Teatri i Kukullave zbret në Vlorë

Gjatë kësaj fundjave Teatri i Kukullave është pranë publikut të vogël në Vlorë, në shëtitoren e Lungomares.

Kinemaja verore e qytetit gjatë këtyre ditëve ka qenë e tejmbushur me fëmijë dhe prindër të cilët kanë shijuar shfaqjet e kukullave dhe personazhet e tyre të dashur.

Mbrëmjen e djeshme Teatri i Kukullave shfaqi me sukses pjesën “Zemra e liqenit” në shëtitoren Lungomare. Kjo shfaqje u ndoq nga një numër i madh fëmijësh dhe prindër. Gjithashtu të shumtë në këtë shfaqje ishin dhe fëmijë të huaj të cilët kanë zgjedhur bregdetin e Vlorës për pushimet verore.

Shfaqjet do vijojnë dhe sonte në mbrëmje për të argëtuar të vegjlit ku përveç pushimeve verore argëtohen përmes këtyre shfaqjeve me personazhet e tyre.

Pra pushuesitë e vegjël në Vlorë dhe prindërit e tyre gjatë kësaj fundjave do shijojnë pushimet verore përmes artit me personazhet e dashura për fëmijë.

“E mjerueshme ngrehina e godinës, domosdoshmëri një teatër i ri”

Artisti i përndjekur nga regjimi komunist, Ardian Cerga mbështet shembjen e ngrehinës ekzistuese dhe ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

“Domosdoshmëria e një teatri të ri është evidente! Po njësoj është evident fakti i gjendjes dhe strukturës së mjerueshme të ngrehinës së teatrit, e cila për fat të keq nuk afron më asgjë përveç një lloj nostalgjie paksa naive, meqë në skenën e këtij teatri kanë interpretuar kollosët e artit skenik. Kjo më sjell në mendje polemikën e një viti më parë për ndalimin e filmit shqiptar, ku shumë pak u prononcuan në mbrojtje të figurave të shquara të ekranit, të cilat sot po trajtohen sikur do të humbasin vlerën e tyre po të shemben muret e ngrehinës teatër… Qesharake!”, shprehet ai.

“Si qytetar dhe si aktor shqiptar, e shikoj të domosdoshëm ndërtimin e një teatri të ri me të gjithë parametrat që koha kërkon; gjithmonë në vendin ekzistues dhe në territorin e tij natyrisht! Ndërsa për respekt të figurave të shquara mund të krijohet brenda ambientit të teatrit të ri një hapësirë muzeale, ku të nderohen siç duhet dhe jo kështu si sot, që vetëm përdoren si alibi kundër teatrit të ri! Një teatër i ri do të thotë edhe një mentalitet i ri…”, deklaron artisti Cerga.

Duke sjell në vëmendje opinionin e artistit Cerga, kryeministri Edi Rama shprehet se “Ardian Cerga u shfaq në vëmendjen e publikut, si një profil i ri dhe jashtë kornizës së asaj kohe, kur pati fajin se i ngjante më shumë gansterëve që interpretonte Alen Deloni, se sa partizanëve apo ballistëve të Realizmit Socialist. E trajtuan si një artist të degjeneruar dhe e degdisën në Shtëpinë e Kulturës së Beratit, pa të drejtë aktrimi!”.

Po ashtu, kryeministri thekson se “edhe Ardian Cerga e ka një opinion për çështjen e teatrit dhe si të gjithë ata që duan teatrin përpara politikës dhe nuk kapen pas politikës për të bërë teatër, ai mbështet shembjen e ngrehinës ekzistuese dhe ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, ne të njëjtin territor”.Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

“Godina e Teatrit ka degraduar në mënyrë të tmerrshme, emrat e mëdhenj që kërkuan teatër të ri”

Ëndrra e regjisorit dhe aktorit Gëzim Kame për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar është e kahershme. Ai i kujton ende përpjekjet, që janë bërë për ndërtimin e një teatri të ri që në vitet ’70. Regjisori i konsideron skandaloze kushtet, në të cilat gjendet sot Teatri Kombëtar, ndërsa edhe nga pikëpamja estetike e quan një turp të madh, që një kryeqytet si Tirana të ketë një teatër të tillë.

“Problemi i një teatri të ri me sa mbaj mend unë ka filluar që në vitet ’70. Pothuajse të gjithë artistët e asaj periudhe, që nga Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, të gjithë me radhe e kanë ngritur këtë problematikë. Sepse ajo godinë është e papërshtatshme, që në zanafillën e ndërtimit të saj, s’ka të bëjë me teatrin”, shprehet Kame.

Ai sjell në vëmendje debatin e zhvilluar edhe në vitin 98, ku shumë emra të njohur të skenës shqiptare mbështetën nevojën e prishjes dhe ndërtimit të një teatrit të ri Kombëtar.

“Ky është ngritur përsëri me fuqi të madhe në 1998-ën. Dhe aty kam qenë protagonist për këtë punë. Isha në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar. Bëra një përpjekje duke krijuar një grup aktorësh me në krye Kadri Roshin, unë, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo dhe Agim Qirjaqi. Dhe e pashë që duhej larguar si problem nga politika. Atëherë patëm atë vizionin që më mirë t’ia lëmë Presidencës, ose Presidentit këtë problem sesa të merrej shteti. Kjo u ndërpre pastaj me ndërrimin e ministrave të Kulturës, ikjen e Arta Dades dhe ardhjen e Edi Ramës”, deklaron regjisori Kame, askohe Kame drejtor i TK.

Pas 20 vitesh, regjisori mendon se godina e Teatrit Kombëtar ka degraduar. Rrezikshmëria e saj nuk është vetëm nga zjarri, por edhe nga struktura që ka. “Për 20 vite ajo godinë ka degraduar në mënyrë të tmerrshme, sepse janë bërë ndërtime të mëdhaja gjigande pranë saj, dhe themelet e saj janë shkatërruar. Pra vërtet tani paraqet një rrezikshmëri, po jo vetëm nga zjarri, por edhe nga struktura që ka ajo si godinë, dhe është e papërshtatshme fare”.

Gëzim Kame ndjen keqardhje që në këtë situatë ka ndërhyrë politika dhe janë krijuar dy qëndrime antagoniste mes artistëve.Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Ermonela Jaho shkëlqen në Australi

Ermonela Jaho të shpërthen imagjinatën, në interpretimin e një ndër mbretëreshave më të famshme të historisë shkruan specialistja e letërsisë angleze Stephanie Russo.

Anne Boleyn, bashkëshortja e dytë dhe më famëkeqe e Henrit të VIII është subjekti ideal për një opera.
Historia dramatike e Anne Boleyn ka kënaqur imagjinatën e publikut për pesë shekuj.

Ky produksion i 2019 i Operas së Australisë, pasqyron apelin dhe sidomos magjepsjen që tregimi i Ana Bolenës (në versionin italisht) ka ushtruar mbi gratë.

Në skenografi paraqiten imazhet e horizontit modern të Londrës. Një lule në skenë është duke kujtuar ende lulet që mbetën në varrin e Ana Bolenës në përvjetorin e ekzeutimit të saj, më 19 maj, çdo vit.

Në një moment, Ana Bolena (e luajtur nga Ermonela Jaho) shfaqet si një nga grupet e grave që duket se po vizitojnë Londrën në të ardhmen. Në këtë prodhim të vetëdijshëm dhe reflektues, ajo duket se e njeh aftësinë e saj për të duruar.

Anna Bolena e Donizetti ishte suksesi i tij i parë ndërkombëtar dhe ai i shkroi bashkëshortes së tij pas premierës së tij në dhjetor 1830, se audienca dukej e çmendur. Publiku që merrte pjesë në produksion e 13 korrikut në Shtëpinë e Operës së Sidneit dukej se pajtohej: duartrokitja ishte e gjatë dhe e shthurur, sidomos për performancën impresionuese Jahos si Bolena, shkruan Stephanie Russo.

Inkorporimi i imazheve dixhitale është veçanërisht efektiv në skenë përfundimtare, me një dritë të zbehtë të bardhë duke e bërë edhe më të dukshme dhunën e papritur me goditjen me shpata ndaj Anes.

Ndërsa shënimet përfundimtare të operës po këndohen nga një Anna pas vdekjes, vetë firmosja e Anne Boleyn – “Anne the queen” shfaqet në shkronjën e kuqe në skenë.

Është një kujtesë që këta njerëz kanë jetuar dhe kanë vdekur. Përtej aftësisë së saj për të frymëzuar fluturimet e mëdha të imagjinatës operistike, Anne ishte një grua e vërtetë, e ekzekutuar në dëshminë më të zjarrtë, nga burri që u martua.

Teatri i Prizrenit prezanton shfaqjen mbi jetën e Abdulhamitit të Dytë

Në mbikqyrje të Agjencisë Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA) në Prizren është mbajtur shfaqja teatrale “Usta” nga regjisori turk Ahmet Yenilmez, e cila me temë ka jetën e Abdulhamitit të Dytë.

Në shfaqjen teatrale të organizuar në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” nga Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSITEB), morën pjesë kryetari i delegacionit turk në Misionin e Forcave Paqeruajtëse (KFOR) në Kosovë, koloneli Numan Baş, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Hasan Burak Ceran dhe shumë të ftuar të tjerë.

Shfaqja kishte temë jetesën e Abdulhamitit të Dytë duke filluar nga vitet e rinisë së tij e deri në ditët e fundit. Shfaqja kohë pas kohe shkaktoi emocione tek publiku dhe u ndoq me vëmendje.

Artisti Rıdvan Dağlar, u tha gazetarëve se kanë dalur në rrugëtim për të pasqyruar një ngjarje historike që ka ndodhur para 100 viteve.

“Jemi shumë të lumtur që gjendemi në Kosovë”, tha ai.

Shfaqja teatrale e regjisorit turk Ahmet Yenilmez, më 26 qershor ditën e mërkurë, gjithashtu do të takohet me artdashësit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup./AA

Tirana destinacion edhe për artistët me famë botërore, dhurojnë spektakël magjik tek Amfiteatri i Tiranës

 Mbrëmja e djeshme në Amfiteatrin e Liqenit Artificial në Tiranë, ka qenë një mbrëmje e cila duket se do të mbesë gjatë në memorien e qindra artdashësve të baletit, të cilët kishin mbushur plotësisht jo vetëm vendet për t’u ulur, por edhe shkallët e Amfiteatrit.

Shtatë çifte balerinësh nga Tokio, Amsterdami, Moska, Milano, kanë performuar mbrëmë pjesë nga autorët më të mëdhenj të muzikës klasike botërore, por edhe asaj bashkëkohore si: “Pa De Deux” nga Liqeni i Mjelmave”, “Don Kishoti”, “Arrëthyesi”, “Korsari”, “Bajadera”, “Zhizel”, etj., por dhe pjesë moderne nga koreografët më të mirë në botë si Nacho Duato, Zanela Ginzales, Prelocaj etj. Eventi kërcimit i cili u organizua nga shoqata “ZUMBA ART” në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës arriti të sjellë për publikun e Tiranës disa prej emrave më të njohur të baletit botëror, të cilët me performancat e tyre arritën që për 2 orë me radhë, skenën e Amfiteatrit te Liqeni Artificial ta kthejnë në një skenë magjike.

Ardhja e artistëve me famë botërore në Tiranë është një tregues tjetër se kryeqyteti po kthehet në një destinacion edhe për artistë me famë botërore, të cilët deri dje mund t’i shikonim dhe t’i ndiqnim vetëm nëpërmjet ekraneve të televizorëve apo rrjeteve sociale. “Takohemi në Moulin Rouge”, duket shumë shpejt do të kthehet në “Takohemi në Amfiteatrin e Tiranës”.1 nga 7  

Maria Antonieta, fati i një mbretëreshe; një spektakël i magjishëm tregon jetën dhe vdekjen e saj

Një spektakël i magjishëm në qiellin e natës me fishekzjarre të lëshuara nga një skenë dhe me kostume të kuruara më së miri në kopshtet e Versajës në “Mari-Antonieta, fati i një mbretëreshe. Për katër spektakle në muajin e korrikut, kompania teatrale piroteknike franceze, Grupi F, prezanton një spektakël një orësh ngjyrash, dritash dhe muzike, me të cilin tregon historinë e jetës dhe vdekjes së mbretëreshës së fundit të Francës.

“Të gjithë ne jemi përgatitur që herët dhe presim në prapaskenë. Unë kam edhe një peshë të madhe për të mbajtur mbi shpinë dhe m të duhet të dalë në skenë, të pretendoj se nuk ndjej asgjë, dhe madje edhe të kërcej…është shkatërruese për trupin tim, kjo është e sigurt… Nuk e di se si mund ta përballonin gjithë këtë në atë kohë”, thotë një prej anëtareve të grupit.

Kompania ka katër vite që punon për skenat në Versajë. Dhe këtë vit është përgatitur një spektakël i veçantë. Është punuar për adoptimin e tekstit historik në momentet më të rëndësishme të jetës së Mari Antonetës. Në të njëjtën kohë, autorët janë përpjekur t’i bëjnë ato edhe pak magjike.

Enigma Shekspir: A ishte bardi, grua?

Elizabeth Winkler

Dyshimet nëse Shekspiri (William Shakespeare), i ka shkruar vërtetë veprat që njihen si të tijat, janë aq të vjetra sa edhe vetë veprat e tij. Kandidatët alternativë, si Francis Bacon, Christopher Marlowe dhe Edward de Vere, konti i 17-të i Oksfordit, vazhdojnë të kryesojnë teoritë e konspiracionit.

Por, a ka menduar dikush ndonjëherë që krijuesi i atyre personazheve, grave të jashtëzakonshme në veprat e tij, të mund të ketë qenë në fakt një grua? Dhe, kush mund të ishte ajo:

Kritiku letrar John Ruskin, është shprehur: ”Shekspiri nuk ka heronj, ai ka vetëm heroina”. Dhe, një numër i madh i këtyre heroinave refuzojnë t’u binden rregullave të kohës. Të paktën 10 prej tyre i sfidojnë baballarët, duke u betuar se do të gjejnë vetë partnerin e jetës. Tetë personazhe femra maskojnë veten si burra, për të shmangur kontrollet patriarkale.

Por, pikëpamja mbizotëruese ishte se asnjë grua në Anglinë e periudhës së Rilindjes nuk shkroi për teatrin, sepse ishte kundër rregullave. Megjithatë, studiuesit kanë vërtetuar se gratë kanë qenë të përfshira në veprimtarinë e shtëpive të ndryshme botuese. Për më tepër, 80 për qind e dramave të botuara në vitet 1580 u shkruan në mënyrë anonime dhe ky numër nuk ra nën 50 për qind deri në fillim të viteve 1600.

Të paktën një studiuese e njohur i Shekspirit, Phyllis Rackin, sfidon supozimin e përgjithshëm që drama komerciale e asaj periudhe nuk kishte asnjë femër. Një gënjeshtër që demaskohet nga Gabriel Harvey, kritik i njohur letrar i epokës elizabetiane. Në vitin 1593, ai i referohej fshehurazi një “gruaje fisnike”, që kishte shkruar tri sonete dhe një komedi.

Po kush ishte kjo grua që shkroi një “vepër të pavdekshme”, në të njëjtin vit që u shfaq në shtyp edhe emri i Shekspirit, me poemën “Venera dhe Adonisi”?

Një kandidate është Mary Sidney, kontesha e Pembrokut (motra e poetit të famshëm Philip Sidney) – një nga gratë më të arsimuara të kohës së saj, përkthyese dhe poete.

Por, kandidatja që më ka intriguar më shumë ishte një grua ekzotike dhe shumë më periferike sesa kjo që ishte e mirënjohur. Jo shumë kohë më parë, mësova se “Globe Theater” në Londër kishte nisur të shqyrtonte të dhënat e kësaj figure. Sezoni veror i vitit 2018 përfundoi me një shfaqje të re, “Emilia”, që fliste për një bashkëkohëse të Shekspirit, Emilia Bassano.

E lindur në Londër në vitin 1569, nga një familje emigrantësh të Venedikut – muzikantë dhe prodhues instrumentesh, me gjasë me origjinë hebreje – ishte një nga gratë e para në Angli që publikoi një vëllim me poezi (fetare, por që mbronte lirinë e grave dhe shprehej kundër shtypjes mashkullore).

Ekzistenca e saj u zbulua në vitin 1973 nga historiani i Oksfordit A. L. Rowse, që spekuloi se ishte “zonja e errët” e përshkruar në sonetin e Shekspirit. Tek “Emilia”, dramaturgu Morgan Lloyd Malcolm shkon një hap më tej: Shekspiri i tij është një plagjiator që përdor fjalët e Bassanos për mbrojtjen e famshme që Emilia u bën grave tek “Othello”.

A mundet që Bassano të ketë kontribuar më gjerësisht dhe në mënyrë direkte në veprat e Shekspirit?

Numri i skeptikëve mbi autorësinë e Shekspirit, është i madh, mes tyre emra të njohur si: Ralph Waldo Emerson, Walt Whitman, Mark Twain, Henry James, Sigmund Freud, Helen Keller dhe Charlie Chaplin. Idetë e tyre në lidhje me autorësinë e dramave dhe poemave ndryshojnë, por pranojnë se Shekspiri nuk është njeriu që i ka shkruar ato. Dyshimi i tyre është i rrënjosur në fakte konkrete. Jeta e Shekspirit është dokumentuar mjaft mirë, sipas standardeve të periudhës. Por, asnjë dokument nga jeta e tij nuk e identifikon atë pa mëdyshje si shkrimtar. Më shumë se 70 dokumente që ekzistojnë, e përshkruajnë si aktor e si aksioner në një kompani teatrore, apo si një investitor. Ato tregojnë se ai shmangu taksat, se si u gjobit për këtë, dhe si iu nënshtrua një urdhri kufizues. Profili, është jashtëzakonisht koherent me atë të një sipërmarrësi të industrisë argëtuese të Rilindjes. Por, ajo që mungon është çdo shenjë që ai shkroi vepra.

Për më tepër, si arriti njeriu i lindur në Stratford, të kishte njohuri të gjera mbi ndodhitë në oborrin mbretëror elizabetian, për gjuhët e huaja, ligjet, astronominë, muzikën, ushtrinë apo territoret e huaja, veçanërisht qytetet veriore të Italisë? Dhe, fakt është që Shekspiri nuk u arsimua deri në moshën 13-vjeçare. Ndoshta ai ka udhëtuar, i është bashkuar në një moment ushtrisë, ka punuar si mentor, apo që të tria bashkë sikurse kanë supozuar studiuesit. Megjithatë, asnjë prej këtyre përvojave nuk ekziston.

Ndërkohë, jeta e Bassanos përfshiu të gjithë diapazonin e dijeve të përshkruara në veprat e Shekspirit. Studuesi John Hudson, e ka mbështetur prej vitesh këtë hipotezë. Në vitin 2014, ai botoi librin “Zonja e errët e Shekspirit: Amelia Bassano Lanier, gruaja prapa dramave të Shekspirit?”. Hudson përmend aty shënimet e një mjeku dhe astrologu të kohës, të quajtur Simon Forman. Në adoleshencë ajo u bë mësuese e Henry Careyt, mjeshtër i argëtimit në oborrin mbretëror dhe protekor i kompanisë teatrore të Shekspirit. Dhe, ky ishte vetëm fillimi. Nëse Bassano ka qenë e dashura e Shekspirit, kjo nuk mund të thuhet me saktësi.

Hudson thekson se Bassano jetoi “një jetë në kufijtë e shumë botëve shoqërore”, që përfshin edhe diapazonin e botës letrare të Shekspirit: referencat e saj të detajuara mbi intrigat e oborrit; burimet e saj italiane dhe origjina e supozuar hebraike; muzika dhe feminizmi i saj. Gjurma e saj në dramat e Shekspirit, shtrihet për një periudhë të gjatë. Ai vë në dukje shumë përdorime të emrit të saj, duke cituar disa më të hershme, si për shembull Emilian tek “Komedia e gabimeve”. Më vonë, tek “Tregtari i Venedikut”, heroi romantik është një venecian me emrin Bassanio, një tregues që autori ndoshta e dinte mbi lidhjen e Bassanos me Venecian. Më tej, tek “Otello” shfaqet një tjetër Emilia – gruaja e Jagos.

Më vonë, si gruaja e Henry Careyt, Bassano fitoi gjithnjë e më shumë qasje në botën e teatrit. Carey, kushëriri i mbretëreshës së Anglisë, mbante poste të ndryshme ligjore dhe ushtarake. Bassano ishte tejet “e favorizuar nga Madhëria e saj dhe nga shumë fisnikë”, vuri në dukje doktor Forman. Pastaj, në fund të vitit 1592, Bassano (tashmë 23 vjeçe) u dëbua nga oborri. Ajo ishte shtatzënë. Carey i ktheu paratë dhe xhevahiret e saj dhe më vonë u martua me Alfonso Lanierin, një muzikant i oborrit. Disa muaj më vonë lindi një djalë. Bassano u punësua më vonë në një familje fisnike, ndoshta si një mësuese e muzikës dhe afërsisht një dekadë pas asaj hapi një shkollë. Nëse ajo i shoqëroi të afërmit e saj në udhëtimet e tyre përsëri në Italinë e veriut, kjo nuk dihet. Por, lidhja familjare me vendin e origjinës ofroi mundësinë për njohjen në detaje me rajonin.

“Unë ndjeja gjithmonë diçka italiane, diçka hebreje tek Shekspiri”, do të shprehej Jorge Luis Borges për “The Paris Review” në vitin 1966. “Ndoshta, anglezët e admirojnë për shkak të kësaj, pasi është kaq ndryshe nga ata”.

Borges nuk ka përmendur “diçka femërore” për Bardin, megjithatë kjo përgjigje nuk ka pushuar kurrë të jetë pjesë e joshjes ndaj Shekspirit. /The Atlantic/Në shqip nga: Bota.al

Bota e aparencave në teatër

Kritika e Platonit mbi artit mimetik (imitues) në përgjithësi, dhe e teatrit, në veçanti, ka ushtruar ndikim te teoritë mbi teatrin, jo vetëm në antikititetin greko-romak e mesjetë, por edhe më tutje, në modernitet, ndonëse ka pësuar transformime të theksuara brenda rrymave të ndryshme të artit teatror. Kjo kritikë, paradoksalisht, u shpalosë në kohën e shpërthimit të një krijimtarie të artit teatror (me Eskilin, Euripidin e Sofokliun, veç tjerëve) nga më të begatshmet në histori.

Platoni i bën vërejtje teatrit, fjala vjen, se praktikon formën e skajshme të imitimit, ngase imituesi (poeti-autor) bëhet aty vet, në qenien e tij i ngjashëm me atë që imiton. Ai kritikon teatrin ngase e shikon si një aktivitet « i ndarë nga realiteti », e sidomos pse e bën ngatërrimin e personaliteteve (autori, aktori, spektatori). Por, imitimi teatral, për të, mbështetet në një konfuzion më të thellë e më të rëndë ngase na shpie ta konsiderojmë aparencën si realitet. Ndërkaq, për koncepcionin metafizik të Platonit ndarja midis aparencave dhe realitetit, është ndarje midis asaj që është e sipërfaqshme, iluzore, e pavërtetë dhe asaj që është e vërtetë dhe e mirëfillt. M. Haumesser, filozof dhe aktor, në Filozofi e teatrit (Paris, 2008), thekson se teatri, sipas Platonit, kënaqë dhe ushqen prirjen tonë të çuditshme që t’i besojmë aparencave, që është një « dobësi e natyrës sonë », e cila na shpie të besojmë te ngjarjet dhe gjërat që nuk kanë vërtetësi. Poezia mimetike përjashtohet nga sfera e njohjes së mirfilltë të botës, njohjes racionale, prandaj edhe është vetëm njohje e sipërfaqshme, simulim i njohjes së vërtetë. Edhe përmbajtja e aksioneve, në një shfaqje teatrale, meqë mbështetet te aparencat, ka të bëjë me lajka ndaj senzibilitetit tonë(f.15).

Karakteri i shumfisht i imitimit mbetet thjesht në nivelin aparencës së ndjeshme (senzibile) dhe dështon të arrijë te natyra dhe thelbi i një gjëje. Mu për këtë, teatri del te Platoni si një instrument i « shpërbërjes së shpirtit », ngase i dorëzohet « diversitetit të aparencave », të asaj që është e sipërfaqshme dhe e pavërtetë. Poeti dramatik del më ngashnjyes se dijetari që synon njohjen e mirëfillt racionale. Në dialogun Gorgias, Sokrati e vlerëson tragjedinë si një « retorikë që i shërben turmave », e dobët ngase « kultivon lajkat », duke e përdorë kënaqësinë që ofron kjo shfaqje teatrale si kurth për mendjen dhe njohurinë e kthjellët. Platonianët e mëvonshëm do ta kritikojnë më shumë komedinë se tragjedinë për kultivimin e « shtytjeve të ulta », nëpërmjet të qeshurit. Shën Augustini, duke ndjekur fillin e kritikës platoniane, do ta kritikojë karakterin paradoksal të kënaqësisë që ofron shfaqja teatrale.

Ambivalenca e teorisë së Platonit mbi teatrin

Megjithatë, teoria e Platonit mbi teatrin nuk është e njëtrajtshme ; ajo së paku është ambivalente. Kësisoj, ai nuk përjashton mundësinë që një vepër e mirë teatrore të mund të arrijë të ndriçojë vërtetësinë e ngjarjeve dhe karaktereve, por me kusht që t’i ikën shumllojshmërisë së aparencave senzibile. Për të qenë i pranueshëm, arti dramatik, për Platonin, duhet të imitoj personazhe që udhëhiqen me dëshirën për të vërtetën (f.18).

Haumesser, por edhe Hubert(Hyber), përkujtojn njëherit, se Platoni, megjithë kritikat që i bën teatrit, vet i ka ndërtuar veprat e veta në një formë mjaft teatrale: ato kanë formën e dialogjeve, që shpalosen në skena të ndryshme dhe rëndom kanë një rjedhë dramatike përmes debateve mbi tema etike, politike e metafizike. Platoni si autor imiton personazhe të tjera, duke filluar nga Sokrati, me emrin e të cilit i nënshkroi të gjitha veprat-dialogjet e veta. Mirëpo, personazhet kyqe të Platonit kanë si motivim dëshirën për të vërtetën, dëshirën për të tejkaluar aparencat. Disa nga veprat e tij, si Banketi dhe Apologjia e Sokratit, u vunë në skenë në shumë vende të botës, dhe u bën shfaqje të shquara, sidomos në kohën tonë. Më pastaj, shpesh është theksuar se ligjërimi i Platonit, ndryshe nga ai i Aristotelit, gërsheton ngushtësisht konceptet racionale me imazhe të fuqishme e mite domethënse.

Mosbesimi i Platonit ndaj artit teatral del edhe nga fakti se ai kishte hetuar fuqinë e teatrit e cila buron nga ndikimi i fort që ushtrojnë te njerëzit aparencat e aksioneve njerëzore. Ai e sheh rrezikun e « shpërbërjes » së shpirtit dhe shtetit brenda diversitetit të këtyre aparencave, duke e larguar atë nga normat e të vërtetës dhe të mirës. Jeta e imituar e një personazhi shpërfaqet si jetë e një hijeje, si hije e hijeve.

Haumesser do të vejë në pah se për Platonin teatri synon të suprimojë çdo instancë të gjykimit e cila do të vendosej përmbi aparencat, në veçanti autorin apo naratorin, i cili mund të synojë gjetjen e asaj që i ikën brishtësisë së kohës (Idetë). Për Platonin, problemi me teatrin qëndron aty se ai ka një fuqi të iluzionimit. Spektatori i përngjet, me situatën e vet, atij të të burgosurit brenda shpellës, ku ai është i mashtruar me vizionin e hijeve të cilat i merr si realitete (alegoria e shpellës në Shteti,VII). Kjo magji iluzioniste e teatrit mund ta ngatërroj kufirin midis fiksionit dhe reales ; në teatër zhvillohen lojëra të pasqyrës midis realitetit dhe imazheve(Hubert). Më vonë, Frojdi do të flasë për rëndësinë e « imagjinatës shkencore ».

Imitimi i një ideali

Haumesser e dikton, në hulumtimin e vet, një lidhje (ndikim)midis pikëpamjes së Platonit me atë të Denis Diderot, filozof francez i shekullit 18, i cili sidomos me veprat Ligjërimi mbi poezinë dramatike (1772) dhe Paradoksi mbi aktorin (1777) do të ndikoi thelbësisht te teatri modern. Jo vetëm disa filozofë por edhe disa dramaturg ishin të joshur nga ideja për mundësinë e zotërimit të fuqisë së teatrit, si art dramatik, për ta kanalizuar atë, duke e drejtuar te normat e të vërtetës ose të moralitetit. Kësisoj, në Ligjërimi mbi poezinë dramatike ai bën fjalë për një « dramë serioze » e cila do zinte një vend midis tragjedisë dhe komedisë dhe do të synonte të imitojë veprimet e mirëfillta morale (f.20). Nuk është fjala këtu që poezia dramatike të vehet në shërbim të këshillave moraliste. Por për atë që arti dramatik të krijoj një hapësirë për persiatje të cilat mëtojnë të ndriçojnë mundësitë e vetëformësimit të njeriut si qenie e mirrëfillt, në mënyrë që veprimet e tij, në relacione me të tjerët, të jenë përmbushje e saj që është thelbësisht njerëzore te njeriu. Diderot ka parasyshë aftësinë artistike për të zotëruar aparencat teatrale, duke evituar rrëshqitjen e personazhit dhe aktorit te një ndjeshmëri dhe sentimentalizëm ose në lojëra komike boshe, të cilat do t’i kaplonin dhe do t’i bënin të paaftë që të ngriten te një nivel i të menduarit i cili bën të mundur një imitim të aksioneve e ndjenjave të mirëfillta. Kështu, ai ia kundërvë imitimit të aparencave shqisore imitimin e një modeli dhe të një ideali që sajohen sa me forcën e mendimit aq edhe me pasione të fuqishme. Cilësia artistike e një shfaqje teatrore varet, për Diderot-n, pikërisht nga fuqia artistike e autorit dhe aktorit që të jetësojnë personazhe që nxjerrin në skenë mënyra të të jetuarit që cilësohen me vërtetësi e jo me simulime boshe(f.20).

Disa nga paradokset e aktorit te Diderot-së do t’i radikalizojë më tutje regjisori anglez Edward Gordon Craig (XX), në veçanti në librin Aktori dhe Mbi-marioneta, ku e redukton rrënjësisht vlerën e lojës së aktorit. Ndikimi i Platonit sa i takon raportit midis autorit dhe aktorit është i hetueshëm këtu. Madje Craig është më radikal në këtë pikë, ngase e kufizon aktorin në kukull të thjesht.

Ndërkaq Aristoteli, ndryshe nga Platoni, te Poetika, do të kërkoj të vërtetën e teatrit pikërisht brenda aparencave, brenda ndryshimësisë së tyre. Ai do të ushtrojë ndikim te disa rryma të tjera të mendimit dhe artit teatror, në shekujt që vijojnë. Aristoteli, në fakt, tematizon jo imitimin e një ideali por aksionin brenda ndryshimësive të rrethanave e sidomos transformimet e karaktereve dhe mendimeve të personazheve.

Në kuzhinën e aktorit

Michel Bouquet (Buke,1925-), njeri nga aktorët më të mëdhenj të teatrit francez (por edhe të filmit), i cili realizoi më se 100 role në teatro të ndryshme të Francës, në librin e bisedave Mësimi i teatrit (2014) zhvillon refleksione të thella mbi artin teatral e në veçanti për lojën e aktorit. « Detyrë e vetmja e aktorit, sipas tij, është që të bëjë të kumbojë brenda tij dhe të tjerëve tërësia e realiteteve dhe fantazmave që banojnë brenda magmës njerëzore (f.34) ». Ai mendon se aktori cilësohet me « aftësinë për t’i nxitur të tjerët të zbulojnë se në veten e tyre përmbajnë 50 million ekzistenca të ndryshme » e njëherit i cytë ta shtrojnë pyetjen « përse ata e mbajnë aq shumë të rëndësishme ta jetojnë ekzistencën e tyre (f.52). »

Bouquet i jap të drejtë Diderot-së kur ky fletë për « dy persona që njëherazi veprojnë brenda aktorit » : « është qenia intuitive e cila vehet në shërbim të rolit dhe që , në njëfarë mënyre, roli e përdorë dhe mbrapa, është tekniku, do të thotë aktori i cili vëzhgon për së afërmi se çka është duke ndodhur(f. 39) ».Bouquet mendon se Diderot ka të drejtë kur mendon se « aktori i përsosur është ai i cili sheh saktësisht se çka po ndodhë, gjakftohtësia e të cilit është e plotë për ta drejtuar sa më mirë punën e vet. Ai duhet të dijë se një gjest i caktuar është më efikas në një moment të shfaqjes të cilën e interpreton se sa në një tjetër moment[…] Aktori i vërtetë është ai i cili është njëherazi instrument i personazhit dhe zotëriu i tij(f.39). »

Në vend se ta reduktoj aktorin në marionetë, i cili vetëm i ndjek udhëzimet që i vijnë nga jasht, Bouquet e interpreton pikëpamjen e Diderot-së mbi aktorin në atë mënyrë që cilësia e tij themelore duhet të jetë jo ndjeshmëria por objektivitetingase vetëm kjo ia bën të mundur që t’i shtyjë të tjerët të zbulojnë atë që nuk arrijnë ta bëjn vetvetiu(41). » Bouquet mendon se aktori nuk duhet të identifikohet tërësisht me personazhin, të shkrihet i tëri në botën e ndjenjave dhe mendimeve të tij ; aktori i mirë ruan një distancë, ndonëse imiton veprimet dhe gjendjet shpirtërore të personazhit. Në këtë masë ai pranon një aspekt të mendimit të Diderot-së për rolin e aktorit.

Sa i takon raportit midis aktorit dhe regjisorit, Bouquet, rrënjsisht ndryshe nga Craig, thekson se « fusha e aktorit është tërësisht autonome. Askush nuk ka të drejtë të përzihet në kushinën e tij. » S’ka regjisor në botë, shton ai, «i cili do ishte aq i çmendur sa të dëshirojë të ndryshojë atë që ka një aktor në zemrën dhe ndërgjegjën e vet[…]Puna e regjisorit është më pak të jap udhëzime për zërin, shikimet, madje edhe për zhvendosjet në skenë, sa ta vejë aktorin në situatë që të pranojë brenda vetes personazhin duke zbuluar bashkë me të, raportin e natyrës së vet me rolin (f.75). » Mirëpo, sa i takon raportit të aktorit me tekstin e një autori, ai thekson se aktori duhet të jetë i vetëdijshëm se është vetëm interpretues i këtij teksti, e jo autor.

Në anën tjetër, « regjisori ka në duart e veta një tabele shahu dhe prandaj ai përcakton raportet e forcave që i lidhin apo i kundërvejnë. Në mënyrë të vete, edhe ai është autonom dhe fuqia e tij e vendimmarrjes është përcaktuese për publikun, por atij nuk i takon të merret me psikizmin e aktorit (f.75). »

Në mënyrë që personazhi të lind, sipas Bouquet-së, aktori duhet doemos të kalojë përmes « gjendjes së kërkimit të rolit, gjendjes së raportit të rolit me veten, dhe para së gjithash të ketë parasysh atë që kërkon autori (f.78) »

Këto presiatje për aktorin dhe « kuzhinën e tij », për raportet e tij me autorin dhe regjisorin, që janë zhvilluar në tê sotmen, janë sajuar edhe si reagim ndaj një qasje pjesërisht platoniane.

Shkruan: Muhamedin Kullashi./Kultplus.com

Regjisori Rijani sjellë “Xhelatët” në skenën e teatrit

Drama “Xhelatët”, e shkruar nga autori Martin McDonagh, është projekti i fundit që realizohet në skenën e teatrit të Maqedonisë nga regjisori Qëndrim Rijani. Rijani ka sjellë vepra teatrore të ndryshme, duke zhvilluar bashkëpunime me disa teatro. Këtë herë “Xhelatët”, produksion i Teatrit Kombëtar të Maqedonisë, do të vijë në skenë te “arTurbina”, duke sjellë ngjarjet e viteve 1965, njofton gazeta “Zeri”.

Në dramën “Xhelatët” regjisori vë në skenë rreth 15 personazhe, në rolet e tyre luajnë aktorët si Lulzim Zeqja, Fliorian Agalliu, Arben Derhemi dhe të tjerë artistë të njohur. Regjisori Rijani për medie ka theksuar se vepra teatrore “Xhelatët”, që është me përkthim në shqip nga Artur Lena, është nga më të njohurat dhe me vlerësime në skena të teatrove të ndryshme. Sipas tij, është një vepër tepër aktuale në raport me atë që trajton në ngjarjet e saj.

‘Xhelatët’, një vepër që përveç faktit se ka rrëmbyer çmime, është një vepër shumë e re, e cila shumë shpejt po bëhet pjesë e teatrove më të mira të botës. Është edhe tepër aktuale në raport me temën që trajton. Gjithashtu një ndër motivet është edhe lloji i teatrit që ofron si vepër”, shprehet për medie Rijani. Skenografe dhe kostumografe në vepër është Berina Kokona dhe kompozitor është Fatos Lumani.

Veprat e autorit Martin McDonagh janë shfaqur edhe më parë në skenat e teatrit, duke sjellë në role aktorë të ndryshëm. Drama “Xhelatët” është shkruar këto vitet e fundit dhe në vetvete sipas regjisorit Qëndrim Rijani përmban edhe një aktualitet me vendin tonë vite më parë në kohën e komunizmit

“Vepra teatrore ‘Xhelatët’ trajton temën e dënimit me varje. Përralla zhvillohet në Anglinë e viteve 1965. Temë e cila përkon me ndodhitë e po të njëjtave vite në Shqipëri”, thekson ai.

Në skenë regjisori ka zgjedhur aktorë të njohur, por për rolin e Shirlit në teatër janë zhvilluar edhe audicione. “Audicione kam zhvilluar vetëm për rolin e Shirlit. Rol i një vajze 15-vjeçare. Audicioni më ka lënë vërtet një shije shumë shpresëdhënëse për morinë e vajzave dhe aktoreve të reja, që po dalin në tregun tonë të teatrit. Ndërsa aktorët tjerë të veprës janë aktorë të teatrit dhe disa të jashtëm. Aktorë të cilët unë i kam parë në role të ndryshme në vitet e fundit”, shprehet ai.

Qëndrim Rijani vlerësohet se është mjaft aktiv në skenën e teatrit brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Në aktivitetin e tij me teatrin ai është vlerësuar me çmime të ndryshme në festivale. Në Tiranë dy vjet më parë ai solli në skenën e teatrit ‘Metropol” shfaqjen “39 hapat”. 

“Mirandolina” shfaqja më e re në teatrin “Istref Begolli”

Një nga veprat e njohura të dramaturgjisë botërore komedia “Mirandolina” e autorit të njohur Italian Karlo Goldon, do të vihet në skenë me trupën e aktorëve të këtij teatri.

Provat kanë nisur këtë të mërkurë, ndërsa premiera është planifikuar që të shfaqet në Ditën e Çlirimit të Pejës, me 16 qershor.

Edhe pse vepra është shkruar që në shek.XVIII, ajo përcjell mesazhe emancipuese dhe i flet realitetit tonë.

“Mirandolina” është vënë në skenë për herë të parë në Venecia në 1752.

Komedia ka porosi të forta për pozitën e femrës, një debat që zhvillohet edhe sot për trajtimin që i bëhet asaj edhe në shoqërinë kosovare.

Komedia më moderne e komedianit italian Carlo Goldoni, përballë femrën me mashkullin në skenën teatrore.

Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve dhe në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, e ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale.

Drejtori i Kulturës në Komunën e Pejës, Engelbert Zefaj pret një shfaqje të nivelit të lartë. “Duke i çmuar kapacitetet e regjisores Nura, ekipit që e ka përzgjedhur dhe trupën e aktorëve, jam optimist se do të kemi një shfaqje mjaft të sukssesshme në teatrin tonë që do të mirëpritet edhe nga publiku”, ka theksuar ai.

Kjo vepër është inskenuar në shumë skena botërore dhe kritikët e kanë krahasuar me kryeveprën e Shekspirti, “Ëndrra e një nate vere”.

“Përmbajtja e komedisë sjell situata të këndshme humori dhe me konceptin tim regjisorial, bashkë me trupën e Pejës, do të realizojmë një shfaqje me vlera të larta artistike dhe të pëlqyer nga publiku”, u shpreh regjisorja Elmaze Nura.

Edhe në shoqërinë kosovare, ku shfaqet shpesh një kulturë tejet maskiliste kjo vepër është apel për emancipim.

Vepra të tilla kanë mesazhe pa fund dhe secili spektator shikon diçka nga vetja, që është e mishëruar tek karakteret e veprës, si tradhtia, xhelozia, dashuria, etj.

Regjizorja Elmaze Nura rikthehet në Teatrin “Istref Begolli”, pas realizimit të dramës “Mendje djallëzore” të autorit Blerim Haxhiaj, një shfaqje që u vlerësua lart për nivelin artistik dhe e prezantoi Pejën në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Rumani./KultPlus.com

Në ditën Botërore të Teatrit, regjisorët kosovarë kërkojnë vetëreflektim për të kuptuar rëndësinë që ka ky institucion

Alberina Haxhijaj

Sot në Kosovë, sikurse edhe në çdo vend tjetër të botës është shënuar Dita Botërore e Teatrit. Kjo ditë shërben edhe si një vetreflektim për të parë gjendjen e teatrit por edhe mundësitë e pafundme të cilat ai i ofron. Për të shënuar këtë ditë,  KultPlus ka biseduar me disa regjisorë, shfaqjet e të cilëve janë realizuar në teatrot të cilat veprojnë në Kosovë, duke përfshirë këtu Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Oda, Teatrin Dodona, por jo vetëm.

Regjisori Florent Mehmetaj për KultPlus është shprehur se në këtë Ditë Botërore të Teatrit do të kishte dëshiruar që në të ardhmen Teatri Shqiptar të ketë vendin, funksionin dhe vlerën që i takon në shoqëritë tona respektive.

“Përpara se ta listojmë edhe teatrin si një aktivitet të kohës së lirë, do të duhej të ndaleshim e të reflektonim për rolin e artit dhe teatrit në veçanti në shoqëritë tona. Shoqëritë e emancipuara kultivojnë të bërit teatër (dhe forma tjera artistike) për të kultivuar vetë shoqërinë, për të kultivuar qytetarinë, për të ngritur kualitetin e jetës së qytetarëve, duke i dhënë jetës shoqërore një zë kritik, një rishqyrtim, vlerë të shtuar dhe emancipim e ngritje të vetëdijes kolektive e shoqërore”, është shprehur ai.

Sipas regjisores Zana Hoxha Krasniqi,  27 marsi duhet të na shërbejë për të kujtuar që artistët teatrorë dhe publiku janë banorët e përkohshëm të Universit Teatror.

“Teatri është universi ynë paralel, ku artistët krijojnë momente të një realiteti artistik dhe unik që të krijuar nga gërmimet më të thella të shpirtrave tonë. E pikërisht në ditët më të errëta, ky realitet teatror na lejon që të jemi të ndryshëm, të lirë shpirtërisht dhe mentalisht dhe të bashkuar në krijimet tona”, tha ajo për KultPlus.

Në anën tjetër dramturgu dhe regjisori Naser Shatrolli u shpreh për KultPlus se do të donte që sot ti zë mëngjesi aktorët, regjisorët dhe komunitetin kulturor duke llafosur për rrjedhën e skenës teatrore, përderisa teatri do të ishte ç’ lodhje e madhe shpirtërore.

“Krijuesit teatror sot do të kenë një motiv të fort për tu takuar diku me njëri-tjetrin nëpër kthinat e xhepave të një kafeje të vogël teatrore, për të pirë një gorë birrë, një kafe të gjezves, ku do të diskutonin shtruar – ku jemi ne karshi botës dhe a na vetmjafton këtu ku jemi sonte! Do doja që sot ti zë mëngjesi aktorët, regjisorët, komunitetin tonë, duke llafuar për rrjedhën e skenës teatrore, përderisa teatri do të ishte ç’lodhje e madhe shpirtërore për këdo që flet me gjuhën e skenës parasegjithash. Andaj, në këtë ditë botërore, le të shkarkohen artistët nga bateritë e rutinitetit të tyre ditor – le të vishen me shije, dhe pak para mbrëmjes, të marrin një taxi – le ti thonë atij – na dërgo të lutem në teatër, meqë ka premierë botërore ne Teatër! Ky do të ishte mesazhi im për mbarë universin artistik! Urojmë në emër të shfaqjes – premierë botërore “Fabrika e Kukullave” e cila sonte jepet para para publikut të Prishtinës – Kosovës, enkas për të shënuar këta datë shenjtëruese, e kudo ndodhur në botën e moderuar por dhe në vende ku ka më pak teatër e mundësi për të frymuar kjo aromë e pashterrshme që quhet teatër”, u shpreh ai.

E  në këtë Ditë Botërore të Teatrit, regjisori Ben Apolloni u shpreh se do të dëshironte që vendi jonë të kuptonte rëndësinë e madhe që ka teatri.

“Teatri, si institucioni më i vjetër kulturor që ka krijuar njeriu, e që vazhdon të jetë institucioni kulturor më i rëndësishëm edhe në kohën tonë, shpresoj që edhe në vendin tonë të fillojë e të kuptohet rëndësia e tij! Shpresoj që iniciativat për themelimin e teatrove nëpër qytete si Kaçaniku, Fushë Kosova, Kamenica, Suhareka… të jetësohen! Teatri është simbol i qytetërimit të një vendi dhe uroj që të qytetërohemi sa më parë edhe ne”, u shpreh Apolloni për KultPlus.

Shënimi i Ditës Botërore të Teatrit është iniciuar në Kongresin e 9-të Botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror (INT) të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, ndërsa që nga viti në vijim ai shënohet me datën 27 mars, datë kjo kur është hapur sezoni i “Teatrit të Kombeve” në Paris. Instituti Ndërkombëtar Teatror është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese./ KultPlus.com

Komedia kosovare “55 shades of gay” shfaqet në Bern të Zvicrës

Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Amerikë, komedia “55 shades of gay” nga Kosova, do të shfaqet për 3 net me radhë në Bern, në teatrin Schlachthaus.

Shfaqja, e prodhuar nga Qendra Multimedia e Prishtinës, do të luhet në gjuhën shqipe, me titra në gjuhën gjermane, në datat 28, 29 dhe 30 mars (www.schlachthaus.ch).

Pas shfaqjes së tretë, me date 30 mars, do të mbahet edhe një koncert i këngëtares së njohur nga Kosova, Edona Reshitaj.

“55 shades of gay” është shkruar nga Jeton Neziraj, regjinë e ka bërë Blerta Neziraj, kurse luajnë: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Verona Koxhaj e Luan Durmishi (vokal).

Qendra Multimedia nga Prishtina që është konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante dhe më provokative nga Evropa Juglindore’, ka sjellur me shfaqjen ‘55 shades of gay’, një performancë argëtuese politike dhe provokative.

‘55 shades of gay’ është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia.

Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao, menaxhere e skenës: Lendita Idrizi, ass. e regjisë: Verona Koxha, mjeshtër i dritave: Mursel Bekteshi. / KultPlus.com

Video trailer i shfaqjes: https://www.youtube.com/watch?v=qzNwo3m72OM

Kadare: Shqipëria i vetmi vend në Europë, që nuk ka një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër

Tashmë, për çështjen e Teatrit Kombëtar ekziston dhe një qëndrim i Kadaresë. Ai shkon krah gjykimit të Ramës mbi atë çfarë përfaqson ajo godinë, ndonëse si opinion është i pak viteve më parë.

“Dramaturgjia përbën pjesën më të papërfillshme në letrat shqipe. Nga ana e saj, jeta teatrale nuk ka shkëlqyer kurrë në këtë zonë të Ballkanit. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk ka ende një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër.

Teatri Kombëtar i sotëm, ish-Teatri popullor i kohës së komunizmit, i cili quhej dikur kinema Kosova, nuk ka qenë veçse një ndërtesë e përkohshme, nga ato që ushtria italiane i përdorte për zbavitjen e trupave të saj.

Për një habi, që në pamje të parë ngjan e pashpjegueshme, faktorët proteatrorë në Shqipëri janë të barabartë me ata kundër teatrorë. Duket sikur nga përplasja e tyre nuk mund të kishim veçse këtë tokë të askujt…”, shkruan Kadare.

Ky qëndrim i tij i përket parathënies së veprës “Drama e një lideri”, kushtuar Mid’hat Frashërit, shkruar në vitin 2008.

Këto fjalë të Kadaresë që vijnë në kohën e një përplasjeje të madhe artistiko-politike për fatin e Teatrit Kombëtar, u “zbuluan” gjatë promovimit të serisë Vepra të Zgjedhura të Mid;hat Frashërit, ku i pranishëm ishte dhe vetë shkrimtari i njohur./ KultPlus.com

Ismail Kadare

Bekim Lumit i ndahet çmimi special në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë

Mbrëmë në Tetovë u ndanë çmimet për më të mirët e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë, shkruan KultPlus.

Ndër shfaqjet që ishin pjesë e festivalit, ishte edhe “Arturo Ui”, me regji të regjisorit tashmë të ndjerë Bekim Lumi të cilit iu nda çmimi special.

Çmimi për regjinë më të mirë shkoi për Dino Mustafiç, shfaqja më e mirë doli të jetë “Vdekja e Dantonit” ndërsa çmimi aktori më i mirë shkoi për Rafet Abazin.

Edicioni i gjashtë i këtij festivali nisi më 11 ndërsa përfundoi më 16 tetor. / KultPlus.com

Meta kthen sërish ligjin për Teatrin

Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta ktheu sërish për rishqyrtim në parlament, ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar në Tiranë, i cili pësoi ndryshime duke përfshirë hapjen e një gare.

Kjo është hera e dytë që Meta kthen ligjin për Teatrin. Herën e parë ai renditi të paktën 9 çështje të cilat sipas tij përbënin shkelje. Socialistët ranë dakord me dekretin, por pa marrë parasysh vërejtjet e Kreut të Shtetit, përcjell VoA. Nën trysninë e Komisionit europian, ata përfshin hapjen e një gare dhe jo më një procedurë specifike për kompaninë “Fusha”.

Për presidentin Meta, as gara e hapur nuk i jep zgjidhje kësaj çështjeje. Praktikisht gara duket se është e tillë vetëm në letër, pasi kompanitë e tjera përveç “Fushës” nuk do mund të plotësojnë të gjitha kriteret. Në ligj është parashikuar që për zhvillimin e zonës pas Teatrit, kompanitë konkurruese duhet “të kenë nënshkruar marrëveshje me pronarët privatë që posedojnë pasuritë në zonën e zhvillimit të projektit”. Por njëri nga këta pronarë është pikërisht kompania “Fusha”. Mjafton vetëm që ajo të mos dëshirojë marrëveshje me ndërtues të tjerë, dhe këta të fundit janë automatikisht të skualifikuar.

Edhe presidenti Meta në tekstin e dekretit shprehet se një parashikim i tillë ligjor cenon drejtpërdrejt konkurrencën e lirë, trajtimin e barabartë dhe nuk garanton që procesi do të jetë objektiv dhe i ndershëm, por një proces selektiv konkurrimi./KultPlus.com

Kumbaro: Projekti do t’u përgjigjet ambicieve për një teatër bashkëkohor

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro deklaroi në studion e “ABC news” se artistët janë pjesë e rëndësishme e procesit të negociatave për Teatrin e ri Kombëtar dhe mendimi i tyre si grup interesi do të dëgjohet me shumë kujdes në këtë proces.

E pyetur në lidhje me debatin për Teatrin Kombëtar, ministrja Kumbaro u shpreh se tashmë ka kaluar vetëm ligji, që përcakton fillimin e procedurës për këtë teatër. Negociatat mes palëve dhe shqyrtimi i projekteve, do të çojnë tek finalizimi i procesit për Teatrin e ri.

Ministrja tha se projekti që do të fitojë duhet t’u përgjigjet ambicieve për një teatër bashkëkohor dhe të denjë për një Tiranë europiane.

Sipas Kumbaros, pavarësisht nostalgjive të gjithsecilit, përfshirë edhe kundërshtarët e Teatrit të ri, Tirana me 1 milion banorë ka nevojë për teatro dhe salla të reja.

Kumbaro foli edhe për punën e ministrisë që drejton, për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore si dhe për turizmin kulturor.

Ministrja theksoi se kalendari artistik i sezonit të verës rreshtoi 500 aktivitete në 3 muaj, në shumë zona të vendit dhe me kontributin e bashkive. Kjo sipas Kumbaros, e bëri Shqipërinë një emër mjaft të përmendur së fundmi në mediet ndërkombëtare si destinacion turistik. /a.t.a/ KultPlus.com

‘Në Kaçanik të gjithë e duan Teatrin, përveç atij që e merr rrogën si Kryetar Komune’

Shkruan: Ben Apolloni

Për ta parë shfaqjen erdhën qytetarë e politikanë të të gjitha partive (PDK, LDK, VV, AAK, NISMA), por jo edhe ai që e merr rrogën si Kryetar Komune.

Erdhën edhe pleq që nga mosha e madhe e kanë të vështirë të rrinë ulur, por jo edhe ai që e merr rrogën si Kryetar Komune.

Erdhën edhe miq nga qytete të tjera të Kosovës e Maqedonisë, por jo edhe ai që e merr rrogën si Kryetar Komune.
Erdhën mërgimtarët kaçanikas, jo vetëm një herë, por disa e kanë parë shfaqjen tri herë brenda tri netëve sa u shfaq, por jo edhe ai që e merr rrogën si Kryetar Komune.

Erdhën edhe… nuk e la kush pa ardhë, por jo edhe ai që e merr rrogën si Kryetar Komune.

Kryetarët shkojnë e vijnë, Kaçaniku dhe kultura do të mbesin.

“Shfaqja që shkon keq” nga Bashkim Ramadani vjen premierë në teatrin Dodona

“Shfaqja që shkon keq” nga Henry Lewis, Jonathan Sayer e Henry Shields, ka rënë në duart e regjisorit Bashkim Ramadani i cili me një kastë të gjerë aktorësh i janë përkushtuar punës për të sjellë një shfaqje që në natën e premierës të shkojë ashtu siç është më së miri, shkruan KultPlus.

Regjisori Bashkim Ramadani

Shfaqja zhvillohet në premierën e shfaqjes së dramës misterioze “Vrasje në shtëpinë e Havershamëve” e shkruar nga Suzi H.K. Braidsuell, e vënë në skenë nga Shoqata Dramatike e Universitetit Politeknik të Kornleit.

Një trupë amatore e cila së fundmi ka hasur në një vepër e cila në vete përmban po aq personazhe sa ka edhe vetë trupa aktorë është zgjidhja ideale për të bërë një shfaqje nga e cila pritet sukses i madh.

Në shfaqje bëhet fjalë për një njeri i cili gjendet i vdekur në dhomën e tij të gjumit në mbrëmjen e fejesës së tij dhe me këtë rast bën të dyshuar çdonjërin, e dyshimet padyshim do bien tek ata që e “donin”. Shpërfaqje e dashurisë së fshehtë, tradhti e intrigë do ishin ndër temat kryesore që kjo shfaqje do i prezantonte publikut të saj. Por aty ku pritshmëritë janë të mëdha çdo herë mund të pritet edhe dështimi. Drita që ndalen dhe ndizen vend e pavend, rekuizita e skenografi që mungojnë e prishen, personazhe që u bie të fiket, janë ndër problemet me të cilat ballafaqohet kjo trupë aktoreske e cila di vetëm një gjë, “Shfaqja duhet të shkojë deri në fund PATJETËR”.

Kasta e aktorëve të kësaj shfaqje përbëhet nga: Mikel Markaj, Leonit Maloku, Kaltrinë Zeneli, Gani Morina, Edlir Gashi, Alban Rexhaj, Armend Zeqiri.

Premiera e shfaqjes vjen përpara publikut në teatrin Dodona, më datë 13 korrik në ora 20:00.
Asistent regjie e shfaqjes është Armend Zeqiri, skenografia nga Dhurim Ismaili, kostumografia nga Agnesa Malushaj, mjeshtër ndriçimi – Skender Latifi, ndërsa dizajni i posterit është Mentor Berisha. / KultPlus.com

Rahoveci së shpejti me teatër funksional

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka pritur në takim Këshillin nismëtar për themelin e teatrit të qytetit në Rahovec, me të cilët ka biseduar për përkrahjen institucionale dhe për hapat të cilët duhet merren për themelimin e teatrit.

Pjesë e këshillit janë: Shpejtim Kastrati, aktor; Valmira Hoti aktore; Halil Selmanaj, skenarist/regjizor; Florent Pista, piktor; Naser Dula, profesor i muzikës; Agron Sokoli, aktor; Avni Morina, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit si dhe Ervin Hoxha, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Sport dhe Rini, transmeton Koha.net.

Bëhet e ditur se Latifi anëtarëve të Këshillit iu premtoi përkrahje institucionale duke thënë se Rahovecit i ka munguar teatri, “por besoj në gjithë anëtarët e këshillit që shumë shpejtë ky teatër të jetë funksional, kurse përkrahja në këtë pikë nuk do të mungojë”.

“Anëtarët e Këshillit thanë se do të kryejnë punën me përgjegjësi të plotë dhe presim që teatri të jetë funksional shumë shpejtë. Bartës i të gjitha përgjegjësive për themelimin e teatrit janë Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Drejtoria Komunale e Arsimit”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Miratohet ligji për Teatrin, opozita gjuan Ramën me kartonë

Me 75 vota pro u miratua në parim ligji për Teatrin Kombëtar, pavarësisht protestave të shumta të opozitës në sallë dhe artistëve e shoqërisë civile jashtë parlamentit.

Nga foltorja e Kuvendit nuk munguan replikat mes deputetëve të të dy palëve, ku ata të mazhorancës mbrojtën ligjin e sjellë në parlament, ndërsa opozita kërkoi me forcë tërheqjen e këtij ligji.

“Tërhiqeni këtë ligj. Këtë palaçollëk që dëshironi t’i bëni Tiranës dhe Shqipërisë”, tha deputeti Edmond Spaho, para se deputetët e opozitës të bllokonin foltoren e kuvendit.

Foltorja u bllokua në momentin para se të kalohej në votimin e projektligjeve, pasi opozita vijoi me kërkesën për të tërhequr ligjin e shembjes së Teatrit, por hasi në refuzimin e qeverisë.

Projekt ligji për Teatrin kaloi si nen për nen, ashtu edhe në tërësi, me 75 vota pro, të gjitha nga mazhoranca, ndërsa opozita qëlloi me kartonë kryeministrin Rama dhe la sallën e Kuvendit. / KultPlus.com

Rama: Teatri s’është pronë e aktorëve, vendos qeveria

Mbrëmjen e djeshme në një organizim ku ka marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama është përuruar “Turbina”, një hapësirë e re për teatrin, artin, kulturën me kushte optimale e teknologji të fjalës së fundit në Tiranë.

“Kjo skenë e re është një infrastrukturë e re për artin që nga cilësia e kushteve fare mirë mund të ishte në Paris, Londër apo Milano”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se kjo godinë do të ketë dy salla, por nuk u ndal gjatë tek përshkrimi i kësaj strehe të re për artin, por tek akuzat që janë bërë nga opozita për projektin e qeverisë për “Rilindjen e Artit”.

“Ky është një rast i mirë për t’i vënë disa pika mbi I, ndërkohë që peripecitë tona për rilindjen e kulturës zhvillohen në një kolonë të çjerrët zanore të disave që paralelisht kanë çelur pajtimin për ardhjen e fundit të botës kulturore”, tha Rama duke iu drejtuar kritikëve për Teatrin Kombëtar dhe rivalëve të tij politikë.

Sipas Ramës kundërshtarët e tij “ngrenë volumin e pajtimit për të zezën që gjeti Teatrin dhe artin”, por nuk duhet mohuar që qeveria i ka bërë disa gjëra në këtë drejtim.

“Disa gjëra që pa ne kurrë nuk do ishin bërë i kemi bërë që çke me të. Duan apo s’duan ata që nuk dinë çka duan. Në 25 vjet u zhdukën nga faqja e këtij dheu mbi 100 trashëgimi kulturore dhe 200 i kemi gjetur në gradën e fundit. 20 operacione shpëtimi po zhvillohen në të gjithë vendin dhe 76 kantiere të tjera janë gati të hapen. Do të donim t’i bënim përnjëherë, por mundësitë tona për shkak të borxheve të mëdhaja që duhet të shlyejmë s’na lejojnë shërimin e menjëhershëm të këtyre plagëve të së shkuarës”, deklaroi Rama.

Përsa i përket çështjes së Teatrit Kombëtar, Rama theksoi se “Shqipëria nuk e pati kurrë një godinë të denjë , sepse aksush përpara nesh nuk diti apo deshi të ndërmarrë një hap të tillë”.

Kreu i ekzekutivit në një farë mënyrë theksoi se nuk pranon kompromise dhe TK do të shembet, pasi për të vendosin të zgjedhurit e popullit dhe urbanistët dhe jo artistët që e cilësojnë si pronë të tyren.

“Një teatër publik nuk është prona private apo prona ekskluzive e aktorëve të momentit, por është mjedis për publikun dhe u takon vendimarrësve dhe specialistëve të fushës që të vendosin. Ndaj debati me aktorët dhe regjisorët është i domosdoshëm si të jetë më e mirë godina, por jo a duhet a s’duhet. Në rastin tonë godina e TK nuk është pjesë e trashëgimisë së njerëzimit”, tha Rama./ KultPlus.com

Qeveria e vlerëson tokën e lakmuar të Teatrit me 470 euro për metër katror

Projektligji kontrovers, i cili iu dorëzua Kuvendit me “procedurë të përshpejtuar” i vlerëson 8 mijë metrat katrorë tokë publike të Teatrit Kombëtar me vetëm 500 milionë lekë ose më pak se 470 euro për metër katror, në një zonë ku një apartament kushton mbi 2500 euro për metër katror.

Qeveria shqiptare dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë “me procedurë të përshpejtuar” një projektligj kontrovers që anashkalon kuadrin ligjor ekzistues për të dhënë me koncesion jashtë procedurave konkurruese 8,465 metra katrorë tokë publike në qendër të Tiranës. Tokaështë vlerësuar sipas një vendimi gjithashtu kontrovers të qeverisë “Rama” për 500 milionë lekë, ose më pak se 470 euro për metër katror, në një zonë ku një apartament i zakonshëm kushton mbi 2500 euro për metër katror, ndërsa një dyqan për 5 apo 6 mijë euro për metër katror.

Projektligji i qeverisë nuk ndryshon fare nga varianti fillestar, pavarësisht se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, pas një turi takimesh të cilat ai i quajti “konsultime”, deklaroi të mërkurën se kishte arritur një marrëveshje me artistët protestues, e cila sipas tij do të reflektohej në dokument.

Projektligji parashikon ngritjen e një grupi negociatorësh të udhëhequr nga kryebashkiaku Veliaj, i cili do të shqyrtojë propozimin e kompanisë “Fusha” sh.p.k për të zhvilluar zonën e Teatrit Kombëtar dhe do të hartojë një projekt-kontratë me të.

“Kontrata ndërmjet pronarit-shtet dhe partnerit privat duhet të përmbajë propozimin e paraqitur nga shoqëria “Fusha”, sh.p.k.,sipas këtij ligji, i cili është vlerësuar nga komisioni negociator dhe do të jetë pjesë e pandashme e kontratës,” thuhet në projektligj.

Relacioni i projektligjit, i cili është dërguar nga qeveria “me procedurë të përshpejtuar” argumenton mjetin esktraligjor të përdorur, “procedurë e veçantë”, me tre precedentë ligjorë të vendosur gjithashtu nga qeveria “Rama”, dy nga të cilët janë praktikate dështuara për ndërtimine Rrugës së Arbrit nga një kompani kineze si dhe ndërtimi i portit të Karpenit nga një kompani fantazmë. Shembulli i tretëështë ndërtimi me negocim të veçantë i Aeroportit të Vlorës, i cili është në negocim e sipër.

Çmimi prej 470 eurosh për metër katrorë për tokën më të shtrenjtë në Tiranë është nxjerrë nga një vendim qeverie, përmes të cilit, qeveria synoi të ulë vlerën e kompensimit për tokat e sekuestruara pa të drejtë gjatë kohës së komunizmit. Ndërsa pronarët u ankuan për këtë ulje çmimi që nuk reflekton vlerën e tregut, qeveria përdor të njëjtin çmim për të privatizuar një pronë të rëndësishme publike.

Kërkesë e pakërkuar nga Fusha

Në 8 shkurt të këtij viti, artistët e Teatrit Kombëtar protestuan ndaj një kërkese të drejtorit Hervin Çuli për të braktisur ndërtesën historike dhe për t’u zhvendosur në një ndërtesë ende të papërfunduar. Artistët refuzuan të lëvizin dhe kërkuan transparencë.

Autoritetet mbajtën përkohësisht të fshehtë planin e tyre për Teatrin, ndërkohë qënë publik u shtuan zërat për atë që u quajt “domosdoshmëri e shembjes” së Teatrit. Kjo fushatë u udhëhoq nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili deklaroi mes të tjerash se godina e Teatrit “shkakton kancer” apo ishte e “rrezikuar nga zjarri”.

Relacioni zbulon se “kërkesa e pakërkuar” e kompanisë Fusha sh.p.k për të zhvilluar zonën e Teatrit Kombëtar i është dorëzuar në Bashkinë Tiranë në nj datë të pacaktuar ndërsa bashkia e ka dërguar në Ministrinë e Kulturës kërkesën më 23 shkurt të këtij viti. Kërkesa e kompanisë Fusha, e njohur për fitimin e disa tenderëve nga Bashkia e Tiranës dhe nga qeveria mbahet sekret. Ajo që dihet është që me mbërritjen e kërkesës, Bashkia e Tiranës ia nisi një sërë institucionesh, përfshirë Ministrinë e Kulturës.

Relacioni thotë se ndërtesat e Teatrit Kombëtar “nuk mbartin vlerë historike”, ndërsa vlera e tyre kontabël është 95 milionë lekë (rreth 760 mijë euro). Projektligji rreket gjithashtu të argumentojë se pse kërkesa e Fushës duhet të trajtohet jashtë kuadrit ligjor të ligjit “Për Partneritetin Publik Privat”, një ligj që, ndonëse lejon formën e shumëkritikuar të “kërkesave të pakërkuara”, imponon gjithsesi që kjo kërkesë të hidhet në garë publike ku mund të marrin pjesë kompanitë e tjera të interesuara.

Ligji i Partneritetit Publik-Privat thotë: “Propozuesi i propozimit të pakërkuar mund të marrë pjesë në procedurën e koncesionit/partneritetit publik privat me të njëjtat kushte si të gjithë operatorët e tjerë ekonomikë dhe nuk i jepet asnjë trajtim preferencial”.

“Modeli ekonomik i propozuarmbështetet në disa praktika të aplikuara më parë nga qeveria, përgjatë tri viteve të fundit 2016-2018, si mënyra inovative dhe që i japin zgjidhje optimale nevojave/kërkesave të palëve të përfshira,” thuhet në relacion.

Relacioni jep tre ligje të mëparshme, që të gjitha të qeverisë aktuale, si precedentë për projektligjin e jashtëzakonshëm. Ligjin për negocimin e rrugës së Arbrit me një kompani kineze, ligjin për negocimin e Portit të Karpenit me një kompani anonime dhe ligjin për aeroportin e Vlorës me disa kompani turke. Është ironike që dy nga tre nismat në fjalë kanë dështuar tashmë ndërsa e treta, aeroporti i Vlorës, është ende “në negocim”.

Argumenti se pse duhet një ligj i jashtëzakonshëm i dhënë nga qeveria në relacion është se “asnjë institucion publik “nuk do të shpenzojnë asnjë lek nga buxheti i shtetit dhe nga fondet publike”. Relacioni harron të thotë se toka e teatrit kombëtar është pronë publike, e cila i nënshtrohet mbrojtjes ligjore të pronës publike.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi shpalli në seancën e ditës së enjte (28 qershor), kërkesën e qeverisë për “procedurë të përshpejtuar” për miratimin e këtij projektligji. Kjo procedurë i jep mundësi qeverisë të marrë miratimin e projektligjit në parlament brenda “jo më pak se një jave” ndërkohë që procedura e zakonshme kërkon së paku tre javë.

Qeveria ka të drejtë të kërkojë shqyrtim me procedurë të përshpejtuar, por kjo zakonisht kërkon një situatë emergjence, ndërsa një projekt i tillë nuk duket se justifikohet me “situatë emergjence”.

Miratimi i projektligjit në qeveri u bë të mërkurën në darkë. Kryeministri Edi Rama shmangu vënien e firmës së vet, duke ia ngarkuar firmosjen e propozimit zëvendëskryeministres Senida Mesi.

Para miratimit në qeveri, Ministria e Kulturës publikoi një dokument në bazë së së cilit, një numër artistësh kanë shprehur mbështetjen e tyre për planin e qeverisë. Por i pari në listë, aktori i mirënjohur Pirro Mani, rezultoi se nuk gjendej në Shqipëri por në Shtetet e Bashkuara.

Pyetur nga gazeta Shekulli, bashkëshortja e tij, aktorja e mirënjohur Pavlina Mani mohoi që i shoqi të ketë firmosur një dokument për shembjen e teatrit ndërsa theksoi se Pirro Mani nuk e ka firmosur dokumentin.

“Pirro Mani ka rreth dhjetë vjet që s’ka lëvizur nga Amerika, e çfarë firme mund të ketë vënë ai, në qoftë se ai është këtu në Amerikë. Lëreni të qetë se është në fund të viteve të jetës së vet, është i sëmurë,” citohet të ketë thënë ajo.
/birn

Pesë interpretime të fuqishme të aktorit Mirush Kabashi (VIDEO)

Mirush Kabashi është një aktor shqiptar i cili numëron rreth 100 role në teatër dhe filma. Kabashi tek publiku mbahet mend veçmas për interpretimet artistike të poezive të ndryshme.

Me interpretimet e tij të disa poezive shqipe, ai ka dëshmuar potencialin e rrallë të një interpretuesi. Shumë poezi janë gjetur, rilexuar pikërisht si rezultat i interpretimit të aktorit Mirush Kabashi. Tonaliteti e përjetimi i tij në secilën strofë arrin të krijojë një komunikim tejet të afërt me publikun dhe këto poezi përjetohen me emocion, e përcillen me duartrokitje gjatë recitimit.

Sot në datëlindjen e 70-të të aktorit të madh, KultPlus ju sjellë 5 interpretime të mahnitshme poezish nga aktori Mirush Kabashi.

https://www.youtube.com/watch?v=ux0EZVg493Y

https://www.youtube.com/watch?v=kUEvrqt-XrI