhvillimeve dramatike në politikën globale, që ka ndikim indirekt, por edhe direkt në jetët tona. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë më është ngjallur nevoja që ta interpretoj në skenë tragjedinë monumentale “Rikardi III”. Ajo luftë, ai agresion, e ka ndryshuar botën dhe po vazhdon ta ndryshojë, dhe pasojat po i ndjejmë dhe mendoj se do t’i ndjejmë edhe shumë gjatë. Pushtetet autoritare në rritje në rajon dhe botë janë duke kërcënuar stabilitetin, demokracinë dhe paqen e kontinentit tonë, por edhe të gjithë globit. Pasiguria e ankthi mbizotëron te të gjithë, pothuajse çdo ditë ‘bombardohemi’ me informata e dezinformata për shpërthim të një Lufte të Tretë Botërore, për tragjedi e shkatërrime të përmasave bërthamore, etj”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka ekzistuar nevoja që të shihet në skenë Rikardi III, me qëllimin që shoqëria të reflektojë dhe të bëhet e vetëdijshme për përgjegjësinë kolektive në parandalimin e çdo individi të ngjashëm me këtë personazh që mund të ‘ngjallet’ në realitetin politik dhe me sundimin e tij të rrezikojë lirinë dhe demokracinë.

Regjisori Bekteshi, Shekspirin e konsideron një gjeni pasiqë ai ka trajtuar kompleksitetin e natyrës njerëzore dhe nuk i ka paraqitur personazhet bardhezi, nuk i ka tipizuar. Kështu është trajtuar edhe personazhi i Rikardit në shfaqje, bazuar në vetë veprën e Shekspirit, me të gjitha ngjyrimet emocionale si çdo njeri.

“Rrethanat dhe bullizimi që ka përjetuar Rikardi që në fëmijëri kanë ndikuar në deformimin e karakterit të tij dhe e gjithë kjo ka bërë që qenien e tij si forcë dominante ta udhëheq ligësia, urrejtja dhe hakmarrja ndaj të tjerëve. Sigurisht nuk është aspak hero, mendimet dhe veprimet e tij janë monstruoze, por nuk mund ta kategorizojmë e margjinalizojmë karakterin e tij duke e trajtuar vetëm nga aspekti i së keqes. Rikardi nuk ka lindur kriminel, është krijuar si i tillë me kohë, dhe aty ka përgjegjësi edhe familja, njerëzit që e rrethojnë, shoqëria në përgjithësi. Në rrethana normale, një psikolog apo psikiatër do ta ndihmonte. Problemi më i madh shfaqet kur një njeri i tillë me karakter të deformuar fiton fuqi të madhe politike dhe vjen në pushtet me ndihmën e atyre që shohin përfitim personal nga kjo gjë. Kur një karakter i tillë i udhëhequr nga qëllime shfarosëse fiton pushtet absolut”, shpalos Bekteshi.

Shfaqja Rikardi brenda vetvetes trajton disa tema, por ajo që dominon më së shumti është tema e ardhjes në pushtet përmes intrigës, dhunës dhe manipulimit dhe pasojat që sjell sundimi i një tirani.

Sa i përket estetikës vizuale të prodhimit dhe paraleles mes tradicionales e modernizmit, regjisori Bekteshi ka thënë se në shfaqje do të përdoret videoprojektori, pistoleta, celularë, por jo për hir të ‘modernizimit’ të shfaqjes.

“Unë nuk e di çfarë mund të konsiderohet tradicionale dhe moderne. Nëse vetëm zhvendosja kohore nga renesanca në kohën e sotme apriori quhet moderne, kjo për mua nuk mban. Apo e kundërta, nëse vendoset ngjarja në kohën kur e ka shkruar autori, kjo apriori nuk e bën tradicionale një shfaqje. Bashkëkohore, apo ta quajmë edhe moderne, e bën shfaqjen interpretimi bashkëkohor regjisorial, kur gjendet forma e përshtatshme që një tekst i caktuar të komunikojë natyrshëm me audiencën e sotme, pa marrë parasysh se në çfarë kohe është shkruar ai tekst, apo në çfarë konteksti kohor e hapësinor vendoset ngjarja në shfaqje. Ky është një keqkuptim i madh që po ndodh tani e sa kohë në realitetin tonë teatror: bëji ca adaptime e përshtatje të tekstit, vishi aktorët me kostumet e kohës së sotme, vendos laptop, videoproektor, mikrofona e celularë në skenë dhe hop si me magji na u bëka shfaqja moderne?! Ky për mua është botëkuptim diletant dhe steril në mënyrën e konceptimit të artit teatror. Sigurisht që gjitha elementet identifikuese të kohës së sotme që inkorporohen në artin teatror nuk i përjashtoj e as nuk i paragjykoj, sepse edhe vetë i kam përdorur në shfaqje të ndryshme, por ato elemente duhet të shkrihen natyrshëm me përmbajtjen e veprës dhe të mbështeten në zbërthimin dhe interpretimi regjisorial të asaj vepre, pa ja humbur esencën veprës dhe pa e cenuar rrjedhën e ngjarjes/rrëfimit. Kur shfaqjet realizohen me një recetë të njëjtë vetëm për t’u dukur apriori moderne, aty diçka nuk shkon, aty nuk ka krijimtari, por ka vetëm riciklim”, thotë ai.

Regjisori Bekteshi beson se secila vepër ka specifikat e veta dhe nuk mund të hapen të gjitha veprat dramatike me të njëjtin çelës, përpos nëse u ‘thyhet brava’ dhe dhunshëm e si mish i egër, iu imponohet i ashtuquajturi modernizim.

“Kam parë shfaqje që i kanë përdorur të gjitha pajisjet teknologjike të kohës së sotme dhe kanë qenë aq demode dhe amatore në konceptim e interpretim regjisorial sa të ngjallin neverinë, dhe kam parë shfaqje me interpretim regjisorial shumë bashkëkohorë edhe pse në aspektin vizual i kanë qëndruar besnik kohës së largët kur është shkruar vepra. Tani të kthehem te shfaqja ime “Rikardi III”  – koha dhe hapësira ku e kam vendosur ngjarjen është neutrale, tejet e ngjashme me kohën e sotme, por pa dhënë specifika gjeografike. Dhe po, në shfaqje përdoret videoprojektori, pistoleta, celularë, jo për hir të të ashtuquajturit modernizim, por sepse e kam parë të nevojshëm këtë zhvendosje kohore për shkak të asaj që kam nevojë t’ia them publikut përmes tekstit të Shekspirit, asociacioneve direkte që dua të përçojë shfaqja rreth zhvillimeve historike nga e kaluara e afërt dhe zhvillimeve aktuale në politikën e sotme globale – zhvillime që më shqetësojnë dhe shpesh më krijojnë ankth dhe ndjenjë të pasigurisë. Modelet e ngjashme si Rikardi III kanë ekzistuar në gjitha periudhat historike të njerëzimit, e fatkeqësisht rishfaqen në çdo hapësirë gjeografike kur korruptohet mendimi kritik dhe zëri intelektual, kur ambicia e individëve apo grupacioneve të ndryshme e varros drejtësinë dhe e përkrah të keqen, kur gënjeshtra e dezinformata me vetëdije të plotë servohen si të vërteta nga kanalet e komunikimit me audiencën – e që në ditët e sotme janë të shumta dhe shpesh shërbejnë si mjet për ngritjen në pushtet të autokratëve dhe diktatorëve”, ka thënë Bekteshi.

Regjisori Bekteshi tutje ka treguar se ngjarja në veprën “Rikardi III” është e errët, ndoshta më e errëta në dramaturgjinë botërore, ku pothuajse të gjithë personazhet i kanë duart e përlyera me gjak – shto edhe faktet historike të luftërave qindravjeçare mes dinastisë së Jorkëve dhe Lankastërve para se të lind vetë Shekspiri, ngjarje e personazhe që janë përfshirë në veprën e tij.

“Janë histori të përgjakshme, ku secili personazh ka kryer ose ka bashkëvepruar në ndonjë krim. Duke u bazuar në këtë interpretim të veprës dhe personazheve, rrjedhimisht edhe te toni e muzika kryesisht mbizotëron tingulli i vrazhdë, i ftohtë, gati apokaliptik, ndërsa i gjithë ndriçimi është konceptuar të jetë vetëm me dritë të bardhë projektori apo neoni, pra nuk kemi përdorur asnjë filtër me ngjyrë, me qëllim që t’i rijmë konsekuntë atij realiteti neutral kohor dhe hapësinor që manifestohet në konceptimin e skenografisë dhe kostumeve, si dhe të theksohet atmosfera gri që mbizotëron në shfaqje, ashtu siç zhvillohet edhe vet ngjarja”, shpalos ai.

Sa i përket punës së përzgjedhjes së aktorëve, regjisori Bekteshi ka thënë që varet nga interpretimi regjisorial i veprës dhe vizioni regjisorial për rolet dhe shfaqjen.

“Nuk është një gjë që mund të shpjegohet lehtësisht meqë është një çështje vizioni, fshihet diku në eterin e mendimeve, intuitës, ndjesisë dhe besimit. Jam shumë i kujdesshëm dhe i pakompromis në përzgjedhjen e aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të shfaqjes dhe deri më sot asnjëherë nuk jam zhgënjyer nga përzgjedhja që kam bërë. E njëjta vlen edhe për këtë shfaqje”, thotë ai.

Në shfaqje luan një kastë e madhe e aktorëve, gjithsej 18 aktorë, ku në rolin kryesor, atë të Rikardit të Tretë, është Adem Karaga, pastaj është aktori mysafir nga Kosova, Shkumbin Istrefi, si dhe aktorët e tjerë të ansamblit rezident të Teatrit Shqiptar të Shkupit: Teuta Ajdini Jegeni, Vjollca Bekteshi Hamiti,  Amernis Nokshiqi, Abedin Alimi, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Dritëro Ame, Fisnik Zeqiri, Mentor Kurti, Genci Mirzo, Rrahim Ramadani, Sara Bajrami, Gentiana Ramadani, Hetem Etemi, Sabina Memishi Asllanaj, dhe studentin e aktrimit Deniz Rrustemi. Skenograf në shfaqje është Betim Zeqiri, kostumografe Samka Ferri dhe kompozitor Trimor Dhomi.

Ajo se çfarë regjisori Bekteshi shpreson që audienca të ndjejë nga kjo histori e shfaqjes Rikardi, është reflektimi për ngjarjen që do e shohin, për përgjegjësinë kolektive në parandalimin e personave të ngjashëm me Rikardin e Tretë që mund të vijnë në pushtet në çdo hapësirë gjeografike ku “vlerat bëhen mall i lirë për treg”. Por ai dëshiron që audienca gjithashtu ta shijojë në tërësi lojën e shkëlqyer të aktorëve dhe elementet e tjera përbërëse të shfaqjes.

Teksa i afrohemi fundit të kësaj interviste, regjisori Bekteshi ka bërë të ditur se shfaqja Rikardi nuk ngreh ndonjë paralele specifike me imazhin apo imitimin e ndonjë lideri politik.

Ngjallen asociacione të kohë paskohshme për ndonjë lider politik nga e kaluara dhe e tashmja, por në asnjë rast paralele të drejtpërdrejtë me imazh apo imitim të ndonjë lideri politik. Nuk jam dhe asnjëherë nuk kam qenë ithtar i pamfleteve politike, e aq më shumë në këtë rast kur kam të bëj me një tragjedi monumentale të Shekspirit ku univerzaliteti i ngjarjes dhe karaktereve do të degradohej në nivel shumë të ulët nëse do të lokalizohej problemi apo interpretimi regjisorial do të banalizohej në formatin e një pamfleti politik”, ka thënë ai.

Para 10 viteve, regjisori Bekteshi as nuk do e kishte menduar ndonjëherë që do e inskenonte Rikardin, por ai beson thellësisht se Shekspiri është i gjithëkohshëm dhe ka vendosur ta interpretojë në këtë kohë sepse pikërisht në këtë kohë i flet më së shumti. Brenda shfaqjes Rikardi, besohet që gjithçka ka qenë sfidë, duke nisur nga vetë ballafaqimi me një vepër monumentale të Shekspirit, aspekti buxhetor i shfaqjes, përzgjedhja e ekipit, procesi i provave, aspektet teknike të shfaqjes, por që këto për regjisorin Bekteshi janë thjesht sfida që harxhojnë shumë energji duke ofruar shumë kënaqësi krijuese brenda ekipit.

Në fund të kësaj interviste, pyetur rreth shfaqjes Emira, e cila ishte paraparë të jepej premierë në Tetarin Kombëtar të Kosovës, por që u anulua për shkak të grevës së trupës rezidente, regjisori Bekteshi ka treguar se shfaqja është pezull dhe do të mbetet ashtu deri në momentin që do të krijohen kushtet për t’iu rikthyer provave.

“Pezull është tani dhe do të mbetet ashtu deri në momentin që krijohen kushtet për t’ju rikthyer provave, por këtë çështje duhet ta zgjidhin zyrtarët e TKK-së. Deri më tani nuk ka ndonjë plan konkret se si do të vazhdohet, kur do të konsolidohet gjithë ekipi i shfaqjes “Emira” dhe kur planifikohet rikthimi në prova dhe dhënia e premierës publike. Është krijuar një vakum i madh kohor nga ndërprerja e provave pesë ditë para premierës, siç e dini për shkak të grevës së Sindikatës së Aktorëve të TKK-së, dhe sigurisht nuk është e lehtë të rikuperohet gjithë ajo punë dhe energji fantastike ekipore që kishim gjatë procesit të punës. Unë jam në pritje, nuk dua të besoj se ajo shfaqje do të ngelet pezull edhe shumë muaj të tjerë. Për mua dhe gjithë ekipin e shfaqjes është një dramë që na ndjek tani e pesë muaj, të gjithë jemi dëmtuar nga ndërprerja e atij procesi, sidomos ne bashkëpunëtorët e jashtëm, që pos dëmit artistik e shpirtëror (që e kanë pësuar njerëzit e përfshirë në realizimin e shfaqjes), kemi pësuar edhe dëm financiar, meqë deri më tani asnjë pagesë nuk na është realizuar për punën që kemi kryer. Shpresoj dhe uroj që shfaqjen do ta japim premierë në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, ashtu siç ka qenë marrëveshja që në fillim të realizmit të kësaj shfaqjeje.”/ KultPlus.com

Vdes aktorja shqiptare Silvana Bajçinovci

Nga Teatri Shqiptar në Shkup kanë njoftuar se ka vdekur aktorja Silvana Bajçinovci,.

“Të nderuar kolegë, miq, e artdashës. Ju informojmë se varrimi i aktores tonë Silvana Bajçinovci bëhet nesër, e shtunë (06.04.2024) në orën 13.00 në Varrezat e Butelit. Kufoma niset nga Xhamia e Butelit. Takimi komemorativ mbahet të hënën në ora 12.00 në Teatrin Shqiptar. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Teatri Shqiptar në Shkup.

Ajo jetonte në Shkup, lindi në Stari tërg të Mitrovicës, në vitin 1955 ku e ka kryer shkollën fillore dhe të mesme.

Në Teatrin e Kombësive në Shkup sot Teatri Shqiptar, ka ardhur në cilësinë e aktores profesioniste në vitin 1975. Ka luajtur mbi 80 role ndër të cilat mbi 30 role kryesore.

Deri në fundin e viteve të 80-ta ka qenë yll i Teatrit të Kombësive kur pas tragjedive të rënda familjare është tërhequr dhe ka luajtur kohë pas kohe.

Ka qenë  njëra ndër aktoret që ka lënë gjurmë në artin skenik të Maqedonisë dhe të hapësirave të ish- Jugosllavisë. Për punën e suksesshme ka marrë çmime të nivelit jugosllavë dhe republikan./KultPlus.com

Ka vdekur aktori Hajrullah Ramizi

Bota e Teatrit Shqiptar ka humbur aktorin e ri, Hajrullah Ramizi, pjesëmarrësin e shumë shfaqjeve në teatër, shkruan KultPlus.

Teatri Shqiptar ka njoftuar për ndarjen e hershme të Ramizit nga jeta përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

“Me pikëllim të thellë ndajmë me ju lajmin e zi për ndarjen e hershme nga jeta të kolegut tonë Hajrullah Ramizi 02.03.1984 – 18.11.2021”, shkruhet mes tjerash.

Gjatë përvojës së tij mbi 10 vjeçare në Teatrin Shqiptar, Hajrullahu u bë pjesë e shfaqjeve: Brekët, Vojceku, Kaligula, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kuçedra, Jetë me qira, Makbethi, Arseniku dhe dantelat e vjetra etj.

Hajrullahu pos në teatër, shpesh është i angazhuar edhe nga produksionet filmike të rajonit dhe ka luajtur në filmat: Eduart, Time of the Comet, Lufta Mbaroi, 1955, Just another confused elephant, Punk Is Not Dead, 4 Oret, To the Hilt, Fati etj. /KultPlus.com

“Revizori” shfaqja fituese e festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut”

Në edicionin e 20-të të festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, i cili në mënyrë tradicionale mbahet në Dibër, triumfoi teatri “Aleksandër Moisiu”, shfaqja e të cilit “Revizori” në regji të Driada Dervishit u shpall si më e mira.

Aktori Gentian Zenelaj u shpall si aktori më i mirë.

Çmimin “Sulejman Pitarka” për regjinë më të mirë e mori Zana Hoxha nga Teatri Kombëtar i Prishtinës për dramën “Zgjimi pranveror”.

Çmimin për aktoren më të mirë, për herë të dytë, e mori Vjollca Bekteshi nga Teatri Shqiptar i Shkupit.

Shfaqjet e teatrove nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova u mbajtën në sallën e koncerteve në Qendrën e Kulturës, duke ruajtur protokollet për mbrojtje nga Covid-19. / atsh / KultPlus.com

Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” shënon edhe një sukses tjetër


Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës është shpërblyer me çmimin “Regjia më e mirë” në Festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut” i mbajtur në Dibër.

Ky është një sukses tjetër i “Zgjimit të Pranverës” që deri tani është shpërblyer si: “Shfaqja më mirë në vitin 2020” në Kosovë dhe “Shfaqja më mirë” në edicionin e 14-të të ITF SkupiFestival.

Kurse në Festivalin “Moisiu On” në Tiranë aktorja Arta Muçaj është shpërblyer me çmimin “Aktorja më mirë joprotagoniste” me rolin e saj në shfaqje.

“Zgjimi i Pranverës” është bashkëproduksion i Artpolis – Qendra për Artin dhe Komunitetin dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Ndrek Luca, malësori nga Dukagjini që e shndërroi në kult artin skenik

Vitet ikin, por emri dhe vepra e të madhit Ndrek Luca mbetet emblematike e traditës së artit skenik shqiptar. Tipat dhe karakteret që ai solli me një mjeshtëri të admirueshme, e kanë shndërruar Ndrek Lucën në një prej korifejve të artit skenik.

Rolet e tij, pavarësisht se shumican prej tyre e përbëjnë personazhet negativ, mbeten të papërsëritshëm dhe konkurues përnga niveli interpretativ, plastika dhe origjinaliteti i jetësimit.

Ndrek Luca lindi më 3 shtator 1927 në Dukagjin dhe u shua më 16 janar 1993.

Aktivitetin e tij skenik e filloi në vitin 1950 me Teatrin e Ushtrisë, ku bënin pjesë dhe aktorë të tjerë me emër. Nën drejtimin e regjisores Zina Andri, ai interpreton në dy pjesë teatrale dhe pas një viti kalon në Teatrin Kombëtar si aktor profesionist. Roli i tij i parë është ai i Shpen Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria”. Ishte ky rol, ku spikati talenti i tij dhe i hapi rrugë roleve të tjera për më se 30 vjet në skenë.

Nga viti 1951 e deri në vitin 1987, vit kur doli në pension, Ndrekë Luca realizoi mbi 100 role në skenë.

Filma: “Detyrë e posaçme”, “Komisari i Dritës”, “Oshëtimë në bregdet”, “Dueli i heshtur”, “Prita”, “Njësiti gueril”, “Plagë të vjetra”, “Gjurma”, “Operacion zjarri”, “Shtigje lufte”, “Shpërthimi”, “Në fillim të verës”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Thirrja”, “Nga mesi i errësirës”, “Udha e shkronjave”, “Mysafiri”, “Nusja”, “Një natë pa dritë”, “Qortimet e vjeshtës”, “Balada e Kurbinit”, etj.

Teatër: “Halili dhe Hajria”, “Shtatë Shalianët” (aktor dhe autor), “Dragoi i Dragobisë”, “Familja e peshkatarit”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Toka jonë”, “Arturo Ui”, “Në anën tjetër”, “Otello”, “Orët e Kremlinit”, “Përmbysja”, “Baca i Gjetajve”, “Epoka para gjyqit”.

Çmime: 1976, Medaljon dhe çmim në Festivalin e I të filmit (“Rrugicat që kërkonin diell”, Gani Herri)

1983, Medaljonin e Festivalit të V të Filmit (“Flaka e maleve”, zejtari) 1990, Medaljon në Festivalin e IX të filmit (“Balada e Kurbinit”, pashai)

Dukagjinasi që superonte dhe donte origjinën

Nuk ishte malësori i ashpër që ecte me mentalitetin e kohës, por megjithatë Dukagjinin e kishte të ngulitur thellë në mendje dhe zemër. “Ndreka ka lindur në thelb të varfërisë materiale. Ka lindur në Dukagjin, e më pas ka zbritur në Shkodër”, thotë gruaja e tij, Mimika, duke shtuar se Ndreka gjithmonë ka ndier një detyrim shpirtëror ndaj prejardhjes së tij. “Njerëzit e veriut e kanë pasur derën të hapur dhe rrinin me ditë në shtëpinë tonë, aq sa edhe sot djali, Gjergji, thotë se është dukagjinas”.

Miqtë e paktë të Ndrekës

Qëndronte shumë me njerëzit, por miqtë e ngushtë ishin të paktë. Kishte një shok të ngushtë në Shkodër, një punëtor në Tiranë. Me Petro Markon ishte shumë i lidhur, si dhe kompozitorët shkodranë Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi etj. Shumë mik kishte edhe Halim Gjakovën, me të cilin hanin çdo mëngjes bukë misri me djathë”, kujton bashkëshortja e aktorit të madh, Mimika, duke shtuar se Ndreka nuk ishte natyrë që pinte dhe ishte tepër familjar.

Kur Luca interpretonte Makbethin

Pavarësisht nga shkollimi si pilot, ai ishte autodidakt në drejtim të artit. Në bibliotekën e tij i gjen të gjithë veprat filozofike të të gjitha rrymave. “Duke lexuar jashtëzakonisht shumë, ishte ai që ishte. Kur u kthye nga studimet në Jugosllavi kishte vetëm valixhe me libra dhe asnjë gjë tjetër”, kujton duke shtuar se edhe më i madh ishte pasioni i tij për skenën. “Edhe kur ka qenë në reanimacion, pasi ka pësuar infarkt mbante “Makbethin” nën jastëk. Jam tmerruar kur e kam parë. Pas tri ditësh shkoi në Shkodër të luante”.

Vlerësimi i vonuar i shtetit

Shteti vendosi ta nderonte, atëherë kur të gjithë e quanin Artist i Popullit, edhe pse nuk ia kishin dhënë këtë titull. E ndjente këtë vlerësim ngado, te njerëzit që e përshëndesnin rrugës dhe tek ata qindra kartolina që i dërgonin, sidomos shqiptarët e Kosovës.

“Vlerësimi shtetëror, megjithatë iu dha, edhe pse me vonesë. Por ka vuajtur shumë për të arritur deri atje. Ishte çdo moment i shqetësuar. Për një natyrë të drejtë, çdo padrejtësi ishte dhimbje. Këtu qe një popull i tërë që i qe bërë një padrejtësi e madhe, e llahtarshme”, thotë Mimika, duke shtuar se Ndreka ishte titanik në forcën e tij. /albertvataj/ KultPlus.com

Me premierën e shfaqjes “Bregu i pikëllimit”, rikthehet Teatri Shqiptar i Shkupit pas 7 vitesh

Teatri Kombëtar Shqiptar të shtunën do të hap dyert për publikun. Rihapja përkon me 71 vjetorin e Teatrit Shqiptar në Shkup, ndërsa rifillimi i punës së skenës amë do të hapet me premierën e shfaqjes “Bregu u pikëllimit”, nga Teki Dërvishit, në regji të Altin Bashës. Shfaqja do të jepet më 10 korrik, në orën 19:30 në formë të videoprojeksionit.

Për shkak të masave për mbrojtjen nga pandemia, do të shfrytëzohet vetëm 30 % i kapacitet të sallës, por publiku do të ndahet në disa faza dhe më 11 korrik do të jepet repriza e videoprojeksionit të “Bregut të pikëllimit, që do të jetë konkretisht për pjesën e stafit, kolegëve bashkëpunëtorëve të teatrit, pjesës reprezentative artistike, qoftë në vend apo qoftë edhe mysafirëve që mund të na vijnë nga jashtë.

Më 12 korrik do të jepet premiera e hapur e shfaqjes “Lezetet e tradhtive bashkëshortore”.

Rikonstruimi i teatrit shqiptar filloi në vitin 2014. Gjatë kohës sa kanë zgjatur punimet, trupa e teatrit u zhvendos në një objekt tjetër.

Ndryshe, hapja solemne e Teatrit Shqiptar në Shkup që nga nëntori i vitit 2019, ishte në procedurën e pranimit teknik, që nënkupton dhënie të lejes për lëshim në përdorim të objektit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjes.

Teatri Shqiptar i Shkupit pothuajse 7 vite ka qenë nën rinovim. Lëshimi në përdorim i së njëjtës është shtyrë disa herë. / Portalb.mk / KultPlus.com

Teatri shqiptar në Shkup nuk do të hapet as këtë vit

Teatri Shqiptar nuk do të hapet zyrtarisht as këtë vit. Premtimet e Qeverisë që 2020 më në fund do të sjellë audiencë në ndërtesën e rindërtuar janë shtyrë përsëri. Tani ka ngelur për në pranverë.

Ministrja e re e Kulturës, në njëqind ditët e para të mandatit së saj, siguron se brenda pak muajsh ndërtesa e rinovuar e Teatrit Shqiptar do të vihet në funksion, pas shtatë vjetësh të punës në këtë objekt ku edhe janë shpenzuar mbi 10 milion euro.

“Po, ishte paraparë hapja e teatrit deri në Vitin e Ri, por drejtori dhe stafi besojnë se duhet të përfundojnë edhe ca gjëra të tjera dhe të hapet zyrtarisht në pranverë”, deklaroi Irena Stefoska, Ministre e Kulturës.

Ministrja pohon se është e njohur me të gjitha detajet e rastit respektivisht me të gjitha lëshimet, me të gjitha kompanitë, rrjedhën, por edhe me hetimin e Prokurorisë dhe policisë financiare. Thotë se si ministri kanë kryer inspektime kurse raporti iu është dërguar institucioneve të tjera pa saktësuar se kujt. Por, para një muaji, pikërisht Stefoska siguroi se Teatri shqiptar do të hapet së shpejti.

“Disa nga borxhet janë shlyer në mënyrën më të ligjshme dhe legjitime, kështu që, pres shumë shpejt, në kushte me Kovid, për fat të keq edhe ajo skenë, një nga skenat më të bukura në qytet, të funksionojë”, tha Irena Stefoska- Ministre e Kulturës.

Rindërtimi i Teatrit shqiptar filloi në 12 Janar të vitit 2014. U njoftua se do të përfundojë në vjeshtë të vitit 2015 . Por pothuajse shtatë vjet më vonë, objekti nuk është lëshuar ende zyrtarisht. Janë shpenzuar më shumë se 10 milion euro. Kompania e parë që e rindërtoi objektin “Lamone Moreda” falimentoi. Vazhdoi “Schenzia”, kompani pronësia e së cilës nuk mund të përcaktohet në Itali. Në pranverë, pas riparimit, kulmi filloi të pikojë. Afatet për hapjen e objektit vazhdimisht shkeleshin . Rehabilitimi i ndërtesës është nën vëzhgim nga autoritetet hetuese kurse rastin e hetoi edhe ish Specialja./alsat/ KultPlus.com

4 vjet nga vdekja e artistit të madh të teatrit shqiptar, Lazër Filipi

4 vjet më parë është ndarë nga jeta një ndër aktorët më të mirë të kinemasë por edhe teatrit shqiptar, Lazër Filipi.

Lazër Filipi lindi më datë 7 shkurt të vitit 1921 në qytetin e Shkodrës.

Që në moshën e tij të vogël kur studionte në ciklin fillor ai spikati me interpretimet e tij në shfaqje të vogla teatrore që viheshin në shkollën e tij nga mësuesi i asaj shkolle që ishte ndërkohë edhe shkrimtari dhe patrioti i njohur Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), i cili jo vetëm që e pikasi si aktor të mundshëm por edhe e inkurajoi t’i përkushtohej aktrimit.

Në vitin 1938, Lazër Filipi, nga Shkodra largohet drejtë Tiranës për t’iu bashkuar edhe Luftës Antifashiste ku edhe do të ishte pjesë e grupeve artistike, të cilat kishin për qëllim të edukonin dhe argëtonin partizanët.

Gjatë luftës ai vazhdoi të aktivizohej edhe me grupin teatror “Grupi Priska” i cili u themelua si pararendës i Teatrit Popullor që do të krijohej menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë në vitin 1944 dhe luajti me figura shumë të njohura të artit skenik të asaj kohe sikurse ishte edhe Naim Frashëri.

Në ditën e çlirimit të vendit më datë 28 nëntor 1944 për të festuar këtë ditë të vecantë të historisë së Shqipërisë u vu në skenë edhe drama me tre akte “Partizani” e cila ishte edhe shfaqja e parë që u interpretua në një Shqipëri të lirë tashmë dhe u interpretua për publikun 7 netë rresht. Shfaqja e parë e Teatrit Popullor u vu në skenë më 30 maji 1945 ku artisti Filipi interpretoi një nga rolet kryesore dhe gjithashtu njihet edhe si një ndër aktorët e parë që themeluan këtë teatër.

Pas çlirimit të vendit, Lazër Filipi ndërkohë vazhdonte të angazhohej me shfaqje të ndryshme të cilat viheshin në skenë. Në 1947 ai filloi studimet për aktrim në Zagreb dhe i përfundoi ato në 1950 në Republikën Çeke me rezultate të shkëlqyera.

Pas kthimit në vend ai do të interpretonte shumë role, një ndër të cilët ishte edhe roli i Leninit në veprën “Orët e Kremlinit”, rol me të cilin mori edhe çmimin e parë të Republikës. Role të tjera të cilat i dhanë artistit një vlerë të papërsëritshme në karrierën e tij si aktor ishin edhe ato në shfaqjet si “Familja e Peshkatarit”, “Arturo Ui”, “Hamleti” etj.

Lazër Filipi ka qenë aktor edhe në filmin “Tana” i cili njihet nga publiku dhe komuniteti i artistëve si filmi i parë shqiptar. Por ky ishte vetëm roli i tij i parë në kinema, pasi ai do të vijonte të interpretonte edhe shumë rrole të tjera në kinematografi.

Në vitin 1977 artisti do të dilte në pension por kjo nuk do ta ndalonte kurrsesi atë që të vazhdonte të ishte aktiv dhe të interpretonte akoma në shumë projekte teatrore dhe kinematografike.

Në karrierën e tij, artisti ka marrë një numër të madh çmimesh të para në festivale të ndryshme dhe gjithashtu është vlerësuar edhe me çmimin “Artist i Merituar” për 80 rolet e tij në teatër dhe kinema. Artisti Lazër Filipi ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare më 16 dhjetor 2016. / KultPlus.com

Në Munih themelohet teatri shqiptar ‘Fanny Show’

Së fundi, aktori dhe regjisori shqiptar, Behxhet Beka, ka njoftuar themelimin e një teatri shqiptar në Munih. Teatri “Fanny Show“ do të dalë së shpejti në skenë me premierën e parë, transmeton KultPlus.

“Pasioni dhe profesioni, bënë që pas një pune të gjatë dhe angazhimi maksimal, arritëm me sukses ta themelojmë teatrin shqiptar në Munih të Bavarisë”, shprehet regjisori dhe aktori i mirënjohur, Behxhet Beka.

Pra, pas një pune dhe angazhimi të vazhdueshëm, Beka me miqtë e mikeshat e tij dhe dashamirët e artit skenik realizuan synimin dhe u bë themelimi i teatrit shqiptar, i cili u prit me një interes dhe respekt të jashtëzakonshëm nga mërgata shqiptare, këtu në Bavari. 

Artdashësit shqiptarë treguan gatishmëri që ta përkrahin teatrin edhe në aspektin material. Përveç të tjerash, ndihmë ofroi ndërmarrja „Knoche„, e cila është në pronësi të Sali Krasniqit, shkruan uraebashkuar.

Duhet theksuar se teatri “Fanny Show“ në Munih do të dalë në skenë me premierën e parë brenda një kohe relativisht të shkurtër e, ne u dëshirojmë suksese grupit të artistëve. / KultPlus.com