Emërohet Këshilli i ri Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës

Sot, me vendim të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, janë emëruar shtatë anëtarët e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Këshilli drejtues, me mandat 4 vjeçar, ka këtë përbërje: Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi.

Qeveria e re i trajton me prioritet të veçantë institucionet kombëtare të kulturës. Vendimi i sotëm është i hapi i parë për ndërtimin e një vizioni të ri për Teatrin e Kosovës.

Ditëve në vijim, Ministria do të ndërmarrë veprime tjera për institucionet kombëtare të kulturës që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale, pavarësinë programore dhe artistike, zhvillimin e audiencave, ngritjen e kapaciteve profesionale dhe prezantimin ndërkombëtar të produktit vendor artistik. / KultPlus.com

Ndahen çmimet e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”

Mbrëmjen e djeshme është përmbyllur Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit “Moisiu On” i cili për shkak të pandemisë Covid-19 këtë vit u zhvillua online.

Gjithsesi pavarësisht vështirësive që ka gjykimi i shfaqjeve dhe elementeve dhe konponentëve të tjera, pasi një shfaqje teatrale është bërë për t’u ndjekur dhe vlerësuar në skenë dhe jo në ekran, u arrit që të vlerësoheshin shfaqjet dhe aktorët më të mirë.

Lista e fituesve u bë publike nga të gjithë përfaqësuesit e teatrove shqip folës dhe pas votimit që u bë prej tyre, u mblodhën edhe vlerësimet që të dilnin edhe fituesit e këtij edicioni të parë.

Shfaqja më e mirë – Galaksia (skena nga një ekzekutim)

Regjia më e mirë – Dino Mustafiç

Aktori më i mirë protagonist – Gëzim Rudi

Aktorja më e mirë protagoniste – Olta Daku

Aktori më i mirë joprotagonist – Gert Ferra

Aktorja më e mirë joprotagoniste – Arta mucaj

Aktori/Aktorja i ri më i mirë – Igli Zarka & Silvio Goskova

Çmimi i karrierës – Bujar Lako ()

Kjo është edhe lista e fituesve ndërkohë që pritet të shpallet edhe fituesi i çmimit shfaqja më e mirë e vlerësuar prej votave të publikut që e kanë ndjekur këtë eveniment. Për shkak se ka pasur një fluks shumë të madh votimesh që shkojnë mbi 3400 votime, u mor vendimi që pas një numërimi të kujdesshëm, ky çmim të bëhet publik ditën e sotme./ atsh / KultPlus.com

Pas dy përpjekjeve, MKRS përmirëson gabimin për konkursin për TKK-në

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përmirësuar gabimin në konkursin e javës së kaluar për udhëheqësin artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në javën që po lëmë pas MKRS-ja kishte lëshuar gabime në konkursin e ri, ku brenda njoftimit ende gjendej emërtimi ‘drejtor artistik’.

Kjo Ministri kishte anuluar konkursin e parë ku kërkohej Drejtori Artistik në TKK. Anulimi ishte bërë për shkak të emërtimi të gabuar, kjo sepse ligji për teatrot dhe statusi i TKK—së nuk njeh emërtimin ‘drejtor artistik’.

Por, MKRS-ja bëri po të njëjtin gabim në njoftimi e bërë në datën 5 të muajit mars, pasi që në pjesën e dytë të njoftimit për konkursin, në vend të emërtimin “udhëheqës artistik” figuronte emërtimi “drejtor artistik”.

Ministria tashmë ka publikuar njoftimin e ri, ku dhe ka përmirësuar gabimin.

https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/665-02_202103081549.pdf / KultPlus.com

“Arturo Ui”, shfaqja e natës së dytë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit

Mbrëmjen e djeshme në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental, “K. Spahivogli” ka vijuar nata e dytë e “Festivalit  Mbarëkombëtar të Teatrit MOISIU ON”.

Në këtë mbrëmje të dytë, pjesë e konkurrimit ishte shfaqja me titull “Arturo Ui”, vepër e autorit  B.Brecht dhe me regji të Kiço Londos.

Një dramë alegorike, e shkruar me qëllim për të shkatërruar respektin e rrezikshëm që zakonisht ndihet për vrasësit e mëdhenj. Drama që Brecht paraqet tregon për një kohë që ishte në recesion: njerëzit janë duke vuajtur rritjen e vështirësisë në rrethana të përkeqësuara, krimi është në rritje, papunësia gjithashtu, dhuna ka shpërthyer në rrugë, drejtësia është e gjunjëzuar.

Shfaqja flet për heshtjen dhe bashkëfajësinë, për gjendjen e rëndë të krijuar, duke lejuar që një grusht kriminelësh të veshur me petkun e politikanit të vjedhin, të vrasin, dhe të kërcënojnë të ardhmen e njerëzve.

Në këtë shfaqje interpretuan artistët: Denis Kurushi, Fatjon Mici, Rezart Barjoti, Ergys Çekrezi, Erion Hinaj, Amir Hasanlliu, Elidon Alika, Dervish Biba, Erlin Visha, Roland Saro, Redian Mulla, Ina Morinaj, Oriana Cama, Xhuliano Briskaj, Endri Çela, Donald Shehu, Arjola Basho, Sara Jaupaj, Ilirda Bejleri, Kristjana Dodaj, Endri Hekurani.

Festivali vijon sot në mbrëmje me shfaqjen me titull “Zogu i zi”. /ata/ KultPlus.com

Ilire Vinca do të prezantohet me një ligjëratë në New York, pas nominimit në Ligën e Gruas Profesioniste të Teatrit në Amerikë

Aktorja dhe profesoresha universitare, Ilire Vinca, është nominuar për herë të dytë në Ligën e Gruas Profesioniste të Teatrit në Nju Jork, shkruan KultPlus.

Ajo së bashku me Zana Hoxhën dhe Burbuqe Berishën kanë arritur të hyjnë në listën prej 18 vende të botës.

Në programin e këtij viti, Vinca do të paraqitet nesër në një ligjëratë virtuale në Nju Jork të Amerikës, teksa do të prezantojë temën “Edukimi Teatror: Arritja përtej skenës”.

Për KultPlus, ajo ka rrëfyer emocionin e këtij çmimi të rëndësishëm, të cilën nuk e merr për të parën herë.

“Në kohën kur diplomacia ndërkombëtare është sfidë e vështirë për t’u kapërcyer, jemi krenarë për rolin që artistët luajnë si diplomatë kulturorë duke vendosur dialog krijues, arsimor, jo politik”, thotë për KultPlus Ilire Vinca.

Në anën tjetër, përvoja e saj e parë me këtë çmim ka qenë në vitin 2017.

“Ky është çmim që jepet çdo tre vjet, e për mua hera e parë ka qenë në vitin 2017 dhe tash për herë të dytë e rrita edhe pjesëmarrjen e Kosovës me Burbuqe Berishën dhe Zana Hoxhën”, thotë artistja e famshme.

“Prej 26 vendeve të botës, 18 të nominuara, pjesëmarrja e Kosovës pas Anglisë radhitet e dyta”, tregon Vinca.

Ilire Vinca është profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. / KultPlus.com

Në botë janë siguruar fondet për artistët, kurse në Kosovë fondet e artistëve janë qesharake

Shkruan: Diellza Beqaj

Covid-19 dhe dëmet që ia shkaktoi Teatrit

Masa e parë kundër përhapjes së pandemisë Covid-19 ishte mbyllja e tërësishme. Të gjitha hapësirat kulturore u mbyllën. Karantina filloj të na pëlqej, madje zbuluam shumë për veten dhe rrethin tonë. E gjitha kjo u shndërrua në makth kur pas ca javësh, më saktësisht “dy javët e famshme” e gjitha filloi të na përplasej për fytyre. Të mbyllur e pa asnjë zgjidhje, ikja jonë e vetme ishte arti dhe kultura.

Netflixi shënoi rritjen më të madhe që nga krijimi dhe web-faqet me material të piratizuar përfitonin qindra mijëra klikime në ditë. Në anën tjetër, teatrot gjithandej filluan të alarmojnë për pasojat që do pësonin. Si mënyrë e vetme e mbajtjes së ndjenjës së teatrit ishte ‘Live Stream’ i shfaqjeve të punuara gjatë viteve. Ndër të parat teatro ishte Teatri Kombëtar në Londër me shfaqjen “One man, two guvnors”.

E shikuar miliona herë, kjo shfaqje rigjeneroi të hyra nga pjesa e donacioneve. Pas kësaj shfaqje, ky teatër vazhdoi edhe me shfaqje tjera si ‘Jane Eyre’, ‘Treasure Island’, ‘Twelfth Night’, ‘Frankenstein’, ‘Antony and Cleoparta’, ‘A street car named desire’, ‘Coriolanus’ dhe ‘The madness of King George’.

Të gjitha këto shfaqje me vlera të larta artistike nga një ndër teatrot më të mëdha në botë do të kushtonin qindra funta për t’i shikuar në teatër kurse gjatë karantinës ishin falas në Youtube. Drejtori artistik i këtij teatri, Rufus Norris në një intervistë për mediet britaneze, theksoi në prill të 2020- tës se nëqoftëse kjo gjendje vazhdon deri në shtator, pasojat do të jenë të pariparueshme.

Për fat të mirë Britania e Madhe krijoi një fond për Artistët e Teatrit (The Theatre Artists Fund ) dhe ky teatër e shumë teatro tjera në Londër morrën një copë ndihmese. Nga 27 janari 2021 vendi është në karantinë përsëri deri më 7 mars por teatrot janë të mbyllur që nga 16 dhjetori 2020 edhe pse filluan punën në fund të shtatorit 2020.

Ndërkohë në New York, ‘Broadway’ mbylli teatrot deri në zbulimin e vaksinës, me shpresën se ajo do të vie në fund të vitit 2020. Kjo nuk ndodhi dhe optimistët presin që më së largu në verë të 2021-tës të hapen teatrot e ‘Broadway’ me kapacitetet e plota kurse plani sipas gjendjes aktuale pandemike në New York nuk sygjeron hapjen deri në fillim të 2022-tës. Kjo po quhet edhe “Epoka e Errët e Broadway” industri kjo që vlen miliarda dhe rigjeneron miliona nga produksionet e mëdha.

Por edhe një fakt shqetësues është që 63% e audiencës së ‘Broadway-t’ janë turistë nga vendet e tjera dhe me masat kundër Covid-19 që hipotetikisht nëse nuk je i vaksinuar nuk mund të udhëtosh jashtë vendit atëherë Broadway do ketë goditje edhe pas hapjes.

Fatmirësisht, egziston platforma ‘BroadwayHD’ ku përmes një pagese krejtsisht modeste mund të shikohen hitet e Broadway. Një risi kjo të cilën e mundëson edhe platforma ‘Disney+’ ku mund të shikohet mega-hiti i ‘Broadway’, ‘Hamilton’.

Broadway mbetet ende i mbyllur deri në vaksinimin e plotë të banorëve të New York-ut e që pritet të ndodhë ndoshta kah fundi i gjashtë mujorit të parë të këtij viti.

Covid-19 goditi edhe teatrot në Kosovë, e një impakt të madh kishte në teatrot private. Në mugesë të audiencës e cila solli edhe problemeve tjera financiare, u mbyll ‘Qendra Multimedia’ e cila mbi të gjitha ishte një adresë e sigurtë për shfaqjen e mendimeve ndryshe dhe të guximshme.

Një nismë e duhur ishte ‘Live-Stream’ i shfaqjeve të punuara dhe repertoari online. Kjo nismë dha një qasje më digjitale ndaj teatrit dhe krijoi një mendim ndryshe për teatrin në Kosovë, ndoshta më modern.

Pas hapjeve të Teatrove në fund të shtatorit 2020 por me kufizimet e reja, shfaqjet ishin të detyruara t’i përmbahen masave si distanca sociale dhe orarit të pazakontë shkaku i Orës Policore.

Tani në shkurt të 2021-tës, teatrot në Kosovë vazhdojnë të punojnë me kapacitete të përgjysmuara. Me një trend të tillë dhe me rrezikun e shpërndarjes së variantit të ri të Covid-19, humbjet do të jenë tejet të mëdha. Nga fillimi i pandemisë e deri tani, pothuajse një vit, në vendet si SHBA, Britani e Madhe, Francë, Australi etj, janë krijuar fonde që kanë qenë ndihmë e madhe për artistët e goditur nga pandemia.

Në Kosovë, fondi emergjent për artistët duke e barazuar kundrejt humbjeve financiare të krijuara është aq i vogël saqë tingllon edhe qesharak.

Teatri është një ndër institucionet, industritë e artet më të goditura nga pandemia e cila po kalon në një nga kohët më të errëta ndonjëherë duke zbehur historinë e tij mijëra vite të vjetër. Shpresa për rikthimin në gjendjen e mëparshme me një repertoar funksional e shikues të shumtë është tek vaksina kundër Covid-19. Përderisa në shumë vende ka filluar vaksinimi, në Kosovë gjithçka është e paqartë. Derisa artistët vazhdojnë të mirren me politikë e jo të lobojnë për vaksinim të menjëhershëm, teatri nuk do të mbijetoj. / KultPlus.com

Projekti i Rilindjes së Teatrit bashkiak në Gjirokastër drejt përfundimit

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e teatrit bashkiak të Gjirokastrës.

Gjatë një turi të zhvilluar sot në jug të vendit, Rama pa edhe punimet që po kryhen në këtë teatër, në të cilin nuk ishte investuar që prej vitit 1970 kur ishte ndërtuar.

Kreu i bashkisë së Gjirokastër, Flamur Golemi informoi se punimet për rilindjen e teatrit bashkiak të Gjirokastrës nisën në dhjetor të vitit që lamë pas dhe deri tani janë kryer 45% e vëllimit të punimeve.

“E keni cilësuar frigoriferi i qytetit. Teatri ka përfunduar në vitet ‘70 dhe nuk është bërë asnjë investim, përkundrazi janë zënë edhe hapësirat përreth. Me një investim prej 12 milionë lekësh nga bashkia e qytetit dhe 36 milionë lekë nga JACA ne bëmë të mundur ndërhyrjen përmes një projekti të hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në vitin 2017. Do të ketë ndërhyrje rrënjësore, pasi godina kishte dëmtime edhe strukturore, por edhe në hapësirat përreth teatrit. Teatri pritet të jetë gati brenda 2-3 muajve”, deklaroi Golemi.

Projekti parashikon rivitalizimin e gjithë hapësirës duke krijuar edhe një shesh publik, duke qenë se i mungon qytetit. /ata/ KultPlus.com

Altin Basha emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental

Regjisori i njohur Altin Basha është emëruar drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministjra për Kulturë e Shqipërisë, Elva Margariti.

“Jam e bindur se z. Basha do të verë në jetë platformën fituese, me të cilën u paraqit në thirrjen e hapur për pozicionin e drejtuesit të TKEKS”, ka shkruar Margariti.

Tutje ajo ka çmuar lartë përvojën e Bashës, duke besuar se do të ndikoj pozitivisht në këtë institucion kulturor.

“Eksperienca e tij e gjatë dhe e sukseshme do të shërbejë si një motor zhvillimi për këtë institucion të rëndësishëm”, ka shtuar Margariti

Ministrja në fund ka falenderuar publikisht tanimë ish-drejtorin e këtij Teatri, Kiço Londo për kontributin e dhënë. / KultPlus.com

Drama shqiptare vihet në skenën e një prej teatrove më të njohura të Kroacisë

Në një nga teatrot më të njohura të Kroacisë është vënë në skenë tragjikomedia shqiptare me titull “Ata hyjnë pa trokitur”.

Vepra e zhanrit absurd shkruar nga shkrimtari dhe dramaturgu Armand Bora mban si regjisor firmën e Leonard Hamitajt i cili gjithashtu luan edhe rolin e një prej protagonistëve. Aktorja kroate Ana Marija Burušić luan rolin e bashkëshortes në këtë vepër.

Në Kroaci, ka një komunitet jo të vogël shqiptar që shpesh ka marrë edhe iniciativa të tilla artistike. Për këtë shkak vepra ka pasur një jehonë të madhe.

Ky projekt është shfaqur në kuadrin e festave të Nëntorit.

Subjekti i veprës sjell në vëmendje marrëdhëniet e vështira bashkëshortore në kohën e regjimit totalitar në Shqipëri. Një çift i cili për shkak të sistemit dhe faktit që pritet të internohen përjetojnë vështirësi në marrëdhënie pavarësisht dashurisë së tyre te madhe për njëri-tjetrin. Absurdi i marrëdhënies së tyre reflektohet pikërisht në faktin se gjatë gjithë kohës ata kërkojnë të gjejnë shkakun dhe gabimin që është bërë dhe atë kërkojnë ta gjejnë tek njëri-tjetri.

Në këtë vepër shpesh herë përballesh me të njëjtën ndjesi sikurse tek kryevepra botërore e autorit Samuel Beckett “Duke pritur Godone” dhe ku të krijohet shpesh ndjesia nëse do të ndodhë apo jo ajo çka është edhe fati i personazheve si kthesa përfundimtare e qëllimit të veprës. /atsh/ KultPlus.com

Kreshnik Musolli: Baleti Kombëtar i Kosovës, 48 vite histori suksesi

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës tashmë ka depërtuar në skenën kulturore ndërkombëtare duke mahnitur me çdo shfaqje të realizuar me mjeshtëri.

Trupa është formuar nga Ahmet Brahimaj “Artist i Merituar” në vitin 1972 si Ansambli i Baletit. Ikona legjendare Ahmet Brahimaj shërbeu si Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës me shumë përkushtim dhe me dashuri, duke lënë pas një trashëgimi madhështore kulturore për Kosovën dhe për gjeneratat në vijim.

Gjenerata e Parë e Baletit të Kosovës përbëhej nga: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Ato njihen për realizimin e produksioneve me sukses si: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo and Juliet”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Quixote”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj.

Sot Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës drejtohet nga Kreshnik Musolli, i cili shërben si U.D. i Drejtorit të Baletit. Lindur në Prishtinë, Kreshnik Musolli ka përfunduar studimet në regji teatri në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në vitin 2013. Karrierën e tij si balerin e filloi në vitin 2007 dhe ka realizuar shumë shfaqe me sukses me balerinët e talentuar të Trupës së Baletit. Në rolin e koreografit Musolli debutoi me shfaqen “Andërr” (2019) me balerinët Sead Buniqi, Sinan Kajtazi dhe Aulona Nuhiu në rolet kryesore. Në baletet e tij, koreografi Kreshnik Musolli shquhet për inovacion, përmbajtje të thellë imagjinare dhe ekspresivitet dramatik.

Identiteti kombëtar i baletit kosovar vazhdon të forcohet dhe prezantohet me dinjitet në mbarë botën nga trupa e baletit, falë përkushtimit dhe punës së balerinëve të përkryer të Baletit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht: Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Liridon Mziu, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Muhamet Bikliqi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Sinan Kajtazi, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Teuta Krasniqi, Vjollca Lugiqi, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Elmedina Berisha dhe Isa Beg Gjocaj.

Artistët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë krijuar dhe mishëruar personazhe fantastike në rolet e tyre interpretuese, duke krijuar një karakter masiv për imazhin e baletit dhe duke e pasuruar atë me forma dhe stile të reja. Ndër vite, balerinët kombëtarë të Kosovës kanë dhuruar performanca të jashtëzakonshme, që kanë mahnitur dhe entuziazmuar publikun. Trupa e Baletit Kombëtar është prezantuar jashtë Kosovës me këto shfaqe të suksesshme: “Dasma”, “Xhuljeta pa Romeon”, “Ngjyrat e Vallezimit”, “Një Legjendë për dashurinë”, “Newborn-SYN”, dhe “Recomposed”.

Me datën 3 Dhjetor 2020, e enjta, ora 16:00, do shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës premiera e dytë e shfaqes shumë të kërkuar “Sisters”, me koreografi nga i mirënjohuri Mehmet Balkan. Shfaqja i dedikohet ikonës legjedare dhe ‘babait” të Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj.

Intervistë me Kreshnik Musollin, U.D. i Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Balerin dhe Koreograf

Çfarë do të thotë Skena e Teatrit Kombëtar për ju dhe për gjeneratën tuaj të balerinëve?

Kreshnik Musolli: Skena e Teatrit Kombëtar të Kosoves ka një domëthënie të madhe për ne si gjeneratë e re e Baletit Kombëtar të Kosovës. Aty jemi rritur që nga mosha e re kur kemi filluar të merremi me këtë lloj arti dhe qysh herët kemi pas fat të angazhohemi në shfaqjet e institucionit tonë. Ne ende jemi në pritje të ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit ku do të kemi “shtëpinë” tonë pasi që është vështirë të ushtrosh veprimtarinë në objekt të huaj. Poashtu problem për ne është hapësira shumë e vogël si në sallë ashtu edhe në skenë, gjë që ndikon direkt në performancën tonë si balerinë.

Cilat tre shfaqje të trupës së Baletit të Kosovës që kanë qenë më të vlerësuarat dhe pëlqyerat nga publiku?

Kreshnik Musolli: Në përgjithësi të gjitha shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës janë vlerësuar shumë si nga publiku vendor poashtu edhe në rajon e Europë në turne e festivale të ndryshme. Një nga shfaqjet më të pëlqyera por edhe më të reprizuara është shfaqja “Dasma” me koreografi nga Mehmet Balkan e cila është realizuar si premierë në vitin 2012 dhe është reprizuar deri në vitin 2017, diku më shumë se 38 herë.

Çfarë konsideroni si të arritura tuaja, me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?

Kreshnik Musolli: Balerinët e BKK-së edhe pse në kushte tejet të tmerrshme të punës në sallën e ushtrimeve dhe provave që gjendet në bodrumin e Teatrit Kombëtar, nuk janë ndalur kurrë duke punuar me këmbëngulje e vendosmëri të madhe që të arrihen sukseset që i kemi arritur që nga ri-themelimi pas luftës. Që nga viti 2001 deri më tani janë punuar mbi 50 shfaqje premiera të ndryshme me koreograf nga më shumë se 21 vende të botës duke bërë kështu që institucioni jonë të njihet jo vetëm në vend e rajon por edhe në të gjithë botën. Kjo patjetër që është arritë falë ish-Drejtorit Ahmet Brahimaj i cili është njeriu më meritor për ri-themelimin e Baletit në Kosovë pas luftës.

Poashtu ai e rriti gjithë grupin e balerinëve sikur të ishin fëmijët e tij, të gjithë duke funksionuar si një familje e madhe, kompakte dhe e disiplinuar gjë që ka bërë që të instalohet në mendjen e secilit që vetëm me punë të pandalshme mund të arrihen sukeseset në karrierën tonë pasi që në këtë profesion është shumë e limituar koha që mund të jesh aktiv në skenë. Për fat të keq në muajin Maj të këtij viti Ahmet Brahimaj “Babai” i Baletit të Kosovës u nda nga jeta dhe ne si gjeneratë e re e kemi obligim që të vazhdojmë tutje atë që ai ka nisur duke mos u ndalur asnjëherë me punë e suksese që institucionin tonë ta ngrisim edhe më lart në çdo aspekt.

Së shpejti keni dhe premierën e re me 3 dhejtor, nën koreografinë e të mirënjohurit Mehmet Balkan. Mund të na tregoni për historinë e shfaqjes, dhe elementet që e përbëjnë?

Kreshnik Musolli: Me datën 3 Dhjetor do të kemi premierën e dytë për vitin 2020 me koreografi nga Mehmet Balkan nga Turqia i cili është një emër me renome botërore. Me të kemi filluar bashkëpunimin në vitin 2010 dhe është shfaqja e pestë që e realizojmë së bashku. Shfaqja titullohet “Sisters” dhe ka si temë dy motra të cilat dashurohen në personin e njëjtë dhe pastaj lindin situatat dramatike mes tyre me xhelozi e inate.

Është një shfaqje e jashtëzakonshme e baletit neoklasik me një muzikë të mrekullueshme të kompozuar nga Erim Ardal nga Turqia. Asistente e shfaqjes është Lale Balkan, Kostumet dhe Skenografia janë dizajnuar nga Tayfun Çebi dhe Video që shfaqet si skenografi virtuale në prapavi përmes projektorit nga Ahmet Şeren. Këtë herë është pak sfiduese puna e organizimit të premierës për shkak të pandemisë së COVID-19 ku masat e qeverisë janë që lejohet vetëm 30% e sallës të mbushet me publik, sepse zakonisht jemi detyruar që të fusim karrige shtesë në sallë për shkak të interesimit tejet të madh.

Sa e karakterizon qytetin tuaj arti i baletit apo arti në përgjithësi në lidhje me mbështetjen nga publiku apo instituiconet lokale? Dhe sa të ndërthurur keni qene në aktivitete jashtë Kosovës?

Kreshnik Musolli: Baleti si art është shumë i dashur për popullatën në Prishtinë e në Kosovë dhe interesimi është shumë i madh në çdo premierë e reprizë të shfaqjeve që kemi. Do të duhej të ishte një përkrahje edhe më e madhe nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për arsye që ne e kemi problem kyç objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, sepse siç e ceka edhe më lart është tejet sfidë e madhe të punohet në kushtet që i kemi momentalisht ku mungon hapësira e duhur, ajrosja e mjaftueshme e drita natyrale të cilat ndikojnë shumë negativisht çdo ditë në performancën dhe shëndetin e balerinëve.

Problem tjetër ose nevojë urgjente e jona është edhe Shkolla Kombëtare të Baletit që ende presim të themelohet. Vetëm përmes kësaj shkolle e cila do të jetë nën ombrellën dhe kontrollën e Baletit Kombëtar të Kosovës, mund të sigurohen e shkollohen gjeneratat e reja të cilat do ta vazhdojnë këtë art në Kosovë në mënyrë të mirëfilltë.

Sa i përket aktiviteteve jashtë vendit, kemi pas fat të marrim pjesë në shumë festivale e turne në shtetet e Ballkanit e Europës si: Shqipëri: Durrës, Tiranë, Vlorë, Elbasan; Maqedoni: Shkup, Tetovë, Manastir, Dibër, Ohër; Bullgari: Pravets, Sveti Vlas, Ruse; Zvicërr: Cyrih; Itali; Villapiana, Altomonte, Crotone, Napoli; Austri: Graz; Gjermani: Berlin, Hamburg; France: Paris; Finlandë: Tampere, Helsinki, Turku, Pori.

A mendoni se keni lënë gjurmë artistike?

Kreshnik Musolli: Padyshim që Baleti Kombëtar i Kosovës ka lënë gjurmë të rëndësishme në artin e kulturën e shtetit tonë duke treguar një nivel tejet të lartë teknik e artistik në secilën paraqitje si në vend ashtu edhe jashtë Kosovës. Shumë herë është emëruar si Institucioni më i suksesshëm kulturor në vend. Kjo është thënë edhe nga secili koreograf që kemi bashkëpunuar për këto vite, ku secili prej tyre ka punuar e punon në vendet më të zhvilluara me Kompani tejet të sukesshme të baletit dhe janë në gjendje të vlerësojnë këtë punë në mënyrën më të drejtë. / KultPlus.com

Format teatror që godet në muret e emancipimit shoqëror

Kritikë artistike për shfaqjen “Grua” nga dramaturgu Naser Shatrolli:

Gruaja si frymë, si zgjedhje, si ide, si vetje, do të ishte kolumne ditore që do të përdorej për plleshmëri në rajonin ballkanik ndërsa në rrafshin filozofik ajo nuk mund të ishte aroma e denjë që të marr frenjtë orientues.

Kështu e paraqet regjisorja Arlinda Morina gruan në një kontekst rajonal – brenda solucionit të gjeografisë shqiptare, në shfaqjen e saj me titull: ”GRUA” e shfaqur ditë më parë para publikut të Prishtinës.

Fryma teatrore do të ishte ambiguitet teatror gjersa sendërtohet një frymë trilleri skenik që përkon me një mendësi kulturore mes teatrit modern dhe filmit bashkëkohor, që duan të përflasin njëri për tjetrin, për njëri-tjetrin.

Duo-aktoret e shfaqjes, ishin brenda logjikës së kërkesave regjisoriale sikundër që regjisura e Morinës shpërfaq dinamika ideomizanskenike, që përkojnë në drejtimin e fiksionit të një teatri absurd në relata me gruan, si domen jetik në shfaqje, e cila ka nevojë të shpërfaq botërisht qëllimin e saj, dëshirat, sikundër që, të shprehurat e saj të kenë veshë për radion popullore.

Shfaqja e meritonte vëmendjen, aktoret krijojnë afërsi, harmoni, dashuri, mundësi për të jetuar me emocionin dhe përjetimet që krijohen në përecuri.

Producentja e shfaqjes znj. Arbnesha Grabovci Nixha është emër i përveçëm i kulturës vendore – është aktore e brezit të parë, pedagoge e mjeshtrisë aktoriale dhe mbështetëse reale e kulturës teatrore.

Ajo ka bërë punë të kuruar në relacion me kërkesat e shfaqjes, sikundër që, Qëndresë Lokaj dhe Minka Berisha, dy aktore që kanë reputacionin skenik ndër vite i dhanë eho teatrore rrjedhës skenike në shfaqje.

Pjesa tjetër e shfaqjes, muzika e krijuar nga Ersan Jonuzi, pastaj, kostumografia që ka formën dhe formulën e emrit, tashmë, i botëruar si: Zake Prelvukaj.

Ndërkohë, drama ishte e motivuar dhe mbështetur në idenë e dramës ‘’ARA’’ të Arbëreshit italian, Mario Caliva.

Asistenti shfaqjes ishte Butrint Lumi, një emër që po vjen. / KultPlus.com

‘’Ëndrrat e Hamletit’’ vlerësohet si ‘’Monodrama më e mirë e festivalit’’ në Egjipt

Drama ‘’Ëndrrat e Hamletit’’ ka fituar çmimin kryesor ‘’Monodrama më e mirë e festivalit’’ në Festivalin Ndërkombëtar SITFY në Egjipt, shkruan KultPlus.

Në festivalin e mbajtur në Sharm El Sheikh të Egjiptit, drama e cila është e bazuar në veprën e Shekspirit “Hamleti, Princi i Danimarkës”, me tekst të shkruar nga Nina Mazur dhe regji e interpretim të Mentor Zymberaj arriti një sukses tejet të madh, duke rrëmbyer çmimin kryesor.

‘’’Ëndrrat e Hamletit” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT & ITI-Qendra në Kosovë, në bashkëpunim të teatrit Dodona dhe Komunës së Prishtinës. Premiera e kësaj shfaqje është dhënë më 31 mars të vitit 2018 në Teatrin ‘’Dodona’’. / KultPlus.com

36 vite nga vdekja e aktores Jolanda Shala, e cila çdo rol që i besoj e ‘qëndiste’

36 vite më parë vdiq aktorja Jolanda Shala në moshën 37 vjeçare, e cila shquhej për rolet e saj në teatrin e atëhershëm të Shkodrës, shkruan KultPlus.

Jolanda Shala ishte aktore e Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Ajo morri pjesë në 60 shfaqje, duke jetësuar rreth 180 role.

E njohur edhe me nofkën ‘’Landi’’, kujtimi i saj mbetet i gjallë nëpërmjet premierave artistike si “Ballafaqimi”, “Nën tik-takun e orës”, “Shigjeta thumbuese”, “Laj e shplaj, qit në diell e thaj”, “Peshqeshi i fundit”, “Ngjyrat pranverore”, “Fundi i një komedije” dhe shumë të tjera.

Për artin e saj kishte shkruar edhe Xhahid Bushati në librin ‘’Teatri ‘’Migjeni’’, kujtesa e një qyteti’’, në të cilën shpjegonte gjerë e gjatë jetën, personalitetin dhe veprën e Jolanda Shalës.

‘’Çdo rol që i besohej kërkonte e këmbëngulte që atë figurë që krijonte ta plotësonte derisa të shfaqej si karakter i plotë. E qëndiste. Ishte e kujdesshme qoftë edhe për një përparëse të vogël që i duhej personazhit, pa le për garderobën e rëndë. “Duke parë natyrën e saj si aktore, – do të thoshte, në një bisedë vite më parë, regjisori Paulin Sekuj, – Jolanda punonte ngadalë e me kujdes. I kushtonte vëmendje detajit për të tipizuar më mirë personazhin e për të krijuar doemos situatën humoristike’’, kishte shkruar Bushati.

Kujtimi i Jolanda Shalës do të mbetet i përhershëm nëpërmjet artit. / KultPlus.com

Një dëshmi e bukur historike, teatri romak ‘’Aspendos’’ në Turqi

Monumentet e trashëgimisë kulturore janë dokumentuese të jetesës aktive të popujve dhe të historisë përgjithësisht. I tillë është teatri ‘’Aspendos’’ në Serik të Turqisë, që është një vlerë antike në vete, shkruan KultPlus.

Ky teatër na jep një vështrim se si ishte jeta në vitet 160 para erës sonë.

I ndërtuar gjatë sundimit të perandorit romak Marcus Aurelius, ky teatër përmban mbishkrime në muret e tij që na tregojnë  për arkitektin grek, Zenon, i cili lindi në Aspendos.

Akustika e teatrit është spektakolare dhe është projektuar të përshtatet për 7,300 deri 7,600 njerëz.

Ndryshe nga shumë teatrot e tjerë në botë, teatri i Aspendos iu nënshtrua një rindërtimi të shekullit të 13-të./ KultPlus.com

Shfaqja “Audience by Vaclav Havel” vjen premierë në Teatrin Oda

Teatri Oda do t’i hap dyert e saj për premierën e shfaqjes ‘’Audience by Vaclav Havel’’, në bashkëpunim me Qendrën Multimedia, shkruan KultPlus.

Publiku do të kenë rast të shohin shfaqjen më 18 nëntor duke filluar nga ora 16:00.

‘’Audience by Vaclav Havel’’ është shfaqje me skenar të shkruar nga Jeton Neziraj, regjisor Agon Myftari dhe me aktorë Shpëtim Selmanin dhe Dukagjin Podrimajn. /KultPlus.com

Qeveria më në fund merr vendim: Teatrot do të hapen

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS-së dhe komunave; Teatrove, Bibliotekave, Filarmonisë, Galerive, Ansambleve, Baleti, Kinemave, Qendrave Rinore, Muzetë, Qendrave të Kulturës, me grupe, duke shfrytëzuar 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse.

Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlen për të gjitha aktivitetet si në shfaqje ashtu edhe në ushtrimë gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja COVIV19; Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte;Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura gjatë stërvitjeve mund të marrin pjesë deri në 30 persona ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19.

Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive dhe në hapësirat e hapura sportive;

Lejohen fitneset si dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte. / KultPlus.com

Shtatë dekada të Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’ në një ekspozitë

Fotografitë, veshjet, sendet personale të artistëve të njohur korçar, të cilët i kanë përdorur për 7 dekada në skenë janë ekspozuar për artdashësit.

Në këtë datëlindje të 70-të të Teatrit “Andon Zako Çajupi”, gjurmët që artistët kanë lënë me artin e tyre, përkujtohet jo vetëm nga publiku, por edhe nga artistët e njohur Ndriçim Xhepa dhe Timo Flloko

“Është një ekspozitë muzeale interesante. Teatri i Korçës është një teatër me traditë të hershme që kanë vënë vulën e personalitetit të tyre në Teatrin Kombëtar. Ka elemente edhe simbole të veçanta. Duke ecë nëpër to sheh artistët, brezat e hershëm, që kanë dhënë shumë vlera, si Piro Mani, Dhimitër Orgocka, Llazi Sërbo etj. Përmes kujtesës së tyre m’u duk sikur fola ma ta”, shprehet artisti Timo Flloko.

“Emocionet janë të mëdha, është një gjë e veçantë veçmas për ata që kanë dhënë shumë në këtë skenë. Gëzohem që shikoj këtë ekspozitë të kuruar me kaq shumë kujdes”, thotë aktori Ndriçim Xhepa.

Edhe përse drejtoresha e Teatrit Zamira Kita është e izoluar për shkak të COVID 19 në shtëpi, aktorja Blerta Balliu rrëfen punën e bërë, në këto momente

“Jemi kujdes që të kemi objekte të artisteve që kanë kontribuuar për një jetë në skenën e këtij teatri”, thotë Balliu.

Përpos ekspozitës, këto ditë nuk ka munguar për publikun korçar, as Festivali i Komedisë “Kokofest”. /shqiptarja/ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Synimi im është finalizimi i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në takim Këshillit e ri Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, i cili është në përbërje të Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Lejla Pula, Agim Selimi dhe Zethane Bahtiri-Gimolli, përfaqësuese e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi i informoi Këshillin për punën dhe planet që MKRS-ja po bën për kulturën, në këtë kontekst edhe për avancimin e dokumenteve ligjore e strategjike për Baletin Kombëtar të Kosovës.

Një ndër sfidat e cila ka pasur vonesa dhe nuk ka arritur të konkretizohet ende është objekti i Teatrit të Operës dhe Baletit, për të cilin ministrja tha se është e interesuar që të finalizohet si proces dhe ky projekt të marrë jetë.

Ministrja tha se “kemi shumë artistë të talentuar dhe është mëkat që mos të kenë hapësirën e duhur dhe të nevojshme ku të realizojnë aktivitetet e tyre. Si ministre dhe ministria që drejtoj jemi të interesuar që sa më shpejtë të jetësohet projekti i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Kemi mbajtur komunikim të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës, ashtu që hapësira që është paraparë për ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm të kulturës në Kosovës, afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, të ndahet për projektin në fjalë”, theksoi ministrja, duke i bërë thirrje edhe komunitetit artistik që të japin kontributin e tyre dhe të ngrenë zërin për këtë çështje.

“Projektet garuese për objektin e teatrit do të bëhen transparente dhe qytetarët do të kenë mundësinë që të japin kontributin e tyre në përzgjedhjen e projektit më të mirë”, tha ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, ministrja Dumoshi tha se do të bashkëpunojë me Këshillin, por asnjëherë pa ndërhyrë në punën dhe vendimit që ata marrin si Këshill. Ministrja tha se duhet që sa më shpejt të zgjidhet Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës me qëllim të funksionalizimit të plotë të këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës së vendit tonë.

Një ndër temat që është edhe një preokupim, është edukimi i gjeneratave të reja në fushën e baletit. Për këtë ministrja tha se do të punojmë bashkërisht që të zgjidhim çështjen e shkollës së baletit dhe ajo si ministre do të lobojë dhe do të komunikojë edhe me Ministrinë e Arsimit për të zgjidhur këtë problematikë, sepse siç tha ministrja “nuk na falet si shoqëri nëse e lëmë që baleti të shuhet në vendin tonë e mos të ketë breza të rinj të edukuar në këtë fushë”.

Anëtarët e Këshillit të Baletit e falënderuan ministren Dumoshi për pritjen dhe besimin e treguar. Ata thanë se do të punojnë dhe të angazhohen për të avancuar baletin, duke u fokusuar edhe në edukimin e brezave të baletit në Kosovë, duke vazhduar traditën e profesorit të Ahmet Brahimajt.

Ndër tjera, ministrja Dumoshi i njoftoi Këshillin edhe për përkrahjen që ka dhënë MKRS-ja për organizatat e shoqërisë civile që merren me kulturë./ KultPlus.com

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovë kërkon hapje e teatrove

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës po kërkon hapjen e teatrove në vend, shkruan KultPlus.com

“Ndërkohë, kërkojmë edhe publikisht nga Ministria e Kulturës, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera relevante që ATPQK të jetë pjesë e organizmave për shqyrtimin e masave dhe udhëzimeve për punën e teatrove gjatë pandemisë dhe njëherit njoftojmë publikun që iniciativat tjera në lidhje me këtë çështje nuk janë bërë në koordinim me ATQK-në”., thuhet në komunikatën e tyre.

“Asociacioni i Teatrove  Publike të Qyteteve të Kosovë (ATPQK), në mbledhjen e tij të fundit, të mbajtur më 21 gusht, 2020 ne Prizren ka diskutuar, pos tjerash, posaqerisht për mundësinë e hapjes së teatrove pas mbylljes nga pandemia. Duke e ditur që kjo nuk është çështje vetëm e vullnetit të komunitetit teatror për vazhdimin e punës së teatrit, por është edhe çështje e shëndetit publik që hyn në vazhdën e udhëzimeve dhe vendimeve të marra nga OBSH, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës dhe institucionet tjera relevante, ka vendosur që të kërkojë nga Ministria e Kulturës që ATPQK të jetë pjesë e diskutimeve të këtyre institucioneve për hapjen e mundshme të teatrove dhe përpilimit të udhëzimeve dhe masave që duhet ndërmarrë gjatë hapjes, në harmoni me udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe me praktikat në rajon dhe në botë dhe të përshtatura me kapacitetet teknike dhe organizative që i ka secili teatër dhe më këtë rast është duke u aranzhuar një takim i ATPQK-së me Ministren Znj. Vlora Dumoshi për të diskutuar për këtë çështje si dhe disa çështje tjera relevantë në lidhje me teatrot e qyteteve. 

Ndërkohë, kërkojmë edhe publikisht nga Ministria e Kulturës, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera relevante që ATPQK të jetë pjesë e organizmave për shqyrtimin e masave dhe udhëzimeve për punën e teatrove gjatë pandemisë dhe njëherit njoftojmë publikun që iniciativat tjera në lidhje me këtë çështje nuk janë bërë në koordinim me ATQK-në”.

Neziraj paralajmëron takimin e MKRS-së për teatrot dhe kinematë

Përderisa teatrot janë të mbyllura, Qendra Multimedia dje nisi peticionin për hapjen e tyre. Ndërkaq, drejtuesi i kësaj Qendre, Jeton Neziraj ka paralajmëruar takimin gjatë ditës së sotme të Ministrisë së Kulturës për këtë çështje, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një njftomi të bërë në Facebbok ai tregoi se ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi  do të ketë sot në orën 17:00 takim me akterët relevant për të vendosur lidhur më këtë çështje./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/jeton.neziraj.5/posts/10158808705592002

Kushtrim Hoxha: Të mos ekzistoj diskriminimi gjinor se teatri nuk është odë e burrave

Në muajin korrik, Teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” i janë shtuar edhe gjashtë aktorë të rinjë, duke plotësuar kështu trupën e aktorëve të këtij teatri.

Ndërsa ditën e djeshme, ishte Teatri “Adriana” i qytetit të Ferizajt që ka bërë plotësimin e trupës rezidente me tetë aktorë të rijnë.

Kushtet e vëna për këtë konkurs, sidomos pas shpalljes së rezultateve dje nga teatri “Adriana” në Ferizaj, nuk janë përkrahur nga artistët të cilët nuk janë vonuar me reagimet e tyre, shkruan KultPlus.

Mos përzgjedhja e aktorit Shpëtim Selmani në trupën rezidente të Teatrit të Ferizajt, ka bërë që aktori Shkumbin Istrefi të reagojë menjëherë. Sipas tij, Selmani është në mesin e aktorëve më të talentuar që kemi.

“Degjova qe aktori Shpetim Selmani nuk qenka pranuar ne ansambel ne Teatrin e Ferizajit. Sipas meje, Shpetimi eshte ne mesin e aktoreve me te talentuar dhe te ngritur qe kemi.
Kjo mund te jete fat per Teatrin Kombetar. Shpetimi e ka vendin ne Teatrin Kombetar”, ka shkruar Istrefi.

Për mënyrën e vlerësimit ka reaguar sot edhe aktori Kushtrim Hoxha. Ai është shprehur se kjo mënyrë vlerësimi që po praktikohet për zgjedhjen e aktorëve është diskriminuese dhe fyerje për aktorin. Ai gjithashtu ka reaguar edhe për diskriminimin gjinor që po bëhet në teatër.

“Eshte shume mire qe teatrot ne Kosove po punsojnë aktoret, mirpo menyra e vlersimit dhe qasja me duken shume gabim. Sidomos ky verzioni me komisione vlersuese me pike shume diskriminues dhe fymje per aktorin.
Gjithashtu te mos egzistoj daskriminimi gjinor se teatri nuk eshte ode e burrave.
Dhe gjithashtu idea qe nje aktor duhet te jete gjithsesi prej nje qyteti ose rajoni te caktuar qe te pranohet ne pune eshte mendesi shume lokaliste dhe per mendimin tim do ta demtoje rande teatrin e Kosoves ne te ardhmen”, ka shkruar Hoxha. / KultPlus.com

Teatri “Adriana” në Ferizaj i shtohen tetë aktorë të rijnë

Teatri “Adriana” i qytetit të Ferizajit ka bërë plotësimin e trupës rezidente me tetë aktorë të rijnë, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook komuna e Ferizajit ka njoftuar se pas audicioneve të mbajtura me dy shtator, trupës së teatrit “Adriana” i janë shtuar edhe tetë aktorë të rijnë.

Në mesin e trupës së re rezidente bëjnë pjesë Mevlan Saraçi, Blin Sylejmani, Edona Berisha – Bekteshi, Jajush Ramadani, Milot Salihu, Sherif Bega, Dardane Mehmeti dhe Gresë Gashi.

Gjithashtu në njoftimin e bërë nga ana e komunës së Ferizajit theksohet se palët e pakënaqura kanë të drejtën e anekses përgjatë tetë ditëve të ardhshme./ KultPlus.com

Apolloni: Shfaqjet duhet të vazhdojnë, ne duhet të luftojmë ta mbrojmë edhe shpirtin, jo vetëm trupin



Qeveria i kishte dhënë futbollit dritën e gjelbër të rikthehej duke e ndjekur një protokoll për mbrojtje nga Covid-19 dhe me një numër të kufizuar të personave të pranishëm në stadium gjatë ndeshjeve. Por, kjo nuk ka vlejtur edhe për aktivitetet kulturore të cilat janë pezulluar qysh në muajin mars, shkruan KultPlus.

Ky pezullim e ka detyruar regjisorin Ben Apolloni që të reagojë pikërisht për faktin e këtij diskriminimi që po i bëhet kulturës në vend.

Sipas tij, nëse ndeshjet sportive po luhen, pse të mos veprohet njëjtë edhe me teatrin. Ai tutje ka dhënë si alternativë shfaqjen e shfaqjeve në ekranet televizive.

“Nëse ndeshjet sportive po luhen me pak ose aspak publikë në salla, stadiume, pse të mos veprohet edhe me teatrin kështu? Si ndeshjet sportive që shfaqen direkt në TV, të shfaqen edhe shfaqjet teatrore. Sigurisht që më së miri është që ndeshjet sportive edhe shfaqjet teatrore të shikohen “live”, në vendin e ngjarjes, por as përmes ekranit nuk është keq. Kur ne nuk mund të shkojmë në teatër, teatri mund të vijë tek ne”, ka thënë Apolloni i cili tutje është shprehur se ne duhet të luftojmë ta mbrojmë edhe shpirtin, jo vetëm trupin.

“Ne, jemi duke luftuar me vdekjen, por edhe në këto momente të vështira, duhet ta kujtojmë Freddie Mercuryn, që po luftonte me AIDS, por që thërriste: “Shfaqjet duhet të vazhdojnë!” Ne duhet të luftojmë ta mbrojmë edhe shpirtin, jo vetëm trupin. E, arti është vaksina më e mirë për shpirtin”, ka thënë Apolloni. / KultPlus.com

Aleanca për Teatrin bën denoncimin në SPAK

  

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dorëzuar sot në SPAK denoncimin për prishjen e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që për mediat përfaqësuesja e tyre është shprehur besimplotë se fajtorët do të marrin dënimin.

“Fakti që vijmë pranë SPAK-ut do të thotë që shumë shpejt gjërat do të levizin. SPAKU ka filluar një hetim për të gjithë ato që ne kemi akuzuar s’e kanë shkelur ligjet. Nuk e dimë se çfarë hetimesh po bëhen konkretisht, por e dimë që është një hetim i thelluar,”-shprehet përfaqësuesja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Ndërkohë aktori Mehdi Malkaj tregoi arsyet se përse Teatri Kombëtar ishte një godinë e mbrojtur, ndërsa gjithashtu kishte shumë shpresa për rindërtimin e tij:

“Shkyerja e Teatrit Kombëtar ishte e dhimbshme dhe e trishtuar. Unë di një gjë, që e ka emrin Teatër Kombëtar, si s’qenka i mbrojtur?! Kemi ne të drejtë të ndrërrojmë vargjet e himnit, se është kombëtar?! Dhe Teatri është kombëtar.

Në këtë rast jam besimplotë për rindërtimin, pavarësisht se ajo që është prishur në Shqipëri nuk është rindërtuar më. Këtu kam shumë besim që do rindërtohet se ka edhe një pjesë euroipiane që janë të ndjeshëm ndaj kësaj çështje. Ne jemi i vetëm popull që jemi kufizuar me vetën, jemi të kufizuar vetëm me shqiptarë. Kjo ka ndikuar deri më tani.” / Konica.al / KultPlus.com