“Nuk mund të vazhdojmë më me teatër virtual”, Korça nis shfaqjet në natyrë nën rregulla strikte

Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës rikthehet pranë publikut me shfaqje teatrale, por në ambiente të hapura. Drejtoresha e Teatrit, Zamira Kita, tregon për “Shekulli”-n se si do të organizohen shfaqjet duke respektuar rregullat për mbrojtjen nga virusi dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.

Që nga nisja e pandemisë dhe deri më sot, teatrot dhe kinematë janë ndër institucionet e pakta që vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për shkak të masave mbrojtëse kundër koronavirusit. Ende nuk është e qartë se kur do t’i rikthehen aktorët dhe publiku normalitetit, megjithatë tashmë kanë filluar të gjenden zgjidhje alternative për të vazhduar jetën artistike e kulturore.

Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës do të rikthehet pranë publikut me shfaqjet në natyrë, duke shfrytëzuar edhe ditët e bukura të verës. Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, tregon për “Shekulli”-n se shfaqja “Pas vdekjes” e Çajupit, që do të jepet së shpejti, ishte planifikuar përpara pandemisë.

“Ne e kishim veprën ‘Pas vdekjes’ të Andon Zako Çajupit në plan, që përpara pandemisë, në kuadër të 70-vjetorit të Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’. Pasi ndodhi pandemia një pjesë e projekteve u hoqën, një pjesë e buxhetit u shkurtua për shkak edhe të mbledhjes së të ardhurave, kështu që vendosëm që premierën e kësaj shfaqje ta japim në mes të korrikut, ta shfaqim vazhdimisht gjatë verës dhe në shtator kur të festojmë 70-vjetorin e Teatrit”, tha Kita për “Shekulli”-n.

Ajo shton se shfaqja “Pas Vdekjes” vjen me regji të Hervin Çulit, i cili ka menduar një koncept regjisorial shumë të veçantë, duke ndërthurur poezinë me muzikën, për ta kthyer nga një vepër me një akt në një shfaqje teatrale të plotë. Zamira tregon se aktorët janë dhe këngëtarë shumë të mirë, si Albano Prodani, Mateus Frroku, Silvio Gosokova dhe Paula Kodra.

Shfaqja është menduar që të jepet nën rregulla strikte, duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse nga Covid-19. Kita thotë se është menduar që “Pas vdekjes” të shfaqet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit dhe publiku do të ulet në karrige duke ruajtur distancën.

“E gjithë shfaqja do të jepet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit te ABC-ja. Oborri do të kthehet në skenë, aty do të vendosen prozhektorë që do të ndriçojnë dhe aktorët do të pajisen me mikrofona miza që të dëgjohen mirë. Publiku do të vendoset pak në oborr dhe mbi lulishten që është tek oborri i ABC-së dhe ne besojmë që do të kemi 70-80 persona çdo natë. Karriget do t’i vendosim larg nga njëra-tjetra dhe në mënyrë diagonale. Në teatër njerëzit nuk flasin dhe nuk bëjnë muhabet si në kafe dhe përderisa kafet janë të lejuara, nuk ka pse publiku në distancë të mos jetë në një teatër në ambient të hapur. Ndërsa për maskat nuk e di nëse publiku do të dojë ta mbajë, kjo do të jetë zgjedhje e tyre. Edhe personazhe ka pak, do të shmanget çdo afrim mes aktorëve, duke hequr puthjet, përqafimet edhe nëse janë të shkruara në tekst. Shpresoj që do t’ja dalim dhe duam ta bëjmë këtë gjë që teatri të rifillojë punën. Publiku është i etur për teatër dhe aktorët nuk mund të vazhdojnë të rrinë dhe të krijojnë nga shtëpia, nuk mund të bëjmë më teatër virtual”, tha Zamira Kita.

Ajo shton se në kalendarin e tyre artistik përfshihen Karnavalet e Korçës, të cilat do të organizohen edhe këtë vit por pak më ndryshe nga herët e tjera.

“Në 4 korrik do bëjmë Karnavalet e Korçës, por jo masive. Nuk do të ftojmë qytetarët të dalin në shesh dhe nuk do të kemi grupim. Do të kemi 10 grupe me nga 5 persona të vendosura në disa pika të zgjedhura të qytetit dhe çdo gjysmë ore do të qarkullojnë, do të ndryshohen. Do të ketë vetëm elementë të Karnavaleve për t’i kujtuar qytetit që ne jemi pjesë e kësaj feste dhe nuk do ta lëmë dhe sivjet. Ndërsa makina të hapura me 2-3 personazhe karanavalesh me muzikë ritmike do të qarkullojnë nëpër rrugicat dytësore, të cilat nuk i përfshijmë dot në këto grupimet e vogla”, tregoi drejtoresha e Teatrit të Korçës.

Kita thotë se janë planifikuar edhe 2 shfaqje të tjera, një ndër to “Shtëpia e Bernarda Albës”, por nuk dihet se si do të vazhdohet me to, duke qenë se në Korçë nuk mund të jepen shfaqje në ambient të hapur gjatë vjeshtës, sepse bën ftohtë.

“Ne po bëjmë përpjekje për të rikthyer ‘Shtëpia e Bernarda Albës’ që mund të shfaqet tek Hani i Pazarit, ku ne mbajtëm një mbrëmje poetike, dhe aty publiku mund të qëndrojë larg njëri-tjetrit. Në shtator do të kemi Koko Fest dhe unë paraprakisht po e mendoj në ambiente të hapura, pavarësisht se në shtator Teatri mund të hapet dhe të lejohet. Nëse aktorët do të punojnë jashtë do të kemi 5-6 trupa të ftuara me shfaqje të vogla me pak personazhe”, tha Kita.

Pamje nga mbrëmja artistike e organizuar në Hanin e Pazarit, Korçë

Përsa i përket periudhës së pandemisë, drejtoresha e Teatrit Andon Zako Çajupi tha se nuk ishte aspak e vështirë, por nuk mund të vijohet për më gjatë në këtë formë.

“Nuk e kemi pasur të vështirë që të gjejmë zgjidhje për art, qoftë me shfaqje nga shtëpia, montazhe poetike, parodi, këngë etj. Ne artistët e Korçës por edhe gjithë artistët e Shqipërisë e reflektuam këtë gjë, por ne ishim ndoshta ndër iniciatorët e parë që e bëmë. Kemi bërë gjëra të bukura që nuk na kanë lodhur, por fakti që kemi qëndruar për një kohë të gjatë të mbyllur dhe kemi funksionuar në këtë mënyrë na ka mërzitur. Kemi kohë që kemi dalë në prova në Teatër, fillimisht me maska, tani pa maska por me distancë, sepse kemi hapësirë. Karantina nuk ishte e mërzitshme, sepse në fund të fundit kishim mundësi të reflektonim, të merreshim me familjet tona, me gjërat tona  personale, por për të zgjatur më tej është e vështirë. Nuk mundemi më, ky është si të thuash një rebelim i shpirtit artistik që tenton të bëjë diçka”, tha Kita për “Shekulli”-n. / KultPlus.com

Aktori Ferra: Teatri i ri Kombëtar do të jetë dinjitoz dhe me parametra bashkëkohorë

“Teatri i ri Kombëtar, do të jetë dinjitoz dhe me parametrat më të mirë bashkëkohorë, duke mos pasur më turp për t’i bërë ftesa regjisorëve të huaj, siç ndodhte rëndom më parë”.

Kështu shprehet në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, aktori Gerti Ferra, duke shtuar se më në fund erdhi dita për t’i dhënë fund asaj karakatine, që ishte quajtur Teatër Kombëtar.

“Më në fund kështu si e mendoj unë, erdhi dita t’i jepnim fund asaj karakatine të turpshme që ishte në mes të Tiranës e që quhej Teatri Kombëtar. Dhimbshmëri kam pa fund për atë godinë, pasi e kam prekur që në vegjëli, kam emocionet e mija në atë skenë. I sapodalë nga bankat e Akademisë së Arteve ushtrova profesionin tim në atë skenë, por që ishte në zgrip të çmendurisë për t’u quajtur një Teatër Kombëtar. Më vjen keq që nuk u mblodhën kurrë siç ishim të gjithë aktorët, regjisorët dhe t’i hidhnin një tufë lulesh, të recitonim një poezi, disa vargje të ndjera për t’u ndarë nga emocionet dhe kujtimet tona. Edhe unë u rrëqetha kur godina ra, por pas goditjes së parë, thashë erdhi dita e madhe që mezi e kam pritur”, – tha Ferra.

“Unë e kam parë projektin e Teatrit të ri Kombëtar. Jam një prej atyre që e pata fatin ta shikoja në gjenezën e tij. Jam i interesuar dhe kam informacione të mira, që teatri po ndërtohet me parametrat më të fundit bashkëkohorë dhe jam i mbushur me gaz dhe optimizëm se më në fund të do të jetë një teatër bashkëkohor dhe do bëhet me parametrat më të mira dhe më të fundit bashkëkohorë, ku më në fund Teatri Kombëtar do të jetë një teatër dinjitoz, ku nuk do na vijë turp se do vijë një regjisor i huaj se do shikonte ato mangësitë, se nuk ulej dot skenografia, ku aktori i binte qosheve të skenës me kokë, një mizerabilitet. Them që do ta realizojnë një teatër të tillë dhe është në interesin e tyre ta bëjnë me të tilla parametra dhe për këtë jam i lumtur”, – tha Ferra për ATSH.

“Ajo godinë e kishte ezauruar të gjithë funksionin e vet. Nuk do isha kurrsesi dakord që në atë vend të shenjtë të ruhej ajo karakatinë që do binte copa-copa një ditë. E kam jetuar vetë. Nuk do më vinte kurrsesi mirë të shkoja tek Bregu i Lumit për të parë Teatrin Kombëtar. S’kam asgjë me atë zonë, por si koncept. Për këta romantikët dhe këta që po ngrejnë zërin sot, lind pyetja ku jeni ju që flisnit dikur për kushtet më të mira të punës, për pagat… etj., dhe nuk merren me kauza të qenësishme si e përditshmja e artistëve”, – shtoi ai.

“Kësaj qeverie, asaj Ministre të Kulturës, këtij Kryetari Bashkie që është i vetmi që na ka marrë kokë më kokë duke marrë opinionet personale të gjithë aktorëve, nuk e ka bërë asnjë deri më sot, asnjë politikan nuk na ka pyetur secilin nga ne se si e mendon kauzën e Teatrit Kombëtar. Nuk është vetëm godina kauza, është dhe sistemi. Pra është më e gjerë se kaq situata. U bëj thirrje që mos u merrni vetëm me godinën, por merruni dhe me thelbin e së vërtetës, ua them me shpirt këtë gjë. Ka shumë njerëz nga ata aty që e thonë e gërthasin, por ju them, ka shumë gjëra personale që ju jeni mbase viktimë e kësaj kauze të madhe që po përdoret rëndom sot nga politika. Ne s’jemi pjesë e politikës, jemi pjesë e së vërtetës, se kështu është jetë e mot prej 4 mijë vitesh. Është feja e parë që njerëzimi njohu, që kur Aristoteli i madh bënte shfaqjet e tij në Amfiteatër. Dhe për këtë fe kaq të madhe, them të bëhemi dishepuj të së vërtetës dhe jo të shpërdorohemi në këtë formë”, – përfundoi Ferra. /ATSH /KultPlus.com

Fino: I vonuar ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, shpresoj që amaneti i ikonave të artit të plotësohet sa më shpejt

Aktori Helidon Fino, një emër i vlerësuar nga publiku për kontributin dhe artin në skenën e Teatrit Kombëtar në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se ndërtimi i një teatri të ri është i vonuar.

Prej më shumë se 25 vitesh, i rritur në Teatrin Kombëtar, Fino thotë se prej shumë kohësh artistët kanë merituar të performojnë në skenë dinjitoze.

“Absolutisht që po, besoj që askush nuk është kundra ndërtimit të një teatri të ri dhe për mendimin tim teatri i ri me të gjitha parametrat bashkëkohorë është vonuar shumë. Unë kam filluar punë në Teatrin Kombëtar në 1995, pra prej 25 vitesh kam qenë mjaft aktiv në skenën e atij teatri dhe e njihja mirë atë godinë me të gjitha problematikat e saj. Megjithatë, në atë skenë janë vënë shfaqje të mëdha dhe dinjitoze falë përkushtimit dhe pasionit të trupës artistike të historisë të teatrit dhe brezave aktualë”, tha aktori Fino për ATSH-në.

“Ajo që mund të them thjesht si aktor, jashtë debateve rreth vlerave historike dhe arkitekturore të asaj godine, për të cilat le të flasin kompetentët, një teatër i ri me të gjitha parametra bashkëkohorë, duhej patjetër në të tashmen që jemi dhe për të ardhmen. Nëse prej shumë kohësh tashmë është treguar një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri ndaj nevojave të artistëve në përgjithësi dhe teatrit veçanërisht, është koha që me ndërtimin e teatrit ashtu siç duhet dhe pa abuzime të tregojnë përgjegjshmëri. Përndryshe, do të duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe historike” -u shpreh Fino për ATSH-në.

Sipas tij, Shqipëria dhe Tirana prej vitesh e ka pasur të nevojshme ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar.

“Shqipëria dhe Tirana prej vitesh kanë pasur nevojë për një teatër të ri me parametra bashkëkohorë. Të gjithë artistët duan të punojnë në kushte normale dhe standarde bazike, duan të performojnë në skena të bukura, të ngrohta, dhe me detaje teknike që nuk kufizojnë kreativitetin artistik. Është përsëritur shumë këto kohë që kemi punuar në atë godinë në temperatura të vështira dhe të papërshtatshme, si dhe shumë problematika të tjera, dhe ky është fakt dhe i pakundërshtueshëm. Prandaj them që është humbur kohë deri tani dhe mjaft më me shpërbërje dhe armiqësi brenda komunitetit ndërkohë që interesi ynë i vetëm duhet të jetë nxitja dhe vënia përpara përgjegjësisë autoritetet përkatëse për realizimin e teatrit të ri të vonuar”.

Amanetin e ikonave të artit shqiptar që nuk janë më mes nesh për pasjen e një teatri të ri, Helidon Fino e solli në mënyrë biblike.

“Më vjen keq për mënyrën se si janë përdorur emrat e ikonave të skenës së teatrit këto kohë. Është fakt dhe i trishtë madje që artistët rrallë herë janë kuptuar drejt nga shoqëria. Po, do të doja që dhe me ndihmën e Zotit amaneti i tyre të plotësohet sa më shpejt”. /Atsh /KultPlus.com

‘The Guardian’: Teatro historikë, ja vendimi që kanë marrë qeveritë

Vetëm pak javë përpara se në Tiranë të ndizej debati për shembjen e Teatrit Kombëtar, “The Guardian” publikoi një artikull, në të cilin renditeshin 30 teatro historikë, shumica shekullorë, që pritet të shemben për t’i hapur rrugë zhvillimit. Vetëm një numër i tyre do të shndërrohen në skena moderne, të tjerët do të mbyllin përfundimisht perden për t’u zëvendësuar nga godina biznesi, blloqe banimi, etj.

Nga Londra, në kryeqendrat e tjera kulturore të botës, prishja e teatrove të vjetër për shkak të mosplotësimit të nevojave moderne të artit, për shkak të rrezikut nga zjarri apo thjesht për shkak të rënies së të ardhurave që nuk justifikojnë më aktivitetin e tyre është një ngjarje krejt e zakonshme. Këto janë disa prej rastet më të famshme:

Paris: Janë të paktën 43 teatrot parizienë të shembur apo shkatërruar në dy shekujt e fundit. Disa nga rastet më të njohura janë: Teatri “Alhambra-Maurice Chevalier”, ndërtuar për të pritur shfaqje operistike në vitin 1866. Amortizimi dhe pamundësia për të përmbushur nevojat moderne sollën shembjen e tij përfundimtare në vitin 1967. Një teatër i ri, që mban të njëjtin emër është ngritur në vitin 2008, 300 metra larg vendndodhjes së të vjetrit.Teatri “Theatre de l’Ambigu Comique”, një prej më të vjetërve në Paris, i ndërtuar në vitin 1769 dhe i shkatërruar nga zjarri në 1827. i rindërtuar sërish pas zjarrit, deri sa për shkak të amortizimit u vendos për prishjen e tij përfundimtare në vitin 1966, duke mbyllur kështu një histori 2-shekullore.

Teatri “Pigalle”, i vendosur në rrugën me të njëjtën emër, një vepër madhështore e financuar nga Philipe Rothchild në vitin 1929, me qëllim që të shndërrohej në teatrin më modern të botës. Rënia e të ardhurave dhe keqmanaxhimi bëri që teatri të shitej në 1958. Edhe pse relativisht i ri, struktura madhështore bashkekohore nuk pengoi prishjen e tij disa vite më vonë. Sot, mbi teatrin e vjetër janë vendosur parkime dhe ofiçina.

Nju Jork – Lista e teatrove të shembur në Nju Jork pas 1900 është prej 45 teatrosh. E njohur në media si “masakra e madhe e teatrove”, në vitin 1982, 5 teatro historikë “Morosco”, “Bijou”, “Gaiety” dhe 2 “Astor Theatres” u shkatërruan njëkohësisht për t’u zëvendësuar nga qiellgërvishtësi i “Marriot Hotel”, brenda të cilit u ndërtua një teatër i ri modern “Marquis Theater”. Opera e madhe madhështore e Manhatanit, “Grande Opera House”, ndërtuar në vitin 1868 me një shumë rekord për kohën, u shkatërrua në 1960 si pjesë e rikualifikimit të të gjithë zonës së “Penn South”, ku u zhvilluan blloqe të larta banimi.

Gjermani – Rasti më klasik është ai i “Düsseldorfer Schauspielhaus”, ndërtuar në vitin 1747 nga Mbreti Karl Theodor si një teatër madhështor për të argëtuar aristokracinë e kohës dhe i dhuruar për qytetin në vitin 1818 nga Mbreti Friedrich Ëilhelm II i Prusisë, teatri u shemb në vitet 1960. Në vend të tij, u ngrit një teatër modern shumë i njohur në ditët e sotme, në gjendje për të plotësuar nevojat moderne të artit.

Moskë – Vetëm pak muaj më parë, në Moskë u shemb kinemaja më e famshme e kohës së komunizmit, një objekt me një fasadë ekstravagante që ngjall një nostalgji të veçantë për shumë moskovitë sepse ishte ndër të vetmet që transmetonin filma të huaj ne ate kohe. E ndërtuar në vitin 1959, në një prej rrugëve më të famshme të kryeqytetit pranë teatrit të famshëm “Bolshoi”, kinemaja “Solovey” u shemb në vitin 2019 sepse nuk plotësonte më standartet kundër zjarrit. Në vend të saj po ndërtohet aktualisht një bllok i lartë banimi. /KultPlus.com

Teatri Kombëtar, Veliaj: Garë për zbatimin e projektit, koncepti ai i arkitektit Ingels

Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet me kredi dhe poshtë godinës do të ketë parkim.

Kështu është shprehur kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë televizive. Ai tha se do të ketë garë për zbatimin e projektit ndërsa koncepti do të jetë ai i paraqitur nga arkitekti i njohur danez, Bjarke Ingels.

“Projekti i teatrit është i Bjarke Ingels, që është arkitekti më i mirë në botë. Do të ketë garë, interesi i bashkisë është që ta bëjë me cilësinë më të lartë dhe me koston më të ulët. Nëntokë duam të bëjmë një parkim të madh, pasi kemi shumë ministri dhe institucione. Qytetarët mund të lënë makinat dhe të shijojnë qytetin. Për të gjitha këto do të marrim 3-4 muaj kohë dhe pastaj do të bëjmë garën”, deklaroi Veliaj.

Parashikimi paraprak është se vlera e Teatrit të ri Kombëtar të arrijë në 30 milionë euro, shumë e cila do të sigurohet me kredi. Veliaj tha se deri tani janë ofruar 17 banka dhe do të zgjidhet njëra prej të cilave do të kërkojë nisjen e pagesës në vitin 2025.

“Është një tokë që i përket dikujt tjetër, i përket bashkisë së Tiranës. Ende nuk e dimë se si do ta zhvillojmë, mund ta mbajmë parkim, mund të bëjmë hotel ose zyra. Ne kemi një opozitë që në vend që të japë një alternativë, vetëm gjëmon ku janë lejet dhe tenderët dhe shkojnë e vënë gjoba, shko te kunati bëj pagesën, se do të përmendim emrin. Jam përgjegjës për ndërtimin e teatrit pa iu prekur asnjë centimetër nga toka”, tha Veliaj.

Ai vijoi vijoi më tej se procedura ligjore për shembjen e godinës së vjetër ka qenë plotësisht ligjore dhe se, “nxitimi” për shembjen ka ardhur për shkak se Instituti i Ndërtimit e ka cilësuar godinë të rrezikshme dhe në rast të ndonjë aksidenti do të ishte përgjegjës ai vetë dhe zyrtarë të tjetër të bashkisë.

“Ishte një kauzë tullumbace, siç ishte Astiri. Për mua për jetë a vdekje është e ardhmja e qytetit dhe premtimet që kam bërë në fushatë do t’i mbajmë. Pas tërmetit gjysma e bashkisë së Durrësit përfundoi në burg, kështu që bashkia e Tiranës e nxori mësimin. Ditën e parë që na kaloi kjo pronë në juridiksionin e bashkisë, kemi verifikuar sigurinë e ndërtesës. Ndërtesa ishte pa vlerë dhe në 80 vite nuk ishte kurrë një monument i mbrojtur”, tha Veliaj.

Ai e cilësoi të pavërtetë pretendimin se shembja ka nisur kur brenda godinës kishte ende persona. “Kjo është e pavërtetë. Kanë qenë 30 inspektorë të Institutit të Ndërtimit që e kanë kontrolluar ndërtesën tri herë”, u shpreh Veliaj.

I pyetur nëse ka përgjegjësi për provokimin e protestave në kohë pandemie, ai u përgjigj se është votuar për të bërë detyrën e kryebashkiakut dhe përgjegjësinë duhet ta mbajnë partitë politike. “Jam votuar që të jem kryetar i bashkisë dhe jo psikologu i partive politike që humbin. Jam votuar për një gjë tjetër, duhet të përgjigjet kush merret me qetësimin e opozitës”, përfundoi Veliaj. /Atsh /KultPlus.com

Gazeta e njohur gjermane shkruan për shembjen e teatrit: Një krim moral

Gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, shkruan se shembja e teatrit në Shqipëri është një skandal.

“Një krim moral,” e titullon ajo shkrimin.

Ndërsa në artikull flitet edhe për një marrëveshje që bier erë korrupsion

Shkrimi

Lopata e ekskavatorit godet me forcë fasadën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Kulla mbi hyrjen kryesore të godinës shembet brenda një kohe të shkurtër. Një projektor ndriçon godinën sepse është akoma errësirë kur vihet në jetë- duke u gdhirë e diela- plani i këshillit të qytetit për prishjen e teatrit, i cili ka nevojë urgjente për rinovim. Plani zbatohet pa paralajmërim. Pavarësisht protestave masive.

Vendimi i pakthyeshëm

Për më shumë se dy vjet, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grup profesionistësh të teatrit, pushtuan Teatrin Kombëtar në Tiranë për të parandaluar prishjen dhe privatizimin e hapësirës publike në qendër të kryeqytetit. Që në korrik të vitit të shkuar pati një përplasje të rëndë mes policisë dhe protestuesve. Vetëm disa ditë më parë, këshilli bashkiak miratoi vendimin që ndërtesa historike të hapë rrugën për një ndërtesë të re. Komisionerja e BE, Mariya Habriel paralajmëroi kundër ‘vendimeve të pakthyeshme’ dhe bëri thirrje për dialog.

Marrëveshja bie era korrupsion

Disa muaj më parë, ata donin t’i ‘dhuronin’ një investitori 8 mijë metra katror ku është vendosur teatri. Në këmbim, ai do të ndërtonte një teatër të ri, dukshëm më të vogël, përveç kësaj parashikoheshin ndërtesa të larta dhe një qendër tregtare. Por marrëveshja bie era korrupsion. Ajo pengohej nga protesta e mbrojtësve të teatrit. Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe anëtar i Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, bëri lëshime. Ai premtoi se qyteti do e ndërmarrë vetë përsipër ndërtimin e ri. Projekti 30 milionë euro do të financohet përmes një kredie. Sidoqoftë, kundërshtarët vazhduan të mbrojnë idenë e një referendumi dhe rinovimin e ndërtesës ekzistuese historike.

Mëngjesin pas shembjes së papritur pati përleshje të dhunshme mes qytetarëve dhe policisë si dhe arrestime të shumta. Anëtarët e partive opozitare, Partisë Demokratike të Lulzim Bashës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim të Monika Kryemadhit, ishin mes protestuesve. Ata janë aleatë me mbrojtësit e teatrit. Në kundërshtim me prishjen, opozita shpalli me zemërim ‘protesta popullore’ në muajt e ardhshëm. Presidenti Ilir Meta, që është afër opozitës, i sheh veprimet e këshillit bashkiak si një krim kushtetues dhe moral. Kryeministri Rama, nga ana tjetër, e quajti mbështetjen e opozitës si një papërgjegjshmëri në kohën e ‘luftës’ kundër pandemisë. Pretendimi se qeveria po përdor kufizimet e rrepta të lëvizjes për të krijuar fakte në rastin e Teatrit Kombëtar, duket se është i vërtetë.

Në krah me opozitën

Por sa e sinqertë është pjesëmarrja e partive opozitare jashtëparlamentare në fatin e teatrit? Ky konflikt gjithashtu duket se është bërë një tjetër shesh beteje mes kryeministrit Edi Rama dhe opozitës. Kjo e fundit ka hequr tashmë dorë nga mandatet e saj parlamentare pothuajse në shkurt të vitit 2019, gjë që çoi përkohësisht në pamundësi të parlamentit në marrjen e vendimeve. Në çdo rast, qeveria përdori aleancën me opozitën për të nënvlerësuar protestat, duke thënë se kërkesat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ishin të motivuara politikisht. Opozita e luajti kaosin e krijuar rreth teatrit sepse dëshiron prej kohësh që të provokojë një krizë qeveritare.

Deri në vitin 2018, Teatri Kombëtar ishte ende i mbrojtur, kryebashkiaku Veliaj mohon që ka pasur ndonjëherë këtë status. Shoqata për mbrojtjen e monumenteve, ‘Europa Nostra’ e rendit godinën mes ndërtesave kulturore më të rrezikuara në Europë- siç është e qartë tani, me të drejtë. Në vitin 1939, teatri u ndërtua nën pushtimin fashist sipas planeve të arkitektit Giulio Berte me stil futuristik italian. Ajo i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore dhe diktaturës dyzetvjeçare komuniste. Edhe kjo e fundit e keqpërdori në mënyrë të përsëritur, për shembull si sallë gjyqi në të cilën akuzoheshin kundërshtarët e regjimit komunist. Pjesë e kësaj historie janë ndryshimet e shumta të emrit: Savoia, Kosova, Teatri Popullor, Teatri Kombëtar.

Lufta pasiononte për të ruajtur ndërtesën dëshmon ndjenjat për një godinë, që nuk janë kryesisht të motivuara estetikisht. Përkundrazi, godina është gdhendur në kujtesën kolektive të shumë shqiptarëve. Prishja nënkupton humbjen e një pjese të identitetit kulturor.

Kundër diktaturës

Protestuesit nuk u ngushëlluan as nga planet impresive për një godinë të re, me një skenë të hapur në çati, të projektuar nga arkitekti danez, Bjarne Ingels. Ata mendojnë se ky është fillimi i instalimit të një diktature. Teatri është bërë simbol i rezistencës ndaj arbitraritetit të perceptuar të qeverisë. Konflikti është po ashtu një simptomë e një ndarje të thellë të Shqipërisë përgjatë vijave partiake. Kastriot Çipi, regjisor dhe anëtar i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, i tha gazetës se rënia e teatrit e ka bërë të qartë situatën e rëndë kushtetuese në vend. “Është koha për një debat mbi ndryshimet kushtetuese,” thotë ai, duke bërë thirrje për reformë themelore elektorale. “Tani e tutje nuk jemi duke protestuar më për Teatrin Kombëtar, por kundër diktaturës”

Rrëzoni qeverinë

Kryetari Veliaj, që ka dhënë urdhrin për shembjen, mbajti një fjalim me tone pajtimi. Ai tha se dëshironte të shtrëngonte duart me ata që kanë mbetur zemërthyer. Tirana u përket të gjithëve dhe ka vend për të gjithë, tha ai. “Poshtë qeveria, thërrisnin protestuesit te rrënojat e Teatrit të tyre Kombëtar. Ndjesia se Tirana u përket të gjithëve duket se i takon të shkuarës tani pas këtij aksioni ‘natën me mjegull’.

Aktorët shkodranë protestë simbolike për Teatrin

Aktorët shkodranë të teatrit “Migjeni” zhvilluan paraditen e sotme një protestë simbolike për të shprehur kundërshtinë  e tyre për shembjen e dy godinave në kompleksin e Teatrit Kombëtar në kryeqytet.

Përpara godinës së teatrit, të vendosur përkrah njëri-tjetrit në distancë mbanin pankarta me mbishkrimet “Unë jam teatri, trishtim kjo frikë”, “Poshtë diktatura.”

Aktorja dhe drejtorja e Teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka nuk e fshehu trishtimin duke e krahasuar shembjen e teatrit njësoj me prishjen e një xhamie.

Rita Gjeka: Se kam menduar kurrë. Gjithmonë kam thënë se janë fjalë por të bëhen vepra prej një artisti, vetëm ai momenti i shembjes që më del në ëndërr është njësoj sikur shemb kishat se këta e kanë forcën dhe vullnetit me i shemb kishat e xhamiat. Në fund të shpirtit tonë me teatrin kanë shembur një kishë dhe një xhami ku shkojmë dhe falemi, ku shkojmë dhe lutemi. E keqja e madhe është rinia e teatrit,  ata nuk kanë shpresë, i kanë vrarë shpresën, do Zoti që sa më shpejt kjo shpresë të zgjohet. / KultPlus.com

Teatri ‘Metropol’ në Tiranë nis shfaqjet “online”

Teatri ‘Metropol’ vjen çdo fundjavë në çdo shtëpi, për të gjithë familjen. E nis këtë të shtunë me dy shfaqjet e para.

Për të rriturit vjen “Rrajët lëvizin”, bazuar në veprën e Ernest Koliqit dhe regji nga Rozi Kostani, sjellë në skenë më herët në festivalin e dramës shqipe “MetroFest” në Teatrin Metropol të Qendra Kulturore Tirana.

Ditën e diel, në orën 11:00, për fëmijët do të transmetohet shfaqja “Tullumbaci i kuq”, me autor Barry Kornhauser, me regji nga Roerd Toçe dhe interpretim nga Erdet Miraka. Metropol ju fton kështu në dy takime virtuale me skenën teatrale, të shtunën duke menduar për të rriturit, dhe të dielën për të vegjlit. /KultPlus.com

Mesazh për Ditën Botërore të Teatrit: Teatri ka potencialin për t’u bërë një faltore dhe faltorja një hapësirë interpretimi

Teatri si Faltore

Në përfundim të një shfaqjeje të Teatrit Ajoka për poetin sufist Bulleh Shah, një plak, i shoqëruar nga një djalë i ri, erdhi tek aktori që luante rolin e sufistit të madh. “Nipi im nuk është mirë, ju lutem jepeni një bekim atij.” Aktori u mahnit dhe tha: “Unë nuk jam Bulleh Shah, unë jam thjesht një aktor që luaj këtë rol.” Plaku tha: “Bir, ti nuk je aktor, ti je rimishërimi i Bulleh Shahut, avatarit të tij.

Papritur na erdhi një koncept krejt i ri i teatrit, ku aktori bëhet rimishërimi i personazhit, që ai / ajo e portretizon. Eksplorimi i tregimeve të tilla si ai i Bulleh Shahut, dhe që ka aq shumë në të gjitha kulturat, mund të bëhet një urë lidhëse mes nesh, krijuesve të teatrit dhe një audiencetë panjohur, por entuziaste.

Ndërsa performojmë në skenë, ne nganjëherë largohemi nga filozofia jonë e teatrit, nga roli ynë si paralajmërues i ndryshimeve shoqërore dhe lëmë pas një pjesë të madhe të masave.

Në betejën tonë me sfidat e së tashmes, ne privojmë veten nga një përvoje lëvizëse thellësisht shpirtërore që teatri mund të ofrojë.

Në botën e sotme ku fanatizmi, urrejtja dhe dhuna janë në rritje dhe planeti ynë po zhytet thellë e më thellë në një katastrofë klimatike, duhet të rimbushim forcën tonë shpirtërore.

Duhet të luftojmë apatinë, letargjinë, pesimizmin, lakminë dhe mosrespektimin e botës në të cilën jetojmë, planetit ku jetojmë.

Teatri ka një rol, një rol fisnik, në dinamizimin dhe mobilizimin e njerëzimit për t’u ngritur nga rënia e tij në humnerë. Ai mund të lartësojë skenën, hapësirën e shfaqjes, në diçka të shenjtë.

Në Azinë e Jugut, artistët prekin me nderim dyshemenë e skenës para se të shkelin në të, një traditë e lashtë ku ndërthuren ana shpirtërore dhe kulturore. Është koha për të rimarrë atë marrëdhënie simbiotike midis artistit dhe audiencës, të kaluarës dhe të ardhmës.

Bërja e teatrit mund të jetë një veprim i shenjtë dhe aktorët me të vërtetë mund të bëhen avatarë të roleve që luajnë.

Teatri ka potencialin për tu bërë një faltore dhe faltorja një hapësire interpretimi./ Nga Shahid NADEEM, Pakistan, Përktheu: Elmaze Nura / KultPlus.com

Samuel Beket, ai që i dha njerëzores thelbësoren në art dhe e çliroi teatrin nga konvencionet

Ai, Samuel Beckett ishte i zgjedhuri. Vinte për ta kthyer teatrin në një skenë ngjarjesh të mëdha, kumtimesh të epërme dhe transformimesh estetike.

Samuel Beckett, njihet prej mbarë nesh si novelist, dramaturg dhe poet. Djaloshi irlandez i lindur në Dublin rroku të hyjshmen e krijimit me pasionin e ngulmëtarit. Erdhi në letërsi dhe njiherash në artin e dramës, ashtu ngadalë, pa poterë e trumbeta lajmëruese. U ngjit duke sprovuar pa panikun e të pamundurës. Asgjë rastësore nuk vjen me të. Ai përgatitet për të gjitha dhe gjithçka që reflekton protagonismin e tij, është veçse vetja e një Sizifi që ngjitet. Teatri është Olimpi i këtij Zeusi që fal plotpushtetin por nuk i heq nga dora ushtat e zjarrit. Teatri, ai manifestim që përpëlitej në terrin dhe heshtjen, asgjësë dhe mykut të përtej siparit të së shkuarës dhe domosdosë së një shekulli ngulmëtar, kërkonte një zë, një zemëratë, një ëndërr gjërash të thyera që paralajmëronin ribërjen e botës.

***

Messhekulli XX tenton të ringrejë diçkanë në teatër si nga hiri Feniksin mitik. Vendosje elegante, kostume madhështore, intriga të spërdredhura dhe mbarime të lumtura, janë hope filluese. Ardhje që kërkonin të ngrinin të tjera ura komunikimi me një njeri që ndryshonte më shpejt koha, me një botëkuptim që kërkonte të ngrihej mbi gërmadhat e së shkuarës. Vetëdija konfuze e një individi që kërkonte shumëçka pa qenë në gjendje të vizualizonte se çfarë, më shumë se një rebus që kërkon zgjidhje ishte një dhimbjë që kërkon mbivendosjen e një tjetër dhimbje, për ta ndarë ngadalë nga terrori i padurimit të torturës së ferrit që kishte gatuar vetë. Samuel Beckett, ndoshta kishte diçka për të thënë, për të bërë, jo dhe aq për ta çkoduar këtë enigmë, se sa për të ç’burgosur këtë gjendje shpirtërore nga boshi, për t’i kthyer thelbësoren këtij njeriu përmes teatrit.

Ai na qaset me gjëra krejt të tjera, të ngjashme me gjendjen e zhveshur të një peme të vetme, pushtuar nga dy endacakë të rreckosur, që prisnin për dikë që nuk do të vinte kurrë.

Në këtë kohë boshe dhe me këto shpirtra të telendisur, shkrimtari na ofroi ne shëndetin e brutalitetit, dhembshurisë, shpresës dhe dëshpërimit, të gjitha në të njëjtën kohë.

Nga erdhi ky njeri, ky njeri, i cili ishte aq i përqendruar në më të keqen tonë dhe që nuk mund të na ndihmonte ne… për të zbuluar më të mirën. Por ai u përpoq, i bindur se njeriut që kishte marrë arratinë nga vetja, do ti lejohej të rivinte, pa pendim a shpagë.

E hapi derën e atij vendi, që dukej qartë si një dhomë e murrëtyer dhe na ftoi të futeshim brenda. Ngadalë… sytë tanë u mësuan me errësirën, dhe mundëm pak nga pak që t’i shikonim gjërat shumë më qartë.

***

Te teatri bashkëkohor i Samuel Beckett, dikush mund të shikojë se si ai zhvishet nga grackat konvencionale të trillimit artistik, duke u përpjekur tashmë që të zbresë deri te thelbësoren e gjërave. Dhe vërtetë ai e përlan me fushëpamje të gjithën këtë proces krijimi, këtë identitet që rreket të kërkojë të tashmen e vet.

Ndër krejt tekstshkruesit e plotkuptimtë modernë, Samuel Beckett, e veçon veten në një këndshikim të ndryshët të botës, reales, racionales, të kuptueshmes. Qëllimisht ai më bëhet se vendos të qëndrojë nga na e errët, nga ajo pjesë e reales së gjërave dhe gjëndjeve ku pahet fare me dritën, ose e ka refuzuar përgjithmonë këtë thërmi të gjallimit zjarmues.

***

Më 13 prill 1906 u lind ai, Samuel Beckett, novelist, dramaturg dhe poet, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1969, personazh që mban mbi vete ndikesën e fuqishme të një shekulli dhe barrën e rëndë të “teatrit absurd”. I fundmi modernist, i ethshmi tragjikomik, gjithëpoaq një themel i kështjellës së shëmbëllimit të vlerave të tetarit si altar predikimesh.

Vizionet e tij të ngrysura në lidhje me qenien dhe me ekzistencën njerëzore në themel të konceptimit, nxitojnë t’i hedhin mbi supe mantelin e një nihilisti. Sipas tij, fati i njeriut në të tashmen e përgjithmonshme është përgjithësisht i erret, ngase në çdo kapërcyell, në çdo kthinë, në çdo qoshkë e skutë, e përgjon sëmundja, mjerimi, vdekja. Në një njëfarë mënyre, kësaj krijese fatkeqe një Amok i vihet nga pas këmba-këmbës, nga djepi në varr duke mos e lënë për asnjë çast të qetë. Së këndejmi rrekemi të dëshifrojmë tek ai botekuptimin e një pesimisti të pandreqshëm, një lloj predikimi të Zarathustrës si Zot.

Situatat e ngjeshura dramatike në kumtin krijues të Samuel Beckett ngulmojnë të shpërfaqin vetëm episode të ngrysura, shterrur prej gjithëpamjes, të jetës. Vetmia, dobësia, degradimi, humbja e dinjitetit, janë kudhrat ku ai farkëton personazhin e tij absurd, me kast nevojën e tharmit të një mbinjeriu, për të cilin flet Niçe. Humori sarkastik që shoqëron skenat, situatat, gjestet dhe personazhet, e bën më klithës këtë pesimizëm që ngërthen skajet ku tendoset njeriu që ai njeh, njeriu që ai ka takuar, vetvetja që ai rreket ta predikojë si një mundësi për ta çliruar njeriun bashkëkohor nga plogështia, boshi dhe shterrimi.

Beckett duket qartë se është i apasionuar pas shpirtit spartan dhe nuk toleron kundrejt asgjëje që personazhet e tij të vijnë si një forcë që zhvendos atë që rrezikon vërtetë të tashmen duke nxjerrë në dritë një krijesë të gatshme për tu ndeshur. Forca përshkruese dhe thellësia depërtuese e brendisë dhe shpirtit të personazheve të tij e bëjnë Beckettin një ndër penat me të fuqishme të letërsisë moderne.

Ndoshta jo aq i pazakontë se sa i vetvetishëm, Beckett i rrethvjen nevojës së njeriut bashkëkohor të njihet me një pjesë të vetes së tij, të cilën ndonse e ka të vështirë ta pranojë, ai gjithqysh jeton me të. Sipas këtij deshifrimi të absurdit Beckettian, ky njeri duke e pranuar këtë vetvete, nuk ka pse druhet ta njohë, ta shikojë në sy, të flasë për të dhe të ndeshet me të, si me një sëmundje të cilën mund ta luftosh pasi e ke denoncuar, jo duke e fshehur, duke e strukur pas alogjizmit trashanik: se kur diçka e largojmë nga sytë e botës, ajo nuk ekziston. Harrojmë se rrugën për tek mjeku na e tregon gjithnjë sëmundja dhe shërimin na e predikon ndeshja dhëmb për dhëmb dhe jo përpjekja për të fshehur veten pas gishtit.

***

Kësosoj Samule Beckett e vendos veten në rendin e penave më të veçanta,  më origjinalë dhe më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.

Ai nuk ishte ekzistencialist si filozofi francez Jean-Paul Sartre.

Puna e tij ngjasonte në disa drejtime me atë të James Joyce, mësuesit të tij të parë, kryesisht në përdorimin e gjuhës.

Me Franc Kafkën ngjasonte në trajtimin e disa situatave herë-herë duke përcjellë frikë e terror.

Me Fjodor Dostojevskin, në nxjerrjen në pah të shpirtit njerëzor, të përjetimeve dhe vështirësive me të cilat ndeshet njeriu në jetë.

Me Dante Aligerin tek kryevepra botërore “Komedia Hyjnore” atë e pikëtakon frymëzimi.

Nëpërmjet dramës “Duke pritur Godonë” e cila është edhe vepra e tij më e suksesshme ai përcjell tek lexuesi shpirtin dramatik ku e konsideron veten një romancier të mirfilltë. “Duke pritur Godon” u shkrua në 5 Janar të vitit 1953 në Paris . Është konsideruar për shumë kohë si “best seller”. Krijimtaria letrare e Samuel Beckettit shpesh herë është përdorur edhe në teatër ku regjisorë me famë botërore kanë ngjitur vepra të ndryshme në skenë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe kanë patur shumë sukses. Duke bërë një shëtitje “virtuale” përmes Irlandës, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë ai shkroi poema dhe histori nga më të ndryshmet duke treguar përjetime dhe situata nga më interesantet të cilat i skaliti me mjeshtëri në rrjeshtat që kanë mbushur librat e botuara prej penës së tij.

Ky është Samuel Beckett, predikuesi i absurdit si formë çlirimi e njeriut nga plogështia dhe boshi, sëmundje këto me të cilat e molepsi modernizmi. /Albert Vataj /KultPlus.com

100-vjetori i Tiranës kryeqytet, Veliaj: Do të kemi Teatrin më të bukur në Europën Juglindore

Krahas një godine të re për bashkinë, Tirana në këtë 100-vjetor do të hedhë edhe themelet e një teatri të ri modern.

Nga Bulevardi i Ri, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna edhe për ndërtimin e një godine të re të teatrit, duke krijuar kushte komode për të gjithë artdashësit.

“Jam shumë i vendosur të vazhdojmë me Teatrin e Ri. Për të gjithë ata që thonë kur do prishet, kjo nuk është sipas qejfit, por sapo të kenë mbaruar të gjitha procedurat, sapo të shkojë në Parlament kontrata e re, të jepet leja për Teatrin e ri dhe ne do të kemi teatrin më të bukur në të gjithë Europën Juglindore. Tirana e meriton që në 100 vitet te ardhshme të mos shkojë në teatër me batanije dhe qytetarët të rrethohen nga mbetjet e kashtës dhe shkrepëseve të Milanos fashiste”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë shtoi se gjithçka do të jetë e hapur dhe transparente, kurse nisja e punimeve për Teatrin e ri do të lajmërohet publikisht.“Për të gjithë ata që po lodhen aty, për mua rrini sa të doni, po nuk do jua bëjmë pa ditur, do ju lajmërojmë ditën që do të fillojë ndërtimi i Teatrit të ri.

Në finale të gjithë do të mundohemi që të harrojmë kush ishte kundër, siç po harrojmë kush ishte kundër sheshit “Skënderbej, Pazarit të Ri, Lodrave te Liqeni, këtij Bulevardi dhe shumë prej investimeve të tjera sepse besoj kur ndodh gjëra e bukur të gjithë duan të jenë bashkëautorë. Suksesi ka shumë prindër, dështimi ngelet zakonisht jetim se të gjithë e pasojnë. Teatri do të jetë një sukses i këtij 100-vjetori, ku do të fillojmë teatrin e ri, bashkinë e re dhe shumë prej projekteve që i kemi pranë zemrës”, theksoi Veliaj./ atsh / KultPlus.com

Sot nis Festivali i Teatrove në Ferizaj

Për të 49-tin vit me radhë, sot Ferizaj ngre siparin e festivalit më prestigjioz kombëtar të teatrove.

Shumë aktorë tashmë kanë ndarë datën për t’u prezantuar para publikut në hapje dhe gjatë gjithë netëve të Festivalit të Teatrove. “Shumë zhurmë për asgjë” me regji nga Zana Hoxha, “Një letër e humbur” me regji nga Kushtrim Bekteshi, “Zona e pritjes” me regji nga Fatos Berisha, “UN Inspektori” me regji nga Erson Zymberi, “Erdhi Godoja” me regji nga Shkëlzen Berisha, “Ditë vere” me regji nga Naser Shatrolli dhe “Kanuni i gruas” me regji nga Arlinda Morina janë shfaqjet e loja brilante e aktorëve që janë përgatitur për këtë edicion të festivalit.

Drejtori i Teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar mbarë edicionin e 49 të Festivalit të Teatrove dhe se trupat e aktorëve nga pothuajse e gjithë gjeografia shqiptare duke nisur nga Gjakova, Tetova, Shkodra, Gjilani, Podujeva, Prishtina, për të përfunduar tek nikoqiri, Ferizaj, janë gati për t’i dhuruar publikut, momente të veçanta artistike e cilësi të lartë të shfaqjeve teatrore.

Ai tutje bëri të ditur edhe jurinë e këtij festivali që përbëhet nga emra të dëshmuar të artit skenik si Haqif Mulliqi, Shengyl Ismajli dhe Mevlan Saraçi.

Organizimi i këtij edicioni të Festivalit të Teatrove nuk kufizohet vetëm në shfaqjet, pjesë të konkurrencës zyrtare, por edhe në aktivitete përcjellëse, ku për këtë edicion është programuar promovimi i librit të të ndjerit, profesorit universitar, Bekim Lumi, kontributit të tij të veçantë për artin e kulturën kombëtare.

Të gjitha shfaqjet fillojnë nga ora 20:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj. /KultPlus.com

Teatri i Komedisë me dokumentar për aktoren Ançe Xhambazova

Institucioni Nacional Teatri i Komedisë në Shkup ka filluar xhirimin e një dokumentari për aktoren e madhe Ançe Xhambazova.

Nga Teatri thonë se ky film do të drejtohet nën regjinë e Mile Grozdanovskit, ndërsa skenari është bërë nga Goce Trajkovski.

Në film do të shfaqen aspekte të ndryshme të jetës dhe karrierës së aktores Ançe Xhambazova, ndërsa premiera e dokumentarit do të jetë në kuadër të Festivalit “Hëna e Zhveshur”, në natën e fundit të festivalit (9 shtator). /portalb.mk/ KultPlus.com

Shoreditch feston lidhjet e saj të Shekspirit me një festival të veçantë

Duke provuar të kthehet në kohë, me të njëjtat veshje, të njëjtin aksent dhe të njëjtën ndjenjë, ka filluar festivali dy ditorë i cili feston trashëgiminë që ka lënë pas Shekspiri.

Ende duke iu përmbajtur reputacionit të tyre hipster, lagjja lindore e Londrës ka qenë nën kërcënim në dekadat e fundit nga blloqet e kullave të qytetit të Londrës.

Nga historia e pasur e shekullit të 16-të të kësaj zone, pothuajse asgjë nuk mbetet. Kjo është një nga arsyet pse herë pas here, Shoreditch-ët provojnë ta ruajnë të shkuarën duke rikrijuar në mënyrë modeste shekullin 16, shkruan KultPlus. Kjo hapësirë shumë e vogël u lejon njerëzve që të sillen, të flasin e ta njohin edhe më nga afër Shekspirin.

Ky gjithashtu është themeli i tullave Tudor mbi të cilin u ndërtua Teatri në 1576, mbase shtëpia e parë me qëllime për të krijuar në Londër që nga koha romake, dhe më vonë, vendi ku aktori dhe dramaturgu i ri filloi të fitonte reputacionin e tij. / KultPlus.com

Këshilltari i Merkel në mbrojtje të Teatrit

Martin Henze, këshilltar pranë CDU-së, partisë së kancelares Angela Mrkel, duket se i ka dhënë mbështetje artistëve, aktorëve dhe shoqërisë civile të grupuar në “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, që prej muajsh protestojnë në mbrojtje të godinës, e cila sipas Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj duhet të shembet.

“Kemi lexuar këto kohë shumë komente në mediat tona që mbajnë firmën e z.Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike në CDU-në gjermane. Dje z.Henze ishte në sheshin e Teatrit dhe mësoi për si po shkon protesta e sa të bindur jemi ta vazhdojmë atë”, thuhet në një njoftim të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Niko Kanxheri: Teatri Kombëtar duhet bërë i ri, nostalgjia për dy godinat duhet të zhbëhet

“Teatri Kombëtar për mua duhet bërë i ri. Nostalgjia për dy godinat e ndërtuara për të qenë provizore, duhet të zhbëhet”, deklaron aktori i njohur Niko Kanxheri.

Në vijim të qëndrimeve të aktorëve të njohur që mbështesin prishjen e Teatrit Kombëtar, Kryeministri Edi Rama shpërndau sot qëndrimin e aktorit Niko Kanxheri.

“Mua po ma ndërtojnë shtëpinë time moderne, të bukur, të mirë, komode dhe papritur unë nxjerr një arsyetim të ri, se çfarë duan ato kulla atje. Janë dy probleme që nuk qëndrojnë bashkë, brenda tyre është një justifikim. Godina në vetvete nuk sjell nostalgji, historia e Teatrit Kombëtar do të mbetet e dokumentuar me arkivën, fotot e shfaqjeve, dekoret, kostumet, muzikën etj. Ç’lidhje ka me mua kulla?!”, thekson Kanxheri.

Duke ndarë këtë qëndrim, Kryeministri Edi Rama shprehet se “krijues i shumë personazheve të veçantë, në skenë dhe në ekran, Niko Kanxheri ka dorën e tij si pedagog edhe në formimin e shumë aktorëve të rinj në vite. Asnjëherë i zhurmshëm, po shpeshherë i pranishëm me rolet e tij në veprat e suksesshme të teatrit e të filmit shqiptar, Niko Kanxheri ka qenë i pranishëm edhe në debatin për godinën e teatrit, ku padiskutim e drejta qëndron në krahun e shumicës dërrmuese të komunitetit teatror, pjesë e së cilës është edhe ai”.

“Si gjithnjë thjeshtë, por në mënyrën e tij të veçantë, aktori i spikatur ka formuluar edhe opinionin për këtë çështje”, thotë Rama.

Me Merita Spahinë në botën e përrallave

Në kuadër të ciklit “Sekrete mjeshtërie”, Ministria e Kulturës ka publikuar historinë e veçantë të Merita Spahisë e cila i kushtuar orë pa fund personazheve të veçanta në Teatrin e Kukullave.

“Ktë punë nëse e don, e ban, në të kundër nuk munesh me e ba”. Kështu thotë ajo teksa të prezanton një  për një me kukullat e ekspozuara në muret e godinës, që në krye të herës është ndërtuar si “skenë” politike. I njeh me emra, vite dhe të gjithë autorët e tyre. Të parin na prezanton Kacamisrin. “Çdo shtet ka personazhin e vet dhe ne kemi Kacamisrin”, thotë ajo, duke të të futur në një botë imagjinate, ku kafshë e sende flasin.

Ariu, Çufoja, Tipi, Pinoku, ujku, dhelpra, lejleku…. Personazhet e përrallave, ata pak që kanë mbetur, janë aty si dëshmitarë se edhe ne dikur kemi qenë fëmijë.

Kur erdhi për herë të parë në Teatrin e Kukullave, e pati të vështirë të gjente veten. Nisi të merrej me arkivin, të sistemonte kukullat, të merrej me skenografi, të ndërtonte tavanin e skenës, të vinte pak rregull në atë institucion me shumë pasuri, por të lënë pas dore, deri sa nisi të krijonte edhe vetë personazhe për të vegjlit.

Merita Spahija ka punuar 18 vjet në Teatrin e Kukullave, ka bërë gjithfarë punësh në atë institucion, duke i kushtuar orë pa fund e duke mësuar t’i dojë këto personazhe. “Shih sa i mirë që është, si rrapatush”, thotë, teksa na tregon një derrkuc rozë, të lehtë pupël.

“Kam ardhur aksidentalisht, për të ndenjur për pak kohë. Nuk isha e dhënë pas kukullave, edhe pse jam rritur me teatrin. Teatri ‘Migjeni’ është n’oborr t’shpis seme”, thotë ajo. Po fakti që vinte nga bota e artit, e ndihmoi që ta afronte institucionin më pranë teknologjisë së kohës. “Mu duk shumë i vjetruar. Ata ishin akoma me makinë shkrimi. Drejtorja e asaj kohe, Elvira Diamanti më ndihmoi shumë, për të hapur tavanin, për t’i dhënë arie e për ta bërë si skenat e të gjithë teatrove. Nuk ishte e lehtë e ndoshta nuk e kemi realizuar në masën 100%, por arritëm të përmirësonim skenën dhe të afroheshim me teknologjinë e kohës”, thotë Merita, duke të të shëtitur nëpër teatër.

Muret e hollit janë mbushur me kukulla, me fytyra karakteresh dhe fotografi të themeluesve dhe aktorëve kryesorë, përgjatë gjithë historisë së Teatrit të Kukullave.

Një ndër punët e shumta me të cilat është marrë në teatër është sistemimi i arkivit dhe tash ajo e njeh historinë e tij, në majë të gishtave. Kanë kaluar aty shkolla nga më të ndryshmet, të Lindjes e Perëndimit, që nga Kel Kodheli, që mbahet si babai i teatrit të kukullave dhe që solli kulturën italiane, atë me petrushka, që futen në dorë, por kokat janë të palëvizshme, për të vijuar me mjeshtrin Tonin Shiroka, që kaloi një kohë të gjatë në teatër. “Tonin Shiroka solli shkollën ruse, ai e çoi traditën një shkallë më tej. Ishte ai që futi karakteret në teatër, krijoi shfaqjet me gropë, me kukulla me tela”, vijon ajo. Më pas erdhi Lavdije Toro, Romeo Çani, që realizoi kukulla shumë moderne për kohën, për të vijuar me artistët më të rinj, si Ilir Dragovoja, Klaudia Hila, e Matlinda Mehmetaj, që për Spahinë, është trashëgimtarja më e mirë e traditës së lojës me kukulla.

Të realizosh një kukull, sidomos karakteri, sigurisht që nuk është e thjeshtë. Merita thotë se nuk ka kosto shumë të lartë, por kërkon shumë orë pune e durim. “Një shfaqje me kukulla do të paktën 3 muaj kohë, sepse gjithçka është manuale, sepse çdo proces do kohën e vet. Jashtë ka lehtësira, mund të blesh pjesë, kurse këtu te ne gjithçka realizohet në mënyrë primitive dhe kjo ka edhe mundin më të madh. Kur bën një kukull duhet të njohësh tekstin, ndërsa duhet të krijosh një raport shumë të mirë me regjisorin, për të kuptuar idenë e tij. Jo detyrimisht ai ka nevojë për një lepur të tërë, por vetëm veshët e lepurit”, thotë ajo. Me kohë, teknikat e realizimit të kukullave kanë ndryshuar. Kukullat kanë fituar më tepër karakter, ose janë bërë edhe më abstrakte.

“Edhe pse sot janë shkrirë kufijtë mes skenografit, kostumografit, realizuesit të kukullave, ai vazhdon të jetë një zanat. Unë nuk e kam pasur zanat, por vetëm prej dashurisë e kam mësuar, pasi jemi rritur me teatrin. Kam studiuar për grafikë, kam bërë skenografi, por kam bërë edhe kukulla, mes të cilave edhe “Shtatë kecat dhe ujkun”, të cilët doja t’i sillja ndryshe, t’i ngjisja në paravan, por duke ruajtur strukturën e kukullës me tela. Nuk doja të bëja butafori, por një mulazh me letra”, shton ajo teksa të drejton për tek dhomëza ku përgatiten dhe ruhen kukullat.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë laborator, por një dhomëz, ku punohet me mjete thuajse rrethanore. Aty gjejmë edhe Kujtimin, i cili prej 26 vjetësh monton kukulla, realizon butafori, skena… “Dikur punoja në Dekorin e Qytetit, pastaj erdha këtu. Është një punë që kërkon shumë durim, por edhe fantazi. Nuk mund të thuash se kemi shumë materiale për të punuar, prandaj shfrytëzojmë gjithçka mundemi. I blejmë në tregje, i sjellim nga shtëpia, susta, goma, topa pingpongu, mentesha…”, thotë Kujtim Goxhaj, duke qeshur e duke shkëmbyer batuta me Meritën, për shkak të rrangullave që u zë dora, për t’i përdorur për kukullat.

Gjithçka e bëjnë nga dashuria për zanatin, për fëmijët, që ata të argëtohen, por edhe të mësojnë. Kujtimit i duhet edhe një vit të dalë në pension, ndërsa Merita sot jep mësim në Universitetin e Arteve. Shpresojnë në kushte më të mira për Teatrin e Kukullave dhe të trashëgohet zanati i kukullabërësit dhe lojës me kukulla, si pjesë e një ëndrre të përjetshme të njerëzimit.

Transformohet Teatri i Operas dhe Baletit

“Së shpejti Shqipëria do të ketë një Teatër të ri të Operas dhe Baletit”, deklaron kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “Opera, edhe pse ishte ku e ku më e mirë, se sa karakatina e turpshme prej tallashi e Teatrit Kombëtar, nuk krahasohej dot as me teatrot e qytezave të Europës”.

Rama ka publikuar edhe disa foto nga rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit i cili duket se është në fazën e fundit të punimeve duke u kthyer në një tempull të muzikës lirike, baletit klasik me kushte moderne dhe e krahasueshme me skenat europiane.

E gjithë godina e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknik e profesional të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare. Ndërhyrje kaq e thellë rikonstruksioni nuk është bërë që para 60 vitesh.

“Dhe me këtë rast, kush ka sy të shikojë e mendje të mendojë, mund të shohë (edhe pse ende s’ka përfunduar Salla e Madhe e shfaqjeve) pa asnjë mundim, dallimin si nata me ditën mes pasionit tonë për të bukurën e për dinjitozen dhe lidhjes së pandashme me shëmtinë e me pisllëkun, të atyre që u vriten sytë nga drita e të resë. Ja kështu, njësoj, do të shkëlqejë nesër edhe Teatri i ri Kombëtar i Fjalës, i cili përveçse do të jetë një gëzim nga brenda për çdo artist e artdashës, do të rrezatojë edhe nga jashtë, si një kryevepër e arkitekturës bashkëkohore, falë talentit të arkitektit të famshëm danez Bjarke Ingels e të studios së tij prestigjoze “BIG””. Kjo vlen edhe për ata që e kanë romuzin 3D në majë të gjuhës kur komentojnë, sepse para se të niste ky kantier, 3D ishte edhe kjo këtu”, deklaron kryeministri Rama.

Teatri i Kukullave zbret në Vlorë

Gjatë kësaj fundjave Teatri i Kukullave është pranë publikut të vogël në Vlorë, në shëtitoren e Lungomares.

Kinemaja verore e qytetit gjatë këtyre ditëve ka qenë e tejmbushur me fëmijë dhe prindër të cilët kanë shijuar shfaqjet e kukullave dhe personazhet e tyre të dashur.

Mbrëmjen e djeshme Teatri i Kukullave shfaqi me sukses pjesën “Zemra e liqenit” në shëtitoren Lungomare. Kjo shfaqje u ndoq nga një numër i madh fëmijësh dhe prindër. Gjithashtu të shumtë në këtë shfaqje ishin dhe fëmijë të huaj të cilët kanë zgjedhur bregdetin e Vlorës për pushimet verore.

Shfaqjet do vijojnë dhe sonte në mbrëmje për të argëtuar të vegjlit ku përveç pushimeve verore argëtohen përmes këtyre shfaqjeve me personazhet e tyre.

Pra pushuesitë e vegjël në Vlorë dhe prindërit e tyre gjatë kësaj fundjave do shijojnë pushimet verore përmes artit me personazhet e dashura për fëmijë.

“E mjerueshme ngrehina e godinës, domosdoshmëri një teatër i ri”

Artisti i përndjekur nga regjimi komunist, Ardian Cerga mbështet shembjen e ngrehinës ekzistuese dhe ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

“Domosdoshmëria e një teatri të ri është evidente! Po njësoj është evident fakti i gjendjes dhe strukturës së mjerueshme të ngrehinës së teatrit, e cila për fat të keq nuk afron më asgjë përveç një lloj nostalgjie paksa naive, meqë në skenën e këtij teatri kanë interpretuar kollosët e artit skenik. Kjo më sjell në mendje polemikën e një viti më parë për ndalimin e filmit shqiptar, ku shumë pak u prononcuan në mbrojtje të figurave të shquara të ekranit, të cilat sot po trajtohen sikur do të humbasin vlerën e tyre po të shemben muret e ngrehinës teatër… Qesharake!”, shprehet ai.

“Si qytetar dhe si aktor shqiptar, e shikoj të domosdoshëm ndërtimin e një teatri të ri me të gjithë parametrat që koha kërkon; gjithmonë në vendin ekzistues dhe në territorin e tij natyrisht! Ndërsa për respekt të figurave të shquara mund të krijohet brenda ambientit të teatrit të ri një hapësirë muzeale, ku të nderohen siç duhet dhe jo kështu si sot, që vetëm përdoren si alibi kundër teatrit të ri! Një teatër i ri do të thotë edhe një mentalitet i ri…”, deklaron artisti Cerga.

Duke sjell në vëmendje opinionin e artistit Cerga, kryeministri Edi Rama shprehet se “Ardian Cerga u shfaq në vëmendjen e publikut, si një profil i ri dhe jashtë kornizës së asaj kohe, kur pati fajin se i ngjante më shumë gansterëve që interpretonte Alen Deloni, se sa partizanëve apo ballistëve të Realizmit Socialist. E trajtuan si një artist të degjeneruar dhe e degdisën në Shtëpinë e Kulturës së Beratit, pa të drejtë aktrimi!”.

Po ashtu, kryeministri thekson se “edhe Ardian Cerga e ka një opinion për çështjen e teatrit dhe si të gjithë ata që duan teatrin përpara politikës dhe nuk kapen pas politikës për të bërë teatër, ai mbështet shembjen e ngrehinës ekzistuese dhe ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, ne të njëjtin territor”.Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

“Godina e Teatrit ka degraduar në mënyrë të tmerrshme, emrat e mëdhenj që kërkuan teatër të ri”

Ëndrra e regjisorit dhe aktorit Gëzim Kame për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar është e kahershme. Ai i kujton ende përpjekjet, që janë bërë për ndërtimin e një teatri të ri që në vitet ’70. Regjisori i konsideron skandaloze kushtet, në të cilat gjendet sot Teatri Kombëtar, ndërsa edhe nga pikëpamja estetike e quan një turp të madh, që një kryeqytet si Tirana të ketë një teatër të tillë.

“Problemi i një teatri të ri me sa mbaj mend unë ka filluar që në vitet ’70. Pothuajse të gjithë artistët e asaj periudhe, që nga Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, të gjithë me radhe e kanë ngritur këtë problematikë. Sepse ajo godinë është e papërshtatshme, që në zanafillën e ndërtimit të saj, s’ka të bëjë me teatrin”, shprehet Kame.

Ai sjell në vëmendje debatin e zhvilluar edhe në vitin 98, ku shumë emra të njohur të skenës shqiptare mbështetën nevojën e prishjes dhe ndërtimit të një teatrit të ri Kombëtar.

“Ky është ngritur përsëri me fuqi të madhe në 1998-ën. Dhe aty kam qenë protagonist për këtë punë. Isha në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar. Bëra një përpjekje duke krijuar një grup aktorësh me në krye Kadri Roshin, unë, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo dhe Agim Qirjaqi. Dhe e pashë që duhej larguar si problem nga politika. Atëherë patëm atë vizionin që më mirë t’ia lëmë Presidencës, ose Presidentit këtë problem sesa të merrej shteti. Kjo u ndërpre pastaj me ndërrimin e ministrave të Kulturës, ikjen e Arta Dades dhe ardhjen e Edi Ramës”, deklaron regjisori Kame, askohe Kame drejtor i TK.

Pas 20 vitesh, regjisori mendon se godina e Teatrit Kombëtar ka degraduar. Rrezikshmëria e saj nuk është vetëm nga zjarri, por edhe nga struktura që ka. “Për 20 vite ajo godinë ka degraduar në mënyrë të tmerrshme, sepse janë bërë ndërtime të mëdhaja gjigande pranë saj, dhe themelet e saj janë shkatërruar. Pra vërtet tani paraqet një rrezikshmëri, po jo vetëm nga zjarri, por edhe nga struktura që ka ajo si godinë, dhe është e papërshtatshme fare”.

Gëzim Kame ndjen keqardhje që në këtë situatë ka ndërhyrë politika dhe janë krijuar dy qëndrime antagoniste mes artistëve.Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Ermonela Jaho shkëlqen në Australi

Ermonela Jaho të shpërthen imagjinatën, në interpretimin e një ndër mbretëreshave më të famshme të historisë shkruan specialistja e letërsisë angleze Stephanie Russo.

Anne Boleyn, bashkëshortja e dytë dhe më famëkeqe e Henrit të VIII është subjekti ideal për një opera.
Historia dramatike e Anne Boleyn ka kënaqur imagjinatën e publikut për pesë shekuj.

Ky produksion i 2019 i Operas së Australisë, pasqyron apelin dhe sidomos magjepsjen që tregimi i Ana Bolenës (në versionin italisht) ka ushtruar mbi gratë.

Në skenografi paraqiten imazhet e horizontit modern të Londrës. Një lule në skenë është duke kujtuar ende lulet që mbetën në varrin e Ana Bolenës në përvjetorin e ekzeutimit të saj, më 19 maj, çdo vit.

Në një moment, Ana Bolena (e luajtur nga Ermonela Jaho) shfaqet si një nga grupet e grave që duket se po vizitojnë Londrën në të ardhmen. Në këtë prodhim të vetëdijshëm dhe reflektues, ajo duket se e njeh aftësinë e saj për të duruar.

Anna Bolena e Donizetti ishte suksesi i tij i parë ndërkombëtar dhe ai i shkroi bashkëshortes së tij pas premierës së tij në dhjetor 1830, se audienca dukej e çmendur. Publiku që merrte pjesë në produksion e 13 korrikut në Shtëpinë e Operës së Sidneit dukej se pajtohej: duartrokitja ishte e gjatë dhe e shthurur, sidomos për performancën impresionuese Jahos si Bolena, shkruan Stephanie Russo.

Inkorporimi i imazheve dixhitale është veçanërisht efektiv në skenë përfundimtare, me një dritë të zbehtë të bardhë duke e bërë edhe më të dukshme dhunën e papritur me goditjen me shpata ndaj Anes.

Ndërsa shënimet përfundimtare të operës po këndohen nga një Anna pas vdekjes, vetë firmosja e Anne Boleyn – “Anne the queen” shfaqet në shkronjën e kuqe në skenë.

Është një kujtesë që këta njerëz kanë jetuar dhe kanë vdekur. Përtej aftësisë së saj për të frymëzuar fluturimet e mëdha të imagjinatës operistike, Anne ishte një grua e vërtetë, e ekzekutuar në dëshminë më të zjarrtë, nga burri që u martua.

Teatri i Prizrenit prezanton shfaqjen mbi jetën e Abdulhamitit të Dytë

Në mbikqyrje të Agjencisë Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA) në Prizren është mbajtur shfaqja teatrale “Usta” nga regjisori turk Ahmet Yenilmez, e cila me temë ka jetën e Abdulhamitit të Dytë.

Në shfaqjen teatrale të organizuar në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” nga Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSITEB), morën pjesë kryetari i delegacionit turk në Misionin e Forcave Paqeruajtëse (KFOR) në Kosovë, koloneli Numan Baş, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Hasan Burak Ceran dhe shumë të ftuar të tjerë.

Shfaqja kishte temë jetesën e Abdulhamitit të Dytë duke filluar nga vitet e rinisë së tij e deri në ditët e fundit. Shfaqja kohë pas kohe shkaktoi emocione tek publiku dhe u ndoq me vëmendje.

Artisti Rıdvan Dağlar, u tha gazetarëve se kanë dalur në rrugëtim për të pasqyruar një ngjarje historike që ka ndodhur para 100 viteve.

“Jemi shumë të lumtur që gjendemi në Kosovë”, tha ai.

Shfaqja teatrale e regjisorit turk Ahmet Yenilmez, më 26 qershor ditën e mërkurë, gjithashtu do të takohet me artdashësit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup./AA

Tirana destinacion edhe për artistët me famë botërore, dhurojnë spektakël magjik tek Amfiteatri i Tiranës

 Mbrëmja e djeshme në Amfiteatrin e Liqenit Artificial në Tiranë, ka qenë një mbrëmje e cila duket se do të mbesë gjatë në memorien e qindra artdashësve të baletit, të cilët kishin mbushur plotësisht jo vetëm vendet për t’u ulur, por edhe shkallët e Amfiteatrit.

Shtatë çifte balerinësh nga Tokio, Amsterdami, Moska, Milano, kanë performuar mbrëmë pjesë nga autorët më të mëdhenj të muzikës klasike botërore, por edhe asaj bashkëkohore si: “Pa De Deux” nga Liqeni i Mjelmave”, “Don Kishoti”, “Arrëthyesi”, “Korsari”, “Bajadera”, “Zhizel”, etj., por dhe pjesë moderne nga koreografët më të mirë në botë si Nacho Duato, Zanela Ginzales, Prelocaj etj. Eventi kërcimit i cili u organizua nga shoqata “ZUMBA ART” në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës arriti të sjellë për publikun e Tiranës disa prej emrave më të njohur të baletit botëror, të cilët me performancat e tyre arritën që për 2 orë me radhë, skenën e Amfiteatrit te Liqeni Artificial ta kthejnë në një skenë magjike.

Ardhja e artistëve me famë botërore në Tiranë është një tregues tjetër se kryeqyteti po kthehet në një destinacion edhe për artistë me famë botërore, të cilët deri dje mund t’i shikonim dhe t’i ndiqnim vetëm nëpërmjet ekraneve të televizorëve apo rrjeteve sociale. “Takohemi në Moulin Rouge”, duket shumë shpejt do të kthehet në “Takohemi në Amfiteatrin e Tiranës”.1 nga 7