Nesër nis festivali i teatrove ‘Gjakovart’

Nesër në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë do të nisë festivali i teatrove ‘Gjakovart’, ku do të marrin pjesë gjashtë trupa teatrale nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në një lidhje të drejtpërdrejt me programin “Mirëmengjesi Kosovë” në RTK, përgjegjësja për media e këtij festivali Yllka Lota ka bërë të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për edicionin e parë të këtij festival dhe se ai pritet të ngjallë interesim tek publiku gjakovar.

Lota ka bërë të ditur se ky festival fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 27 shtator. Festivali do të nisë me shfaqjen e trupës teatrale të Tetovës “Dredhit e Patukut”, me regji të Kushtrim Bekteshit, derisa pjesë e festivalit do të jenë edhe trupa teatrale “Integra” nga Prishtina, teatri “Adriana” nga Ferizaj, teatri ‘Andon Zako Çajupi” nga Korça, teatri i qytetit të Gjilanit dhe teatri ‘Bekim Fehmiu” nga Prizreni.

Kryeministri Kurti takohet me ekipin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit ‘Burbuqe Berisha’

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ekipin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”, ku pjesëmarrës ishin Profesor Zijad Mehiq, drejtor, Doruntina Alishiqi, drejtore artistike e Festivalit.

Profesori Zijad Mehiq dhe ekipi i tij shpalosën planet e reja të PITF dhe zhvillimet programore më të fundit. Ekipi i PITF e njoftoi kryeministrin me programin e këtij viti, që shënon edicionin e tetë, e për të cilin kanë pranuar më shumë se 100 aplikime nga vende të ndryshme të botës.

Në njoftim thuhet se festivali do të shërbejë dhe si platformë për të njohur më mirë trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Kryeministri Kurti e ka uruar ekipin për punën e tyre të shkëlqyer. Përgjatë takimit u diskutua edhe rreth çështjeve të tjera zhvillimore të ndërlidhura me artin skenik në Kosovë, por edhe u përkujtua autori i mirënjohur nga Sarajeva, Abdulah Sidran, i cili ndërroi jetë para tri javëve.

“PITF po inkurajon zhvillimin e Teatrit, ngritjen e kuadrove të reja skenike dhe promovimin e artit e kulturës së Kosovës në botë, duke e lartësuar kështu më shumë veprën dhe emrin “Burbuqe Berisha”, si një prej figurave të rëndësishme të artit skenik të cilën e humbëm në tetor të vitit 2021”,thuhet në njoftim./ KultPlus.com