Me normalizimin e situatës postpandemi u rikthye jeta në skenat artistike.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot, se gjatë vitit 2022 institucionet qendrore të artit kanë dhënë 131 premiera.
Numri i premierave në vitin 2022, që ishte edhe viti i pandemisë së COVID-19 ishte vetëm 99, ndërsa në 2021 u shfaqën 102 premiera. /atsh /KultPlus.com
Robert Ndrenika feston sot ditëlindjen e 81-të. Vitet kalojnë, por aktori i madh vetëm sa fiton gjithnjë e më tepër dashurinë e publikut shqiptar. Pa të, arti do të ishte më i paplotë, shpirtrat më të varfër.
Aktori tejet i dashur për të gjithë brezat, sjell gjithnjë mesazhe me peshë dhe aktuale me rolet e tij. Të gjithë e duan dhe e admirojnë thjeshtësinë e tij. Të gjithë e vlerësojnë për sjelljen në jetën reale, por edhe për personazhet që tashmë i përkasin. Askush s’i harron batutat e tij në teatër apo filma, dy botë që Ndrenika s’i ndau kurrë.
Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në vitin 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin e tij për teatrin në Shtëpinë e Pionerit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet ai 1960-1964 nis studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.
Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension.
Për shumë vite punoi si aktor i lirë (pas pensionit). Midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës, “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.
Në vitin 1979, Ndrenikës iu akordua titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”.
Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe në Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.
Për disa vite, punoi si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë te Arteve.
Robert Ndrenika ka dy vajza. Ai kishte një histori mjaft të bukur dashurie me gruan e tij, Polikseni. Ai e adhuronte bashkëshorten e tij. Por edhe ajo e adhuronte të shoqin, dhe e shoqëronte gjithmonë në prova. Por pasi Polikseni u sëmur dhe vdiq, Robert Ndrenika e vuajti shumë largimin nga jeta të bashkëshortes së tij. Aq sa për katër vite nuk shkeli më në teatër.
Por në prill të vitit 2012 ai fitoi mbi vuajtjen dhe iu rikthye fuqishëm teatrit me rolin e doktor Shuster.
Ai nderohet nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi me titullin “Nder i Kombit” ( ne 2012).
Ne 2014 ai futet në botën e një personazhi kapriçoz përmes premieres “Djemtë gazmore”, pjesë e shkruar nga shkrimtari amerikan Neil Simon.
Në 2015, u shpall Aktori i Vitit dhe gjatë marrjes së çmimit, publiku u ngrit në këmbë dhe duartrokiti gjatë në nder dhe respekt të tij.
Robert Ndrenika, “Artist i Popullit” meritoi çmimin vjetor nga Akademia e Artit dhe Kulturës “Kult”.
Robert Ndrenika përfaqëson jo vetëm nderin e dhe krenarinë e kombit por historinë e jashtëzakonshme të një njeriu të madh, që ka bërë histori përmes thjeshtësisë së madhështisë së tij.
Filmat:
Kronikë provinciale (2009) Tifozët – (2004) komedi Njerëz dhe fate – (2002-2 Tirana, viti zero Parullat – (2001), Lleshi Bolero – (1997) Nata e dymbëdhjetë Edhe kështu edhe ashtu Botë e padukshme -azi Përrallë nga e kaluara – (1987), Vangjeli Vrasje në gjueti Dhe vjen një ditë – (1986) si vëllai i Llano Bletës Gurët e shtëpisë sime – (1985) Tre njerëz me guna – (1985) Shi në plazh – (1984) teater-komedi Shirat e vjeshtës – (1984) , Sotiri Nxënësit e klasës sime – (1984), Kristofori Kohë e largët – (1983), Anastas Grigori Besa e kuqe – (1982), Gjoni Era e ngrohtë e thellësive – (1982) (TV) Nëntori i dytë – (1982), karrrocieri i Ismail Qemalit Prefekti, komedi, Qazim Mulleti
Vëllezër dhe shokë – (1982), Sokrati Një shoqe nga fshati – (1980) Agushi Ditët që sollën pranverën – (1979) (TV) Mësonjëtorja – (1979), kocka Në shtëpinë tonë – (1979), Stefi Koncert në vitin 1936 (1978), Fotaqi (n/prefekti) Shembja e idhujve – (1977), kapteri Emblema e dikurëshme – (1976) (TV) Duke kërkuar 5-orëshin – (1974) Zeqo Rrugë të bardha – (1974), Ganiu Shtigje të luftës – (1974), Shabani Kryengritje në pallat – (1972) Odiseja e tifozave – (1972) Kapedani – (1972), i biri i xha Sulos I teti në bronx – (1970), Xhemali Horizonte të hapura – (1968), Azemi Oshëtimë në bregdet – (1966), Gjergjiekti komedi , Qazim Mulleti / KultPlus.com
Robert Ndrenika, Luiza Xhuvani, Artan Imami, Tinka Kurti, Luftar Paja, e shumë emra të tjerë, që kanë lënë gjurmë në skenën e Teatrit Kombëtar, ishin të pranishëm në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e godinës së Teatrit të Ri.
Po ashtu, të pranishëm ishin dhe artistë të tjerë si Kastriot Çaushi, Dritan Boriçi, Gaz Paja, Lulzim Zeqja, Arben Derhemi, Indrit Çobani dhe drejtori i ri i teatrit, Altin Basha.
Sot u çelën zyrtarisht punimet për godinën e re, e cila do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës së shekullit XXI, që njësoj si stadiumi i ri kombëtar do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, po edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Europë. /TopChannel /KultPlus.com
Shfaqja “Molly” dha premierën e saj para dy ditësh, në Amfiteatrin e Ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Molly është një shfaqje me dy akte e cila tregon historinë e personazhit të titullit, Molly, një grua e verbër që në foshnjëri, e cila i nënshtrohet një operacioni për të rikthyer shikimin. Shfaqja tregon historinë e Molly-t përmes monologjeve të tre personazheve: Molly, burri i saj Frank dhe kirurgu i saj, zoti Rice. Historia e nënkuptuar interpretohet rrallë dhe na mbetet neve, audiencës, ta bashkojmë atë. Është sikur hyjmë në botën e Molly-t dhe rikrijojmë një realitet që është produkt i imagjinatës sonë. Është një realitet kaq i mbushur me dashuri dhe besim, saqë do të duam ta mbajmë atë kur të dalim nga teatri. Në këtë shfaqje simpatizojmë Molly-n dhe dëshirën e saj për një botë përtej realitetit, të zbukuruar nga iluzion.
Ministria e Kulturës njofton se në këtë premierë ishte i pranishëm edhe Ministri Hajrulla Çeku.
Postimi i plotë:
“Teatri Kombëtar i Kosovës dha premierën e dytë brenda dy javësh.
Për publikun u dha shfaqja “MOLLY” e regjisores Sibel Abdiu, shfaqje kjo që trajton përjetime të personave me aftësi të kufizuara, e cila luhet me dy akte dhe tregon historinë e personazhit Molly.
Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Verona Koxha, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, me kompozitor Albin Sopa, artist vizual Lulzim Luigji Bejta dhe inspiciente Nazmije Krasniqi.
Në premierë i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Qeveria e Kosovës ka shpallur vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, është risjellë në skenë baleti Exil me koreografi të Eno Peçit. Kësaj here Exil u interpretua nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës.
Exil-i i Eno Peçit rrëfen trazirat e një vendi, dhe lidhet me temën e emigracionit. Një rrëfim për familjet e shkatërruara, për fëmijërinë e humbur, për nënat e braktisura që kërkojnë kuptim në mërgimin e fëmijëve të tyre dhe tragjedinë e popujve që emigrojnë.
Vite më parë, balerini shqiptar që korri sukses jashtë kufijve të Shqipërisë, e solli premierë këtë vepër, me trupën e balerinëve të TKOB.
Me rastin e festave kombëtare, shfaqja u rikthye mbrëmë, me balerinët nga Kosova dhe do të jetë edhe sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit.
I lindur në Tiranë, Eno Peçi është primo balerin i arsimuar në Akademinë e Baletit të Tiranës dhe në Shkollën e Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës “Wiener Staatsoper”. Ai jeton e punon në Austri. Njihet si i pari balerin shqiptar, i cili performoi live në Koncertin e Vjenës që mbahet çdo fillimviti./ atsh / KultPlus.com
Një lajm i hidhur ka mbërritur këtë mëngjes për kinematografinë shqiptare. Aktori Pandi Siku ka vdekur sot në moshën 73-vjeçare.
Mësohet se Siku prej një viti vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai jetonte në SHBA, në shtetin e Illinois.
Pandi Siku ishte aktor i suksesshëm i teatrit dhe filmit shqiptar.
Lindur me 28 Korrik 1949 në Tirane ai u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në degën e dramës dhe më pas në vitin 1973 ai iu bashkua trupës së Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) duke interpretuar mjaft role, kryesisht role të dyta.
Aktiviteti i tij do të shtrihet në harkun kohor nga 1973 – 2001. Në teatër debutimin e bën ne dramën “Toka e jonë” dhe “Bashkë me agimin”.
Më pas mund të përmendim edhe shumë shfaqje të tjera teatrale si: Adlinin në “Lumi i vdekur” ; Halimi “Pas provimit të fundit”; Arjani në “Jeta e tjetrit”; Shpendi në “Epoka para gjyqit” (1978), Bardhi në Furrnalta (1979), “Besa e madhe”; “Karavidhet”; Rrema në “Komunistët” (1981), Merkusi në “Romeo dhe Zhuljeta” ; Valentini në “Dy zotërinj nga Verona” (1990), “Nata e 12-të; Lucencio në “Zbutja e kryeneçes”; Kostandini në “Kush e solli Doruntinën” ; Rexhepi në “Besa”; Pjestar i korit në “Quoa vadis”; Amnekofi në “Absurditeti antik” etj. / KultPlus.com
Me emocione të fuqishme nisi edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur në Kosovë, Prizrenfest, në Kino Lumbardhi, përcjellë KultPlus.
Nën brohoritjet dhe duartrokitjet e pafund të publikut në natën e parë u prezantua Teatri Kombëtar i Sarajevës me shfaqjen “To Nikad Nigdje Nije Bilo”, (Kjo kurrë s’ka ndodhë) nga regjisori i njohur Dino Mustafic.
Me këtë shfaqje, Teatri Kombëtar i Sarajevës, të krijuar për njëqindvjetorin e ekzistencës së tij, kujton shumë nga ditët e tij të lumtura dhe jo të lumtura, njerëzit dhe fatet e panumërta që e shënuan gjatë gjithë asaj kohe dhe që u shënuan prej tij… dhe kujton atë që kurrë, askund, nuk ndodhi.
Ndërkaq në natën e dytë, me 1 gusht në Prizrenfest, do të prezantohen tri shfaqje.
“PPP Ti Presento L’Albania (ITA )”, me regji nga Klaus Martini, në Muzeun Arkeologjik duke filluar nga ora 20:00h.
Në ora 21:00h, tek Burgu i Qytetit, do të prezantohet shfaqja nga Kosova “Ora e vdekjes” (RKS )”, me regji nga Ilir Bokshi.
Duke mos lënë anash as më të vegjlit, në skenën e Abi Çarshisë duke filluar nga ora 19:00h, jepet shfaqja për fëmijë.
Të nderuar me praninë e shumë artistëve dhe artdashësve, organizatorët e Prizrenfest ju ftojnë që të vazhdoni të jeni pjesë e festivalit deri më datën 4 gusht, kur do të jetë edhe nata përmbyllëse. / KultPlus.com
Më 27 korrik të vitit 2007 vdiq njëra nga ikonat e Teatrit shqiptar, Violeta Manushi, e cila ka lënë një bagazh të madh artistik pas vetes, shkruan KultPlus.
Manushi e cila ka shkëlqyer në komedi e në dramë, numëron mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shqipërisë (sot TK), më 1946.
U shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt. Në dramën “Orët e Kremlinit” (1957) ajo luajti njëherësh tre role, duke shënuar kështu një rekord origjinal, ende në fuqi.
Më pas shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre.
Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977. / KultPlus.com
Ajo njihet më së shumti për rolin në Daenerys Targaryen, në Game of Thrones. Por Emilia Clarke thotë se është “e ngurtësuar” përpara debutimit të saj në skenë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Unë jam e vetëdijshme për faktin se do të ketë njerëz që e duan Game of Thrones dhe po e shohin atë për këtë. Është 10 herë më e frikshme sepse do të ketë njerëz që duan të shkojnë dhe të thonë: “Epo ajo mund të aktrojë vetëm në kamerë, ajo qartësisht nuk mund të aktrojë në skenë”, që është padyshim frika më e madhe”, ka thënë ajo.
Por aktorja britanike shpreson gjithashtu që duke u shfaqur në një shfaqje të shkruar në 1895, për një grup rusësh të vetmuar që jetojnë në një prona të izoluar të vendit, ajo do të inkurajojë audiencën për të shkuar në teatër.
“Unë nuk jam në një dragua në asnjë moment gjatë kësaj shfaqjeje. Por shpresojmë se ajo që ata marrin, si një lloj shtesë e vogël, është që ata të shijojnë këtë shfaqje që ata nuk mund ta kishin parë ndryshe”, ka thënë ajo./21Media / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video me pamje nga stadiumi “Air Albania”, si ishte dhe si u transformua.
Rama shkruan se aty ku deri pak vitesh kishte mbetur një kalbësirë urbane, u bë stadiumi i finales së sotme evropiane, një krenari kombëtare në Europë.
Kreu i Ekzekutivit thekson se sikurse ky stadium do të bëhet së shpejti edhe Teatri i Ri Kombëtar.
“MIRËMËNGJES, dhe me shpresën se ka akoma nga ju që e kujtojnë kur ju thosha se do të bëjmë një nga stadiumet më të bukur të Europës, aty ku deri para pak vitesh kishte mbetur një kalbësirë urbane në zemër të kryeqytetit, duke ju siguruar se siç u bë stadiumi i finales së sotme europiane një krenari kombëtare në Europë, do të bëhet së shpejti edhe Teatri i Ri Kombëtar, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë ditë të shënuar sportive për të tërë Europën këtu në Tiranë”, shprehet Rama. /KultPlus.com
Shfaqja “Era” do të jepet premierë në teatrin e Ferizajit “Adriana” të hënën, pra, më 9 maj, autor i së cilës është Albana Muja dhe regjisor Agim Sopi, shkruan KultPlus.
Shfaqja është një dramë e një familje kosovare, ku tranzicioni i stërzgjatur i pasluftës ka vë në pikëpyetje vlerat e përgjithshme morale e njerzore të një familje e cila përballet me dhimbjet që shfaqen nga e kaluara tragjike.
Trupa teatrore për këtë shfaqje do të jetë: Mevlan Saraçi, Vjosa Abazi, Blin Sylejmani, Uratë Shabani, Dardane Mehemti, Jajush Ramadani, Gresa Gashi, Nexhat Xhokli, Arben Marevci, Erza Sejdiu, Sherif Bega dhe Ali Krasniqi.
Ndërkohë, të gjitha detajet mund t’i shihni në posterin origjinal të shfaqjes. /KultPlus.com
“a.y.l.a.n” – shfaqja fituese e Festivalit të Dramës Shqipe në vitin 2020, është ftuar të jetë pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Kontrapunkt 56” në Poloni, përcjell KultPlus.
Shfaqjen “a.y.l.a.n” do të keni mundësi ta shihni në Teatrin e Gjilanit në datat 19,20 dhe 21 prill.
“a.y.l.a.n” – prodhim i Teatrit të Gjilanit
Nga: Jeton Neziraj
Regjia: Blerta Neziraj
Skenografia dhe kostumet: Mentor Berisha
Koreografia: Gjergj Prevazi
Muzika: Tomor Kuçi
Dizajni i dritave: Yann Perregaux
Asistent regjisor: Avni Shkodra
Drejtor artistik i projketit: Erson Zymberi
Realizatorë të skenografisë: Mejdi Hoti, Haki Aliu, Fehmi Hoti
Ndriçues: Fatmir Halili
Tonist: Florim Gagica
Rekuiziter: Suad Berisha
Garderobiere: Bahrije Kurtalani
Luajnë: Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi
‘a.y.l.a.n’ është një performancë teatrore që në mënyrë ironike shpërfaqë dramën aktuale të refugjatëve në Evropë, dhe përpjekjen e paskrupullt të shumë njerëzve për të përfituar nga tragjedia e tyre. Dhe përderisa në shumicën e vendeve evropiane, ndjenjat anti-refugjatë janë në rritje, ndërkohë që empatia për dramën dhe vuajtjen e tyre ka filluar të zbehet, shfaqja ‘a.y.l.an’ na konfronton me domosdoshmërinë për të parë dramën e tjetrit në vetvehten tonë. Tragjedia e tanishme e tjetrit ishte tragjedia jonë e djeshme dhe mund të jetë tragjedia jonë e nesërme. /KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës ka përkujtuar skenografin Nuredin Loxha, ku janë bërë 30 vjet që kur ai vdiq, shkruan KultPlus.
Postimi i plotë i TKK-së:
Pikërisht me datën 7 mars të këtij viti u bënë 30 vjet qysh se u nda nga jeta Nuredin Loxha, i cili na mësoi se skenografia është pjesë e domosdoshme e plotënisë skenike, për më tepër është art Shkolla e Mesme e Artit në Pejë, me të drejtë mund të quhet fidanishte talentesh dhe kuadrosh të artit pamor, sepse nga ajo dolën personalitetet më të spikatura të skenës tonë artistike në përgjithësi.
Nga kjo shkollë doli edhe Nuredin Loxha (1935 – 1992), pishtari i skenografisë kosovare, piktori, poeti, veprimtari, dhe artisti i cili ishte dhe mbeti njëra nga figurat më të shquara që dha kjo shkollë.Natyrisht se fjalët nuk e kanë fuqinë për të shprehur, për të thënë atë që do të duhej të thuhej për këtë njeri, mik e prind hovarda, për këtë qenie krijuese poliedrike.Skenografia e parë ndër ne, ajo e NuredinitPejanët me siguri e mbajnë në mendje bashkëvendësin e tyre Nuredinin, apo Nurën, siç e quanin ata që ishin më të afërt me të, djaloshin flokëkaçurrel, biond, iu kujtohet aktiviteti i tij në SHKA “Përparimi”, aktrimi në shfaqjen “Te kulla e Rrustemit”, të inskenuar nga Teatri i Pejës, i cili, siç dihet, ishte teatri dhe kultivuesi më i madh dhe më i vjetër i kuadrove aktoreske kosovare. Aktorët e njohur si: Kristë Berisha, Ragip Loxha, Malo Gami, pastaj Ahmet Spahija, Istref Begolli etj, me të cilët filloi të punojë Teatri Profesional, së pari në Prizren e pastaj në Prishtinë, dolën pikërisht nga Teatri i Pejës.
Dhe pikërisht në këtë teatër, Nuredin Loxha, bëri skenografinë e tij të parë, për komedinë “Dredhitë e Shaptukut”, që në vitin e largët, 1954.Me të mbaruar shkollën e mesme të artit, në vendlindje, pra në Pejë, Nura nis studimet universitare në Akademinë e Arteve të Aplikuara në Beograd, duke u përcaktuar për pikturën, ku ishte talent i rrallë.
Por meqë dëshira për artin e skenografisë kishte lindur më herët në shpirtin pinok të tij, braktis pikturën që në vitin e dytë të studimeve dhe u orientua kah skenografia, të cilën e mbaroi në vitin 1964. Me diplomë fakulteti Nuredini vjen në Teatrin (sot) Kombëtar, në vitin sezonal 1964/1965, dhe që nga atëherë e deri në çastet e fundit të jetës, realizoi mbi 200 skenografi teatrore, filmime por edhe sosh për balet e për manifestime të ndryshme skeniko – muzikore. Pos kësaj, Nuredini realizoi edhe 130 kostumografi, shkroi radiodrama, teledrama e skenarë filmash, shkroioastaj librete për balete e opera, shkroi gjithashtu përmbledhjen e dramave “Të vdekur, të pavarrosur” dhe “Vajaku”, e mbi të gjitha Nura u mor edhe me poezi. Krejt kjo tregon se kemi të bëjmë me një artist, i cili artit në përgjithësi, dhe atij skenik në veçanti, ia dhuroi tërë qenien krijuese, ia dhuroi madje edhe frymën e fundit të jetës.Kulmet e skenës shqiptareMe punën e tij të palodhshme, Nuredin Loxha i kontribuoi shumë zhvillimit të artit skenik kosovar, duke ndryshuar shumëçka në botëkuptimet tona për skenografinë.
Ai na bindi se skenografia nuk është dekor, siç mendonte shumëkush, por është pjesë përbërëse, madje e domosdoshme e plotënisë skenike, është për më tepër art. Skenografia e Nuredin Loxhës ishte e drejtpërdrejtë dhe komunikatave. Ajo përmbante në vete elementet e arkitekturës, skulpturës, pikturës, dhe varësisht nga përmbajtja apo zhanri skenik, bëhej e lehtë – poetike, apo e rëndë – tronditëse, por përherë gjendej në funksion të lojës skenike. Në të mirë të këtij konstatimi flasin shumë skenografi për shfaqjet: “Tartufi” (Molieri), “Kryet e hudrës” (K.Berisha), “Revizori” (Gogoli), “Sfinga e gjallë” dhe “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (R. Qosja), “Nita” (J. Rela), “Mbreti Edip” (Sofokliu), “Trungu Ilir” (S. Hamiti), “Golgota” (M.Kërlezha), “Hamleti” (Shekspiri), “Shtetrrethimi” (A. Kamy), “Princi i hijeve” (M.Kraja), “Mosha e bardhë” (D. Agolli), etj., si dhe dy skenografitë e fundit: “Antigona” (Sofokliu) dhe “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit” (T.Dervishi). Janë këto realizime me rëndësi antologjike për artin skenik shqiptar, në përgjithësi. Skenografi ynë përherë u shmangej improvizimeve, prandaj në krijimet e tij nuk kishte kurrgjë të rastit dhe pa funksion të caktuar.
Çdo element, çdo detaj i vogël, lozte rolin e vet në mozaikun e gjithmbarshëm skenik. Dhe sapo ngrihej perdja, para shikuesve shfaqej një art i njëmendët, me krejt madhështinë dhe shkëlqimin që kishte. Mund të ndodhte të dështojë teksti, të mos ketë sukses aktrimi, apo të mos jetë e qëlluar muzika, por nuk mund të ndodhte të dështonte skenografia e Nures gjithmonë monumentale, gjithmonë funksionale e llamburitëse. Dhe mu për këtë ajo u nderua me shpërblime dhe mirënjohje të shumta kudo që u paraqit.Mirëpo, sipas këtij artisti të skenografisë, kritika e artit skenik, nëse mund të quhej kritikë, nuk e vlerësonte artin e tij, ose e përgjithësonte me fjalët “skenografia e filanit ishte funksionale”. Po të ishte kritika e mirëfilltë – thoshte ai – do të kontribuonte që edhe spektatorët ta përjetonin më shumë këtë art. Aktorit të mirë – thoshte ai – skenografia i ndihmon të ndihet sikur në shtëpinë e tij, ndërsa të dobëtin nuk mund ta shpëtojë as skenografia as regjistra. E konsiderojmë të qëlluar konstatimin e regjisorit dhe dramaturgut tonë Fadil Hysaj, i cili par thënë se veprimtaria e Nuredin Loxhës është e madhe dhe e begatë, dhe si e tillë shënon kulmet më të ndritshme të afirmimit të skenës shqiptare brenda dhe jashtë Kosovës. Mesazhet pikturaveNura gjithmonë frymonte me shpirtin e teatrit, frymonte sakaq, edhe me dhembjen, dhe agoninë e tij në rrethana okupuese. Rëndë e përjetoi Nura pushtimin e këtij tempulli të Talisë, nga i cili nuk e ndante dita as nata, ku la pjesën më të bukur të jetës.Si artist euridit që ishte, Nura ynë merrej edhe me pikturë. Dy vjet para se të ndërrojë jetë, ai krijoi numër të madh pikturash, duke i përmbledhur në ciklin “Vragë të Kosovës”. Janë këto vragë që klithin nga kafshimet e fantazmave apokaliptike të Karpateve, të cilat kurrë nuk u ngopën së thithuri gjak shqiptari. Kishte në ato imazhe diçka profetike, diçka që paralajmëronte golgotën e madhe në të cilën do të gjendej populli ynë. Në qendër të imazheve pikturave autori vendos njeriun me plis të bardhë, biografia e të cilit gjendet shtatë palë nën tokë, dhe në lartësitë e bardha, të rezervuara vetëm për perënditë dhe shqiponjat. Flasin pikturat e Nures edhe për ëndrrën e tij, për ta parë kombin të përbashkuar në një trung, në një gjak, në një gjeografi fizike estetike e shpirtërore, të cilën aq bukur e shprehu rapsodi shqiptar kur këndoi: “Veç një gjak na rrjedh ndër vena, gjaku i shqipes me dy krena”. Këtë mesazh Nuredin Loxha deshi t’ua përcjellë brezave të reja, përmes pikturës së tij të papërfunduar, të quajtur “Shqiponja krahëthyer”.Misionet e NuredinitArtisti i Popullit Agim Zajmi, i njohur si skenograf, por edhe si piktor, për Nuredin Loxhën, tha se ishte njëri ndër artistët më produktivë të arteve aplikative, me një veprimtari të vazhdueshme krijuese 30 vjeçare si skenograf dhe piktor profesionist, pikturën e të cilit e stolis ndjenja e jashtëzakonshme për hapësirën, funksionalitetin dhe dinamikën e kompozimit të shtruar, kurse veprën e tij skenografike e shquan intelekti i veçantë, intuita profesionale, kultura e dhënë artistit të skenës.
Përafërsisht kështu mendojnë edhe ata që vite e dekada me radhë punuan me te, siç është regjisori Agim Sopi, sipas të cilit, “me ndjenjën e Magut të vërtetë skenik, Nuredin Loxha thurte harmoninë e dhembjes dhe pikëllimit njerëzor dhe me lehtësinë e misionarit krijonte rend të përsosur në rrëmujën e skajshme mitike”. Në rolin e misionarit, Nuredin Loxha u angazhua edhe në aksionin për zhdukjen e analfabetizmit në Kosovë, gjithnjë i vetëdijshëm se edhe përmes këtij misioni arsimues e human, do t’i ndihmojë popullit të vet. Dhe pikërisht gjatë kryerjes së misionit të tillë, pikërisht në ditën e shënimit të 105 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, dhe pikërisht mbi dërrasat skenike, qenia e artistit të quajtur Nuredin Loxha kaloi në amshueshmëri, dhe duke lënë zbrazëti të madhe që sot po hetohet në jetën tonë skenike. /KultPlus.com
Në Ditën Botërore të Teatrit u ndanë çmimet vjetore në fushën e teatrit 2021.
Në ceremoninë e sotme ku morën pjesë emra të njohur të skenës teatrore, u dëgjua edhe performancë nga Orkestra Frymore e Prizrenit me dirigjent Edon Ramadanin.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka uruar ditën botërore të teatrit.
“Me pjesëmarrjen e tij na nderoi edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës Glauk Konjufca, i cili çmimin për vepër jetësore në teatër ia ndau aktores Kumrije Hoxha. Çmimi Vjetor për aktorin më të mirë i është dhënë Ernest Malazogut, Çmimin Vjetor për shfaqjen më të mirë e mori vepra e David Alen Mamet dhe Arian Krasniqit “+18”, kurse Çmimi Vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar i është ndarë aktorit Mentor Zymberaj dhe dramaturgut Jeton Neziraj.Një falënderim i veçantë për jurinë profesionale me kryetaren Majlinda Bregasi dhe anëtarët Afrim Spahiu, Kushtrim Mehmeti, Qëndresa Jashari dhe Vlora Merovci–Berisha. Gëzuar Ditën Botërore të Teatrit!”. /KultPlus.com
27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës.
KultPlus iu sjellë disa thënie për teatrin në ditën ndërkombetare të tij.
1. “Teatri është një folje përpara se të jetë emër, një akt para se të jetë vend”.
– Marta Graham.
2. “Fjala teatër vjen nga grekët. Do të thotë vendi që sheh. Është vendi ku njerëzit vijnë për të parë të vërtetën për jetën dhe situatën sociale. Teatri është një rreze x shpirtërore dhe sociale e kohës së tij.”
– Stella Adler, ‘New York Times’, dhjetor 1992.
3. “Filmat do t’ju bëjnë të famshëm; televizioni do t’ju bëjë të pasur, por teatri do t’ju bëjë të mirë.”
– Terrence Mann.
4. “Unë e konsideroj teatrin si më të madhin nga të gjitha format e artit, mënyrën më të menjëhershme në të cilën një qenie njerëzore mund të ndajë me një tjetër ndjenjën se çfarë është të jesh njeri.”
– Oscar Wilde.
5. “Teatri është një hapësirë e shenjtë për aktorët. Ju jeni përgjegjës, jeni në sediljen e makinës.”
– Greta Scacchi.
6. “Nëse është e vërtetë që vera e mirë nuk ka nevojë për shkurre, është e vërtetë që një lojë e mirë nuk ka nevojë për epilog.”
– William Shakespeare, “Si të duash”.
7. “Drama është ekspozim; është ballafaqim; është kontradiktë dhe çon në analizë, ndërtim, njohje dhe përfundimisht në një zgjim të mirëkuptimit”.
– Peter Brook.
8. “Ne nuk shkojmë në teatër si të parët tanë, për të shpëtuar nga presioni i realitetit, aq sa për të konfirmuar përvojën tonë prej tij”.
– Charles Lamb.
9. “Teatri, kur thuhet dhe bëhet gjithçka, nuk është jetë në miniaturë, por jetë jashtëzakonisht e zmadhuar, jetë e ekzagjeruar tmerrësisht.”
– H. L. Mencken.
10. “E gjithë bota është një skenë, dhe të gjithë burrat dhe gratë janë thjesht lojtarë; Ata kanë daljet dhe hyrjet e tyre; Dhe një burrë në kohën e tij luan shumë role…” /KultPlus.com
Martesa, si një bashkim mes dy personave, në shumicën e rasteve midis një burri dhe një gruaje, rregullohet nga ligje, rregulla, zakone, besime dhe qëndrime që përshkruajnë të drejtat dhe detyrat e partnerëve. Mirëpo, një ndikim të madh në martesën e njerëzve nga Kosova dhe më gjerë, është përzier me fenë, në këtë rast atë muslimane, duke pasur parasysh përqindjen e lartë të kësaj feje në Kosovë dhe rajon, shkruan KultPlus.
Shfaqja “Muslimani”, e cila ngërthen në vete një dilemë shekullore në qoftë se duhet të lejohen martesat mes një gruaje muslimane dhe një burri katolik, paraqet edhe mentalitetin e “turbullt” të shoqërisë, që edhe pas viteve të shumta nuk po gjen përmirësim. Vetëkuptohet se martesa e një gruaje muslimane me një burrë jomusliman është një nga çështjet kryesore tabu në debatet mbi islamin.
Sefedini, i cili është i shtrirë në një kolltuk, çdo ditë zgjohet nga gjumi për të falur namazin e mëngjesit, ku edhe kryen të gjitha ritualet përpara faljes. Në anën tjetër, Anita, një vajzë e re, e cila pa dijeninë e Sefedinit, angazhohet nga vajza e tij për t’i bërë shoqëri një babai që nuk del asnjëherë nga shtëpia dhe gjithçka që ai dinë të bëjë, është vetëm të falet dhe të pi çaj.
Dini, rolin e të cilit e portretizon autori dhe regjisori i shfaqjes, Enver Petrovci, parqet një musliman i cili ka “zhdukur” nga jeta vajzën e tij, për arsye se kjo e fundit u martua me një burrë amerikan-katolik.
Shfaqja e cila zgjati për dy orë kaploi disa tema dhe probleme aktuale të shoqërisë dhe faktin që Dini asnjëherë nuk e lë mënjanë mendësinë e të kaluarës që një vajzë duhet patjetërsisht të martojë një musliman, ose ndryshe konsiderohej se po “tradhtohej” feja.
Bota ka ndryshuar thellësisht dhe ne duhet të përballemi me realitetin, një gjë të tillë e bëri edhe Dini në fund të shfaqjes, atëherë kur edhe dashuria mes tij dhe Anitës lindi natyrshëm. Dashuria mund të bëjë më shumë sesa të kalojë vetëm kufijtë – ajo mund të ndërtojë ura mes dy personave, dhe ndoshta kjo është diçka për të cilën ata patën më së shumti nevojë.
Pas shfaqjes, autori, regjisori, aktori, kantautori dhe protagonisti kryesor i shfaqjes, Enver Petrovci, në një intervistë për KultPlus, rrëfeu edhe momentin kur lindi ideja për këtë shfaqje.
“Jam munduar të paraqes mentalitetin e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por sidomos në Ulqin. Kjo ide më lindi pikërisht kur isha në plazh dhe atje filloi një dasëm. Prapa meje dëgjova në gjuhën malazeze, kur dikush po bënte një martesë dhe ishin pikërisht një shqiptare muslimane me shqiptarin malazez ortodoks që po kurorëzonin martesën e tyre. Atje pronari i hotelit, i cili ishte gjithashtu shqiptar katolik, më njoftoi se këtu shqiptarët musliman dhe katolikë nuk martohen kurrë mes vete, por vetëm me shqiptarë të tjerë malazez ortodoks, ndoshta ka ndodhë që janë martuar vetëm dy çifte, por ata më pas kanë ikur nga Ulqini, këtu edhe lindi inspirimi”, deklaroi ai.
Roli i Anitës luhet nga ish-studentja e profesorit, Vlora Nikçi, e cila paraqet dhimbjen që totalisht ndryshon dramaturgjinë e shfaqjes.
“Unë i edukoj studentët e mi që të luajnë me mua, nuk kam turp për studentët e mi, aq sa i mësoj dhe aq sa dinë. Unë kam qef të luaj së bashku me ta, ne për këtë punë po shkollohemi. Me kënaqësinë më të madhe luaj me ta, ndërsa studentët e kanë një drojë se po luajnë me profesorin, por me kohë çlirohen dhe e vazhdojmë pa problem”, tha në fund Petrovci.
Ndërkaq, Nikçi për KultPlus tha se profesori ishte vetë tekstshkruesi dhe regjisori, gjë që e bëri edhe më të vështirë adaptimin me të.
“Enver Petrovci ishte profesori, regjisori dhe tekstshkruesi, që do të thotë se kanë dal pikërisht prej shpirtit, dorës dhe mendjes së tij teksti që ka bërë ai, e kjo është e vështirë t’i adaptohesh. M’i dhënë frymë dhe jetë atij personazhi që ai vetë e ka kriju dhe shkru është shumë e vështirë. Unë për këto katër muaj kam ecur nëpër dy emocione shumë të fuqishme. Një është e keqe, se si me e plotësu atë që e ka bë regjisori dhe tekstshkruesi, e në anën tjetër kur po i jepja jetë asaj që me të vërtetë është Anita që ai e ka shkruar. Këto janë dy gjëra shumë të fuqishme që më kanë ndjekur pas këto muaj”.
Sa i përket pjesës së portretizimit të roleve të tilla, Nikçi i vlerësoi shumë e madje tha se dhimbjet e mëdha na shtyjnë që të bëjmë gjëra të bukura, njësoj siç u shfaqën edhe aty.
“Është shumë e rëndësishme portretizimi i roleve të tilla në teatër, dhimbja e Anitës më prek shumë. Është pikërisht kjo dhimbje që e bën atë të vazhdojë me këtë burrë të lënë pas dore, dhimbja e saj e shtynë të vazhdojë të bëjë gjëra të bukura. Mos të harrojmë që ndonjëherë, dhimbjet e mëdha na shtyjnë të bëjmë shumë gjëra të bukura. Është dhimbja e Anitës që e ndryshon të gjithë dramaturgjinë e shfaqjes, prandaj është edhe e fuqishme”, u shpreh ajo.
E pyetur në qoftë se ky është roli më i vështirë që ka pasur në teatër, ajo tha se ishte shumë i veçantë për faktin se luajti krah ish-profesorit të saj, e madje edhe u rikthye në kohë për të mësuar gjëra të cilat mund t’i kishin “ikur” si studente.
“Nuk do të thoja që është roli më i vështirë që e kam pasur në teatër, por më i veçanti po, pasi po luaja me profesorin tim në skenë. Dhe po të luash me profesorin në skenë, ndjehesh pak e priviligjuar, mos të harrojmë që ky thotë se është regjisori në shfaqje, por ai ka qenë gjithmonë profesori. Më është duk sikurse jam rikthyer në studime dhe kam kapur edhe një herë të gjitha mësimet që dikur në ligjërata kanë mundur të më ikin si studente”.
Dashuria është një gjë e vështirë, sepse ajo mbështetet në më shumë se vetëm ndjenja – ka të bëjë me vullnetin, përkushtimin dhe këmbënguljen, pavarësisht pengesave që qëndrojnë në rrugë. Por nëse ka një vullnet e një mënyrë, atëherë ka edhe një rrugëdalje, gjë të cilën e gjetën edhe Hana (vajza e Dinit) dhe Stefani, i dashuri i saj. E për të ruajtur ndjenjën më të thellë të shpirtërores së zemrës, do të ishte thelbësore të kapërcejmë hipokrizitë dhe dyfytyrësinë shoqërore që shpërbëjnë mënyrën tonë aktuale të jetesës. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës do të mbajë serinë e radhës të diskutimeve të hapura mbi kulturën, përmes bashkëbisedimit në mes të Ministrit Hajrulla Çeku dhe komuniteteve artistike, përcjell KultPlus.
Në kuadër të reformave politike për kulturë takimet me komunitetin artisitk po zgjerohen edhe në qytetet tjera të Republikës së Kosovës.
Diskutimi i radhës do të mbahet në qytetin e Gjilanit, me datën 04.03.2022 në orën 13:00, në Teatrin e Komunës së Gjilanit.
Këto takime kanë për qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta dhe fuqizimin e rolit të komuniteteve dhe zhvillimin e politikave. /KultPlus.com
Aktorët shpesh herë mund të identifikohen edhe sikurse “interpretuesit”, të cilët argëtojnë një audiencë duke aktruar, kënduar ose kërcyer. Ata luajnë personazhe në skenë ose ekran dhe punojnë me drejtimin e ekipit krijues për të sjellë në jetë një pjesë të teatrit, shkruan KultPlus.
E njohur për shumë role të luajtura në teatër, por duke mos lënë anash as serialet e televizionin, Albulena Kryeziu në një intervistë për KultPlus rrëfen disa pjesë nga jeta e saj dhe gjithashtu edhe dy vitet e fundit pandemik, të cilat kanë qenë të ndryshme për shumë njerëz në të gjithë globin.
E pyetur mbi pjesën se sa e vështirë është të qenurit një aktorë në Kosovë, Kryeziu thotë se gjeneratat e mëparshme e kanë trazuar rrugën për të rinjtë.
“Profesioni i aktorit për nga natyra është i vështirë, duke mos qenë profesion i rëndomtë natyrisht që nuk është aspak e lehtë të jesh aktor/e kam përshtypjen në secilin vend të botës. Por fatmirsisht neve në Kosovë, rrugën na e kanë trasuar gjeneratat e mëparshme dhe tani konsideroj që këtu secili profesion përballet me vështirsitë e veta, sikurse edhe ky i imi”.
Pjesa e teatrit, filmit dhe televizionit dallon nga njëra tjetra në shumë sfera, por për Kryeziun të gjitha projektet kanë qenë një “kënaqësi shpirtërore”.
“Kudo që e kam ushtruar profesionin për mua ka qenë le ta themi një festë, një kënaqësi shpirtërore. Secilin projekt që pranoj të hy në të gjejë copëza dashurie të cilat kur bashkohen rezultojnë me finalizimin e një roli apo projekti”.
Përballja me pandeminë
“Shumë e rëndë, besoj që kam qenë prej njerëzve që shumë e kanë vuajtur izolimim për shkak se ishte viti që kisha shumë plane para vetës dhe për një moment ngjau sikur bota u rrotullua. Çkado që i shtoj mund të tinglloj shumë e zymtë, por meqë e përmenda këtë fjalë, po e them që ishte periudhë tepër e zymtë”, deklaron aktorja për KultPlus.
Sa i përket bashkëpunimit me producentin Blerim Gjoci, Kryeziu ndanë disa pjesë shumë interesante nga e kaluara e aktorëve kosovarë.
“Filmbërësit kosovarë kanë aq shumë pasion saqë mund të shkojnë deri në vetëmohim. Suksesi i tyre nuk është i rastësishëm, por është rrjedhojë e përkushtimit të tyre të pakusht. Ka qenë një periudhë kur me padurim e prisnim gushtin, sepse ateherë fillohej me xhirimet e filmave të shkurtër me producent Blerim Gjocin, e që bëheshin gati për festivalin e filmit “9/11 Dedication film festival”. Fatkeqsisht sot regjisorët e rinj, nuk e kan atë fat të kenë përkrahje një përkrahje të ngjashme që dikur e gjenin nga Prishtinafilm-i dhe Blerim Gjoci. Ka qenë shumë domethënëse kur prodhoheshin për çdo edicion të festivalit rreth 10 filma të shkurtër nëse nuk gaboj, mbase më shumë, mbase më pak por kjo s’kishte rëndësi. Rëndësi kishte që prodhoheshin filma dhe regjisorët, aktorët e gjeneratave të ndryshme na krijohej një ndenjë e përmbushjes artistike”.
E “ardhmja”
“Nuk di nëse pres diçka nga e ardhmja, e kam përshtypjen që të ardhem e krijoj vetë sot. Nuk jam person pa ambicie, por jam person që besoj në punën që e bëj sot, të nesërmes i vjen koha kur do t’i kushtosh rëndësi. Natyrshëm me vjen të mendoj që nuk duhet të presim të ardhmen, gjithçka duhet të ja besojmë të sotmes”.
Aftësia për t’u transformuar nga një personazh në tjetrin, talenti për të luajtur edhe në TV edhe në skenë e madje edhe në seriale të ndryshme kanë ndikuar që Kryeziu pas vetës të ketë jo vetëm një po disa “bagazhe” që dëshmojnë delikatesën dhe natyralitetin e saj përmes së cilave përmbushë në mënyrën më të mirë të mundshme detyrën parësore të një aktori, e cila ka të bëjë me sjelljën në jetë të një personazhit nga skenari. /KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës ka publikuar orarin për muajin shkurt, në të cilën shihet se do të ketë repriza të disa shfaqjeve, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare, Teatri njoftoi edhe për orarin e ri, ku do të jenë tri shfaqje mysafire.
Më 5 shkurt do të jepet repriza e shfaqjes “Aroma e Hënës”, derisa më datë 25 do të mbyllen shfaqjet me “La Rrem” nga Arian Krasniqi me regji të Kushtrim Koliqit.
KultPlus ua sjellë orarin e plotë për këtë muaj. /KultPlus.com
Teatri Oda ka publikuar orarin e shfaqjeve për muajin janar, shkruan KultPlus.
Më 20 janar, “Inspektor Limi” me regji të Florent Mehmetit do të hap edhe edicionin e ri në Teatrin Oda.
“Stiffler” do të jetë shfaqja e radhës që do të jepet në këtë teatër, e cila është paraparë të shfaqet më 25 janar.
Repriza e shfaqjes “Inspektor Limi” do të vazhdojë edhe më 27 janar, derisa në ditën e fundit të këtij muaji do të jepet edhe shfaqja “Kthimi i Karl Majit” me regji të Blerta Neziraj. /KultPlus.com
Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi, ka arritur që të realizojë një ëndërr të saj, duke debutuar në bulevardin historik të Berlinik “Staatsoper Unter den Linden”, shkruan KultPlus.
Gëzimin e saj dhe emocionet e paraqitura pas debutimit në këtë teatër, Kajtazi i ndau me të gjithë ndjekësit e saj në llogarinë zyrtare në “Facebook”.
Ajo u shpreh shumë e lumtur për këtë debutim dhe po pret me padurim që të këndojë edhe nesër e pasnesër.
“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen. Me të vërtet ka qenë një ëndërr e imja që të debutojë këtu dhe u bë realitet”, thotë ajo me shumë emocione.
Për fund, Kajtazi thotë se nuk duhet të dorëzoheni asnjëherë, sepse ëndrrat një ditë realizohen. /KultPlus.com
Aktori i ri, Labeat Bytyçi, ndanë me lexuesit e KultPlus vitin e tij shumë të suksesshëm 2021, duke filluar nga shfaqjet teatrore e deri te pjesëmarrja në një film me përmasa enorme.
Bytyçi tregon se në filmin ““ILLYRICVM”, mori pjesë në audicionet që janë mbajtur në Prishtinë, dhe aty fitoi rolin e “Curtius”.
Në filmin ku janë të përfshirë më shumë se 30 aktorë dhe 150 punëtorët të filmit, Bytyçi është përzgjedhur që të luajë njërin ndër rolet kryesor në këtë film.
“Kjo ka qenë një eksperiencë shumë më ndryshe prej çka jemi mësuar deri më tani, duke filluar nga tema që trajton filmi dhe periudha në të cilën zhvillohet”, thotë Bytyçi për KultPlus.
Filmi ILLYRICVM është filmi i parë në të cilin personifikohen paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, dhe është produkt i bashkë-producentëve nga katër shtete, ndër të cilat Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Kosova.
Edhe pse nuk ka ndonjë datë zyrtare se kur do të shfaqet ky film, Bytyçi njofton se filmi është në pjesën e montazhës.
“Deri më tani sa kam informacion, filmi është në pjesën e montazhës ku është menduar që të dalë në vjeshtën e këtij viti, por kuptohet që asgjë nuk është definitive”, shprehet ai.
Përpos angazhimit në film, Bytyçi ka qenë vazhdimisht duke punuar edhe në teatër.
“Kam luajtur në disa shfaqje gjatë vitit 2021, ku e fundit ka qenë shfaqja “Andorra” nga Teatri i Prizrenit, e kjo do të vazhdojë edhe për këtë vit me repriza, mund të them se viti 2021 ka qenë mjaft i suksesshëm”.
Sa i përket vitit të ri dhe planeve të reja, aktori nga Suhareka shpreson që së pari të ketë shëndet dhe planet e tij fokusohen në film e teatër. /KultPlus.com
Sot janë bërë 98-vite nga lindja e aktorit të madh Kadri Roshi.
Kadri Roshi, një yll i kinematografisë dhe skenës shqiptare lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma u nda nga jeta kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati.
Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë edhe një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi.
Nga shumëkush është konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qenë një aktor brilant me një talent të lindur. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit.
Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit do të kujtohet gjithnjë si kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai luajti role dhe figura të spikatura, që nuk do të harrohen kurrë. / KultPlus.com