Mbahet afati i dytë i provimit të maturës, në këtë ditë dalin rezultatet

Është mbajtur sot afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

Në këtë afat kanë marrë pjesë rreth 5 mijë maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.

“Provimi është organizuar në 59 qendra të Testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues, si dhe 600 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC)”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas ministrisë, “provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës”.

“Në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.

MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më së largu më 7 shtator”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Nuk ndryshon udhëzimi administrativ për shamitë në shkollë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, është paraqitur në konferencë ku ka diskutuar disa çështje, përfshirë edhe atë për të shamisë nëpër shkolla, shkruan KultPlus.

Nagavci në një konferencë për media tha se kjo fushatë e nisur së fundi nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme.

“Sa i përket çështjes së Udhëzimit administrativ, është fol shumë kohët e fundit për Udhëzimin administrativ për shaminë, dua të bëj të qartë se nuk ka ndonjë Udhëzim administrativ për shaminë, nuk ka pas asnjëherë me sa unë e di. E gjithë kjo fushatë që është ngritur kohën e të fundit, nuk është të themi e bazuar dhe e qëndrueshme”, tha Nagavci.

Ajo tutje thotë se udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe ata nuk mund të ndryshojnë një nen specifik.

‘Udhëzimi Administrativ të cilit i kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Është vërtetë që ky Udhëzim Administrativ ka disa çështje ligjore, sepse preambula të cilës i referohet d.m.th  nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MAShTI-t. Por, e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai Udhëzim të mbetet në fuqi, ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik”, u shpreh ajo duke shtuar se Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohin se si do ta rregullojnë tutje vetëm në aspektin formal ligjor.

“E drejta për shkollim është e garantuar dhe askujt nuk i mohohet të marrin pjesë në shkollat tona”, tha ndër të tjera ministrja, Nagavci. /KultPlus.com