Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik është autoriteti që mbikëqyr rrjedhën e çdo tenderi publik.
E ky Komision, me ndryshimet e fundit në rregulloren e punës që bëri këto ditë, ndaloi miratimin e pajisjeve të telekomunikimit nga Kina e Rusia, raporton Klan Kosova.
Produktet e Dahua, Hikvision, Huawei, ZTE, Hytera dhe AO, u konsideruan se paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.
Për njohësit e fushës, rrezikimi i sigurisë kombëtare mundësohet përmes mikroçipave.
Tanzer Abazi, ekspert i sigurisë kibernetike, tha se kamerat, telefonat e pajisjet e tilla të internetit, ofrohen me çmim më të lirë vetëm që të mund të spiunojnë. Përmes tyre, sipas ekspertëve, mund të cenohet edhe siguria në veri të Kosovës, e të përgjohen aksionet organeve të rendit.
Por sherri i pajisjeve ruso-kineze mund të jetë edhe më i madh.
Pajisjet me të cilat KRPP-ja rekomandoi operatorët që as të mos aplikojnë nëpër tenderë, Amerika dhe disa shtete të Bashkimit Evropian i larguan nga tregu kohë më parë. /Klankosova.tv/KultPlus.com